K U S H T E T U T S H M Ë R I

  

Av. Dr. Ervin SULKO

Anëtar i Shoqatës së Konstitucionalistëve,

 Grupi i Pizza -s, Itali

 

Hyrje

Në fokus të këtij punimi janë të drejtat sociale, si një kategori më vete e të drejtave themelore kushtetuese. Punimi i trajton të drejtat sociale si të drejta sociale kushtetuese të natyrës themelore, për t’i dalluar ato nga të drejtat e njeriut. Ndaj ato janë trajtuar vetëm nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese dhe jo nga ai i së drejtës ndërkombëtare. Me anë të këtij punimi do të kërkojmë të hedhim dritë mbi klasifikimin, studimin e të drejtave sociale, garancitë kushtetuese, si edhe pasojat që eventualisht mund të vijnë nga mungesa e mbrojtjes kushtetuese të tyre.

Kjo do të realizohet fillimisht përmes një trajtimi të posaçëm mbi origjinën e të drejtave sociale, parashikimi i tyre në Kushtetutat e shumë vendeve evropiane, për t’u ndalur më pas te domosdoshmëria e njohjes dhe garantimit të të drejtave sociale, mungesa e të cilave mund të çojë në ndryshimin e formës së shtetit. Një vëmendje e veçantë i kushtohet debatit doktrinar mbi natyrën e të drejtave sociale. Në mbyllje trajtohet vendi i të drejtave sociale në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

 

Origjina e të drejtave sociale. Shteti social

 

Të drejtat sociale ose kategoria, më e gjerë - të drejtat ekonomike sociale, doktrina konstitucionaliste (dhe jo vetëm) i klasifikon si të drejtat e gjeneratës së dytë.[1] Fillimisht janë njohur si të drejta të gjeneratës së parë të drejtat civile dhe politike, të sanksionuara në disa nga aktet që kanë shënuar lindjen e konstitucionalizmit modern, siç janë Bill of Rights (1689), dhjetë amendamentet e para të Kushtetutës të SH.B.A-ve njohur si Bill of Rights amerikane, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve (26 gusht 1789), si produkt i revolucionit francez etj. Të drejtat ekonomike sociale nuk i përkasin kësaj periudhe, por do të lindin vetëm me afirmimin e Shtetit social. Ky i fundit lindi pas perëndimit të formës së Shtetit liberal.

Në shekullin e XIX në sajë të progresit të procesit të industrializimit ndodhën ndryshime të thella ekonomike, politike dhe kulturore. Më e dukshmja ishte krijimi i një klase të vetme shoqërore dominuese, si borgjezia. Shteti social lindi pikërisht, nga nevoja për të ruajtur modelin ekonomik kapitalist, nga njëra anë, dhe për të krijuar mundësitë e garantimit të këtyre të drejtave edhe atyre që nuk kishin mundësi ekonomike për t’i patur, duke kontribuar vetë shteti në zbutjen e pabarazive shoqërore që krijon modeli ekonomik.

            Momenti kyç i kalimit nga shteti liberal në shtetin social shënohet me Kushtetutën e Vajmarit (1919), në të cilën për herë të parë krahas të drejtave civile dhe politike, parashikohen edhe të drejtat sociale. Më vonë në Kushtetutat e pas Luftës së Dytë Botërore, do të lulëzojnë kategoritë e të drejtave civile, politike dhe sociale. Kjo shënon edhe afirmimin e plotë të shtetit social. Të drejtat sociale, për nga pikëpamja kronologjike, klasifikohen nga studiuesit si të drejtat e gjeneratës së dytë. Njohja dhe garantimi i të drejtave sociale në Kushtetutë, i jep trajtën e të drejtave “kushtetuese ose themelore”, këtyre të drejtave, kësisoj ato i gëzon çdo individ.

 Njohja e të drejtave sociale në nivel kushtetues duhet parë e lidhur ngushtë me binomin ekonomi tregu (modeli kapitalist, si model ekonomik) dhe demokraci (modeli politik). Ekzistenca e të drejtave sociale është në funksion të ruajtjes së modelit kapitalist, nga njëra anë, por edhe të  ruajtjes së demokracisë nga ana tjetër. Në themel të çdo shteti social qëndron një kompromis, i cili synon të mbaj ekuilibrin ndërmjet ruajtjes së ekonomisë së tregut, sipas parimit të vetërregullimit të saj, por nga ana tjetër zbutja e pabarazive, që vet ky model krijon.[2] Sipas Habermas nevoja e këtij kompromisi është e vjetër sa vetë kapitalizmi dhe çdo lloj shfuqizimi i tij çon në krijimin e nënklasave të veçuara nga pjesa tjetër e shoqërisë. Nënklasa që bëhen më të shumta në numër dhe që rivendikojnë më tepër të drejta më së shumti të natyrës sociale, ngushtësisht të lidhura me të mirat jetike për njeriun, siç  janë: puna, shëndeti, asistenca sociale, arsimi, strehimi etj. 

Kjo dialektikë ndërmjet lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe ruajtjes së demokracisë përmes të drejtave sociale është reflektuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila nënvizon se krahas garantimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike të sanksionuar në nenin 11 të Kushtetutës duhet të garantohet edhe parimi i shtetit social.[3] E parë në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese nënvizon, se liria e veprimtarisë ekonomike është një liri negative për aq kohë sa lidhet me vullnetin e individit për të zgjedhur fushën e ushtrimit të kësaj veprimtarie duke hyrë lirisht në marrëdhënie ekonomike me subjekte të tjera. Përveç kësaj, liria e veprimtarisë ekonomike ka dhe aspektin e saj pozitiv. Ai përmban detyrimin e shtetit që, nëpërmjet ligjvënësit, të ndërhyjë në rregullimin e kësaj lirie, me qëllim që krahas lirisë së veprimtarisë ekonomike të garantohet edhe parimi i shtetit social dhe i të mirës së përbashkët. Ky detyrim për rregullim i ligjvënësit shprehet nëpërmjet nxjerrjes së normave konkrete juridike, me anë të të cilave synohet disiplinimi i ushtrimit të veprimtarisë së lirë ekonomike në sektorë apo fusha të caktuara. Në këtë rast, shteti duhet të luajë rolin e katalizatorit për realizimin efektiv të lirisë ekonomike, nga njëra anë, dhe mbrojtjes së kësaj lirie, nga ana tjetër. Vetëm shteti mund të arrijë të krijojë mjedisin e vërtetë dhe optimal për ushtrimin e kësaj lirie vetjake, prandaj ai duhet parë si rregullator me qëllim mbrojtjen e tregut nga deformimet, që natyrshëm mund t’i mbartë me vete zhvillimi i lirë i veprimtarisë ekonomike[....]Pra, hartuesi i Kushtetutës ka preferuar ta konsiderojë lirinë e veprimtarisë ekonomike së pari, si parim bazë të sistemit ekonomik të Republikës së Shqipërisë dhe së dyti, si pjesë e katalogut të lirive dhe të drejtave të shtetasve.

 

Garantimi i të drejtave sociale si postulat i funksionimit të demokracisë

 

Në optikën e demokracisë populli është një bashkësi njerëzish të barabartë ndërmjet tyre (çdo individ përfaqëson një votë), të cilët ushtrojnë sovranitetin e tyre sipas mënyrës dhe kufizimeve të përcaktuara nga Kushtetuta. Hendeku ekonomik ndërmjet qytetarëve të pasur dhe të varfër, reflektohet edhe në gëzimin e disa të mirave materiale, të cilat vetëm të parët kanë mundësinë t’i gëzojnë. Zhdukja e pabarazive shoqërore, realizohet së pari përmes garantimit të së drejtës për të ekzistuar, si dhe për të pasur një jetë dinjitoze. Veçanërisht, e drejta për të jetuar ose ekzistuar (ius existentiae) lidhet kryesisht me të drejtën për ushqim. Janë afërsisht 23 Kushtetuta të vendeve ish-koloni që e parashikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Kushtetutat e tyre, të drejtën për ushqim, ndërsa në kushtetutat e vendeve evropiane, por edhe në dokumentet ndërkombëtare, e drejta për ushqim garantohet përmes parimeveve të tjera kushtetuese, si; dinjiteti njerëzor, barazia apo solidariteti.[4]

Kjo nënkupton marrjen përsipër të shtetit të detyrimit për të garantuar disa të mira bazike apo jetike, siç janë, arsimi i detyruar, ndihma ekonomike, asistenca sociale, pensionet, shërbimi shëndetësor, etj., ku subjektet ekonomikisht më të dobët nuk kanë mundësinë t’i sigurojnë. Është deyrim i shtetit që, brenda sistemit ekonomik, të bazuar në lirinë e ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, ekonomisë së tregut, që nëpërmjet politikave fiskale, të mbledhë të ardhurat nga subjektet ekonomikisht më të fortë, për t’i rishpërndarë ato kundrejt subjekteve ekonomikisht më të dobët, për të zbutur dhe korrigjuar pabarazitë sociale, duke u siguruar të gjithëve një standard minimum jetese. Rishpërndarja e pasurisë në shoqëri është gjithnjë në funksion të arritjes së barazisë formale, të paktën në thelb, për të gjithë anëtarët e një shoqërie.

Sipas teoricienëve më në zë, garantimi i këtyre të mirave, është parakushti themelor për gëzimin më pas të lirive dhe të drejtave themelore të sanksionuara në Kushtetutë. Këto lidhen me zbatimin e drejtësisë sociale.[5] Sipas parimit të dytë të drejtësisë sociale sipas Rawls, pritshmëritë e personave ekonomikisht më të fortë funksionojnë vetëm nëse ato janë pjesë e një skeme që përmirëson edhe pritshmëritë e anëtarëve ekonomikisht më të dobët të shoqërisë. Garancia kushtetuese e mbrojtjes së të drejtave sociale lidhet ngusht edhe me ekzistencën e vetë demokracisë, e cila ndër të tjera presupozon pjesëmarrjen aktive të popullit në qeverisjen e vendit, në formimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore që mbajnë pushtetin publik.

Një rend kushtetutes të tipit të demokracisë kushtetuese, siç është vendi ynë, ka si karakteristikë vendosjen  e individit në qendër si titullar i të drejtave themelore, por nga ana tjetër ky i fundit i vendosur në kornizën e një shoqërie pluraliste të përbërë nga klasa të ndryshme shoqërore, mjaft heterogjene nga njëra-tjetra, këto përbëjnë postulatin e funksionimit të vetë rendit demokratik. Dy janë elementet thelbësore të funksionimit të demokracisë, një shoqëri pluraliste dhe parimi i barazisë ndërmjet qytetarëve.

Sipas M. Luciani, alternativa ndërmjet tregut dhe mirëqënies sociale qëndron njësoj si te bashkimi apo harmonizimi i dy veçorive specifike të të drejtave të njeriut: liri/barazi. Është e vërtetë se demokracitë kërkojnë lirinë e vetëvendosjes së individit, por njëherazi bazohen te postulati i barazisë ndërmjet qytetarëve, ndaj liria dhe barazia ndonëse shihen si dy gjëra të ndryshme, e para nga këndvështrimi teleologjik dhe e dyta nga ai logjik, në substancë përbëjnë të njëjtën gjë.[6] Ndaj postulati i dytë i funksionimit të demokracisë, ai i barazisë ndërmjet qytetarëve realizohet përmes njohjes së të drejtave sociale, si i vetmi instrument për realizimin e tij. Nga ky silogjizëm arrijmë në përfundimin se ekzistenca e të drejtave sociale, njohja dhe garantimi i tyre përbën postulatin e funksionimit të demokracisë si model politik.

Sipas konstitucionalistes L.Carlassare,[7] eliminimi ose dobësimi i mbrojtjes së të drejtave sociale në fakt ndryshon formën e demokracisë sociale dhe që të drejtat sociale në tërësinë e tyre konkurrojnë në përcaktimin e formës së shtetit. Reformatio in peius i tyre mund të çojë në ndryshimin radikal të formës së shtetit dhe të vetë thelbit të demokracisë liberale. Në këtë këndvështrim, nëse vendosim theksin te parakushti i demokracisë, kjo është se rendet kushtetuese bazohen te barazia. Me qëllim që ky postulat të jetë i vlefshëm, duhet që komuniteti në tërësi të jetë i aftë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Me fjalë të tjera, mungesa e njohjes e për rrjedhojë e mbrojtjes së të drejtave sociale, passjell pashmangërisht mungesën e demos-it të shëndetshëm, si lënda e parë bazë që përbën vetë demokracinë, që duhet kuptuar si pushtet i popullit, që ushtrohet brenda kornizës kushtetuese. Kjo çon gjithashtu, në shpërbërjen e tij dhe në krijimin e frakturave të thella në shoqëri. Sot, kur flasim për shtet të së drejtës kemi parasysh shtetin kushtetues, por njëkohësisht edhe shtetin social, të dyja këto cilësi bashkëekzistojnë në konstitucionalizmin bashkëkohor.

 

Vështirësitë dhe debati në kualifikimin e të drejtave sociale si të drejta themelore

 

Një nga debatet e kahershme që ka përfshirë doktrinën konstitucionaliste, dhe jo vetëm, lidhet me natyrën e të drejtave sociale. Në këtë paragraf do të fokusohemi të japim një tabllo të plotë në lidhje me debatin doktrinar për të drejtat sociale, parë kryesisht në tri aspekte kryesore; Natyra e të drejtave sociale, raporti që kanë të drejtat sociale me financat publike, mbrojtja gjyqësore e tyre. [8] Një pjesë e doktrinës si p.sh ajo franceze i kanë kualifikuar të drejtat sociale si të drejtat e gjeneratës së dytë, për t’i dalluar ato nga të drejtat historike të gjeneratës së parë që lidhen me revolucionin francez. Të drejtat sociale si të drejtat që i përkasin një kategorie më vete, janë programe për t’u realizuar, objektiva, plane veprimi të pushtetit publik dhe jo të individit. Ato nuk kanë një titullar specifik, për këtë arsye të drejtat sociale nuk mund të gëzojnë një mbrojtje gjyqësore. Mbi bazën e këtij klasifikimi të drejtat civile dhe politike kualifikohen si “të drejta të lirisë”, ndërsa të drejtat sociale si të drejta “të krijuara”. Këto të fundit imponojnë ndërhyrjen e shtetit dhe më konkretisht të administratës publike për realizimin e tyre.

Brenda kategorisë së ndarjes së të drejtave sociale, doktrina ka bërë edhe një tjetër nëndarje.[9] Të drejtat sociale subjektive, për realizimin e të cilave nuk kërkohet një ndërhyrje financiare e shtetit, si p.sh të drejtat e punëmarrësit në marrëdhënien e punës, e drejta për një pagë të përshtatshme, e drejta për të zgjedhur mjekun e familjes, e drejta për të zgjedhur vendin e punës, e drejta për të zgjedhur edukimin e përshtatshëm etj. Këto të drejta lidhen me individin, por brenda grupit social që individi ndodhet. Ndërsa realizimi i të drejtave sociale objektive kërkon ndërhyrjen financiare të shtetit. Të drejtat sociale objektive, kanë natyrën e të drejtave subjektive, pra u njihet mbrojtja gjyqësore. Titullari i tyre mund të ngrejë padi për mbrojtjen e tyre. Të drejtat sociale bashkë me të drejtat e gjeneratës së parë, janë të drejta subjektive dhe meritojnë mbrojtje gjyqësore.

Po ashtu sipas doktrinës amerikane,[10] mbrojtja e të drejtave  kushton, aq më tepër mbrojtja e të drejtave sociale, e cila lidhet me aftësinë buxhetore të një vendi, dhe me disponibilitetin e të hyrave publike, sasia e të cilave varet më së shumti, nga aftësia kontribuese e çdo qytetari në arkën e shtetit. Nisur nga ky konstatim, një pjesë e doktrinës i ka konsideruar të drejtat sociale si të drejta të “kushtëzuara”, që varen nga gjendja makroekonomike e një vendi. Ka një korrelacion të drejtpërdrejtë ndërmjet të ardhurave buxhetore dhe nivelit të mbrojtjes së të drejtave sociale. Ajo që vihet re në mbrojtjen dhe në realizimin e të drejtave sociale, është se ato lidhen ngushtësisht me financat publike. Ҫdo ndryshim i të ardhura buxhetore reflektohet edhe në nivelin e mbrojtjes së tyre. Të drejtat sociale janë konsideruar si të drejta të kushtëzuara nga jurisiprudenca e Gjykatës Kushtetuese italiane, sidomos në lidhje me mbrojtjen shëndetësore, niveli i mbrojtjes së të cilës luhatet sipas resurseve financiare të shtetit, por megjithatë edhe në këtë pikë, kjo nuk mund të prekë një nivel minimum të garantimit të saj.[11] Fakti i shkallëzimit të të drejtave sociale zbeh natyrën “themelore” të këtyre të drejtave.

Objeksioni që ngrihet në këto raste lidhet me pretendimin se edhe të drejtat e tjera jo të natyrës sociale, por ato të gjeneratës së parë kushtojnë dhe kërkojnë ndërhyrjen financiare të shtetit si p.sh nevoja për të ndërtuar dhe mbajtur rrugët për të garantuar lirinë e qarkullimit, nevoja për të garantuar shërbimin e drejtësisë dhe për rrjedhojë ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes.[12]

 Nga ana tjetër, Gjykata Federale Kushtetuese gjermane u njeh të drejtave sociale natyrën e të drejtave subjektive e si të tilla gëzojnë një mbrojtje gjyqësore. Kjo gjykatë ka shkuar edhe më tej me jurisprudencën e saj, duke njohur të drejtën e çdo individi të gëzojë një nivel minimum jetese. E drejtë, kjo e fundit, jo e lidhur ngushtë me dinjitetin njerëzor ose një variant i tij, por një e drejtë themelore kushtetuese autonome, që përbën një figurë më vete të drejte. Në të vërtetë, Ligji Themelor nuk sanksionon në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën për minimumin jetik ose për një ekzistencë minimum dinjitoze, por ka qenë Gjykata Federale Kushtetuese gjermane, e cila ka njohur këtë të drejtë në rrugë jurisprudenciale. Kështu në vendimin në lidhje me të drejtën për azil (Asylbewerberleistungsgesetz), kjo gjykatë është shprehur se përfitimi financiar i caktuar për personat që kanë kërkuar azil nuk është i mjaftueshëm dhe nuk mbulon minimumin jetik, për këtë arsye dispozita ligjore u shpall antikushtetuese, duke njohur në këtë mënyrë natyrën e një të drejte sociale themelore të së drejtës për një minimum jetik: Kjo e drejtë njihet si e drejtë themelore, duke kombinuar nenin 1/1 të Ligjit Themelor mbi dinjitetin njerëzor, me nenin 20/1 mbi shtetin demokratik e social, kjo nënkupton të dyja cilësitë, si ekzistencën fizike të qenies njerëzore, ashtu  edhe mundësinë për të mbajtur marrëdhënie ndërpersonale dhe një shkallë minimale të pjesëmarrjes së individit në jetën shoqërore, kulturore dhe politike. Shtetasit gjermanë dhe të huaj me vendbanim në Gjermani janë titullarë të kësaj të drejte themelore.[13]

Krizat ekonomike të një vendi ndikojnë dhe kushtëzojnë nivelin e realizimit të të drejtave sociale. Sidoqoftë, pavarësisht situatave dhe krizave ekonomike që mund të kalojë një vend, me qëllim mbrojtjen e demokracisë, me qëllim mbrojtjen e shtetit social dhe kushtetues, duhet të garantohet kurdoherë një nivel minimum i mbrojtjes së të drejtave sociale, i cili ruan thelbin e së drejtës. Garantimi nga ana e Shtetit të një niveli minimum, i cili nuk mund të preket nga çdo krizë ekonomike e vendit, është në fakt treguesi kryesor, që të drejtat sociale, së bashku me të drejtat civile dhe politike, janë të drejta themelore.

Pavarësisht kritikave dhe debatit doktrinar të evidentuar më sipër, doktrina konstitucionaliste arrin në përfundimin se, të drejtat sociale nuk ndryshojnë shumë nga të drejtat tradicionale të lirisë, që duhen kuptuar si të drejta subjektive. Fakti që shumica e të drejtave sociale kërkon ndërhyrjen e ligjvënësit dhe të financave publike, nuk ndikon te natyra e tyre si “të drejta”, por ndikon te masa e nivelit të mbrojtjes së tyre. Kjo për faktin se ligjvënësi kurdoherë ndesh dy kufizime, detyrimin për t’i mbrojtur të drejtat sociale si dhe garantimin e një niveli minimum të tyre.

Në mbyllje, nëse mund t’i përmbledhim elementet thelbësore që e bëjnë një të drejtë “themelore” bashkë me garancitë kushtetuese që lidhen me këtë cilësi, mund të përmendim: së pari, parashikimi në Kushtetutë i të drejtës; së dyti, mbrojtja gjyqësore e së drejtës, mundësia e aksesit në organet e drejtësisë për mbrojtjen e saj; së treti, garantimi i mbrojtjes së thelbit të kësaj të drejte, i cili garantohet kurdoherë në çdo rast të kufizimit të saj.

 

Të drejtat sociale në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

 

Të drejtat themelore sanksionohen në Kushtetutën e Republiksë së Shqipërisë në Pjesën e dytë të saj. Kjo pjesë është e ndarë në pesë krerë përkatësisht; Kreu i parë i kushtohet parimeve të përgjithshme të të drejtave themelore, Kreu i dytë sanksionon “Liritë dhe të drejtat vetjake”, Kreu i tretë “Liritë dhe të drejtat politike”, Kreu i katërt “Liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore”, Kreu i pestë “Objektivat socialë”. Për shkak të objektit të studimit do të fokusohemi në Kreun e katërt dhe të pestë të Pjesës së Dytë të Kushtetutës. Të drejtat sociale nga pikëpamja e topografisë kushtetuese janë të vendosur në dy krerët e fundit.

Më konkretisht, kreu i katërt reflekton qartazi ndarjen e të drejtave të njeriut në tri kategori, sipas Paktit Ndërkombëtar për të drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore (1966). Fillimisht sanksionohen të drejtat dhe liritë të lidhura me të drejtën e punës siç janë: liria e zgjedhjes së profesionit, liria e zgjedhjes së vendit të punës, liria sindikale, e drejta për grevë, e drejta për mbrojtjen shoqërore në rastet e pleqërisë, paaftësisë për punë apo papunësisë së padëshiruar etj.  Të drejtat e lidhura me familjen, e drejta për sigurim dhe kujdes shëndetësor, e drejta e informimit për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, e drejta për arsim, liria e krijimit artistik dhe kërkimi shkencor, e drejta e autorit etj.

Ndërsa në Kreun e pestë të Kushtetutës janë vendsour objektivat socialë, të ndarë nga të drejtat e natyrës ekonomike sociale. Përkatësisht neni 59/1 i Kushtetutës rendit disa fusha, ku shteti brenda kompetencave të tij dhe mjeteve që disponon synon arritjen e tyre. Këto fusha lidhen me: a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë; b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim; c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm; ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë; d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm; dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm; e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët; ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse; f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës; g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.

Këto fusha janë objektiva ose programe për t’u realizuar nga ana e shtetit, brenda mundësive të tij, dhe se ky i fundit nuk ka detyrimin kushtetues të mbrojtjes dhe të garantimit të tyre në të njëjtën masë me të drejtat ekonomike sociale të vendosura në kreun e katërt.

Për fushat e lartpërmendura, mbrojtja dhe garancia kushtetuese që gëzojnë të drejtat themelore nuk zbatohet. Shteti merr përsipër realizimin e tyre, por kjo brenda objektivave dhe sidomos mjeteve financiare që shteti disponon. Nga kjo rrjedh se objektivat socialë, nuk janë të drejta sociale, dhe se këto objektiva janë tërësisht të kushtëzuara dhe të varura nga mjetet që shteti disponon, por edhe nga plotësimi i nismës dhe përgjegjësisë private.

Nga ana tjetër, Kushtetuta, duke mos njohur natyrën e të drejtave themelore, por thjesht si objektiva për t’u realizuar, në nenin 59/2 sanksionon se përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave. Në këtë mënyrë askush nuk mund të ngrejë padi në gjykatë për mospërmbushje apo mosrealizim të objektivit social. Kushtetuta në këtë mënyrë ka mohuar mbrojtjen gjyqësore të objektivave sociale, si dhe ka mohuar natyrën e të drejtës themelore të tyre. Kjo është arsyeja që objektivat sociale nuk gëzojnë garancitë kushtetuese të të drejtave themelore, por veçanërisht të të drejtave sociale të vendosura në Kreun e katërt. Vetëm këto të fundit kanë natyrën e të drejtave themelore dhe të drejtave subjektive, duke diferencuar trajtimin kushtetues që u bëhet të drejtave sociale dhe objektivave socialë.

Duket se kushtetutbërësi, brenda Pjesës së Dytë kushtuar të drejtave themelore ka vendosur të drejtat sociale, duke u njohur këtyre të fundit natyrën themelore dhe të gjitha garancitë kushtetuese lidhur me to. Por nga ana tjetër, po në këtë pjesë kemi të vendosur edhe objektivat socialë, veçse në një kre më vete. Ndarja konceptuale ndërmjet të drejtave sociale dhe objektivave socialë e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, reflekton edhe njëherë debatin doktrinar dhe jurisprudencial të trajtuar më lart lidhur me të drejtat sociale. Sipas përvojave kushtetuese të vendeve të tjera, shumë nga objektivat socialë, janë konsideruar si të drejta sociale dhe gëzojnë mbrojtje të plotë kushtetuese.[14] Për shembull, e drejta për strehim, e drejta për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është konsideruar nga Gjykata Kushtetuese italiane si një e drejtë themelore. Për këtë arsye, trajtimi i diferencuar i tyre reflekton edhe njëherë debatin, se jo të gjitha të drejtat sociale meritojnë mbrojtje kushtetuese dhe se shumë prej tyre kanë natyrë të kushtëzuar. Në këtë mënyrë kushtetutbërësi atyre të drejtave që kanë natyrë të kushtëzuar nuk i njeh si të drejta, por thjesht si objektiva socialë për t’u realizuar.

Ajo që vihet re nga kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit tonë lidhet me mungesën e përcaktimit të minimumit jetik. Edhe pse në nivel kushtetues ne kemi një referencë normative, neni 52/2, ku parashikon të drejtën se: kushdo kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij, dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj. Përveç nismave dhe përpjekjeve të institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka publikuar edhe një raport- studim,[15] ku parashikon nevojën e parashikimit ligjor dhe e përcaktimit të minimumit jetik, llogaritja e tij në Republikën e Shqipërisë bëhet duke parashikuar edhe metodologjinë që duhet ndjekur për përcaktimin e tij. Aktualisht në vendin tonë janë parashikuar me ligj ose me akte nënligjore këto institute të mbrojtjes shoqërore: paga minimale, pensioni social, ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë, pagesa e aftësisë së kufizuar etj.[16] Ajo që bie në sy lidhet me masën e tyre, e cila me shumë gjasa është poshtë masës së minimumit jetik (edhe pse ende të papërcaktuar). Pavarësisht kësaj, vihet re inercia e institucioneve të Shtetit shqiptar, më së shumti të Parlamentit dhe Qeverisë ku vazhdon të mungojë përcaktimi i minimumit jetik, edhe pse legjislacioni i referohot shpesh këtij instituti, çka sjell probleme edhe nga ana e praktikës ligjore.

 

Të drejtat sociale në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese

 

Në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur zbatim dispozitat kushtetuese të trajtuara më lart sa i takon të drejtave sociale dhe objektivave socialë. Ndarja konceptuale ndërmjet këtyre dy kategorive, ku të parat janë të drejta themelore dhe gëzojnë garancitë kushtetuese të nevojshme, kurse objektivat socialë nuk kanë natyrën e të drejtave themelore, është evidentuar nga kjo jurisprudencë në shumë raste, si për shembull, me rastin e të drejtës për shpërblim financiar mujor, e drejtë kjo që rrjedh nga statusi i “dëshmorit të atdheut”: E drejta për shpërblim financiar mujor të familjarëve të dëshmorit nuk është një e drejtë themelore e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë apo Konventat Ndërkombëtare dhe as një e drejtë që derivon nga ligje që janë zbatim i të drejtave themelore të qytetarëve. Ajo nuk rrjedh as nga e drejta e sigurimeve shoqërore dhe rrjedhimisht, kushtet e dhënies e të ndryshimit të saj nuk mund të barazohen me të drejtën e përfitimit të pensioneve si një e drejtë themelore, parashikuar në nenin 52 të Kushtetutës. Shpërblimi financiar mujor i familjarëve të dëshmorit ka karakter simbolik dhe është pjesë e nderimit dhe e respektit që shteti bën për veprën e dëshmorit, prandaj masa e tij si dhe rrethi i subjekteve që përfitojnë vlerësohen nga ligjvënësi.[17] Sipas Gjykatës Kushtetuese kjo e drejtë nuk ka natyrë themelore, por klasifikohet si objektiv social, dhe si e tillë hyn në sferën e vlerësimit të ligjvënësit, pra nuk gëzon mbrojtjen kushtetuese si e drejtë themelore.

            Gjykata Kushtetuese, në praktikën e saj gjyqësore, ka vazhduar të zbatojë ndarjen kushtetuese ndërmjet të drejtave sociale dhe objektivave socialë. Kështu në çështjen me objekt shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën i neneve 1, 2 (pikat 5 e 6), 7  (shkronjat “a, b”) e 9 të ligjit nr.9481, datë 16.02.2006 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ajo njeh “të drejtën për pension” si një të drejtë themelore me natyrë subjektive: E drejta për pension është një e drejtë që përfshihet në grupin e të drejtave ekonomike-sociale, që për nga natyra janë të drejta pozitive. Prandaj, përmbajtja e tyre duhet interpretuar në lidhje të ngushtë me detyrimin e shtetit për t’u bërë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevojat jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar. Këto mangësi shteti duhet t’i garantojë pa lejuar diskriminim të paarsyeshëm e jo objektiv. E drejta për pension (qoftë edhe për pension të parakohshëm) është e drejtë subjektive. Këto të fundit - marrëdhëniet juridike të krijuara - mbrohen nga parimi kushtetues i shtetit të së drejtës, në të cilin përfshihen edhe e drejta e fituar dhe siguria juridike. Prandaj, futja e një rregullimi të ri për pensionet duhet të bëhet duke u kujdesur që kjo të respektojë, ndër të tjera, edhe këto të fundit.[18]

Duke qenë se e drejta për pension ka natyrë themelore ajo gëzon mbrojtje kushtetuese, qoftë në respekt të parimit të shtetit të së drejtës, të të drejtave të fituara apo të parimit të sigurisë juridike. Çdo ndryshim ligjor që përkeqëson pozitën juridike të përfitimit të kësaj të drejte do të përballet me mbrojtjen kushtetuese të mësipërme: ndryshimet në ligjin objekt shqyrtimi cenojnë pozitën juridike të një kategorie ushtarakësh në pension duke prekur nevojat jetike të tyre. Mbështetur në karakterin e veçantë të detyrës dhe të shërbimit të ushtarakëve, ligjet e mëparshme kishin përcaktuar, për efekt pensioni, një pozitë juridike dhe ekonomiko-financiare më të favorshme se për disa kategori të tjera punonjësish, duke formuluar edhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Ndërkaq, ishin përcaktuar gjithashtu edhe kriteret e caktimit të pensioneve që merrnin në konsideratë gradën, pagën referuese, vjetërsinë në shërbim si ushtarak etj. Duke u dhënë akteve fuqi prapavepruese (rëndom dhe jo si përjashtim), sidomos në rastet kur aktet e reja sjellin efekte të pafavorshme për subjektet që preken prej tij, do të cenohet parimi i sigurisë juridike dhe, rrjedhimisht, do të shkelet parimi i shtetit të së drejtës. Edhe për çështjen në shqyrtim, dhënia e fuqisë prapavepruese për ligjin ka cenuar sigurinë juridike dhe të drejtat e fituara, sepse ka ulur masën e pensioneve në raport me ligjin e mëparshëm.[19]

E kundërta ndodh sa i takon të drejtës për pension suplementar, e cila konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese si objektiv social dhe, si tillë, nuk gëzon garancitë kushtetuese, por i përket sferës së ligjvënësit rregullimi i saj, sipas aftësive dhe mjeteve financiare që shteti disponon. Kështu, në çështjen me objekt shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009” “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, Gjykata Kushtetuese është shprehur, se: Gjykata vlerëson se natyra e sigurimit shoqëror suplementar është e ndryshme nga sigurimi shoqëror bazë. Qëllimi i të parit është shmangia e pasojave negative në ushtrimin e funksionit të një kategorie të caktuar të punonjësve si dhe garantimi e ruajtja e të ardhurave për sigurimin e nevojave jetike të tyre. Ndërsa sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar (Shih vendimet nr.33/2010 dhe 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese). Për këtë arsye, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim.[20]

Nga kjo rrjedh se për objektivat socialë, përfshirë këtu të drejtën për pension suplementar, ligjvënësi brenda mundësive buxhetore të tij mund të kryejë ndryshime ligjore që përkeqësojnë masën e përfitimit të pensionit suplementar, dhe në këtë rast ky ndryshim nuk ndesh kufizimet kushtetuese, sidomos të parimit të sigurisë juridike. Sidoqoftë, edhe në këto raste ligjvënësi duhet të respektojë disa kufizime: Gjykata rithekson, gjithashtu, se një kusht tjetër që duhet të respektojë ligjvënësi gjatë ndërhyrjes në një situatë të rregulluar më parë është edhe respektimi i raportit të drejtë midis ndërhyrjes dhe gjendjes/situatës që e ka diktuar atë. Ky kusht e imponon ligjvënësin të evidentojë nevojën reale të ndërhyrjes në të drejtat individuale në një situatë konkrete. Kjo shpjegon faktin që, edhe pse në çështjen në fjalë ligji objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese parashikon një situatë më pak të favorshme për përfitimin e masës së pensionit suplementar, ai qëndron në fuqi, pasi passjell ndryshime dhe cenon në këtë rast një objektiv social.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Gjykata Kushtetuese sa i takon të drejtës për përfitim financiar nga statusi i të verbrit. Me këtë rast, Gjykata Kushtetuese fillimisht ka sqaruar më së miri ndryshimin ndërmjet të drejtave dhe lirive ekonomiko-sociale nga njëra anë, dhe objektivat socialë nga ana tjetër:[21] Përmbajtja e të drejtave ekonomiko-sociale, që për nga natyra janë të drejta pozitive, duhet interpretuar në lidhje të ngushtë me detyrimin e shtetit për t’u bërë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevojat jetësore në rastet e fatkeqësive, të sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar. Shteti, me qëllim garantimin e dinjitetit njerëzor, të një niveli të pranueshëm jetese, si dhe ruajtjen e interesave të të gjitha shtresave të shoqërisë, mund të ndryshojë mekanizmin e realizimit të këtyre të drejtave, veçanërisht kur nuk ka mundësi financiare për rishpërndarje proporcionale të fondeve në dispozicion, ose kur këto masa diktohen nga nevoja për të eliminuar apo parandaluar rreziqe reale ndaj sigurisë ekonomike. Në çdo rast, këto kufizime nuk duhet të cenojnë thelbin e së drejtës dhe duhet të respektojnë kërkesat kushtetuese të parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës. Pra, në çdo rast, duke qenë se të drejtat ekonomiko-sociale janë të drejta themelore këto gëzojnë të gjitha garancitë kushtetuese, edhe pse ndryshimet ligjore që përkeqësonjë masën e përfitimit të tyre mund të diktohen nga kriza ekonomike apo mungesë fondesh, përsëri ato gëzojnë mbrojtjen kushtetuese të garantimit të thelbit të tyre. Sipas qëndrimit të konsoliduar të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese mbrojtja sociale sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë realizohet në dy forma: përmes të drejtave sociale dhe përmes objektivave socialë: Mbrojtja sociale realizohet edhe përmes përmbushjes së objektivave socialë që shteti synon të realizojë, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësive private. Midis të tjerash, ato përfshijnë edhe synimin për riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës. Kushtet dhe masa në të cilat mund të kërkohet realizmi i objektivave sociale i përket rezervës ligjore absolute, pra rregullimit me ligj të miratuar nga ligjvënësi.

Në këtë vendim Gjyakata Kushtetuese arrin të bëjë një ndarje të qartë ndërmjet dy kategorive, të drejtave sociale dhe objektivave socialë, këta të fundit, duke mos u klasifikuar si të drejta themelore përjashtohen edhe nga juridiksioni kushtetuese: në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se të drejtat sociale dallojnë nga objektivat socialë, pasi këta të fundit janë shprehje e qëllimeve të shtetit dhe parimeve të politikave të hartuara prej tij për orientimin e veprimtarisë në përgjithësi dhe, veçanërisht, të politikave sociale. Objektivat socialë janë shprehje e veprimit pozitiv të shtetit në favor të personave me aftësi të kufizuara dhe, për rrjedhojë, realizimi i tyre është ngushtësisht i lidhur me kushtet, mjetet dhe mundësitë e disponueshme buxhetore të shtetit.  Në përfundim të arsyetimit të mësipërm, Gjykata vlerëson se përmbushja e objektivave socialë nuk përfshihet në rrethin e çështjeve që i përkasin juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, pretendimi i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë për cenimin e parimit të sigurisë juridike si rezultat i mënyrës së llogaritjes së pagesës për shkak të verbërisë nga VKM-të objekt kundërshtimi, është i pabazuar dhe, si i tillë, duhet rrëzuar.

Ndërsa sa i takon të drejtave të tjera, përfitimeve të tjera shtesë, që i shtohen mbrojtjes sociale bazë të kësaj kategorie personash, siç janë përfitimi i kompensimit për transportin, telefonisë fikse etj.  Gjykata Kushtetuese, duke konfirmuar edhe njëherë jurisprudencën e saj të konsoliduar në këtë drejtim, shprehet se ndryshimet ligjore që kanë ndryshuar qoftë në drejtim të përkeqësimit të situatës financiare të përfitimeve financiare të mësipërme, i ka konsideruar kushtetuese, pasi hyjnë në rrethin e çështjeve që nuk kanë mbrojtjen kushtetuese sociale, por si objektiva socialë, realizimi i të cilave, varet kryesisht nga mundësitë ekonomiko-financiare të shtetit. Në këto rrethana, edhe në rastin objekt shqyrtimi, Gjykata vlerëson se natyra e përfitimit të kompensimit për shërbimin e transportit, energjinë elektrike dhe telefoninë fikse për shkak të aftësisë së kufizuar të personave të verbër, është shprehje e mbrojtjes sociale, e realizuar përmes përmbushjes së objektivave socialë, në kuptim të nenit 59 të Kushtetutës.[22] Ky përfitim, si objektiv social, përmbushet brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon Këshilli i Ministrave. Për pasojë, pretendimi i kërkuesve për cenim të parimit të sigurisë juridike, është i pabazuar dhe si i tillë, duhet rrëzuar.  

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Gjykata Kushtetuese edhe sa i takon të njëjtave përfitime financiare të mësipërme që i takonin  personave të tjerë me aftësi të kufizuar, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, por që ndryshimet ligjore përkeqësuan masën e kompensimit financiar për disa shërbime: Gjykata vlerëson se natyra e përfitimit të kompensimit për shërbimin e transportit, energjinë elektrike dhe telefoninë fikse për shkak të aftësisë së kufizuar, është shprehje e mbrojtjes sociale e realizuar përmes përmbushjes së objektivave socialë, në kuptim të nenit 59 të Kushtetutës.[23] Ky përfitim, si objektiv social, përmbushet brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon Këshilli i Ministrave. Për pasojë, pretendimi i kërkuesve, për cenim të parimit të sigurisë juridike, është i pabazuar dhe si të tillë, duhet rrëzuar.  

Po sipas Gjykatës Kushtetuese, çdo lloj përfitimi ekonomik shtesë, që i bashkëlidhet mbrojtjes shoqërore bazë, ka natyrën e objektivit social dhe çdo ndryshim ligjor që cenon masën e përfitimit të tyre është kushtetues, pasi diktohet dhe varet nga mundësitë financiare të shtetit. Në vlerësimin e Gjykatës, ky lloj përfitimi financiar, i cili i përket grupit të përfitimeve shtesë që iu paguhen të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, është i një natyre ngushtësisht personale, i patransferueshëm, i patrashëgueshëm dhe është i dallueshëm nga pagesat apo përfitimet e tjera të këtyre kategorive [...][24] Në vijim, Gjykata vlerëson se të drejtat me natyrë ekonomiko-sociale dallojnë nga objektivat socialë, pasi këta të fundit nuk kanë të bëjnë me çështje të titullaritetit ndaj shërbimeve në kuadër të mbrojtjes sociale, por janë shprehje e qëllimeve të shtetit dhe parimeve të përcaktuara prej tij për orientimin e politikave sociale. Objektivat socialë reflektojnë veprimtarinë pozitive të shtetit në kuadrin social dhe realizimi i këtyre objektivave është ngushtësisht i lidhur me kushtet, mjetet dhe mundësitë e disponueshme buxhetore të shtetit. Në çështjen konkrete, Gjykata çmon se masa e përfitimit mujor për të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët është shprehje e realizimit të mbrojtjes sociale përmes përmbushjes së objektivave socialë, në kuptim të nenit 59 të Kushtetutës. Ky përfitim nuk është element përbërës i pagës dhe as i barasvlershëm me të, ndaj si objektiv social përmbushet brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon shteti.

            Në fushën e objektivave socialë hyjnë dhe fusha dhe veprimtari të tjera, që nuk lidhen domosdoshmërisht me ndërhyrjen aktive financiare të shtetit. Si objektiv social së fundi në praktikën e Gjykatës Kushtetuese është kualifikuar edhe “gjuetia”: Gjykata, për të përcaktuar natyrën dhe thelbin e së drejtës, që pretendohet të jetë cenuar, e sheh me vend t`i referohet ligjit nr.10253, datë 11.03.2010 “Për gjuetinë”, i cili në nenin 1 e përcakton gjuetinë si një veprimtari tradicionale, sportive, çlodhëse dhe turistike.[25] Në këtë kuptim, sipas Gjykatës, nuk bëhet fjalë për një veprimtari me natyrë kushtetuese, cenimi i së cilës sjell kufizimin e një të drejte themelore kushtetuese, por për një veprimtari me natyrë sociale. Sipas nenit 59 të Kushtetutës shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon, mes të tjerash, edhe  zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse (pika 1, shkronja “ë”). Sipas pikës 2 të këtij neni përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë dhe është ligji që përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave. Në kuadrin e përpjekjeve për të përmbushur objektivat socialë, është e drejtë legjitime e vetë shtetit rregullimi i sistemit të mbrojtjes sociale, duke hartuar dhe zbatuar politikat dhe strategjitë sociale. Ligjvënësi duhet të çmojë vetë, sipas përparësive që ai ka vendosur për zhvillimin ekonomik e shoqëror, se cilat janë format më të përshtatshme për balancimin e interesave, duke bërë edhe diferencimet e arsyeshme, pa cenuar parimet dhe normat kushtetuese. Kushtet dhe masa në të cilat mund të kërkohet realizimi i objektivave socialë i përket rezervës ligjore absolute, pra rregullimit me ligj të miratuar nga ligjvënësi (shih vendimet nr.34, datë 28.05.2012; nr.1, datë 06.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese). Duke e cilësuar gjuetinë jo si të drejtë kushtetuese, por si objektiv social, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar si kushtetuese ndërhyrjen e ligjvënësit për të kufizuar me ligj (moratorium) për një afat të caktuar gjuetinë dhe, kjo e fundit (“e drejta për gjueti”), nuk gëzon mbrojtjen kushtetuese si e drejtë themelore për të ruajtur thelbin e saj.

            Po ashtu “e drejta për strehim” sipas Kushtetutës sonë është një objektiv social, në bazë të nenit 59/b (plotësimi i nevojave të shtetasve për strehim). Gjykata Kushtetuese do të shprehet në lidhje me këtë të drejtë, kur u investua nga Shoqata e qiramarrësve në shtëpitë shtetërore ish-pronë private, për të kundërshtuar aktin normativ të qeverisë, i cili i detyronte banorët qiramarrës të lironin këto banesa në favor të pronarëve të shpronësuar nga shteti. Në kuadrin e përpjekjeve për të përmbushur objektivat socialë, është e drejtë legjitime e vetë shtetit të rregullojë sistemin e mbrojtjes sociale, duke hartuar dhe zbatuar politikat dhe strategjitë sociale. Në këtë kuptim, ligjvënësi duhet të çmojë vetë, sipas përparësive që ai ka vendosur për zhvillimin ekonomik e shoqëror, se cilat janë format më të përshtatshme për balancimin e interesave duke bërë edhe diferencimet e arsyeshme, pa cenuar parimet dhe normat kushtetuese (shih vendimin nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Në çdo rast, këto rregullime duhet të përputhen me parimet, vlerat dhe standardet kushtetuese dhe me detyrimet që burojnë nga Karta Sociale Evropiane, që janë barazia, drejtësia sociale, respekti për të drejtat e njeriut dhe ndalimi i diskriminimit, parime që gjenden të mishëruara edhe në Kushtetutë.[26] Gjykata Kushtetuese i referohet në këtë vendim edhe akteve ndërkombëtare, si Karta Sociale Evropiane, për të përforcuar parimet e shtetit social të përqafuara nga Kushtetuta jonë qysh në preambulën e saj.

            Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka njohur një lloj hierarkie ndërmjet të drejtës për strehim si një e drejtë sociale e “kushtëzuar” ose e “kufizuar”, që në fakt hyn në kategorinë e objektivave socialë, dhe të drejtës së pronës si e drejtë themelore kushtetuese që i përket kategorisë së të drejtave civile par exellence. Në këtë kontekst ajo njeh prevalencën e së drejtës së pronës kundrejt të drejtës për strehim. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se konteksti në të cilin është trajtuar më parë e drejta për strehim e qiramarrësve, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, është i ndryshëm nga konteksti i rastit objekt shqyrtimi, ku e drejta për strehim ballafaqohet me të drejtën legjitime të pronarëve për të gëzuar të qetë dhe pa asnjë kufizim pronën e tyre.

            Kjo Gjykatë vazhdon më tej, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut se e drejta për strehim kërkon ndërhyrjen ose detyrimin pozitiv të shtetit, por ky detyrim është një detyrim i kufizuar dhe jo absolut, ai realizohet brenda mundësive dhe mjeteve financiare të shtetit: Ndonëse çdo detyrim pozitiv i shtetit për të strehuar të pastrehët duhet të jetë i kufizuar (shih vendimin e  GJEDNJ-së në çështjen “O’Rourke kundër Mbretërisë së Bashkuar”), Gjykata konstaton se, në rastin konkret, detyrimi pozitiv për të plotësuar nevojat për strehim të qiramarrësve konsiston në dhënien e kredisë me afat deri 30 vjet, me 0 (zero) % interes vjetor[....].

            Megjithatë, duhet patur parasysh se, e drejta për strehim në mënyrë të tërthortë mund t’i sigurohet mbrojtja gjyqësore në kuadrin e të drejtave dhe detyrimeve civile, kur personi i pastrehë mund të kërkojë përfitim nga skema e strehimit të të pastrehëve. Kështu ka ndodhur me çështjen [27]F. Ali Kundër Mbretërisë së Bashkuar (2015), ku në fakt e drejta për strehim që kishte kërkuar znj. Ali me shtetësi britanike, autoriteteve të strehimit të qytetit të Birmingamit, u kualifikua nga ana e Gjykatës së Strasburgut si një “e drejtë civile” për qëllimet e nenit 6/1 të Konventës. Pasi iu njoh e drejta e aksesit në Gjykatë kërkuesit në lidhje me të drejtën për strehim, Gjykata e Strasburgut e konsideroi legjislacioni britanik për strehimin në pajtim me nenin 6 të KEDNJ-së. Pavarësisht kësaj, kjo nuk zbeh natyrën sociale të së drejtës për strehim, por se kualifikimi si e drejtë civile - nga ana e Gjykatës së Strasburgut - bën që t’i ofrohet mbrojtje gjyqësore kësaj të drejte.

           

             Konkluzione

 

Të drejtat sociale janë cilësuar nga pikëpamja e klasifikimit kronologjik të të drejtave themelore, si të drejta të gjeneratës së dytë. Ato u afirmuan vetëm  me lindjen e shtetit social. Ky i fundit lind pas perëndimit të formës së shtetit liberal, fillimisht me Kushtetutën e Vajmarit (1919), ku parashikohen për herë të parë të drejtat sociale, e mandej në pothuajse të gjitha kushtetutat liberal-demokratike të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ekzistenca dhe mbrojtja kuhtetuese e të drejtave sociale, sipas teoricienëve më në zë, është në fakt parakushti themelor për gëzimin më pas të të drejtave dhe lirive themelore. Pluralizmi shoqëror është i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, gjithashtu zbutja e pabarazive shoqërore, përmes garantimit të të drejtave sociale, bën të funksionojë sistemi demokratik. Mungesa e të drejtave sociale është përcaktuese në ndryshimin e formës së shtetit, nga demokraci liberale, në forma të tjera të sistemit politik të natyrës oligarkike, despotike, autoritare etj. Pa njohjen dhe mbrojtjen kushtetuese të të drejtave sociale, sistemi demokratik nuk mund të funksionojë, ndaj arrijmë në përfundimin se të drejtat sociale janë postulat i funksionimit të demokracisë.

Lidhur me natyrën e të drejtave sociale dokrina kushtetuese nuk ka një mendim të njëzëshëm, për t’i klasifikuar ato si të drejta themelore. Disa nga kritikat që ngrihen lidhen me mungesën e një titullari për realizimin e tyre. Të drejtat sociale që të realizohen kërkojnë ndërhyrjen financiare aktive të shtetit. Gjithashtu, sa i takon masës së realizmit dhe mbrojtjes së tyre kjo kushtëzohet nga të ardhurat buxhetore të një vendi, ndaj të drejtat sociale janë të drejta të kushtëzuara dhe nuk mund të kenë natyrë themelore.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë mbrojtja sociale realizohet përmes dy formave kryesore. Së pari, përmes të drejtave sociale themelore ose që i përkasin mbrojtjes shoqërore bazë. Këto të drejta parashikohen në Pjesën e Dytë të Kushtetutës kushtuar të drejtave themelore, në Kreun e katërt të saj. Ato sipas Kushtetutës dhe juriprudencës kushtetuese kanë natyrë themelore dhe gëzojnë mbrojtje kushtetuese, e cila garantohet përmes mbrojtjes gjyqësore të tyre dhe mbrojtjes së thelbit të tyre nga çdo ndryshim i ligjvënësit. Së dyti, përmes realizimit të objektivave socialë, këta të fundit janë objektiva dhe programe, realizimi i të cilave varet ose kushtëzohet nga mundësitë financiare të vetë shtetit; këta nuk kanë natyrë themelore dhe nuk gëzojnë garancitë kushtetuese që lidhen me të drejtat themelore. Megjithatë, jemi të mendimit se përtej emërtesës dhe terminologjisë që është përdorur, edhe objektivat socialë janë të drejta sociale, që parashikohen nga Kushtetuta në Kreun e Pestë të Pjesës së Dytë të saj, por të drejta të kushtëzuara; janë të drejta që sanksionohen në Kushtetutë, por nuk kanë natyrë themelore. Kjo është një veçori e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Duke qenë se të drejtat sociale janë të drejta themelore, kontrolli i ndërhyrjes së ligjvënësit mbi këto të drejta i përket juridiksionit kushtetues. Ndërsa objektivat socialë i përkasin tërësisht sferës së ligjvënësit për rregullimin e tyre dhe, sipas jurisprudencës kushtetuese, nuk hyjnë në juridiksionin kushtetues.

Së fundi, kur flasim për të drejtat sociale, debati reduktohet te e drejta për të jetuar në mënyrë dinjitoze për çdo individ. Pra, te garantimi i minimumit jetik. Mungesa e parashikimit dhe e garantimit të minimumit jetik në vendin tonë në nivel ligjor është një mangësi, që duhet korrigjuar sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse, edhe kemi një Kushtetutë demokratike dhe sociale, por nga ana tjetër edhe nuk garantojmë një minimum jetik. Ekzistenca e këtij treguesi përkthehet në ekzistencën fizike të qenies njerëzore, ashtu si edhe në mundësinë për të mbajtur marrëdhënie ndërpersonale dhe një shkallë minimale të pjesëmarrjes së individit në jetën shoqërore, kulturore dhe politike. Ky është minimumi jetik i shprehur me fjalët e Gjykatës Federale Kushtetuese gjermane dhe, sipas mendimit tonë, ky është postulati i demokracisë. 

-------------------------------------------------

 

Literatura:

                                                                                                               

      Akte normative

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

- Kushtetuta e Republikës Federale Gjermane

 

Doktrinë

- J. Rawls, A theory of justice, Harvard University Press, 1971

- S. Holmes, C.R. Sunstein, The cost of rights: Why liberty depends on Taxes, W.W Norton, New York 1999

- D. Roman, La justiciabilité des droits sociaux ou les enjeux  de l’[dification d’un Etat de droits social, botuar në revistën, Le revue des droits de l’homme, 1/2012

- M.Luciani, Diritti sociali e livelli essenziali delle prestazioni pubbliche nei sessant’anni della Corte costituzionale, publikuar në Revistën AIC Nr. 3/2016, www.aic.it.

- F. Biondi del Monte, Lo stato sociale di fronte alle migrazioni. Diritti sociali, Appartenenza e dignità della persona.  Convegno Diritti sociali: dal riconoscimento alla garanzia. Il ruolo della giurisprudenza, Trapani 8-9 giugno 2012, publikuar në faqen, www.gruppodipisa.it

- F. Alicino, Il diritto al cibo. Definizione normativa e giustiziabilità, publikuar në revistën  www.rivistaaic.it Nr. 3/2016

- L.Carlassare, Forma di Stato e diritti fondamentali, publikuar në revistën Quaderni costituzionali, 1995

- C.Salazar, Dal riconoscimento alla dei diritti sociali. Orientamenti e tecniche decisorie della Corte costituzionale a confronto, Giappichelli, Torino 2002

- S.Gambino, Crisi economica e diritti sociali (con particolare riguardo al diritto alla salute, all’assistenza sociale e all’istruzione), te revista  Diritto Pubblico Comparato ed Europeo, Dossier VI, Torino Giappichelli 2015

- F.Pallante, Gli stranieri e il diritto all’abitazione, publikuar në faqen;

www.costituzionalsmo.it   Fascicolo n. 3/2016

-          http://www.avokatipopullit.gov.al/sites/default/files/RaportMonitorimi/studimi%20per

20minimumin%20jetik.pdf

 

Jurisprudencë

- Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë: nr. 41/2017; nr. 10/2008;

nr. 34/2012; nr. 37/2012; nr. 1/2013; nr. 2/2013; nr. 10/2013; nr. 14/2013; nr. 36/2017

- BVerfG:2012:ls20120718.1bvl001010 Vendim i Gjykatës Kushtetuese gjermane

- Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për çështjen F.Ali Kundër Mbretërisë së Bashkuar

(2015)

 

 

 



[1]Të drejtat eknomike sociale do të konsiderohen si të drejta themelore ose kushtetuese në rastet kur janë sanksionuar nga Kushtetuta, dhe do të konsiderohen si të drejtat e njeriut në rastet kur sanksionohen nga aktet apo dokumentet ndërkombëtare

[2] Cituar nga autorja F. Biondi del Monte, Lo stato sociale di fronte alle migrazioni. Diritti sociali, Appartenenza e dignità della persona.  Convegno Diritti sociali: dal riconoscimento alla garanzia. Il ruolo della giurisprudenza, Trapani 8-9 giugno 2012, publikuar në faqen, www.gruppodipisa.it, f. 2  

[3] Vendimi nr. 10/2008 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

[4] Bëhet fjalë për nenin 12 të Kushtetutës së Nigerit, neni 23 i Kushtetutës së Maldiveve i referohet të drejtës për ushqim të përshtatshëm, por edhe ujë të pijshëm të pastër, neni 13 i Kushtetutës së Ekuadorit flet për të drejtën për ushqim të shëndetshëm  etj., për më tepër shih; F. Alicino, Il diritto al cibo. Definizione normativa e giustiziabilità, publikuar në revistën  www.rivistaaic.it Nr, 3/2016, f. 3

[5] J. Rawls, A theory of justice, Harvard University Press, 1971, f.76

[6] M.Luciani, Diritti sociali e livelli essenziali delle prestazioni pubbliche nei sessant’anni della Corte costituzionale, publikuar në Revistën AIC Nr. 3/2016, www.aic.it f. 7

[7] L.Carlassare, Forma di Stato e diritti fondamentali, publikuar në revistën Quaderni costituzionali, 1995, f. 43

[8]D. Roman,  La justiciabilité des droits sociaux ou les enjeux  de l’[dification d’un Etat de droits social, botuar në revistën, Le revue des droits de l’homme, 1/2012, f. 3

[9] C.Salazar, Dal riconoscimento alla garanzia dei diritti sociali. Orientamenti e tecniche decisorie della Corte costituzionale a confronto, Giappichelli, Torino, 2002, f. 123

[10] S. Holmes, C.R. Sunstein, The cost of rights: Why liberty depends on Taxes, W.W Norton, New York, 1999, f. 26

[11] S.Gambino, Crisi economica e diritti sociali (con particolare riguardo al diritto alla salute, all’assistenza sociale e all’istruzione), te revista  Diritto Pubblico Comparato ed Europeo, Dossier VI, Torino Giappichelli 2015, f. 96

[12] M.Luciani, vep.cit., f. 7

[14] F.Pallante, Gli stranieri e il diritto all’abitazione, botuar tek Costituzionalsmo.it, Fascicolo n. 3/2016, f. 146

[15] ttp://www.avokatipopullit.gov.al/sites/default/files/RaportMonitorimi/studimi%20per%20minimumin%20jetik.pd

[16] Po aty, f. 8

[17] Vendimi nr. 41/2007 i Gjykatës Kushtetuese

[18] Vendimi nr. 9/2007 i Gjykatës Kushtetuese

[19] Po aty, vendimi i mësipërm

[20] Vendimi nr. 2/2013 i Gjykatës Kushtetuese

[21] Vendimi nr. 34/2012 i Gjykatë Kushtetuese

[22] Vendimi nr. 14/2013 i Gjykatës Kushtetuese

[23] Vendimi nr. 10/2013 i Gjykatës Kushtetuese

[24] Vendimi nr. 37/2012 i Gjykatës Kushtetuese

[25] Vendimi nr. 36/2017 i Gjykatës Kushtetuese

[26] Vendimi nr. 1/2013 i Gjykatës Kushtetuese

[27] Për më tepër shih çështjen F. Ali Kundër Mbretërisë së Bashkuar (2015) të Gjykatës së Strasburgut