P E N A L E

  

Av. Edona VAJUSHI (SHKENZA)

Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit

dhe Harmonizimit të Legjislacionit

 pranë Ministrisë së Drejtësisë,

Tiranë

 

Hyrje

 

Ndryshimet e shpejta që po ndodhin në shoqëri, si në fushën e teknologjisë, shkencës, ekonomisë dhe kështu me radhë kanë ndikim edhe në krijimin e normave të reja ligjore që nuk janë parashikuar më parë. Ky punim përpiqet të hedhë dritë mbi disa nga aspektet më problematike dhe pyetjet konceptuale, doktrinore që shtrohen dhe synon të japë një kuptim më të mirë të asaj që është përgjegjësia penale e korporatave në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut, si edhe thellimin në çështjet e bazës ligjore për përgjegjësinë e korporatave. Ka disa elemente të figurës penale në rastin e vrasjes që të çojnë të mendosh se është pak absurde që të ketë përgjegjësi penale për korporatat. Një element i tillë është mens rea, ose qëllimi për kryerjen e veprës penale .Aplikimi i sanksioneve penale është një problem tjetër, pasi ai do t’i godasë në mënyrë të barabartë të gjithë anëtarët e saj, por dihet tashmë që përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të dënohen persona të pafajshëm.

 

Këto janë disa nga çështjet që do të marrin një përgjigje në këtë punim, nën një vështrim krahasues në mes të së drejtës civile ku gjykata e bazon vendimin mbi normat ligjore dhe sistemit common law, i cili është i bazuar në praktikën gjyqësore dhe rolin e precedentit. Ky punim synon të debatojë disiplinimin e deritanishëm të përgjegjësisë penale të korporatave dhe respektimit të së drejtave të njeriut, duke u fokusuar në Republikën e Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar. Qasja krahasuese është një metodë efektive për të evidentuar pengesat dhe pikat ku ne mund të kërkojnë përmirësim.

 

Aspektet kryesore konceptuale të përgjegjësisë penale të korporatave

 

Një nga çështjet më të debatuara bashkëkohore në fushën e qeverisjes së korporatave mbetet sigurisht respektimi i të drejtave të njeriut nga ana e tyre. Një qeverisje e mire e korporatave konsiston në qeverisjen dhe menaxhimin e shoqërisë duke njohur dhe respektuar normat ligjore dhe rregullat shoqërore. Por, respektimi i tyre mund të realizohet në mënyrë më efikase vetëm në rast se parashikohet ndëshkimi i korporatave për veprime të kryera në kundërshtim me këto parime, (parimi i ligjshmërisë).[1] Nën këtë frymë, u zhvillua edhe doktrina e përgjegjësisë penale të korporatave. Korporatat janë artifice juridike, të cilat janë krijuar nga e drejta (ligji, njeriu) për të përmbushur qëllimet dhe interesat ekonomike dhe financiare të personave fizike. Në kushtet e një ekonomie të lirë tregu, korporatat po përbëjnë gjithnjë e më shumë një faktor potencial si në fatet ekonomike të mjaft shteteve ashtu edhe në zhvillimin e jetës sociale dhe kulturore të shoqërive të ndryshme. Për ta ilustruar me një shembull rolin influencues të korporatave në ditët e sotme në aspektin ekonomiko-social, mund të sjellim në vëmendje kompaninë Apple, e cila me anë të teknologjisë së avancuar dhe aplikacioneve të ndryshme të saj, ka arritur të ndryshojë mënyrën dhe stilin e jetesës të shumë personave. Por, përpos këtij impakti pozitiv që kanë në shoqëri, një nga çështjet më të diskutueshme (hot topic) të këtij shekulli për sa i përket korporatave mbetet përgjegjësia penale e tyre, si shkelëse e të drejtave të njeriut. Në të gjitha anët e botës, cenimi i të drejtave të njeriut dhe mjedisit janë duke u zhvilluar si rezultat i veprimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të korporatave.[2] Ndërkaq, në raportin e vitit 2000 të OKB-së thuhet, se: “Nga të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut sot, ato në fushën ekonomike dhe sociale përbëjnë deri më tani  numrin më të madh dhe janë më të përhapura në të gjithë shtetet e botës  dhe të një numër i madh i njerëzve”.[3] Korporatat, si një krijim i ligjit, vështirësojnë rrugën tradicionale të gjetjes së ndërgjegjes shkelëse të normave, sikurse vështirësojnë edhe aplikimin me efektshmëri të normave që synojnë përmirësime të një natyre deri diku morale.[4] Korporatat për vetë nga natyra e tyre nuk kanë moral, ndërgjegje, por kjo nuk përbën arsye për mosndëshkimin e tyre në rastin kur kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin dhe cenojnë të drejtat e njeriut. Një element i tillë është mens rea ose qëllimi për kryerjen e veprës penale, një nga elementet formalo-juridike të domosdoshme që një person të ngarkohet me përgjegjësi penale. Por, pavarësisht polemikave dhe diskutimeve të shumta mes studiuesve dhe aplikuesve të së drejtës nëse një shoqëri tregtare si subjekt juridik mund të ngarkohet ose jo me përgjegjësi penale, ky shekull ka dëshmuar për një ekspansion gjithëpërfshirës të doktrinës së përgjegjësisë penale të korporatave.

Nëpërmjet këtij punimi synohet që të  kuptohet sa më qartë ajo çka është përgjegjësia penale e korporatave në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut, si dhe thellimin në çështjet e bazës ligjore për përgjegjësinë e korporatave, duke përfshirë analizën kritike të instrumenteve ligjorë kombëtare (kryesisht Ligji Nr. 9754, datë 14.6.2007, “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë”) dhe ndërkombëtare, duke i parë në një qasje krahasuese mes vendeve të sistemit anglo-sakson, si edhe duke i ilustruar (atje ku janë relevante) me raste të praktikës gjyqësore.

 

A mund të konsiderohet “korporatë” çdo formë e organizimit të biznesit ?

 

Nëse i hedhim një shikim të shpejtë dispozitave që përmban ligji shqiptar nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” kuptojmë që katër janë format e shoqërive tregtare që operojnë në Republikën e Shqipërisë.[5] Korporatat janë të organizuara vetëm në formën e shoqërive aksionare.[6] Ligji shqiptar jep përkufizimin e një shoqëri aksionare si më poshtë vijon:“Shoqëria aksionare është një shoqëri tregtare, kapitali i së cilës është i ndarë në aksione të nënshkruara nga themeluesit. Themeluesit janë persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë e që mbulojnë humbjet e saj vetëm me vlerën e pashlyer të aksioneve të nënshkruara”.[7] Një korporatë është pra një shoqëri tregtare, një entitet i formuar nga një ose më shumë persona për të cilin personaliteti juridik fitohet nëpërmjet regjistrimit të duhur duke i dhënë asaj të drejta dhe detyra të caktuara, duke përfshirë cilësi dhe vazhdimësi. Shoqëritë aksionare të japin mundësinë që të operosh më me lehtësi në treg prandaj kjo është arsyeja se pse korporatat e mëdha janë të organizuara në formën e shoqërive aksionare. Një avantazh tjetër i shoqërive aksionare është aftësia për të mbledhur para, duke qenë se sh.a mund të shesin, blejnë dhe shkëmbejnë si aksione të zakonshme ashtu edhe ato me përparësi, një mënyrë e rritjes së fitimit që nuk parashikohet te format e tjera të shoqërive tregtare.[8]

Në Shqipëri është ende i vogël numri i korporatave që operojnë në tregun shqiptar, por në Shtetet e Bashkuara, korporatat janë ndoshta forma më dominuese e organizimit të biznesit. Edhe pse të pakta në numër, korporatat përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave agregate të biznesit në ekonominë amerikane.[9] Korporata përfaqëson një grup personash të cilët janë të autorizuar të veprojnë si një person i vetëm dhe që njihet si i tillë nga ligji.[10] Pra, korporata është një subjekt i pavarur juridik, në pronësi të aksionarëve, e cila ka të drejta dhe detyrime përtej atyre të një individi. Korporatat janë më komplekse se sa strukturat e tjera të biznesit, sepse ata kanë tendencë të kenë tarifat më të larta administrative, tatim kompleks si dhe kërkesa të shumta ligjore.[11] Për shkak të këtyre çështjeve, korporatat janë sugjeruar si forma të organizimit të biznesit për ato kompani që kanë një vlerë të lartë të aksioneve dhe një numër të madh punonjësish[12] (për ta demonstruar mund të përmendim kështu korporatën amerikane McDonalds).

Arsyeja kryesore përse korporatat (personi juridik) gëzojnë mbrojtje sipas Kushtetutës të ShBA ka të bëjë me faktin se ato janë bashkime personash fizikë dhe personat fizikë nuk mund të privohen nga të drejtat kushtetuese, kur veprojnë në mënyrë kolektive.[13] 

Në çështjen Pembina Consolidated Silver Mining Co. v. Pennsylvania, Gjykata Supreme Amerikane afirmoi në mënyrë të qartë doktrinën, se termi person në Amendamentin e katërmbëdhjetë të Kushtetutës nuk ka dyshim që përfshin në ‘të korporatat private.[14] Pra, arrijmë në përfundim se korporatat janë persona juridikë, të cilët gëzojnë të njëjta të drejta kushtetuese dhe mund të ushtrojnë të gjithë mekanizmat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, siç mund të jenë e drejta e pronës private, liria e shprehjes etj. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për sa i përket pyetjes nëse të drejtat e parashikuara në KEDNJ do të aplikohen edhe ndaj personave juridikë. Kështu, në çështjen A/S Diena dhe Ozoliņš vs.. Latvia ku ankuesi ishte gazeta (Diena, në shqip: Dita ), Gjykata u shpreh unanimisht se ka pasur shkelje të nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të një vendimi të dhënë nga gjykatat e Letonisë kundër shoqërisë ankuese për botimin e disa artikujve në 1998 në lidhje me disa afera korruptive të ministrit të atëhershëm letonez.[15] Parimisht, për aq kohë sa personat juridikë gëzojnë të njëjta të drejta si personat fizikë, e njëjta situatë duhet të paraqitet edhe në rastet kur personat juridikë janë shkelës të normave ligjore civile, qoftë edhe ato penale.

 

Përgjegjësia penale e korporatave dhe të drejtat e njeriut

 

Është evidentuar aktualisht nga rastet praktike, se korporatat për shkak të fuqisë ekonomike të tyre dhe depërtimit në mënyrë masive në çdo lloj aktiviteti njerëzor, janë perpetrueset kryesore të së drejtave të njeriut. Ky punim synon të ofrojë një pasqyrim më të qartë të realitetit të sotëm në lidhje me këtë tematikë dhe parashtrimin e zgjidhjeve legjislative apo praktike që ekzistojnë sot apo nismave që duhet të ndërmerren për kufizimin e këtij fenomeni. Në këtë kuadër, do të trajtohet përgjegjësia penale e korporatave në raport me veprat penale me rrezikshmëri më të lartë shoqërore, siç janë krimet kundër njerëzimit , dhe krimet kundër jetës .

Jo pa qëllim është bërë përzgjedhja e trajtimit të këtyre të drejtave, të cilat janë dy ndër të drejtat më themelore të individëve. Është e kuptueshme se për aq kohë sa korporatat kanë arritur deri në atë pikë sa të jenë shkelëse të këtyre të drejtave primare, është e imagjinueshme më pas influenca e tyre në raport me cenimin e të drejtave të tjera, të cilat paraqesin një rrezikshmëri shoqërore më të ulët. Shumë nisma ndërkombëtare janë ndërmarrë me qëllim reduktimin e këtyre veprave penale të realizuara nga korporata. Në “Parimet Udhëzuese mbi Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut” të OKB-së konfirmohet detyrimi ligjor ndërkombëtar i të gjithë shteteve për të mbrojtur të drejtat e njeriut nga abuzimet e palëve të treta, duke përfshirë këtu sipërmarrjet e biznesit nëpërmjet marrjes së hapave të duhur për të parandaluar, hetuar, ndëshkuar një abuzim të tillë si dhe masën e dëmshpërblimit me anë të politikave efektive, përmirësimeve të legjislacionit, rregulloreve dhe gjykimeve (State’s Duty to Protect).[16] Procesi i globalizimit ka influencuar edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis korporatave të  mëdha, të ashtuquajtura korporata shumëkombëshe duke krijuar kështu disa kushte më të favorshme për shkeljen e të drejtave të  njeriut (siç mund të jenë rastet kur korporata të mëdha hapin filiale në shtete ku fuqia punëtore paguhet më pak apo ku nuk ekziston një demokraci e konsoliduar apo shtet i së drejtës).

Mbrojtja e njerëzimit ka qenë dhe mbetet një nga detyrat më të rëndësishme të çdo shteti dhe shoqërie. Pas Luftës së Dytë Botërore, menaxherët e lartë dhe përfaqësuesit e disa kompanive janë dënuar në gjykatat ushtarake të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut si rezultat i kontributeve të ofruara, përmes aktiviteteve përkatëse të biznesit të tyre, në mbështetje të agresionit dhe mizorive të kryera nga regjimi nazist.[17]

Në dekadat që nga ajo periudhë, ka pasur pretendime të shumta, nga pothuajse çdo pjesë e botës për përfshirjen e korporatave në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose për shkak të lidhjes së  tyre me autoritetet shtetërore, ushtrinë apo policinë.[18]  Rastet që janë sjellë në vëmendjen e gjykatave të vendeve deri më tani - shumë prej të cilave do të diskutohen më në hollësi në trupin e këtij punimi - kanë parë kompani që akuzohen për dhënien e ndihmës logjistike, transportit, teknologjisë, informacionit ose fonde për shkeljen e të drejtave të  njeriut.

Portali i Qendrës Kërkimore për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut[19] na jep shembuj të ndryshëm të mënyrave se si një  korporatë mund të jetë e përfshirë ose e implikuar në shkeljen e të  drejtave të njeriut të cilat mund të kategorizohen si më  poshtë.

Rast studimor 1: Nippon Steel & Sumitomo Metal Corp/Japan/South Korea. Më datë 10 korrik 2013, një gjykatë e Koresë së Jugut vendosi se një korporatë hekuri japoneze, Nippon Steel & Sumitomo Corp, duhet të paguante dëmshpërblim për katër punëtorët e Koresë së Jugut për kryerjen e punës së detyruar gjatë kolonizimit të Koresë nga Japonia gjatë viteve 1910-1945. Kompania u urdhërua të paguajë rreth $ 88,000 për çdo punëtor. Gjykata u shpreh, se "furnizuesi kryesor i ushtrisë”, Japan Iron and Steel ka kryer akte çnjerëzore dhe të paligjshme, duke mobilizuar dhe detyruar punëtorët të  merrnin pjesë në luftë. Akte të tilla bien në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Koresë dhe të Japonisë.[20]

Rast studimor 2: Qosmos / International Federation for Human Rights dhe Ligue des Droits de l’Homme. Ankesa është paraqitur në gjykatën penale të Parisit më 25 qershor 2012 nga International Federation for Human Rights dhe Ligue des Droits de l’Homme, dy OJF-të, duke pretenduar se Qosmos, një kompani franceze, ishte e përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga Regjimi i El-Assad në Siri. Ankuesit akuzojnë  kompaninë për dhënien e ndihmës dhe inkurajimin e abuzimeve serioze, duke përfshirë torturën, nëpërmjet vënies në  dispozicion të pajisjeve të mbikqyrjes të cilat lejonin qeverinë për të monitoruar, për të vënë në shënjestër, arrestuar dhe tortuar desidentët dhe për të shtypur kundërshtarët.

Rast studimor 3: Jeppeson/ American Civil Liberties Union. Në maj 2007, Unioni i Lirive Civile Amerikane (në emër të pesë individëve) ngriti një padi në  gjykatat amerikane kundër Jeppesen Dataplan Inc, duke pretenduar se kjo kompani kishte ofruar për CIA-n e ShBA-së planet e fluturimit dhe mbështetje logjistike për avionët e përdorur në  extraordinary rendition Flights,[21] duke ndihmuar dhe përkrahur në këtë mënyrë torturën dhe trajtimin çnjerëzor. Padia u rrëzua nga Gjykata e Apelit në shtator 2010 për shkak të çështjeve të sigurisë kombëtare.

 

Krime kundër jetës

 

E drejta për jetën është një nga të drejtat primare themelore, respektimi i të cilës është pasqyruar në mënyrë të plotë nga kushtetutat moderne të çdo shteti dhe aktet ndërkombëtare. Kështu, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 21 të saj parashikon, se: “Jeta e njeriut mbrohet me ligj”. Pra respektimi i të drejtave të njeriut, shoqërohet nga koncepti i mos-dhunimit të tyre. E drejta për jetën paraqitet në Kushtetutë si një e drejtë primare në bazë të së cilës më pas materializohen të drejtat e tjera. E drejta për jetën sanksionohet gjithashtu në Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut, në nenin 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut etj. Pra e drejta për jetën është një nga të drejtat themelore, e cila në rast se do dhunohej arbitrarisht të gjitha të drejtat e tjera do të ishin joreale.

Rast studimor 1: OLL Ltd, R v CA (1994) (Vrasje për shkak të pakujdesisë së rëndë e kryer nga korporata në Mbretërinë e Bashkuar). OLL ltd, një kompani për zhvillimin e aktiviteteve zbavitëse në pronësi dhe e drejtuar nga Peter Kite organizoi një ekspeditë kanoe në gjirin Lyme, ku katër persona humbën jetën si pasojë e mbytjes. Vendimi: Të dy, kompania dhe Kite u dënuan për vrasjen e katër personave. Kompania u gjobit me £ 60,000, ndërsa Kite me 3 vjet burgim.

Rast studimor 2: R v. Jackson Transport (Ossett) Ltd. Jackson Transport (Ossett) Ltd, u dënua për vrasje, së bashku me një drejtor, James Hodgson. Rasti është sjellë, pasi një punonjës 21-vjeçar gjeti vdekjen, pasi u mbulua në fytyrë me një lëndë toksike që shërbente për pastrimin e mbetjeve kimike nga një kamion-cisternë i rrugëve. Nuk ishte kryer mbikëqyrja e duhur, ofrimi i trajnimeve dhe i pajisjeve mbrojtëse të duhura.

Rast studimor 3: R v Thames Trains (2004). Më 5 tetor 1999, një tren pasagjerësh i kompanisë Thames Trains Turbo direkt pasi u largua nga stacioni Paddington u përplas me një tren ekspres të linjës First Great Ëestern, ku për shkak të zjarrit të menjëhershëm 31 njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u dëmtuan. Kompania u dënua për kryerjen e vrasjeve për shkak të pakujdesisë së rëndë me gjobë, në masën e 2 milion sterlina. Siç evidentohet edhe nga shembujt e mësipërm, sot korporatat, për shkak të rritjes dhe fuqizimit të tyre ekonomik janë kthyer në një potencial të rrezikshëm për shoqërinë e sotme. Korporatat janë të përfshira virtualisht pothuajse në çdo sferë të aktivitetit njerëzor dhe kanë në dispozicion mjete që mund të shkaktojnë vdekjen e shumë personave, duke shkelur kështu një nga të drejtat themelore siç është e drejta për jetën. Në këtë kuadër, nën dritën e këtyre fakteve, është i rëndësishëm disiplinimi i përgjegjësisë penale të korporatave nga të gjithë legjislacionet e brendshme të shteteve, duke parashikuar kritere të qarta, mjete efikase ligjore dhe institucionale adekuate për ndëshkimin e këtyre akteve. Sisteme të ndryshme juridikë kanë adaptuar modele dhe mekanizma të ndryshme për evitimin dhe minimizimin  e veprave penale që mund të kryhen nga korporata, të cilat janë pjesë e trupit të këtij punimi.

 

Përgjegjësia penale e korporatave në Shqipëri

 

Procesi i integrimit në kompleksitetin e tij nënkupton domosdoshmërinë e harmonizimit dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë komunitar (acquis communitaire). I ndërgjegjshëm për rëndësinë juridiko-penale që ka njohja e përgjegjësisë penale të personave juridikë, si dhe në përgjigje të nevojës për përafrimin e legjislacionit tregtaro-penal me standardet rajonale , më datë 14.06.2007 ligjvënësi shqiptar miratoi Ligjin Nr. 9754 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”.[22] Neni 45 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili përfaqëson edhe përpjekjen e parë modeste për njohjen e përgjegjësisë penale të personave juridikë parashikon, se: “Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale, të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre”, duke i njohur në këtë mënyrë personat juridikë edhe si subjekte aktive të veprës penale. Nga dispozita e mësipërme kuptohet lehtësisht se përgjegjësia penale mund t’i ngarkohet të gjithë personave juridikë të parashikuar nga legjislacioni shqiptar , përveç institucioneve shtetërore. Ky parashikim i Kodit Penal ka kuptim, pasi nuk do të kishte sens që shteti, i cili gëzon monopolin e dënimit të shkelësve të ligjit ,të dënonte veten e tij. [23]

Paragrafi i fundit i nenit 45 të Kodit penal parashikon se: “ Veprat penale dhe masat ndëshkuese përkatëse, që zbatohen ndaj personave juridikë, si dhe procedura për vendosjen dhe ekzekutimin e tyre rregullohen me ligj të veçantë” (theksimi është i autores së këtij punimi). Nëse i bëjmë një interpretim fjalë për fjalë dhe logjik kësaj dispozitë, vijmë në përfundimin, se ligjvënësi në pajtim me nenin 45, duhej të kategorizonte në një ligj të veçantë veprat penale që mund t’i adresohen personave juridikë, masat ndëshkuese etj.Në Seksionin IV të Kreut III të Kodit Penal (nga neni 163-170,Vepra penale te kryera nga shoqëritë tregtare)  parashikohen në dukje në mënyre shteruese dhe përmbledhëse të gjitha veprat penale që kryhen dhe mund të veshin me përgjegjësi penale shoqëritë tregtare, të cilat janë përgjithësisht në fushën tregtare. Por duke patur parasysh faktin që në ditët e sotme, korporatat janë pjesëmarrëse të rëndësishme në jetën e përditshme të çdo individi si dhe duke u nisur nga kazuistika e avancuar dhe eksperienca e pasur ligjore e vendeve të tjera mund të themi që ky “kufizim“ në lidhje me listimin e veprave penale në mënyrë shteruese që mund të kryhen nga shoqëritë tregtare nuk përputhet më me zhvillimin ekonomiko-social të shoqërisë së sotme. Korporatat kanë një potencial më të madh se sa individët për të kryer krime të rënda, që mund të jenë vrasja, dëmtimi i shëndetit të cilat kanë pasoja masive. Kjo çështje nuk është trajtuar as nga ligji nr. 9754 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë “i cili në nenin 1 të tij parashikon se objekt i këtij ligji është vetëm përcaktimi i rregullave “për përgjegjësinë, procedimin penal dhe llojet e masave ndëshkuese, që merren ndaj personave juridikë, për kryerjen e veprës penale”. Pra, as në këtë ligj nuk bëhet parashikimi i llojeve të veprave penale për të cilat mund të mbajë përgjegjësi një korporatë.

Për këto arsye shprehemi se ligji ynë penal i përshtatet sistemit të përgjegjësisë penale të përgjithshme të personave juridikë, sipas të cilit ndaj personit juridik  mund të aplikohet përgjegjësia penale për kryerjen e çdo vepre penale.[24] Duke ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi parimisht mund të themi se çdo vepër penale që realizohet nga personat fizikë mund të kryhet edhe nga personat juridikë.Natyrisht personi juridik nuk mund të përgjigjet për ato vepra penale që ontologjikisht nuk mund t’i sjellin një përfitim konkret dhe që nuk mund të shprehin kurrë vullnetin e tij.[25]

 

Kushtet për ekzistencën e përgjegjësisë penale të korporatave

 

Baza ligjore kryesore për trajtimin e kësaj teme do të jetë ligji nr. 9754, datë 14.06.2007  “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” (në vijim LPPPPJ).

Neni 3 i ligjit në fjalë parashikon se :

Personi juridik ka përgjegjësi për vepra penale të kryera:

a) në emër ose në dobi të tij, nga organet dhe përfaqësuesit e tij;

b) në emër ose në dobi të tij, nga një person, që është nën autoritetin e personit që përfaqëson, drejton dhe administron personin juridik;

c) në emër ose në dobi të tij, për shkak të mungesës së kontrollit apo të mbikëqyrjes nga personi që drejton, përfaqëson dhe administron personin juridik.

Në vijim, në funksion të këtij punimi do t’i referohemi me termin “korporata”, duke u nisur edhe nga fakti se këto subjekte janë më pjesëmarrëse dhe me të ekspozuara në aplikimin e kësaj displine të re jo vetëm në Shqipëri por edhe më tej.

Pra, në një vlerësim të përgjithshëm të dispozitës së mësipërme arrijmë në përfundimin se një korporatë mban përgjegjësi penale, në rast se plotësohen këto dy kushte në mënyrë kumulative:Vepra penale të jetë kryer nga një prej subjekteve të sipërpërmendura

            i. Vepra penale të jetë në kryer në emër ose në dobi të korporatës.

ii. Përmbushja e këtyre dy kushteve njëkohësisht nënkupton që mungesa e njërit prej tyre passjell përjashtimin e përgjegjësisë  penale të korporatës. Një trajtim që vjen me rendësi nga LPPPPJ është koncepti i mos-humbjes apo ruajtjes së përgjegjësisë penale për veprat e kryera edhe në rastet kur personi juridik që i ka kryer ato pushon së ekzistuari si pasojë e shndërrimit, ndarjes apo bashkimit të tij që çojnë në krijimin e një personi të ri juridik.[26] Gjykojmë se, qëndrimi që ka mbajtur ligjvënësi në lidhje me këtë çështje është më se i drejtë dhe i arsyeshëm , pasi nëse do të pranohej e kundërta e kësaj atëherë shumë korporata në formë abuzuese , duke mos ekzistuar më si subjekt i së drejtës, do të shmangeshin në mënyrë të padrejtë nga përgjegjësia penale.

Nëse i bëjmë një interpretim literal dhe logjik nenit 4 të LPPPPJ  arrijmë në konkluzionin se organe dhe përfaqësues të shoqërisë konsiderohen, përveç  personave fizikë që merren me drejtimin dhe administrimin e shoqërisë, edhe personat të cilat ushtrojnë funksione kontrolli në shoqëri. Ky konstatim reflektohet edhe në nenin 166 të ligjit nr. 9901 datë 14.04.2008 ku thuhet se: “ Në sistemin e administrimit me dy nivele, administratorët drejtojnë shoqërinë dhe marrin vendime për mënyrën e vënies në zbatim të politikave tregtare, ndërsa këshilli mbikëqyrës, në cilësinë e organit  mbikëqyrës, këqyr vënien në zbatim të këtyre politikave dhe përputhjen e tyre me ligjin dhe statutin.  Një zgjidhje e tillë nga ana e ligjvënësit tonë na duket më se e drejtë dhe arsyeshme për aq kohë sa ekziston mundësia që edhe organet kontrolluese të një korporatë mund të realizojnë vepra penale në dobi të personit juridik. Një zgjidhje e kundërt gjendet në sistemin italian mbi përgjegjësinë penale të personave juridikë, ku përjashtohet mundësia për të bërë përgjegjës këshillin mbikëqyrës të shoqërisë sipas idesë se bëhet fjalë për subjekte që nuk mund të veprojnë në emër të shoqërisë, por vetëm mund ta kontrollojnë atë.[27] Zgjidhja e ofruar nga legjislacioni Italian nuk na duket e drejtë , pasi jemi të mendimit se ekzistojnë disa vepra penale të veçanta të cilat mund të realizohen nga këshilli mbikëqyrës ,siç mund të jetë vepra penale e parashikuar në nenin 164 të Kodit Penal, i cili dënon me gjobë ose 5 vjet burgim “anëtarët e këshillit drejtues që shpërdorojnë kompetencat për qëllim fitimi”.

 

Aspektet problematike të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007

“Për përgjegjësinë penale të personave juridikë

 

Presionet ndërkombëtare mbi aplikimin e një dispozite të posaçme mbi përgjegjësinë penale të personave juridikë, në zbatim si të nenit 45 të Kodit Penal, ashtu edhe impenjimeve të marra nga Shqipëria me ratifikimin e Konventave ndërkombëtare dhe veçanërisht me ratifikimin e “Konventës penale mbi korrupsionin”  me anë të ligjit nr. 8778, datë 26.04.2001 kanë bërë që ligjvënësi ynë më datë 14.06.2007 të aprovojë ligjin nr. 9754 mbi përgjegjësinë penale të personave juridikë për vepra penale të kryera në emër dhe në dobi të tyre.

Përgjegjësia e parashikuar nga ky ligj është e karakterit penal  duke njohur një përgjegjësi direkte të personit juridik për veprat penale të realizuara nga personat fizikë në emër ose në dobi të tij, dhe përgjegjësi paralele me personin fizik, që do të thotë se ky i fundit përgjigjet penalisht personalisht për kryerjen e veprës penale. Duke u nisur nga një vlerësim i përgjithshëm i dispozitave në tërësi, shtrohet pyetja se cili do të jetë objektivi i parë i ligjit, personi fizik apo korporata (si person juridik)?

Sipas dispozitave në fuqi, personi juridik mban përgjegjësi vetëm për veprat penale të kryera nga subjektet e parashikuara në ligj dhe për këtë arsye është e rëndësishme fillimisht identifikimi i personit fizik. Në rastet e mos-identifikimit të personit fizik, lind dyshimi, nëse vepra penale mund të jetë kryer nga një person tjetër i jashtëm i cili nuk bën pjesë në strukturën e shoqërisë dhe për këtë arsye personi juridik nuk mund të dënohet (in dubio pro reo). Por siç edhe është trajtuar edhe gjatë këtij punimi është e vështirë identifikimi i personit fizik duke pasur parasysh strukturat komplekse të organizimit të korporatave. Le të marrim rastin hipotetik që personi fizik i pandehur ndërron jetë gjatë hetimit, rrethanë kjo e cila në bazë të nenit 328 shkronja ë) e Kodit të Procedurës Penale[28] të RSH-së sjell pushimin e çështjes. Në këtë kuadër, sipas parashikimeve ligjore aktuale personi juridik  nuk mund të dënohet, për aq sa kohë nuk vërtetohet përgjegjësia penale e personit fizik. Kjo zgjidhje e ofruar nga ligjvënësi në gjykimin tonë nuk është e drejtë, pasi është e pranuar gjerësisht se identifikimi i personit fizik që ka realizuar veprën penale brenda strukturave të korporatës është i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kjo situatë e krijuar nga ligjvënësi shqiptar nuk i shërben disiplinimit të një fenomeni të rrezikshëm siç është kriminaliteti i shoqërive tregtare, por nxit kryerjen e veprave penale nga këto të fundit. Jemi të mendimit që për disiplinimin e këtyre rasteve është e nevojshme ndërhyrja e ligjvënësit.

Gjithashtu një problematikë tjetër e ligjit është mungesa e parashikimit të kritereve, që duhet të aplikojë korporata në mënyrë që të evitojë përgjegjësinë penale të tyre, pra parashikimi i modeleve të caktuara organizative dhe kontrolluese adekuate dhe korrekte, si elemente bazë për të provuar pafajësinë e tyre. Siç është trajtuar edhe më lart ligjvënësi jonë ka ndjekur sistemin e drejtpërdrejtë të përgjegjësisë penale, që do të thotë që çdo vepër penale që parashikohet për personin fizik mund t’i atribuohet edhe personi. Pyetja që lind në këtë rast është se cila është masa ndëshkuese që do t’i aplikohet personit juridik për ato vepra penale të cilët parashikojnë si sanksion të vetëm të tyrin, dënimin me burgim? Në këtë kuadër është e nevojshme parashikimi i një sistemi dhe mase të gjobave që do të aplikohen në këto raste.

Në përfundim, mund të themi se miratimi i këtij ligji u realizua më tepër në përgjigje, të harmonizimit dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar më atë komunitar se sa nevojës të disiplinimit dhe rregullimit ligjor të kontekstit aktual shqiptar në lidhje me kriminalitetin e zhvilluar në fushën tregtare.

Nuk duhet lënë pa përmendur fakti që parashikimi i dispozitave ligjore të sakta, të plota  me një skemë logjike të qartë, synon jo vetëm ndëshkimin e këtij fenomeni negative siç është kriminaliteti në fushën tregtare, por shërben gjithashtu edhe për krijimin e një kulture korporative të strukturave të saj që në gjenezë të saj me qëllim respektimin e ligjit dhe rregullave shoqërore gjatë realizimit të objektivave ekonomikë të tyre.

 

Përgjegjësia penale e korporatave në SHBA

 

Përgjegjësia penale në SHBA aplikohet mbi bazën e doktrinës së përgjegjësisë në kaskadë apo përgjegjësisë direkte. New York Central & Hudson River R.R. Co. v. United States ishte vendimi i parë që afirmoi në mënyrë definitive përgjegjësinë penale të korporatave duke u mbështetur në një teori me prejardhje civiliste siç është ajo e respondeat superior sipas të cilës korporata mban përgjegjësi penale për veprat penale të kryera nga punonjësit e saj në kuadër të zhvillimit të marrëdhënies së punës. Në SHBA për sa i përket zbatimit të ligjit, jurisprudenca, doktrina dhe praktika nisen nga një ndarje e aktivitetit kriminal në 3 grupe. Grupi i parë përmbledh të gjitha aktet kriminale të rënda e të dënuara penalisht, që kanë lidhje me integritetin fizik të personave si p.sh., cilësia e produkteve të hedhura në treg apo financimi i terrorizmit. Për këtë grup korporata mund të vihet para ligjit për një akt të kryer nga një vartës i saj, nëse ky i fundit ka vepruar sipas një urdhri direkt të organeve apo personave drejtues të korporatës. Grupi i dytë përmbledh aktet e dënuara penalisht, por me një karakter më shumë tregtar se sa atë të integritetit. Për të vënë para përgjegjësisë penale korporatën duhet që dy kushte të plotësohen: Së pari, vartësi ka kryer aktin në favor të korporatës; Së dyti, korporata nuk ka treguar përgjegjësinë e duhur për parandalimin e fenomeneve të tilla.-Grupi i tretë ka të bëjë me aktet e dënueshme penalisht me karakter tregtar, në përmbushjen e të cilave marrëveshja e korporatës është kusht i nevojshëm. Në këtë rast korporata është e dënueshme penalisht, pa pasur nevojë të analizojmë mekanizmat e parandalimit brenda institucionit.

Kriteret bazë mbi të cilët mbështet disiplina amerikane për përgjegjësimin penal të personave juridikë nuk janë shumë të ndryshëm nga ato që parashikon legjislacioni shqiptar. Kështu, rregulli i përgjithshëm është se një shoqëri përgjigjet penalisht: 1) për aktet e paligjshme të punonjësve të saj (employee) ; 2) në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të punës (scope of the employment); 3) në dobi të korporatës.[29]

Për sa i përket elementit të ekzistencës së një marrëdhënie pune midis personit fizik dhe personit juridik, ky i fundit përgjigjet penalisht edhe për kryerjen e akteve për të cilat nëpunësi nuk është i autorizuar, edhe pse në kodet etike parashikohet që nëpunësit nuk duhet të kryejnë vepra penale, kjo nuk është e mjaftueshme për të evituar përgjegjësinë penale të personit

juridik.[30]

Përveç rasteve të përmendura gjatë trajtimit të këtij diskutimi, kjo çështje ende hap polemika duke u nisur nga një rast i kohëve të fundit. Në çështjen SHBA v Potter,[31] një menaxher i përgjithshëm i kishte dhënë ryshfet Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve së Rhodes Island, pavarësisht faktit se ai e kishte konsultuar këtë veprim me Presidentin e kompanisë, i cili e kishte urdhëruar atë që të mos vazhdojë më tej me këtë sjellje. Gjithsesi, gjykata deklaroi korporatën penalisht përgjegjëse për këtë akt. Gjykata e Apelit vëren, se: “Për arsye të qarta praktike, zhvillimi i marrëdhënies të punës nuk kërkon udhëzime të veçanta nga bordi ose presidenti për çdo veprim të korporatës; mjafton fakti që lloji i sjelljes (lidhja e kontratave, drejtimi i kamionit) është i autorizuar ... Principal-i (korporata) është përgjegjës për veprimet e kryera për llogari të saj nga një agjent i saj të cilat janë transaksione të rastësishme ose të zakonshme për të cilat agjenti ka qenë i autorizuar për t’i kryer. Dhe ky është rasti, edhe pse është vërtetuar fakti se ky akt ishte ndaluar nga principal-i (eprori) ndaluar . ...Pavarësisht udhëzimeve [të individit në fjalë] mbetet  përgjegjësia e një niveli të lartë  nga ana e drejtuesve lobimi për parandalimin e këtyre veprave , keq-realizimi i të cilave bënë që korporata të jetë përgjegjëse edhe nëse punonjësi i kishte tejkaluar udhëzimet e saj.”

Megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull nga zbatimi i kësaj doktrinë, debati mes studiuesve dhe aplikuesve të së drejtës në lidhje me përgjegjësinë penale të korporatave mbetet gjithmonë i hapur. Disa argumentojnë se nevojitet një përmirësim, një riformim i teorisë me prejardhje civiliste - respodeat superior- në lidhje me përgjegjësinë penale, duke e ngushtuar rrethin e subjekteve për të cilët mban përgjegjësi penale korporata në rastin e kryerjes së veprave penale të rënda. Në sistemin amerikan modelet organizative dhe kontrollit (compliance programs) shërbejnë për të ulur dënimin monetar deri në 95 % , ndryshe nga sisteme të tjera juridike ku këto modele kanë si efekt përjashtimin e përgjegjësinë penale të korporatës në rast se janë adaptuar në mënyrë efektive siç është rasti i Italisë. Nuk mjafton vetëm parashikimi dhe hartimi i këtyre metodave efektive organizative dhe kontrolluese por është e rëndësishme edhe implementimi i tyre, i cili mund të realizohet nëpërmjet mekanizmave të ndryshme monitoruese, kontrolluese, testeve etj. Kriteret e udhëzimeve organizative përfshijnë parime të gjera të cilat, të marra së bashku, e përshkruajnë korporatën si një model i “good citizenship”.[32] Pavarësisht parashikimit të kritereve që duhet të përmbajnë compliance programs siç mund të jetë komunikimi efektiv, marrja e masave të arsyeshme për të arritur përshtatshmërinë, ky manual nuk parashikon detaje të sakta në lidhje me zbatimin e tyre. Kjo qasje u përzgjodh qëllimisht në mënyrë që të inkurajojë fleksibilitet dhe pavarësinë nga organizatat në hartimin e programeve që janë më të  përshtatshme për rrethanat e veçanta të tyre. SHBA-ja ka miratuar sistemin më modern të sanksioneve për të luftuar krimin e korporatave. Parimet e Dënimit të SHBA-së posedojnë një strukturë komplekse që përfaqëson konvergjencën e dy tendencave moderne: të rritjes eksponenciale të krimeve të korporatave dhe rafinimi i mekanizmave të dënimeve.[33] Kjo reflekton një filozofi të re në kontrollin e krimi korporatave, thelbi i të cilit është gjetur në një pajtueshmërisë dhe etikës program efektiv.

 

Përgjegjësia penale e personave juridikë në Mbretërinë e Bashkuar 

(një vlerësim i përgjithshëm)

 

Në Britaninë e Madhe përgjegjësia penale e personave juridikë afirmohet për herë të parë në vitin 1842, me vendimin The Queen Vs Birmingham & Gloucester Railway Company, i cili dënonte një shoqëri hekurudhore, pasi nuk kishte zbatuar urdhrin e dhënë gjykatës për të hequr një urë e cila përbënte rrezik për shoqërinë.[34] Mbretëria e Bashkuar, që në vitin 1940 e ka trajtuar përgjegjësinë penale të korporatës në bazë të doktrinës së identifikimit.[35] Kjo doktrinë e ka origjinën e saj në një çështje civile, Lennard's Carrying Co Ltd v Asiatic Petroleum Co Ltd, [36] ku Viscount Haldene theksoi, se: “Korporata është një abstraksion….. … mendja dhe vullneti  i të cilës shprehet nëpërmjet personit  … i cili është në vërtetë … uni dhe qendra e personalitetit juridik”. Fillimisht përgjegjësia penale e korporatave aplikohej në rastin e veprave penale me  rrezikshmëri të ulët (regulatory offences) në çështjet tregtare dhe të industrisë, ku korporata kishte përgjegjësi penale direkte (strict liability) për çdo vepër penale të realizuar nga punonjësit e saj në kuadër të zhvillimit të marrëdhënies së punës. Ishte çështja Tesco Supermarkets Ltd v Nattrass (1971), e cila afirmoi në mënyrë definitive parimin sipas të cilit një korporatë është penalisht përgjegjëse vetëm në rastin e realizimit të veprave penale nga personat që e drejtojnë, përfaqësojnë apo e administrojnë atë. Ky stare decisis përfaqëson një ndryshim rrënjësor të praktikës të deri-atëhershme të gjykatave angleze, duke e shkëputur kështu disiplinimin e përgjegjësisë penale nga doktrina e përgjegjësisë direkte në atë të identifikimit. Pavarësisht rëndësisë që përcjell ky vendim, ka pasur kritika të shumta në lidhje më përgjegjësinë penale të korporatave për ato akte të paligjshme që kryheshin nga personat jo apikal. Kështu në çështjen Meridian Global Funds Management Asia Ltd v Security Commission,[37] u afirmua parimi se korporata mund të ketë përgjegjësi penale edhe për veprimet e kryera nga subjekte të ndryshëm nga ato që përfaqësojnë “directing mind and ëill of the corporation”. Pra, për aq kohë sa këto persona kanë vepruar në bazë të udhëzimeve dhe kompetencave të dhëna nga një administrator (managing director), veprimet e tij të kryera në kuadrin e këtij funksioni dhe përgjegjësie konsiderohen si veprime që kryhen nga vetë korporata. Edhe pse doktrina e identifikimit mbetet guri i themelit i përgjegjësisë penale të korporatës në  Britaninë e Madhe, Corporate Manslaughter and Corporate Homicide Act 2007[38] i miratuar kohët e fundit parashikon një formë të përgjegjësisë organizative në  lidhje me veprën penale të vrasjes.

 

Konkluzione

 

Një nga çështjet më të diskutuara në epokën post –Enron mbetet sigurisht qeverisja e mirë e korporatave. Qeverisja e mirë e korporatave konsiston në respektimin e normave ligjore dhe rregullave shoqërore nga ana e korporatës gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre tregtar. Siç edhe është trajtuar gjerësisht gjatë zhvillimit të këtij punimi, një nga debatet më të rëndësishme  bashkëkohore në fushën e qeverisjes së korporatave mbetet respektimi i të drejtave të njeriut nga ana e këtyre të fundit. Procesi i globalizimit ka ndikuar në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis korporatave shumë-kombëshe, duke krijuar kështu kushte më të favorshme për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Decentralizimi i aktivitetit tregtar, struktura komplekse dhe mënyra e organizimit të korporatave janë gjithashtu faktorë influencues në sjelljet ilegale të tyre. Për këtë arsye, sisteme juridike të ndryshme kanë adaptuar mekanizma të veçantë  për mbrojtjen e këtyre të drejtave themelore nga ana e korporatave, duke njohur dhe inkorporuar në legjislacionet e tyre të brendshme përgjegjësinë penale të korporatave,  argument ky i cili përbën edhe fokusin e këtij punimi. Pranimi i përgjegjësisë penale të korporatave sjell bashkimin e dy fushave të së drejtës ,tradicionalisht autonome, siç është e drejta penale dhe e drejta e shoqërive tregtare,  pohimi i të cilës ka ndjekur një shteg të gjatë zhvillimesh dhe polemikash. Një nga pyetjet më problematike konceptuale që shtrohen ka të bëjnë me vërtetimin e elementit të fajësisë te korporata, e cila është një artificë juridike. Duhet pranuar se koncepti psikologjik i fajësisë i ka lënë vendin konceptimit normativ të fajësisë, sipas të cilit fajësia e korporatës është një qortim që i bëhet mënyrës së organizmit dhe menaxhimit të korporatës, duke zgjidhur kështu përfundimisht objeksionin mbi pamundësinë e vërtetimit të fajësisë te korporata. Ky problem konceptual kryesor po forcon një lidhje koherente midis corpusit të së drejtës penale - zhvilluar duke patur si referencë personat fizikë dhe pasqyron qëndrim psikik të qenieve njerëzore - dhe formës së organizimit të korporatës, e cila është nga njëra anë një bashkim kompleks personash fizikë, dhe  nga ana tjetër një organizëm që funksionon në bazë të hierarkisë, strukturave, politikave dhe sjelljeve të korporatave. Sisteme të ndryshme juridike kanë adaptuar modele të ndryshme të përgjegjësisë penale ku mbizotërojnë përgjegjësia në kaskadë, ose siç njihet ndryshe përgjegjësi direkte, dhe përgjegjësia sipas teorisë së identifikimit.

Pavarësisht këtyre modeleve mbizotëruese, sot po zhvillohet një trend i ri i përgjegjësisë penale, e cila njihet si përgjegjësia organizative. Sipas kësaj teorie korporata mban përgjegjësi penale vetëm në rastet kur provohet se ajo ka dështuar në mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të korporatës për shkak të metodave organizative dhe kontrolluese inadekuate, mungesa e të cilave ka bërë të mundur realizimin e veprës penale. Shqipëria , si një vend kandidat për integrimin në Bashkimin Evropian, gjithashtu ka adaptuar një sistem të vetin për përgjegjësimin penal të personave juridike, i cili është trajtuar në mënyrë më eksplicite në Ligjin nr.9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridike”. Ky ligj, ndonëse parimisht në rregull, është shumë kontradiktor, i paqartë dhe konfuz për sa i përket mënyrës së zbatimit të tij. Ndaj mendojmë se është e nevojshme një ndërhyrje e ligjvënsit për të disiplinuar në mënyrë më korrekte këto pika problematike, siç janë përcaktimi i kritereve të saktë për caktimin e fajësisë të korporatës si person juridik, parashikimi i masave që duhen marrë nga korporata me qëllim evitimin e përgjegjësisë penale dhe një sistem të qartë gjobash. Është detyrë e çdo shteti që të parashikojë instrumentat ligjore dhe institucionale të cilët garantojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përgjegjësimi penal i korporatave ka nxitur menaxherët dhe drejtuesit e tyre që të hartojnë modele organizative dhe kontrolluese (compliance programs), me qëllim kultivimin e një kulturë korperative që në gjenezë e cila synon reduktimin dhe shmangien e veprimeve të paligjshme të cilët dëmtojnë individë të veçantë dhe kanë një impakt negativ për të gjithë shoqërinë në tërësi. Në përfundim të këtij punimi modest dhe joshterues në lidhje me një nga tematikat më të debatueshme në fushën e së drejtës siç është ajo e përgjegjësisë penale të korporatave, duhet pranuar se ndonëse ky evolucion i shoqërisë së sotme ka shtruar pyetje të shumta, të cilave edhe pse nuk arrijmë t’i japim përgjigje, duhet të përpiqemi t’i japim një drejtim, nëpërmjet të cilit synohet të ofrohen zgjidhje alternative në parandalimin e fenomeneve negative.

---------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

- Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.7895, datë 27.1.1995

- Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995

- Ligji nr. 9901 datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, i ndryshuar

- Ligji nr. 9754 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”

 

Doktrinë

- Argita Malltezi, E drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Media print’,Tiranë 2011

- Eriselda Balla, Dënimi penal i Personit Juridik, ‘Jeta Juridike’, Nr.4, 2008

- Ersi N.Bozheku, Ismet Elezi, Përgjegjësia penale e personave juridikë, ‘Toena’, Tiranë 2012

- Corporate accountability for Human rights abuses A Guide for Victims and NGOs on Recourse

Mechanisms, botim i ‘International Federation for Human Rights’ (FIDH), Mars 2012

- Human Development Report 2000, publikuar për ‘United Nations Development Programme’

(UNDP), Oxford University Press 2000

- Surya Deva, Human Rights Violations By Multinational Corporations and International Law:

Where from Here? ’Connecticut Journal of International Law’, Vol. 19, 2003

- Start your own bussines, Entrepreneur by the Staff of Entrepreneur Media Inc., Botimi nr.5, 2010

- Guiding Principles on Business  and Human Rights, përgatitur nga Komisionieri i Lartë për të

Drejtat e Njeriut i OKB-së, UN 2011

- Jennifer Zerk, Corporate liability for gross human rights abuses: Towards a fairer and more

effective system of domestic Law remedies. Një raport i përgatitur për Zyrën e Komisionerit të Lartë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, UN Maj 2013

- Cristina de Maglie, Models of Corporate Criminal Liability in Comparative Law, 4 Wash. U.

Glob. Stud. L. Rev. (2005)

- Raporti i Përfaqësuesit të UN, Allens Arthur Robinson, Corporate Culture' As A Basis For The

Criminal Liability Of Corporations, 2008

 

Jurisprudencë

- Çështja Pembina Consolidated Silver Mining Co. vs. Pennsylvania - 125 U.S. 181 (1888)

- Çështja A/S Diena and Ozoliņš vs. Latvia ,12.07.2007 Nr. i Aplikimit 16657/03

- Çështja United States vs. MacDonald & Watson Waste Oil Co., 933 F.2d 35,42 (1st Cir. 991)

- Çështja ShBA vs. Hilton Hotels Co

- Çështja Lennard’s Carrying Company vs  Asiatic Petroleum Company Lennard’s Carrying

- Çështja Nippon Steel & Sumitomo Metal Corp/Japan/South Korea

- Çështja Qosmos / International Federation for Human Rights dhe Ligue des Droits de l’Homme

- Çështja The Queen vs  Birmingham & Gloucester Railway Company

 

Të tjera

- http://www.law.cornell.edu/uscode/text/11/101

- http://www.studyfinance.com/lessons/busorg/

- http://www.oxforddictionaries.com/definition/american_english/corporation

- http://www.sba.gov/content/corporation the U.S

- http://www.npr.org/templates/story/story.php?storyId=112711410

- http://business-humanrights.org/en/transnational-corporate-human-rights-abuses-delivering-açess-to-justice-0

- http://en.wikipedia.org/wiki/Extraordinary_rendition

 

 

 

 

 



[1] Kështu, të gjithë individët e dinë që respektimi i së drejtës së njeriut është një parim themelor, por nëse nuk do të kishte një sistem ligjor që do ta ndalonte këtë vepër dhe ta ndëshkonte personin përgjegjës, atëherë edhe ai parim nuk do të ishte më ai përkatësi. Për këtë arsye është parashikuar përgjegjësia penale e individëve, me qëllim që individët të rriten me frymën e respektimit të ligjit, pasi në të kundërt ndaj tyre do të merren masa ndëshkuese. I njëjti arsyetim vlen edhe për korporatat.

[2] Corporate accountability for Human rights abuses A Guide for Victims and NGOs on Recourse Mechanisms,botim i ‘International Federation for Human Rights’ (FIDH), Mars 2012

[3] Human Development Report 2000, publikuar për ‘United Nations Development Programme’ (UNDP), Oxford University Press 2000, fq. 57

[4] Surya Deva, Human Rights Violations By Multinational Corporations and International Law: Where from Here? ’Connecticut Journal of International Law’, Vol. 19, 2003, fq. 1 - 57

[5] Neni 1 I Ligjit nr 9901 datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”

[6] Pika 9 B http://www.law.cornell.edu/uscode/text/11/101

[7] Neni 105 pika 1 e ligjit “ Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”

[8] Start your own bussines, Entrepreneur by the Staff of Entrepreneur Media Inc., Botimi nr.5, 2010

[9]  http://www.studyfinance.com/lessons/busorg/

[10] Ky është kuptimi i “korporatës “ sipas Oxford English Dictionary http://www.oxforddictionaries.com/definition/american_english/corporation

[11] http://www.sba.gov/content/corporation the U.S Small business administration , An Official Website of the United States Government

[12] Shih më sipër

[13] Smith, Bradley. Corporations Are People, Too, http://www.npr.org/templates/story/story.php?storyId=112711410

[14] Çështja Pembina Consolidated Silver Mining Co. vs. Pennsylvania - 125 U.S. 181 (1888)  http://supreme.justia.com/cases/federal/us/125/181/case.html

[15] Çështja A/S Diena and Ozoliņš vs. Latvia ,12.07.2007 Nr. i Aplikimit 16657/03

[16] Guiding Principles on Business  and Human Rights, përgatitur nga Komisionieri i Lartë për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, UN 2011

[17] Jennifer Zerk, Corporate liability for gross human rights abuses: Towards a fairer and more effective system of domestic Law remedies. Një raport i përgatitur për Zyrën e Komisionerit të Lartë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, UN Maj 2013, fq. 13

[18] Ibidem

[19] Shembujt janë marrë nga një raport i realizuar prej Business & Human Rights Resource Centre & CORE Koalicion, në bashkëpunim me British Institute of International and Comparative Law:Transnational corporate human Rights abuses: Delivering açess to justice, korrik  2014, http://business-humanrights.org/en/transnational-corporate-human-rights-abuses-delivering-açess-to-justice-0

[20] Japan Steel and Iron, më vonë  u bë Nippon Steel, e cila u bashkua me një kompani tjetër për të formuar të paditurin.

[21] Është një praktikë e ndjekur nga qeveria amerikane, e cila konsiston në dërgimin në mënyrë të fshehtë të një krimineli të huaj të dyshuar  si terrorist, për t'u marrë në pyetje në një vend me rregulla më pak rigoroze përsa i përket trajtimit të të burgosurve. http://en.wikipedia.org/wiki/Extraordinary_rendition

[22] Argita Malltezi, E drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Media print’,Tiranë 2011, fq. 317

[23] Eriselda Balla, Dënimi penal i Personit Juridik, ‘Jeta Juridike’, Shkolla e Magjistraturës, Nr.4, 2008, fq. 149

[24] Argita Malltezi, E drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Media print’,Tiranë 2011, fq. 327

[25] Ersi N.Bozheku, Ismet Elezi, Përgjegjësia penale e personave juridikë, Botimet ‘Toena’, Tiranë 2012, fq. 45

[26] Argita Malltezi, E drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Media print’,Tiranë 2011, fq. 321

[27] Ibidem, fq. 93

[28] Kodi i Procedurës Penale i Republikës Së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995

[29] Çështja United States vs. MacDonald & Watson Waste Oil Co., 933 F.2d 35,42 (1st Cir. 991)

[30] C Cit, Ersi N.Bozheku, Ismet Elezi, Përgjegjësia penale e personave juridikë, Tiranë 2012, fq. 264. Çështja ShBA vs. Hilton Hotels Co

[31] 463 F 3d 9 (1 circuit, 2006)

[32] Ib.

[33] Cristina de Maglie, Models of Corporate Criminal Liability in Comparative Law, 4 Wash. U. Glob. Stud. L. Rev. (2005), fq. 566

[34] Cit, Ersi N.Bozheku, Ismet Elezi, Përgjegjësia penale e personave juridikë, Tiranë 2012, fq. 267

[35] Raporti i Përfaqësuesit të UN, Allens Arthur Robinson, Corporate Culture' As A Basis For The Criminal Liability Of Corporations, 2008, fq. 18

[36] Çështja Lennard’s Carrying Company vs  Asiatic Petroleum Company, [1915] A.C. 705, që mund të gjendet në http://www.uniset.ca/other/cs2/1915AC705.html

[37]500 2 A.C. [1995] 

[38] Ky akt që hyri në fuqi më 6 prill 2008 parashikon kriteret, kushtet për përgjegjësimin penal të korporatave, ku si rezultat i zhvillimit të aktiviteti tregtar të saj humbin jetën njerëz