E D I T O R I A L

 

VENDI DHE ROLI I AVOKATËVE

NË SISTEMIN E REFORMUAR TË DREJTËSISË

 

            Tashmë është pranuar përgjithësisht brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, se mungesa e besimit të popullit shqiptar dhe e aleatëve të huaj të tij për efektshmërinë e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, gjatë çerekshekullit të fundit është përcaktuar prej veprimit negativ të kombinuar të disa faktorëve.

 

Analizat e bëra në vazhdimësi gjendjes shumë problematike në këtë fushë kanë treguar se, sistemi i drejtësisë në Shqipëri vuan nga një qark vicioz korporativizmi, ku gjyqtarët mbrojnë të metat dhe shkeljet e kolegëve të tyre, duke mos dhënë llogari për këto shkelje nën ombrellën e një politizimi të skajshëm. Ndërkohë që te rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve është vërejtur edhe një mungesë e theksuar profesionalizmi, që ka çuar në vendime të gabuara me arsyetime të pabazuara.  

Nuk munnd të mos përmendet edhe cilësia e dobët e legjislacionit të miratuar këtu gjatë kësaj periudhe, si rezultat më së shumti i importimit të ligjeve të huaja, pa iu nënshtruar këto procesit të përshtatjes me traditën, nevojat dhe mundësitë reale të vendit, Kështu, nga ndikimet shpesh kontradiktore të sistemeve të ndryshme juridike, sistemi ligjor shqiptar mbeti në tranzicion, i çorientuar, i pa harmonizuar dhe jo koherent.

Ndërsa, një faktor tjetër, i identifikuar si gjithnjë e më negativ për dëmet e sjella pasurisë më të madhe që ka një shtet demokratik - drejtësisë, pa dyshim që ka qenë dhe mbetet prania e lartë e korrupsionit në këtë sistem, lufta e efektshme ndaj të cilit mund të zhvillohet me ashpërsi vetëm me anë të reformimit të të gjithë këtij sistemi, si parakusht i domosdoshëm për forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave dhe lirive të individit, barazinë e shtetasve përpara ligjit.

Përkundrejt këtyre shqetësimeve dhe të tjerave, të shumëfishuara me kalimin e viteve, që tashmë përbëjnë sfida madhore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko – shoqëror të vendit, me ritme të shpejta në rrugën e integrimit evropian, në horizontet e afërta të këtij zhvillimi është shfaqur nevoja për një reformë të thellë kushtetuese dhe ligjore, për të ekspozuar sistemin tonë juridik drejt koncepteve, rregullave dhe parimeve të së drejtës evropiane, si pjesë e pandashme e së drejtës së brendshme dhe e zbatueshme njëtrajtësisht prej institucioneve shqiptare të fushës.

Ndërkohë, Projekti i ndryshimeve në Ligjin Themelor të Shtetit dhe një sërë projekt-ligjesh organike në frymën dhe zbërthimin e dispozitave të reja kushtetuese, me miratimin e tyre dhe zbatimin jo shumë larg në praktikën e përditshme të sistemit, sigurisht që do të krijijnë kushtet për sundimin e përhershën të ligjit në të gjithë atmosferën e vendit tonë, duke u përmbushur nga trupat e gjyqtarëve dhe prokurorëve standardet më të larta të integritetit dhe etikës, përmes konceptimit, miratimit dhe zbatimit rigoroz të praktikave të mira për monitorimin dhe testimin e vazhdueshëm të magjistratëve në karrierë, rezultatet e të cilëve do t’u nënshtrohen kritereve ekskluzive për vlerësimin e tyre.

Reforma në sistemin e drejtësisë, përpunuar në një kohë të pakursyeshme nga ekspertë të nivelit të lartë, lokalë e ndërkombëtarë, dhe e konsideruar në unison nga shumica a gjithë popullit shqiptar, por edhe nga forca politike brenda vendit dhe partnerët strategjitë të Shqipërisë - SHBA dhe BE, si ”hap historik për krijimin dhe konsolidimin edhe këtu të një shteti modern”, pa dyshim, do të synojë dhe diktojë që të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, pra jo vetëm gjyqtarët e prokurorët, por edhe ata të profesioneve të lira, si avokatët, noterët, përmbaruesit e ndërmjetësit, të zotërojnë integritetin moral dhe aftësitë profesionale për zbatimin gjerësisht të së drejtës evropiane.

Prandaj, veçanërisht përfaqësues të Institucionit të Avokatisë – një prej filleve integrale të këtij sistemi - kanë marrë pjesë aktivisht jo vetëm në ekspertizën e hartimit të Projektit kushtetues për reformën në drejtësi, por edhe në diskutimet e shumta dhe të gjera të zhvilluara me shtresa të caktuara të popullsisë apo grupe të interesit në këtë fushë, propozimet e të cilëve në asnjë rast nuk janë kontestuar, madje kanë gjetur pasqyrim në Draftin përfundimtar kushtetues dhe në projektet e disa ligjeve të rëndësishme për funksionimin e efektshëm të institucioneve të reja dhe atyre ekzistuese, në kuadër të rinovimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Konceptimi i gjerë i rëndësisë së këtij profesioni jo vetëm se në Shqipëri ushtrohet nga një numër i madh prej rreth 10 mijë avokatësh, por edhe se këta ballafaqohen normalisht me të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore të një spektri të gjerë në të gjithë vendin, duket që është arsyeja përse në Projektin përfundimtar të amendimeve kushtetuese, veç të tjerash, për krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mund të figurojnë në përbërjen e secilit prej këtyre institucioneve edhe nga 2 avokatë, të përzgjedhur nga listat e hartuara prej Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në bazë të përmbushjes së disa kritereve rigoroze të karrierës së tyre.     

Kontributi i këtyre profesionistëve të ligjit ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm edhe për faktin se, kjo reformë kyçe kërkon prej tyre gjithashtu përmirësim të nivelit të shërbimeve që ata u ofrojnë klientëve të tyre, rritje të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, marrje pjesë gjerësisht prej tyre në trajnimin fillestar me kurrikulë të zgjeruar dhe në atë të vijues të detyruar, rikompozim të strukturave dhe procedurave disiplinore (deri në heqjen e liçencës) dhe rritje të transparencës së këtyre procedurave, krijim të mekanizmave efektive për të siguruar përmbushjen e detyrimeve fiskale dhe ndalur evazionin fiskal gjatë ushtrimit të profesionit.

Por detyrat e avokatit nuk fillojnë dhe mbarojnë vetëm me një përmbushje të ndershme të detyrave, në mënyrën dhe masën e përcaktuar nga legjislacioni. Avokati duhet t’i shërbejë interesave të drejtësisë, si edhe të drejtave dhe lirive të atyre klientëve që i janë besuar për t’u shërbyer dhe mbrojtur. ”Është detyra e avokatit që jo vetëm të mbrojë çështjen/kauzën e klientit, por të jetë edhe këshilltari i tij” - parashikon neni 1.1 i Kodit të Sjelljes i CCBE për Avokatët Evropianë, ku DHKASH rreshtohet në pozicionin e Anëtares vëzhguese. Është po kjo organizatë e Bareve apo Dhomave të Avokative të kontinentit tonë (në familjen më të zhvilluar të të cilit Shqipëria aspiron të pranohet sa më parë, fillimisht me efektshmërinë e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, çka synon dhe do ta bënte të mundur vetëm një reformim i thellë i sistemit tonë të drejtësisë) që këtu e 10 vjet më parë miratoi në mënyrë unanime një ”Kartë të Parimeve Themelore të Profesionit Ligjor Evropian”.

            Këto Parime Themelore artikulojnë bazën e përbashkët që nënvizohet nga të gjitha rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat përpunojnë sjelljen e Avokatëve Evropianë. Roli i tyre, shprehur nga individë, zyra avokatie apo shteti, tek e fundit mbetet si përfaqësuesë dhe këshilltarë të klientëve, si profesionistë që respektohen nga palët e treta, dhe si pjesëmarrës kyç në administrimin e drejtë të drejtësisë. Duke ua besuar të gjitha këto elemente edhe në Shqipëri, avokatët do të përmbushin gjithashtu funksionet e mbrojtësit ligjor në Shoqëri, të cilat janë: parashikimidhe parandalimi i konflikteve, siguria që këto të zgjidhen në përputhje jo me vullnete personale, por me parimet e pranuara të së drejtës civile, publike apo të së drejtës penale, dhe duke pasur parasysh interesat për të zhvilluar më tej të drejtën, si edhe për të mbrojtur lirinë, drejtësinë dhe shtetin ligjor.

            Në këtë kuadër, ku magjistraturës do t’i kërkohej reflektim kritik dhe vetëkritik, sidomos ndaj qëndrimeve, kulturave dhe nënkulturave antigarantiste, avokatët mund të luajnë këtu rol ndikues për zbatimin edhe të rregullave të deontologjisë gjyqësore, si: vetëdija për karakterin e pushtetit gjyqësor; vlera e dyshimit dhe ndërgjegjësimi për mundësinë e gabimit në çështje të faktit dhe të së drejtës; gatishmëria për të dëgjuar arsyet e kundërta dhe kërkimi i paanshëm i së vërtetës; kuptimi dhe vlerësimi me drejtësi i veçorive të çdo rasti; respektimi i të gjitha palëve të përfshira në çështje; aftësia për të fituar besimin e palëve, madje edhe të të pandehurve; refuzimi qoftë edhe i dyshimeve për instrumentalizimin politik të juridiksionit etj.

            Kështu, në përmbushje të të gjitha detyrave të tyre, avokatët do të rritin dinjitetin vetjak dhe rolin shoqëror që u besohet, aq sa argumentet e tyre do t’i dëgjojnë me vëmendje dhe shqyrtojnë me seriozitet jo vetëm gjyqtarët e prokurorët, por edhe parlamentarët dhe qeveritë. Sepse, ”Respektimi i funksionit profesional të avokatit është një kriter themelor për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shoqëri” - ky është qëndrimi që theksohet edhe në Parathënien e Kartës së Parimeve Themelore të Profesionit Ligjor Evropian.