K U S H T E T U T S H M E R I

 

Adela KULA

Menaxhere Projekti

pranë Qendrës A.LT.R.I

Tiranë

 

Hyrje

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të  zakonshëm. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe përbën një juridiksion të veçantë, e ngarkuar të zgjidhë mosmarrëveshjet kushtetuese dhe të bëjë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.[1] 

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është krijuar më anë të ligjit kushtetues nr. 7561, datë 29 prill 1992 "Mbi një shtesë në ligjin 7491 datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese". Ky ligj përcaktonte statusin, përbërjen, atributet, strukturën, funksionimin dhe kompetencat e kësaj Gjykate.  Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që ka hyrë në fuqi më 28 nëntor 1998,[2] i kushton Gjykatës Kushtetuese nenet 124 deri 134, të cilat rregullojnë organizimin dhe funksionimin e saj.

Diskutimet që doktrina ka pasur përsa i përket individit si subjekt kërkues, që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, ka qënë: a legjitimohet individi, që ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për një proçes të parregullt ligjor, të pretendojë që kjo e fundit të kontrollojë edhe pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit, mbi bazën e të cilit gjykatat e juridiksionit të zakonshëm gjyqësor kanë gjykuar çështjen konkrete?[3]

Në jurisprudencën e saj, Gjykata Kushtetuese, pavarësisht objektit të kërkesës së individit si kërkues në këtë gjykatë, ka shqyrtuar vetëm kushtetuetshmërinë e zbatimit të të drejtave proceduriale të procesit të rregullt ligjor, duke mos pranuar të gjykojë edhe aspektin material. Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj mban qëndrimin se interpretimi i ligjit material dhe zbatimi i tij nuk hyn në juridiksionin kushtetues. 

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016[4] njohin të drejtën e individit për ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për gjykimin përfundimtar të ankesave të tyre kundër çdo akti të pushtetit publik apo vendimi gjyqësor që cënon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave.  

Si do ta ndryshojë jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese ky parashikim i ri kushtetues? A do të rrisë cilësinë e zbatimit të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nëpërmjet gjykimeve të Gjykatës Kushtetuese? A do të realizohet qëllimi final për të cilin Gjykata Kushtetuese është krijuar, pra mbrojtjes efektive të të drejtave dhe lirive të individit? Apo ky parashikim do të çojë në dështimin e vetë Gjykatës Kushtetuese për respektimin e procesit të rregullt ligjor, përsa i përket afateve të arsyeshme të shqyrtimit, për shkak të mbingarkimit me çështje? A do të ulet numri i çështjeve të dërguara në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)? Këto janë disa nga pyetjet që lindin pas ndryshimeve kushtetuese me Ligjin nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Vështrim i shkurtër krahasimor në organizimin dhe funksionimin

e Gjykatës Kushtetuese, para dhe pas ndryshimeve të ligjit organik

 

Dokumenti Analitik për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri evidenton, sa i përket Gjykatës Kushtetuese, se ishte i domosdoshëm reformimi i saj.[5]Sistemi i drejtësisë sipas Kushtetutës dhe Gjykata Kushtetuese përbën një nga 7 shtyllat e këtij dokumenti. Nga praktika e Gjykatës Kushtetuese rezulton se problemet e hasura në gjykimin kushtetues kanë të bëjnë kryesisht me këto çështje: a) subjektet që legjitimohen për të nisur një gjykim kushtetues; b) afati kohor i paraqitjes së kërkesës; c) shpallja, hyrja në fuqi, si edhe ekzekutimi i vendimeve; d) mosparashikimi nga ligji i të gjitha procedurave të gjykimit kushtetues.[6]

Dokumenti Strategjik për Reformën në Sistemin e Drejtësisë si objektiv ka parashikuar edhe “Rritjen e efiçiencës dhe efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese në nivel ligjor”. Ndryshimet kushtetuese u pasuan nga ndryshimet në ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.[7]Relacioni i këtij projektligji, arsyeton ndryshimet e bëra në ligj, si nevojë për përshtatjen e tij me ndryshimet kushtetuese, si edhe rritje e efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese në vendimarrje.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese.Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Kushtetuta është i vetmi akt, të cilit i nënshtrohet ky institucion. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, me mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Me ndryshimet e ligjit nr. 77/2016, tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.[8] Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ndërsa para ndryshimeve të ligjit nr. 77/2016, emërimi i gjyqtarit kushtetues ishte kompetencë e përbashkët e Presidentit dhe e Kuvendit, duke kaluar në dy faza: faza e përzgjedhjes së kandidatëve nga Presidenti dhe faza e miratimit të kandidaturave nga Kuvendi. Qëllimi i këtij procesi ishte garantimi i pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës dhe ka në thelb kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë, gjë që shpreh respektin e ndërsjellë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si edhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre, me qëllim që të sigurohet një përbërje cilësore dhe e përshtatshme e Gjykatës.[9] Por, pavarësisht këtij sistemi dhe parimeve që janë në thelb të tij, në praktikë janë hasur pengesa dhe vitet e fundit është vënë re një numër i madh refuzimesh në Kuvend të kandidaturave të paraqitura nga Presidenti, gjë që e ka bërë inefiçent procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të të drejtave të njeriut, ose në sfera të tjera të së drejtës. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si edhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.[10]

Gjyqtari kushtetues qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij, pavarsisht nëse ka mbushur moshën 70 vjeç apo ka përfunduar mandatin 9-vjeçar. Përjashtim nga kjo vazhdimësi në detyrë bëjnë rastet kur gjyqtari jep dorëheqjen; shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese, sepse kjo e fundit konstaton shkelje të rënda profesionale apo etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit, ose dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit; vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën. Lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtarit kushtetues ka pasur ometim ligjor, pasi ligji organik nuk parashikonte rregulla të qarta dhe afate të përcaktuara për kryerjen e procedurave. Ky ometim gjen zgjidhje me parashikimet në ligjin nr. 99/2016, që plotëson dhe ndryshon ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit të ri organik përbëjnë risi në: (i)  parashikimin e kritereve dhe kushteve të hollësishme që duhen plotësuar nga kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke plotësuar një boshllëk në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Gjykatës; (ii) përcaktimin e saktë të rasteve të përfundimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe afatet brenda të cilave kërkohet që të plotësohet vakanca; (iii) parashikimin e procedurës, shkeljeve dhe masave disiplinore për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese; (iv) ngritjen e Njësisë së Shërbimit Ligjor, e cila do të kryejë funksionet e një bërthame që ofron këshillim dhe ndihmë ligjore në procesin vendimmarrës.[11]

Parimet e satusit të gjyqtarit kushtetues janë parevokueshmëria,[12] papajtueshmëria,[13] mospërgjegjësia për mendimet dhe vendimet që marrin.[14]

Kompetencat kryesore dhe subjektet që e vënë në lëvizje. Neni 131 i Kushtetutës përcakton kompetencat kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese. Ligji ynë Themelor përcakton të drejtën dhe detyrimin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur për: a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën, ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122; b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre; c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qëndrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare; ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore; d) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute; dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij; e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre; ë) kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij; f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.

Gjykata Kushtetuese gjithashtu vendos edhe mbi kushtetutshmërinë e: (i) vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës (neni 90/3, 91/2); (iii) vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarëve të komunave ose bashkive (neni 115); (ii) vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve (neni 140) dhe vendimit të Këshillit të Lartë të shkarkimit të prokurorëve të të gjitha niveleve (neni 148/d).

Gjykata Kushtetuese e ushtron kompetencën kushtetuese të përcaktuar në pikën f, të nenit 131 të Kushtetutës, kur vihet në lëvizje nga individi. Këtij të fundit iu zgjerua kjo e drejtë, i cili tashmë mund ta vërë në lëvizje këtë Gjykatë për shkeljen e të drejtave të tij jo vetëm në aspektin procedural të procesit të rregullt ligjor, por edhe për aspekte materiale të të drejtave dhe lirive kushtetuese.

Përsa i përket kompetencës kushtetuese për shqyrtimin e një ligji për rishikimin e Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese kontrollon vetëm respektimin e procedurës së parashikuar nga Kushtetuta.[15]Lidhur me këtë kufizim të fundit, jurisprudenca e Gjykatës sonë Kushtetuese ka vetëm një rast kur ka kontrolluar pajtueshmërinë e një ndryshimi kushtetues me vetë ligjet kushtetutese të kohës. Kjo jurisprudencë kushtetuese, që rezultoi më tepër si një reaksion politik, se sa një vendim i drejtësisë kushtetuese, ishte rezultat i një konflikti mjaft të mprehtë të shkaktuar ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.[16]

Gjykata Kushtetuese bazuar në të drejtën që kishte për t’u vënë në lëvizje kryesisht,[17] vendosi të konstatojë pavlefshmërinë konstitucionale të ligjit kushtetues nr. 8257, datë 19.11.1997 “Për një plotësim në ligjin nr.7561, datë 29.4.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”. Në thelb të këtij ligji, rotacioni i parë[18] nuk konsiderohej i kryer dhe Gjykata Kushtetuese, duhej që ta realizonte atë brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.[19]

Komisioni i Venecias me amicus curia shprehej se  vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese nuk është shkak pengues për ligjvënësin kushtetues që të miratojë ndryshime kushtetuese, edhe pse këto ndryshime heqin bazën kushtetuese të vendimmarrjes më të hershme të kësaj Gjykate. Gjykata Kushtetuese, për rrjedhojë nuk mundet që të kundërshtojë amendamente kushtetuese, të cilat në asnjë mënyrë nuk cënojnë parimet themelore.[20]Ndërsa ndryshimet e korrikut 2016 i parashikojnë në mënyrë eksplicitë kufijtë e ushtrimit të kësaj kompetence të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të: a) Presidentit të Republikës; b) Kryeministrit; c) jo më pak se një të pestës së deputetëve; ç) Avokatit të Popullit; d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit; dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute; e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtavedhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta; ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë tëProkurorisë; f) organeve të qeverisjes vendore; g) organeve të bashkësive fetare; gj) partive politike; h) organizatave; i) individëve. Subjektet e parashikuara nga pikat “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f ”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”,  mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.[21]

Subjektet që e vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese para ndryshimeve të ligjit nr. 77/2016, interpretoheshin nëpërmjet dy dispozitave kushtetuese, nenit 131 (kompetencat) dhe nenit 134 (subjektet). Por këto dispozita nuk ishin shteruese, sepse subjektet përkatëse (çdo gjykatë, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës; organet e qeverisjes vendore; organet e bashkësive fetare; partitë politike; organizatat; individët) kishin legjitimitet të kufizuar dhe e vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse ato argumentonin “interesin e tyre” në një çështje të veçantë. Duke u ndalur vetëm te analiza në kuadër të individit, si subjekt kërkues në Gjykatën Kushtetuese, shihej se ligji organik i këtij organi parashikonte për të gjitha subjektet e nenit 134 të Kushtetutës, me përjashtim të individit, të drejtën për të nisur një gjykim kushtetues për shfuqizimin e një norme ligjore. Kishte një mospërputhje ndërmjet kuptimit që neni 134 i ka dhënë interesit që duhet të provojnë subjektet në një gjykim kushtetues dhe kufizimit që ligji organik i Gjykatës Kushtetuese i bën kësaj kategorie subjektesh. Individit, si një nga subjektet e legjitimuara, sipas nenit 134, pika 2, i njihej e drejta për të nisur një gjykim kushtetues për secilën prej çështjeve që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Kufizimi i tij i vetëm ishte të provonte interesin me çështjen në shqyrtim.[22]

Ndryshimet e ligjit organik prekën edhe afatet kohore: nga afati 2-vjeçar për kërkesat individuale është ndryshuar në 4 muaj nga konstatimi i cënimit dhe nga 3 vjet që ishte afati për kundërshtimin e akteve normative është ndryshuar në 2 vjet nga hyrja në fuqi e aktit.  

Shqyrtimi i kërkesave nga Gjykata Kushtetuese.[23]Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese paraqitet nga kërkuesi ose përfaqësuesi i zgjedhur prej tij dhe rregjistrohet në rregjistrin e kërkesave. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese merr masat për caktimin me short të relatorit të çështjes, sipas Rregullores së Gjykatës. Kërkesa shqyrtohet paraprakisht nga kolegji, i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku bën pjesë dhe relatori. Kur ndonjë nga gjyqtarët e kolegjit nuk është i një mendimi me të tjerët, kërkesa i kalon për shqyrtim paraprak Mbledhjes së Gjyqtarëve, që nuk shqyrton themelin, dhe megjithatë vendos me shumicë votash. Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjet në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre.

Natyra dhe efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj (abstenimi nuk lejohet) dhe shpallen të arsyetuara. Në raste të veçanta që kanë të bëjnë me çështje të rëndësisë publike, Gjykata Kushtetuese mund të njoftojë dispozitivin e vendimit menjëherë pas marrjes së tij dhe shpall vendimin e arsyetuar brenda 5 ditëve. Në këtë rast, vendimi hyn në fuqi ditën e shpalljes së tij bashkë me arsyetimin, përveç rasteve kur Gjykata vendos ndryshe.[24]Arsyetimi që përdor Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka forcën e ligjit. Çdo qëndrim i kundërt krijon një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet institucionale.[25]

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi detyruese të përgjithshme dhe është përfundimtar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi prapavepruese, vetëm ndaj: a) një dënimi penal edhe gjatë kohës që është në ekzekutim, nëse ai lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e ligjit, ose të aktit normativ të shfuqizuar; b) çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat, derisa vendimet e tyre nuk janë përfundimtare dhe të formës së prerë; c) pasojave ende të paezauruara të ligjit apo aktit normativ të shfuqizuar.

 

Vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese nga individi

pas ndryshimeve kushtetuese me ligjin nr. 76/2016

 

Gjykata Kushtetuese është konsideruar si Gjykatë e të drejtave të njeriut, sepse përbën një mjet efektiv të individit për të rivendosur të drejtën e tij, në rastet kur nuk arrin ta rivendosë këtë të drejtë brenda sistemit të zakonshëm gjyqësor. Ai mund t’i drejtohet me një mjet të veçantë ankimimi Gjykatës Kushtetuese. Ankimi individ ual kushtetues është një mjet juridik mbrojtës i posaçëm i së drejtës kushtetuese materiale.[26]

Gjatë viteve 1992-1998, nën rregullimin e Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese,[27] individi kishte të drejtë t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për kundërshtimin e akteve të pushtetit publik (qeveri, parlament, gjykatë), nëse i cënoheshin të drejtat e tij të parashikuara në paketën kushtetuese. Kjo hapësirë e gjerë e kontrollit që ka pasur Gjykata Kushtetuese, duke marrë në shqyrtim akte ligjore me kërkesën e individëve, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës u ndërpre në nëntor të vitit 1998[28]deri në korrik 2016, periudhë gjatë së cilës ankimet individuale mund të drejtoheshin kryesisht kundër vendimeve gjyqësore, si edhe në rastet kur pretendohet se cënohet e drejta për proces të rregullt ligjor dhe individi nuk ka mjet tjetër ankimi ndaj aktit. Ndryshimet kushtetuese me ligjin nr.76/2016 e zgjerojnë sërish të drejtën e ankimit individual kushtetues dhe hapësirën e kontrollit të Gjykatës Kushtetuese për këto ankime, kundër çdo akti të pushtetit publik, ose vendimit gjyqësor që cënon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave. 

Para ndryshimeve kushtetese të vitit 2016 Gjykata Kushtetuese gjatë kontrollit të kushtetutshmërisë së procesit të rregullt ligjor përqëndrohej vetëm në elementet që përmban e drejta për një proces të rregullt ligjor në aspektin procedural, por nuk trajtonte në asnjë rast themelin e çështjes.

Në ligjin e mëparshëm organik nuk gjente rregullim ankimi individual kushtetues, ndërsa me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me ligjin nr. 99/2016[29], rregullohet procedura për shqyrtimin e këtij ankimimi. Pas nenit 70 të ligjit organik shtohet titulli “Procedura për shqyrtimin e ankimit kushtetues individual” dhe dispozitat në vijim plotësohen e ndryshohen në funksion të rregullimit të ushtrimit të kësaj kompetence.

Kuptimi i individit, si subjekt kërkues, që ushtron ankimin individual kushtetues. Neni 71 i ligjit organik njeh si subjekte kërkuese për ankimin individual: (i) individin, si person fizik; (ii) individin, si person juridik të së drejtës private dhe (iii) individin, si person juridik të së drejtës publike. Ndërsa këto ndryshime të ligjit organik rregullojnë kuptimin e individit në ankimin kushtetues individual, para tyre i është dashur vetë Gjykatës Kushtetuese që ta bëjë këtë përcaktim.

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka njohur si subjekte kërkuese për ankim individual: (i) individin, në kuptimin e personit fizik, duke mos bërë dallime midis shtetasve të huaj dhe shqiptarë;[30](ii) bashkime të organizuara individësh ose shoqata; (iii) personat juridikë të së drejtës private dhe asaj publike. Për këta të fundit, Gjykata ka bërë në jurisprudencën e saj dallimin e legjitimimit të personave juridikë publikë, që pretendojnë cënime të të drejtave themelore substanciale, nga legjitimimi i subjekteve të së drejtës publike, që pretendojnë cënime të të drejtave themelore procedurale. Sipas saj, “shteti ose organet përbërëse të tij, me disa përjashtime, nuk mund të konsiderohen subjekte përfituese të të drejtave e lirive themelore substanciale dhe si rrjedhojë nuk legjitimohen për të vënë në lëvizje GJK. Në çështjen në shqyrtim kërkuesi është person juridik publik, i paditur në gjykim, dhe pretendon cenimin e parimeve procedurale kushtetuese të ankimimit dhe të aksesit në gjykatë. Këto parime nuk mund të cenohen, sepse janë elementë të së drejtës në tërësi që rrjedhin nga thelbi i shtetit të së drejtës dhe garantojnë barazinë e palëve në një proces gjyqësor. Prandaj, dhe ankimi në GJK për shkeljen e tyre mund të paraqitet nga çdo subjekt duke përfshirë këtu edhe personat juridikë publikë...nisma për një gjykim kushtetues nuk kushtëzohet nga karakteri i personit juridik, publik ose privat, por nga natyra e pretendimeve që parashtrohen. E drejta për akses në gjykatë, si një e drejtë e natyrës procedurale duhet të respektohet dhe të përdoret nga çdo subjekt që konsiderohet palë në proces dhe që preket në mënyrë të drejtpërdrejt prej tij. Për këto arsye, ankimi në GJK për shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor nuk mund të kufizohet për asnjë subjekt, përfshirë këtu edhe personat juridikë publikë”.[31]Ndërsa për legjitimin e personave juridikë publikë që pretendojnë cënime të të drejtave themelore substanciale, Gjykata Kushtetuese është shprehur, se: “si përjashtim, personat juridikë publikë, mund ta venë në lëvizje GJK kur ata marrin pjesë në qarkullimin civil e cenohen njëlloj si të ishin qytetarë të thjeshtë, si dhe në rastet kur janë ngarkuar drejtëpërdrejt me mbrojtjen e një fushe të caktuar të drejtash themelore që shërbejnë direkt për të forcuar autonominë e tyre. Në rastin e fundit do të trajtoheshin si individë që venë në lëvizje GJK, në kuptim të nenit 134/1 “g” në lidhje me nenin 16/2 të Kushtetutës edhe organet e pushtetit lokal, universitetet dhe stacionet radio-televizive”.[32]

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese duket se ka gjetur reflektim te ndryshimet që solli ligji nr. 99/2016.

Kushtet për të ushtruar ankimin individual. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese kishte përcaktuar kushtet për ushtrimin e ankimimit individual kushtetues: (i) subjekti kërkues;[33] (ii) afati kohor[34] dhe (iii) shterimi i mjeteve juridike.

Ndërsa pas ndryshimeve të ligjit nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, kushtet kumulative për të ushtruar ankimin individual tashmë janë të përcaktuara shprehimisht:[35]

a) kërkuesi ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive në dispozicion;

b) kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit;

c) pasojat negative të pretenduara janë të drejtpërdrejta dhe reale për kërkuesin;

ç) shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese do të mund të rivendoste në vend të drejtën e shkelur të individit.

Shterimi i të gjitha mjeteve mjeteve juridike efektive nënkupton se kërkuesi duhet t’i shfrytëzojë dhe shterojë të gjitha mjetet e lejueshme dhe mundësitë procedurale për vendosjen në vend të të drejtave të pretenduara të shkelura. Individi mund të ushtrojë ankimin individual kushtetues vetëm nëse për rastin që ata e ushtrojnë këtë të drejtë nuk parashikohen mjete të mëtejshme që mund t’i rivendosin në vend të drejtën, ose nëse këto mjete parashikohen, por janë haptazi të palejueshme. Ky rregull nënkupton jo vetëm që individi t’u jetë drejtuar të gjitha instancave të zakonshme, por edhe që të gjitha pretendimet që ngre në këtë Gjykatë t’i ketë paraqitur më parë në këto instanca, të paktën në substancë, duke respektuar kërkesat formale dhe afatet e parashikuara në ligjin procedural.[36]Mjetet ligjore shterojnë kur, në varësi të rrethanave të çështjes, rregullat procedurale nuk parashikojnë mjete të tjera ankimi.[37]Nëse individi nuk i shteron mjetet juridike efektive paraprakisht, nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.  

Kërkuesi fillimisht duhet të shterojë sistemin gjyqësor të zakonshëm, ku duhet të ankimojë aktin individual që ka dalë në zbatim të një ligji dhe pretendon se akti është në kundërshtim me Kushtetutën. Pasi të ketë shteruar këtë rrugë gjyqësore, ai mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore dhe të ligjit mbi bazën e të cilit janë dhënë këto vendime.[38]Qëllimi i nenit 131/1/f të Kushtetutës, që përcakton rregullin e shterimit të mjeteve juridike është të mundësojë, brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm, parandalimin apo riparimin e shkeljeve të pretenduara përpara se të tilla pretendime të paraqiten në Gjykatën Kushtetuese.[39]    

Mbrojtja kushtetuese ka një funksion subsidiar, ajo mund të kërkohet vetëm për një vendim përfundimtar, të çfarëdolloj forme, që përmbyll procesin gjyqësor. E drejta për ankim efektiv është një e drejtë themelore e njeriut dhe nënkupton të drejtën e individit për ankim, ekzistencën e një organi të caktuar për shqyrtimin e ankimit, pranimin e pakushtëzuar të ankimit për shqyrtim, afatet e arsyeshme për shqyrtimin e tij, shqyrtimin objektiv, kontrollin gjyqësor, si kontroll përfundimtar ndaj ankimit, si dhe mundësinë e rehabilitimit të mundshëm si pasojë e pranimit eventual të ankimit.[40]

Asnjë individ nuk është i detyruar që t’i shterojë disa mjete të brendshme juridike, nëse në prani të rrethanave konkrete të rastit të tij, kur këto mjete nuk janë efektive apo të përshtatshme. Në Çështjen “Qufaj CO. SHPK kundër Shqipërisë”, GJEDNJ hodhi poshtë pretendimin e Qeverisë Shqiptare, që ankuesi nuk i ka ezauruar të gjitha mjetet e brendshme efektive të ankimit, se ankuesi nuk e ka paraqitur çështjen para Avokatit të Popullit. Gjykata ka konstatuar se: “Përsa i përket mundësisë për t’u ankuar tek Avokati i Popullit, Gjykata vëren se Avokati i Popullit, si një institucion i pavarur nga ekzekutivi, nuk mund të marrë vendime juridikisht të detyrueshme ndaj organeve shtetërore (Ligji nr. 8454, datë 4.2.1999). Në këtë mënyrë, ankimi tek Avokati i Popullit nuk mund të konsiderohet mjet efektiv, sipas kuptimit të nenit 35.1. Gjykata rithekson se vërtet neni 35.1 i Konventes vendos detyrimin për ezaurimin e mjeteve të brendshme të ankimit, por kjo nuk nënkupton përdorimin e mjeteve jo të duhura dhe jo të përshtashme të ankimit”.[41]   

Gjykata Kushtetuese, në vështrim të jurisprudencës së GJEDNJ-së, lidhur me interpretimin e nenit 13 të KEDNJ-së, i cili sanksionon termin “ankim efektiv”, ka theksuar se është e rëndësishme të përcaktohet se çfarë mjetesh, sipas rastit, janë në dispozicion të individit dhe nëse ato i krijojnë atij mundësi reale për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mënyrë efektive. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar, se mjeti që të jetë efektiv duhet të ofrojë mundësi të qarta dhe të sigurta për rivendosjen në vend të së drejtës së shkelur, duhet të jetë i përshtatshëm, i disponueshëm dhe efikas për një çështje konkrete.[42]Gjykata Kushtetuese me jurisprudencën e saj në gjykimin e çështjeve me objekt procesin e rregullt ligjor ka vendosur rast pas rasti se kur mjetet efektive ishin shfrytëzuar totalisht apo kur mund t’i drejtoheshe Gjykatës pa i ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit. Kështu, në çështjen me kërkues O.Shyti.[43] Gjykata thekson se nuk ka mjet juridik të posaçëm për kompensim dëmi të shkaktuar nga mosrespektimi i standardit kushtetues të afatit të arsyeshëm, por gjithsesi kjo Gjykatë ka konstatuar shkeljen; në çështjen K.Kryekurti, Gjykata ka pohuar se kur kërkuesi i ka shteruar mjetet e ankimit dhe kur karakteri i vendimit të ndërmjetëm e kërkon, si përjashtim, ai mund të konsiderohet përfundimtar për qëllimet e nenit 131/f të Kushtetutës, duke i hapur rrugë kontrollit kushtetues të kësaj kategorie vendimesh.[44]

Megjithëse ankimi individual në Gjykatën Kushtetuese ka qënë i kufizuar për individin shqiptar para ndryshimeve të vitit 2016, ai edhe në ato kushte konsiderohet nga Gjykata e Strasburgut si një mjet efektiv, i cili duhet ezauruar para se të shqyrtohet ankimi nga ajo Gjykatë.[45]Gjykata Kushtetuese ka bërë më efikas mjetin e ankimit të individit duke vënë në zbatim jurisprudencën e GJEDNJ.[46]Nën këndvështrimin e gjetjes së mënyrave për t’i bërë mjetet e brendshme që ofron legjislacioni shqiptar sa më efikase në drejtim të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit, një nga propozimet ka qënë ndryshimi i dispozitës së nenit 131/f të Kushtetutës duke rikthyer dispozitën e parashikuar para hyrjes në fuqi të Kushtetutës që parashikonte ankimin e individit edhe ndaj ligjeve që mund të cënonin të drejtat e mbrojtura nga Kushtetuta.[47]Ky propozim ka gjetur zbatim në ndryshimet e vitit 2016, të cilat zgjeruan të drejtën e individit për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe duke e bërë këtë të fundit mjet efektiv në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.   

Përsa i përket ankimimeve kushtetuese për tejzgjatje të afatit të procesit të rregullt ligjor, GJEDNJ është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ofrojë dhënien në praktikë të një dëmshpërblimi efektiv sepse ai është deklarativ. Ndryshimet e 2016 në ligjin organik të ndryshuar të Gjykatës Kushtetuese njohin të drejtën e kërkuesit për dëmshpërblim për tejzgjatje të procesit, por vetëm për çështjet para Gjykatës Kushtetuese. Ky dëmshpërblim jepet nëse Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se gjykimi para saj është zgjatur tej afatit, pa shkak të arsyeshëm dhe nëse konstatohet se nga tejzgjatja e procesit atij i janë cenuar të drejtat dhe liritë e tij të parashikuara nga Kushtetuta.[48]

Në vitin 2013, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës u informua se nga Ministria e Drejtësisë ishte përgatitur një projekt-ndryshim në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, në të cilin parashikohet mundësia e Gjykatës Kushtetuese për të urdhëruar kompensim financiar në rastet e tejzgjatjes së gjykimit të çështjeve.[49]Por pavarësisht mendimeve në favor të këtij parashikimi, ndryshimet në kuadër të reformës në drejtësi të vitit 2016 zgjodhën të sanksiononin një mjet ligjor ankimimi për tejzgjatje të afateve të procesit të rregullt ligjor.

A duhej dhe mundej Gjykata Kushtetuese që nën orientimin e vendimeve të GJEDNJ të sanksiononte edhe dëmshpërblime në gjykimin e kërkesave të tilla? Doktrina ke mendime që i japin përgjigje pozitive kësaj pyetje. Ish-gjyqtari kushtetues, z. Fatos Lulo në vendimin nr. 14, datë 10.03.2016 në mendimin e pakicës shprehet, se: “në këndvështrim të standardeve të mësipërme çmoj se shumica duhej ta rrëzonte kërkesën, për sa kohë konstatimi i shkeljes së nenit 6/1 të Konventës efektivisht nuk sjell një rezultat konkret për kërkuesin në drejtim të rivendosjes të së drejtës së tij të shkelur. Sipas qëndrimit tim, shumica duhet ta zgjeronte analizën në drejtim të nenit 13 të Konventës dhe të vlerësonte efektivitetin e këtyre lloj ankimeve në Gjykatën Kushtetuese, duke reflektuar në vendimmarrje orientimet e GJEDNJ-së. Vendime të tilla kanë natyrë thjesht deklarative dhe formale dhe nuk riparojnë në thelb shkeljen e pretenduar. Ato vetëm konstatojnë shkeljen dhe e deklarojnë atë, por nuk rregullojnë pasojat e ardhura prej saj dhe as nuk i njohin individit, ndaj të cilit konstatohet shkelja, dëmshpërblim, siç parashikohet në sisteme të tjera ligjore (rasti i Italisë)”(theksimi – i autores së punimit).

Ndryshimet e viti 2016 reflektuan mendimin e parashikimit të një mjeti ligjor ankimimi dhe jo parashikimin e të drejtës së Gjykatës Kushtetuese për të sanksionuar kompensim financiar.[50] Por këto ndryshime nuk kanë efekt prapaveprues për çështjet të cilat kanë përfunduar në themel pranë gjykatave të zakonshme dhe për të cilat kanë kaluar afatet e arsyeshme sipas parashikimeve ligjore përkatëse, por kanë rregulluar dhe specifikuar rregulla dhe procedura për çështjet që janë apo do të jenë në shqyrtim pas datës 5 nëntor 2017 pranë gjykatave të zakonshme në lidhje me pretendimet për kohëzgjatje të paarsyeshme të procesit gjyqësor. Si rrjedhojë, për çdo çështje që nuk bie nën këtë rregullim, Gjykata Kushtetuese mbetet i vetmi mjet efektiv për  mbrojtjen e të drejtës kushtetuese për gjykimin brenda afateve të arsyeshme në kushtet e mungesës së mjeteve të brendshme në sistemin ligjor të vendit tonë për çështjet që lidhen me tejzgjatjen të proceseve.[51]Për gjykimet e këtyre çështjeve Gjykata Kushtetuese mbetet de facto një mjet ankimi joefektiv lidhur me kohëzgjatjen e paarsyeshme të gjykimeve si elementë të procesit të rregullt ligjor në përputhje me nenin 42 të Kushtetutës, duke mos arritur t’i sigurojë kërkuesit dëmshpërblim për të drejtën e shkelur.   

Kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cënimit. Me fillim të konstatimit të cënimit do të kuptohet data kur individi merr dijeni për aktin e arsyetuar, që do të kundërshtojë. Mbrojtja kushtetuese dhe ligjore e të drejtave dhe lirive të individit mund të realizohet vetëm kur ushtrohet brenda afateve të përcaktuara në Kushtetutë dhe ligje. Afati kushtetues i caktuar në këtë rast është 4 muaj nga marrja dijeni për konstatimin e cënimit të së drejtës. Barrën e provës për të provuar momentin kur ka marrë dijeni kërkuesi për aktin që do të kundërshtojë e ka ky i fundit. Nëse kërkuesi nuk arrin ta provojë datën e saktë të marrjes dijeni për vendimin e fundit, atëherë si datë e fillimit të afatit do të llogaritet data e dhënies së vendimit nga organi shtetëror që përbën mjetin e fundit ankimor.[52]

Me ndryshimet që iu bënë me ligjin nr.99/2016, datë 06.10.2016, ligjit organik të Gjykatës, sipas neneve 71/a, pika 1/b dhe 86/3 të këtij të fundit, duke filluar nga data 1 mars 2017, ankimi kushtetues individual shqyrtohet nga kjo Gjykatë, kur kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cënimit.[53]  

Në vendimin nr. 64, datë 30.05.2018 Kolegji nuk e kalon çështjen për gjykim në seancë plenare sepse nuk plotësohet kushti ratione temporis. Kolegji vlerëson se vetëm shënimi i sekretarisë së Gjykatës së Lartë për datën nuk është një provë e mjaftueshme që vërteton se kjo është data në të cilën kërkuesi ka marrë dijeni për herë të parë për vendimin e Kolegjit Penal. Shënimi i sekretarisë së Gjykatës së Lartë vërteton se kërkuesi ka tërhequr një kopje të vendimit (të njëjtë me origjinalin), por nuk vërteton se kjo ka qenë hera e parë që kërkuesi është njohur me vendimin. Po ashtu, kërkuesi nuk provon se çfarë e ka penguar të marrë dijeni për vendimin e Gjykatës së Lartë për një periudhë kohore thuajse 2-vjeçare, sidomos në rrethanat kur ka qenë pikërisht ai që ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë me rekursin e paraqitur. Po ashtu, vetëm kërkesa drejtuar një gjykate për marrjen e një kopje të vendimit të arsyetuar nuk provon njoftimin për herë të parë të vendimit, pra marrjen dijeni mbi ekzistencën e tij.[54]

Në praktikën e Gjykatës, në rastet kur kërkuesi është gjykuar në mungesë, afati për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë fillon në momentin kur kërkuesi merr dijeni për vendimin e formës së prerë të dhënë ndaj tij.[55]Kjo praktikë e Gjykatës është nënvizuar edhe nga GJEDNJ-ja në çështjen Shkalla kundër Shqipërisë, datë 10.05.2011, §53. Edhe në rastet kur individi ka kërkuar rivendosje në afat, momenti i marrjes në dijeni është ai kur ka ardhur në dijeni të vendimit të formës së prerë që ka mbyllur procesin gjyqësor të themelit. Kështu, në vendimin nr. 57, dt.17.05.2013, Kolegji e rrëzoi kërkesën për mosplotësim të ratione temporis, pasi kërkuesi nuk i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për parregullsi të procesit ligjor në momentin kur ka ardhur në dijeni të vendimit të formës së prerë që ka mbyllur procesin gjyqësor të themelit, por ka kërkuar rivendosje në afat të ankimit në gjykatën e apelit. Ndërkohë që kërkesa për rivendosje në afat është një mjet procedural që u mundëson subjekteve të caktuara të ushtrojnë të drejtën e ankimit, të cilën nuk kanë pasur mundësi ta ushtrojnë brenda afateve ligjore për shkak të rastit fator ose të forcës madhore.[56]   

Ndryshimi i ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që e ndryshon afatin në 4 muaj është pretenduar pranë Gjykatës Kushtetuese si antikushtetues pasi cënon të drejtën e individit për akses në gjykatë. Këtë pretendim e ngriti kërkuesi i cili i ishte drejtuar më herët Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që kishte vendosur mospranimin e rekursit. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim duke arsyetuar se kërkesa në Gjykatën Kushtetuese ishte paraqitur jashtë afatit ligjor 4- mujor. Pas këtij vendimi të Kolegjit, kërkuesi i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar shfuqizimin e nenit 86/3 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionim e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, pasi si pasojë e zbatimit të gabuar të tij, Kolegji ka cënuar të drejtën për akses.  

Pretendimet e kërkuesit të paraqitura: (i) është cenuar parimi i ligjshmërisë: mungesa e saktësisë, lidhur me shtrirjen e juridiksionit ratione temporis të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur një barrë joproporcionale provueshmërie mbi kërkuesin, e cila cënon edhe vetë thelbin e së drejtës së tij themelore kushtetuese të garantuar edhe në KEDNJ për akses efektiv në gjykatë. Që ky kufizim i ndjeshëm të ishte i ligjshëm, ligjvënësi duhet të parashikonte pasojat që sjell depozitimi i ankimit pas datës 01.03.2017; (ii) është cenuar e drejta për akses: vendimi i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese nr.272, datë 07.12.2017 për moskalimin e çështjes në seancë plenare, i ka sjellë kërkuesit një dëm konkret, pasi ai ka humbur të drejtën për të kërkuar korrigjimin e shkeljeve të  procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës së pronës, të kryera nga gjykatat kompetente. Mungesa e mjeteve të tjera juridike të efektshme për të kundërshtuar kushtetutshmërinë e dispozitës së pretenduar për papajtueshmëri është bërë shkak për kufizimin e pajustifikuar të së drejtës së tij për akses efektiv në procesin ankimor para Gjykatës Kushtetuese. Sipas kërkuesit afati i ankimit në Gjykatën Kushtetuese, nga dy vjet në katër muaj, përbën një kufizim të së drejtës së aksesit në procesin ankimor përpara kësaj Gjykate.

Kolegji i Gjykatës konstaton se nga data e vendimit të Gjykatës së Lartë për të cilin kërkohej shfuqizimi dhe deri në datën 01.03.2017 kur ka hyrë në fuqi afati i ri për paraqitjen e kërkesës, kërkuesi ka pasur në dispozicion një afat prej gati 22 muajsh për të paraqitur kërkesën sipas afatit 2-vjeçar. Kolegji vëren se në kushtet kur në datën 01.03.2017, nuk e kishte plotësuar afatin e vjetër 2-vjeçar për të paraqitur kërkesën, atij i ka filluar të zbatohet afati i ri 4-mujor, i cili i ka dhënë mundësi akoma më tepër për të paraqitur kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Kolegji thekson se përmbajtja e nenit 86/3 të ligjit është e qartë, e saktë dhe në përputhje me përmbajtjen e nenit 4 të protokollit 15 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kolegji çmon se pretendimi i kërkuesit aksesit është haptazi i pabazuar, si rrjedhim kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.[57]

Afati kohor 4-mujor[58]është një nga ndryshimet e sjella, pasi afati 2 vjeçar i parashikuar para ndryshimeve të vitit 2016 është konsideruar si shumëi gjatë. Afati i mëparshëm i ka shërbyer më tepër informimit dhe ndërgjegjësimit të individëve  për ekzistencën dhe përdorimin e këtij mjeti ankimi, duke qënë nje institucion i ri në shoqërinë demokratike, pas ndryshimit të sistemit politiko – ekonomik të mëparshëm. Periudha 25-vjeçare e ekzistencës dhe e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese është nje periudhë e mjaftueshme për realizimin e këtij qëllimi. Me këtë ndryshim të afatit kohor i shërbehet më mirë sigurisë juridike të palëve në gjykim.

Pasojat negative të pretenduara janë të drejtpërdrejta dhe reale për kërkuesin. Duke u nisur nga pozicioni i Gjykatës Kushtetuese në jurisprudencën e saj, kur analizon interesin konkret të subjektit, Ajo mban qëndrim edhe ndaj asaj që kuptohet me pasojë negative e drejpërdrejtë dhe reale. Pasoja negative është e drejtpërdrejtë, pra rrjedh direkt nga akti objekt shqyrtimi, është reale.[59]Pasoja duhet të jetë një dëm real, ose potencial, që i shkaktohet individit drejtpërdrejtë nga akti që ai kundërshton në Gjykatën Kushtetuese. Ndryshe nga kontrolli abstrakt kushtetues, për të cilin Gjykata Kushtetuese ka pohuar në Vendimin e saj nr. 1, datë 07.01.2005, se:“Për Gjykatën Kushtetuese është i njohur rregulli i pranuar në doktrinë dhe në  jurisprudencën kushtetuese, se gjatë kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë së një norme juridike nuk kërkohet ardhja e pasojës për të legjitimuar kërkuesin. Qëllimi i kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve është njëkohësisht edhe parandalimi i pasojave negative që mund të vijnë nga zbatimi i tyre”.

Edhe kur Gjykatës Kushtetuese i drejtohet një organizatë, kjo e fundit duhet të provojë lidhjen e drejtpërdrejtë dhe të individualizuar që ekziston midis veprimtarisë së saj dhe normës që kundërshton. Interesi për të vepruar duhet të jetë i sigurt, i drejtpërdrejtë dhe vetjak. Ky interes konsiston tek e drejta e shkelur, te dëmi real ose potencial dhe jo te premisat teorike mbi antikushtetutshmërinë e normës që ka sjellë këtë cenim të interesit. Vetëm fakti se dispozitat e kundërshtuara mund të kenë ose kanë pasur një efekt çfarëdo mbi subjektin kërkues, nuk është i mjaftueshëm për të përcaktuar nëse ai legjitimohet në paraqitjen e kërkesës, por është e nevojshme të provohet se dispozita e kundërshtuar rregullon marrëdhënie që janë qëllimi i veprimtarisë së tij, sipas përcaktimeve të bëra në Kushtetutë, në ligje ose, në rastin e subjekteve të së drejtës private, në statut.[60]Vlerësimi nëse një organizatë ka ose jo mjaftueshëm interes në kuptim të neni kushtetutes bëhet rast pas rasti, në varësi të rrethanave të çdo çështjeje të veçantë. Në kushtet organizata në cilësinë e kërkuesit nuk arrin të provojë se dispozitat që kundërshton si antikushtetuese rregullojnë marrëdhënie që janë qëllimi i veprimtarisë së saj dhe se përmbajtja e tyre sjell ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e saj, ajo nuk justifikon interesin për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kuptim të nenin 134/2 të Kushtetutës, ndaj nuk legjitimohet ratione materia.

Gjykata Kushtetuese shprehet se individi, si subjekt i kushtëzuar, mund të bëjë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tij të drejtpërdrejta, si edhe duhet të provojë se në ç`mënyrë ai është cënuar në të drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor. Para ndryshimeve kushtetuese të viti 2016, individi i drejtohej Gjykatës Kushtetuese vetëm për procesin e rregullt ligjor. Si rrjedhojë, Gjykata për sa kohë që kërkuesi parashtronte pretendime që nuk lidhen me cënimin e drejtpërdrejtë të së drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor, nuk legjitimohej në lidhje me këtë pretendim, pasi i mungon interesi vetjak. Pavarësisht zgjerimit të së drejtës së individit për t’ju drejtuar Gjykatës, ai do duhet të provojë cënimin e drejtpërdrejtë të së drejtës kushtetuese të cilën pretendon se i është shkelur.

Gjykata në çdo vendim të saj për kërkesat kushtetuese individuale, shprehet se legjitimimi i individit për t`iu drejtuar kësaj Gjykate përbën një nga parakushtet procedurale për ta vënë atë në lëvizje. Ai mund t`i drejtohet Gjykatës për pretendime që lidhen me cënimin e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si edhe nëse plotëson kriterin kushtetues të “detyrimit për të justifikuar interesin”, i cili është përcaktues i ndarjes së rrethit të subjekteve kushtetuese në dy kategori, subjekte të kushtëzuara dhe subjekte të pakushtëzuara. Individi, si një nga subjektet e kushtëzuara, ka legjitimitet kushtetues vetëm për çështjet që lidhen me interesat e tij.[61]Në këtë kuptim, individi ka detyrimin të provojë se në ç`mënyrë ai është prekur në të drejtat e tij kushtetuese si pasojë e një procesi jo të rregullt ligjor. Interesi i tij për të vepruar duhet të jetë i sigurt, i drejtpërdrejtë dhe vetjak, dhe ai duhet të konsistojë tek e drejta e shkelur dhe tek dëmi real i shkaktuar. Gjykata ka vlerësuar se në kushtet kur kërkuesi ka hequr dorë nga gjykimi i çështjes, gjë që ka sjellë për pasojë pushimin e gjykimit, atij tashmë i mungon interesi për të vënë në lëvizje këtë Gjykatë. Për rrjedhojë, kërkuesi nuk legjitimohet në kuptim të nenit 131/f të Kushtetutës, dhe kërkesa duhet të rrëzohet.

Kriteri i katërt që duhet plotësuar për ankimin kushtetues individual është që shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese do të mund të rivendoste në vend të drejtën e shkelur të individit. Gjykata Kushtetuese në vendimarrjen e saj vlerëson edhe mënyrën se si rivendoset në vend e drejta e shkelur: shfuqizimi i vendimeve të papajtueshëm me Kushtetutën, rikthimi i çështjes për rishqyrtim në gjykatën përkatëse, konstatimi i cënimit të së drejtës kushtetuese. Ashtu siç u theksua më sipër, kur Gjykata shqyrtonte çështje për cënimin e të drejtës për gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, Ajo nuk arrinte në praktikë të rivendoste në vend të drejtën e individit vetëm duke konstatuar këtë cënim, pa i siguruar individit kompesim financiar. Në kuadër të rivendosjes në vend të kësaj të drejtë, ndryshimet e vitit 2016 parashikuan mjetin e posaçëm për ankimim për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm, përshpejtimin e procedurave dhe shpërblimin e dëmit.[62]Por edhe pas këtij ndryshimi mbeten pa zgjidhje efektive dhe substanciale ankimimet që nuk mnd të zbatojnë këto parashikime pasi ndryshimet nuk kanë efekt prapaveprues.

Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrimin, se në rastin kur individët duan të rivendosin një të drejtë të shkelur, kur është konstatuar nga GJEDNJ, individët duhet t’i drejtohen Gjykatës së Lartë me kërkesë për rishikim. Në Vendimin e saj nr. 45, datë 01.11.2013 Gjykata Kushtetuese rithekson, se: “në interpretim të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi si dhe të rolit të Gjykatës së Lartë në sistemin tonë ligjor, ajo ka përcaktuar tashmë se mjeti ligjor efektiv, në dispozicion të individëve, për të rivendosur në vend të drejtat e tyre kushtetuese të cenuara gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në gjykatat e faktit, në rastet kur ato konstatohen si pasojë e një vendimi të GJEDNJ-së, është kërkesa për rishikim në Gjykatën e Lartë”.

 

Konkluzione

 

1.      Ndryshimet e ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë

21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar zgjerojnë kufijtë e kontrollit kushtetues të ankimeve individuale kushtetuese. Pas këtyre ndryshimeve, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut përbëjnë kufijtë e kontrollit kushtetues të këtij ankimimi, duke i lejuar individët që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çdo të drejtë dhe liri themelore kushtetuese dhe duke i lejuar kësaj të fundit të shprehet në aspektin substancial për çdo ankim individual kushtetues.

2.      Ndryshimet e sjella me ligjin nr. 76/2016 kanë krijuar një ndryshim cilësor në aspektin

e ankimit individual kushtetues, pasi nëpërmjet këtij ankimi mund t’i kërkohet tashmë Gjykatës Kushtetuese jo vetëm kontrolli kushtetues i procesit të rregullt ligjor procedural, por edhe i çdo të drejtë dhe lirie tjetër kushtetuese. Tashmë, individi mund të kundërshtojë drejtpërdrejtë çdo akt të pushtetit publik, kur gëzon një të drejtë apo liri që cënohet nga ky akt. Ky ndryshim përligj jo vetëm qëndrimin e doktrinës që përkrahte gjykimin kushtetues të procesit të rregullt ligjor material, por shkon akoma më tej: përfshin të gjitha të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të individit.

3.      Zgjerimi i hapësirës së gjykimit kushtetues individual krijon mundësinë e kërkimit të gjykimit kushtetues edhe për çështje të ndjeshme të shoqërisë, si të drejtat e personave LGBT, martesat e tyre, adoptimi i fëmijëve prej çifteve LGBTI etj. Ky parashikim i jep organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë në objekt të tyre mbrojtjen e këtyre të drejtave, një mjet tjetër efektiv që mund ta përdorin. 

4.      Gjykata Kushtetuese, ka qënë de facto një mjet ankimi joefektiv lidhur me kohëzgjatjen e paarsyeshme të gjykimeve si elementë të procesit të rregullt ligjor në përputhje me nenin 42 të Kushtetutës, për aq kohë sa nuk ka ekzistuar një mjet ankimi efektiv i posaçëm. Gjykata Kushtetuese nuk arrinte t’i siguronte kërkuesit dëmshpërblim për të drejtën e shkelur. Nga data 5 nëntor  2017 ka hyrë në fuqi ligji nr.38/2017 “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile”, i cili ka shtuar  kreun X “Mbi gjykimin e kërkesave për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm, përshpejtimin e procedurave dhe shpërblimin e  dëmit”. Këto ndryshime ligjore parashikojnë një mjet ligjor ankimi, i prezumuar efektiv, që do të garantojë si përshpejtim të procesit gjyqësor penal, civil apo administrativ, ashtu edhe dëmshpërblim, pra një rezultat konkret në drejtim të rivendosjes të së drejtës së shkelur për proces gjyqësor brenda afateve të arsyeshme ligjore. Por duke mos pasur efekt prapaveprues, Gjykata Kushtetuese mbetet mjeti i vetëm efektiv për çështjet që nuk rregullohen nga këto ndryshime. Si pasojë, joefektiviteti de facto i Gjykatës Kushtetuese për rivendosjen në vend të kësaj të drejte vazhdon.

5.      Afati i ri 4-mujor nga fillimi i konstatimit të cënimit të së drejtës për paraqitjen e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk e cënon të drejtën për akses në Gjykatë dhe është në përputhje me përmbajtjen e nenit 4 të protokollit 15 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  

6.      Zgjerimi i kufijvë të këtij kontrolli kushtetues vjen me përgjegjësi të lartë kundrejt Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është mjeti i fundit për rivendosjen në vend të së drejtës, kur kjo e fundit nuk është arritur brenda sistemit të zakonshëm gjyqësor. Pas ezaurimit të ankimit në Gjykatën Kushtetuese, individi mund t’i drejtohet GJEDNJ. Gjykata Kushtetuese, me kompetencën e re që i është besuar mund të ndikojë në uljen e nrumrit të rasteve që i drejtohen GJEDNJ, duke rivendosur në vend të drejtën e individëve jo vetëm për procesin e rregullt ligjor material (për të cilin nuk mund të shprehej para ndryshimeve të korrikut 2016), por edhe për çdo të drejtë dhe liri tjetër kushtetuese. Ndërkohë, pavarsisht suksesit që mund të ketë në gjykimin e këtyre ankimeve kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do duhet të menaxhojë edhe mbingarkesën në mënyrë që të mos bierë edhe ajo vetë në shkelje të parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.

-------------------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar

- Ligji nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” dhe relacioni shoqërues

- Ligj nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

- Ligj nr.7491, datë 29.4.1991“Për dispozitat kryesore kushtetuese”, i ndryshuar

-  Ligji nr.38/2017 “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile”

 

Doktrinë

- Fehmi Abdiu, Për kontrollin incidental, Revista ‘Avokatia’ nr. 18, Prill 2015

- Sokol Sadushi, Drejtësia kushtetuese në zhvillim, Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 2012

- Erind Merkuri, Kushtetushmëria e kushtetutës - kontrolli kushtetues mbi ndryshimet kushtetuese, Punime akademike mbi nevojën për ndryshime kushtetuese, Prill 2015

- Arta Vorpsi, Procesi i rregullt ligjor në praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Maluka, 2011

 

Jurisprudencë

-  Ankesa nr.54268/00, Qufaj CO. SHPK kundër Shqipërisë

-  Ankesa nr.26866/05, Shkalla kundër Shqipërisë

- Vendime të Gjykatës Kushtetuese nr.39, datë 23.12.2003; nr. 1, datë 07.01.2005; nr.2, datë 19.01.2005; nr.17, datë 18.07.2005; nr. 6, datë 31.03.2006; nr. 27, datë 20.06.2007; nr.40, dt.16.11.2007; nr.14, datë 03.06.2009; nr.1, datë 25.01.2010; nr.12, datë 15.04.2011; nr.17, datë ­­16.05.2011; nr. 24, datë 09.06.2011; nr.28, datë 23.6.2011; nr.47, datë 7.11.2011; nr.9, datë 29.02.2012; nr. 9, datë 15.03.2013; nr. 57, dt.17.05.2013; nr.3, datë 23.01.2014; nr.17, datë 24.03.2014; nr.31, datë 25.05.2015; nr.18, datë 14.04.2015; nr.59, datë 23.07.2015; nr. 14 datë 10.03.2016; nr. 23 datë 20.04.2016; nr.77, datë 19.12.2016; nr.76, dt.4.12.2017; nr.80, dt.18.12.2017; nr.7, datë 02.03.2018.

- Vendime të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese nr. 101, datë 27.05.2016; nr.22, dt.10.10.2017; nr. 258, datë 23.11.2017; nr.3, datë 16.01.2018; nr.3, datë 16.01.2018; nr.5, datë 16.01.2018; nr.7, datë 18.01.2018; , nr.22, datë 30.01.2018; nr. 65 datë 30.05.2018; nr. 80 datë 06.06.2018.

- Vendime të GJKF gjermane, BverfGE 45, 63 (74); 33, 247 (259)

 

Të tjera

- Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor, 2015 linku: http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf

- Opinioni i datës 17 prill 1998, CDL-INF (98) 9, i Komisionit Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias), ëebsite http://www.venice.coe.int/webforms/documents/?opinion=54&year=all.

- Raport nga Nils Muižnieks Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Në vijim të vizitës në Shqipëri nga 23 deri 27 shtator 2013. Link: https://www.refworld.org/cgi-bin/texis/vtx/rwmain/opendocpdf.pdf?reldoc=y&docid=53046b9a4

- http://www.gjk.gov.al/web/fjala_e_z_zaganjori_72.pdf

 



[1] Neni 124, pika 1, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar

[2] Ndryshuar me ligjin nr.9675, datë 13.1.2007; nr.9904, datë 21.4.2008; nr.88/2012, datë 18.9.2012, nr.137/2015, datë17.12.2015 dhe nr. 76/2016, datë 22.7.2016

[3]Fehmi Abdiu, “Për kontrollin incidental”, Revista ‘Avokatia’ nr. 18, Prill 2015

[4] Ligji nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar

[5]Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor, 2015 linku: http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf

[6] Po aty

[7]Ndryshuar me ligjin nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për      organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

[8] Neni 125, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar

[9] Vendimet nr. 2, datë 19.01.2005 dhe atë nr. 24, datë 09.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese

[10]Pikat 4 dhe 5 të nenit 125 të Kushtetutës, e ndryshuar

[11]Relacioni për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin  

dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

[12] Nenet 127dhe 128 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërise, e ndryshuar

[13]Neni 130 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërise, e ndryshuar

[14]Neni 126 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërise, e ndryshuar

[15] Neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërise, e ndryshuar

[16] Sokol Sadushi, “Drejtësia kushtetuese në zhvillim”, Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 2012, fq.223

[17] Neni 2 i ligjit kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992, “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.4.1991“Për dispozitat kryesore kushtetuese”

[18] Sipas parashikimeve kushtetuese të kohës, Gjykata Kushtetuese tre vjet pas krijimit të saj, duhej të kryente zëvendësimin e tre anëtarëve të saj me tre anëtarë të rinj. Por në vitin 1994, tre anëtarë të saj dhanë dorëheqjen dhe në janar të vitit 1995 u zëvendësuan me tre anëtarë të tjerë. Pikërisht këtë zëvendësim të anëtarëve të saj, Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.4, datë 2.6.1995 e konsideroi të kryer dhe, si rrjedhojë, për të nuk kishte më vend për hedhjen e shortit.

[19] Erind Merkuri, Kushtetushmëria e Kushtetutës –kontrolli kushtetues mbi ndryshimet kushtetuese, Punime akademike mbi nevojën për ndryshime kushtetuese, Prill 2015

[20] Opinioni i datës 17 prill 1998, CDL-INF (98) 9, i Komisionit Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias),  fq.11, paragrafi 43, wwwbsite http://www.venice.coe.int/webforms/documents/?opinion=54&year=all

[21] Neni 134 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar

[22]Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor, 2015 linku: http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf

[23] Ligji organik rregullon procedurat, afatet dhe vendimarrjen për çdo rast të gjykimit kushtetues, sipas nenit 131 të Kushtetutës.

[24] Kjo është saktësuar me ndryshimet e ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo mungesë parashikimi në ligjin organik të mëparshëm ka paraqitur në disa raste problematikë sa i takon fillimit të efekteve të vendimit të Gjykatës, i cili është bërë i njohur më parë, por shpallja në kuptim të ligjit është bërë në një kohë të mëvonshme.

[25]Vendim nr.18, datë 14.04.2015 i Gjykatës Kushtetuese

[26] Vendime të GJKF gjermane, BverfGE 45, 63 (74); 33, 247 (259)

[27] Ligji nr.7491, dt.29.04.1991 dhe Ligji nr.7561, dt.29.04.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491,

dt.29.04.1991”

[28]Arta Vorpsi, “Procesi i rregullt ligjor në praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, ’Maluka’, 2011

[29] Neni 64 i ligjit nr.  99/2016 ”Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

[30] Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr.12, datë 15.04.2011. Në këtë gjykim Gjykata pranoi kërkesën e një shtetasi grek me banim në Greqi. Atij i ishin njohur të drejtat prindërore me vendim të gjykatave greke, ndërkohë që e ëma e fëmijës nuk i krijonte kushtet për t’u takuar me fëmijën. Kërkuesi kërkonte detyrimin e autoriteteve për të zbatuar vendimin e gjykatës greke.

[31]Vendimet nr.14, datë 03.06.2009 dhe  nr. 23, datë 20.04.2016 të Gjykatës Kushtetuese 

[32] Vendimi nr.39, datë 23.12.2003 i Gjykatës Kushtetuese

[33] Analizohet më poshtë se cilat subjekte janë legjitimuar nga GJK si subjekte kërkuese.

[34] Para ndryshimeve të ligjit nr.99/2016 ka qënë jo më vonë se 2 vjet nga konstatimi i shkeljes ose 2 vjet nga data e njoftimit të vendimit të organit përkatës shtetëror, kur në bazë të ligjit individi mund t’i drejtohet një organi tjetër.

[35] Neni 70 dhe 71/a i ligjit nr.8577, datë 10.2.2000, i ndryshuar

[36] Vendimin nr.31, datë 25.05.2015 i Gjykatës Kushtetuese

[37] Vendimet nr.17, datë 18.07.2005; nr.1, datë 25.01.2010; nr.17, datë ­­16.05.2011; nr.17, datë 24.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese; vendimet nr.77, datë 19.12.2016; nr.3, datë 23.01.2014 të Gjykatës Kushtetuese

[38] Neni 71/b/2 i ligjit organik: “Kur Gjykata Kushtetuese shqyrton kushtetutshmërinë e një akti dhe arrin në përfundimin se ai bazohet mbi një ligj ose akt normativ antikushtetues, gjykata vendos njëkohësisht edhe shfuqizimin e ligjit ose aktit normativ.”

[39]Vendim i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese nr.22, dt. 10.10.2017

[40] Vendim i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese nr. 101 datë 27.05.2016

[41] Ankesa  54268/00, Qufaj CO. SHPK kundër Shqipërisë

[42] Vendimet nr. 9, datë 15.03.2013; nr. 27, datë 20.06.2007; nr. 6, datë 31.03.2006 të Gjykatës Kushtetuese

[43] Vendim i Gjykatës Kushtetuese Nr.47, datë 7.11.2011

[44] Vendim i Gjykatës Kushtetuese Nr.28, datë 23.6.2011

[45]  http://www.gjk.gov.al/web/fjala_e_z_zaganjori_72.pdf

[46] P.sh. në çështjen Qufaj kundër Shqipërisë, GJEDNJ u shpreh, se (mos)zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë  përbën element të procesit të rregullt ligjor dhe Gjykata Kushtetuese është kompetentë për një gjykim të tillë. Gjykata Kushtetuese rivlerësoi qëndrimin në cështjet e mëpasshme

[47] Po aty

[48] Neni 71/ç, Ligj Nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

[49] Raport nga Nils Muižnieks Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës,Në vijim të vizitës në Shqipëri nga 23 deri 27 shtator 2013. Link: https://www.refworld.org/cgi-bin/texis/vtx/rwmain/opendocpdf.pdf?reldoc=y&docid=53046b9a4

[50] Nga data 5 nëntor  2017 ka hyrë në fuqi ligji nr.38/2017 “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile”, ligji i cili ka shtuar  kreun X “Mbi gjykimin e kërkesave për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm, përshpejtimin e procedurave dhe shpërblimin e  dëmit”. Dispozitat e këtij kreu përcaktojnë vlerësimin e kohëzgjatjes së arsyeshme të procesit, si edhe shpërblimin e drejtë kur konstatohet kohëzgjatje e paarsyeshme në procedurat e hetimit, gjykimin e çështjeve, si edhe në procedurat e ekzekutimit të vendimeve. Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, do të ketë  një mjet ligjor ankimi, i prezumuar efektiv, që do të garantojë si përshpejtim të procesit gjyqësor penal, civil apo administrativ, ashtu edhe dëmshpërblim, pra një rezultat konkret në drejtim të rivendosjes të së drejtës së shkelur për proces gjyqësor brenda afateve të arsyeshme ligjore

[51] Vendim nr.76, dt.4.12.2017 dhe nr.80, dt.18.12.2017 I Gjykatës Kushtetuese

[52] Vendimet nr.65/2018; nr.5/2018, nr. 3/2018, nr.22/2018, nr. 258/2017 të Kolegjit dhe të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese

[53] Ligji nr.99/2016, me të cilin u bënë ndryshime në ligjin nr.8577/2000, kanë hyrë në fuqi në datën 23.11.2016, ndërsa afatet e reja për paraqitjen e kërkesave të parashikuara në nenin 86/3 të ligjit, mes tyre dhe për ankimin kushtetues individual kanë filluar të zbatohen në datën 1 mars të vitit 2017.

[54] Vendim nr. 65, datë 30.05.2018 i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese

[55] Vendim nr. 9, datë 29.02.2012 i Gjykatës Kushtetuese

[56] Vendimi penal Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 1, datë 20.01.2011

[57] Vendim nr. 80 datë 06.06.2018 i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese

[58] Vendimet e mos kalimit nr.3, datë 16.01.2018; nr.7, datë 18.01.2018 të Gjykatës Kushtetuese

[59] Vendimi nr.40, dt.16.11.2007 i Gjykatës Kushtetuese

[60] Vendimi nr.7, datë 02.03.2018 i Gjykatës Kushtetuese

[61] Shih vendimin nr.59, datë 23.07.2015 të Gjykatës Kushtetuese

[62] Ligji nr.38/2017 “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile”, ligji i cili ka shtuar  kreun X “Mbi gjykimin e kërkesave për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm, përshpejtimin e procedurave dhe shpërblimin e  dëmit”