E D I T O R I A L

 

JUBILEU I PARË I PUBLIKIMIT

TË REVISTËS ’AVOKATIA’

 

           

Me botimin e numrit 20 të kësaj reviste kurorëzohen 5 vjet përpjekje serioze për publikimin pa ndërprerje, çdo numër në tre muaj, të një media profesionale në shërbim të avokatëve dhe  të të gjithë profesionistëve të ligjit në Shqipëri. 

 

            Gjatë këtyre viteve janë justifikuar synimet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që ndërmjet shumë arritjesh të suksesshme për konsolidimin e këtij profesioni të nderuar në shoqërinë demokratike, gjithashtu vendosi të përgatiste publikimin e një reviste të tillë, si botim ekskluziv i saj, në ndihmë të formimit gjithnjë e më të plotë të anëtarëve të vet, por edhe të të gjithë atyre personave që shfaqin interes të përshkojnë përherë e më të sigurt rrugën e së drejtës dhe të manifestojnë me dinjitet dhënien e drejtësisë.

            Në këtë kuptim, publikimi i revistës ’Avokatia’ përbën një eveniment në historikun e Institucionit të Avokatisë Shqiptare, sepse është botimi i parë periodik me fizionomi të qartë, në të gjithë jetën dhe gamën dhe platformën shkencore të këtij profesioni në Shqipëri. Vlera e e një botimi të tillë çmohet dhe rritet më tej, kur dihet që zgjidhjet ligjore në drejtim të së drejtës dhe të nirës të shumë çështjeve që mundojnë publikun, kërkon jo vetëm kohë të nevojshme, por edhe njohuri të mjaftueshme, që as nuk mund të shteren dhe as të rrinë në vend.  

Numri i parë i revistës ’Avokatia’ doli pikërisht në hyrje të një jubileu të rëndësishëm për gjithë popullin tonë, 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa numri 20 - kur ka përfunduar miratimi i një pakete të plotë kushtetuese dhe ligjet kryesore për zbatimin e saj, duke krijuar një bazë të shëndoshë për reformim të thellë dhe të shpejtë të sistemit tonë të drejtësisë, pra, kur sapo është hedhur një hap historik për krijimin dhe konsolidimin edhe në vendin tonë të një shteti modern.

 Këto rrethana vendimtare u diktojnë të gjithë aktorëve të këtij sistemi, pra, edhe atyre që kanë zgjedhur të përfshihen në rrjetin e profesionit të nderuar të Avokatisë - një prej forcave integrale në përpunimin dhe përsosjen e parreshtur të së drejtës -, që  të ushtrojnë sa më tepër autoritetin që u jep ligji për efektshmërinë e dhënies së drejtësisë. Kontributi i tyre do të vlerësohet edhe më shumë me përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimeve që ata u ofrojnë klientëve të tyre, me rritje të vazhdueshme të përgjegjshmërisë e llogaridhënies dhe me zbatimin rigoroz të Parimeve Themelore të sjelljes së Avokatëve Evropianë.

Brenda këtij kuadri ku magjistratëve do t’u kërkohet të reflektojnë konkretisht ndaj qëndrimeve dhe kulturave antigarantiste, është krijuar tashmë një përshtypje e bazuar, se avokatët mund dhe do të luajnë rol aktiv për vetëdijen e karakterit të pushtetit gjyqësor, kërkimin e paanshëm të së vërtetës, kuptimin dhe vlerësimin me drejtësi të veçorive të çdo rasti, refuzimin ndaj instrumentalizimit politik të juridiksionit, respektimin e funksionit profesional si kriter për shtetin e së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri etj

Në përmbushje të të gjitha këtyre detyrave, revista ’Avokata’ do të jetë një tribunë e përhershme në ballafaqimin e praktikave dhe vlerësimin e qëndrimeve apo opinioneve, për t’u rritur efiçenca e sistemit të drejtësisë dhe për t’u krijuar besimi i popullit te ky sistem. E shprehim këtë bindje, sepse 5 vjet të ngritjes së pandërprerë të një tribune të tillë profesionale - shkencore vërtet që nuk është pak, por nuk është as shumë, për t’u pretenduar shterimi i çështjeve në këtë fushë dhe përmbyllja e misionit të saj. Koha do të jetë matësi më i saktë i ritmeve të trajtesave të publikuara dhe të shfletëmit gjithnjë e më shumë të revistës ’Avokatia’.