A K T U A L I T E T

 

“VLERAT THEMELORE TË PROFESIONIT  LIGJOR

DHE MEKANIZMAT E ZBATIMIT“

-           

-          Mbi Seminarin e organizuar për herë të parë në Tiranë nga PECO,

                        Këshilli i Bareve dhe i Shoqatave Ligjore të Bashkimit Evropian (CCBE),

   në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë Shqiptare -

 

 

Kjo ishte tema e Seminarit të zhvilluar më datë 30 Shtator 2016, me një pjesëmarrje të gjerë të avokatëve shqiptarë dhe të atyre nga vende të ndryshme evropiane. Institucionet e kësaj fushe, që organizuan për herë të parë në Tiranë (Shqipëri) një aktivitet të përmasave të tilla ishin,  përkrah Dhomës Kombëtare të Avokatisë sonë edhe PECO e CCBE.

 

Për dijeni të lexuesit, PECO është një nga 22 komitetet e CCBE, i cili merret me promovimin e shtetit të së drejtës dhe mbështet proceset e reformave në sistemin e drejtësisë te vendet e Evropes Qendrore dhe Lindore. Ndersa CCBE eshte njohur si perfaqesuese e profesionit ligjor në institucionet e Bashkimit Europian dhe ka një anëtarësi të gjerë strukturash të kësaj fushe prej 45 shtetesh të Kontinentit tonë. Ndërmjet tyre, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë gëzon një mbështetje aktive nga e gjithë kjo Bashkësi institucionale e Bareve Evropiane.

Shprehje të kësaj mbështetjeje përbën edhe organizimi në Tiranë i Seminarit të zhvilluar me temën „Vlerat themelore të Profesionit Ligjor dhe Mekanizmat e Zbatimit“ ku morën pjesë, përshëndetën dhe kumtuan Zv/Presidenti i Parë i CCBE, Z. Ruthven Gemmell dhe Kryetarë Baresh e përfaqësues të Dhomave të Avokatisë nga Shtete Anëtare të Bashkimit Evropian, si Franca, Britania e Madhe, Italia, Hungaria, Rumania, Greqia, Lituania, Kroacia etj., si edhe këshilltarë e specialistë të Bankës Botërore dhe të Këshillit të Evropës.     

Në Fjalën përshëndetëse të hapjes, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë Shqiptare, Z. Maksim R. Haxhia, u shpreh, veç të tjerash: „Dua të përgëzoj organizatorët e CCBE lidhur me përzgjedhjen e temës së këtij Seminari dhe punën për realizimin e tij. Një rëndësi të veçantë merr kjo temë, kur flitet për avokatët shqiptarë, shumicës së të cileve në kushtet e mbijetesës u duhet të luftojnë për të përmbushur detyrimet ligjore dhe morale ndaj: klientit; gjykatave dhe institucioneve të tjera; profesionit ligjor në përgjithesi dhe çdo anëtari te tij ne vecanti;  publikut, për të cilin ekzistenca e një profesioni të lirë dhe të pavarur eshte një element esencial për të mbrojtur të drejtat e njeriut përballë fuqisë së shtetit dhe interesave të tjera të shoqerisë“.

 Në këtë kuadër, ndihmesa që u jep Komiteti PECO Anetarëve te vet adresohet nëpërmjet sigurimit të ekspertizës dhe dërgimit të shkresave për strukturat dhe autoritetet kombetare mbi çeshtje që kanë impakt në ushtrimin e profesionit ligjor si, për shembull, për aksesin në drejtësi, sjelljen profesionale, etj. Një tjetër metodë që përdoret nga PECO është organizimi i sondazheve dhe pyetsorëve për çështje problematike sa i takon ushtrimit te profesionit te avokatit dhe krahasimit të veprimtarisë së tij, kryesisht në mbrojtjen ligjore të individëve dhe shoqërizimeve të tyre, midis vendeve të Unionit Evropian dhe të hapësirave të tjera kontinentale. Gjithashtu, pjesëmarrja e ekspertëve të PECO në aktivitete dhe konferenca të organizuara nga Baret dhe Dhomat e Avokatise - Anëtare te CCBE është një nga format e bashkëpunimit dhe ofrimit të ekspertizës cilësore në juridiksionet e përzgjedhura Evropiane.

            Nga ky bashkëpunim mund të lexohet apo të kuptohet edhe tema e Seminarit të fundit, të organizuar dhe zhvilluar në Tiranë, e cila përfshinte përmbushjen e disa prej kërkesave për rritjen e profesionalizmit të avokatëve, trajnimin vazhdues të tyre dhe atë fillestar të kandidatëve për avokat. Ndërkohë, gjatë Seminarit u diskutuan gjerësisht në panelin e ekspertëve të CCBE/ PECO dhe avokatëve shqiptarë çështje që fokusoheshin te probleme të etikës, deontologjisë së profesionit të mbrojtësit ligjor, si edhe te mekanizmat e disiplinimit të avokatëve nga vetë strukturat e brendshme të komunitetit të tyre.[1]  

 

Nga Fjala e Zv/Presidentit të Parë të CCBE, W Ruthven Gemmell W S

Nuk besoj se ka konferencë më me vend dhe më të dobishme sesa ajo që diskuton për vlerat bazë dhe për trajnimin e avokatëve, dhe në fakt janë pikërisht këto vlera themelore ato që bëjnë avokatin dhe mënyrën se si avokati luan rol në ruajtjen e shtetit të së drejtës, duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve në një shoqëri të hapur dhe duke përmbushur kështu rolin e tij si garantues i demokracisë.  

Jam shumë i gëzuar që jam këtu me kaq shumë kolegë dhe miq nga CCBE-ja dhe që kam mundësinë t’u shpjegoj atyre që nuk janë shumë të familjarizuar me organizatën që unë përfaqësoj, se cila është ajo, çfarë bën dhe çfarë ka për qëllim të arrijë.

CCBE është zëri i avokatëve evropianë dhe përbëhet nga 32 anëtarë me të drejta të plota dhe 13 bashkëpunëtorë dhe anëtarë vëzhgues, dhe përmes tyre përfaqëson më shumë se 1 milion avokatë evropianë në një gamë të gjerë shtrirjeje gjeografike. 

CCBE e ka qendrën në Bruksel dhe ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Fondacionin Evropian të Avokatëve (me qendër në Holandë), me të cilin është shpesh partnere në projekte që lidhen me profesionin e avokatit. CCBE është themeluar në vitin 1960, si degë e asaj që dikur ishte EEC, dhe profesioni i avokatit filloi të konsiderohet seriozisht; ai ka qenë pararojë e përparimit të pikëpamjeve të Avokatëve Evropianë në mbrojtjen e parimeve, mbi të cilat mbështeten demokracia dhe shteti i së drejtës.

Si zëri i profesionit të Avokatëve Evropianë, CCBE njihet si përfaqësuesja e avokatëve në institucionet e BE-së. Këtu përfshihen Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli Konsultativ i Bashkimit Evropian dhe, sigurisht, Këshilli i Evropës.

Partnerët tanë ndërkombëtarë përfshijnë ABA, IBA, UIA, Federatën Japoneze të Dhomave të Avokatisë dhe Shoqatën e të Gjithë Avokateve të Kinës.

Ne bashkëpunojmë si me Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në Luksemburg, edhe me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të cilat që të dyja e kanë pranuar CCBE-në për të bërë ndërhyrje si përfaqësuese e interesave të profesionit të avokatit në Evropë.

Misioni ynë është:

Të mbrojmë shtetin e së drejtës,

Të mbrojmë të drejtat e njeriut,

            Të mbrojmë vlerat demokratike.

CCBE ka pasur përgjegjësinë e prezantimit të një kodi etike dhe të një statuti të parimeve themelore të profesionit të avokatit në Evropë, kartat e identitetit, një udhëzues për identifikimin dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe udhëzues për ata që paraqiten para Gjykatave Evropiane.

Dhomat dhe Shoqatat e Avokatëve caktojnë delegacione kombëtare për të marrë pjesë në komisione të përhershme ose seanca plenare dhe nga kjo anëtarësi, ne kemi 22 komisione dhe tetë grupe pune.

Presidenca e zgjedhur përbëhet nga tre Zëvendëspresidentë dhe një President; dhe me zgjedhjen e tyre në këto poste, këta individë përfaqësojnë CCBE-në dhe jo ish Dhomën tyre Kombëtare të Avokatisë apo Shoqatat e Avokatëve të vendit të tyre. 

Sekretariati, i drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm, i ofron një nivel të shkëlqyer mbështetjeje organizatës.

Siç do ta shihni, komisionet dhe grupet e punës mbulojnë një numër të madh aktivitetesh, duke përfshirë, sigurisht, edhe punën e PECO-s, e cila po organizon edhe konferencën e sotme bashkë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë. 

Puna e CCBE ndryshon vazhdimisht, por e ardhmja e profesionit të avokatit dhe shërbimeve ligjore është, pa dyshim, një nga fushat kryesore, siç janë edhe çështja e mbikëqyrjes, veçanërisht mbikëqyrjes shtetërore të avokatëve, migracioni, aksesi në drejtësi dhe vlerësimi reciprok i aktiviteteve të vazhdueshme të trajnimit. 

Siç e thashë pak më herët, ne punojmë ngushtë me Fondacionin Evropian të Avokatëve dhe disa nga këto projekte zbatohen bashkë me CCBE-në dhe me organizata të tjera vetëm nga Fondacioni. Këto projekte përfshijnë ‘Gjej Avokatin’ (një bazë evropiane të dhënash ku mund të kërkosh avokatë); E Codex, përmirësimi i aksesit ndërkufitar të qytetarëve dhe bizneseve në proceset ligjore në Evropë, veçanërisht në lidhje me autoritetet ligjore të secilit vend evropian, Mandat-Arrestet Evropiane dhe, më i rëndësishmi aktualisht, trajnimi i avokatëve mbi legjislacionin evropian për azilin. Nëse kërkoni më shumë informacione në lidhje me këto projekte, e di se kolegët tanë nga Fondacioni do t’jua ofrojnë me shumë kënaqësi.

Ashtu sikurse edhe Këshilli i Evropës, CCBE-ja punon me Komisionin Evropian për një drejtësi efiçente dhe që në vitin 2013 ka pasur statusin e vëzhguesit në Këshillin Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë.

CCBE ka iniciuar festimin e Ditës Evropiane të Avokatëve, e cila këtë vit do të jetë më 10 dhjetor. Shpresojmë që të gjitha Dhomat Evropiane të Avokatisë ta shënojnë këtë datë dhe rekomandojmë që të fokusohen në “Aksesi te Avokati  - Të Drejtat Tuaja në lidhje me Aksesin për Avokat”.

Si përfundim, CCBE ofron një shërbim shumë të vlefshëm dhe një zë për të gjithë avokatët në Evropë, pavarësisht nëse janë në Bashkimin Evropian apo jo [disa anëtarë janë nga vende që nuk janë anëtare të BE-së], pasi brenda apo jashtë Bashkimit Evropian, ne jemi të gjithë avokatë. Ajo çka bën CCBE është shpesh e paprekshme apo vjen në një formë që jo domosdoshmërisht vlen për profesionin tonë si avokat dhe me këtë mbron vlerat tona themelore.

 

 

 

 



[1]Prezantimet e ekspertëve të CCBE bashkë me një përmbledhje të Seminarit të zhvilluar do të gjenden në PECOblog https//ccbepeco.wordpress.com/