H O R I Z O N T E

 

Av. Rezarta ABDIU

Drejtore e Trajnimit Vazhdues të Avokatëve

pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë,

Tiranë

 

Hyrje

 

Ende nuk dimë që të ekzistojë ndonjë fushë ku kërkesa për drejtësi të jetë më e fuqishme se sa ajo në sistemin e drejtësisë për të mitur. Dënimet e papërshtashme për fëmijët në konflikt me ligjin apo në kontakt me sistemin e drejtësisë, sigurisht që dëmtojnë rëndë (ndonjë herë përgjithmonë). Në këto situata, shqetësimi për shkeljen e të drejtave të fëmijëve (të dyshuar apo akuzuar për kryerjen e një vepre penale) po rritet ndjeshëm në të gjithë botën. Politikat dhe praktikat e ndjekura për të miturit në këtë fushë janë ndër çështjet më të kritikuara nga Komiteti i Të Drejtave të Fëmijës, organi përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për të Drejtat e Fëmijës”. Pavarësisht rëndësisë dhe përgjegjësisë së madhe të atyre që duhet të marrin vendime dhe hartojnë politika, drejtësia për të mitur në përgjithësi neglizhohet, për të mos thënë që harrohet. Ky shqetësim është identifikuar në vazhdimësi në raportet periodike të këtij Komiteti, dhe në shumicën e Shteteve, (përfshirë edhe Shtetin Shqiptar) që e kanë ratifikuar këtë Konvente, drejtësia për të miturit nuk bën pjesë në listën e prioriteteve të mëdha shtetërore.[1]

Ndërkohë që e nevojshme është të shihet përtej të drejtave, që janë domosdoshmëri, por që përsëri mbeten një kusht i pamjaftueshëm për ngritjen e një sistemi të drejtësisë miqësore për të miturit në konflikt me ligjin. Në Shqipëri numri i tyre ka ardhur duke u shtuar dhe akoma më shqetësues është fakti se kurba e përsëritësve nga rradhët e tyre mbetet në ngjitje, çka tregon se në vend të arsyetimit ndëshkues dhe dënimit me burgim për personat e kësaj kategorie mjaft vulnerabël, fare mirë mund të përdoren alternativa të tjera në zgjidhjen e konflikteve, me qëllim parandalimin e hyrjes së tyre në spiralen vicioze të procedimeve penale. Prandaj është e rëndësishme që të parët në mbrojtjen e tyre të jenë avokatët, të cilët mund dhe duhet të refuzojnë izolimin dhe burgimin e të miturve, si edhe të përdorin masa të tjera që ekzistojnë, duke u fokusuar në ri-integrimin e të miturve, për t’i përfshirë këta aktivisht në jetën e një shoqërie të shëndoshë, për përfitimin nga familjet e tyre të disa masave social-ekonomike dhe për favorizimin e arsimimit dhe trajnimit profesional për të gjithë bijtë e këtyre familjeve.

Në këto kushte, Komisioni i Posaçëm “Mbi reformën në sistemin e drejtësisë”[2]dokumentin strategjik për objektivat e kësaj reforme[3] ka parashikuar në objektivin VIII reformimin e sistemit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin, duke venë theksin në forcimin e sistemit të drejtësisë restauruese dhe mbrojtjen efektive të të drejtave procedurale të fëmijëve. [4] Pavarësisht problematikave të mëdha që kanë ekzistuar (me gjasa do të ekzistojnë edhe më tej), për t’u vlerësuar janë hapat pozitive në përqasjen e legjislacionit tonë me standardet ndërkombëtarë të garantuara nga aktet ndërkombëtare, si për shembull, miratimi i Ligjit “Për të Drejtat dhe Mbrotjen e Fëmijës” dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur (më poshtë: KDPM), si edhe i një sërë aktesh nënligjore, zbatimi i të cilave do të bëjë të mundur që këto të drejta të jenë “praktike dhe efektive” dhe jo thjesht “teorike dhe iluzive” siç thekson në vazhdimësi jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Për sa më sipër, në këtë punim do të trajtohen: i) parimet dhe elementet kryesore të drejtësisë miqësore për të miturit sipas standardeve ndërkombëtare; ii) risitë që sjell KDPM; iii) rolin e avokatit mbrojtës të të miturit në Shqipëri për garantimin efektiv të parimeve dhe të të drejtave të përcaktuara në Kod.

 

Drejtësia miqësore për të miturit sipas standardeve ndërkombëtare

 

Termi Drejtësi miqësore për të miturit i referohet sistemeve të drejtësisë, që garantojnë respektimin dhe implementimin efektiv të të drejtave të fëmijëve bazuar në disa parime dhe standarde të përcaktuara fillimisht në Konventën e OKB “Për të Drejtat e Fëmijës(më poshtë: KDF), të zhvilluara më tej nga Këshilli i Evropës në Udhëzuesin “Për Drejtësinë Miqësore për të Miturit dhe me pas të inkorporuara në të drejtën e Bashkimit Europian. Pavarësisht mundësisë së aplikimit të llojeve të ndryshme të procedurave, të cilat varen nga objektivi që ndjekin (për shembull, penal, restaurues, edukativ, i mirërritjes, etj.), çdo shtet është i detyruar të ndërtojë një sistem të drejtësisë miqësore për të miturit, bazuar në obligimet e përcaktuara në nenin 40 (3) të KDF: ”Shtetet Palë duhet të përpiqen që të nxisin krijimin e ligjeve, procedurave, organeve dhe institucioneve të posaçme për fëmijët që dyshohen, akuzohen, ose që vlerësohen se kanë kryer shkelje të ligjit penal”.

E ndarë në komponente, kjo nënkupton drejtësi të aksesueshme, të përshtatshme me moshën, të shpejtë, efektive, të përshtatur dhe të fokusuar në nevojat dhe të drejtat e fëmijëve, ku përfshihet e drejta për proces të rregullt, e drejta për të marrë pjesë në gjykim dhe për të kuptuar procedurat etj.[5] Vetë përdorimi i togfjalëshit Drejtësia miqësore për të miturit synon që të kuptohet dhe të arrihet që të ndihmohen fëmijët në ushtrimin e të drejtave të tyre edhe për të pasur akses te drejtësia. Theksohet që kjo drejtësi të jetë miqësore, sepse fëmijët kanë nevojë që të jenë në gjendje të shkëmbejnë dhe të punojnë së bashku me profesionistët në  mënyrën më të përshtatshme me kapacitetet e tyre të të nxënit dhe të përfshirjes aktive. Pra, të gjithë profesionistët që punojnë në sistemin e mbrojtjes së femijëve, specifikisht ata të përfshirë në drejtësinë për të miturit duhet ta vendosin veten në vend të fëmijës dhe të zbatojnë protokollet, metodat e punës që i mundësojnë fëmijës të shprehë veten në kushtet e moshës e tij/saj. Atëhere, çfarë kihet parasysh me standardet ndërkombëtare në këtë fushë?

Parimet e Përgjithshme të KDF dhe Kriteret Bazë të Drejtësisë për të Miturit. KDF është traktati ndërkombëtar me i zbatueshmi ligjërisht në botë, me 196 ratifikime; ai përfshin një sërë instrumentesh ndërkombëtare të të drejtave të njeriut: të drejtat civile, kulturore, ekonomike, politike, sociale, si edhe aspekte te se drejtes humanitare. Një pjesë e rëndësishme e garancive të KDF kanë të bëjnë me pozicionin e fëmijës brenda sistemit të drejtësisë. Ato parashikojnë krijimin e sistemit gjyqësor kombëtar, i cili i përgjigjet nevojave të veçanta të fëmijëve nga aspekti i sigurimit të qasjes efikase dhe të duhur të të miturve dhe trajtimit të tyre në çdo sferë të drejtësisë: civile, administrative dhe penale. Gjithashtu, Këshilli i Evropës ka krijuar standarde në këtë sferë specifike, paketa më gjithëpërfshirëse e të cilave është pjesë e Udhëzimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për drejtësinë miqësore ndaj fëmijëve. Këto standarde janë hartuar për të trajtuar hapësirat mes paketës në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimit të tyre, në ligj dhe në praktikë, si edhe për të trajtuar kërkesat për udhëzime të qeverive dhe profesionistëve, të cilët punojnë me fëmijët për të siguruar zbatimin efikas të të drejtave të tyre. Udhëzimet hartohen duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, evropiane dhe ato të vendit përkatës. Linja orientuese e tyre fokusohet te Interesat më të larta të fëmijës, për të cilin merren parasysh parimet themelore të përcaktuara në KDF dhe KEDNj, si edhe praktikat gjyqësore të GJEDNj.

Sipas Komitetit të KDF: “Në administrimin e drejtësisë për të mitur, Shtetet Anëtare duhet të aplikojnë në mënyrë sistematike parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenet 2, 3, 6 dhe 12 të KDF, si edhe parimet themelore në nenet 37 dhe 40”.[6] Nenet e mësipërme shërbejnë si kërkesa të përgjithshme për të gjitha të drejtat e fëmijëve, përfshirë dhe ato që kanë lidhje me drejtësinë për të mitur:

1.      Parimi i barazisë dhe mos diskrimiminimit (neni 2 i KDF).

2.      Parimi i interesit më të lartë të fëmijës (neni 3 i KDF).

3.      E drejta e jetës dhe e mbijetesës (neni 6 i KDF).

4.      E drejta e fëmijës per t’u degjuar (neni 12 i KDF)

Parimi i interesave më të larta të fëmijës (neni 3 i KDF)[7] garantohet në nenin 3 të Konventës së OKB “Për të Drejtat e Fëmijës”. Ky është një nga parimet bazë mbi të cilat mbështetet vendimmarrja dhe ushtrimi i veprimtarisë së të rriturve, të cilët me ligj kanë përgjegjësinë për t’u kujdesur për të miturit dhe për të ushtruar të drejta në emër të tyre dhe në lidhje me ‘ta. Është pikërisht ky parim që aplikohet në mënyrë unike vetëm për fëmijët, pra, që nuk ka një të tillë të ngjashëm për të rriturit, siç ndodh në rastin e të drejtave të tjera që garantohen si për subjektin fëmijë, ashtu edhe për atë të rritur.

Komiteti i KDF thekson se, Interesat më të larta të fëmijës kanë një koncept të trefishtë:[8] (a) Një e drejtë themelore: e drejta e fëmijës për të pasur interesin e tij/saj të vlerësuar, dhe në qendër të vëmendjes kur interesa të ndryshme mbahen në konsideratë, në mënyrë që të merret një vendim për çështjen në fjalë, si edhe garancia që kjo e drejtë do të zbatohet sa herë merret një vendim që ka të bëjë me fëmijën, me një grup të identifikuar fëmijësh apo me fëmijët në përgjithësi. Neni 3, paragrafi 1, i Konventës krijon një detyrim të brendshëm për Shtetet, detyrim drejtëpërsëdrejti të zbatueshem dhe që mund të kërkohet në gjykatë. (b) Një parim ligjor themelor interpretues: nëse një dispozitë ligjore është e hapur për një apo më shumë interpretime, atëherë duhet zgjedhur interpretimi që u shërben më mirë interesave më të larta të fëmijës. Të drejtat e përcaktuara në Konventë dhe Protokollet e saj Opsionale përcaktojnë kuadrin për interpretim; (c) Një rregull procedural: Sa herë që merret një vendim, i cili ndikon te një fëmijë i caktuar, te një grup fëmijësh apo te fëmijët në përgjithësi, procesi i vendimmarrjes duhet të përfshijë një vlerësim të ndikimit të mundshëm (pozitiv apo negativ), që mund të ketë vendimi në fjalë. Vlerësimi dhe përcaktimi i interesave më të larta të fëmijës ka nevojë për garanci procedurale, për më tepër, arsyetimi i një vendimi duhet të tregojë se e drejta është marrë parasysh në mënyrë të veçantë. Në lidhje me këtë, Shtetet Palë duhet të shpjegojnë se si është respektuar kjo e drejtë në vendim, që do të thotë se çfarë është marrë parasysh në Interesat më të larta të fëmijës; te cilat kritere janë bazuar dhe çfarë peshe i është dhënë këtij Interesi në krahasim me çështjet e tjera, qofshin ato çështje të përgjithshme, të rasteve të politikbërjes, ose të rasteve individuale.

Komiteti për të Drejtat e Fëmijës ka theksuar se, ky parim duhet të konsiderohet në tërësinë e tij, më konkretisht në garantimin e bashkërenduar të disa prej parimeve të tjera të shprehura në KDF, në mënyrë që procesi vendimmarrës të jetë  në përputhje me Interesin më të lartë të fëmijës. Kështu pra, vleresimi dhe përcaktimi i interesave më të larta të fëmijës nënkupton respektimin e garancive dhe sigurive si për shembull: i) e drejta e fëmijës për të shprehur pikëpamjet e tij saj; ii) vërtetimi i fakteve; iii) perceptimi i kohës; iv) profesionistët e kualifikuar; v) përfaqësimi Ligjor; vi) arsyetimi ligjor; vii) mekanizmat e shqyrtimit apo rishikimit të vendimeve

Në jurisprudencën e Strasburgut[9] është përcaktuar vendosmërisht parimi i dhënies së përparësisë pikërisht ruajtjes së Interesave më të larta të fëmijës. GJEDNJ i është referuar asaj në kontekste të ndryshme gjatë viteve, duke filluar me ribashkimin e fëmijëve në kujdesin social me prindërit e tyre.[10] Gjykata ndonjëherë është kritikuar për mos përkufizim të qartë të kritereve që duhen marrë parasysh kur vlerësohen interesat më të larta të fëmijës. Komenti i Përgjithshëm nr.10 i Komitetit të të Drejtave të Fëmijës përbën një udhëzues autorizues mbi zbatimin e Nenit 3 të KDF mbi administrimin e drejtësisë për të miturit.[11]

E drejta e fëmijës për t’u dëgjuar (neni 12 i KDF)[12] dhe respektuar në të gjitha çështjet që kanë lidhje me të drejtat e tij/saj është një nga parimet kryesore të KDF dhe të drejtësisë miqësore me fëmijët. Çështja është trajtuar gjatë viteve të fundit nga një praktikë e dendur, e cila është konceptuar gjerësisht si pjesëmarrje e fëmijës. Megjithëse nuk paraqitet në tekstin e KDF, ky term ka evoluar dhe tashmë përdoret gjerësisht për të përshkruar proceset në vazhdim, ku përfshihen fëmijët dhe të rriturit, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe ku fëmijët mund të mësojnë se si merren parasysh pikëpamjet e tyre dhe të të rriturve, si edhe se si ato i japin formë produkteve të proceseve të tilla. Shprehja e pikëpamjes është një zgjedhje e fëmijës, jo një detyrim. Shtetet palë duhet të garantojnë që fëmijës i ofrohet gjithë informacioni dhe këshillat e nevojshme, për të marrë një vendim në të mirë të Interesit më të lartë të tij/saj.

KDF deklaron se e drejta për t’u dëgjuar duhet t’i sigurohet çdo fëmije “që është në gjendje të ketë një pikëpamje të tij/saj”. Kjo frazë nuk duhet të konsiderohet si kufizuese, por si një detyrim për autoritetet përkatëse që ata të vlerësojnë kapacitetin e fëmijës për të pasur një mendim të pavarur në shkallën më të lartë të mundshme. Kjo do të thotë që ata nuk mund të nisen me hamendësimin se një fëmijë nuk është në gjendje të shprehë pikëpamjet e tij/saj. Përkundrazi, duhet të supozohet se një fëmijë ka kapacitetin për të krijuar pikëpamjet e tij/saj dhe të pranojmë se ai/ajo ka të drejtë t’i shprehë ato. KDF parashikon që një fëmije duhet t’i jepet konsiderata e duhur në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tij/saj. Kjo do të thotë se vetëm mosha nuk mund të përcaktojë rëndësinë e pikëpamjeve të një fëmije. Nivelet e të kuptuarit te një fëmijë nuk janë të lidhura në mënyrë uniforme me moshën biologjike. Kërkimet kanë treguar se informacioni, përvoja, mjedisi, pritshmëritë shoqërore dhe kulturore, si edhe nivelet e mbështetjes që merr fëmija, të gjitha këto kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve të tij/saj për të krijuar një pikëpamje. Për këtë arsye, pikëpamjet e fëmijës duhet të vlerësohen në bazë të ekzaminimit sipas rasteve. Profesionistët që janë në kontakt me fëmijët duhet të pajisen në mënyrë adekuate për t’i dëgjuar ata (këtu përfshihet edhe trajnimi përkatës), duke u mundësuar atyre që të shprehin lirshëm mendimet e tyre dhe të bëjnë deklarata.

Neni 12, paragrafi 2, parashikon se mundësitë për t'u dëgjuar duhet të jenë të parashikuara në mënyrë të veçantë "në çdo procedurë gjyqësore dhe administrative që ndikon te fëmija". Gjithashtu, kjo dispozitë parashikon specifikisht për fëmijët në konflikt me ligjin të drejtën për ndihmë ligjore në përgatitjen dhe përfaqësimin e mbrojtjes së tyre. Komiteti i të Drejtave të Fëmijës me Komentin e Përgjithshëm të KDF nr. 12[13] thekson që kjo dispozitë zbatohet te të gjitha procedurat gjyqësore përkatëse që prekin fëmijën, pa kufizime, duke përfshirë, për shembull, ndarjen e prindërve, kujdestarinë, kujdesin dhe birësimin, fëmijët në konflikt me ligjin, fëmijët viktima të dhunës fizike apo psikologjike, abuzimin seksual ose atë të krimeve të tjera, kujdesin shëndetësor, sigurinë sociale, fëmijët e pashoqëruar, azilkërkuesit dhe fëmijët e refugjatëve, si edhe viktimat e konflikteve të armatosura dhe emergjencat e tjera. Procedurat tipike administrative përfshijnë, për shembull, vendime për edukimin e fëmijëve, shëndetin, mjedisin, kushtet e jetesës, ose mbrojtjen e tyre. Të dyja llojet e procedurave mund te përfshijnë mekanizma alternative të mosmarreveshjeve, si: ndërmjetësimi dhe arbitrazhi. Njëkohësisht, po aq e rëndësishme për shprehjen e pikpamjeve të fëmijës është edhe e drejta e tij për të mos folur dhe shprehur mendimet e tij, nëse ai/ajo është i/e përfshirë në procedurat e drejtësisë për të mitur. Megjiithatë, për të realizuar këtë gjë, roli i avokatëve është thelbësor, ata bëjnë këshillimin dhe udhëheqjen e fëmijës se kur e drejta për të mos folur mund të jetë në Interesin e tij më të lartë të tij.

Parimi i barazisë dhe mos diskrimiminimit të fëmijëve (neni 2 i KDF) bazohet në të njëjtat parime, si ai i ndalimit të përgjithshëm të diskriminimit, qoftë për arsye moshe, race, feje, ose faktorësh të tjerë të ndaluar. Në këtë drejtim, fëmijët janë një kategori që mund të vuajnë diskriminim nisur nga ato baza të ndaluara si çdo grup tjetër. Mbrojtja që nevojitet nuk është shumë ndryshe nga mbrojtja që sigurohet në rastet e diskriminimit në përgjithësi. Ajo ngre çështje për përcaktimin e grupeve që janë krahasuar dhe bazuar në standardet e zhvilluara nga e drejta ndërkombëtare, vlerësohet nëse ka diskriminim të drejtpërdrejtë ose diskriminim të tërthortë, ose nëse është vërtetuar dallimi në trajtim dhe, më pas, nëse është i përligjur apo jo. Ndalimi i diskriminimit nuk do të thotë që fëmijët viktima apo dëshmitarë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me të rriturit, pavarësisht situatave dhe nevojave të tyre të veçanta. Përkundrazi, ligji ndërkombëtar shpesh thekson nevojën e dallimit të fëmijëve nga të rriturit dhe garantimin e një mbrojtjeje më të mirë për ata fëmijë që janë më të cenueshëm. Në këtë kategori përfshihen fëmijët e rrugës, fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët që vijnë nga komunitetet indigjene, vajzat, fëmijët recidivistë që gjenden shpesh në konflikt me ligjin.[14]

E drejta e jetës dhe e mbijetesës (neni 6 i KDF) është detyrë e Shteteve të marrin masa për të siguruar rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Të gjitha format e heqjes së lirisë (përfshi ndalimin, arrestimin dhe burgimin) mund të kenë pasoja negative për zhvillimin harmonik dhe riintegrimin e tyre.[15] Për këtë qëllim heqja e lirisë duhet të përdoret vetëm si alternativa e fundit dhe për një periudhë kohe sa më të shkurtër, siç përcaktohet në nenin 37 të KDF.

Parimet themelore të OKB të lidhura specifikisht me drejtësinë për të miturit. Nenet 37 dhe 40 të KDF i janë dedikuar drejtësisë për të miturit. Këto nene përcaktojnë një numër të konsiderueshëm të të drejtave të fëmijëve në konflikt me ligjin si psh, përdorimi i heqjes së lirisë vetëm si një alternativë e fundit dhe për një kohë sa më të shkurtër; e drejta e fëmijës për t’u ndarë nga të rriturit në institucionet e paraburgimit apo vuajtjes së dënimit; e drejta për ndihmë ligjore dhe psikologjike falas dhe të gjitha të drejtat proceduriale të lidhura me procesin e drejtë ligjor i cili aplikohet njësoj si për të rriturit.

Përtej mbrojtjes që gëzojnë të rriturit, fëmijet e akuzuar apo të dënuar për shkelje të ligjit penal kanë të drejtën për t’u “trajtuar në një mënyrë që t’i zhvillohen ndjenjat e dinjitetit dhe të vlerës së personit, t’i përforcohet respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve, duke marrë parasysh moshën e fëmijës si dhe dëshirën për të ndihmuar në riintegrimin e tij në shoqëri dhe në mënyrë që ai të luajë një rol konstruktiv në gjirin e saj “ (neni  40/1 KDF).[16]

Komiteti i të Drejtave të Fëmijës ka hartuar dhe publikuar një Udhëzues të autorizuar për mënyrën e zbatimit të të drejtave të KDF në Komentin e Përgjithshëm Nr. 10[17] mbi të Drejtat e Fëmijëve në Drejtësinë për të Miturit. Sipas Komitetit të të Drejtave të Fëmijës, një sistem drejtësie për të mitur është i përshtatur me nevojat e fëmijës, i cili duhet të merret me këto elemente kyçe: i) parandalimin e kriminalietit te fëmijët; ii) ndërhyrjet pa kaluar në procedurat gjyqësore dhe ndërhyrjet në kontekstin e procedurave gjyqësore me modifikime specifike proceduriale; iii) përcaktimin e një moshe minimum për përgjegjësinë penale dhe limiteve më të larta për drejtësinë për të mitur; iv) garancitë për një proces të drejtë; v) heqja e lirisë, përfshi paraburgimin dhe burgimin, si alternativë e fundit dhe për një periudhë sa më të shkurtër të jetë e mundur.

Prej kohësh është bërë e qartë, se që drejtësia pëer fëmijët të konsiderohet me të vërtetë miqësore për ta duhet të jetë në përputhje jo vetëm me KDF, por edhe me standardet kryesore ndërkombëtare, siç janë ato që përmbajnë Rregullat Standarde Minimale të OKB për Administrimin e Drejtësisë për të Mitur (Rregullat e Pekinit), të cilat edhe pse nuk janë të detyrueshme nga ana ligjore, përfaqësojnë kushtet minimale të pranuara në nivel ndërkombëtar për trajtimin e fëmijëve në konflikt me ligjin;[18] Udhëzimet e OKB për Parandalimin e Kriminalitetit te të Miturit (Udhezimet e Riadit), që janë një qasje pro-aktive dhe praktike për të parandaluar rritjen e kriminalitetit te ata, nëpërmjet listimit të disa metodave për ta dekurajuar këtë kriminalitet (edhe këto udhëzime jane jo-detyruese);[19] Rregullat e OKB për Mbrojtjen e të Miturve që u është Hequr Liria (Rregullat e Havanës), të cilat synojnë të shërbejnë si standarde minimale për mbrojtjen e fëmijëve që iu është hequr liria në të gjitha format.

Parimet e Këshillit të Evropës: Udhëzimet mbi Drejtësinë Miqësore për Fëmijët. Një tjetër instrument kyç në fushën e drejtësisë për të mitur, që ka si objektiv rritjen e aksesit të të miturve te drejtësia dhe përmirësimin e trajtimit të tyre nga sistemi përkatës janë Udhëzimet për Drejtësinë Miqësore për Fëmijët të Këshillit të Evropës.[20] Ato promovojnë ndër të tjera parimin e interesave më të larta të të miturit, kujdesin dhe respektin, pjesëmarrjen efektive, trajtimin e barabartë dhe aplikimin e shtetit të së drejtës. Gjithashtu, këto Udhëzime inkurajojnë përdorimin e qasjeve shumëdisiplinore dhe trajnimit, duke u kërkuar Shteteve Anëtare të sigurojnë garanci përgjatë gjithë fazave të procedurave të sistemit të drejtësisë për të mitur. Udhëzimet mbi Drejtësinë Miqësore për Fëmijët të Këshillit të Evropës nuk janë formalisht detyruese, por ato janë hartuar bazuar në instrumente dhe mbi standarde ndërkombëtare, si edhe evropiane siç është KDF. Një karakteristikë e rëndësishme mbi Udhëzimet për drejtësinë miqësore për fëmijët është fakti se ato janë hartuar në fillim përmes procesit ndërqeveritar së bashku me fëmijët. Gjatë procesit të hartimit janë pyetur edhe fëmijët me mbështetjen e UNICEF dhe Rrjetit Evropian të Avokatëve të Popullit për fëmijët. Intervistat me ta kanë dhënë këshilla shumë konkrete, duke treguar rëndësinë e lejimit të fëmijëve në ushtrimin e të drejtave të tyre, konkretisht të kenë akses te drejtësia. Të rriturit ndonjëherë marrin vendime për ta, duke besuar se ato janë në Interesin më të lartë të fëmijës por për ta përcaktuar këtë Interes është shumë e rëndësishme që fëmijët të kenë mundësi të shprehen dhe të paraqesin pikëpamjet e tyre.

Parimet e Drejtësisë Miqësore për Fëmijët në të Drejtën e Bashkimit Evropian, të quajtura edhe si Direktivat e të Drejtave të Procesit të Drejtë parashikojnë garanci të gjera proceduriale për personat e dyshuar apo të akuzuar në procedurat penale që aplikohen për fëmijët dhe të rriturit. Më poshtë i rendisim ato:

1.      Direktiva 2010/64/BE e “Interpretimit dhe përkthimit” e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 20 Tetor 2010 mbi të drejtën e interpretimit dhe të përkthimit në procedimet penale;

2.      Direktiva 2012/13/BE e “Të drejtës së informimit” e Parlamentit Europian dhe e Këshillit (22 Maj 2012) mbi të drejtën e informimit në procedimet penale.

3.      Direktiva 2013/48/BE e “Aksesit për avokat” e Parlamentit Europian dhe e Këshillit (22 Tetor 2013) mbi të drejtën e aksesit te një avokat në procedimet penale, në procedimet e urdhërit evropian të arrestit, mbi të drejtën për të informuar palët e treta gjatë privimit të lirisë, si edhe për të komunikuar me palët e treta dhe me autoritetet konsullore gjatë privimit të lirisë.

4.      Direktiva 2016/343/BE e “Prezumimit të pafajësisë dhe e të drejtës për të qënë prezent në procedurat penale”.

5.      Direktiva 2016/1919/BE “Mbi ndihmën ligjore për personat e dyshuar apo akuzuar në proceset penale”. Kjo direktivë përbën instrumentin e vetëm që u drejtohet specifikisht fëmijëve në konflikt me ligjin dhe përmban elemente të drejtësisë miqësore për të miturit. Ajo është mbeshtetur mbi KDF, Parimet e Përgjithshme të Drejtësisë Miqësore për Fëmijet të Këshillit të Evropës, Konventën Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, si edhe Paktin mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Gjithashtu, kjo Direktivë duhet të lexohet së bashku me nenet 21.1 dhe 24 të Kartës mbi të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian, ku janë përfshirë edhe parimet e përgjithshme të KDF, si Interesi më i lartë i fëmijës, mos diskriminimi, pjesëmarrja aktive dhe mbrojtja e mirëqënies së tij.

 

Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit [21]

 

Në kuadër të përgatitjes në vendin tonë të një pakete ligjore të Reformës në Drejtësi, gjithashtu është hartuar dhe miratuar me ligjin nr. 37/2017 edhe “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur” (më poshtë: KDPM), i cili është një akt ligjor i veçantë për shkak të përmbajtjes së tij materiale dhe njëkohësisht procedurale, duke përfshirë të gjitha dispozitat për të miturit nga Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Ligji për të Drejtat e Fëmijës dhe Mbrojtjen e tyre, Ligjin për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve. Ligji nr. 18/2017 Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” është hartuar në përputhje të plotë me KDF, jo vetëm në kontekstin e të drejtave, por edhe të ngritjes së një sistemi mbrojtjeje për realizimin efektiv të tyre.

Parimet e përgjithshme të KDPM janë të përcaktuara përgjatë neneve 8-18 dhe përfshijnë: i) Parimin e mbrojtjes nga diskriminimi; ii) të drejtën për zhvillim harmonik të të miturit iii) Parimin e interesit më të lartë të fëmijës; iv) Kufizimin ose heqjen e lirisë si masë e fundit; v) Drejtësinë miqësore; vi) Prezumimin e pafajësisë; vii) Shmangien nga ndjekja penale dhe dënimi penal; viii) Parimin e proporcionalitetit; ix) Shqyrtimi pa vonesë dhe me përparësi. 

Këto parime shoqërohen dhe nga një numër garancish proceduriale për fëmijët në sistemin e drejtësisë, përcaktuar në nenet 19-24 ku përfshihen: i) E drejta e të miturit për jetë private; ii) Mbrojtja e të dhënave personale; iii) E drejta për t’u informuar; iv) Mbrojtja; v) Ndihma ligjore dhe Mbështetja psikologjike; vi) Prania e të miturit, prindit, përfaqesuesit ligjor ose procedural; vii) Vlerësimi individual; viii) Shërbimet pa pagesë.

Masat alternative të shmangies nga dënimi penal dhe programet e drejtësisë restauruese si mundësi e parë. Një prej risive kryesore që ka sjellë Kodi i përmendur më lart është përkufizimi i plotë i konceptit të përjashtimit nga përgjegjësia penale, diversioni apo shmangia nga procedurat gjyqsore – para, gjatë dhe pas procesit, si dhe programe e drejtësisë restaturuese, si ndërmjetësimi, etj. Ky përcaktim vjen në përputhje me objektivin kryesor të Strategjisë së Reformës në Drejtësi dhe Planit të saj të Veprimit, në të cilin parashikohet: “Reformimi i sistemit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin duke forcuar sistemin e drejtësisë restauruese dhe mbrojtjen efektive të drejtave të tyre procedurale”.

Sipas Kodit: “Masë e drejtësisë restauruese” është çdo masë, e cila lejon një të mitur në konflikt me ligjin të kuptojë përgjegjësinë dhe të korrigjojë pasojat e një vepre penale, të kompensojë dëmet dhe/ose të pajtohet me viktimën/palën e dëmtuar dhe persona të tjerë të prekur nga vepra penale, ku i mituri që ka kryer veprën penale dhe pala e dëmtuar marrin pjesë së bashku në mënyrë aktive për të zgjidhur pasojat e një vepre penale, zakonisht me ndihmën e një pale të tretë të pavarur. 

Ndërsa“Ndërmjetësim” është procesi i zgjidhjes jashtëgjyqësisht dhe përmes dialogut mes një të mituri që ka kryer veprën penale dhe viktimës, i cili realizohet nga ndërmjetësi dhe synon të zgjidhë mosmarrëveshjen mes tyre dhe pasojat që vijnë nga vepra penale, si dhe të përmirësojë marrëdhëniet midis tyre, pavarësisht nëse zbatohet ose jo si masë shmangieje.   

Edhe nëse ka ngjashmëri mes këtyre dy nocioneve, ato nuk mbulojnë saktësisht të njëjtin realitet. Drejtësia restauruese mund të organizohet si në kuadër të një procedure gjyqësore ashtu edhe si një skeme shmangie. Shmangia mund të marrë shumë forma, të ndryshme nga drejtësia restauruese, si psh këshillim për të miturin dhe familjen; paralajmërim me shkrim; paralajmërim me gojë; vendosjen nën kujdes, etj.[22]

Programet e shmangies janë alternativa për përpunimin fillestar ose të vazhdueshëm formal të të rinjve në sistemin e drejtësisë për të mitur. Ato synojnë t'i ridrejtojnë të rinjtë larg procesit formal ose të minimizojnë përfshirjen e të rinjve në sistemin e drejtësisë për të miturit, në të njëjtën kohë duke i mbajtur ata ende përgjegjës për veprimet e tyre. Në mënyrë ideale, shmangia duhet të ndodhë në fazat më të hershme të procesimit të drejtësisë për të mitur për të parandaluar përfshirjen e mëtejshme në sistem. Për këtë qëllim, Kodi ka parashkuar që masat alternative që synojnë shmangien e të miturit nga procedimi penal oe zbatimi i masave të drejtësisë restauruese vlerësohen si mundësi e parë nga organi kompetent. Vlerësimi i organit kompetent mban parasysh se këto masa i shërbejnë qëllimeve të rishoqërizimit, rehabilitimit të të miturit dhe parandalimit të shkeljeve të ligjit përkundrejt vendosjes së tij nën përgjegjësinë penale dhe zbatimit të dënimit penal. Në nenin 55, pika 3, është përcaktuar një listë me kritere specifike me vërtetimin e të cilave, organi kompetent aplikon automatikisht zbatimin e masës së shmangies.[23]

Organi procedues vendos për zbatimin e programit të drejtësisë restauruese, në përputhje me legjislacionin për ndërmjetësimin, me qëllim krijimin e mundësive për të miturin që të korrigjojë pasojat e veprës penale të kryer prej tij ndaj viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë. Në çdo rast merret pëlqimi nga i mituri dhe prindi. Kur i mituri nuk ka prindër, ose ekziston një konflikt interesi midis prindërve dhe të miturit, pëlqimin mund ta japë një prej përfaqësuesve procedural.[24]

Por, programi i drejtësisë restauruese mund të zbatohet nëse: i) i mituri, mbrojtësi dhe, sipas rastit, përfaqësuesi ligjor, japin lirisht pëlqimin për marrjen e një vendimi të tillë; dhe ii) çdo marrëveshje për korrigjimin e pasojave të veprës penale të kryer nga i mituri është e arsyeshme dhe e përshtatshme.

Ky program mund të parashikojë që të miturit t’i kërkohet:

·         të pranojë dhe të tregojë se e kupton përgjegjësinë për veprën penale dhe të pasojës së ardhur ndaj viktimës;  

·         të kompensojë dëmin e shkaktuar viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë;  

·         t’i kërkojë falje viktimës;  

·         të ndërmarrë veprime të pranueshme edhe nga viktima ose/dhe komuniteti.  

·         të marrë pjesë në  një procedurë ndërmjetësimi,

·         të kryejë punë në interes publik;

·         të marrë pjesë në programe rehabilituese ndaj pasojave të veprës penale

Ndërmjetësimi si procedurë jashtëgjyqësore zhvillohet nga ndërmjetësi sipas dispozitave të KDPM dhe Ligjit për Ndërmjetësimin,[25] dhe vetëm nëse ekziston pëlqimi i lirë për ndërmjetësim, i shprehur si nga i mituri i akuzuar i veprës penale, po ashtu edhe nga pala së dëmtuar. Dhënia e pëlqimit duhet të shënohet në procesverbalin e organit procedues. Ndërmjetësimi mund të zhvillohet vetëm me pjesëmarrjen personale të të miturit autor i veprës penale dhe palës së dëmtuar. Në procesin e ndërmjetësimit, me pëlqimin e palëve, mund marrin pjesë gjithashtu përfaqësuesi ligjor i të miturit, psikologu, punonjësi i Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, prokurori dhe/ose personat e tjerë të caktuar prej tij. Prokurori mund të marrë pjesë në procesin e ndërmjetësimit nëse ai e vlerëson.

Megjithatë, mekanizmat e shmangies mund të aplikohen në fazat e mëvonshme për të parandaluar futjen e mëtejshme në sistem dhe zgjidhjen e kushtueshme, duke e çuar fëmijën larg shtëpisë së tij. Të miturit mund të shmangen nga strukturat ligjzbatuese para arrestimit, gjatë procedurave të gjykimit, ose edhe pas gjykimit, por para dhënies së vendimit të tij. Prokurori gjatë hetimit (Neni 56 i KDPM) dhe gjyqtari gjatë gjykimit (Neni 57 i KDPM), sipas rastit, mund të propozojnë masa shmangie nëse vlerësojnë se kjo alternativë është më e përshtatshme, duke pasur parasysh natyrën e veprës penale, rrethanat kur kjo është kryer, historinë e të miturit, mundësinë e kthimit të raporteve normale mes të miturit dhe palës së dëmtuar, mundësinë e zvogëlimit të dëmit të palës së dëmtuar, mundësinë e rehabilitimit të të miturit dhe riintegrimin e tij në shoqëri.

Në rast se propozimi i prokurorit/gjyqtarit për masë shmangie pranohet nga palët, atëherë vendoset pezullimi i hetimit apo gjykimit për një afat jo më shumë se 45 ditë. Nëse marrëveshja arrihet, prokurori/gjyqtari vendos pushimin e çështjes. Nëse marrëveshja nuk arrihet me kalimin e 45 ditëve, pezullimi bie dhe vazhdon hetimi/gjykimi i çështjes.  

Zgjidhja me ndërmjetësim ofron një sërë avantazhesh për të miturin: i) pushon ndjekja penale; ii) pushon hetimi; iii) i mituri konsiderohet i padënuar; iv) sigurohet asgjësimi i të dhënave të gjëndjes penale/gjyqësore; v) sigurohet rehabilitimi dhe rishoqërizimi i të miturit; vi) sigurohet zhdëmtimi i viktimës; vii) përmirësohen marrëdhëniet midis të akuzuarit dhe viktimës.

Megjithatë, alternativat për procedimet gjyqësore të tilla si: ndërmjetësimi, shmangia (e mekanizmave gjyqësore) dhe zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve është e nevojshme të inkurajohet sa herë që këto mund t’i shërbejnë më së miri Interesave më të larta të fëmijës. Por përdorimi paraprak i alternativave të tilla nuk duhet të përdoret si një pengesë për aksesin e fëmijës te drejtësia.

Qasja shumëdisiplinore në Drejtësinë Miqësore për të Miturit. Një tjetër risi që sjell Kodi ynë është që sistemi i drejtësisë për të mitur të shikohet në mënyrë integrale dhe multidisiplinore. Shërbimet sociale, arsimore, policia e shtetit, shërbimi i provës dhe prokuroria, mund dhe duhet të bashkëpunojnë jo vetëm në parandalimin, por edhe në përcaktimin e masave restauruese më të përshtatshme për fëmijët në konflikt me ligjin, viktima apo dëshmitarë, sidomos për rehabilitimin e tyre. Profesionistët e disiplinave të ndryshme që punojnë në sistemin e drejtësisë e kuptojnë që të funksionosh në një mënyrë miqësore me fëmijët, kategorikisht është e nevojshme që të kalohet nga një qasje disiplinore në një qasje ndërdisiplinore, dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi mes të gjithë profesionistëve që punojnë në sistemin e drejtësisë. Ky  bashkëpunim ndërdisiplinor apo qasja transdisiplinore e profesionistëve është ilustruar dhe me Metaforën e “sallatës së frutave/bërjen e smoothies”, nga Noti Nissani në 1995.[26]

Sa herë që një fëmijë apo adoleshent, qoftë ai/ajo një viktimë, ose në shkelje të ligjit vjen në sistemin e drejtësisë, shumë e rëndësishme është që të ekzistojnë procedura të përshkruara mirë, që zbatohen kur çdo profesionist luan rolin e tij/saj. Mund të bëhet, për shembull, një përpjekje nga gjyqtari që të shmangen vështirësitë e shtuara psikologjike, duke kufizuar çdo paraqitje personale të viktimës në procedura. Ose, në rast të një fëmije në konflikt me ligjin, punonjësi social i ngarkuar me rastin dhe mësuesit nga shkolla ku shkon i riu mund të punojnë së bashku me gjyqtarin për ta ndihmuar dhe aplikuar nje masë aleternative, e cila krijon mundësinë më të mirë për këtë të ri që të ndjekë shkollimin e tij/saj apo të përftojë aftësi profesionale, që deri më tani rezultojnë të jenë kundërhelmi më i mirë ndaj recidivizmit.

Gjithashtu, arritjet pozitive realizohen vetëm kur një fëmijë apo adoleshent viktimë vë re që profesionistët e përfshirë në sistemin e drejtësisë e trajtojnë atë me dhimbsuri dhe respekt, i njohin dëmin që i është shkaktuar dhe kërkojnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për ta kthyer viktimën në rrugën e një zhvillimi të harmonishëm. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për të rinjtë në konflikt me ligjin. Për të siguruar këtë bashkëpunimin shumëdisiplinor, si edhe për të hartuar e zbatuar programe specifike rehabilitimi  dhe ri-integrimi për të miturit në konflikt/kontakt me ligjin, një forum ndërsektorial është ngritur në nivel të qeverisjes qendrore, i cili po kontribuon në përgatitjen e akteve nënligjore të nevojshme për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës së institucioneve në nivel vendor, si edhe për të nxitur vënien në zbatim dhe mbikëqyrur mbarëvajtjen e këtij bashkëpunimi.

 

Roli i avokatit mbrojtës në Drejtësinë Miqësore për të Miturit

 

Për çfarë u tha më lart nevojitet mbështetja e një avokati të specializuar. Ndryshe nga e kaluara, sot një fëmijë falë efekteve të të gjitha instrumenteve ndërkombëtare dhe rajonale është bartës i të drejtave që i sigurojne pjesëmarrje të plotë dhe të efektshme në të gjitha procedurat gjyqësore apo administrative në lidhje me të. Që kjo pjesëmarrje e plotë të mund të realizohet, një fëmijë duhet të përfaqësohet nga një avokat i specializuar mbi procedurat para, gjatë dhe pas proceseve gjyqësore civile dhe penale.

Në KDPM përcaktohet që i mituri në konflikt me ligjin ose viktimë të mbrohet nga avokatë të specializuar në drejtësinë për të mitur, me përjashtim të rasteve kur i mituri ose përfaqësuesi i tij ligjor përzgjedh një avokat tjetër.  Për këtë qëllim, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vë në dispozicion të institucioneve të ndihmës juridike një listë të avokatëve të specializuar në drejtësinë për të mitur, pas trajnimit të tyre mbi parimet e drejtësisë miqësore dhe të drejtat e fëmijëve. 

Pavarësisht nëse një avokat është i zgjedhur nga vetë i mituri, ose përfqësues ligjor apo i caktuar nga lista e avokatëve që përgatit DHKA, ai:

Duhet të jetë një person i besuar për fëmijën. Për këtë qëllim duhet të: i) trajnohet mbi udhëheqjen që duhet t’i bëjë fëmijës gjatë procedurave të drejtësisë për të mitur. Dhe kuptohet që për këtë i nevojitet të ketë njohuri të kënaqshme mbi mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë për fëmijë, masat e posaçme për ‘ta, rolin e aktorëve të tjerë me të cilët duhet të bashkëpunojë, sidomos të psikologut apo punonjësit social, ndërmjetësit, përfaqesuesit procedurial, punonjësit e njësive të mbrotjes së fëmijëve, punonjësit të policisë, gjyqtarit apo prokurorit etj. Përveç avokatit që duhet të shoqërojë të miturin në çdo procedurë përgjatë gjithë procesit, madje edhe pas tij, sipas parashikimit në Kod të rolit të avokatit në fazën e vuajtjes së dënimit,[27] psikologu dhe prindi/përfaqësuesi ligjor janë aktorë të tjerë shumë të rëndësishëm që duhet të jenë prezent dhe ta mbështesin atë në çdo fazë të procedurave, kur kjo pjesëmarrje nuk bie ndesh me Interesat më të larta të të miturit; ii) është detyrë e avokatit që të informojë të miturin mbi të drejtat e tij në një gjuhë të kuptueshme dhe miqësore. Po aq me rëndësi është iii) informimi i fëmijës mbi alternativat e mundshme dhe pasojat e secilës prej tyre; iv) dëgjimi i fëmijës dhe respektimi i mendimit të tij mbi çështjen është nje garanci themelore në ushtrimin e së drejtës së tij/saj për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjykim; v) krijimi i marrëdhënies së besimit me fëmijëen; vi) takimi me klientin, përshtatu me nevojat e fëmijës.

 Duhet të bëhet zëdhënësi dhe mbrojtësi i opinioneve dhe interesave të fëmijës. Marrëdhënia avokat-klient nuk duhet të influencohet nga familja e të miturit apo nga ata që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore. Avokati mund dhe duhet të punojë në bazë të instruksioneve që i jep fëmija dhe në përputhje me Interesat më të larta të këtij të fundit. Prandaj: i) avokati është mirë të nuhasë se sa e kupton fëmija situatën ku ndodhet, çfarë dëshiron ai/ajo, me qëllim për t’ia transmetuar atë gjyqtarit edhe në rastet kur për sytë e të rriturve ky opinion nuk është ai përkatës, informimi i fëmijës mbi strategjitë dhe pasojat e secilës prej tyre do të përmbushte detyrimin e avokatit që fëmija të merrte një vendim pasi të ishte informuar plotësisht mbi pasojat; ii) avokati duhet të identifikojë Interesin më të lartë të fëmijës (nëpërmjet analizës rast pas rasti) dhe të jetë në gjëndje të vlerësojë impaktin e mundshëm mbi mirëqënien e tij fizike dhe psikologjike, çka kërkon gjithashtu edhe respektimin e garancive të procesit të drejtë; iii) avokati duhet të kërkojë që të përdoren të gjitha përshtatjet e domosdoshme proceduriale, mbështetur në të drejtën që kanë fëmijët në konflikt me ligjin, për të marrë pjesë në procedura të specializuara, të përshtatura në varësi të nevojave dhe moshës së fëmijës[28], si për shembull, zhvillimi i seancave me dyer të mbyllura - rregull i përgjithshëm ky -, trajtimi i çështjeve në mënyrë të shpejtë, informimi i plotë i prindit/përfaqesuesit ligjor për këtë dhe e drejta e tyre për të marrë pjesë në çdo fazë të procedurës, sa kohë nuk kanë një konflikt interesi me fëmijën e tyre; iv) bërja e mundur që zëri i fëmijës t’i bëhet prezent edhe profesionistëve të tjerë në process, dhe për këtë qëllim avokati duhet të marrë kontakt me të gjithë profesionistët, në prezencë të fëmijës nëse është e mundur, për të mos e përjashtuar atë nga vendimmarrja e tyre; v) avokati të kërkojë gjithmonë nga gjyqtarët që këta të marrin në konsideratë mendimet e fëmijës apo të japin arsyet në rast refuzimi.

Duhet të bashkëpunojë me profesionistë të tjerë në sistemin e drejtësisë për të miturit. Bazuar në një anketim të kryer në disa vende të BE,[29] avokati i të miturit nuk shikohet nga profesionistët e tjerë, si një aktor kyç në proces për të mbrojtur interesat më të larta të fëmijës. Për këtë qëllim është e rëndësishme që avokati të kuptojë rolin e tij në sistemin e drejtësisë për të miturit, në mënyrë që të luajë një rol aktiv, çka nënkupton që: i) të konceptojë rolin e veçantë në procedurat e drejtësisë për të miturit;[30] ii) të ketë njohuri të mira mbi funksionimin e sistemit dhe rolit të secilit aktor në ‘të; iii) të jetë i ndërgjegjshëm mbi ndihmën që mund të kërkojë dhe marrë nga profesionistët e tjerë në punën e tij si avokat; iv) të komunikojë në mënyrë të vazhdueshme dhe të forcojë bashkëpunimin me psikologun, punonjësin social, përfaqësuesit nga njësia e mbrotjes së fëmijëve etj; v) të sjellë zërin e fëmijës te profesionistët e tjerë dhe çfarë mendon ai për këta.

 

Konkluzione

 

Standardet ndërkombëtare apo rajonale të drejtësisë për të mitur, të cilat janë përfshirë edhe në legjislacionin tonë, kryesisht në KDPM dhe Ligjin për të Drejtat dhe Mbrotjen e Fëmijës, vërtetë përbëjnë një arritje, por janë të pamjaftueshme për të siguruar që këto të drejta të jenë ”praktike dhe efektive’’. Plotësimi i kuadrit ligjor të drejtësisë civile dhe penale për fëmijët, nëpërmjet hartimit të ndryshimeve legjislative në Kodin e Procedurës Penale, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Familjes, Kodin e Procedurave Administrative etj, si edhe hartimin e akteve nënligjore, kryesisht ne zbatim te Kodit te Drejtësisë Penale për të Miturit (hyrë në fuqi më 1 Janr 2018) duhet të përbëjë një prioritet për Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë Shqiptare në marrjen e disa masave ku të përfshihet: i) Përmirësimi i infrastrukturës me qëllim bërjen e saj miqësore dhe të përshtatshme për marrjen në pyetje të të miturve dhe sigurimin e provave, në të gjitha komisariatet e policisë, prokuroritë dhe gjykatat e vendit; ii) ngritja e seksioneve për të mitur në të gjitha gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit; iii) krijimi i Qendrës për Parandalimin e Kriminalitetit të Fëmijëve dhe të të Rinjve pranë Ministrisë së Drejtësisë;[31] iv) ngritja e qendrave me programet e edukimit dhe ri-integrimit për fëmijët në konflikt me ligjin; v) reformimi i Institutit për të Miturit (në Kavajë) dhe ai i Sherbimit te Provës.

Por, pavarësisht rëndësisë së masave të listuara më sipër, ato nuk do të kenë asnjë vlerë nëse nuk punohet për forcimin e kapaciteteve të profesionistëve që do të licencohen për t’u marrë me fëmijët në kontakt me ligjin, siç jane punonjësit e policisë, avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët, punonjësit e shërbimit të provës dhe ata të sistemit penitenciar, qendrave për rehabilitimin/edukimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, ndërmjetësve, përkthyesve, punonjësve socialë, psikologëve, punonjësve të administratës dhe atyre të mbrojtjes së fëmijës, si përsa u përket standardeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Shqipëria, për garantimin e të drejtave dhe mbrojtjen fiziko – psikike të fëmijës, edhe për zbatimin e legjislacionit të brendshëm në këtë fushë dhe për zhvillimin e teknikave me specifikat e ndërveprimit me fëmijët.

------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Konventa e Organizatës së Kombeve  të Bashkuara “Për të Drejtat e Fëmijës”

- Konventa Evropiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut

- Karta e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore

- Direktiva 2010/64/BE e “interpretimit dhe përkthimit” e Parlamentit Europian dhe e Këshillit e 20 Tetor 2010 mbi të drejtën e interpretimit dhe të përkthimit në procedimet penale;

- Direktiva 2012/13/BE e Parlamentit Europian dhe Këshillit (22 Maj 2012) mbi të drejtën e informimit në procedimet penale, OJ L 142, 1.6.2012

- DirektivA 2013/48/BE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit (22 Tetor 2013) mbi të drejtën e aksesit për avokat në procediemet penale dhe në procedimet e urdhrit evropian të arrestit, si edhe mbi të drejtën për të informuar palët e treta gjatë privimit të lirisë dhe për të komunikuar palët e treta me autoritetet konsullore gjatë privimit të lirisë

- Direktiva 2016/343/BE e prezumimit të pafajësisë dhe e të drejtës për të qenë prezent në procedurat penale

- Direktiva 2016/1919/BE mbi ndihmën ligjore për personat e dyshuar apo akuzuar në proceset penale

- Udhëzim i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për drejtësi miqësore ndaj të miturve, 2010

- Ligji nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit”

- Ligji nr. 26/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10385 date 24.2.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”

- Ligji nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”

- Koment i  Përgjithshëm i KDF Nr. 14 (2013) të Komitetit të të Drejtave të Fëmijës mbi të drejtat e fëmijës per te pasur interesat e tij/saj në qendër të vëmendjes

- Komenti i Përgjithshëm i KDF nr.10

- Rregullat Standarde Minimale të OKB për Administrimin e Drejtësisë për të Mitur (Rregullat e Pekinit),

- Udhëzimet e OKB për Parandalimin e Kriminalitetit te të Miturit (Udhëzimet e Riadit)

- Rregullat e OKB për Mbrojtjen e të Miturve që u është Hequr Liria (Rregullat e Havanës)

- Udhëzimet e OKB për Drejtësinë në Çështjet që Përfshijnë Fëmijët Viktima dhe Dëshmitarë të Krimit

- Rekomandimi CM/Rec(2008)11 i Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Rregullave Evropiane për shkelësit e mitur që janë subjekt i sanksioneve dhe masave (ERJO)

 

Doktrinë

- Project:  My Lawyer, My Rights, available at www.mylawyermyrights.eu

- Raporte te UNICEF at https://www.unicef-irc.org/publications/pdf/digest3e.pdf

- Jean - Paul Costa, Interesat më të larta të fëmijës në çështjet e fundit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, 2011

- Ton Liefaards, Drejtësia Miqësore për Fëmijët: mbrojtja dhe pjesëmarrja e fëmijëve në sistemin e drejtësisë

- ADTH, Drejtësia miqësore për Fëmijët – Lista e plotë për profesionistët, 2017

- ADTH, Drejtësia miqësore për fëmijët – Perspektivat dhe përvoja e profesionistëve për pjesëmarrjen në procedimet civile dhe penale në 10 Shtete Anëtarë të BE, 2015

- Noti Nissani, Frutat, Sallata, dhe Smoothies: Një përkufizim i Punës me Qasje Ndërdisiplinore, 1995

https://esge4995.files.wordpress.com/2014/02/definicic2a6n-de-interdisciplinariedad-smothie-y-ensalada-de-frutas.p

 

Jurisprudencë

- Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për çështjet: T. kundër Mbretërisë së Bashkuar ([GC] Nr. 24724/94, 16 Dhjetor 1999, § 88); Maumousseau dhe Washington kundër Francës (Nr. 39388/05, 6 Dhjetor 2007, § 78-79); Zaunegger kundër Gjermanisë (Nr. 22028/04, 3 Dhjetor 2009); Jeunesse kundër Hollandës ([GC] Nr. 12738/10, 3 tetor 2014); Mennesson kundër Francës (Nr. 65192/11, Qershor 2014,); Schneider kundër Gjermanisë (Nr. 17080/07, 15 Shtator 2011); X kundër Letonisë ([GC] Nr. 27853/09, 26 nëntor 2013б §117, 119); Pini dhe të Tjerë kundër Rumanisë (Nr. 78028/01 dhe 78030/01, 22 Qershor 2004); G.U. kundër Turqisë (Nr. 16143/10, 18 Tetor 2016); I.C. kundër Rumanisë  (Nr. 36934/08, 24 Maj 2016)

- Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian për çështjen: Joseba Andoni Aguirre Zarraga kundër Simone Pelz (22 Dhjetor 2010)

 

 

 

 



[1] https://www.unicef-irc.org/publications/pdf/digest3e.pdf

[2]Në kuadër të analizës për domosdoshmërinë e ristrukturimit dhe rinovimit të drejtësisë në vendin tonë, Kuvendi i Shqipërisë ngriti me Vendimin nr. 96/2014 Komisionin e Posaçëm “Mbi reformën në sistemin e drejtësisë”.

[4] Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë     Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë. Objektivi VIII. fq. 28

[5] Udhëzim i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për drejtësi miqësore ndaj të miturve, 2010

[6] CRC/C/GC/10, 5-14

[7] Teksti i nenit, 3 paragrafi 1, i KDF: “Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë në qendër të vëmendjes.”

[8] Komente të Përgjithshme Nr. 14 (2013) te Komitetit të të Drejtave të Femijes, për të pasur interesat e tij/saj në qendër të vëmendjes, mbi nenin 3 paragrafi 1

[9] Zaunegger kundër Gjermanisë (Nr. 22028/04, 3 dhjetor 2009); Jeunesse kundër Hollandës ([GC] Nr. 12738/10, 3 tetor 2014); Mennesson kundër Francës (Nr. 65192/11, qershor 2014,); Schneider kundër Gjermanisë (Nr. 17080/07, 15 shtator 2011); X kundër Letonisë ([GC] Nr. 27853/09, 26 nëntor 2013б §117, 119); Pini dhe të Tjerë kundër Rumanisë (Nr. 78028/01 dhe 78030/01, 22 qershor 2004)

[10] Çështjet Hokkanen kundër Finlandës (23 Shtator 1994) dhe Nuutinen kundër Finlandës (Nr. 32842/96)

[11] Koment i Pergjithshem nr.10: “Mbrojtja e interesave me te larta te femijes do te thote, psh qe objektivat tradicionale te drejtesise penale, si jane shtrypja/ndeshkimi, duhet te zevendesohen me objektivat e drejtesise restauruese dhe rehabilituese per femijet ne konflikt me ligjin.”

 

[13] CRC/C/GC/12

[14] CRC/C/GC/10, 6

[15] CRC/C/GC/10 &11)

[16] Neni 40 ka lidhje me nene të tjera të KDF ndër të cilat: neni 16: e drejta e privatësisë; neni 19: mbrojtja nga të gjitha format e dhunës; neni 20: përkujdesja alternative; neni 25: rishikimi periodik i masës/trajtimit; neni 37: ndalimi i dënimit me vdekje dhe burgim të përjetshëm, limite në kufizimin e lirisë; neni 39: rehabilitimi i viktimave etj.

[17] CRC/C/GC/10

[18] Rregulli 5 mbi “Qëllimet e drejtësisë për të miturit” nga Rregullat e Pekinit: “Sistemi i drejtësisë për të mitur duhet të theksojë mirëqënien e të miturit dhe çdo reagim mbi të miturit shkelës të ligjit duhet të jetë gjithmonë nëe përputhje si me rrethanat e shkelësve ashtu edhe ato të shkeljes.

[19] Parimet Themelore te Riyadh: “Parandalimi i kriminalitetit të të miturve është një pjesë esenciale e paradalimit të krimit në shoqëri. Duke u përfshirë në aktivitete të ligjshme, sociale dhe të dobishme dhe duke adaptuar një qasje humaniste kundrejt shoqërisë dhe jetës, të rinjte mund të zhvillojnë zakone jo –kriminale.

[20] Këto Udhëzime janë të aksesueshme në https:rm.coe.int/16804b2cf3.

[21] Ligji nr. 37/2017 “Kodi i Drejtesise Penale per te Miturit”.

[22] Neni 62 I KDPM

[23] vepra penale për të cilën dyshohet se ka kryer i mituri për të cilëen parashikohet dënim me burgim jo më shumë se 5 vjet burgim apo gjobë; i mituri pranon dhe shpjegon kryerjen e veprës penale; i mituri nuk është kallzuar apo nuk është përsëritës; nuk ka një interes publik për fillimin e ndjekjes penale etj.

[24] Neni 3, pika 17e KDPM

[25] Ligji nr 26/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10385 datë 24.2.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

[26] Noti Nisan, Frutat, Sallata dhe Smoothies: Një përkufizim i Punës me Qasje ndërdisiplinore: Disiplinat e ndryshme brenda sistemit të drejtësisë, gjyqtarin, avokatin, punonjësin social i konsiderojne si fruta të ndryshme të tilla si molla, portokalli, ananasi. Çdo frut ka identitetin, formën, ngjyrën, shijen, cilësinë e vet etj. Çdo disiplinë ka njohuritë e saja bazë, shkollimin, diplomat, rregullat etj. Tani mendoni nëse i copëtoni këto fruta dhe i përzieni së bashku ju do të kishit një sallatë shumë të shijshme. Përsëri jeni në gjendje që të identifikoni frutat e ndryshme, por ato fillojnë të përzihen më njëra tjetrën. Kështu ndodh edhe me dialogun dhe shkëmbimin e disiplinave të ndryshme dhe prej aty fillon të dalë një shije e re.

https://esge4995.files.wordpress.com/2014/02/definicic2a6n-de-interdisciplinariedad-smothie-y-ensalada-de-frutas.p

 

 

[27] Neni 112 i KDPM

[28] Neni 16, pika 4-6, i KDPM.

[29] Projekti: Avokati im, të Drejtat e mia, në www.mylawyermyrights.eu.

[30] Roli i avokatit ne KDPM është veçanërisht i rëndësishëm: Gjatë negocimit të marrëveshjes për marrjen e masës së shmangies, i mituri ndihmohet nga mbrojtësi; nënshkruan edhe marrëveshjen. Masat mbrojtëse: shmangia e kontaktit të papërshtatshëm, drejtpërdrejtë, urdhër-kufizimi, arresti në shtëpi, ruajtja e sekretit për vendndodhjen etj; verfikimi i konfliktit të interesit midis të miturit dhe përfaëqsuesit ligjor; pyetja e të miturit në prani të mbrojtësit. Pyetja e të miturit nën 14 vjeç; masa për fshirjen e të dhënave publike të të miturit; masa për mosidentifikimin e të miturit; pëlqimi për masat e shmangies; programet e shmangies/ndërmjetës; i mituri pranon dhe shpjegon veprën penale në prani të mbrojtësit; prania e detyrueshme në kontrrollin personal, ose ekzaminimin shëndetësor të të miturit.

Gjykimi në mungesë: Për të parandaluar rrezikun e riviktimizimit dhe viktimizimit të dytë, në veprimet procedurale, në të cilat i mituri është viktimë, merr pjesë përfaqësuesi ligjor, mbrojtësi dhe psikologu, si edhe (sipas rastit) nëse është e mundshme, edhe personi i besuar i të miturit; një kopje e njoftimit të thirrjes së të pandehurit të mitur i dorëzohet, ose i dërgohet mbrojtësit të të miturit apo përfaqësuesit të tij ligjor.

[31] Neni 133, pika 4 e Kodit të Drejtësisë për të Miturit