H A R M O N I Z I M E

 

Av. Dr. Brikena KASMI

Anëtare e Dhomës së Avokatisë,

Tiranë

 

Aksesi nëpërmjet Internetit

 

Në erën dixhitale, teknologjia për garantimin e një shërbimi ecën me ritme më të shpejta se sa hartimi i legjislacionit shoqërues. E kam fjalën këtu edhe për sfidën e legjislacionit për t’iu përshtatur kërkesave të sistemeve të ndryshme teknologjike. Çështja Delfi kundër Estonisë, e ndryshme nga paraardhëset Google, L’oreal, Ebay, ka prodhuar një debat sfidë për avokatët e medias. Ky debat konsiston në ndarjen e roleve dhe funksioneve të lirisë së shprehjes në funksion të një medie të lirë dhe të pavarur, si edhe tregtimit në internet të informacioneve të ndryshme.

Nga njëra anë portali në internet i një gazete është shërbim mediatik i një shoqërie informacioni, dhe nga ana tjetër është një shërbim thjesht transmetimi të informacionit nga përdoruesit tek publiku ISISP (Internet Society Information Service Provider).[1]

Facebook, Twitter, Insta, AirBNB, Google home MINI apo Amazon Echo Dot janë platformat më të reja të shpikura nga njerëzimi, funksioni i parë i të cilëve është plotësimi i nevojave të publikut për komunikim, ndërveprim, opinione, blerje, socializim, etj.

Bashkë me plotësimin e nevojave, këto shpikje paraqesin sfidën e rregullimit ligjor për të shmangur cënimin e të drejtave themelore të individit. Rregullimi ligjor si funksion parësor ka kufizimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit nëpërmjet ligjeve të mirëpërcaktuara dhe të miratuara paraprakisht. Aktualisht profesorët e shquar të të drejtës së medias janë përfshirë në debatin juridik që ndryshe quhet ‘paanshmëria e rrjetit’[2]. Debati filloi nga profesori i universitetit të Kolumbias Tim Wu i cili përcaktoi shërbimin e internetit si një shërbim publik informacioni. Sipas tij, shërbimi i internetit është i ngjashëm me shërbimin e ujit, gazit, telefonisë, transportit. Ky gjykim e shtyu rregullatorin amerikan (FCC) që në 2015 - n të miratonte rregulla të detyrueshme për paanshmërinë e rrjetit. Rregullat kërkonin nga ofruesit e shërbimit e internetit dhe/apo me bandë të gjerë, që të mos kufizonin dhe të trajtonin njësoj të gjitha informacionet, videot, lojërat, komentet apo çdo përmbajtje që ngarkohej dhe/apo transmetohej në internet. Subjekt i ankimeve të vazhdueshme për këto rregulla ishin kompanitë e fuqishme të shpërndarjes së internetit me bandë të gjerë si Verizone wireless për ngadalësimin e videove në Netflix apo Youtube, AT&T për ngadalësimin e FaceTime, Comcast për ngadalësimin e P2P etj.

Paanshmëria e rrjeti [3] u sfidua në fundin e vitit 2017, për shkak të pretendimeve në lidhje me komentet e identiteteve të rreme në Internet.[4]Kundërshtarët kryesorë të ‘paanshmërisë së rrjetit’ mbështetën argumentet në favor të konkurrencës së lirë dhe zhvillimit inovator. Nëse interneti do të rregullohet si uji apo transporti publik dhe do të konsiderohet shërbim publik, kjo do të ngadalësonte zhvillimin inovator dhe kompanitë kryesore do të humbin interesin për progres. Por shpërndarja e informacionit prej kohësh, që në fillim të viteve 1990, së bashku me avantazhet dhe përfitimet ka sjellë edhe shqetësimin e cënimit të jetës private. 

Nga njëra anë shpikjet inovatore ndihmojnë në lirinë e shprehjes dhe forcimin e konkurueshmërisë në biznesin e kompanive të informacionit (medias), dhe nga ana tjetër zhvillimi i vrullshëm e i teknologjisë përbën një risk potencial për respektimin e jetës private, si edhe shkeljen e të dhënave personale. Doktrina ka pranuar dhe legjislacioni ka rregulluar se, Liria e shprehjes nuk është një e drejtë absolute. Jurisprudenca e GJEDNJ - së ka theksuar gjithmonë rolin e kësaj të drejte në raport me respektimin e të drejtave të tjera. Disa nga të drejtat e tjera që kufizojnë zbatimin e lirisë së shprehjes, përveç të drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare janë: e drejta për një proces të rregullt gjyqësor; e drejta e pronës; rregullimi i tregut, infrastrukturës së shërbimit të medias; rregullimet përmbajtjesore sipas mjeteve të ndryshme të medias; rregullimet e profesionit të gazetarit; mosdiskriminimi; e drejta e jetës; apo e drejta për tu organizuar.

 

Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat të Njeriut

 

Respektimi i jetës private dhe familjare përbën një nga kufizimet më të shpeshta të lirisë së shprehjes. Në disa sisteme ligjore ky kufizim është i shprehur në ligj.[5] Ndërsa parashikimet e përgjithshme të kufizimit i gjejmë të shprehura në ligj, zbatimin e tyre në praktikë e gjejmë të konsoliduar në jurisprudencën e gjykatave. Në sistemin Evropian, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut[6] ka shpjeguar në arsyetimet e vendimeve të saj rastet e kufizimit të lirisë së shprehjes në përputhje me nenin 10, si edhe përparësinë që ka respektimi i jetës familjare dhe private në përputhje me nenin 8 të Konventës.

Neni 8 i KENDJ parashikon, se: 1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. 2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Gjykata në formimin e jurisprudencës së saj ka paraqitur në vazhdimësi disa kritere që shërbejnë për të bërë testin e shkeljes së lirisë së shprehjes. Në këtë kuadër, ky test shërben për të pasur si garanci vetjake që individi gëzon në lidhje me të drejtat e tij për një jetë familjare, private. Përhapja e informacioneve që lidhen me jetën private përbëjnë një kufizim[7] të fortë të lirisë së shprehjes. Përjashtimisht në çështjen Lingens vs. Austria,[8] Gjykata ka pranuar se në rastet kur aplikanti (ankuesi) është person publik, liria e shprehjes do të ketë përparësi në respektimin e saj, krahasimisht me të drejtën për jetë private që mbrohet nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithëse gjykatat e çdo sistemi, GJEDNJ apo dhe gjykatat kombëtare, praktikën e tyre të konsolidimit në zgjidhjen e konfliktit e zhvillojnë ndërmjet lirisë së shprehjes dhe të drejtës për respektimin e jetës private, zhvillimi i teknologjisë është shpesh më i shpejtë dhe ecën me ritme shumëfish më të larta.  Debati mbi raportin e të drejtës për informim dhe jetës private është ngritur vitet e fundit në një standard tjetër, në atë të zbulimit të personalitetit dhe evidentimit të karakteristikave, profileve dhe pëlqimeve të individit.

Shpikjet teknologjike si ‘Hi Google’ apo ‘hello Alexa’ kanë thyer muret e shtëpive tona. Tashmë jetojmë në një botë pa mure. Muret ndarëse të shtëpisë janë një perceptim thjesht fizik, por ato nuk sigurojnë më një jetë private të ndarë nga kolektivi. Debatet online në lidhje me përgjimin e platformave të ndryshme për qëllime reklamimi janë konsideruar shpesh si teori konspirative. Në shumë faqe interneti, njerëzit janë ankuar se janë përgjuar në lidhje me pëlqimet e tyre. Dhe derisa të mos ketë një ligj të shkruar apo një vendim gjykate, që konfirmon njërën apo tjetrën anë të debatit, ato mbeten teori konspirative. Për shembull, KB [9] ankohej se ajo vazhdimisht kishte folur, por nuk kishte postuar në asnjë vend online në lidhje me dëshirën e saj për të pasur një mace. Pas kësaj, ajo kishte filluar të shihte shpesh reklama me dyqane macesh apo mace në çdo faqe interneti që ajo klikonte.

Krijimi i profilit të blerësve potenciale për qëllime reklamimi është një nga akuzat e përditshme ndaj gjigantëve të medias si Facebook [10] Fortune 500 apo Amazon. Çështjet, që në fillim të viteve 2000 u shfaqën si një shqetësim i vogël në lidhje me shitjet online dhe reklamimin e biznesit, sot janë përqendruar në disa aspekte kryesore. Për qëllime të këtij artikulli do të arsyetojmë vetëm pesë prej këtyre aspekteve.

 

Të dhënat personale kundrejt qëllimeve të biznesit

 

Aspekti i parë lidhet me krijimin e profileve për qëllime biznesi pa pëlqimin e përdoruesit të internetit konsumator. Përdoruesit e internetit më së shumti fillojnë përdorimin e internetit për qëllime të shpërndarjes së informacionit, apo të informimit mbi jetën kulturore, sociale, ekonomike si edhe të ndërveprimin social. Këto qëllime janë bërë më të lehta falë teknologjisë dhe mekanizmave që ofrohen nga gjigantët mediatikë si Facebook, Twitter, Instagram apo rrjete të tjera. Sipas portalit më të madhe të statistikave statista.com, numri i përdoruesve të Facebook në tremujorin e katërt të 2017 arriti në 2.2 bilionë përdorues aktivë në muaj. Mbi 1.74 milionë përdorues e përdorin Facebook nëpërmjet telefonisë së lëvizshme. 

Përdorimi masiv dhe në rritje solli me vete edhe shqetësimin e respektimit të jetës private të individit. Në Shkurt të këtij viti, media botërore u pushtua nga debati mbi çështjen e raportit ndërmjet përdorimit të të dhënave personale të Facebook nga shoqëria Cambridge Analytica. Komisioni Amerikan Federal për Tregtinë (FTC) urdhëroi një hetim “jo publik” mbi Facebook dhe përdorimin e të dhënave personale.

Praktikat e menaxhimit të të dhënave personale janë urat e komunikimit të brishtë ndërmjet qëllimit fitimprurës të biznesit të medias dhe interesit publik mbi lirinë e shprehjes dhe shpërndarjen e informacionit në bazë të garantimit të respektimit të jetës private.  Shërbimi i masmedias ka disa veçori kryesore, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në ofrimin e vetë shërbimit, si edhe në mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të organeve të masmedias. Këto janë:[11]

                  - Shërbimi ofrohet në mbrojtje të interesit publik.

                  - Shërbimi ofrohet nga sfera private fitimprurëse (përjashtimisht institucionet shtetërore/publike).

                  - Shërbimi duhet të funksionojë si një mbikëqyrës i shtyllave të tjera të pushtetit, pra, të pushtetit ekzekutiv, atij ligjvënës dhe atij gjyqësor.

                  - Shërbimi duhet të ketë rol informues, argëtues, investigues, edukativ, kulturor, shkencor, sipas vetive të komunitetit të një vendi.

                  - Shërbimi duhet të jetë i pavarur nga çdo ndërhyrje tjetër, qoftë edhe të interesave fitimprurëse të personave që e drejtojnë këtë shërbim (përfshi aksionarët, drejtorët, pronarët).

Themeli i debatit ndërmjet balancimit të qëllimit fitimprurës të biznesit të medias dhe interesit publik të lirisë së shprehjes është transferuar tashmë nga televizionet në rrjetet sociale. Debati dhe hetimet në lidhje me transferimin e të dhënave personale nga Facebook te Cambridge Analytica shkaktuan një tërmet në fitimet e Facebook.  Të dhënat e Shkurtit 2018 raportojnë se interesi në aksionet e Facebook u ul me 13.9%.  Vetëm në mëngjesin e datës 16 mars 2018, interesi i aksioneve të Facebook ra me 6%. Të dhënat raportojnë për një humbje deri në $70 billionë për gjatë një jave. Tronditja e biznesit në bursë dhe luhatja e tregjeve financiare ishte rrjedhojë e cënimit të respektimit të jetës private nëpërmjet përdorimit (sikurse pretendohet) të të dhënave personale të 50 milionë përdoruesve të Facebook nga shoqëria britanike Cambridge Analytica. Ngjarja solli edhe një herë vëmendjen e ligjbërësve në rang botëror, që ata t’i përkushtohen rregullimit të përdorimit të të dhënave nga shpërndarësit e internetit me qëllim që të ruhet balanca ndërmjet qëllimit fitimprurës dhe interesit publik. Qëllimi fitimprurës nuk duhet të avantazhohet nga teknologjia në dëm të respektimit të jetës private. Sigurisht që çështja është ende nën hetim dhe i takon hetimeve të sqarojnë nëse përdorimi i të dhënave personale nga Facebook është kryer në kundërshtim me termat dhe referencat e përcaktuara në marrëveshjet që çdo përdorues lidh online me Facebook.

 

Të dhënat personale kundrejt fushatave politike

 

Aspekti i dytë lidhet me krijimin dhe përdorimin e profileve dhe karakteristikave të pavetëdijshme të përdoruesit të internetit konsumator për qëllime fushatash marketingu, zgjedhore apo politikëbërëse. Skandali i Facebook prodhoi, ndër të tjera, edhe një debat më të thelluar në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Drejtori ekzekutiv i Facebook pohoi në Mars të 2018 - s se Facebook përgjatë viteve[12] kishte ruajtur përmbajtjen e telefonatave dhe mesazheve të disa përdoruesve. Reagimi i menjëhershëm i konsumatorëve solli humbjen e besimit të më shumë se 51% të konsumatorëve te Facebook.

“Teknologjitë e reja kanë sjellë sfida të reja për autoritetet rregullatorë” - ishte ky mesazhi i gjykatëses Margaret McKeown në shqyrtimin e ankesave për ‘paanshmërinë e rrjetit’. Gjykata Federale e Kolumbias (ShBA) vendosi t’i jepte juridiksion Komisionit Federal të Tregtisë për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me përdorimin e të dhënave personale nga shpërndarësit e internetit. Në arsyetimin e vendimit, gjykata ndër të tjera sqaron se një kompani telefonike nuk është më vetëm një kompani telefonike. Transformimi i shërbimeve të informimit dhe funksioni i dyfishtë i teknologjisë dixhitale tregon, se operatorët e telekomunikacionit nuk kanë më një funksion telekomunikimi të mirëfilltë, por ata janë zgjeruar në operimin me bazë interneti, shpërndarjen e videove, prodhim, shërbime dhe pajisje ndërvepruese për argëtim, sigurinë e shtëpisë dhe shumë të tjera”.[13] Për këtë arsye rregullimi apo vetërregullimi duhet të zbatohen menjëherë.

 

Të dhënat personale kundrejt mungesës së legjislacionit kombëtar

rregullues të përdorimit të të dhënave pa pëlqimin e personit

 

Aspekti i tretë është krijimi i profileve dhe orientimi i detyrueshëm pa pëlqimin e vetëdijshëm të përdoruesit të internetit konsumator për qëllimet e biznesit të shpërndarësit të internetit.[14]  Gjithkujt i ka ndodhur që t’i telefonojnë kompanitë e marketingut, duke i sqaruar cilësitë e produkteve apo shërbimeve që ata ofrojnë. Sipas Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, një shoqëri mund të telefonojë përdoruesin e telefonisë vetëm në rast se ky përdorues konsumator e ka kërkuar një gjë të tillë dhe/apo ka shprehur pëlqimin e tij për marrjen e telefonatës apo reklamës, nëpërmjet shërbimit të internetit apo të telefonisë. Në këtë debat janë përfshirë gjigantët e medias online, përveç atyre që njihen në vendin tonë si ‘call centers’. Ndryshe nga ‘call centers’, gjigantët online përdorin mjete apo teknologji më të shpejta dhe më të zhvilluara, që shpesh nuk arrijnë të garantojnë në kohë mos përdorimin abuziv të të dhënave personale, shijeve dhe karakteristikave të përdoruesve konsumatorë. Debati juridik është përqendruar në sasinë e kufizimeve dhe kushteve që duhet të plotësojë një person fizik apo juridik për të përdorur mesazhe, emaile apo shpërndarë informacion pa pëlqimin e tjetrit. Debati shtrihet nga ekstremi i telefonatave për reklamime dyshekësh deri në ekstremin e mesazheve për organizimin e një feste që përfshin 1000 persona të interesuar për një birrë të re. Rregullat dhe praktika e gjykatave lëviz sa në njërin skaj në tjetrin në favor herë të jetës private dhe herë - herë të lirisë së informacionit. Shoqëria Fortune 500, një nga më të njohurat në rankimin vjetor të shoqërive më të suksesshme u përfshi në disa procese gjyqësore.[15] Përdorimi i telefonatave për qëllime të krijimit të listës së shoqërive më të suksesshme për vitin 2017, i shkaktoi asaj një gjobë për cënimin e të dhënave personale nga FCC, e cila më pas u shfuqizua nga gjykata e Distriktit të Kolumbias (ShBA).

 

Të dhënat personale kundrejt piraterisë në Internet

 

Aspekti i katërt është siguria dhe garancia e profileve online. Krijimi i profileve të rreme dhe përdorimi i tyre për orientimin e sondazheve me qëllim përfitimin e një kompanie ka qenë një nga akuzat më të reja gjatë këtij viti për gjigantët e medias. Në nëntor të vitit 2017, Prokurori i përgjithshëm i Shtetit të New York (ShBA), z. Eric Schneiderman hapi hetime në lidhje me komentet e rreme të postuara gjatë konsultimit publik të disa politikave të Rregullatorit Federal të Komunikimeve (FCC). FCC kishte marrë më shumë se 22 millionë komente, shumica e të cilave vinin nga profile të rreme online.[16] Debati juridik i profileve të rreme ka prodhuar pasiguri në sondazhe, politikëbërje dhe në fusha të ndryshme, përveçse mbrojtjes dhe respektimit të jetës private.

 

Të dhënat personale kundrejt politikave ligjore

të rregullimit të përmbajtjes në Internet

 

Aspekti i pestë është krijimi i profilit dhe përdorimi i jetës private nëpërmjet pëlqimeve, postimeve kundër vetë përdoruesit të internetit konsumator. Për shembull, largimet në masë nga puna për shkak të opinioneve të shprehura në rrjete sociale. Disa nga shoqëritë e mëdha të biznesit, në disa raste të jashtëligjshme edhe administrata zyrtare publike, kanë miratuar rregullore që nuk i lejon punonjësit e tyre të shprehen kundër politikës së shoqërisë në rrjete sociale. Gjurmimi i postimeve në rrjete sociale nga persona të punësuar në shoqëritë e mëdha apo administratë publike, në cënim të respektimit të të dhënave personale është kthyer në një frenim dhe vetëkufizim të lirisë dhe jetës private nga përdoruesit konsumatorë. Sipas rrjetit Athletics business, volejbollistja SH, ishte larguar pa të drejtë nga skuadra, për shkak të postimit të fotove shumë seksi të saj në Instagram.[17] 

Teknologjitë e reja kanë vënë në një risk potencial garantimin e të drejtës për punë, palëvizshmërisë në punë dhe mos ndërhyrjes në jetën private. Përkundrejt kësaj, shpërndarësit e internetit (sikurse provohet nga praktikat e shumta gjyqësore) përpunojnë të dhënat personale nëpërmjet krijimit të profileve të detajuara dhe hartimit të karakteristikave të personalitetit të përdoruesit konsumator. Në debatin që po zhvillohet botërisht tashmë mbi raportin e Facebook dhe Cambridge Analytica, drejtori ekzekutiv i shoqërisë Apple, z. Tim Cook, u shpreh, se: “mbajtja e informacionit të detajuar personal të përdoruesve të Facebook nuk duhet të ekzistojë pasi cënon seriozisht lirinë dhe respektimin e jetës private”. Cook shtoi se të dhënat personale dhe garantimi i tyre hyjnë në të drejtat themelore dhe prandaj duhet të mbrohen nga çdo ofrues shërbimi publik.

 

Konkluzione

 

Aspektet e përmendura më sipër janë subjekt ndryshimi të vazhdueshëm në raport me zhvillimet e teknologjisë. Gjithsesi është detyrë e ligjbërësit që të vrapojë pas zhvillimit të teknologjisë. Rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit duhet të krijohet baza ligjore përpara sistemit, tashmë ka ndryshuar bindshëm në favor të zhvillimit të sistemit, pavarësisht ekzistencës së bazës ligjore. Edhe pse politikat rregullatore - sikurse u përmend më lart - përbëjnë një nga kufizimet e lirisë së shprehjes dhe të të bërit biznes, në Shqipëri ende rregullimet e tregut janë larg zhvillimeve të teknologjisë.

Legjislacioni shqiptar për mediat audiovizuale parashikon rregullimet të detajuara në lidhje me reklamimin apo fushatat zgjedhore dhe me qëllime marketingu.  por ndërsa televizioni është zëvendësuar ndjeshëm nga rrjetet sociale, Shqipëria duhet të miratojë rregulla që lidhen me shpërndarjen e informacionit nëpërmjet internetit.  Ky konkluzion mbështetet në gjetjet e studimit të OSBE-së për vendet pjesëmarrëse sipas të cilit në Shqipëri mungojnë mjete raportimi të informacionit të dëmshëm në internet, por ky rast trajtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e policisë së shtetit[18].

Ligji 9918 mbi komunikimet elektronike, përmban disa rregullime në lidhje me detyrimet që kanë operatorët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të cilat përfshihen dhe të dhënat personale.  Nga ana tjetër, Ligji 9157 “Për përgjimin e komunikimeve elektronike” parashikon disa rregulla që detyrojnë operatorët e shpërndarjes së informacionit në internet për të bashkëpunuar me organet shtetërore. Ligji 10128 “Për tregtinë elektronike” parashikon rregullat për kryerjen e veprimeve tregtare në rrugë elektronike, nëpërmjet shërbimeve të ofruara nga shoqëria e informacionit, për mbrojtjen e personave pjesëmarrës, mbrojtjen ligjore të konfidencialitetit të konsumatorëve apo e të dhënave konfidenciale të pjesëmarrësve në të, si dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të shërbimeve të informacionit, duke përcaktuar përgjegjësitë e ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit  edhe pse, ky ligj është përafruar tërësisht me Direktivën 2000/31/EC, “Mbi disa aspekte ligjore të shërbimeve të ofruara nga shoqëria e informacionit, veçanërisht në tregun vendas për tregtinë elektronike”,[19] koordinimi ndërmjet institucioneve për garantimin e të dhënave personale për konsumatorin shqiptar është një boshllëk që duhet të përmbushet nëpërmjet akteve ligjore.

Autoriteti i medias audiovizive përcjell informacion të vazhdueshëm në lidhje me respektimin e të dhënave personale nga ana e medias audiovizive. por ende nuk ka një autoritet mbikqyrës në lidhje me median online apo shërbimet online. Subjektet e regjistruara tregtare janë subjekt monitorimi në lidhje me respektimin e të dhënave personale nga Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale. Përt vitin 2017 Komisioneri,[20]në respektim të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, është shprehur me 22 vendime administrative. Nga këto 22 vendime, për 11 vendime, subjektet përkatëse kanë ekzekutuar vullnetarisht sanksionet administrative. Për 9 vendime të pa ankimuara, Zyra e Komisionerit ka kërkuar ekzekutimin përmbarimor. Ndërsa për 3 vendime, kontrolluesit përkatës kanë ngritur padi në gjykatë për të cilat është ndjekur procesi gjyqësor administrativ. Gjatë vitit 2017[21] pranë Zyrës së Komisionerit janë paraqitur 205 ankesa për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale prej të cilave 38 kanë rezultuar jashtë objektit ndërsa 167 të tjera janë trajtuar sipas ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Nga inspektimet administrative të zhvilluara pranë kontrolluesve të ndryshëm janë konstatuar se objekt ankesat lidhen me:

  • Mungesën e sigurisë së të dhënave personale (përpunimi i të dhënave në rrjet dhe siguria online);
  • Përpunimin e të dhënave në mënyrë jo të drejtë dhe të ligjshme (përhapja në mediat dhe portalet online);
  • Marketingun e drejtpërdrejtë në lidhje me komunikimet e pa kërkuara, nëpërmjet telefonit ose postës elektronike;

Të dhënat statistikore në vendin tonë nuk lejojnë një analizë juridike në lidhje me karakterin e çështjes gjyqësore. Vendimet gjyqësore në lidhje me sanksionet administrative të aplikuara për garantimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave dhe realizimin në praktikë të detyrimeve të kontrolluesve publikë dhe privatë janë të ndryshme nga vendimet me objekt dëmshpërblim. Cënimi i të dhënave personale mund të trajtohet me padi nga subjekti ankues në kuadër të legjislacionit penal dhe atij civil.Konkretisht, për vitin 2016[22] për krime kundër moralit, dinjitetit dhe familjes, të parashikuar në Kodin Penal kanë përfunduar 914 çështje. Grupveprat penale, krimet kundër moralit, dinjitetit dhe familjes 130 çështje penale më shumë (nga 784 çështje penale në vitin 2015 në 914 çështje penale në vitin 2016).  Padi për shkaktim dëmi (Neni 608-654) kanë qenë gjithsej 1755 cështje të përfunduara për vitin 2016.  Për vitin 2017 Padi shkaktim dëmi (Neni 608-654) janë regjistruar 2968[23] cështje dhe përfunduar 1850[24] cështje.Respektimi dhe mbrojtja e të dhënave personale nëpërmjet rrjeteve sociale apo portaleve të ndryshme është një top loje në fushë asnjanëse, lojtarët e të cilës duhet të jenë Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA), Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Autoriteti i Konkurrencës (AK) dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, publikimi i Shtator 2016

- Ligji Nr. 10 128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike”, i ndryshuar

- Ligji Nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”, i ndryshuar

- Ligji Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” , i ndryshuar

- Directives on Electronic Commerce, me CELEX 32000L0031

- Marrëveshja Evropiane për Mbrojtjen e Emisioneve Televizive, e nënshkruar më 22 Qershor 1960

- Marrëveshja Evropiane për Emisionet e Radiotransmetimit të bëra nga Stacionet Jashtë Territoreve Kombëtare , e nënshkruar më 22 janar 1965

 - Konventa Evropiane për Televizionin Ndërkufitar, e nënshkruar më 5 maj 1989

 - Konventa Evropiane për Të Drejtat e Autorit në Kuadër të Radiotransmetimit Ndërkufitar me Satelit, e nënshkruar më 11 Maj 1994

 

Akte rekomanduese

- Counsil of Europe, Raport on Media Diversity in Europe {H/APMD (2003) 001}

- Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës 1882 (2009) mbi Promovimin e Internetit dhe Shërbimeve të Mediave në Linjë të Përshtatura për Minorenët

- Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës 1878 (2009) mbi Financimin e Radiotransmetimit të Shërbimit Publik

- Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës 1855 (2009) mbi Nomatizimin e Shërbimeve të Mediave Audiovizuale

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2010)13 mbi Mbrojtjen e Personave në lidhje me Trajtimin e Automatizuar të të Dhënave Personale në Kuadër të Profilizimit

- Deklarata e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, 29 shtator 2010, mbi Neutralitetin e Rrjetit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec(2009)5 mbi Mbrojtjen e Fëmijëve Kundër Përmbajtjes dhe Djelljeve të Dëmshme dhe Promovimit të Pjesëmarrjes Aktive të tyre në Ambientin e Ri të Informacionit dhe Komunikimit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2006)6 mbi Masat e Marra për Respektimin e Lirisë së Shprehjes dhe Informacionit në lidhje me Filtrat e Internetit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2007)16 mbi Masat e Marra për Promovimin e Vlerave të Shërbimit Publik të Internetit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2007)15 mbi Masat në lidhje me Mbulimin e Fushatave Elektorale nga Mediat

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2007)11 mbi Promovimin e Lirisë së Shprehjes dhe Informacionit në Ambientin e ri të Informacionit dhe Komunikimit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2007)3 mbi Misionin e Mediave të Shërbimit Publik në Shoqërinë e Informacionit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2007)2 mbi Pluralizmin e Mediave dhe Diversitetin e Përmbajtjes së Informacioneve në Media

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2006)12 mbi Sensibilizimin dhe Autonomizimin e Fëmijëve në Ambientin e Ri të Informacionit dhe Komunikimit

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2004)16 mbi Të Drejtën e Përgjigjes në Ambientin e Ri të Mediave

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2003)13 mbi Transmetimin e Informacioneve në lidhje me Procedurat Penale

- Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/Rec (2003)9 mbi Masat që lidhen me Promovimin e Kontributeve Demokratike dhe Shoqërore të Radiotransmetimit Numerik

 

Doktrinë

- B. Kasmi, E drejta e medias’, ‘Botimet Dita’, Tiranë 2017

- Freedom of expression on the internet – A study of legal provisions and practices related to freedom of expression, the free flow of information and media pluralism on the internet in OSCE participating States, Botim i OSCE, Vjene, Austri, ISBN 978-92-9234-638-6

- A. Malltezi, E drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Mediaprint’, ISBN: 978-99956-93-41-1

- Janet Dine, Michael Blecher, Teksti me komente mbi Ligjin nr. 9901 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”

- Commission staff working document, Media pluralism in the Member States of the European Union {SEC(2007) 32}

 

Jurisprudencë

- Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për çështjet: Alimuçaj vs. Shqipërisë, 7 Shkurt 2012; Bajrami vs. Shqipërisë, 12 Dhjetor 2006; Steel & Morris vs. the United Kingdom 68416/01, datë 15/02/2005; Independent News and Media vs. Ireland 55120/00, datë 16/06/2005; Grinberg vs. Russia 23472/03, datë 21/07/2005; IA vs. Turkey 42571/98, datë 13/09/2005; Wirtschafts-Trend Zeitschriften-Verlags GmbH vs. Austria 58547/00, datë 27/10/2005; Tourancheau & July vs. France 53886/00, datë 24/11/2005; Nordisk Film & TV A/S vs. Denmark 40485/02, datë 08/12/2005; Giniewski vs. France 64016/00, datë 31/01/2006; Özgür Radyo vs. Turkey 64178/00, 64179/00, 64181/00, 64183/00, 64184/00, datë 30/03/2006

 

Të tjera.

- Shih http://www.panorama.com.al/stop-komenteve-denigruese-ne-blogjet-online-te-medias/

- http://fortune.com/2017/11/29/fcc-and-net-neutrality-check-to-see-if-your-name-was-used-for-fake-comments/

- http://digg.com/2017/facebook-phone-microphone-ads

- https:// www.liquidvpn.com/are-advertisers-using-your-phone-microphone-to-spy-on-you/

- http://variety.com/2018/politics/news/federal-trade-commission-net-neutrality-1202710635/

- https://abcnews.go.com/Technology/wireStory/appeals-court-nixes-fcc-rules-robocalls-53807155

- http://fortune.com/fortune500/

- http://fortune.com/2017/11/21/new-york-attorney-general-investigating-false-net-neutrality-comments-fcc/

- https:// www.athleticbusiness.com/web-social/player-sues-after-sexy-instagram-posts-result-in-dismissal.html

 



[2] Shih: Freedom of expression on the internet – A study of legal provisions and practices related to freedom of expression, the free flow of information and media pluralism on the internet in OSCE participating States, Botim i OSCE, Vjene, Austri ISBN 978-92-9234-638-6

[3] Net neutrality

[4] http://fortune.com/2017/11/29/fcc-and-net-neutrality-check-to-see-if-your-name-was-used-for-fake-comments/

[5] Paragrafi i dytë i nenit 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut parashikon shprehimisht: “...ushtrimi i këtyre të drejtave, ... mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve ... të parashikuara nga ligji dhe që në një shoqëri demokratike përbëjnë masa të nevojshme për ... për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale...

[6] Një instrument për dhënien e drejtësisë i krijuar sipas KEDNJ

[7] Për kriteret e kufizimit, shih kapitullin e kufizimit të lirisë së shprehjes

[8] Gjykata në këtë vendim shprehet se: “Liria e shprehjes... i jep publikut një nga mënyrat më efikase për të zbuluar dhe për të formuar një opinion mbi idetë dhe sjelljet e politikanëve.  Përgjithësisht, liria e debatit politik është në themel të një koncepti të shoqërisë demokratike të cilës i jepet përparësi në të gjithë përmbajtjen e Konventës. Limitet e kriticizmit të pranueshëm janë më të gjera sa i takon politikanëve ndryshe nga sa i takon jetës private të një individi.

[9] http://digg.com/2017/facebook-phone-microphone-ads

[10] https:// www.liquidvpn.com/are-advertisers-using-your-phone-microphone-to-spy-on-you/

[11] Shih për më shumë: B. Kasmi, E drejta e medias’, ‘Botimet Dita’, Tiranë 2017, fq. 152 - 179

[15] http://fortune.com/fortune500/

[17] Ndryshe nga gjykatat e huaja, me vendimin nr 9983, datë 24.11.2017, Gjykata e Tiranës legjitimoi largimin e paditësit nga puna për shkak të postimit të tij në rrjetin LinkedIN. Shih: www.gjykata.gov.al dhe https:// www.athleticbusiness.com/web-social/player-sues-after-sexy-instagram-posts-result-in-dismissal.html

[18] Shih: Freedom of expression on the internet – A study of legal provisions and practices related to freedom of expression, the free flow of information and media pluralism on the internet in OSCE participating States, Botim i OSCE, Vjene, Austri ISBN 978-92-9234-638-6, faqe 306

[19] Directives on Electronic Commerce, me CELEX 32000L0031

[20] fq. 24 Raporti mbi analizën e performancës institucionale për vitin 2017 të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), lidhur me monitorimin e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjit nr. 9887/2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, si edhe të trajtimit të ankesave lidhur me ligjin nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, drejtuar Kuvendit.

[21] Raporti mbi analizën e performancës institucionale për vitin 2017 të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), lidhur me monitorimin e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, si edhe të trajtimit të ankesave lidhur me ligjin nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, drejtuar Kuvendit

[22] Fq. 29 e Vjetarit Statistikor 2016, Botim i Ministrisë së Drejtësisë Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Statistikave, Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit, Viti i katërmbëdhjetë i botimit

[23] Fq. 184 e Vjetarit Statistikor 2017, Botim i Ministrisë së Drejtësisë, Sektori i Monitorimit, Jetësimit të Prioriteteve dhe Statistikave, Drejtoria e Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë Viti i pesëmbëdhjetë i botimit

[24] idem, fq.. 188