H A R M O N I Z I M E

 

VEPRIMET SIMULUESE TË POLICISË GJYQËSORE

 

Ergys GASHI

Magjistrat,

Tiranë

 

      Hyrje

 

      Në mirëfunksionimin e sistemit të procedurës penale vendase, një rol kyç i është rezervuar policisë gjyqësore. Kjo e fundit është në fakt jo vetëm hallka e parë institucionale që bie në kontakt me vendin e ngjarjes së një vepre penale, me gjurmët, pasojat e tjera materiale dhe autorët e dyshuar, por mbase ajo është edhe hallka e fundit. Çfarë duam të themi me këtë? Në një sistem procedural të bazuar ndjeshëm te delegimi i pjesës dërrmuese të veprimeve hetimore, shpesh herë ndodh në praktikë që policia gjyqësore të ketë zërin kryesor në kapitullin e hetimeve paraprake. Bashkë me këtë pushtet faktik, ajo duhet ta ndiejë veten të veshur me një përgjegjësi të veçantë si “guri” kryesor në përpjekjen e institucionit të akuzës për të realizuar me sukses qëllimin e hetimeve paraprake.

 

      Zhvillimet e dhjetëvjeçarëve të fundit, me instalimin e një sistemi procedural penal të llojit kryesisht akuzator, kanë zhvendosur fokusin e fazës së hetimeve paraprake, nga kërkimi “i ethshëm” i të vërtetës së ngjarjes drejt verifikimit, nëse përmbushen apo jo kushtet që hetimi të përparojë apo çështja t’i adresohet gjykatës. Kjo zhvendosje në qëllimin programatik dhe faktik të hetimeve paraprake është rasti të ndikojë drejtpërdrejt edhe në mënyrën e konceptimit të rolit të saj dhe vullnetit për mënyrën e funksionimit të policisë gjyqësore. Kështu, tanimë kjo e fundit duhet të jetë e dekurajuar nga zbatimi i sjelljeve që synojnë drejtpërdrejt dhe para së gjithash fajësimin e të dyshuarit. Ajo duhet të veprojë në kontakt të ngushtë me organin e prokurorisë, duke u përpjekur bashkërisht të udhëhiqen në veprimtarinë e tyre nga verifikimi i ekzistencës së dyshimeve të arsyeshme, si bazë për kryerjen e veprimeve të veçanta hetimore dhe përparimin e hetimeve në tërësi.

     Brenda këtij ekuilibri ligjor, profesional dhe qytetar, të kërkuar, inkuadrohet tematika e ‘veprimeve simuluese’ të policisë gjyqësore. Ato përbëjnë njërën prej teknikave speciale të hetimit, të përdorur kryesisht në veprat e trafikimit, korrupsionit, pastrimit të parave, prostitucionit, veprave seksuale kundër fëmijëve. Nga natyra e tyre, këto vepra karakterizohen prej veprimesh të mirëorganizuara apo të fshehta, të vështira për t’u dekonspiruar, ndaj të cilëve është dashur të përdoren metoda të posaçme.

      Gjatë këtij punimi do të shfaqim karakteristikat bazë që duhet të përmbushë ‘veprimi simulues’, për t’u konsideruar i pranueshëm ligjërisht dhe rezultatet e tij (provat) të përdorshme në gjykim. Këtë vështrim nuk do ta hedhim në një terren teorik apo abstrakt, por mbi bazën e trajtimit që ka marrë kjo teknikë hetimore në praktikën gjyqësore vendase dhe në atë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykata e Strasburgut).

 

     

 

      Karakteristikat ligjore të ‘Veprimeve simuluese’

 

      Neni 294/a i Kodit të Procedurës Penale disiplinon procedurën dhe kriteret që duhet të përmbushë ‘veprimi simulues’. Veprimi simulues mban autorësinë e organit të prokurorisë, i cili lëshon autorizim paraprak për kryerjen e veprimit. Me kryerjen fizikisht të veprimit ngarkohen oficerë/agjentë të policisë gjyqësore, ose persona privatë. Në autorizimin përkatës përcaktohet veprimi konkret që do të kryhet, që mund të konsistojë në blerje të sendeve, që rrjedhin nga një krim, në një akt korruptiv, në një veprim për të zbuluar të dhëna financiare ose pronësore të një personi, ose në një veprim tjetër të ngjashëm.

      Karakteristika bazë e këtij veprimi është simulimi i tij. Kjo do të thotë që zbatuesi (policia gjyqësore, ose personi tjetër i autorizuar) vepron me një identitet dhe cilësi të ndryshme nga ajo që zotëron në të vërtetë, duke i dhënë të dyshuarit të kuptojë gabimisht se ka të bëjë me subjekte të interesuar për realizimin e një veprimtarie kriminale. Nga identiteti dhe cilësia e fshehtë e zbatuesit të veprimit vjen edhe emërtimi në praktikë që ka marrë zbatuesi, si agjent nën mbulim (angl. undercover agent; ital. agente sotto copertura).

      Personi me të cilin kryhet veprimi është dikush, për të cilin policia gjyqësore ka dyshime për kryerjen e një krimi, pra, që është përfshirë më parë në veprimtari kriminale. Përzgjedhja e këtij personi nuk duhet të bëhet në mënyrë spontane, ose ca më keq, arbitrare, nga organi i akuzës, por mbi bazën e një niveli të arsyeshëm dyshimi. Ligji parashikon ndalimin e provokimit të të dyshuarit dhe i jep një domethënie të caktuar këtij termi. Një veprim simulues quhet provokativ, nëse shtyhet i dyshuari të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos kishte qenë ndërhyrja e policisë. Sanksioni që parashikon ligji për një veprim simulues provokativ është papërdorshmëria e rezultateve të veprimit, pra, e provave që rezultojnë prej tij.

      Procedura e lidhur me veprimin simulues quhet e mbyllur, atëherë kur pas kryerjes së veprimit, policia gjyqësore i dorëzon prokurorit të gjitha provat e mbledhura dhe një raport përmbledhës.

 

      Praktika gjyqësore vendase për ‘veprimet simuluese’

 

      Duke qenë se veprimet simuluese i përgjigjen më nga afër natyrës së veprimtarisë kriminale në fushën e veprave të trafikimit, ndër të cilat ato të lëndëve narkotike apo të armëve, e tillë ka qenë edhe natyra e veprave, për hetimin e të cilave është përdorur më shpesh një teknikë e tillë. Por nuk kanë munguar edhe raste të përdorimit të saj në të tjera vepra penale, ndër të cilat, në falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit.

      Në çështjen gjyqësore të përfunduar me Vendimin nr. 201, datë 05.07.2012 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjykata u përball me një rast, kur një shtetas ishte dakordësuar me policinë gjyqësore, duke marrë autorizimin paraprak të prokurorisë, për të kryer veprim simulues ndaj një grupi kriminal që ishte përgatitur të kryente një dërgesë lëndësh narkotike drejt shtetit italian. Në çështjen konkrete, Gjykata theksoi këto aspekte të lidhura me përdorimin e teknikës së veprimeve simuluese:

§  Kjo teknikë mund të lejohet për të kryer vetëm njërin prej tri kategorive të veprimeve të treguar shprehimisht në dispozitën e nenit 294/a të K.P.P., domethënë,ose blerje sendesh që rrjedhin nga një krim, ose një akt korruptiv apo një veprim për të zbuluar të dhëna financiare ose pronësore të një personi.

Nga pikëpamja e interpretimit të dispozitës nuk do të binim dakord me këtë qëndrim. Qëllimi i dispozitës është kryerja e çfarëdo veprimi të autorizuar, që shfaq përfshirjen në një veprimtari kriminale të të dyshuarve. Nga mënyra si është formuluar dispozita, nga një këndvështrim i thjeshtë literal, në pamje të parë të krijohet ideja sikur veprime të lejuara janë vetëm ato që tregon dispozita. Por me një vështrim më të kujdesshëm, nga pikëpamja logjike dhe e qëllimit të dispozitës kuptohet se tregimi i veprimeve konkrete ka natyrë shembulldhënëse dhe jo shteruese. Në këndvështrimin tonë, dispozita lejon edhe çdo veprim tjetër simulues, që nuk tregohet shprehimisht në ‘të. Çfarëdo të thuhej, bie fjala, për mundësinë e zbatimit të veprimit simulues në veprat penale të pastrimit të parave, prostitucionit, veprat seksuale kundër fëmijëve? Interpretimi duhet të anojë nga opsioni që siguron zbatimin e dispozitës, jo nga ai që e bën atë të paefektshme.

§  Në autorizimin e lëshuar paraprakisht nga institucioni i prokurorisë, do të duhet të përcaktohet veprimi simulues konkret që parashikohet të kryhet. Në vendimin e prokurorisë në çështjen konkrete gjyqësore nuk rezulton të jetë përcaktuar ose konkretizuar veprimi simulues që autorizohej.

§  Duhet dalluar veprimi simulues sipas nenit 294/a të K.Pr.P. nga infiltrimi i punonjësit të policisë në një grup kriminal sipas nenit 294/b. I pari zbatohet nga policia gjyqësore, ose shtetasi, ndërsa i dyti domosdoshmërisht nga oficeri i policisë gjyqësore. I pari parashikon kryerjen e një veprimi konkret simulues, ndërsa i dyti mund të mjaftohet edhe vetëm me mbledhjen e informacionit. Në çështjen konkrete gjyqësore, gjykata vërejti se në të kundërt me vlerësimin e organit të prokurorisë, në thelb ndodheshim para infiltrimit në grup kriminal, por të zbatuar në mënyrë të parregullt nga një shtetas dhe jo nga oficer i policisë gjyqësore, siç kërkon dispozita.

§  Parakusht i lejimit të veprimit simulues është ekzistenca e dyshimit se personi, ndaj të cilit kryhet veprimi, është tashmë i përfshirë në një veprimtari kriminale. Në çështjen konkrete gjyqësore, Gjykata vërejti se nuk evidentohen të dhëna për veprimtari të mëparshme kriminale nga të dyshuarit. Në këtë drejtim, të dhënat e ofruara para kryerjes së veprimit, nëpërmjet deklarimeve të shtetasit që bashkëpunoi me policinë gjyqësore (zbatuesi i veprimit), u cilësuan nga Gjykata të pabesueshme, nisur nga mosmarrëveshjet e mëparshme midis palëve, të cilat krijonin dyshim që veprimi simulues ishte nxitur nga ndjenja hakmarrëse e zbatuesit të veprimit ndaj autorëve të dyshuar.

      Qëndrimi përfundimtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ishte për papërdorshmërinë e provave që rezultuan nga një veprim simulues i kryer në kundërshtim me kërkesat ligjore.

      Në çështjen gjyqësore të përfunduar me Vendimin nr. 264, datë 10.10.2012 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjykata u përball me një rast, kur punonjës të policisë gjyqësore ishin autorizuar nga prokuroria që të kryenin veprim simulues për blerjen e një sasie lënde narkotike nga një grup kriminal. Veprimi u ekzekutua dhe anëtarët e grupit kriminal u arrestuan në flagrancë. Pretendimit të mbrojtjes së të pandehurve se, mungonin në çështjen konkrete dyshime të mëparshme në dispozicion të organit të akuzës për veprimtari të kundërligjshme nga të pandehurit, gjykata iu përgjigj duke vënë në dukje ekzistencën në fashikullin e gjykimit të akteve të përgjimeve të komunikimeve telefonike midis tyre.

      Në çështjen gjyqësore të përfunduar me Vendimin nr. 85, datë 06.03.2013, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjykata u përball me një rast, kur punonjës të policisë gjyqësore ishin autorizuar nga prokuroria të kryenin veprim simulues për blerjen nga i pandehuri të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit. Disa javë më parë ishin përgjuar komunikimet telefonike të të pandehurit me persona të ndryshëm, nga ku rezultonin dyshime për përfshirje të tij në veprimtari të po atij lloji, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Agjenti i policisë ka kontaktuar dhe është takuar me të dyshuarin, duke qenë i pranishëm edhe shoku i tij. Gjatë bisedës i dyshuari i sqaron agjentit të gjithë mekanizmin sesi do ta çonte atë në Greqi, duke i thënë edhe sa do të paguante, njëkohësisht i ka marrë edhe numrin e pasaportës që kishte me vete. Të nesërmen, i dyshuari është kapur në flagrancë, duke pasur me vete ndër të tjera edhe vizën ‘Shengen’ me emrin fiktiv të agjentit të autorizuar (përfituesi i dokumentit).

      Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal ka vendosur pavlefshmërinë e veprimit simulues dhe papërdorshmërinë e provave të rrjedhura prej tij. Në këtë përfundim është arritur mbi bazën e këtyre konstatimeve:

§  Përgjimet e komunikimeve telefonike të të dyshuarit, gjykata nuk i konsideroi të përshtatshme për të shërbyer si bazë për shpalljen fajtor të të dyshuarit për ndonjë prej veprave penale për të cilat akuzohej, ato nuk përmbanin të dhëna që t’i referoheshin ndonjë ngjarjeje konkrete kriminale. Pra, rezultatet e përgjimeve ishin jo vetëm të pasakta, në kuptimin jo konkrete, jo të rëndësishme, por edhe nëse merreshin për bazë eventualisht do të përbënin provë të vetme në ngarkim të të dyshuarit.

§  Ka pasur provokim nga ana e punonjësit të policisë që ka realizuar veprimin simulues. Agjenti nuk ka asistuar në kryerjen e ndonjë vepre penale përpara provokimit, që i ka bërë të gjykuarit. Nuk rezulton që agjenti të ketë konstatuar ekzistencën e ndonjë veprimtarie kriminale të kryer nga i gjykuari me persona të tjerë, gjatë së cilës ky agjent të ketë pasur rol pasiv. Agjenti nuk është mjaftuar me hetimin e veprimtarisë kriminale në mënyrë pasive, por ka kryer veprime aktive, duke i kërkuar të gjykuarit pajisjen me vizë ‘Shengen’ false, kundrejt shpërblimit. Duke iu referuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen Ramanauskas kundër Lituanisë, Kolegji Penal ka vënë theksin te nevoja për qëndrim pasiv, pa veprime aktive, i policisë gjyqësore gjatë veprimit simulues, si edhe te ekzistenca e provave më të hershme se sa veprimi i simulimit, që të krijonin dyshimin se personi do të kryente vepër penale pa qenë i ndikuar nga policia.  

      Nëse do të bënim një koment të këtij vendimi, do të thoshim se, me rëndësi për vlefshmërinë ose jo të veprimit simulues ka qenë diskutimi nëse ekzistojnë prova që të jenë të mëparshme në kohë ndaj veprimit simulues. Gjykata nuk ka pranuar çfarëdolloj prove, por vetëm ato që hedhin dritë mbi vepra penale konkrete të të dyshuarit. Si mënyrë për të arritur te kjo, gjykata ka kërkuar që agjenti i policisë të ketë konstatuar apo asistuar në kryerjen e ndonjë vepre penale të mëparshme nga i dyshuari. Mendimi ynë është, se ky përbën një standard të lartë dyshimi, të papërshtatshëm për arritjen me sukses të qëllimit të një veprimi simulues.

      Me rëndësi ka qenë gjithashtu diskutimi nëse agjenti i policisë ka qëndruar pasiv apo nëse ka krijuar aktivisht rrethana artificiale për ta bindur me çdo kusht të dyshuarin që të përfshihej në veprimin simulues. Mendimi ynë është se agjenti i policisë në ditën e ngjarjes nuk ka shfaqur ndonjë aktivizim të papërshtatshëm me natyrën e veprimit simulues.

      Duket se argumenti bazë ku mbështetet përfundimi për provokim në këtë çështje është mungesa e të dhënave për kryerjen e një vepre penale konkrete, qoftë edhe nëpërmjet përgjimit të komunikimeve. Mungesa e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova është mbase linja e vetme ku përfundimi gjyqësor në çështjen e këtushme mund të fitojë një shkallë relativisht më të madhe (edhe pse jo krejt bindëse) pranueshmërie.

 

      Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut për ‘veprimet simuluese’

 

      Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka zhvilluar një jurisprudencë domethënëse referuar teknikës hetimore simuluese. Duhet pasur parasysh se shqyrtimi i çështjeve që i janë parashtruar gjykatës nga subjekte të interesuara ankuese (shtetas të veçantë të vendeve të ndryshme anëtare të Këshillit të Europës) është bërë duke verifikuar pretendimin e ankuesve për shkelje të së drejtës së tyre për një proces të rregullt ligjor (gjyqësor), garantuar nga neni 6 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kërkesë bazë e kësaj garancie konventore është detyrimi i shtetit për t’i ofruar të gjykuarit në një proces gjyqësor civil apo penal, shqyrtimin (gjykimin) e drejtë të çështjes së tij.

      Te çështja Teixeira de Castro kundër Portugalisë,[1] në lidhje me një operacion mbikëqyrjeje të trafikut të narkotikëve, dy oficerë të policisë të veshur civil u takuan me një individ (V.S.) në një numër rastesh. Ai dyshohej për shpërndarje narkotikësh në sasi të vogël, nëpërmjet të cilës siguronte të ardhura për përdorim vetjak të narkotikëve prej tij (kryesisht hashash). Agjentët shpresonin që përmes V.S. të identifikonin furnizuesin e tij, prandaj i kërkuan atij t’iu shiste disa kg. Lënde narkotike të tillë. Duke mos qenë i vetëdijshëm që ata ishin agjentë policie, V.S. ra dakord të gjente furnizuesin e mallit. Megjithëkëtë, pavarësisht nga presioni i të dy agjentëve, ai për njëfarë kohe nuk arriti të gjente furnizues. Pak para mesnatës së 30 Dhjetorit 1992, të dy agjentët shkuan në shtëpinë e V.S., duke i thënë se tashmë ishin të interesuar për të blerë heroinë. V.S. përmendi emrin e Francisco Teixeira de Castro, si dikush që mund të qe në gjendje të siguronte njëfarë sasie; gjithsesi ai nuk e dinte adresën e tij dhe iu desh ta merrte atë nga shoqërimi i F.O.. Të katërt shkuan në shtëpinë e Teixeira de Castro (ankuesi) me makinën e atyre që hiqeshin si blerës (agjentët). Ankuesi doli jashtë me kërkesë të F.O. dhe hipi në makinën, ku po prisnin të dy agjentët, të shoqëruar nga V.S.. Agjentët thanë se dëshironin të blinin 20 gr. heroinë për shumën 200.000 eskudos dhe nxorrën një shuk kartmonedhash portugeze. Teixeira de Castro ra dakord të siguronte heroinën dhe, i shoqëruar nga F.O., shkoi me makinën e vet te shtëpia e një personi tjetër, J.P.O. Ky i fundit mori nga dikush tjetër tri qese heroinë, njëra dhjetë gramëshe dhe dy pesë gramëshe, dhe pasi u kthye ia dha ato ankuesit (T.d.C.) në këmbim të një pagese mbi 100.000 eskudos. Ankuesi e solli drogën në shtëpinë e V.S.; ndërkohë V.S. ishte kthyer në shtëpi dhe dy agjentët e policisë (të veshur civilë) po prisnin jashtë. Veprimi do të kryhej brenda në shtëpi, prandaj me kërkesë të V.S. agjentët hynë brenda. Kur ankuesi nxorri një prej qeseve nga xhepi, të dy agjentët bënë të ditur identitetin e tyre dhe arrestuan ankuesin, V.S. dhe F.O., pak para orës dy të mëngjesit. Ata i kontrolluan të tre dhe i gjetën ankuesit edhe dy qeset e tjera të heroinës, 43.000 eskudos kesh dhe një byzylyk ari.

      Veprimi i agjentëve ishte kryer me iniciativë të tyre, pa marrë miratimin e prokurorisë apo gjykatës për këtë veprim procedural konkret. Pas zhvillimit të hetimeve dhe gjykimit, gjykatat vendase (portugeze) e dënuan ankuesin për shitje të narkotikëve, me 6 vite burg.

      Ndërsa Gj.E.D.Nj. gjeti shkelje të nenit 6, pika 1, të K.E.D.Nj.. Agjentët e policisë shkuan përtej asaj që u lejohet agjentëve nën mbulim (‘undercover agents’): ata nxitën veprën dhe asgjë nuk tregon që pa ndërhyrjen e tyre, vepra do të ishte kryer. Qeveria portugeze (pala kundër të cilës ishte paraqitur ankesa) nuk arriti të provojë që veprimi i agjentëve të ishte pjesë e një operacioni kundër trafikimit të drogës, të urdhëruar apo mbikëqyrur nga gjykata. Nuk rezulton që autoritetet të kishin arsye të shëndosha për të dyshuar që Teixeira de Castro të ishte trafikant droge; përkundrazi, ai nuk kishte rekorde kriminale dhe as ishin çelur zyrtarisht hetime paraprake kundër tij. Ai nuk qe i njohur për agjentët e policisë, të cilët erdhën në kontakt me të vetëm nëpërmjet ndërmjetësve V.S. dhe F.O.. Droga nuk qe në shtëpinë e ankuesit; ai e mori atë nga një person i tretë, që nga ana e vet e kishte marrë nga dikush tjetër. Nuk rezulton që në kohën e arrestit ankuesi të kishte më shumë drogë në zotërim se sa sasia që i kishin kërkuar agjentët. Pra, nuk rezulton që ai të ketë tejkaluar atë të cilën policia e kishte nxitur të bënte. Nuk ka prova për të mbështetur argumentin e Qeverisë, se ai ishte i predispozuar për të kryer vepra penale.

      Përfundimi që arrihet nga rrethanat e sipërpërmendura është që dy agjentët e policisë nuk u kufizuan të hetonin veprimtarinë kriminale të Teixeira de Castro në një mënyrë në thelb pasive, por ushtruan ndikim të atillë sa për të nxitur kryerjen e veprës.

      Në çështjen Ramanauskas kundër Lituanisë,[2] ankuesi ishte prokuror. Nëpërmjet një të njohuri të tij, ankuesit i ishte afruar një person i panjohur më parë prej tij, i cili në fakt ishte oficer i një njësie policore speciale kundër korrupsionit. Oficeri i ofroi ankuesit një pagesë korruptive prej 3.000 USD në këmbim të premtimit për të siguruar pafajësinë e një personi të tretë. Ankuesi fillimisht kishte refuzuar, por më pas, ndërsa oficeri kishte përsëritur në disa raste ofertën, ankuesi pranoi. Oficeri njoftoi eprorët e tij dhe në Janar 1999 Zëvendësprokurori i Përgjithshëm e autorizoi atë të simulonte një akt korruptiv. Pak më pas, ankuesi mori prej oficerit pagesën korruptive. Në përfundim të hetimit dhe gjykimit, gjykatat vendase e dënuan ankuesin me burg.

      Gj.E.D.Nj. gjeti shkelje të nenit 6, pika 1, të K.E.D.Nj.. Autoritetet vendase nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia për veprimet e oficerit të policisë, thjesht duke pretenduar që, pavarësisht se po përmbushte detyra policore, oficeri në fakt po vepronte në cilësi private. Faza fillestare e operacionit kishte ndodhur në mungesë të një autorizimi të prokurorisë apo gjykatës. Duke autorizuar oficerin të simulonte veprime korruptive dhe duke e përjashtuar atë nga përgjegjësia penale, autoritetet kishin legjitimuar ex post facto fazën paraprake dhe kishin përdorur rezultatet e saj. Nuk ishte dhënë një shpjegim i kënaqshëm për arsyet ose motivet personale që shtynë oficerin t’i afrohej ankuesit, me iniciativë të vet, pa e sjellë çështjen në vëmendje të eprorëve, si edhe përse oficeri nuk ishte ndjekur penalisht për veprimet e tij spontane (të paautorizuara) gjatë fazës paraprake. Veprimet e oficerit dhe të të njohurit të tij (ndërmjetësit) kishin shkuar përtej hetimit thjesht pasiv të një veprimtarie kriminale ekzistuese (të mëparshme): nuk kishte prova që ankuesi të kishte kryer më parë ndonjë vepër penale, në veçanti lidhur me korrupsionin. Të gjitha takimet midis ankuesit dhe oficerit kishin ndodhur me iniciativë të këtij të fundit. Ankuesi kishte pësuar nxitje të hapura nga ndërmjetësi dhe oficeri për të kryer veprime kriminale, edhe pse mungonin të dhëna objektive për të treguar se ai kishte synuar të përfshihej në një veprimtari të tillë.

      Kurse në çështjen Miliniene kundër Lituanisë[3] Ankuesja ishte gjyqtare. Në Qershor 1998 ajo u takua me një të njohur, mashkull, me të cilin, sipas asaj që ajo pretendon, diskutoi thjesht shitjen e makinës së saj. Pasi kishte regjistruar në mënyrë të fshehtë bisedën mes tyre, i njohuri i ankueses paraqiti kallëzim në njësinë speciale policore anti-korrupsion, duke parashtruar se ankuesja i kishte kërkuar një shpërblim, në formën e një makine të re, në këmbim të pranimit të një padie civile në favor të tij. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm autorizoi një ‘model simulues të sjelljes kriminale’ për një periudhë njëvjeçare. Në Tetor 1998 ankuesja u arrestua në zyrën e saj, ndërsa merrte një tjetër pagesë korruptive nga i njohuri i saj. Në vitin 2000 ajo u dënua me katër vite burg për korrupsion pasiv dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, iu ndalua ushtrimi i detyrave publike për pesë vjet dhe iu konfiskua pasuria. Gjykata vendase e bazoi fajësinë kryesisht në regjistrimet e bëra nga i njohuri i ankueses në zbatim të modelit simulues, duke konstatuar se ajo kishte përfituar një total prej 10.500 USD si përfitim vetjak, si edhe 1.000 USD si pagesë korruptive për gjyqtarë të gjykatave më të larta. Në këmbim të përfitimeve, ajo kishte hartuar padinë e tij civile, kishte marrë masa që të caktohej ajo gjyqtare e çështjes dhe kishte filluar gjykimin e padisë.

      Gj.E.D.Nj. nuk gjeti shkelje të nenit 6, pika 1, të K.E.D.Nj., sepse nuk kishte prova që ankuesja të kishte kryer më parë ndonjë vepër penale, në veçanti vepra të lidhura me korrupsionin. Gjithsesi, iniciativa për rastin ishte marrë nga një individ privat. Duke qenë se ai ishte mbështetur nga policia për t’i ofruar ankueses shuma të konsiderueshme parash dhe i ishin dhënë pajisje teknike për të regjistruar bisedën e tyre, e qartë dilte që policia kishte ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve. Sidoqoftë, Gj.E.D.Nj. nuk e cilësoi rolin e policisë si abuziv, nisur nga detyrimi i tyre për të verifikuar kallëzimet e paraqitura dhe rëndësia e parandalimit të efektit gërryes të korrupsionit gjyqësor mbi shtetin e së drejtës në një shoqëri demokratike; faktor përcaktues nuk kishte qenë roli i policisë, por qëndrimi i individit në fjalë dhe ankueses. Gjykata pranoi që policia mund të thuhet se iu “bashkua” (me simulim) veprimtarisë kriminale dhe nuk e nisi atë. Kësisoj, veprimet e tyre mbetën brenda kufijve të ‘veprimtarisë së mbuluar’, pa degraduar në ‘agents provocateurs’ (agjentë provokatorë). Për më tepër, ankueses i ishte dhënë mundësia nga gjykatat vendase të paraqiste në mënyrë të mjaftueshme argumente për ‘kurth’ të ngritur ndaj saj, për të cilat gjykatat kishin mbajtur qëndrime të arsyetuara. Qartësisht kishte pasur arsye të mira për të filluar hetimin, pasi individi i interesuar kishte kontaktuar policinë. Kishte rezultuar se kallëzuesi nuk kishte pasur marrëdhënie të posaçme me ankuesen, nga ku mund të konkludohet se ai nuk kishte pasur motiv të mëtejshëm për denoncimin e saj. ‘Modeli simulues’ ishte hartuar dhe vënë në zbatim në mënyrë të ligjshme. Për më tepër, ai ishte mbikëqyrur në mënyrë të përshtatshme nga prokuroria, megjithëse mbikëqyrja nga gjykata do të kishte qenë më e përshtatshme për këtë teknikë të mbuluar hetimi. Ankuesja kishte pasur mundësi të plota për të kundërshtuar vërtetësinë dhe saktësinë e provave të paraqitura kundër saj.

     

      Përfundime dhe Sugjerime

 

      Në shqyrtimin e ankesave për veprim simulues provokativ, Gj.E.D.Nj. ka vënë në jetë një test të përbërë nga dy kritere: a) testi thelbësor i provokimit; b) procedura e shqyrtimit gjyqësor të pretendimit të të pandehurit për provokim. I pari shqyrton: i) arsyet dhe rrethanat, që bënë të lindë nevoja për kryerjen e veprimit simulues, pra, ekzistencën ose jo të dyshimit objektiv që i pandehuri ishte përfshirë në veprimtari kriminale, ose kishte predispozicion të kryente vepër penale; ii) nëse procedura e ndjekur për autorizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e veprimit simulues kishte qenë e qartë dhe e parashikueshme, duke i dhënë përparësi kontrollit nga gjykata sesa atij nga prokuroria; iii) mënyrën dhe shkallën e përfshirjes së policisë në veprën penale dhe nëse ka pasur nxitje apo presion ndaj të pandehurit.

      Të dy kriteret e testit zbatohen në mënyrë kumulative, që do të thotë, atëherë kur Gj.E.D.Nj. nuk sqarohet nëse ndodhemi në thelb përpara provokimit, atëhere shqyrton nëse kuadri ligjor vendas dhe mënyra e zbatimit të tij nga gjykata vendase në çështjen konkrete parashikojnë një rrugëdalje të përshtatshme (të drejtë) procedurale ndaj veprimit simulues provokativ. Mbi bazën e karakterit gjithëpërfshirës të testit, një rol i veçantë u takon gjykatave më të larta (të Apelit dhe asaj të Lartë), që verifikimin nëse ka patur ose jo provokim ta bëjnë në mënyrë të ngjashme me atë të përdorur nga Gj.E.D.NJ.: të marrin parasysh jo vetëm ekzistencën në vetvete të provokimit, por t’i japin peshë edhe mënyrës sesi ka argumentuar gjykata e shkallës së parë mbi provokimin e pretenduar.

      Në lidhje me verifikimin e dyshimit të arsyeshëm, si parakusht për autorizimin e veprimit simulues, Gj.E.D.Nj. shpesh është nisur nga e kundërta (a contrario), për shembull, duke pranuar që dyshimi nuk ekziston në veprat me narkotikë, atëherë kur personi nuk ka rekorde kriminale, nuk është çelur ndonjë hetim ndaj tij, ai është i panjohur për policinë, nuk janë gjetur narkotikë në banesën e tij, sasia e narkotikëve gjetur atij në çastin e arrestimit nuk është më e madhe se sasia e porositur nga agjentët nën mbulim. Nga ana tjetër, një rekord (e dhënë) i mëparshëm kriminal ndaj personit, nuk është në vetvete tregues i predispozicionit për të kryer vepër penale (në çështjen përkatëse, personi ishte dënuar më parë për mbajtje narkotikësh tej sasisë së lejuar vetjake, ndërsa hetimi i ri zhvillohej për veprën e shpërndarjes). Ndërsa janë pranuar si faktorë që tregojnë veprimtarinë ose qëllimin e mëparshëm kriminal, familjariteti i personit me çmimin aktual të narkotikëve, aftësia e tij për t’i siguruar narkotikët brenda një kohe të shkurtër, mostërheqja e personit nga marrëveshja kriminale, megjithë mundësitë e përsëritura për ta bërë këtë.[4]    

      Sa i takon shkallës së përfshirjes dhe presionit, Gjykata verifikon nëse agjentët e policisë që kryejnë veprimin simulues mbeten brenda kufijve të një sjelljeje ‘në thelb pasive’ apo i tejkalojnë ato, duke vepruar si agjentë provokatorë. Qëndrimi pasiv konsiderohet i braktisur, atëherë kur shfaqen rrethana të tilla, si: marrja e iniciativës për të kontaktuar të dyshuarin, përsëritja e ofertës megjithë refuzimin e tij fillestar, nxitja dhe qëndrimi këmbëngulës, rritja e çmimit mbi mesataren apo krijimi i rrethanave të tjera të pazakonta, favorizuese për të dyshuarin, që e bëjnë atë të dëshirojë kryerjen e veprimit, besimi i agjentit te zemërgjerësia e të dyshuarit, duke i përmendur këtij të fundit që blerja do të zbusë efektet e simptomave të tërheqjes nga përdorimi etj.[5]

      Në sferën e veprimtarisë së Gj.E.D.Nj. janë shfaqur ankime që referojnë në veprime të individëve për të dokumentuar vepra penale të kryera nga të tjerë individë, kryesisht përmes përgjimit të komunikimeve. Këta individë që mund të jenë qytetarë të zakonshëm, gazetarë etj., i paraqesin më pas gjetjet e tyre në strukturat zyrtare të hetimit, së bashku me kërkesën (kallëzimin) për ndjekjen penale të veprimtarisë përkatëse dhe, mbi këtë bazë, akuza publike autorizon veprim simulues. Kjo veprimtari nuk është parë në ‘dritë të errët’ nga Gjykata, duke argumentuar kjo e fundit se, akuza i është “bashkuar” (nëpërmjet hetimit) veprimtarisë kriminale dhe nuk e ka nisur atë.

      Sa i takon procedurës së shqyrtimit nga gjykatat vendase të pretendimit të të pandehurit për provokim, Gj.E.D.Nj. ka mbajtur qëndrimin, se: “i takon prokurorisë të provojë që nuk ka pasur provokim, mjafton që pretendimet e të pandehurit të mos kenë qenë haptazi të pambështetura”.[6] Ky detyrim procedural duhet trajtuar me përparësi nga autoritetet gjyqësore vendase, të cilat në shqyrtimin e fakteve të çështjes të marrin masat e duhura për të zbuluar të vërtetën, duke përcaktuar nëse vepra është kryer në kushte provokimi apo jo.

      Rastet e shqyrtuara nga praktika gjyqësore shqiptare karakterizohen nga problematika të lidhura me: mangësi në pasqyrimin e duhur të arsyeve ku mbështetet veprimi simulues (dyshimi i arsyeshëm); përdorimin e burimeve operative (informatorëve të policisë) për të formuar organi i akuzës dyshimin për veprimtari të mëparshme kriminale të të pandehurit, çka nuk inkurajohet nga Gj.E.D.Nj.; mangësi në përcaktimin e natyrës dhe karakterit thelbësor të veprimit simulues që autorizohet nga organi i prokurorisë; konfondimin midis veprimit simulues dhe veprimtarisë së punonjësit të infiltruar, të rregulluara nga dispozita të ndryshme ligjore, duke vepruar formalisht sipas njërit, por thelbësisht sipas tjetrit institut; vendosjen nga Gjykata e Lartë të një standardi të lartë për verifikimin e dyshimit të arsyeshëm për veprimtari kriminale të mëparshme të të pandehurit, duke i dhënë rol agjentit nën mbulim të konstatojë apo asistojë në vepra të mëparshme penale të të dyshuarit.

      Në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë është shfaqur interpretimi, sipas të cilit, veprimi simulues lejohet vetëm në tri forma të parashikuara shprehimisht nga neni 294/a i Kodit. Mendojmë që ky interpretim, ose në vetvete dispozita ligjore e interpretuar, kufizon ndjeshëm zbatimin e veprimit simulues në hetimin e kategorive më të reja të veprave penale, të ndryshme nga ato për të cilat veprimi simulues është përdorur tradicionalisht (trafiqet, korrupsioni). Nëse do të vihet re konsolidimi nga Gjykata e Lartë i këtij interpretimi edhe në çështje të tjera në të ardhmen, do të bëhen të nevojshme ndryshime ligjore që të përshtasin rrethin e veprimeve simuluese të lejuara.   

      Përgjimi i telekomunikimeve, si mjet për formimin e dyshimit të arsyeshëm për përfshirjen e mëparshme në veprimtari kriminale të të hetuarit, do të duhet të ofrojë të dhëna konkrete për këtë veprimtari dhe të mos mjaftohet me të dhëna të pasakta, të parëndësishme dhe jo të qëndrueshme. Jurisprudenca e Strasburgut i jep rëndësi të veçantë formimit të dyshimit të arsyeshëm dhe ky është një drejtim ku në praktikën e punës së prokurorisë, para së gjithash, rrjedhimisht edhe të gjykatës, ka vend për përmirësim të ndjeshëm.

 

-----------------------------------------------

 

Literatura:

 

- Konventa Evropiane e të Drejtave dhe lirive Themelore të Njeriut

      - Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë

 

Doktrinë

Guide on article 6 of the European Convention on Human Rights: Right to a fair trial (criminal limb),  2014

 

Jurisprudencë

- Vendime të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të R.Sh. me: nr. 85, datë 06.03.2013; nr. 264, datë 10.10.2012; nr. 201, datë 05.07.2012

- Vendime të Gj.E.D.NJ. për çeshtjet: Bannikova kundër Rusisë, ankimi nr. 18757/06, vendimi datë 4 Nëntor 2010; Constantin dhe Stoian kundër Rumanisë, ankimet nr. 23782/06 dhe nr. 46629/06, vendimi datë 29 Shtator 2009; John James Shannon kundër Mbretërisë së Bashkuar, ankimi nr. 67537/01, vendimi për pranueshmërinë, datë 6 Prill 2004; Malininas kundër Lituanisë, ankimi nr. 10071/04, vendimi datë 1 Korrik 2008; Miliniene kundër Lituanisë, ankimi nr. 74355/01, vendimi datë 24 Qershor 2008; Ramanauskas kundër Lituanisë, ankimi nr. 74420/01, vendimi i Dhomës së Madhe datë 5 Shkurt 2008; Teixeira de Castro kundër Portugalisë, ankimi nr. 25829/94, vendimi datë 9 Qershor 1998; Vanyan kundër Rusisë, ankimi nr. 53203/99, vendimi datë 15 Dhjetor 2005

 



[1] Gj.E.D.Nj., ankimi nr. 25829/94, vendimi datë 9 Qershor 1998

[2] Gj.E.D.Nj., ankimi nr. 74420/01, vendimi i Dhomës së Madhe datë 5 Shkurt 2008

[3] Gj.E.D.Nj., ankimi nr. 74355/01, vendimi datë 24 Qershor 2008

[4] Guide on article 6 of the European Convention on Human Rights: Right to a fair trial (criminal limb), (Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, 2014), fq. 28, ku citohen çështjet: Teixeira de Castro kundër Portugalisë, §§ 37-38; Constantin dhe Stoian kundër Rumanisë, ankimet nr. 23782/06 dhe nr. 46629/06, vendimi datë 29 Shtator 2009, § 55; John James Shannon kundër Mbretërisë së Bashkuar, ankimi nr. 67537/01, vendimi për pranueshmërinë, datë 6 Prill 2004

[5] Çështja Bannikova kundër Rusisë, ankimi nr. 18757/06, vendimi datë 4 Nëntor 2010, § 47; çështja Malininas kundër Lituanisë, ankimi nr. 10071/04, vendimi datë 1 Korrik 2008, § 37; çështja Vanyan kundër Rusisë, ankimi nr. 53203/99, vendimi datë 15 Dhjetor 2005, §§ 11 dhe 49

[6] Ramanauskas kundër Lituanisë, çështje e cituar, § 70.