V Ë S H T R I M E   H I S T O R I K O   -   J U R I D I K E

 

 

- 70 vjet prej shpalljes së Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut -

 

Ilir DHIMA

Redaksia e revistës ‘Avokatia’

Tiranë

 

            Hyrje

 

Duke pohuar ekzistencën e të drejtave të njeriut, mund të thuhet që ato e kanë gjetur dhe e gjejnë shprehjen e tyre në produktet e kulturave të ndryshme, në kohë të ndryshme. Në këtë vështrim është për t’u përmendur hartimi dhe hyrja në fuqi më 1776 i një ligji themelor në Mbretësinë e Suedisë, që veç të tjerash ndalonte censurën e shtypit; Deklarata ftanceze e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit (1789), që promovonte liritë e individit dhe, gjithashtu, artikulonte kufijtë e kësaj lirie; ratifikimi më 1791 i Amendamentit I të Kushtetutës Amerikane, që i hapi rrugë pa ligje të veçanta ushtrimit të veprimtarive fetare, lirisë së fjalës e të shtypit dhe të drejtës së njerëzve për t’u mbledhur paqësisht mbi kërkesat e tyre për zgjidhjen e ankesave. Pra, disa rezultate në këtë fushë janë regjistruar vërtet, por ato kanë qenë të kufizuara nga pikëpamja territoriale dhe të fragmentuara në shtrirjen esenciale të mbrojtjes së ofruar.

 

Prandaj mund të thuhet, se ”karriera” e vërtetë e njohjes, pranimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut filloi pas Luftës II Botërore, duke lënë pas përvojat e të ashtuquajturës ’Paligjshmëri juridike’, kur krimet kryheshin me autorizimin e ligjit dhe kur një pjese të qënieve njerëzore u mohoheshin edhe të drejtat elementare, si ajo për të jetuar. Ndërsa, menjëherë pas asaj kasaphane me shtrirje të gjerë, të çmuarit e vlerës unike të çdo qënieje njerëzore nga ana e bashkësisë ndërkombëtare shpuri jo vetëm te përpjekjet rreth mënjanimit të elementeve destruktive për individin dhe te propozimi i zgjidhjeve për mospërsëritjen e shkeljeve të së kaluarës, por edhe te krijimi i kushteve që do të mundësonin zhvillimin e njerëzimit. Kështu, në qëndër të vëmendjes u vu aspekti normativ, që fitoi nuanca të pandashme me pozitivizmin e së drejtës ndërkombëtare, e cila koncentrohet kryesisht në mbrojtjen e të drejtave individuale.  

Pikërisht në fillimet e kësaj rruge të gjatë zë fill ballafaqimi me një prirje drejt përcakrtimit të kuptueshëm të standardeve të të drejtave të njeriut, që u konkretizua me hartimin, miratimin dhe zbatimin e një sërë instrumentesh rekomandues, ekstra-ligjorë dhe ligjorë, që nga Deklarata e Organizatës Ndërkombëtare të Punës(ILO) dhe Kushtetuta e UNESKO-s, nga Karta e Kombeve të Bashkuara, që demonstroi lëvizje drejt ndërkombëtarizimit të të drejtave të njeriut, nga paktet më të rëndësishme ndërkombëtare në këtë fushë dhe rezolutat për standardet e respektimit të të drejtave të njeriut, nga një sërë traktatesh specifike dhe konventash në rrafshin global e në atë rajonal, deri te Deklarata e Vjenës dhe e Programit për Veprim.

Në harkun kohor të miratimit të këtyre dokumenteve, të cilat janë shqyrtuar jo vetëm si instrumente rekomanduese, ose me karakter normativ, por edhe si pasqyrim i përvojave të njerëzve të zakonshëm që jetojnë në botën moderne, një vend të veçantë  mban Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut,[1] e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948. Edhe tani, në vitin e shtatëdhjetë të shpalljes së kësaj Deklarate, mesazhet që ajo jep kujtohen dhe studiohen me vëmendje kudo nëpër botë, sepse idetë bazike të shtruara në këtë akt të rëndësishëm vlerëshet të kenë mbetur të njëjta, të qëndrueshme dhe të përhershme, përkundër ndryshimeve kulturore që kanë ndodhur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe tri dekadave të para të këtij shekulli.

Vërtet që teksti i Deklaratës Universale nuk parashikonte mekanizma për mbrojtjen e të drejtave dhe, duke qenë kështu një dokument i pa ratifikueshëm, nuk kishte vlerën e një instrumenti që angazhonte shtetet. Por, dy Paktet Ndërkombëtare kryesore në këtë fushë,[2] që e plotësuan Deklaratën dhe vunë në zbatim parimet e saj morën fuqi ligjore dhe u përfshinë në të drejtën e brendshme të shumë shteteve.[3] Ndërkohë që hedhja nga Deklarata Universale e bazës ekstra - juridike të të drejtave të njeriut, për çka do të flitet më poshtë, pa dyshim që ndikuan në formulimin e korpusit të së drejtës pozitive në shkallë ndërkombëtare, rajonale dhe në atë shtetetërore, por edhe në modelimin e sistemit juridik modern, si barrierë e fortë ndaj degradimit të kësaj të drtejte. Sepse, siç proklamonte Deklarata Universale: ”njohja e dinjitetit dhe e të drejtave që rezultojnë prej këtij dinjiteti janë bazë e drejtësisë dhe bazë e çdo sistemi ligjor që pretendon të jetë i drejtë”.[4]             

 

Dinjiteti, vlerë absolute e njeriut

 

Në përpjekje për të definuar atë çka është njeriu në vetvete, sociologë të ndryshëm kanë pranuar se, element kyç në këtë definicion është vetëdija dhe respekti mbi dinjitetin e të tjerëve. Ky përfundim u konsiderua fillimisht mjaft befasues, sepse në shumë studime të kësaj lëme, kryesisht te ato me ndikim nga teoria e sociologut të famshëm amerikan B.F.Skiner, dobia teorike dhe praktike e nocionit ’dinjitet njerëzor’ vihej në pikëpyetje.[5] Por, duke e parë këtë çështje nga perspektiva e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ai përfundim mund të pohohej plotësisht dhe të konsiderohej pa më dyshje si një nocion paradigmatik.[6] Madje, kalimi i kohës, që është shoqëruar pa ndërprerje me procesin e pluralizmit politik dhe ekonomik të bashkësisë ndërkombëtare, deri tani nuk ka arritur të çojë në eleminimin e këtij nocioni.

Është e kuptueshme që ky koncept me përhapje të shpejtë dhe gjithnjë e më të gjerë të tij të bëhej shprehje stereotipe pas shkeljeve të rënda dhe masive të të drejtave të njeriut. Shembuj tipikë të këtyre shprehjeve gjenden jo vetëm në nenin 1 të Kushtetutës së Gjermanisë Federale dhe në nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Italisë, të cilat u aprovuan menjëherë pas përfundimit të Luftës II Botërore, por edhe në Kushtetutat e Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë, që u miratimin në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, pas përmbysjes së juntave ushtarake në këto shtete. Gjithashtu, nocioni ’dinjitet njerëzor’ zuri vend edhe në kushtetutat e reja të vendeve të Evropës Qëndore dhe Lindore, pas rrëzimit të Murit të Berlinit më 1989. Midis këtyre akteve themelore le të përmendim edhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (1998), ku termi ’dinjiteti i njeriut’ vendoset në një rradhë dhe në të njëjtin rrafsh me karakteristikat themelore të shtetit dhe tiparet moderne të tij, të cilat më së pari duhet të respektohen dhe të mbrohen.[7]

Por, kjo prirje u duk njëtrajtshmërisht në nivel ndërkombëtar që herët. Fillimisht ishte Deklarata mbi Qëllimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO),[8] që theksonte:: ”Të gjitha qëniet njerëzore, pa marrë parasysh racën, fenë apo gjininë kanë të drejtë që të synojnë mirëqënien materiale, si edhe zhvillimin shpirtëror në kushte të lirisë dhe të dinjitetit”. Ndërsa një përkufizim i ’dinjitetit njerëzor’ u vu re në paraqitjen e Kartës së Kombeve të Bashkuara[9] Në Preambulën e kësaj Karte theksohej nevoja për të riafirmuar besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e çdo qënieje njerëzore. Pra, edhe argumenti për kontrollimin e detyrimeve ndaj një personi lidhej me njohjen e dinjitetit njerëzor. Ky motivim mund të vështrohej qartë gjithashtu te Kushtetuta e UNESKO – s,[10] në të cilën konsiderohej lufta si mohim i rregullave demokratike të dinjitetit, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Por, kuptimi më i veçantë i këtij termi gjendet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila ka ushtruar ndikimin më të madh ideologjik në zhvillimin e mbrojtjes ndërkombëtare të këtyre të drejtave. Duke iu referuar formulimeve të Deklaratës Universale, dinjiteti shprehet përgjithësisht nën termin ’dinjiteti imanent i njeriut, ndërkohë që në tekstin e saj përdoren për të njëjtin koncept edhe katër terma të tjerë: ”dinjiteti’, ’dinjiteti njerëzor’, ’dinjiteti imanent’, ’dinjiteti dhe vlera e njeriut’.

Në Preambulën e Deklaratës Universale lexohet, se: ”Njohja e dinjitetit imanent të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, si edhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta dhe të patjetërueshme përbën themelin e lirisë, të drejtësisë dhe të paqes në botë”. Ky referim tingëllonte këndshëm, por sidoqoftë me natyrë disi abstrakte, që ndryshon paksa në nenin 1 të Deklaratës Universale ku theksohet, se: ”Të gjitha qëniet njerëzore lindin të lira e të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave”. Ky  përcaktim kishte të bënte me kuptimin normativ të një koncepti të veçantë antropoilogjik, i cili formoi sfondin e Deklaratës. Megjithatë, në dy raste të tjera,[11]dinjiteti’ është pikë referimi ekstra-normative për arsyetimin apo realizimin e të drejtave të caktuara të njeriut. Sidoqoftë, ky term u bë kategoria themelore e së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si në rrafshin global, po ashtu edhe në atë rajonal.

Pra, ndikimi inspirues i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ka nxitur lidhjen e ngushtë të dinjitetit njerëzor me atë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Për më tepër, dinjiteti është absolut, ndërsa ushtrimi i të drejtave kufizohet nga një sërë faktorësh: për sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit apo moralit, etj., etj. Shumë instrumente për garantimin e këtyre të drejtave ofrojnë interpretime të ndryshme të termit ’dinjitet njerëzor’, duke u spikatur sidomos dy llojeve të veçanta të interpretimit. I pari është i mbështetur në përsëritjet, që dallohen nëpër lëndët e instrumenteve të ”ligjit të fortë” (traktate, konventa, kushtetuta, ligje) dhe të ”ligjit të butë” (deklarata, rezoluta, memorandume etj.) për mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sipas përcaktimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe sidomos të Deklaratës Universale. Ndërsa, i dyti i referohet pavarësimit të nocionit ’dinjiteti’ nga instrumentet e së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim mund të shpjegohet sensibiliteti i çdokohshëm në trajtimin të kësaj vlere absolute të njeriut. Aq më tepër aktualisht, kur me gjithë hyrjen në fuqi të një korpusi të gjerë dokumentesh të pranuara gjerësisht, ende nuk mbeten pa u vërejtur në plot vende të botës shkelje të shumta të të drejtave të njeriut dhe kërcënime të reja në këtë fushë prej zhvillimit të civilizimit. Prandaj, bashkimi apo ndërlidhja e të drejtave të njeriut me dinjitetin e tij duket dhe ndjehet që të jenë aq imanente, aq i brendshëm, saqë eleminimi i këtij termi apo i kuptimit deçiziv të tij jo vetëm nga tekstet normative për të drejtat e njeriut, por edhe nga gjithë retorikat për rritmet e zhvillimit të jetës do të konsiderohej i pabesueshëm, përkundër vështirësive që rrjedhin prej diskutimeve aksiomatike.

Nën fokusin e këtyre interpretimeve le të përmendim fillimisht dy Paktet Ndërkombëtare të miratuara në vitin 1966: Pakti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Ai për të Drejtat Civile dhe Politike, të cilët kanë plotësuar Deklaratën Universale dhe i kanë vënë në zbatim parimet e saj, duke u përfshirë, siç thamë më lart, në të drejtën e brendshme të pothuajse të gjitha shteteve demokratike. Termi ’dinjitet imanent i njeriut’ është prezent në Preambulat e të dyja këtyre Pakteve, dhe formulimi rreth tij është i njëjtë si në tekstin e njërtit, ashtu si edhe në atë të tjetrit. Por, duke marrë parasysh karakterin normativ, detyrues të të dyja Pakteve, edhe nga formulimi i teksteve të tyre rezultojnë disa pasoja të qenësishme. Domethënë, dinjiteti i njeriut shndërohet në rregull ligjor, përderisa së bashku me këto të drejta përbën një prej bazave të qëndrueshme të botës moderne. Për më tepër, në Preambulat e të dyja Pakteve ai është lehtësisht i dallueshëm, sepse në raportin ndërmjet tij dhe të drejtave të njeriut përcaktohet se: ”këto të drejta rezultojnë prej dinjitetit të njeriut”. Termi ’dinjitet’  parashtrohet jo vetëm në Preambulat e Pakteve, por edhe në dispozitat materiale të tyre. Në ’to është përcaktuar, për shembull, një standard i veçantë për qëndrimin ndaj personave që u është mohuar liria, të cilët ”do të trajtohen me humanizëm dhe respekt për dinjitetin imanent të çdo njeriut”.[12] Ose, ”arsimi duhet të synojë zhvillimin e plotë të personalitetit njerëzor dhe të ndjenjës së dinjitetit të tij”.[13]

Ndërsa, për shpjegime të mëtejshme rreth llojit të dytë të interpretimeve mund t’i drejtohemi edhe teorisë së të drejtës,[14] që vlerëson se termat e veçantë mund të luajnë rol si parime dhe rregulla në sistemin ligjor. Pra, në parim termi ’dinjitet imanent i njeriut’ tregon qëllimin aksiologjik të tërë sistemit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe imponon zgjidhje normative që ndihmojnë implementimin sa më optimal të kësaj mbrojtjeje; ndërsa si rregull, një term i tillë merr vlerën e një direktive specifike për interpretim. Ai është evident edhe në një sërë konventash dhe deklaratash, në tekstet e të cilave i jepet më së shumti kuptimi i një standardi të veçantë të origjinës etiko - ligjore, që bie në kundërshtim me gjendjen specifike të punëve apo dukurive të ndryshme. Kështu, Konventa mbi Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave[15] pranon, se: ”diskriminimi ndaj grave cënon parimin e barazisë së të drejtave dhe respektin për dinjitetin e njeriut”. Po ky kuptim i jepet termit ’dinjitet’ edhe në tekstin e Deklaratës mbi Eleminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit që Mbështeten në Fe ose Bindje[16] ku theksohet, se: ”diskriminimi ndërmjet njerëzve për arsye feje ose besimi përbën një fyerje të dinjitetit njerëzor”.[17] Në disa raste, ’dinjiteti’ merr vlerat e një definicioni ligjor të marrë si pikë referimi për nevojat e hartimit të një konvente apo të një deklarate të caktuar. Bie fjala, Konventa për Pengimin dhe Dënimin e Krimit të Aparteidit[18] shprehet se, krimi i aparteidit është ”cënim i lirisë, ose i dinjitetit”.[19] Po kështu, termin e përmendur tashmë në shumë akte ndërkombëtare e gjejmë edhe në të drejtën humanitare, për shembull, te të katër Konventat e Gjenevës (1949)[20] dhe te dy Protokollet Shtesë të tyre (1977).[21]

            Ndërsa te konventat në rrafsh rajonal (për të cilat do të flitet në fragmente të mëtejme të këtij punimi) është vërejtur një paradoks. Duke shqyrtuar sistemin e vendosur nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut ka qënë befasues fakti që as Statuti i Këshillit të Evropës, as Konventa si produkt edhe i këtij organizmi kontinental dhe as Karta Sociale Evropiane nuk evidentojnë termin ’dinjitet’. Me sa duket u desh pranimi në shkallë të gjërë ndërkombëtare e dy Pakteve (1966), me fuqi juridike të dispozitave të tyre, që instrumete inter - amerikane t’i referohen qartësisht ’dinjitetit imanent të njeriut’. Ky term është i pranishëm jo vetëm në Deklaratën Amerikane mbi të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut,[22] por edhe në Konventën Pan - Amerikane për të Drejtat e Njeriut. Kjo prirje u duk e qëndrueshme po të kujtojmë që një term i tillë zë vend edhe në Preambulën e Kartës Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve, si edhe në nenin 5 të saj.

           

            Veçoritë themelore në konceptimin modern të të drejtave të njeriut

 

            Njohja e dinjitetit, që u përket të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, si edhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta dhe të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”.[23] Ky citim nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e paraqet dinjitetin e njeriun me rëndësi të veçantë, madje edhe si nismë për ravijëzimit e tipareve moderne të shtetit, duke u mbështetur këto tipare jo vetën te vlera absulute e dinjitetit të njeriut, por edhe te njohja, pranimi dhe mbrojtja e vetive themelore të të drejtave tij, të cilat ”... burojnë nga dinjiteti që i përket çdo njeriu”.[24]

            Në këtë optikë duhet vërejtur paraprakisht që të drejtat janë të përgjithshme, pra i takojnë çdo qënieje njerëzore, pavarësisht se çfarë përfaqëson personi, çfarë kombësie i takon ai, çfarë shtetësie ka, cilës race, besimi fetar apo bindjeje politike i përket etj.. Donethënë, kjo veti - universaliteti - mbështetet në ’dinjitetin imanent’, por edhe shoqërohet me pandashmërinë e të drejtave. Ndonëse këto karakteristika apo veti janë themelore në përcaktimin e të drejtave të njeriut, ndonjëherë janë kontestuar nga disa filozofë dhe teoricienë të së drejtës. Më së shumti, nga mosvështrimi i dallimit midis të Drejtës së të Drejtave të Njeriut dhe vetë këtyre të drejtave që mbrohen prej saj; ngaqë nuk janë në pajtim me karakteristikat e atyre që u përpunuan në bazë të së drejtës statutore, duke injoruar kështu faktin se koncepti i të drejtave të njeriut u shfaq pjesërisht si pasojë e miratimit të pajustifikuar të supozimeve relativiste, bazë filozofike e disa teorive të aplikuara në këtë lëmë. Sidoqoftë, me gjithë kontestimet e shprehura ndaj tipareve apo vlerave si universalizmi dhe pandashmëria, këto janë pranuar gjerësisht dhe theksuar fort në diskutimet praktike. Madje, Deklarata e Vjenës[25] përmban, pjesërisht si përgjigje ndaj dyshimeve të shprehura, këto fraza:”Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të drejta imanenete të çdo qënieje njerëzore”, ”Natyra universale e këtyre të drejtave dhe lirive nuk mund të vihet në dyshim”.[26]

            Të drejtat dhe liritë themelore ekzistojnë, pavarësisht nga vullneti i një individi apo i një grupi njerëzish; ato as nuk fitohen dhe as nuk mund të cënohen prej çfarëdo veprimi apo gjesti etik. Ato mund edhe të mos njihen, mund edhe të mos respektohen, por kjo nuk mohon faktin e përjetshëm që këto të drejta dhe liri themelore i takojnë çdo individi. Si të tilla, askush nuk mund t’ia mohojë askujt këto të drejta, si edhe askush nuk mund të heqë dorë prej tyre me vullnetin e vet. Për të ilustruar këtë ide, ndoshta janë domethënëse pyetjet: Cili do të dëshironte që të mos ishte i lirë? Cili do të dëshironte që t’i nënshtrohej skllavërisë në kuptimin më konkret të fjalës? Pra, të drejtat që rrjedhin apo rezultojnë prej ’dinjitetit imanent’ të njeriut janë gjithashti të patjetërsueshme.   

            Në këtë vështrim, ato nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me norma ligjore të hartuara dhe miratuara sipas disa kritereve të caktuara. Ndërkohë që  miratimi i normave ligjore të përshtatshme bëhet me qëllim që të mbrohen të drejtat e njeriut dhe të përcaktohen mënyrat e garantimit të respektimit dhe mbrojtjes së tyre. Fakti që veprimet e caktuara apo heqja dorë prej tyre i takojnë vetë personit, bazën primare e ka në veçantinë e të qënit njeri. Është pikërisht kjo që përcakton pranimin dhe resapektimin e ’dinjitetit’ të çdo qënieje njerëzore. Prandaj, askush nuk mund të trajtohet si një mjet i thjeshtë, edhe nëse një trajtim i tillë do të ishte në ndonjë rast dhe për një periudhë kohore të caktuar shumë i dobishëm për shoqërinë apo për vetë personin.

            Deklarata Universale ka theksuar, veç të tjerash, se: ”Të gjitha qëniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe të drejtave. Ato janë të pajisura me arsye dhe me ndërgjegje, dhe duhet të veprojnë ndaj njëra – tjetrës...”.[27] Që këtej bëhet e qartë dhe mund të konkludohet se, dinjiteteti i barabartë qëndron në faktin, sipas të cilit, nuk ka qënie humane më njerëzore se sa të tjerat; dinjiteteti i barabartë kërkon respekt të barabartë për çdo njeri; ai kërkon përkujdesje të barabartë për mbrojtjen e individit, për mjetet dhe mundësitë e zhvillimit, rrjedhimisht edhe barazinë përpara ligjit, si një tjetër veçori themelore e dallueshme i të drejtave njerëzore. Gjatë hartimit të akteve të së drejtës pozitive, postulati i barazisë e kombinon këtë barazi përpara ligjit, si edhe mbrojtjen e barabartë të tij: ”Të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe kanë të drejtë për mbrojtje të barabartë të ligjit, pa asnjë dallim”.[28] Në këtë kuptim, nuk mjafton që të merren vendime të njëjta gjyqësore në rrethana që e drejta pozitive nuk i ka dalluar plotësisht apo saktësisht, por me rëndësi është gjithashtu që te këto vendime të gjenden dhe të artikulohen arsye të caktuara për t’i konsideruar dallimet e veçanta në përkatëse të ligjit.

            Mirëpo, nëse askush nuk mund të trajtohet si një mjet i thjeshtë, atëherë edhe përgjegjësitë, edhe të mirat shoqërore, domethënë të dyja së bashku duhet të ndahen proporcionalisht. Sepse respektimi i barazisë nuk do të thotë trajtim i barabartë në kuptim të imponimit të qëllimeve unike dhe rrethanave të njëta për veprim mbi individët. Pra, dallimet janë të diskutueshme, po aq edhe të dëshirueshme, nëse ka rrethana të bazuara që i arsyetojnë ato.[29]

            Gjithashtu, duke pranuar që dinjiteti i barabartë dhe imanent është burim i të drejtave të njeriut, dhe që këto të drejta janë të patjetëruesheshme e të barabarta, vetivetiu vjen pohimi se ato nuk janë të bazuara në ndonjë karakteristikë specifike të çdo qënieje njerëzore. Në nenin 2 të Deklaratës Universale theksohet, se: ”Çdo njeri mund të gëzojë të gjitha të drejtat  dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë pa asnjë dallim për nga raca, ngjyra, seksi, gjuha, feja, bindjet politike apo çfarëdo bindjesh të tjera, prejardhjeje kombëtare apo shoqërore, të pasurisë, të lindjes apo të rrethanave të tjera”.[30] Pra, posedimi i të drejtave të njeriut nuk mund të jetë pasojë e mundësisë, fjala vjen, që individi të bëjë zgjedhje të lira, ose të mendojë në mënyrë të logjikshme. Ndërkohë që mund të vërehet fare mirë se, në pajtim me nenin 1 të Deklaratës Universale, çdo njeri njihet si i lirë dhe i pajisur me arsye, çka të bën të mendosh se të qënit i lirë dhe i arsyeshëm nuk janë veti që lidhen me ndonjë aftësi funksionale, por mund të konsiderohen, të lidhura me njëra - tjetrën, si element i veçantisë së njeriut dhe i dinjitetit të tij.[31]

            Prej këtej mund të dallohet dhe të vlerësohet parimi i mosdiskriminimit, që i referohet raportit të vet njeriut me të drejtat e tij. Ky parim përforcon idenë se, dallimet midis personave nuk kanë rëndësi vetëm përsa i përket posedimit të të drejtave të njeriut. Prandaj, prirjet e ndryshme të individëve përbëjne diskriminim vetëm kur cënohen të drejtat e njeriut. Për shembull, ”...termi ’diskriminim racor’ synon çdo dallim, përjashtim, kufizim apo referencë që bazohet në racë, ngjyrë, prejardhje apo origjinë etnike, që ka për qëllim apo për efekt të shkatërojë, ose të kompromentojë njohjen, gëzimin apo ushtrimin në kushte barazie të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në fushat politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore , ose në çdo fushë tjetër të jetës publike”.[32] Ndërkohë që ato çka i dallon elementet e renditura në këtë citim të fundit janë karakteristika në bazë të cilave kryhet diferencimi, si edhe fusha të jetës ku zbatohet një akt juridik i caktuar.   

            Ndërsa, duke iu referuar lirisë së individit, në nenin 1 të Deklaratës Universale gjendet referencë jo vetëm te ’dinjiteti njerëzor’, por edhe te arsyeja dhe ndërgjgegjja. E pra, në konceptimin e të drejtave të njeriut, gjatë përcaktimit të standardeve të sjelljes, rëndësi kryesore i atribuhet zhvillimit individual, i cili mbështetet në zgjedhjen e lirë në pajtim me të vërtetën e identifikuar te realiteti. Por, liria e individit nuk është kualitet i çdo qënieje njerëzore, e cila krijon bazën për standardet e sjelljes, pavarësisht cilësive të tjera; ajo gjithashtu nuk është një vlerë absolute në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përkundrazi, sikurse lexohet në paragrafët e parë të Preambulës së Deklaratës Universale: ”Njohja e dinjitetit dhe e të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme...përbën themelet e lirisë”. Ky referim, që të adreson te arsyeja dhe ndërgjegjia lidhet me atë që theksohet në nenin 1 të Deklaratës, sipas formulimit të të cilit, një qënie njerëzore nuk është e lirë për të përcaktuar standardet e sjelljes, por gjatë këtij përcaktimi ai/ajo duhet të konsiderojë atë që i zbulon arsyeja dhe ndërgjegjia.[33]

            Në këtë nen që përmendet më sipër flitet edhe për ”ndjenjën e vëllazërisë”, çka tërheq vëmendjen ndaj faktit që në parim anëtarët e komunitetit apo të shoqërisë nuk mund të jenë kundërshtarë, që paraqesin rrezikshmëri për njëri – tjetrin. Tek e fundit, qeniet njerëzore janë qenie shoqërore, marrëdhëniet me të tjerët në një rreth të caktuar shoqëror janë kusht i domosdoshëm për zhvillim. Interesi i çdo individi për mirëqënien e të tjerëve dhe e komunitetit në tërësi bazohet në dinjitetin e gjithkujt dhe në karakterin shoqëror të qënieve njerëzore. Prandaj, Deklarata Universale vë në dukje, se: ” Çdo njeri ka detyra ndaj komunitetit, përderisa vetëm këtu është i mundshëm zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij”.[34]

            Por njohja e domosdoshmërisë së mjedisit shoqëror dhe e detyrave të caktuara të individit ndaj grupit, nuk ka pse të shpjerë te dhënia përparësi komunitetit në çdo rast apo kur paraqitet ndonjë konflikt midis respektimit të dinjitetit të një individi dhe mirëqënies së komunitetit. Në këtë kuptim, individi nuk duhet të trajtohet kurrë si mjet ”konsumi” për arritjen e mirëqënies së grupit, ashtu sikurse nuk është e arsyeshme që një person apo një grup personash të sakrifikohen për mirëqënien e ndonjë individi tjetër. Sepse, çdo qënie njerëzore është autonome, ai ose ajo nuk janë levë e thjeshtë e shoqërisë, kur e gjithë shoqëria ekziston për të mirën e tij/saj. Gjithëkaq, dimensioni shoqëror i qënieve njerëzore është bazë për të ashtuquajturat të drejta kolektive, të cilat ekzistojnë për të mirën e grupeve, por që kanë si prioritet final pikërisht individin.

            Pra, një veçori tjetër e konceptit paradigmatik të të drejtave të njeriut është ndërvarësia e këtyre të drejtave. Megjithatë, përpjekjet për kodifikim janë përcjellë për disa dekada me mospajtime rreth priroteteve dhe krijimit të hierarkisë së të drejtave, mospajtime këto që janë vlerësuar si pasqyrim i tensioneve midis rrymave kryesore ideologjike dhe politike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit apo në kundërshtimet themelore ndërmjet koncepteve liberale dhe atyre socialiste. Sipas pikëpamjeve themelore të doktrinave liberale duhej t’u jepej përparësi të drejtave civile dhe politike, si atribute natyrore dhe të patjetërsueshme të njeiut. Mdërsa, sipas pikëpamjeve socialiste të mbështetura në ideologjinë marksiste – leniniste duhej vënë theksi te të drejtat ekonomike dhe sociale, si pikënisje dhe bazë për respektimin e plotë të të drejtave civile dhe politike. Përveç mospajtimeve politike për miratimin e dy Pakteve Ndërkombëtare (që përfshinin të dyja kategoritë e të drejtave të njeriut), në sy ra edhe ndikimi i dallimeve substanciale dhe procedurale ndërmjet këtyre dy kategorive. Por, megjithë atmosferën e një politizimi të tepruar, ose animin e shumë shteteve nga njëra apo tjetra anë gjatë veprimtarisë së tyre, më së fundi u arrit më 1966 miratimi i dy Pakteve, duke sjellë përgjigjen e pritur: promovimi i parimit të pandashmërisë dhe ndërvarësisë së të drejtave të njeriut, në frymën e të cilit të trajtohen të gjitha këto të drejta si tërësi e pandashme, që nga realizimi i një grupit të drejtash varet gëzimi edhe i të tjerave.   

            Ky parim u njoh publikisht me Rezolutën e Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut, mbajtur në Teheran më 1968, si edhe u theksua në Rezolutën 32/130 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 1977. Mirëpo u desh të kalonin edhe disa vite të tjera që më 1993 Deklarata e Vjenës të proklamonte përfundimisht me jehonë të fortë globale , se: ”Të gjitha të drejtat e njeriut janë universale, të pandashme, të ndërvarura dhe të ndërlidhura”, duke vazhduar më tej të porosiste, se: ”Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i trajtojë të drejtat e njeriut globalisht në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, në kushte barazie dhe me të njëjtën rëndësi”.[35] Kështu iu bë thirrje gjithë shoqërisë njerëzore që të hedhë vëmendjen te çdo aspekt i ekzistencës së njeriut: ai fizik, psikologjik, moral etj., sepse zhvillimi individual kërkon sigurisht kushtet e duhura  ekonomike, sociale, politike, kulturore dhe teknologjike. Sigurimi i të paktën minimumit të mundësive nën këto prizme të jetës është zakonisht i domosdoshëm për zhvillimin e njeriut dhe, njëkohësisht, për parandalimin e degradimit të tij. Prandaj, qëllimi i hartimit dhe miratimit apo ratifikimit të çdo akti legjislativ është apo duhet të jetë mirëqenia e njeriut dhe jo parashtrimi i vlerave abstrakte të tij.

            Në këtë optikë, nocioni specifik i shtetit dhe i së drejtës pozitive janë të lidhura ngushtë me konceptimin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe garantimin e tyre. Respektimi dhe mbrojtja e këtyre të drejtave pa hezitim dhe zvarritje mund ta karakterizojnë atë si një shtet demokratik, ku sundon ligji, dhe realizon politika sociale të përshtatshme. Këto tre plane është e nevojshme të këqyren në kontekstin më të gjerë të mundshëm, që asnjëri prej tyre të mos vendoset mbi tjetrin. Pra, demokracia që përkarahet para së gjithash ngaqë në një rend të tillë individi trajtohet si personalitet i lirë dhe racional nuk mund të kuptohet si përparësi absolute e shumicës; shteti ku sundon ligji nuk mund të kuptohet me zbatimin e thjeshtë të akteve juridike të miratuara formalisht; kërkesa ndaj tij për të ndërmarë politikë sociale të përshtatshme nuk do të thotë që shteti duhet t’i sigurojë çdo njeriu me çdo kusht ekzistencë të parapëlqyer, por të përkrahë iniciativën e individit, si edhe përgjegjësinë e tij ndaj vetes dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë.[36]

            Ndërkohë që karakteristikat e normave ligjore për të drejtat e njeriut nuk mund të injorojnë llojshmërinë e obligimeve të një shteti për implementimin e tyre. Kështu, mund të spikatimn rregulla ku kërkohet arritja  e një rezultati specifik (për shembull, ndalimi i torturës), të tjera që reflektojnë detyrimet e drejtuesve të shtetit, ose zellin e tyre në përrpjekjet për të realizuar synimet specifike (për shembull, standardin më të lartë të arritshëm të shëndetin fizik dhe mental). Kur sipas rregullave ndërmerren të dyja këto lloje përgjegjësish, atëhere këto bëhen juridikisht detyruese, edhe nëse mënyrat e implementimit të normave ligjore mund të ndryshojnë. Nga interpretimet ilustrative të detyrimeve të drejtuesve të një shteti për të promovuar gëzimin e plotë të së drejtës për punë ka dalë në përfundimin se, nuk dëshmohet asnjë shkelje kur shteti ka paraqitur politikën e vet aktive për punësim, madje edhe nëse shkalla e papunësisë është rritur gjatë periudhës së shqyrtimit.[37]

            Tashmë simbioza e konceptimit të të drejtave të njeriut dhe e rolit të shtetit për t’i mbrojtur ato pasqyrohet edhe në shumicën e kushtetutave bashkëkohore, si edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Preambula e së cilës shpreh: ”...vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”. Por, sikurse është shpjeguar qartë nga shumë teoricienë të së drejtës dhe nga përvoja botërore, në shtetin demokratik pushteti i shumicës që sanksionohet nga zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të jetë i përqëndruar në duart e një shumicë, që që kjo të ushtrojë shtypje të fortë ndaj individëve dhe pakicave, por të jetë i kufizuar nga të gjitha të drejtat dhe liritë që u takojnë njerëzve të veçantë.[38]

           

            Korniza dhe fazat e kodifikimit për mbrojtjen të drejtave të të njeriut

 

            Të drejtat e njeriut nuk mund të vështroheshin vetëm si një proces politik dhe shoqëror. Ato duhej të bëheshin një kategori juridike e shumëllojtë dhe e komplikuar, sepse çdo e drejtë e njeriut përbën një lloj specifik të standardeve normative dhe një raport të së drejtës midis qënieve njerëzore dhe autoriteteve publike, me qëllim mbrojtjen e veçorive themelore të këtyre të drejtave dhe nevojave të njeriut prej ndërhyrjeve të tepruara të atyre autoriteteve. Prandaj, raporti midis palëve private ka qenë përjashtuar nga koncepti klasik në këtë fushë. Por, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit legjislacioni mbi mbrojtjen e të drejtave e njeriut ka integruar aspekte të veçanta të atij që quhet zakonisht dimensioni horizontal i kësaj mbrojtjeje.

            Dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe përmbajtja e Deklaratës Universale krijuan kornizën për zhvillimin progresiv dhe kodifikimin e të drejtave të njeriut. Ky përfundim mund të nxirret nga 7 klauzolat e të parës dhe theksimi në të dytën, se ”është thelbësore...që të drejtat e njeriut të mbrohen nga një regjim ku sundon ligji”. Dhe, po të pohohet që parimet janë zakonisht deklarime të përgjigjthshme të normave ligjore, që pasqyrojnë domosdoshmërinë e një serie masash të detajuara, atëherë edhe shtrirja e rregullave në sferën e kësaj fushe vërtetojnë njohjen e respektimit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Ky respektim, si parim afirmativ i të drejtës ndërkombëtare moderne, megjithatë duhej konkretizuar përmes termave që janë quajtur zakonisht norma programore, por të cilat duhen mbushur me rregulla ligjorë me vlerë të plotë”.[39]

            Në rrafshin global të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, procesi i hartimit, publikimit dhe hyrjes në fuqi të akteve të ndryshme është ndarë më së shumti në 4 faza.

            Faza I (1945 – 1948) nisi me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe përfundoi me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Në kuadër të veprimtarive ku bëheshin përpjekje për të manifestuar respektimin ndërkombëtar të të drejtave të Njeriut, më së pari u miratuan marrëveshje procedurale dhe institutcionale, për të krijuar bazat për veprim në drejtim të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeiut. Gjithashtu, nuk munguan edhe disa marrëveshjet me karakter organizativ dhe funksional, të cilat krijuan mundësi për përpilimin e standardeve esenciale për të drejtat e njeriut. Nga OKB u lançua më 1946 një program për miratimin e të ashtuquajturit Ligj Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, që siç parashikohej në programin përkatës të përbëhej nga një deklaratë, një konnventë dhe masat implementuese.[40] Dhe, nuk ka dyshim që arritja më e madhe e kësaj fazë është shpallja e Deklaratës Universale, e cila u shoqërua me miratimin e standardeve të para juridikisht detyruese, si Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Genocidit, Konventa e ILO – s Nr. 87 për Abolimin e Skllavërisë, Tregtisë me Skllevër dhe Praktikave të ngjashme me Skllavërinë.  

            Ndërsa, Faza II (1949 - 1966) është konsideruar si kodifikim i programit të përcaktuar në Deklaratën Universale. Pa u mbushur ende dy dekada nga shpallja e saj, kjo veprimtari intensive shpuri në miratimin e tre instrumenteve të veçanta nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara: Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturote, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Protokollin Fakultativ të Paktit të dytë. Me aprovimin e këtyre dokumenteve përfundoi periudha e vendosjes së bazave të përgjithshme ligjore në këtë fushë. Vlen të theksohet, gjithashtu, se gjatë kësaj periudhe përpjekjet për kodifikim u bënë edhe për të përpiluar konventa më të detajuara dhe më të specifike, si ajo për statusin e refugjatëve (1951), Konventa mbi të Drejtat e Grave (1952), ajo mbi Eleminimin e Diskriminimit Racor (1957), ajo mbi Eleminimin e Diskriminimit në Arsimim (1960), Konventa për Eleminimin e Diskriminimit në Punësim dhe Profesion (1958) etj. Pra, siç vërehet, gjatë kësaj faze u vendos një kornizë e madhe ligjore për aktivitete më të hollësishme dhe të përparuara për implementimin e të drejtave të njohura dhe përpilimin e standardeve thelbësore më të detajuara.   

            Faza III (1967 – 1988) është karakterizuar prej katër prirjeve mbizotëruese: prirja e parë kishte të bënte me hyrjen në fuqi më 1976 të Pakteve Ndërkombëtare dhe Protokollit Fakultativ të njërit prej tyre, çka rezultoi me iniciimin e një tërësie të masave implementuese, që duhet të shërbejnë për të garantuar dhe kontrolluar respektimin e të drejtave të njohura; e dyta ka qenë vazhdimësi e hapave të mëparshëm në drejtim të përpilimit të traktateve të detajuara, si Konventa për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit (1979), Konventa kundër Torturës dhe Formave të tjera të Trajtimit Mizor, Jo – human dhe Degradues, ose Dënimit (1984) etj; prirja e tretë u dallua nga përpjekjet e shumta për të përforcuar implementimin, trupat dhe mekanizmat e tij; e katërta është përshkruar më së shumti si një kërkim i mënyrave të reja për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe tendencën për t’i vendosur çështjet e të drejtave të njeriut përballë një sfondi më të gjërë kërkesash të përgjithshme dhe të domosdoshme, të ashtuquajtura të drejta të ’gjeneratës së tretë. Të gjitha këto prirje, sidomos trendi i fundit u pasqyruan në debatet dhe në arritjen e konkluzioneve përfundimtare të konferencës Ndërkombëtare për të Drejtart e Njeriut, të mbajtur në Teheran më 22 Prill – 13 Maj të vitit 1968, me rastin e 20 vjetorit të Deklaratës Universale.

            Faza IV (1989 deri më sot) është rezultat në përgjithësi i zhdukjes fillimisht të konfliktit  Lindje – Perëndim dhe i akumulimit të mjaft problemeve ende të pazgjidhura Veri – Jug. Gjatë kësaj periudhe, Kombet e Bashkuara kanë shënuar një pranim më të gjërë të masave mbikqyrëse në shtetet e Evropës Qëndrore dhe Asaj Lindore Sikurse edhe në shtete të tjera ku po demkratizohen sistemet e qeverisjes, por edhe atje ku ka qënë keqësuar dhe vazhdon të jetë kritike gjëndja e të drejtave të njeriut (Nigeri, Ruandë, Kosovë, Kore e Veriut, Mianmar etj.). Që Kombet e Bashkuara t’u përshtateshin në veprimtarinë mbikëqyrëse sfidave të vjetra dhe të reja, gjithashtu u shënuan edhe hapa për zhvillimin e masave për diplomaci parandaluese dhe lajmërimeve në kohë të problemeve ekzistuese në fushën e të drejtave të njeriut.

            Periodizimi i paraqitur në këto rradhë thekson prirjet kryesore sipas një renditjeje kronologjike, ndonëse në formatin e ngushtë të këtij punimi nuk mund të paraqiten tërësisht të gjitha simpomat dhe drejtimet e kodifikimit pas Luftës II Botërore, sikurse as gjithë zhvillimin progresiv të të drejtave të njeriut në nivel global. Por nuk mund të lihet pa u hedhur sytë te shtrirja e zhvillimit të të drejtave të njeriut edhe në rrafsh rajonal, nëpërmjet dhe përbrenda organizatave ndërkombëtare. Por, siç është vendosur në terma rigorozisht juridikë, një sistem ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duhet të bazohet në një traktat detyrues dhe njëkohësht të ketë marrëveshjet e veta për implementim. Sistemet rajonale që dështojnë në plotësimin e këtyre dy kritereve marrin ose karakter promovues,[41] ose vetëm angazhime politike dhe monitorimi.[42] Megjithatë, këto mund të jenë jo më pak efikase në veprimtarinë e tyre për të drejtat e njeriut se sa sistemet e mbrojtjes së këtyre të drejtave, që u përkasin tre kontinenteve.

            Sistemi i parë rajonal për mbrorjen e të drejtave të njeriut është krijuar brenda Këshillit të Evropës, i cili u themelua më 1949. Statuti i kësaj organizate ka kërkuar që Shtetet kandidate për anëtarësim në këtë Këshill duhet të karakterizohen nga një demokraci shembullore, në respektim të sundimit të ligjit, duke garantuar mbrojtjen e të drejtat e njeriut dhe lirive të personave nën juridiksionin e tyre. Ky sistem bazohet në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.[43] Kjo Konventë është vlerësuar se ka krijuar një sistem të njohur sikoncept liberal në prizmin e dieve të shtruara dhe i admirueshëm për krijimin e mekanizmave në shqyrtimin e aplikimeve individuale dhe ankimeve ndërshtetërore nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg. Shtrirja esenciale e rregullave të Konventës, ndonëse fillimisht të fokusuara te të drejtat civile dhe politike, u plotësuan me Kartën Sociale Evropiane[44] disa Protokolle e mëvonshme periodike, të cilat së bashku e shndëruan dhe e Shpallën KEDNJ në një katalog me rrjet të veçantë mbikqyrjeje bazuar në raportimin e rregullt prej shteteve.     

            Sistemi i dytë rajonal u themelua brenda Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS). Pas shumë viteve veprimtarish avancimi të të drejtave të njeriut në shtetet e kontinentit që laget nga ujrat e oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor, më në fund u arrit krijimi i një instumenti gjithëpërfshirës: Konventa Pan - Amerikane për të Drejtat e Njeriut.[45] Standardet e mbrojtjes nga kjo Konventë i takojnë pothuajse ekskluzivisht të drejtave civile e politike. Kjo siguron gjithashtu një sërë trupash gjyqësore, sëbashku me marrëveshjet procedurale, për shqyrtimin e peticioneve individuale dhe ankesave ndërshtetërore.

            Sistemi i tretë rajonal për mbrojtjen e të drejtave të njeriut u themelua brenda Organizatë së Unitetit Afrikan (OAU), marrëveshjet thelbësore dhe procedural të së cilës janë formuluar nga Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve.[46] Kjo ka siguruar një katalog të gjerë të të drejtave civile e politike dhe social - ekonomike, si edhe e të drejtave të ahhtuquajtura të gjeneratës së tretë.[47] Karta Afrikane nxiti krijimin e një kornize procedurale dhe organizative në avancim të mbrojtjes së të drejtave në kontinentin Afrikan, fokusuar më shumë te raportimi i shteteve se sa te peticionet individuale dhe ankesat shtetërore, të cilat do të shqyrtoheshin nga një Konision kontinental. Karta nuk parashikonte ngritjen e ndonjë gjykate rajonale për të drejtat e njeriut, por rreth dy dekada më vonë u miratua një Protokoll Shtesë me qëllim krijimin dhe funksionimin e kësaj Gjykate

            Mirëpo, me sistemin Evropian dhe me atë Amerikan është shfaqur një divergjencë mes tyre dhe sistemeve të rrafshit global: këto të fundit vetëm në raste të rralla parashikojnë shfrytëzimin e pozicioneve individuale apo kominikimeve, ndërsa në sistemet e dimensionit rajonal (me përjashtim deri diku të modelit Afrikan) prioritet të qartë u është dhënë peticioneve individuale dhe ankesave shtetërore. Kjo mënyrë të vepruari, siç është vërejtur nga teoricienë apo doktrinarë të kësaj fushe, sistemin Evropian dhe atë Amerikan i solli më pranë kërkesave të pasqyruara në parimin e së drejtës latine: ”ubi ius, ibi remedium”.[48]      

 

            Përfundime

 

            Pasi u vu në dukje përmbajtja dhe rëndësia e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, natyrshëm shtrohet pyetja: A mundet që idetë bazike të saj të jenë sot e tutje po aq të qëndrueshme, kur renditen një sërë kërkesash për të drejta të reja dhe kur zhvillimi i teknologjisë bashkëkohore ka arritur deri te përpunimi i Inteligjencës Artificiale?               

            Sipas një prej bindjeve aktualisht më të përhapura rezulton se, sistemet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut duhet t’u qasen në mënyrë dinamike sfidave të reja me të cilat ballafaqohet civilizimi, përparimi teknologjik dhe nevojat e reja që i paraqiten njerëzimit. Në një vështrim të përgjithshëm mbi vendosjen e të drejtave të reja tregohet se, për një numër kërkesash vërtet që aktualisht nuk ofrohet mbrojtje e veçantë dhe e mjaftueshme përmes instrumenteve ekzistuese rreth vlerave të caktuara. Për shembull, e drejta për të vdekur me dinjitet (eutanazia), e drejta për respektimin e trashëgimisë gjenetike, e drejta për mënyra alternative të jetesës dhe arsimimit, ose e drejta për t’u takuar grupeve të tjera jashtë atyre tradicionale, pa dyshim që duhet të ofrojnë edhe mbrojtje konceptuale nën frymën e ideve të Deklaratës Universale, vlerës absolute të ‘dinjitetit imanent të njeriut’ dhe veçorive themelore të të drejtave të tij. Këtij qëndrimi i është përmbajtur kohët e fundit përvoja legjislative në disa shtete, përkundër ndalimeve që u bëhen me ligj në shumicën e tyre. Ashtu sikurse po zgjerohet gjithnjë e më shumë legalizimi i grupeve të personave gay apo transvestitë dhe martesave midis tyre, si edhe përcaktimet ligjore, veçanërisht në fushën civile, të efekteve të martesave dhe bashkëjetesave të tilla.[49]

            Nga studiues të kësaj fushe është ngritur zëri se respekti për një qënie njerëzore (i lidhur me zhvillimin e tij/saj) kërkon sigurimin - brenda mundësive të së pranueshmes - e kushteve për zgjedhje të lira dhe racionale të qëllimeve që përmbajnë veprimet apo edhe projektet individuale. Dhe, kur paraqiten konflikte, sigurisht që ekziston mundësia për kompromise gjatë dsikutimeve rreth mënyrave dhe mjeteve për realizimin e atyre projekteve, çka nuk synojnë uniformitet. Përkundrazi, mbrojtja e të drejtave të njeriut nënkupton edhe realizimin e pluralitetit, i kërkuar për shkak të potencialeve specifike të çdo qënieje njerëzore, lirisë dhe zgjedhjes së rrugës së vet atij/asaj Në këtë kuadër nuk mund të ketë kundërshti midis pluralitetit dhe universalizmit, nëse kuptohet që përcaktimi i asaj çka është e gabuar apo e padrejtë nuk do të thotë përcaktim i mbrojtjes dhe i zhvillimit të individëve në mënyrë uniforme.

            Përsa i përket zhvillimit të teknologjive të reja në fushën e informacionit dhe në atë të bioteknologjisë, natyrisht që ato do të vazhdojnë të shfaqen me rezultate të përparuara, por ende janë në faza embrionale. Sidoqoftë, nuk duhet harruar se këto rezultate janë në thelb produkte të mprehjes, deri tani në nivelin më të lartë, të arsyes së njeriut. Prandaj, shkalla ku ato janë përgjegjëse për krizën aktuale të demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë është e diskutueshme. Por nga parashikimet shkencore, e padiskutueshme është që në dekadat e ardhshme ato do të përballen ashpër me njerëzimin, i cili nuk mund të pranojë të shndërrohet në viktimë të vetes. Për shembull, teknologjitë e informacionit sot mund të inkurajojnë shpërndarjen e të dhënave, por vështirë të pohohet se sa kohë i duhet avancimit për të balancuar prirjen centralizuese të tyre, me gjithë se aktualisht po realizojnë edhe Inteligjencën Artificiale. “Për të shmangur një rezultat të tillë - këshillon shkencëtari me famë botërore, Yval Noah Harar në librin e tij të publikuar së fundmi “21 leksione për shekullin XXI”,[50] për çdo dollar dhe për çdo minutë që investojmë në përmirësimin e AL (Iinteligjencës Artificiale - shënimi ynë)  do të ishte e mençur të investonim nga një dollar dhe nga një minutë për eksplorimin dhe zhvillimin e vetëdijes njerëzore. Ndërkohë, më urgjente është të rregullojmë pronësinë e të dhënave”.

-------------------------------------------------

 

            Literatura:

 

            Akte rekomanduese

- Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948)

- Karta E Kombeve të Bashkuara (1945)

- Deklarata e ILO - s (1944)

- Kushtetuta e UNESKO - s (1945)

- Deklarata e Vjenës (1993)   

- Deklarata mbi Eleminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe

Diskriminimit që Mbështeten në FE ose Bindje (1981)

- Deklarata Amerikane mbi të Drejtat dhe Detyrat e të Drejtave të Njeriut (1968)

- Rezoluta e Konfrencës Ndërkombëtare mbajtur në Teheran (1968)

- Rezoluta nr. 32/130 e OKB (1977)

- Akti Unik i Helsinkit (1975)

 

Akte normative

            - Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (1998)

            - Kushtetuta e Republikës Federale të Gjermanisë (1945)

            - Kushtetuta e Republikës së Italisë (1948)

            - Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1966)

            - Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore

(1966)

            - Karta Sociale Evropiane (1961)      

            - Konventa për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit (1979)

            - Konventa Kundër Torturës dhe Formave të Trajtimit Mizor, Jo-human dhe Degradues, ose Dënimit (1984)

            Konventa mbi Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (1979)

- Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (1950)

            - Konventa Pan-Amerikane për të Drejtat e Njeriut (1969)

            - Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve (1981)

 

            Doktrinë

- United Nations Action in the Field of Human Rights, 1994

- Rajna Hansku, Markus Suksi, An Introduktion the Onternational of Human

Rights, Abbo Akadedemi Yniversity, Helsinki 2000

- Kristof Drzewisky, The European Social Charter and Polish Legislation and

Practice, 1994

- Luan Omari, Shteti i së Drejtës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë

2002

- L. Buza, Principles of International Law, Akademia Klado, Budapest 1964

- Jerzo Zajadlo, Maksimis und Naturrecht, Ost – Europa Recht’, Nr. 1, 1986

- Marek Antony Novicki, Ç’janë të drejtat e njeriut?, Qendra Shqiptare për të

Drejtat e Tiranës, Tiranë 1998

            - Zejnulla Gruda, Mbrojtja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Vol I, II, Prishtinë 2000

            - Yval Noah Harar, 21 leksione për shekullin XXI, www.bota.al



[1] Më tej, ky akt rekomandues do të përmendet, për efekt  të lehtësisë së leximit, edhe me sinonimet Deklarata Universale, ose Deklarata

[2] Pakti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, si edhe Pakti për të Drejtat Civile dhe Politike, të miratuar në vitin 1966 dhe të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë në vitin 1991

[3] Luan Omari, Shteti i së Drejtës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2002, fq. 287

[4] Preambula, Pjesa e Parë e saj

[5] Jerzi Zajadlo, Maximus und Naturrecht, Ost – Europa Recht, Nr. 1 (1986), fq. 68 - 70

[6] Si një nocion, koncept apo ide e pranuar gjerësisht  në shakllë botërore

[7] Shh nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në fuqi

[8] Shpallur qysh më 1944, në Filadelfia (SHBA)

[9] Miratuar më 26 Qershor 1945 në San Françisko (SHBA), e cila parashtroi parimet themelore për rendin botëror dhe njëkohësisht nxiti një lëvizje drejt ndërkombëtarizimit të të drejtave të njeriut, ndonëse ndër 7 parimet e renditura në nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara nuk identifikohet ndonjë formulim eksplicit i respektimit të këtyre të drejtave

[10] Miratuar më 1945

[11] Në nenet 22 dhe 23/3 të Dekalaratës Universale të të Drejtave të Njeriut

[12] Neni 10 (1) i Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike

[13] Neni 13 (1) i Paktit për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore

[14] Për shembull: Ronald Dworkin, Bugerrechte ernstgenommen; Robert Alexy, Theory der Grundrrehte

[15] Miratuar në vitin 1979

[16] Publikuar në vitin 1981

[17] Neni 3 i kësaj Deklarate të cituar

[18] Miratuar në vitin 1973

[19] Shih nenin !! të kësaj Konvente

[20] Shih nenin 3 të përbashkët për të katër Konventat e Gjenevës, që u kushtohen sidomos trajtimit njerëzor të robërve të liftës

[21] Shih nenin 75 të Protokollit Shtesë I dhe nenin 4 të Protokollit Shtesë II të Konventave të Gjenevës

[22] Shpallur në vitin 1968

[23] Deklarata Universale, Pjesa e Parë identike e saj

[24] Paktet Ndërkombëtare (1966), Preambulat e njëjta të tyre

[25] Shpallur në përfundim të Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut, të mbajtur në Vjenë më 1993

[26] Shih Pjesën I, paragrafi 1, të kësaj Deklarate

[27] Shih nenin 1 të Deklaratës Universale

[28] Neni 26 i Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike

[29] Këtu mund të marrin vlerë ilustruese edhe vargjet e Gabriel Garsia Markes (Gabriel Garcia Markuez) në poezinë e tij të famshme Letra e lamtumirës: “Kam mësuar se një njeri ka të drejtë ta vështrojë një tjetër/ nga lart poshtë vetëm// kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur

[30] I njëjti citim mund të bëhet edhe nga Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, neni 2, paragrafi 2 i tekstit të tij, si edhe nga Pakti Ndfërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike, neni 1, paragrafi 1 i tekstit të tij

[31] Ndonjëherë,  të ashtuquajturat ‘të drejtat e shtazëve’ apo edhe të ‘të drejtat e bimëve’ përmenden për të theksuar, se shtazët apo bimët meritojnë një farë respekti të veçantë, ngaqë ato nuk i nënshtrohet tërësisht vullnetit  të njeriut. Ndërkohë që nevojitet sigurisht një arsye për t’i zhvilluar ato, por gjithashtu edhe për t’i dhënë fund jetës së tyre. Kështu pra, shtazët dhe bimët mund të trajtohen edhe si një mjet i thjeshtë në funksion të së mirës së njerëzve  apo të shoqërisë, çka nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë kurrësesi me qëniet njerëzore. 

[32] Neni 1 i Konventës Ndërkombëtare mbi Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor

[33] Ndoshta prandaj në tekstin e Deklaratës Universale nuk përmenden emocionet, të cilat sot konsiderohen ndonjëherë edhe si bazë për të përcaktuar të mirën që i takon një qënieje njerëzorwe. Por, sikurse e kanë ngritur zërin shumë studiues të kësaj fushe, të mirat dhe të drejtat janë çështje e njohurive dhe jo e reagimeve emocionale

[34] Neni 29, paragrafi 1, i Deklaratës Universale

[35] Shih Pjesën I, paragrafi 5, të Deklaratës së cituar

[36] Rajna Hansku, Markus Suksi, An introduktion the onternational of human rights, Abbo Academi University, Helsinki 2000, fq. 21

[37] Shih: Krzystof Drzewicki, The European Social Charter and Polish Legislation and Practice, 1994, fq. 221 - 222

[38] Shih: Marek Antoni Novicki, Ç’janë të drejtat e njeriut? (Shënime për të drejtat e njeriut dhe monitorime për të drejtat e njeriut), botim i Qëndrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Tiranë 1998, fq. 6

[39] Shih: L. Buza, Principles of international law, Akademia Klado, Budapest 1964, fq. 8 - 9

[40] Shih: United Nations Action in the Field of Human Rights, 1994, fq. 40-41

[41] Mund të përmenden këtu sistemet aziatike dhe arabe

[42] Për shembull, OSBE, Këshilli i Shteteve Balltike, Iniciativa e Evropës Qëndrore

[43] Miratuar më 4 Nëntor të vitit 1950. Teksti origjinal i saj përmbante garantimin e 12 të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, për t’u pasuruar në vitet e mëvonshme me garatimin e 13 të tjerave

[44] Miratuar më 18 tetor 1961

[45] Miratuar më 22 Nëntor të vitit 1969

[46] Miratuar më 26 Qershor 1981

[47] Shih Nenet 22 dhe 23 të Kartës. Me këtë emërtim nënkuptohen kryesisht: e drejta për paqe, e drejta për zhvillim dhe të drejtat për mjedisin. Ndonëse ato kontestohen si të drejta të vërteta të njeriut, së paku kanë të bëjnë me një numër të drejtash të njohura dhe të pranuara ndërkombëtarisht: e drejta për paqe mund të trajtohet në kontekst të së drejtës për jetë; e drejta për zhvillim munsd të shihet në fakt si një koncept kuadër i orientuar politikisht, që përfshin shumicën e të drejtave ekzistuese të njeriut; të drejtat për mjedisin, që mund të ndahen në të drejta ambientale më specifike, duke u trajtuar edhe në kontekst të mbrojtjes nga trajtimi jo human dhe degradues, si edhe nga e drejta për jetë private etj

[48] Në shqip: Atje ku ka të drejtë, ka edhe drejtësi

[49] Për shembull, para pak javësht edhe në Washington DC filluan të shpërndahen në zyrat e Gjendjes Civile të çëertifikatave zyrtare për persona të këtyre grupeve me gjininë x, sipas kërkesve individuale 

 

[50] Ky libër është botuar (me shkurtime) edhe nga revista prestigjoze “The Atlantic”, shih: www.bota.al