P E N A L E

 

Av. Dr. Enida BOZHEKU

Anëtare e Urdhërit të Avokatëve,

Romë (Itali)

Studioja Ligjore ‘Bozheku’

Tiranë (Shqipëri)

 

Hyrje

 

Me zhvillimin  e ekonimisë së tregut dhe ndërlidhjes së marrëdhënieve ekonomike gjithnjë e më të shumta në treg, jo vetëm të brëndshmin, por edhe në atë ndërkombëtar, bën që analizimi i strukturës post - shoqërore që karakterizohet nga falimenti, si proçes natyral në rastet kur subjektët që ushtrojnë aktivitet ekonomik nuk mund të plotësojnë kushtet për mbajtjen aktive të veprimtarisë tregtare, integron një multidimension efekt - pasojash, të cilat në raste specifike mund të çojnë në kryerjen e veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal.

 

Kështu, në Kreun III të Kodit Penal, të titulluar “Veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”, si edhe në Seksionin IX, të emërtuar “Veprat penale në fushën e falimentimit” gjejmë të përcaktuara nën hartimin teknik katër nene referente të veprës penale të kryer nga persona juridik në fushën falimentare.

Në ekonominë e një shteti, hapja e proçedurave falimentare nga ana civilistike sjell përherë një dizekuilibër social, me pasoja shpesh-herë jo të vogla për subjektet pjesmarrëse, si edhe në rang republike, në rastin e shoqërive tregtare që kryejnë aktivitete ekonomike parësore, ku numri i të punësuarve, raporti me kreditorët dhe ndërlidhjet me strukturat shtetërore me rëndësie të spikatur, prodhojnë pasoja të rënda për shoqërinë në tërësinë e saj.

Struktura ndërlidhëse midis ligjit për “Tregtarët dhe shoqëritë tregtare” (Ligj nr. 9901, datë 14.04.2008, i ndryshuar me Ligj nr. 10475, datë 27.10.2011 dhe me Ligj nr. 129/2014), ligjit “Për Falimentin” (Ligj nr. 110/2016) dhe normativa e parashikuar në Kodin Penal dhe atë Civil, bëjnë që rëndësia analitike e falimentit të jetë parësore në kuadrin e zhvillimit të Shtetit dhe aktiviteteve ekonomike në përgjithësi.

Paranteza e zhvillimit të këtij fenomeni (falimenti) bazohet si në shtrirje horizontale, në lidhje me ligjet e posaçme që e regullojnë këtë disiplinë, ashtu edhe në shtrirje vertikale, ku nyjëzimi ndërveprues mes së drejtës penale dhe aspekteve ndëshkuese që ajo mbart bëhet thelbësore, me qëllim evitimin e fakorit “abuzim dhe shpërdorim” i së drejtës së iniciativës së lirë private në dëm të të tretëve.

 

Gërshetim civilist midis Ligjit “Për Tregtarët dhe shoqëritë tregtare”

dhe Ligjit “Për Falimentimin”

 

Ligji nr. 110/2016 “Për falimentimin” përcakton në nenin 2 të tij, se: “Procedura e falimentimit synon të shlyejë në mënyrë kolektive detyrimet e debitorit përmes riorganizimit të aktivitetit, ose përmes likuidimit të të gjitha pasurive të debitorit dhe shpërndarjes së të ardhurave”.

Që në përcaktimin e parë të dhënë nga ligjvënësi për falimentimin vihen re dy fenomene:

a) shlyerjen e detyrimeve të debitorit, me anë të dy proçedurave të paracaktuara në ligj;

b) aplikimin e principit të falimentimit pasuror, si element thelbësor karakterizues i proçedurës falimentare.

Në lidhje me formën e felimentimit, atij pasuror në kuptim të gjerë, ndërhyrja mes sistemit penal dhe atij privatist në tërësi është thelbësore, pasi në këtë kontekst mund të krijohet edhe linja e interpretimit të ngushtë të fenomenit të falimentimit, kur ai është i provokuar dhe, si pasojë, vepër penale e parashikuar në Kodin Penal.

Në strukturën organike ligjore “Ligji për Falimentimin” është i lidhur në mënyrë simbiotike me ligjin për “Tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, sepse në këtë të fundit gjënden edhe përcaktimet terminologjike dhe funksionale që lejojnë më parë përcaktimin e nocionit subjekt juridik (tregëtar, shoqëri tregtare dhe format e saj) dhe më pas fenomenin falimentim, si përfundimi i jetës së subjektit juridik.

Nën këtë profil kemi një interpretim sistematik midisi nenit 2 dhe 3 të Ligj nr. 9901/2008, i ndryshuar dhe nenit 7 të ligj nr. 110/2016. Le të ndalemi më poshtë në mënyrë më specifike.

Në nenin 2, pika 1, 4, 6, 7 të Ligj nr. 9901/2008, i ndryshuar, lexohet: “Tregtari është personi fizik, sipas kuptimit të Kodit Civil, i cili ushtron veprimtari ekonomike të pavarur, që kërkon një organizim tregtar të zakonshëm. … Personi fizik, veprimtaria ekonomike e të cilit, për shkak të vëllimit të tij, nuk kërkon një organizim të zakonshëm tregtar (tregtar i vogël), nuk vlerësohet tregtar e nuk i nënshtrohet këtij ligji. Ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për ekonominë, me urdhër të përbashkët, miratojnë pragjet e vëllimit të veprimtarisë, në bazë të të cilave lind detyrimi i regjistrimit si tregtar. Tregtari, për detyrimet që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara, përgjigjet personalisht me të gjithë pasurinë e të drejtat e tij të tashme dhe të ardhshme, përfshirë pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, pronësitë industriale e intelektuale, kreditë ndaj të tretëve e çdo të drejtë apo pasuri tjetër, vlera e të cilave mund të shprehet në para. Tregtari e humbet statusin e tij kur pushon ushtrimin e veprimtarisë ose kur është i detyruar ta pushojë atë”.

Në nenin 3, pikat 1 dhe 3, të Ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar, lexohet: “Shoqëritë tregtare themelohen nga dy ose më shumë persona fizikë dhe/ose juridikë, që bien dakord për arritjen e objektivave ekonomikë të përbashkët, duke dhënë kontribute në shoqëri, sipas përcaktimeve në statutin e saj. ……. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare mund të themelohen edhe vetëm nga një person fizik dhe/ose juridik (shoqëritë me ortak apo aksionar të vetëm) … Shoqëritë përgjigjen me të gjitha aktivet e tyre për detyrimet, që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara”.

Në nenin 7, të Ligj nr 110/2016 lexohet: “Procedura e falimentimit mund të fillojë ndaj çdo debitori si person fizik ose juridik. 2. Procedura e falimentimit mund të fillojë edhe pas prishjes së personit juridik që ende nuk është likuiduar. 3. Procedura e falimentimit nuk mund të fillojë ndaj subjekteve publike, objekt i së drejtës administrative. Shoqëritë me kapital publik ose shtetëror, të organizuara si person juridik privat, janë objekt i këtij ligji. 4. Ligji nuk zbatohet për shoqëritë e sigurimit, bankat, fondet e pensioneve, fondet e investimeve të letrave me vlerë dhe institucione të tjera që grumbullojnë depozita nga publiku ose institucione të tjera financiare, për të cilat procedura e falimentimit rregullohet në një ligj të posaçëm. Ky ligj zbatohet për institucionet jobankare, sipas parashikimeve të legjislacionit për bankat në Republikën e Shqipërisë ……..”

Nga sa vërehet në tre nenet e lartpërmëndur, fenomeni që bie në sy është fakti se për ligjin shqipëtar, si personi fizik, ashtu dhe ai juridik janë subjekte që i nënshtrohen proçedurës falimentare.

Shprehimisht, në anën tjetër, ligji për falimentin ndalon kategorikisht hapjen e proçedurës falimentare për subjekte të cilët janë të lidhur me sistemin bankar, në kuptim të nenit 7, pika 4, të Ligjit nr. 110/2016, ku proçedura falimentare specifike për ‘to është e rregulluar me ligj të posaçem dhe me dinamika të ruajtjes së sistemit financiar të ndryshëm nga ai i sektorit të parashikuar nga ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare në përgjithësi.

Dilema juridike në lidhje me aspektin interpretues të ngushtë civilist dhe, më pas, efektet juridike penale në rast falimentimi të provokuar dhe derivateve normative të tjera të parashikuara në Kodin Penal, mbetet në lidhje me tregtarët e vegjël.

Për këta të fundit, ku vëllimi i aktivitetit të tyre është i përcaktuar me Urdhër nga ministritë kompetente, dhe në bazë të interpretimit favorizues të personave fizik që nuk kanë detyrim të regjistrohen me statusin “Tregtar”, automatikisht mendim i kujt shkruan është që këto subjekte pa status efektiv të njohur nga ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregëtare të mund të përjashtohen nga proçedura falimentare.

Sakaq, panvarsisht faktit se në një interpretim të ngushtë të nenit 7, pika 1, të Ligjit nr. 110/2016 lexohet: “Procedura e falimentimit mund të fillojë ndaj çdo debitori si person fizik ose juridik”, me një kombinimi normativ midis nenit 2, pika 4, të Ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar, si edhe nenit 7, pika 1, të Ligjit nr. 110/2016, mendohet që proçedura falimentare ndaj këtyre subjektëve, të cilët për vet faktin se nuk marrin statusin “Tregtar”, edhe pse ushtrojnë veprimtari ekonomike, të mos jetë e aplikueshme.

Kjo edhe për arsye se në ligjin për falimentimin nuk gjëndet asnjë referencë pasurore “çati” në lidhje me kërkesën për hapjen e proçedurës falimentare karshi subjektëve si persona fizik, ashtu edhe persona juridik.

Element tjetër i kombinuar midis ligjit për Falimentimin dhe ligjit për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare është edhe përgjegjësia pasurore që subjektët si fizik, ashtu dhe juridik kanë karshi kreditorëve të tyre në rast falimenti.

Në këtë prizëm, me interes është sa lexohet në nenin 2, pikat 6 dhe 7, të Ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar: “Tregtari, për detyrimet që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara, përgjigjet personalisht me të gjithë pasurinë e të drejtat e tij të tashme dhe të ardhshme, përfshirë pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, pronësitë industriale e intelektuale, kreditë ndaj të tretëve e çdo të drejtë apo pasuri tjetër, vlera e të cilave mund të shprehet në para. Tregtari e humbet statusin e tij kur pushon ushtrimin e veprimtarisë ose kur është i detyruar ta pushojë atë”.

Në këtë nen vihet re shprehimisht, se “Tregtari” përgjigjet karshi të tretëve me të gjithë pasurinë e tij, qoftë kjo materiale e tashme e ardhme dhe me pasurinë jomateriale (pronësia industriale, etj.), qoftë e luajtshme apo e paluajtshme edhe në rastet, kur “është i detyruar ta pushojë atë (aktivitetin tregtar)”, me këtë të fundit, “detyrim” duhet të kuptohet falimenti.

Përsa i përket shoqërive tregtare, në nenin 3, pika 3, të Ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar “Shoqëritë përgjigjen me të gjitha aktivet e tyre për detyrimet, që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara”. Në kombinim me ligjin për falimentin dhe specifikisht në lidhje me nenin 14 të Ligjit nr. 110/2016, kur personi juridik (debitor – shoqëri tregtare) parashtron kërkesën për hapjen e proçedurës së falimentimit, si pasojë e paaftësisë paguese ekzistuese, ose për shkak të paaftësisë paguese në një të ardhme të afërt, do të bazojë kërkesën e vet jo vetëm mbi “aktivet”, që do të hynë në masën e falimentit dhe gjithshka tjetër e parashikuar në nenin 14, por edhe (më problematikja në aspektin penal) me pasivet,[1] nga ku raporti përgjegjës karshi të tretëve nuk do të jetë më vetëm në lidhje me “aktivet e shoqërisë për detyrimet”, por do të jetë përgjegjëse edhe me pasivet.

Gjithashtu, në bazë të formës juridike të shoqërisë (sh.a., sh.p.k., sh. akom, etj), kjo e fundit do të përgjigjet, në rastin e falimentimit në specifike, si me masën “aktive” shoqërore, ashtu edhe atë personale të ortakëve, në rastet e parashikuara nga Ligji nr. 9901/2008 dhe Ligji nr. 110/2016 (neni 64).

 

Falimenti i provokuar - elemente normative

 

Nga ana penale, falimentimi është vepër penale personale,[2] që kryhet nga “Tregtari” apo Shoqëria Tregtare. Në këtë prizëm, falimentimi personal shihet në figurën e tregtarit dhe të shoqrisë tregtare, në varësi të formave që kjo e fundit merr. Konkretisht, në rastin e shoqërive tregtare përgjegjës për falimentinin janë të gjithë ortakët; kur kemi të bëjmë me shoqëri kolektive, shoqëri aksionare dhe me shoqëritë komandite, në kuptim të Ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar.

Përcaktimi normativ mbi falimentin nga ana penale jepet në nenin 193 të K.P., ku lexohet: “Çuarja me dashje e personit juridik në gjëndjen e falimentit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Nga sa lexohet në këtë nen, elementi i parë objektiv është ai i përcaktimit të falimentimit, pra çuarjen e personit juridik, që sa ësahtë përcaktuar në pikën 2 përfshin edhe personat fizik me status “Tregtar”, subjekte që marrin status juridik në gjeografinë e sistemit ligjor.

Nga këtu mund të themi që, për të çuar drejt falimentit personin juridik (apo fizik), kryerja e veprimeve apo mos veprimeve duhet të bierë ndesh me elementet e paracaktuara si në Ligjin nr. 9901/2008, i ndryshuar, ashtu edhe sa është përcaktuar në Ligjin nr. 110/2016.

Falimentimi është vepër penale në fushën ekonomike,[3] ku barra bie mbi pasurinë e subjektit juridik, përgjegjës aktiv për konfigurimin e veprës penale (krim).

Në mënyrë të thjeshtëzuar mund të themi që çuarja drejt falimentimit bëhet nga subjekti juridik me qëllim “sulmin” ndaj pasurisë personale të shoqërisë apo personit fizik (Tregtar).[4]

Objekt i mbrojtjes nga ana penale, me anë të këtij neni është ruajtja e interesave pasurore të kreditorëve [5] dhe mbajtja e garancive karshi këtyre me anë të pasurisë së subjektit juridik që falimenton.

Nga ana strukturore, mund të themi që kjo lloj vepre penale është e karakterizuar si krim rreziku dhe jo dëmi,[6] pasi në të vërtetë mund të mos realizojë një dëm konkret ndaj kreditorëve, por mund t’i ekspozojë ata ndaj një rreziku me pasojë një dëm të mundshëm.

Sa kaq, për faktin se “Administratori i likuidimit” në rastin e sa përcaktuar në nenin 3, pika 2, të Ligjit nr. 110/2016 mund të arrijë që gjatë periudhës së falimentimit të mund të rekuperojë, jashtë sferës kontrolluese të subjektit juridik, pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, duke bërë që masa aktive dhe masa pasive e falimentit të mund të barazohet apo të tejkalohet në “surplus aktiv”[7] në favor të kreditorëve, duke u evituar kështu këtyre të fundit dëme të mundshme.

Nga ana subjektive, kjo vepër penale kryhet me dashje të drejtëpërdrejtë,[8] pasi subjekti veprues, në kuptim të nenit 15 të K.P. parashikon pasojat e veprës penale (pra, në jetë vë mekanizmat për të çuar drejt falimentimit subjektin juridik) dhe dëshiron ardhjen e tyre (duke vepruar në mënyrë aktive për realizmin e pasojave). Në këtë kuptim, subjekti veprues (debitori) ka djeni të plotë që është duke vënë në jetë veprime që mund t’i shkaktojnë apo i shkaktojnë kreditorit - kreditorëve një dëm pasuror.[9]

Ҫuarja në gjëndjen e falimentimit, siç është e përcaktuar në nenin 193 K.P., ka një formulim të përgjithshëm ku më tepër se elemente penal, në të vërehen elemente administrativ të kryerjes së formalizmave buorkratikë, të afta për të mbajtur të pa prekur në kontekst penal strukturën e subjektit juridik.

E thënë ndryshe, subjekti juridik veprues tek kërkon hapjen e proçedurës falimentare në respketim të kritereve të përcaktuara në nenin 14 të Ligjit nr. 110/2016, më parë kryen veprime apo mos veprime, të cilat dëmtojnë aktivitetin e subjektit juridik karshi kreditorëve, duke manipuluar me anë të instrumenteve juridik, si për shembull, nënshkrimin e kontratave të shërbimit[10] me çmim më të ulët se sa është parashikuar nga tregu, ose modifikimin e bilanceve në mënyrë që të rezultojnë më shumë debi sesa fitim.

Në rastin e kësaj tipologjie vepre penale është e shpeshtë edhe kryerja e veprave penale të tjera, duke patur kështu bashkëpunim material midis veprash penale.[11] Për shembull, zhdukje e dokumenteve fiskale të vitit të tretë para se të shpallte falimentimin (bilanceve) me anë të artificeve ligjore, ose falsifikimi i letrave me vlerë (184), duke u krijuar kreditorëve iluzionin se subjekti juridik është në gjëndje ekonomike të pamundur për të shlyer detyrimet e veta (pra çuarje me dashje ne falimentim).

Gjithsesi, në rastin e pasjes së bashkëpunimit material midis veprash penale duhet që subjekti juridik të ketë nisur realizimin e tyre me aksione të ndryshe të tipizuara (pra, të parashikuara shprehimisht nga Kodi Penal) dhe të ndara midis tyre si në profilin ontologjik, ashtu edhe psikologjik dhe funksional. Element ndërlidhës i bashkëpunimit material të veprave penale duhet të jetë ai “kohor”, ku çdo vepër të jetë kryer si qëllim në vetvete dhe, më pas, për efekt të kohës t’i ketë shërbyer çuarjes drejt falimentimit.

 

Fshehja e gjëndjes së falimentimit

 

Një tjetër parashikim normativ në lidhje me falimentinin jepet në nenin 194 të K.P., ku lexohet: “Hyrja në marrëdhënie ekonomike tregtare me të tretët nga ana e personit juridik, me qëllim të fshehë gjëndjen e falimentimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet”.

 Edhe në këtë dispozitë normative, çka bie në vëmëndjen e doktrinës është fakti se subjekti juridik ndërmerr veprime (marrëdhënie) ekonomike - tregtare me subjektet e treta, të cilët ndërveprojnë me personin juridik (fizik - Tregtar), por qëllimi në vetvete është ai i konfigurimit të një forme manipuluese karshi gjëndjes reale të subjektit juridik, i cili kërkon me dashje të drejtëpërdrejtë të japë aparencën e vazhdimit të aktivitetit në mënyrë të rregullt karshi kreditorëve.

Por le ta ndalim analizën në disa funksione dhe t’i japim një interpretim më të detajuar, duke e lidhur me nënstrukturën e tipizuar të normativës në shqyrtim.

Kështu, veprimi i kryer nga personi juridik ka si qëllim atë të krijimit të një situate, e cila do të krijojë pasoja në dëm të garancive ekonomike të kreditorëve të përfshirë në marrëdhënie me subjektin juridik.

Elementi i tipizuar është fakti se artifici ligjor i brumosur dhe vënë në jetë nga subjekti juridik është i krijuar në mënyrë të tillë që kreditorët, në një kohë të dytë, të mos jenë në gjëndje të “sulmojnë pasurinë e personit juridik”,[12] që do të hapë proçedurën falimentare. Pra, të mos arrijnë të marrin kuotat kreditore të investuara ndaj personit juridik.

Këtu personi juridik vendos, edhe pse e di dhe e njeh gjëndjen pasive të vet, të lidhë forma kontraktuale të ndryshme apo të vërë në jetë artifice të tjera financiare, me qëllim uljen edhe më tej të kapitalit bazë për ta shpërndarë ndaj kreditorëve të vet.

Mund të flitet në terma empirike për tjetërsim me dashje, nëpërmjet formave ligjore të kapitalit të personit juridik, me qëllim uljen e aftësive pasurore të tij.

Personi juridik hyn në “marrdhënie ekonomike tregtare”, e cila në kuptim të nenit 660 të Kodit Civil, nënkupton formën e kontratave si veprime juridike, të cilat kanë për bazë vendosjen e një marrëdhënie juridike dhe prodhimin e efekteve të ndryshme karshi palëve apo të tretëve.

Pikërisht në këtë kuadër, kontraktimi me të tretët,[13] nga ana e një subjekti i cili e di që është në gjëndje paaftësie pasurore, i hap rrugë kontestimit penal me format dhe përgjegjësitë që ligji i ngarkon.

Mund të themi, në formë shëmbujsh juridik, që elementet karakterizuese të veprimit të kryer nga subjekti juridik realizohen me anë të:[14]

·                     Dhënies me qera të ambjenteve të shoqërisë me kosto më të ulët se sa ajo e tregut, duke e futur në bilanc edhe masën e falimentit si “humbje”, pasi kjo e ardhur nën minimum nuk i lejonë shoqërisë të vazhdojë aktivitetin e saj.[15]

·                     Depozitimit të parave në një llogari bankare në emër të një të treti, ku në marrdhënien juridike që realizohet me persona të jashtëm, këta të fundit nuk i bëjnë derdhjet në emër dhe për llogari të shoqërisë, por kryejnë derdhjet në një llogari tjetër, duke bërë kështu që të ardhurat të mos i shkojnë personit juridik, por të kalojnë në llogari të personit që me artificë i tjetërson ato për vete në dëm të kreditorëve dhe masës së falimentit në rast hapje të proçedurës.

·                     Aktiviteteve korruptive, që edhe pse mund të kryhen me qëllim dhe në interes të shoqërisë, në vetvete krijojnë varfërim të pasurisë së personit juridik, i aftë që të krijojë boshllëqe në shpërndarje të aktivit në dëm të kreditorëve gjatë proçedurës falimentare.[16]

·                     Shitjes së mallit me çmim më të ulët nga ai i parashikuar dhe rregulluar nga tregu, duke krijuar kështu një hendek midis çmimit të dhënë dhe vlerës së mallit, ku dukshëm pasuria e personit juridik pëson humbje dhee, si pasojë, varfërim.

·                     Administratori i personit juridik përputh me të tretët (që mban marrëdhënie juridike) krijimin e faturave “të fryra”, duke treguar në to një çmim më të lartë se sa ai efektivisht i kontraktuar, me qëllim mbajtjen per vete të diferencës ndërmjet shumës që figuron si e paguar efektivisht dhe asaj që paguhet te të tretët. Në këtë formë, diferenca do të rezultojë në bilanc si pjesë e parave që shoqëria ka paguar për marrjen e një shërbimi të caktuar si blerëse, pa ia ngarkuar barrën subjektit juridik fornitor.[17]

Duke vepruar me anë të disa prej këtyre formave juridike, personi juridik realizon elementin e veprës penale si nga ana objektive, ashtu edhe subjektive, pasi veprimi i kryer, ashtu si edhe qëllimi i realizuar shkojnë në dëm të kreditorëve, duke varfëruar[18] pasurinë e shoqërisë dhe fshehur kështu karshi krditorëve, por dhe të tretëve, gjëndjen ekonomike të shkatërruar të vet shoqërisë.

Tjetër aspekt është dhe fakti se personi juridik mund të vërë në jetë veprime apo mos veprime të tilla që në gjëndjen falimentare ku ndodhet shoqëria synojnë boshatisjen totale të aktivit të personit juridik.

E thënë ndryshe, personi juridik (por edhe ai fizik - Tregtar) kryen shpenzime përtej atyre që duhet të jetë dobia për shoqërinë për interesa personale, të administratorit apo ortakët vetë me anë të bashkëpunimit në rastet e formave shoqërore të parashikuara ut supra, ose Tregtarit, me synimin për të zbrazur aktivin e shoqërisë dhe çuarjen e saj në gjëndje falimentimi me një masë pasive dëmtuese e interesave të kreditorëve, që kanë ndërmarrë raporte edhe ekonomike tregtare me personin juridik.

Nga sa më lart mund të thuhet se debitori (personi juridik) varfërimin e pasurisë së vet mund ta kryejë jo vetëm në format klasike të parashikuara nga ana e “marrëdhënieve ekonomike tregtare”, por edhe nëpërmjet “fryerjes” së pasiveve, “borxheve” në bilanc, me qëllim uljen e garancive pasurore pro kuotave të kreditorëve.

Kjo formë krijohet me anë të paraqitjes në bilancet e personit juridik borxhe apo detyrime[19], që në të vërtetë nuk ekzistojnë, por me anë të tyre mund të varfërohet dhe përvetësohet masa aktive - kredit e personit judirik në favor të subjekt/it/eve veprues/e në dëm të kreditorëve.

Ky nen në vetvete është kontrovers, pasi në një anë mund të interpretohet [20] si një mënyrë që personi juridik ka për të ringritur pozicionin e shoqërisë dhe mos lejimin që ajo të shkojë drejt falimentit edhe pse e di shumë mirë që realizimi i marrëdhënieve ekonomike me të tretë do të thellojë më tej gropën ekzistuese mes borxheve të shoqërisë, por mendon se me anë të këtyre operacioneve ekonomike mund të arrijë të mbajë personin juridik në jetë deri në një moment tjetër, ndoshta rekuperimi pasuror. Për sa është argumentuar më lart, nuk jemi të këtij mendimi argumentues doktrinar, pasi në momentin që shoqëria është në gjëndje të falimentuar, çdo veprim ekonomik me të tretë bëhet më tepër për të eliminuar çdo formë aktive të mbetur mundësisht që personi juridik mund të ketë ende në dispozicion dhe qëllimi final është ai i moskthimit dhe mos-shlyerjes së kuotave të kreditorëve.

Pra, ky nen në formulimin aktual lë vënd për interpetim të dyzuar, qoftë nga doktrina maxhoritare, qoftë nga ajo minoritare, pasi vet formulimi i tij i pa përcaktuar (por i gjeneralizuar) i jep interpetuesit [21] (gjykatës apo studiozëve të këtij lëmi) hapsira të ndryshme interpretimi, qoftë të gjërë, qoftë literal.

 

Fshehja e pasurisë pas falimentimit

 

Në dy nenet 193 dhe 194 të Kodit Penal jemi në prezencën e dy momenteve të tipizuara të falimentimit:

a) në nenin 193 K.P. jemi në fazën përgatitore të falimentimit, ku qëllimi primar është ai i mos shlyerjes së kuotave të kreditorëve dhe përvetsimin nga ana e debitorit të të gjithë masës aktive të personit juridik;

b) në nenin 194 K.P. jemi në fazën ku debitori (personi juridik) e di që shoqëria ka falimentuar (edhe pse nuk ka kërkuar hapjen e proçedurës falimentare), por vë në jetë veprime me të tretët për t’u pasuruar vet (duke përfshirë në emër dhe llogari të tij pasuritë e ndryshme) apo për t’u treguar kreditorëve që shoqëria tashmë nuk ka asnjë masë aktive si pasojë, pavarësisht përpjekjeve për rekuperim të saj, me lidhjen e marrëdhënieve ekonomike tregtare, personi juridik nuk mund t’i shpëtojë falimentimit.

Rasti i tretë në analizë na jepet nga neni 195 K.P., ku lexohet: “Fshehja e pasurisë pas falimentimit të personit juridik, me qëllim që t’u shmanget pasojave të tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet” (theksimi - imi).

Nga formulimi legjislativ vihet re se kjo është edhe forma më e rëndë e ndëshkimit të parashikuar nga ligjvënësi, ku “çatia” maksimale e dënimit të parashikuar në nen shkon gjer në 7 vjet.

Në një interpretim të ndërlidhur të të tre nenve në fjalë nuk jemi të mendimit se këto lloj veprash penale duhet të karakterizohen nga elementi ndëshkues volitiv - alternativ. E thënë ndryshe, formulimet ligjore në tërësi janë të paplota dhe shkaktare keqkuptimesh apo interpretimesh shpesh-herë shabllon, ku lënia hapsirë në caktimin e dënimit midis mundësisë “gjobë ose burgim”, duket të nxisë format arbitrare të kryerjes së ketyre lloj veprash penale, të cilat në ekonominë e përgjithshme të një vëndi shkaktojnë barrë sociale dhe gropa fiskale jo indiferente.

Më tepër se lidhëza “ose” në këto formulime, ligjvënësi do të duhej të ndërhynte duke shtuar garancitë ndëshkuese dhe lidhur atë me lidhëzën “dhe”, me qëllim ashpërsimin e ndëshkimit, duke bërë që subjektet vepruese të ishin më të matura dhe më të kujdesshme ndaj vënies në jetë të formave kriminale në dëm të kreditorëve, që pasojat i manifestojnë edhe karshi shtetit.

Duke ju rikthyer analizës së nenit 195 K.P., vëmëndjen do ta ndalim te struktura e saj ndërtuese, duke e lidhur me proçedurën falimentare të parashikuar nga Ligji nr. 110/2016.

Kështu, elementi i parë që bie në sy është se jemi në prezencë të fazës së tretë falimentare,

asaj kur:

c) proçedura falimentare është hapur në kuptim të neneve 14, 16 dhe 155 të Ligjit nr. 110/2016

Në këto kushte jemi në prezencën e shqyrtimit të proçedurës falimentare nga ana e gjykatës së falimentimit [22] ku theksi bie mbi shqyrtimin e përputhshmërisë së kërkesave të përcaktuara në dispozitat normative të neneve 14, 16 dhe 155 të Ligjit nr. 110/2016.

Nga ana penale, në nenin 195 K.P. flitet për “Fshehje të pasurisë pas falimentimit”, pra momenti kohor i përcaktuar në dispozitën penale është ai i fillimit të proçedurës falimentare dhe aktiviteti i mëpsasëm që zhvillohet në këtë fazë proçedurale.

Në kuptim të fshehjes mund të themi se kemi të bëjmë me mbajtjen sekret ndaj administratorit të falimentit të një, të disa, ose të të gjitha të mirave materiale të luajtshme apo të paluajtshme të personit juridik debitor.

Fsheja në këtë prizëm mund të kryhet qoftë nëpërmjet trasferimit[23] të të mirave të luajtshme apo të paluajtshme në vënde të tjera të njohura nga debitori, ose në vënde të tjera të panjohura nga të tretë, përfshirë dhe kreditorët (për shembull, trasferimi jashtë shtetit i shumave të parave të patura në emër dhe llogari të shoqërisë me anë operacioneve “kartier”) apo duke përdorur operacione ekonomike tjetërsuese,[24] jo lehtësisht të identifikueshme, si pasojë e përdorimit të instrumenteve kontraktore me të tretë “kokë kashta[25]”, që hynë në pronësi, në rast të të mirave të paluajtshme. Tek kjo e fundit, operacioni ekonomik i kryer me artific juridik kontraktual duhet të jetë kryer në një hark kohor më të hershëm se sa afati 60 ditor, për të kërkuar hapjen e proçedurës falimentare të parashikuar nga neni 16 i Ligjit nr. 110/2016.

Mendohet që ky tjetërsim pasuror i paluajtshëm, që të konsiderohet si artific juridik i ngritur “ad artem[26]” të jetë kryer në periudhën e 2 viteve të fundit nga ana e personit juridik, me qëllim pastrimin e shoqërisë nga të mira, të cilat me hapjen e proçedurës falimentare do të hynin automatikisht në masën falimentare.

Si në rastet e dy neneve 193 dhe 194 të K.P., elementi subjektiv është ai i dashjes së drejtpërdrejtë në kuptim të nenit 15 të K.P.

Në lidhje me elementin objektiv, edhe këtu kemi të bëjmë me tjetërsimin e masës aktive për t’i shpëtuar pasojave që lidhen me shpërndarjen e kuotave kreditorëve të personit juridik dhe format e tjera paguese që lidhen me nënshkrimet kontraktuale të ndryshme (për shembull, kredi të marra në emër të personit juridik, mos pagesë e furnitorëve etj.).

 

Mungesa e pasurisë në masën falimentare dhe pasojat penale

 

Me kërkesën për hapjen e proçedurës falimentare, pavarsisht nëse ajo vjen nga debitori - person juridik, kreditori/ët apo personi fizik,[27] gjykata e falimentimit ka për detyrë të shqyrtojë dokumentacionin e parashikuar në ligjin për falimentimin në varësi të subjekteve që paraqesin kërkesën për falimentim.

Në disa raste, kur ndërlidhja e falimentimit paraqet element penal, detyrë e gjykatës së falimentimit është që të vlersojë në detaje gjithshka që lidhet me falimentimin dhe përgjegjësitë e mundshme të subjekteve aktive që kanë çuar në falimentim shoqërinë.

Në këtë prizëm, sistemi i ri i Ligjit nr. 110/2016 parashikon,[28] rastin kur masa e falimentimit nuk ka pasuri të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e proçedurës së falimentimit, duke deklaruar përfundimin e saj për shkak të mungesës së pasurive. Mirëpo, ky rast që kryhet nga një vlerësim i gjykatës bazuar në dokumentacionin e paraqitur në përmbushje të detyrimit ligjor, has në një kundërshti formale dhe garanci juridike që vet Ligji për falimentimin u njeh kreditorëve.

Kështu, në nenin 20, pika 2, pjesa e fundit, të Ligjit nr. 110/2016, lexohet: “ … Kreditorët dhe palët e tjera të interesuara kanë të drejtë që brenda 60 ditëve nga ky njoftim të paraqiten në gjykatën e falimentimit dhe të kundërshtojnë përfundimin e procedurës për shkak të mungesës së pasurive për arsyet e mëposhtme: a) nëse debitori ka pasuri; b) nëse hetimi i mëtejshëm është i nevojshëm në lidhje me pasuritë që debitori ka transferuar dhe që mund të jetë subjekt i veprimit të shmangies, në përputhje me nenet 79 deri 81 të këtij ligji” (theksimet - të mijat).

Në përputhje me sa është parashikuar nga neni 195 i K.P., kjo dispozitë lidhet ngushtë me konceptin e tjetërsimit të pasurive të debitorit pas hapjes së proçedurës falimentare duke u dhënë kështu mundësinë subjekteve të treta të interesuara të gjejnë dhe kundërshtojnë mbylljen e proçedurës, për shkak se mungon masa aktive e falimentit.

Pikërisht në këtë moment struktura e Ligjit për falimentimin i jep mundësinë gjykatës që të veprojë, në sa është parashikuar te neni 20, pika 3, duke ndërmarrë këto veprime: “Gjykata e falimentimit, brenda 5 ditëve nga mbarimi i afatit të kundërshtimeve (60 ditë nga njoftimi i bërë kreditorëve dhe palëve të interesuar pas paraqitjes së kërkesës për hapjen e proçedurës falimentare), i komunikon prokurorit çdo pretendim të palëve, të cilat kanë arsye të bazuara për nevojën e kryerjes së hetimeve të mëtejshme mbi veprimet e debitorit, dhe pezullon procedurën për 6 muaj për kryerjen e hetimit” (theksimi - i imi).

Siç vihet re nga formulimi normativ në rastin e kundërshtive mbi masën e falimentit dhe pasurive të debitorit, si pasojë e hapjes së proçedurës falimentare, gjykata, ka për detyrë të pezullojë proçedurën falimentare dhe t’ia kalojë aktet prokurorisë me qëllim regjistrimin e çështjes penale dhe hetimin në lidhje me kryerjen ose jo të veprave penale të tipizuara në Kreun III, Seksioni IX i Kodit Penal (Veprat penale në fushën e falimentimit).

Sakaq vlen në çdo moment, kur kemi të hapur proçedurën falimentare, pavarësisht faktit se gjykata me iniciativë të sajën ia dërgon apo jo aktet gjykatës, si në rastin e parashikuar nga neni 20 i Ligjit nr. 110/2016, ose në kontekste të tjera, kur ka masë falimenti, por ajo paraqet elemente dyshuese të tilla (varfërim i qëllimshëm[29] i masës së falimentimit për mos shlyer denjësisht dhe në përputhje me pretendimet e kreditorëve), që edhe me kallëzim penal nga palët e treta të interesuara mund të çojë në zbulimin e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në Kreun III, Seksioni IX i Kodit Penal.

Në rastin kur palët nuk kanë patur kundërshtime në lidhje me mungesën e pasurive nga ana e debitorit, gjykata vendos në përputhje me nenin 20, pika 4, shkronja a), të Ligjit nr. 110/2016 për përfundimin e proçedurës së falimentimit.

I njëjti parashikim normativ vlen edhe në rastin kur gjykata ia ka kaluar aktet prokurorisë për hetim,[30] si pasojë e kundërshtive apo edhe me iniciativë të sajën, kur mendon se ka elemente dyshues me vlerë penale, por si pasojë e hetimeve prokurori ka vendosur për mosfillim, ose pushim të çështjes, dhe ky nuk është ankimuar nga palët kundërshtuese të intresuara.

Gjithashtu, gjykata e falimentimit, është e detyruar që në rastin kur ia ka kaluar aktet prokurorisë për hapjen e hetimeve,[31] por nga momenti i dërgimit të akteve kanë kaluar 6 muaj pa patur një aktivizim nga ana e prokuroris për të hetuar, edhe pse prokuroria është e detyruar me marrjen e akteve nga gjykata të regjistrojë fillimin e hetimeve karshi personit juridik (fizik Tregtar) dhe nis aktivitetin hetimor, gjykata e falimentimit vendos për përfundimin e proçedurës falimentare.

Gjithsesi, edhe pse proçedura falimentare, në sajë të kohëve taksative të parashikuara në ligj (60 ditë nga momenti i njoftimit të hapjes së proçedurës falimentare kreditorëve), për rastin në fjalë mbyllet,[32] prokuroria mund të vazhdojë hetimet si pasojë e marrjes së akteve nga gjykata apo kallzimit penal të ardhur nga personat e tretë të interesuar (kreditorët), duke vënë në jetë çka dhe sa është parashikuar nga Kodi i Proçedurës Penale. Pra, në planin civilistiko - penalist, taksativiteti i nenit 20 të Ligjit nr. 110/2016 nuk prezumon mbylljen definitive të proçedimit penal, i cili merr jetë në mënyrë autonome.

Nga ana e elementit provues[33] penal mund të themi që dashja, me të edhe ndërgjegjësimi mbi kryerjen e një veprimi të sanksionushëm nga ana penale janë prezent çdo herë kur shoqëria apo “Tregtari” i falimentuar dinin që në fillim të hapjes së proçedurës falimentare se, disa “të mira” pjesë të masës aktive të subjektit juridik duhej të kishin qënë pjesë e falimentit, por që për arsye fshehje ndaj kreditorëve ato u mbajtën jashtë dhe u “tjetërsuan” karshi proçedurës falimentare.

Kështu, për të provuar raportin mes dashjes dhe veprimit konkret të vënë në jetë nga subjekti juridik mjafton që ky i fundit të mos jetë në gjëndje të justifikojë apo të japë shpjegime bindëse mbi arsyen se pse ato “të mira” nuk u treguan dhe nuk u përfshinë në masën falimentare.

Në lidhje me proçedurën e mbylljes së falimentimit për shkak të mungesës së masës së falimentimit, ligjvënësi në nenin 154 të Ligjit nr. 110/2016 ka parashikuar, se: “1. Nëse në çdo kohë brenda një viti nga përfundimi i procedurës së falimentimit, zbulohen pasuri të reja që i përkasin debitorit ose pretendime të mundshme për shmangie veprimesh ose identifikohen përgjegjësi të organeve drejtuese, çdo kreditor mund të kërkojë rifillimin e çështjes së falimentimit. 2. Rifillimi bëhet pavarësisht nga fshirja dhe heqja e debitorit nga regjistrat e shoqërive tregtare. Shoqëria do të duhet të riaktivizohet, me qëllimin e vetëm që të rifillohen procedurat. 3. Gjykata e falimentimit vendos për rifillimin e çështjes vetëm kur pasuritë ose shkaqet e veprimit që janë identifikuar janë ose mund të jenë objektivisht të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e procedurës dhe për të siguruar të ardhura shtesë për të paktën 5 për qind për kreditorët e nivelit më të lartë. 4. Procedurat e rifilluara do të jenë vetëm procedura likuidimi. Qëllimi i tyre i vetëm është marrja e pasurive, kryerja e veprimeve juridike, ngritja e padive, likuidimi i pasurive dhe shpërndarja e të ardhurave mes kreditorëve”.

Në këtë mënyrë, edhe pse proçedura falimentare është mbyllur në sajë të nenit 20 të Ligjit nr. 110/2016, nëse gjatë një viti mbas deklaratës së mbylljes me vendim gjyqsor dhe ndërkohë prokuroria ka zbuluar pasuri të fshehura të debitorit, çdo kreditor ka të drejtë të kërkojë rifillimin e çështjes së falimentit, e cila, në rastin kur ka patur hetim penal dhe dërgim të çështjes në gjykatë për personin juridik, kreditori do të zgjedhë të rihapë proçedurën falimentare pranë gjykatës kompetente apo do të kërkojë që të jetë palë civile (viktimë) në proçesin penal.

Mendohet që në këtë lloj situate dy proçedimet të jenë të pavarura dhe autonome, ku debitori të përgjigjet në gjykatën falimentare për likuidimin dhe shpërndarjen e të ardhurave mes kreditorëve, dhe në proçesin penal të mundshëm kërkimin e dëmit jopasuror të shkaktuar nga veprimet dhe mosveprimet e debitorit, në cilësinë e palës civile (viktimës[34]).

Profil tjetër që duhet të mbahet parasysh në lidhje me momentin e konsumimit të veprës penale në fushën falimentare është ai kohor.[35] Pra, kur nis efektivisht llogaritja e kohëve për llogaritjen e parashkrimit të veprës penale në këtë fushë?! Duke u nisur nga sa është konsideruar më lart jemi të mendimit që në veprat penale falimentare momenti i konsumimit të veprës penale të identifikohet në hapjen e proçedurës falimentare, pasi vetëm në këtë fazë elementet e parashikuara në kombinim, si ligji per falimentimin, ashtu edhe Kodi Penal përputhen në një linjë interpretimi.

Kështu, përsa i përket institutit të parashkrimit mund të themi që për veprat penale në fushën e falimentimit parashkrimi duhet të lidhet me tre momente:

a) regjistrimin e çështjes nga ana e prokurorisë, si pasojë e mungesës së masës falimentare,[36]  që lidhet ngushtë me fazën e hapjes së proçedurës falimentare. Në këtë aspekt do të kemi si moment të nisjes së parashkrimit dërgimin e akteve në prokurori nga ana e gjykatës së falimentimit;

b) regjistrimin e çështjes penale nga ana e prokurorisë, si pasojë e kallzimit penal të ardhur nga të tretë të interesuar gjatë fazës së proçedurës falimentare. Në këtë aspekt do të kemi si moment të nisjes së parashkrimit dërgimin e akteve në prokurori nga ana e kallzuesit;

c) regjistrimin e çështjes penale nga ana e prokurorisë, në momentin kur gjykata deklaron falimentimin me vendim të arsyetuar dhe të shpallur publikisht.[37]

Në lidhje me pikën e mësipërme “c)“ duhet thënë se, kohët e parashkrimit të veprës penale do të jenë të varura nga mënyra se si është bërë likuidimi i pasurisë së debitorit, pasi në rastin kur gjatë proçedurës falimentare nuk ka patur asnjë dyshim, kundërshti apo forma të tjera që nuk kanë cënuar të drejtat e të interesuarve, automatikisht hapja e një hetimi penal nuk do të gjente baza as ojektive dhe as subjektive për t’u regjistruar dhe vazhduar me hetimet.

Së fundmi (pa dashur të biem në përsëritje) jemi të mendimit që neni 196 K.P. “Shkelja e detyrimeve” është një ripërsëritje e vetvetes dhe tashmë i rregulluar në Ligjin n. 110/2016 “Për Falimentimin”, si pasojë do të ishte e këshillueshme shfuqizimi i tij dhe riformulimi i një dispozite të re normative e adaptuar konform ligjit për falimentimin.

 

Konkluzione

 

Nga analiza e ndërlidhur multidisiplinore mund të themi që hapësirat ligjore të koordinuara midis Ligjit nr. 9901/2008, i ndryshuar, Ligjit nr. 110/2016 dhe Kodit Penal, Kreu III, Seksioni IX, në pjesën penale duket të mos jenë të një fryme. Nga sa është parashtruar mbetet fryt i interpretimit doktrinar të kombinuar, me qëllim përshtatjen dhe dhënien e një këndvështrimi me koncpete penaliste problematikave të shumta, që e drejta falimentare penale has në veçanti.

Si pasojë, e domosdoshme do të ishte ndërhyrja nga ana e ligjvënësit për të harmonizuar dhe strukturuar në mënyrë më specifike dhe të detajuar në kuptishmërinë normative të të gjithë Seksionin IX të Kreut III të Kodit Penal. Kjo ndërhyrje do të duhej si në aspektin përcaktues të kohëve që lidhen me parashkrimin e veprës penale në fushën falimentare, ashtu edhe në identifikimin e rasteve konkrete dhe të tipizuara në Kod të aktivitetit efektiv që personat juridik vënë në jetë në lidhje me proçedurën falimentuese penale.

Në përvojën e afërt të Shqipërisë është vënë re shpesh-herë, se proçedurat falimentare ezaurohen ekskluzivisht në fushën civiliste, duke lënë hapësira të panumërta në kontekstin penal. Sa kaq, në eksperiencën konkrete kjo ka sjellë edhe mungesë vendimesh penale që lidhen me fushën e falimentit në të gjitha elementet interpretuese dhe, mbi të gjitha, një varfërim ndërlidhës midis veprave penale të parashikuara në Kodin Penal të vitit 1995 dhe Ligjit për Falimentinin të vitit 2016.

Në këtë prizëm do të ishte e domosdoshme ndërhyrja e ligjvënësit në rishikimin e nenve të Kodit Penal, më ekzaktësisht të neneve nga 193 deri në 196 të tij.

 

 

----------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë

- Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë

- Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë

- Ligj n. 110/2016, datë 27.10.2016 “Për Falimentimin”

- Ligj n. 9901, datë 14.04.2008, i ndryshuar me Ligj n. 10475, datë 27.10.2001, FZ n. 152/2011 dhe me Ligj n. 129/2014, FZ n. 163/2014 “Për Tregtarët dhe shoqëritë tregtare”

 

Doktrinë

- Antonini, La Bancarotta semplice, Napoli 1962

- Bricchetti, Bancarotta fraudolenta, bancarotta semplice e operazioni infragruppo, in Riv. trim., dir., pen., ec., 2009, I

- Busetto, Giudice penale e sentenza dichiarativa di fallimento, Milano 2000

- Elezi I, E drejta penale (Pjesa e Posaçme), Tiranë 2009

- Nuvolone, Il diritto penale del fallimento e delle altre procedure concorsuali, Milano 1994

- Palladino, L’elemento soggettivo nella bancarotta fraudolenta documentale, in Cass. pen., 2007

- Sandarelli E., I reati della legge fallimentare diversi dalla bancarotta, Milano 1990

- Santoriello, Il nuovo diritto penale delle società, Torino 2000

- Soana, I reati Fallimentari, Milano 2012

- Venturati, Le operazioni dolose nella bancarotta societaria, in Riv. trim., dir., proc., ec., 1990

- Conti, Diritto penale commerciale, II, i reati fallimentari, Torino, 1991, fq. 159

 

            Jurisprudencë

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ. 5, 30.01.2006, n. 7555, koment De Rosa, në Ced Cass., rev., 233413

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 05.19.2010/24.03.2011, , n. 11800, koment Di Renzo, në Ced Cass., rev., 249825

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 03.02.2004, n. 27513, koment Della Valle, në Ced Cass., rev., 228699

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 16.02.1994, n. 4461, koment Freato, në Ced Cass., rev., 236478

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. ord., Sez. 1, 06.11.2006/22.01.2007, n. 1825, koment Iacobucci, në Ced Cass., rev., 235797

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 08.02.1968, n. 128, koment De Vito, në Ced Cass., rev., 107576

- Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ. 5, 22.06.2010, n. 30932, koment Poli, në Ced Cass., rev., 247970

 

Sitigrafia

http://www.assistimpact.org/wp-content/uploads/2015/05/Manuali-mbi-ligjin-Shqiptar-per-falimentimin.pdf

http://www.kontrata.net/repository/docs/USAIDCLE_Training_Manual_on_Bankruptcy_ALB_28_June_2014_778427.pdf

http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/226-2016.pdf

http://www.kontrata.net/repository/docs/CLE_Training_Manual_Business_Organizations_2014_ALB_400614.pdf

https://quifinanza.it/finanza/bilancia-commerciale-cose-e-come-funziona-perche-la-germania-e-avvantaggiata/73563/

http://www.treccani.it/enciclopedia/bilancia-commerciale_%28Dizionario-di-Economia-e-Finanza%29/

http://www1.unipa.it/dipstdir/portale/ARTICOLI%20ALBANESE/Scritti.pdf

 

 

 

 

 

 

 

 



[1] Mungesa e pasurisë në kuptim të nenit 20, të Ligjit nr. 110/2016

[2] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ. 5, 04.10.2006, n. 37038, koment Massimiliano, në Ced Cass., rev., 235023

[3] Delitalia, L’oggetto della tutela nel reato di bancarotta, në Studime Longhi, Romë, 1935, fq. 284

[4] Soana, I reati Fallimentari, Milano 2012, fq. 96

[5] Santoriello, Il nuovo diritto penale delle società, Torino 2000

[6] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ. 5, 22.06.2010, n. 30932, koment Poli, në Ced Cass., rev., 247970

[7] Në terminologjin ekonomike surplus aktiv i referohet bilanceve të shoqërive private apo shtetërore të cilat realizojnë tejkalimin e parashikimeve, duke pasqyruar në zërin e fitimeve rritje të të ardhurave si pasojë e aktivitetit ekonomik të kryer - https://quifinanza.it/finanza/bilancia-commerciale-cose-e-come-funziona-perche-la-germania-e-avvantaggiata/73563 - http://www.treccani.it/enciclopedia/bilancia-commerciale_%28Dizionario-di-Economia-e-Finanza%29/

[8] I. Elezi, E drejta penale (Pjesa e Posaçme), Tiranë 2009, fq. 333

[9] Nuvolone, Il diritto penale del fallimento e delle altre procedure concorsuali, Milano 1994, fq. 108

[10] Conti, Diritto penale commerciale, II, i reati fallimentari, Torino, 1991, fq. 159

[11] Soana, I reati Fallimentari, Milano 2012, fq. 100

[12] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ. 5, 30.01.2006, n. 7555, koment De Rosa, në Ced Cass., rev., 233413

[13] Bricchetti, Bancarotta fraudolenta, bancarotta semplice e operazioni infragruppo, in Riv. trim., dir., pen., ec., 2009, I, fq. 278

[14] Soana, I reati Fallimentari, Milano 2012, fq. 110

[15] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 05.09.2010/24.03.2011, n. 11800, koment Di Renzo, në Ced Cass., rev., 249825

[16] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 16.02.1994, n. 4461, koment Freato, në Ced Cass., rev., 236478

[17] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 03.02.2004, n. 27513, koment Della Valle, në Ced Cass., rev., 228699

[18] Palladino, L’elemento soggettivo nella bancarotta fraudolenta documentale, in Cass. pen., 2007

[19] Venturati, Le operazioni dolose nella bancarotta societaria, in Riv. trim., dir., proc., ec., 1990, fq. 116

[20] I. Elezi, E drejta penale (Pjesa e Posaçme), Tiranë 2009, fq. 336

[21] Bozheku, Linja interpretuese të normës juridike. Ligji, struktura dhe nenstruktura, Tiranë, 2017, fq. 104

[22] Kombinim i neneve 15 dhe 17 të Ligjit nr. 110/2016

[23] Bricchetti, Bancarotta fraudolenta, bancarotta semplice e operazioni infragruppo, in Riv. trim., dir., pen., ec., 2009, I, 48

[24] Busetto, Giudice penale e sentenza dichiarativa di fallimento, Milano 2000

[25] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. Civ., Sez. 5, 08.02.1968, n. 128, koment De Vito, në Ced Cass., rev., 107576

[26] Metodologji e njohjes së sistemit juridik me qëllim përdorimin e tij sipas interesave të caktuara. Kjo shprehi latine lidhet ngushte me sistemin e drejtësisë dhe format e mbartura të tij të cilat në kontekte të ndryshme të sistemit juridik marrin edhe ngjyrime interpretuese negative. Kështu, e njohur është shprehja në funksion interpretues të sistemit juridik: "Ius in artem redigere": metodologia e njohjes juridike. http://www1.unipa.it/dipstdir/portale/ARTICOLI%20ALBANESE/Scritti.pdf

[27] Nenet 14, 16 dhe 155 të Ligjit nr. 110/2016

[28] Shih nenin 20 të këtij Ligji

[29] Soana, I reati Fallimentari, Milano 2012, fq. 131

[30] Neni 20, pika 4, shkronja b) të Ligjit nr. 110/2016

[31] Neni 20, pika 4, shkronja c), të Ligjit nr. 110/2016

[32] Neni 20 i Ligjit nr. 110/2016

[33] Soana, I reati Fallimentari, Milano 2012, fq. 144

[34] Shih nenin 58 të Kodi të Proçedurës Penale

[35] Gjykata e Lartë Italiane – Cass. ord., Sez. 1, 06.11.2006/22.01.2007, n. 1825, koment Iacobucci, në Ced Cass., rev., 235797

[36] Shih po aty

[37] Shih nenin 153 të Ligjit Nr. 110/2016