H O R I Z O N T E

 

Av. Dr. Suela MËNERI

Anëtare e Dhomës së Avokatisë,

Tiranë

 

Hyrje

Një grup anëtarësh të Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Kontrollit të Trafikut Ajror u ankuan në Korrik të vitit 2017 në Gjykatën Kushtetuese, se përjashtimi i tyre nga e drejta për grevë, sipas nenit 197/5 pika (ç) të Kodit të Punës përbënte (a) cënim jo proporcional dhe jo të domosdoshëm të lirisë së tyre sindikale, të së drejtës së tyre për t’u organizuar dhe të së drejtës së tyre për grevë sipas garancive të Nenit 46, Nenit 49.2, Nenit 50 dhe nenit 51 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; (b) cënim jo proporcional dhe jo të domosdoshëm të lirisë së tyre të tubimit dhe organizmit, garantuar në nenin 11 të KEDNJ-së; (c) cënim jo proporcional dhe jo të domosdoshëm të lirisë së tyre për t’u organizuar dhe të së drejtës së tyre për grevë garantuar sipas neneve 5 dhe 6 të Kartës Sociale Evropjane; (d) cënim jo proporcional dhe jo të domosdoshëm të së drejtës së tyre për t’u organizuar dhe për të zhvilluar negociata kolektive, garantuar në nenin 2 të Konventës nr 87 të OBP-së, nenet 4-6 të Konventës nr. 98 të OBP-së;nenet 1 dhe 7 të Konventës nr. 151 të OBP-së; nenin 22 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Politike dhe Civile; nenin 8 (a), (c) dhe nenin 8 § 2, të Konventës për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.[1]

Për aspektin procedural të pranueshmërisë të ankimit të tyre, ankuesit vërejtën ndër të tjera se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese u zgjerua për të përfshirë edhe gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik […] që cënon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.

Duke pasur parasysh kohën e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve kushtetuese, ankuesit argumentuan se fituan të drejtën për t’u ankuar individualisht kundër akteve të pushtetit publik disa muaj para mbarimit të veprimit të Kontratës Kolektive të vitit 2014.[2]Ankuesit vërejtën se ata nuk kishin pasur locus standi për t’u ankuar në përputhje nenin 131 (f) të Kushtetutuës deri në mbarimin e veprimit të Kontratës Kolektive të Punës të vitit 2014, as deri në mbarimin e bisedimeve midis Sindikatës së tyre dhe punëdhënësit lidhur me Kontratën Kolektive të vitit 2017, bisedime të cilat formalisht u mbyllën me nënshkrimin e Kontratës Kolektive të Punës vetëm prej Sindikatës së Teknikëve të Kontrollit Ajror.[3]

Sipas ankuesve,Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nuk vuri në lëvizje Zyrën Shtetërore të Pajtimit, konform nenit 190/3 të Kodit të Punës, edhe pse partneriteti social punënmarrës – punëdhënës është në veçanti i një rëndësie thelbësore për veprimtarinë e shoqërisë.[4] Duke qenë se që prej datës së hyrjes në fuqi të Kontratës Kolektive të Punës për Sindikatën më pak të përfaqësuar, më 1 Prill 2017, autoritetet nuk morën masa në përputhje me Kodin e Punës për të zgjidhur mosmarrëveshjet e lindura midis Alcontrol sha dhe Sindikatës së tyre, ankuesit kërkuan që Gjykata Kushtetuese të llogariste afatet e lejueshme për paraqitjen e ankimit të tyre individual kushtetues sipas nenit 131 (f) të Kushtetutuës dhe nenit 50/4 të Ligjit nr 8577, duke filluar nga data 1 Prill 2017.[5]

Për aspektin juridiksional të pranueshmërisë së çështjes, ankuesit vërejtën se Gjykata Kushtetuese ishte kompetente ratione materiae për t’i gjykuar pretendimet e tyre, sepse sipas nenit 46 të Kushtetutës e drejta për t’u organizuar i takon “kujtdo”. Për më tej, edhe liritë sindikale dhe e drejta për grevë - sipas ankuesve - kishin karakter individual, sepse sipas neneve 50 dhe 51 të Kushtetutës kjo e drejtë i takon “çdo të punësuari”.[6]

Ata vërejtën se nuk u organizuan në grevë, pasi e drejta e grevës për kategorinë e tyre ndalohej nga neni 197/5 pika (ç) i Kodit të Punës. Më tej, sipas nenit 197/9 të Kodit të Punës në rastet e grevave të paligjshme punëdhënësit i lind e drejta të ndërpresë marrëdhëniet e punës me punonjësit, si edhe të kërkojë dëmshpërblim.[7]

Duke folur për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës në veçanti, ankuesit vërejtën se veprimi i Kontratës Kolektive të Punës e vitit 2014 mbaroi në Janar 2017. Duke qenë se Sindikata e Punonjësve të Kontrollit të Trafikut Ajror nuk nënshkroi Kontratën e re Kolektive të Punës, e zbatueshme për ta mbeti kontrata individuale e punës,[8] ku parashikohet që shkeljet e rënda disiplinore do sanksionohen me zgjidhje të kontratës (neni 15). Ndërkohë që po sipas nenit 14 të së njëjtës Kontratë, “shkelje të rënda disiplinore” konsiderohen mungesat e pajustifikuara në punë, shkeljet e detyrimeve të punëdhënësit që rrjedhin nga kontrata […] individuale e punës,  […] moskryerja e detyrës me pasojë dëme të rënda për shoqërinë. Ky interpretim i gjerë i shkeljeve të rënda të dispilinës në Kontratën Individuale të Punës do të sillte pasoja të drejtpërdrejta teankuesit, të cilëve do t’u ndërpritej marrëdhënia e punës për këtë shkak, në vend që të pezulloheshin nga detyra deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve nga gjykatat kompetente lidhur masën në fjalë (siç parashikohej më herët edhe në Kontratën Kolektive të Punës të vitit 2014).[9]

Duke folur për detyrimin e tyre për dëmshpërblim në rast të një greve të paligjshme, ankuesit vërejtën se përveç kostos plotësisht të papërballueshme për ta,[10] sipas një studimi zyrtar të fundit të Komisionit Evropian është pranuar se greva e kontrollorëve të trafikut ajror shkakton vonesa, ose anullime të fluturimeve, ka ndikim në parashikimin e shërbimeve të navigacionit ajror, si edhe u shkakton dëme shoqërive të fluturimit.[11]Në këtë kuptim, sigurimi i shërbimeve minimale gjatë kohës së grevës ishte i domosdoshëm.[12]

Ankuesit vërejtën se shërbimet minimale në kohë greve nuk janë të rregullura në rastin e dhënë, as me ligj dhe as me kontratë kolektive pune, për shkak se kontrollorët e trafikut janë të përjashtuar nga e drejta për grevë. Për rrjedhojë, nëse ata do reagonin me anë të këtij mjeti (grevës), atëherë dëmet më domethënëse do i shkaktoheshin parashikimit të shërbimeve të navigacionit ajror, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e fluturimeve.[13]

Ankuesit i’u referuan jurisprudencës përkatëse të GJEDNJ në çështjen Norris k. Irlandës[14] (§§ 30 -34) ku u pranua se neni 34 i KEDNJ-së i legjitimon individët të pretendojnë se vetë ligji cënon të drejtat e tyre, pa qenë e nevojshme të ndërmarrin ndonjë masë për zbatimin e tij, nëse provohet që ata rrezikojnë të preken drejtpërsëdrejti prej tij.[15]

Ankuesit argumentuan se ishin në pozita të njëjta në thelb me ankuesit e çështjeve të referuara në paragrafin § 18të vendimit në fjalë, pasi në rastin e vet atyre u mbeteshin vetëm dy zgjidhje: ose të pranonin kufizimin e lirive sindikale dhe të lejonin që punëdhënësi të mos i adresonte shqetësimet e ngritura prej tyrelidhur me kushtet e punës për shkak të avantazheve që i jepeshinatij prej nenit 197/5, pika (ç) të Kodit të Punës, ose të bënin grevë, duke zgjedhur vetë të ndëshkoheshin sipas Kodit të Punës, Kontratës Individuale të Punës, Kodit Civil dhe në varësi të dëmeve të rrjedhura edhe Kodit Penal.[16]

Gjykata Kushtetuese nëpërmjet Vendimit të saj Nr. 235, dt 2.11.2017, me argumentat e diskutuara specifikisht në këtë trajtesë vendosi moskalimin e çështjes në seancë plenare.

Pavarësisht qasjes së Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret, e drejta për grevë e punonjësve të kontrollit të trafikut ajror është çështje që meriton të diskutohet në planin e rishikimit të politikës ligjore për këtë kategori të punësuarish, për disa arsye thelbësore.

Së pari, mos nënshkrimi i kontratës kolektive nga ana e Sindikatës së Punonjësve të Kontrollit të Trafikut Ajror ka krijuar gjendje pasigurie te punonjësit, pasiguri, të cilën, në ndryshim prej profesioneve të tjera, punëdhënësi “Albcontrol” sh.a ka detyrim të dyfishtë ta shmangë plotësisht.[17] Së dyti, sikurse u citua më sipër mungesa e shërbimeve minimale të negociuara posaçërisht midis kontrollorëve dhe shoqërisë për rastet e grevave, apo krizave të rrjedhura për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura punëmarrës-punëdhënës rrezikon ndjeshëm sigurinë e fluturimeve. Së treti, neni 17.2 dhe neni 122 i Kushtetutës së RSH garantojnë se e drejta e aksesit në procesin ankimor dhe e drejta për tu organizuar nuk mund të kufizohen nga legjislacioni dhe praktika jonë e brendshme më shumë prej sa ato kufizohen nga KEDNJ dhe jursiprudenca përkatëse e GJEDNJ-së. Ashtu si Konventa, edhe Kushtetuta jonë është një instrument i gjallë, që duhet interpretuar në dritën e kushteve aktuale dhe në përputhje me zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare, në mënyrë që të pasqyrojë standardin e lartë gjithnjë e në rritje që kërkohet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Së katërti, sikurse do diskutohet edhe në vijim, shoqëria “Albcontrol” sh.a është anëtarësuar në një sërë organizatash ndërkombëtare, misioni i të cilave është përmirësimi i shërbimeve të trafikutajror bazuar në partenritetin e ngushtë social punëmarrës-punëdhënës.

 

Vështrim krahasimor i së drejtës për ushtrimin

e lirive sindikale dhe kufizimeve të saj

 

Kushtetuta jonë nuk vendos kufizime specifike për ushtrimin e së drejtës për t’u organizuar sipas nenit 46, as për ushtrimin e lirive sindikale sipas neneve 49.2 dhe 50 të saj. Megjithatë, në ndryshim prej marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse në rastin konkret, ku vendi ynë është palë, duket sikur Kushtetuta e shkëput të drejtën për grevë prej lirive sindikale, si edhe prej të drejtës për t’u organizuar. Konkretisht vërehet që liria sindikale trajtohet njëlloj si e drejta për grevë brenda kapitullit të të drejtave ekonomike dhe sociale, por të veçuara nga njëra tjetra, ndërsa e drejta për t’u organizuar kolektivisht trajtohet si një e drejtë politike dhe civile.

Ndryshe nga rregullimet tona kushtetuese, e drejta ndërkombëtare i lidh ngushtë tri komponentët themelorë të lirisë sindikale, dhe konkretisht të drejtën për t’u organizuar në sindikatë, të drejtën për negociata kolektive dhe të drejtën për grevë. Siç edhe do të argumentohet në vijim, kjo lidhje ka ardhur ndër vite me zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare, duke u bërë gjithnjë e më evidente, qoftë në tekstet e marrëveshjeve ndërkombëtare relevante, qoftë në jurisprudencën e vazhdueshme të organeve mbikqyrëse, të krijuara në kuadër të marrëveshjeve në fjalë.

Fillimisht, sipas nenit 2 të Konventës nr. 87 të ONP-së mbi Lirinë Sindikale dhe Mbrojtjen e të Drejtës për t’u Organizuar parashikohet, se: "të punësuarit dhe punëdhënësit, pa dallim të çdo lloji, kanë të drejtë të themelojnë dhe të bashkohen me organizatat sipas zgjedhjes së tyre, pa autorizim paraprak, dhe sipas rregullave të organizatës në fjalë”.

Më tej, sipas nenit 22 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike parashikohet, se: 1. Çdo person ka të drejtë të bashkohet lirisht me të tjerë, përfshirë këtu edhe të drejtën për të krijuar sindikata dhe për të marrë pjesë në to për mbrojtjen e interesave të veta”.

Sipas nenit 8 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore parashikohet, se:1. Shtetet Palë në këtë Pakt zotohen se do të sigurojnë: (a) të drejtën që ka çdo person për të krijuar me të tjerë sindikata, ose për t’u bashkuar me sindikatën që ka zgjedhur, në varësi vetëm të rregullave të caktuara nga organizata e interesuar, me qëllim që të favorizojë dhe të mbrojë interesat e veta ekonomike e shoqërore”.

Sipas nenit 4 të Konventës nr. 98 të ONP-së në lidhje me zbatimin e parimeve të së Drejtës për Organizim dhe për Negociata Kolektive parashikohet, se: “Në rast nevoje duhen marrë masa që t’u përshtaten kushteve kombëtare për te nxitur dhe çuar përpara zhvillimin dhe përdorimin sa më të gjerë të procedurave të bisedimeve me vullnet të lirë për të arritur në marrëveshje kolektive midis punëdhënësve e organizatave të punëdhënësve nga njëra anë, dhe punonjësve dhe organizatave të punonjësve nga ana tjetër, me qëllim që të rregullohen në këtë mënyrë kushtet e punësimit”.

Sipas nenit 5 të Kartës Sociale Evropiane (e rishikuar) parashikohet, se: “Me synimin për të siguruar dhe nxitur lirinë e punëtorëve dhe punëdhënësve për të krijuar organizata lokale, kombëtare ose ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike dhe sociale dhe për t’u anëtarësuar në ato organizata, Palët angazhohen që legjislacioni kombëtar nuk do të jetë i tillë që të pengojë dhe as do të zbatohet që të pengojë këtë liri.[...]”.

Sipas nenit 6 të Kartës Sociale Evropiane (e rishikuar) parashikohet, gjithashtu, se : “Me synimin për të siguruar një ushtrim efektiv të së drejtës për të negociuar kolektivisht, Palët angazhohen: 1. të nxisin konsultimet e përbashkëta ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve; 2. të nxisin, ku është e nevojshme dhe e përshtatshme, mekanizmin për negociata vullnetare ndërmjet punëdhënësve ose organizatave të punëdhënësve dhe organizatat e punëtorëve, me synimin për rregullimin e termave dhe kushteve të punësimit me anë të marrëveshjeve kolektive; 3.të nxisin krijimin dhe përdorimin e mekanizmave të përshtatshëm për pajtim dhe arbitrazh vullnetar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës; dhe njohin: të drejtën e punëtorëve dhe të punëdhënësve për veprim kolektiv në rastet e konfliktit të interesave, duke përfshirë të drejtën për grevë, duke ju nënshtruar detyrimeve që mund të lindin nga marrëveshjet kolektive për të cilat është rënë dakord më parë.”

Sipas nenit 11 të KEDNJ parashikohet, se: “1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.”

GJEDNJ gjithmonë ka konsideruar se neni 11 i Konventës mbron interesat profesionale të anëtarëve të sindikatave nëpërmjet veprimit kolektiv nga ana e sindikatës, veprimtarinë dhe zhvillimin e së cilës Shtetet Kontraktuese duhet jo vetëm ta lejojnë, por edhe ta bëjnë të mundur (shih Bashkimi Kombëtar i Policisë Belge, § 39; Bashkimii Shoferëve Suedezë, cituar më lart, § 40, si edhe Schmidt dhe Dahlström kundër Suedisë , 6 shkurt 1976, § 36, Seria A nr. 21).

Për sa i përket thelbit së drejtës për t’u organizuar, të përcaktuar në nenin 11 të Konventës, qëndrimi i GJEDNJ është që paragrafi 1 i këtij neni u jep anëtarëve të sindikatës, në mënyrë që të mbrojnë interesat e tyre, të drejtën që sindikata të dëgjohet, por ka lënë secilin Shtet të përcaktojë lirisht mjetet që do të përdoren për këtë qëllim. Ajo çfarë Konventa kërkon, sipas qasjes së GJEDNJ, është që legjislacioni kombëtar për sindikatat duhet t’u mundësojë atyre, por jo në kundërshtim me nenin 11 të KEDNJsë, të luftojnë për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të tyre (shih Bashkimi Kombëtar i Policisë Belge, cituar më lart, § 39; Bashkimi i Shoferëve Suedeze, cituar më lart, § 40, si edhe Schmidt dhe Dahlström, cituar më lart, § 36).

Lidhur me të drejtën për të hyrë në marrëveshje kolektive, fillimisht GJEDNJ konsideroi se neni 11 i Konventës nuk u garantonte sindikatave ndonjë trajtim të veçantë, si e drejta për të hyrë në marrëveshje kolektive (shih Bashkimi i Shoferëve Suedeze, § 39). Më tej theksoi se kjo e drejtë nuk përbënte në asnjë mënyrë një element domosdoshmërisht të pranishëm në një të drejtë të garantuar nga Konventa (shih Schmidt dhe Dahlström, § 34).

Më pas, në çështjen Wilson, Bashkimi Kombëtar i Gazetarëve dhe të Tjerë, GJEDNJ vërejti se edhe nëse marrëveshjet kolektive nuk ishin të domosdoshme për gëzimin efektiv të lirisë së sindikatave, kjo mund të jetë një nga mënyrat që u mundëson këtyre të fundit mbrojtjen e interesave të anëtarëve. Sindikata duhet të jetë e lirë, në një mënyrë apo në një tjetër, për të kërkuar të bindë punëdhënësit që të dëgjojnë se çfarë ajo kishte për të thënë në emër të anëtarëve të saj (Wilson, Bashkimi Kombëtar i Gazetarëve dhe të Tjerë, § 44).

Në çështjen “Schmidt dhe Dahlström k. Suedis딧§ 38, GJEDNJ ka argumentuar, se: “brenda kufijve të nenit 11 të KEDNJ legjislacionet kombëtare duhet t’u japin të punësuarve liri sindikale për të mbrojtur efektivisht interesat e tyre”. Sipas Gjykatës (Enerji Yapi-Yol Sen k Turqisë § 24) “greva, e cila ia bën çdo sindikate të mundur që të dëgjohet përbën një aspekt të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve”. Gjykata gjithashtu ka vënë në dukje se “e drejta e grevës është njohur dhe pranuar nga organet mbikqyrëse të Organizatës Botërore të Punës (OBP) si një e drejtë e ngjizur brenda lirive sindikale për t’u organizuar, garantuar në Konventën nr 87 të OBT-së”. GJEDNJ ka theksuar, po ashtu, se : “e drejta e grevës e garantuar shprehimisht në nenin 6.4 të Kartës Sociale Evropiane është njohur dhe pranuar si një mjet që siguron ushtrimin efektiv të negociatave kolektive”.

Si rezultat i sa më sipër, zhvillimi i jurisprudencës të GJEDNJ mbi thelbin e të drejtës për t’u organizuar, parashikuar në nenin 11 përcaktohet nga dy parime udhëzuese: së pari, ajo Gjykatë merr parasysh tërësinë e masave të marra nga Shteti përkatës për garantimin e lirisë sindikale, subjekti i hapësirës së tij të vlerësimit ;së dyti, ajo nuk pranon kufizime, të cilat prekin elementet thelbësore të lirisë sindikale, pa të cilat kësaj lirie do i mungonte thelbi. Këto dy parime nuk janë kontradiktore, por janë të lidhura me njëra tjetrën (Demir dhe Baykara kundër Turqisë § 143). Kjo ndërlidhje do të thotë që Shteti Kontraktues në fjalë ndërsa në parim është i lirë të vendosë se çfarë masash dëshiron të marrë në mënyrë që të sigurojë përputhjen me nenin 11, i detyruar është të marrë parasysh elementet që konsiderohen si thelbësore nga jurisprudenca e Gjykatës (Demir dhe Baykara kundër Turqisë, po aty).

Në zbatim të nenit 122 të Kushtetutës, përmbajtja dhe interpretimi që i jepet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare (ku vendi ynë është Palë) lidhjes që ekziston midis të drejtës për grevë dhe lirisë së organizimit në sindikata është i detyrueshëm për ligjvënësin shqiptar. Të detyrueshme janë gjithashtu si përmbajtja, ashtu edhe interpretimi që u bëhet lirive sindikale në tërësi dhe të drejtës së grevës në veçanti nga organet mbikqyrëse të OBP-së dhe Komiteti Evropian për të Drejtat Sociale (KDE), si edhe nga GJEDNJ.

Pra, në frymën e marrëveshjeve të mësipërme, ligjvënësi ynë e rregullon të drejtën për grevë si një të drejtë të qenësishme të lirive sindikale (të cilat konsistojnë në të drejtën për t’u organizuar në sindikatë, të drejtën për negociata kolektive efektive dhe në vetë të drejtën për grevë). Në analogji ligjvënësi ka detyrë që edhe kufizimet e së drejtës për grevë t’i përcaktojë të pashkëputura prej kufizimeve të të drejtave në fjalë. Në këtë kuptim rregullimet dhe interpretimet vijuese kanë karakter detyrues për të:

Konkretisht, sipas nenit 22 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike parashikohet, se: “2. Ushtrimi i lirive sindikale mund të jetë objekt vetëm i kufizimeve që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë ndërkombëtare, qetësisë dhe rendit publik, ose për të mbrojtur shëndetin ose moralin publik apo të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Ky nen nuk e ndalon që të vihen kufizime me ligj për ushtrimin e kësaj të drejte nga anëtarët e forcave të armatosura dhe të policisë”.

Më tej, sipas nenit 8 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore parashikohet, se:(a) Ushtrimi i të drejtës që ka çdo person për të krijuar me të tjerë sindikata ose për t’u bashkuar me sindikatën që ka zgjedhur, mund të jetë objekt vetëm i atyre kufizimeve të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme, në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtar apo të rendit publik, ose për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve. (c) E drejta e sindikatave për të ushtruar lirisht veprimtarinë e tyre, pa kufizime të tjera përveç atyre që parashikohen nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme, në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare apo të rendit publik, ose për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve. 2. Ky nen nuk pengon vendosjen e kufizimeve ligjore ndaj ushtrimit të këtyre të drejtave nga ana e pjesëtarëve të forcave të armatosura, të policisë ose të funksionarëve publikë.”

Sipas neneve 4 dhe 6 të Konventës nr. 98 në lidhje me zbatimin e parimeve të së Drejtës për Organizim dhe për Negociata Kolektive parashikohet: “1. Masa deri në të cilën garancitë e parashikuara nga kjo Konventë do të zbatohen për forcat e armatosura ose për policinë, do të përcaktohet nga legjislacioni kombëtar. 2. Në përputhje me parimet e vendosura në paragrafin 8 të nenit 19 të Kushtetutës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ratifikimi i kësaj konvente nga një anëtar nuk duhet konsideruar sikur prek çdo ligj, vendim, zakon apo marrëveshje ekzistuese që u jep anëtarëve të forcave të armatosura dhe të policisë garanci të parashikuara nga kjo Konventë. Kjo Konventë nuk trajton pozitën e funksionarëve publikë dhe nuk mundet, në asnjë mënyrë, të interpretohet sikur cënon të drejtat apo statusine tyre.”

Komiteti i Ekspertëve i ONP e interpretoi këtë dispozitë sikur përjashtonte nga objekti i Konventës vetëm ata funksionarë, të cilët ishin të punësuar direkt në administratën e Shtetit. Me përjashtim të funksionarëve të lartpërmendur, të gjithë personat e tjerë të punësuar nga qeveria, nga ndërmarrjet publike, ose nga institucione e pavarura publike duhet të përfitojnë, sipas Komitetit, nga garancitë e parashikuara në Konventën nr. 98 në të njëjtën mënyrë si punëtorët e tjerë, dhe rrjedhimisht të kenë të drejtë që të angazhohen në negociata kolektive në lidhje me kushtet e tyre të punës, duke përfshirë edhe pagat (Studimi i Përgjithshme i 1994, liria e organizimit dhe marrëveshjet kolektive, në Konventat nr. 87 dhe nr. 98 [ONP, 1994a], § 200).

Sipas neneve 1 dhe 7 të të Konventës nr. 151 për Mbrojtjen e së Drejtës të Organizimit dhe Procedurat për Përcaktimin e Kushteve të Punësimit në Shërbimin Publik parashikohet, se: “1.1. Kjo Konventë është e zbatueshme për të gjithë personat që punësohen nga autoriteti publik, për aq sa ndaj tyre nuk zbatohen dispozita më të favorshme të konventave të tjera ndërkombëtare të punës. 1.2. Masa deri në të cilën do të zbatohen garancitë e parashikuara nga kjo Konventë,për nëpunësit e nivelit të lartë, funksionet e të cilëve konsiderohen normalisht si funksione që kanë lidhje me përcaktimin e politikave që do ndiqen apo me detyra drejtuese, ose për nëpunësit që kanë përgjegjësi të një karakteri konfidencial, do të përcaktohet nga legjislacioni kombëtar.1.3. Masa deri në të cilën do të zbatohen garancitë e parashikuara nga kjo Konventë,për forcat e armatosura dhe policinë, do të përcaktohet nga legjislacioni kombëtar7 Në përshtatje me kushtet kombëtare, duhet të merren, nëse është e nevojshme, masa që nxisin dhe çojnë përpara zhvillimin dhe përdorimin e plotë të mundësive për zhvillimin e negociatave lidhur me kushtet e punës midis autoriteteve publike të interesuara dhe organizatave të veprimtarëve apo çdo mënyre tjetër që u lejon përfaqësuesve, veprimtareve publikë të marrin pjese nëpërcaktimin e kushteve të lartpërmendura.”

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në preambulën e Konventës nr. 151 nënvizoi dispozitat e Konventës mbi lirinë sindikale dhe mbrojtjen e së drejtës sindikale (1948) dhe të Konventës mbi të drejtën e organizimit dhe të negociatave kolektive(1949), siedhe mori parasysh: problemet e veçanta që shtron kufizimi i fushës së zbatimit të një instrumenti ndërkombëtar dhe përcaktimi i kategorive të ndryshme në këtë instrument, për shkak te ndryshimeve që ekzistojnë në mjaft vende midis punës në sektorin publik dhe në atë privat, si edhe vështirësitë e interpretimit që kanë dalë lidhur me zbatimin, për funksionarët publikë, të dispozitave përkatëse të Konventës mbi të drejtën e organizimit dhe të negociatave kolektive (1949) dhe vërejtjet nëpërmjet të cilave organet e kontrollit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës kanë vënë shumë herë në dukje se mjaft qeveri kanë zbatuar këto dispozita duke lënë jashtë fushës së zbatimit të kësaj Konvente grupe të gjera të punësuarish publikë.

Sipas nenit 5 të Kartës Sociale Evropiane (e rishikuar) parashikohet, se : « Palët angazhohen që legjislacioni kombëtar nuk do të jetë i tillë që të pengojë dhe, as do të zbatohet që të pengojë këtë liri. Masa në të cilën këto garanci të dhëna do të zbatohen për policinë do të përcaktohen me ligje ose rregullore kombëtare. Parimi që rregullon zbatimin e këtyre garancive për anëtarët e forcave të armatosura dhe masa në të cilën ato do të zbatohen për personat e kësaj kategorie do të rregullohet gjithashtu me ligje ose rregullore kombëtare.

Parimi nr. 8 i Rekomandimit nr. R (2000) 6 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi statusin e funksionarëve publikë në Evropë lexon si më poshtë: Zyrtarët publikë duhet, në parim, të gëzojnë të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët. Megjithatë, ushtrimi i këtyre të drejtave mund të rregullohet me ligj ose me marrëveshje kolektive, në mënyrë që të jene në përputhje me detyrat e tyre publike. Të drejtat e tyre, veçanërisht të drejtat politike dhe sindikaliste, mund të kufizohen vetëm me ligj për aq sa është e nevojshme për ushtrimin e duhur të funksioneve të tyre publike.”

GJEDNJ i ka rivlerësuar qëndrimet e saj më të hershme lidhur me të drejtën e të punësuarve për të negociuar kolektivisht, duke argumentuar se rivlerësimi është i domosdoshëm për të bërë të mundur që të merret parasysh evolucioni i dukshëm në çështje të tilla, si në të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe në sistemet e brendshme ligjore. Sipas kësaj Gjykate, ndërsa është në interes të sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe barazisë para ligjit, që ajo, pa arsye të rëndësishme, të mos veprojë ndryshe nga precedentët e vendosur në çështjet e mëparshme, një dështim nga ana e saj për të mbajtur një qëndrim dinamik dhe zhvillues do të rrezikonte t’a bënte atë një pengesë për reformë dhe përmirësim (shih Vilho Eskelinen dhe të Tjerë, cituar më lart, § 56).

GJEDNJ e ka përforcuar dhe qartësuar më tej qëndrimin e saj lidhur me nevojën e rivlerësimit të jurisprudences së vet në çështjen Demir dhe Baykara kundër Turqisë § 84 – 85)ku është shprehur se, në përcaktimin e kuptimit të termave dhe të nocioneve në tekstin e Konventës, ajo mund dhe duhet të marrë në konsideratë elemente të së drejtës ndërkombëtare, përveç Konventës, interpretimin e këtyre elementeve nga organet kompetente dhe praktikën e shteteve evropiane që reflekton vlerat e përbashkëta të tyre. Konsensusi i dalë nga instrumentet ndërkombëtare të specializuara dhe nga praktika e Shteteve Kontraktuese mund të përbëjë një element të vlefshëm për Gjykatën, kur interpreton dispozitat e Konventës në raste të veçanta.

Për sa më sipër, sipas GJEDNJ nuk është e nevojshme që Shteti i paditur të ketë ratifikuar tërësinë e instrumenteve të zbatueshme në lidhje me subjektin e çështjes në fjalë. Për Gjykatën është i mjaftueshëm fakti që instrumentet përkatëse ndërkombëtare të tregojnë një evolucion të vazhdueshëm të normave dhe parimeve të zbatueshme në të drejtën ndërkombëtare apo në legjislacionin e brendshëm të shumicës së Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës dhe të tregojnë, për një fushë të caktuar, që ka një baze përgjithësisht të pranueshme në shoqëritë moderne (shih, mutatis mutandis, Marckx, cituar më lart, § 41).

Në këtë kontekst, GJEDNJ ka vlerësuar se duke pasur parasysh zhvillimet në të drejtën e punës, kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe praktikën e Shteteve Kontraktuese në çështje të tilla, e drejta për të negociuar kolektivisht me punëdhënësin, në parim, është bërë një element thelbësor i të "drejtës për të themeluar sindikata dhe për të marrë pjese në to për mbrojtjen e interesave të tyre" të përcaktuara në nenin 11 të Konventës, që nënkupton se Shtetet mbeten të lira të organizojnë sistemin e tyre në mënyrë që, nëse është e përshtatshme, t’i japin status të veçantë përfaqësuese të sindikatave. Ashtu si punonjësit e tjerë, nëpunësit civilë, me përjashtim të rasteve shumë të veçanta, duhet të gëzojnë të drejta të tilla, me përjashtim të "kufizimeve të ligjshme" që mund vendosen mbi "pjesëtaret e administratës shtetërore" brenda kuptimit të nenit 11 § 2.

Lidhur me ushtrimin e së drejtës së grevës (Enerji Yapi-Yol Sen k Turqisë § 32), GJEDNJ ka pranuar se kjo e drejtë nuk ka karakter absolut. Ajo mund t’u nënshtrohet disa kushteve, ose të jetë objekt i kufizimeve. Sipas kësaj Gjykate, parimi i lirisë sindikale gjithashtu mund të lejojë edhe përjashtimin nga e drejta për grevë të punonjësve, të cilët ushtrojnë kompetenca në emër të shtetit. Megjithatë, edhe pse përjashtimi nga e drejta e grevës mund të përfshijë disa kategori të punonjësve të shtetit, ky përjashtim nuk lejohet të shtrihet te të punësuarit publikë të shoqërive tregtare apo industriale shtetërore.

Së fundmi, vlen të sillet në vëmendje se praktika e GJEDNJ është e ndryshme prej asaj të Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GJED). Sikurse u diskutua më lart GJEDNJ kërkon që proporcionaliteti i praktikave që kufizojnë të drejtën për grevë të jenë i justifikuar dhe vlerësuar në dritën e objektivave legjitime që ndjekin ato praktika. GJED nga ana tjetër e trajton të drejtën për grevë si një kufizim për lëvizjen e lirë të bizneseve dhe kërkon që proporcionaliteti i të tillave kufizime të vlerësohet rast pas rasti. Sipas legjislacionit të BE, greva është e paligjshme nëse nuk justifikohet që ajo ishte rreptësisht e nevojshme në dritën e objektivit të mbrojtjes së punëtorëve.[18] Aderimi i BE në KEDNJ sigurisht ka ndikim në rishikimin e qasjes së praktikës së BE dhe përditësimin e saj në përputhje me KEDNJ. Sidoqoftë, praktika e ndjekur deri më tani nga GJEDNJ është fleksibël dhe në rastet vijuese pritet që GJEDNJ të reflektojë rreth gjetjes së një zgjidhjeje të re, e cila do të balancojë në mënyrë gjithëpërfshirëse interesat që konkurojnë në rastet e kufizimit të së drejtës për grevë.

 

E drejta e kontrollorëve të trafikut ajror për grevë,

pjesë e qenësishme e lirive sindikale

 

Në vështrim të kufijve të lejueshëm sipas nenit 17.2 të Kushtetutës, interpretimi që GJEDNJ i bën të drejtës së të punësuarve për t’u organizuar në sindikatë sipas nenit 11.1 të KEDNJ duhet të respektohet sa herë interpretohen liritë sindikale (sipas Kushtetutës sonë, të neneve 46, 49.2, 50 dhe 51). Në këtë kuptim, rëndësi të veçantë merr qasja e GJEDNJ, se sindikata duhet të jetë e lirë në një mënyrë apo në një tjetër për të kërkuar të bindë punëdhënësit për të dëgjuar se çfarë ajo ka për të thënë në emër të anëtarëve të saj (Wilson, Bashkimi Kombëtar i Gazetarëve dhe të Tjerë, § 44). Sipas kësaj Gjykate (shih Enerji Yapi-Yol Sen k Turqisë § 24) “greva si njëra prej mënyrave,[19] e cila ia bën çdo sindikate të mundur që të dëgjohet, përbën një aspekt të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve”.

Pra, në rastin konkret, përjashtimi i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror nga e drejta për grevë, sipas nenit 197/5, pika (ç) të Kodit të Punës ka kuptim të analizohet, duke e trajtuar të drejtën kushtetuese për grevë si një të drejtë të qenësishme të lirive te tyre për t’u organizuar në sindikatë dhe për të negociuar efektivisht me punëdhënësin.

Sipas nenit 51/2 të Kushtetutës parashikohet se e drejta për grevë mund të kufizohet për kategori të veçanta të punësuarish, me ligj, për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme. Përjashtimi i kategorive të caktuara të të punësuarve nga e drejta e grevës paraqet kuptueshëm formën më ekstreme të kufizimit të kësaj të drejte. Në këtë kuptim, qoftë evidentimi me precizion i kategorive të të punësuarve që u nënshtrohen një kufizimi të tillë ekstrem, qoftë domosodoshmëria për të imponuar një kufizim të tillë në një shoqëri demokratike, për kushtetueshmërinë e një veprimi të tillë janë përcaktuese.

Kushtetuta jonë nuk përshkruan karakteristika specifike të të punësuarve, të cilëve u kufizohet e drejta për grevë. Këto karakteristika, megjithatë janë sanksionuar në marrëveshjet ndërkombëtare të diskutuara më sipër dhe janë të detyrueshme për ligjvënësin dhe institucionet tona.

Duke analizuar kufizimet e lejuara sipas nenit 11.2 të KEDNJ në dritën e së drejtës ndërkombëtare, GJEDNJ ka konstatuar, se: “është e vërtetë që paragrafi 2 në fund të kësaj dispozite tregon qartë, se shteti është i detyruar të respektojë lirinë e organizimit të punonjësve të tij, por ushtrimi i këtyre të drejtave të mbrojtura në këtë nen mund të kufizohet me ligj për pjesëtarët e forcave të saj të armatosura, të policisë ose administrates shtetërore (shih: Sindikata e Shoferëve Suedezë kundër Suedisë, § 37, Seria A nr. 20).

Në lidhje me këtë, GJEDNJ ka vlerësuar se kufizimet e vendosura për tri grupet e përmendura në nenin 11 duhen interpretuar në mënyrë të ngushtë dhe për këtë arsye duhen kufizuar vetëm në ushtrimin e “të drejtave” në fjalë. Këto kufizime nuk duhet të dëmtojnë thelbin e së drejtës për t’u organizuar, dhe nëpunësit civilë lokalë që nuk janë të angazhuar në administrimin e Shtetit si i tillë, nuk lejohet, në parim, të trajtohen si "pjesëtare të administratës shtetërore" dhe, rrjedhimisht, nuk mund t’i nënshtrohen mbi këtë bazë një kufizimi të të drejtës së tyre për t’u organizuar dhe negociuar kolektivisht (shih, mutatis mutandis, Tum Haber Sen dhe Cinar, §§ 35-40 dhe 50).

Në rastin konkret, shoqëria “Albcontrol” sha është ndërmarrje me kapital shtetëror 100%. Organizimi dhe funksionimi i saj rregullohen sipas Ligjit nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” (i ndryshuar) si dhe nga Statuti i Shoqërisë “Albcontrol” sha. Punonjësit e kontrollit të trafikut ajror nuk klasifikohen sipas rregullimeve në fjalë punonjës së administratës shtetërore. Ata nuk klasifikohen si të tillë, as në vështrim të kategorive të punonjësve të administrates shtetërore, të cilët shprehimisht lejohen të përjashtohen nga e drejta për grevë (Enerji Yapi-Yol Sen k Turqisë § 32) në kuptim të nenit 11.2 të KEDNJ-së. Të drejtat themelore të punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, krejt ndryshe prej punonjësve të administratës shtetërore janë të debatueshme në planin e përgjegjësive sociale të bizneseve, ku përmirësimi i dialogut social ka rol qendror.

Në frymën e kufizimeve të lejuara sipas marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse, në veçanti në frymën  e nenit 11.2 të KEDNJ dhe nenit 28 të Kartës së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, në asnjë prej vendeve të BE punëtorët e kontrollit të trafikut ajror nuk përjashtohen nga e drejta për grevë.[20] E drejta e tyre për grevë është e kufizuar sipas legjislacioneve kombëtare të venedeve anëtare dhe po punohet që të përafrohen standardet e kufizimeve të kësaj të drejte për të adresuar, ndër të tjera, në mënyrë më efektive problemet që krijohen për shkak të grevave të kësaj kategorie punëtorësh.[21] Ky plan masash sjell me qëllim edhe zbatimin më efektiv të Aneksit nr 11 të Konventës së Çikagos “Për Shërbimet e trafikut ajror”, ku Ofruesit e Shërbimeve të Navigacionit Ajror detyrohen të kenë gati planin e emergjencës në rast ndërprerje të Menaxhimit të Trafikut Ajror (ATM). Gjithashtu, prej korrespondencës midis Sindikatës së punonjësve të kontrollit të trafikut ajror dhe sindikatave homologe të vendeve të tjera del, se edhe në vendet jo anëtare të BE punëtorët e kontrollit të trafikut ajror nuk përjashtohen nga e drejta për grevë.[22]

Pra, në ndryshim prej sa ndodh në vendin tonë, në vendet anëtare të BE dhe KE politikat ligjore janë orientuar të standardizojnë përmbajtjen dhe procedurat e dialogut social për shmangien e grevave, të ofrimit të shërbimeve minimale në rast greve dhe të garantimit të planit të emergjencës në rast ndërprerje të Menaxhimit të Trafikut Ajror. Iniciativa për marrjen e masave në fjalë është bërë e domosdoshme, sepse e drejta e grevës nuk u mohohet punëtorëve të kontrollit të trafikut ajror në ato vende.

I gjithë argumentimi i mësipërm çon në konkluzionin se, kategoria e punonjësve të kontrollit të trafikut ajror si punëtorë të një ndërmarrje shtetërore nuk përfshihet ndër kategoritë e punëtorëve të administrates shtetërore, që lejohen të përjashtohen nga e drejta për grevë. Në këtë kuptim, neni 197/5 pika (ç) i Kodit të Punës përfaqëson një kufizim jo proporcional të të drejtave të tyre sipas nenit 46, nenit 49.2, nenit 50 dhe nenit 51 të Kushtetutës.Përjashtimi i sanksionuar në nenin 197/5, pika (ç) të Kodit të Punës për kategorinë e tyre është gjithashtu i papajtueshëm me nenin 11.2 të KEDNJ, interpretimi i të cilit është bërë nga GJEDNJ duke iu përmbajtur gjërësisht normave të së drejtës ndërkombëtare me karakter evolutiv, të ratifikuara edhe nga vendi ynë. Në kuptim të nenit 17.2 të Kushtetutës,interpretimi i nenit 11.2 të KEDNJ nga GJEDNJ përfaqëson edhe kufirin maksimal të lejueshëm të kufizimit të të drejtave kushtetuese të thirrura në ndihmë në rastin konkret.

Nisur prej sa më sipër, pajtueshmëria e nenit 197/5, pika (ç) të Kodit të Punës për kategorinë e punonjësve të kontrollit të trafikut ajror me nenin 46, nenin 49.2, nenin 50 dhe nenit 51 të Kushtetutës, si edhe me normat përkatëse të marrëveshjeve ndërkombëtare ku vendi ynë është Palë,koha ka ardhur të rishikohet dhe përditësohet nga ligjvënësi ynë.

Në këtë pikë vërehet që aspekti i domosdoshmërisë së kufzimit të të drejtave themelore sipas nenit 11.2 të KEDNJ dhe parashikimeve relevante të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme, është adresuar nga GJEDNJ në mënyrë të detajuar. Testi i domosdoshmërisë së ndërhyrjeve sipas nenit 11.2 të KEDN i zbatuar nga GJEDNJ, në rastin konkret është ai përkatës për trajtimin e problemit të punonjësve të kontrollit të trafikut ajror. Konkretisht, lidhur me nevojën e një ndërhyrje të tillë në një shoqëri demokratike(si çështje me rëndësi jetike), Gjykata rithekson se kufizime të ligjshme mund të vendosen në lidhje me të drejtat e sindikatës për pjesëtarët e forcave të armatosura, të policisë, ose të administratës shtetërore. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se përjashtimet e përcaktuara në nenin 11 duhet të interpretohen në mënyrë rigoroze; vetëm për arsye madhore dhe bindëse mund të justifikojnë kufizimet mbi lirinë e organizimit. Në përcaktimin e të tilla çështjeve, nëse "nevoja" - dhe për këtë arsye një "nevojë e ngutshme sociale" - brenda kuptimit të nenit 11 § 2 ekziston, Shtetet kanë një hapësirë të kufizuar vlerësimi, që shkon dorë për dore me mbikqyrjen rigoroze evropiane të legjislacionit dhe vendimeve që e zbatojnë atë, përfshirë edhe të atyre të dhëna nga gjykatat e pavarura (shih, për shembull, Sidiropoulos dhe të Tjerët kundër Greqisë, 10 korrik 1998, § 40, Raportet 1998-IV).

Gjithashu, GJEDNJ i shqyrton kufizimet në dritën e çështjes si një e tërë, dhe përcakton nëse kufizimi është "në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur", si edhe nëse arsyet e paraqitura nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë "të rëndësishme dhe të mjaftueshme". Në këtë mënyrë, Gjykata vlerëson nëse autoritetet kombëtare kanë zbatuar standarde, që janë në përputhje me parimet e mishëruara në dispozitën përkatëse të Konventës dhe, për më tepër, nëse vendimet e tyre bazohen nënjë vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse (shih, për shembull, Yazar dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 22723/93, nr.22724/93 dhe nr.22725/93, § 51, ECHR 2002-II).

Parë në dritën e parimeve të mësipërme vërehet se, në Relacionin që shoqëron Ligjin nr. 9125, dt 29.7.2003 “Për disa ndryshime në Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” nuk është dhënë asnjë shpjegim konkret, se për shkak të cilave rrethana konkrete përjashtimi i kontrollorëve të trafikut ajror nga e drejta për grevë justifikohet “për nevoja të ngutshme sociale”. Një referim i përgjithshëm në të drejtën ndërkombëtare nuk mjjafton për dhënien e një mase radikale, siç është përjashtimi i kërkuesve nga e drejta për grevë.

Aq më pak mungojnë të tilla arsye nëse mbahet parasysh që punëdhënësi, Shoqëria Albcontrol sha është që prej vitit 2003 anëtare e Eurocontrol. Në vitin 2009 ajo u anëtarësua në CANSO Global (Civil Air Navigation Services Organization) dhe, që prej janarit të vitit 2016 është anëtare me të drejta të plota e CANSO Europe Region.

Pa dashur të zgjatemi në një argument, i cili është tejet evident prej praktikave të aplikuara gjërësisht nga Eurocontrol dhe CANSO, ATCEUC, Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Evropës është partnere sociale e CANSO Europe Region. Sikurse detajohet në Dokumentin e Komisionit Evropjan të date 8.6.2017,[23] CANSO Europe Region ka një rol qendror në zhvillimin e mekanizmave të dialogut social të vendeve anëtare. Këtë fakt e dëshmojnë më së miri edhe rekomandimet më të fundit të Komisionit Evropian për Efiçencën e Shfrytëzimit të Hapësirës Ajrore dt 8.6.2017,[24] ku dialogu mes partnerëve socialë merr një rol qendror.

Pra, edhe në vështrim të detyrimeve ndërkombëtare të vetë Albcontrol sha, përjashtimi i kontrollorëve të trafikut ajror nga e drejta për grevë nuk gjen mbështetje reale që e justifikon një nevojë të tillë. Përkundrazi, ky lloj kufizimi është i tejkaluar në kohë, pasi Shoqëria nuk i kapartnerë socialë konkretë punonjësit e kontrollit të trafikut ajror, në përputhje me kriteret dhe kushtet e marrëveshjeve respektive të ratifikuara për anëtarësimin e saj në Eurocontrol dhe CANSO Global dhe Regional. Barazia mbi të cilën bazohet aktualisht partneriteti i Shoqërisë me punonjësit e saj vijon të mbetet iluzive sa kohë e drejta për grevë, e cila është një e drejtë e qenësishme e lirisë sindikale për t’u organizuar dhe negociuar efektivisht, Sindikatës së punonjësve të kontrollit të trafikut ajror i është mohuar.

Argumenteve të mësiprme u shtohet edhe fakti, se me ndryshimet e bëra në Kodin e Punës gjatë vitit 2015 u shfuqizuan pikat (b) dhe (c) të nenit 197/5 të Kodit të Punës. Megjithatë, as në Relacionin që shoqëron ndryshimet e propozuara,[25] as në Tabelat e Përputhshmërisë[26] të administruara nga Kuvendi, as në Raportin e Komisionit Paralamnetar të Ligjeve[27], as në Raportin e Komisionit Parlamentar të Integrimit,[28] as në Raportin e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetin[29] nuk shpjegohet qoftë edhe me një fjali të vetme qëllimi i atyre shfuqizimeve.Sigurisht nuk është as fokusi, as qëllimi i kësaj trajtesediskutimi rreth ngushtimit të kategorive të përjashtuara nga e drejta për grevë, por vlen ky fakt për të theksuar se në rastin e punonjësve të kontrollit të trafikut ajror ekzistojnë të gjitha arsyet, që edhe atyre, ashtu si kategorive që fituan të drejtën për grevë, t’u përditësohet ky status në përputhje me zhvillimet bashkëkohore të së drejtës.

 

Reflektim mbi qasjen e Gjykatës Kushtetuese

në Vendimin 235, dt 2.11.2017

 

Argumentat e sjella në këtë trajtesë nxisin nevojën për të rishikuar dhe përditësuar statusin e kontrollorëve të trafikut ajror në vendin tonë. Rishikimi i kufizimit të së drejtës për grevë të kësaj kategorie punonjësishështënë këtë kuadër e një rëndësie parësore, sepse sikurse u argumentua më sipër, greva që ia bën çdo sindikate të mundur të dëgjohet përbën një aspekt të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve.

Më lart pamë që ankuesit argumentuan në Gjykatën Kushtetuese se mohimi i të drejtës së grevës i zhvlerësoi në “përgjërime kolektive” përpjekjet vetjake dhe të Sindikatës së tyre për negociata kolektive, ç’ka nuk është aspak në lartësinë e shërbimeve që ata ofrojnë për llogari të punëdhënësit, as në përputhje me dinjitetin e tyre si punëmarrës.[30]

Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj Nr. 235 dt 2.11.2017i rrëzoi në tërësi pretendimet e ankuesve, duke argumentuar se ankuesit ishin në dijeni të nenit 197/5, shkornja (ç) të Kodit të Punës edhe në kohën kur ata nënshkruan kontratën kolektive të punës së vitit 2007 dhe atë të vitit 2014,si edhe kur ata hartuan statutin e Sindikatës ku bëjnë pjesë dhe ku parashikohet, se veprimtaria e saj bazohet edhe në rregullat e parashikuara nga Kodi i Punës. Në këto kushte, në parim afati për kundërshtimin e Kodit të Punës nuk fillon në momentin kur kërkuesve u janë refuzuar kërkesat në tërësi nga punëdhënësi, por nga momenti që ata konstatojnë se greva nuk është e lejueshme.[31]

Gjykata Kushtetuese megjithatë nuk arsyetoi në vendimin e saj se për ç’arsye e drejta e ankimit individual nuk gjente zbatim në rastin e pretendimeve të ngritura jo nga Sindikata, por individualisht nga vetë kontrollorët e trafikut ajror.

Në ndryshim nga praktika e GJEDNJ në çështjen Norris k. Irlandës,Gjykata Kushtetuese vërejti se ankuesit duhet të kishin shteruar para ankimit kushtetues mjetet e tjera jurdike që kishin në dispozicion si: ndërmjetësimin, arbitrazhin dhe të drejtën e ankimit në gjykatat e zakonshme.[32]

Në të njëjtin Vendim, Gjykata Kushtetuese vërejti se, kërkuesit nuk arritën të sillnin argumente të mjaftueshme, sipas të cilave, cënimi i së drejtës së tyre themelore rridhte direkt nga neni 197/5, shkronja “ç” i Kodit të Punës. Sipas saj,“mosrealizimi i të drejtave të kërkuesve, si punëmarrës nuk vjen drejtpërdrejt nga Kodi i Punës, pasi qëllimi në vetvete i organizimit në një sindikatë nuk është patjetër zhvillimi i grevës, por mbrojtja e të drejtave të punëmarrësve, anëtarë të sindikatës, gjë e cila bëhet nëpërmjet shumë mjeteve dhe mënyrave”.[33]

 Por, megjithatë, nuk u dha arsye se në ç’rrethana mjetet dhe mënyrat e tjera në dispozicion të ankuesve ishin të mjaftueshme për t’ua bërë të mundur atyre të dëgjoheshin nga punëdhënësi. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese nuk dha shpjegime se për ç’arsye ankuesit kategorizoheshin si “të angazhuar në administrimin e shtetit”,të cilëve u ndalohet e drejta për grevë si “një nevojë jetike për shoqërinë”. Mungesa e arsyeve në fjalë e bën të dyshimtë qasjen sa i takon kushtetutshmërisë së kufizimit të imponuar nëpërmjet nenit 197/5 pika “ç” të Kodit të Punës në liritë sindikale të kontrollorëve të trafikut ajror.

Më tej, Gjykata Kushtetuese vërejti në Vendimin Nr. 235 dt 2.11.2017, se:“në mënyrë që cenimi të jetë real duhet që kërkuesit të provojnë se u ka ardhur sakaq pasoja negative dhe kjo pasojë nuk është hipotetike”. Në opinionin e Gjykatës kërkuesit nuk arritën të provonin, se atyre u kishin ardhur pasoja negative konkrete nga ndalimi i grevës, kufizim i cili kishte ekzistuar që para fillimit të marrëdhënieve të tyre të punës.[34]

Në fakt, ankuesit deklaruan se Sindikata e tyre nënshkroi në Janar 2014 Kontratën Kolektive të Punës, sipas të cilës të drejtat e tyre kufizoheshibn ndjeshëm.[35]Ata u ankuan se disa parashikime të Kontratës Kolektive të Punës të vitit 2014 nuk u zbatuan nga punëdhënësi, duke u shkaktuar atyre humbje.[36]Më tej, ata rradhitën shkaqet përse Sindikata e tyre nuk i pranoi kushtet e Kontratës Kolektive të Punës që iu propozua atyre në vitin 2017.[37]

Në respekt të thelbit të mosmarrëveshjeve punëmarrës-punëdhënës të sjella nga ankuesit në ankimin e tyre kushtetues, të cilat u konsideruan të pamjaftueshme (hipotetike) për t’u klasifikuar si “reale” dhe “negative” nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit nuk arsyetoise çfarë karakteristikash të tjera duhet të kishin pasur pasojat negative në rastin e kërkuesve,për të thënë se ato “kishin ardhur sakaq”, ose ishin “reale”.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimin e ankuesve, se:“sipas nenit 197/9 të Kodit të Punës në rastet e grevave të paligjshme punëdhënësit i lind e drejta të ndërpresë marrëdhëniet e punës me punonjësit si dhe të kërkojë dëmshpërblim[38]sëbashku me referencat plotësuese në kontratën individuale të punës të sjella për qëllime të legjitimimit të tyre ratione personae.

Gjykata Kushtetuese argumentoi në lidhje me këtë çështje,se: “për kërkuesit është e nevojshme, që të ketë një akt individual negativ (ose ndalues), që i ndalon shprehimisht ata të bëjnë grevë ose i penalizon ata për shkak se kanë ushtruar të drejtën e grevës. Në këto kushte, kërkuesit duhet të godasingjyqësisht aktin individual që i ndalon ata të bëjnë grevë, së bashku me dispozitën e Kodit të Punës që parashikon ndalimin e të drejtës së grevës. Vetëm pasi të jenë plotësuar këto kritere, kërkuesit mund t’i drejtohen kësaj Gjykate nëpërmjet ankimit kushtetues individual për shfuqizimin e një akti normativ, referuar nenit 131/1 shkronja “f” të Kushtetutës dhe neneve 49/3 shkronja “e” dhe 71/a të ligjit nr.8577/2000”.[39]

Pavarësisht konkluzionit të mësipërm, Gjykata Kushtetuese nuk shpjegoi se ç’karakterisika duhet të kishte akti individual (negativ) që u ndalonte atyre shprehimisht të drejtën për grevë (nëse ky akt nuk ishte kontrata individuale e punës) dhe në cilën gjykatë duhet të ankoheshin ata në rastin konkret kundër aktit në fjalë në bashkim me nenet përkatëse të Kodit të Punës.

 

Konkluzione

 

            Argumentet e diskutuara në këtë trajtesë janë të mjaftueshme për të konkluduar se diskursi legal mbi liritë sindikale të kontrollorëve të trafikut ajror në tërësi dhe të drejtën e tyre për grevë në veçanti është i domosdoshëm për të garantuar në mënyrë të qëndrueshme sigurinë e trafikut ajror në Shqipëri dhe më gjerë.  

E drejta ndërkombëtare dhe rastet e trajtuara në veçanti në këtë trajtesë tregojnë se pavarësisht vështirësive dhe kostove të shkaktuara prej grevave të kontrollorëve të trafikut ajror, mosmarrëveshjeve midis shoqërive të fluturimeve dhe kontrollorëve të trafikut ajror, konfliktit të interesave të lëvizjes së lirë të qytetarëve nga njëra anë dhe të drejtës së kontrollorëve për grevë nga ana tjetër, asnjëherë zgjidhja e pasojave negative të grevave nuk është parë te privimi i kontrollorëve nga e drejta për grevë, si pjesë e qenësishme e lirive të tyre sindikale. Përkundrazi, sikurse u argumentua më sipër, zgjidhja është parë në përmirësimin e dialogut social midis kompanive të shrëbimit të trafikut ajtor dhe kontrollorëve të punësuar prej tyre, duke ‘i’u njohur këtyre të fundit statusi i partnerit social.

Në këtë kuptim, qasja e Gjykatës Kushtetuese në Vendimin Nr. 235 dt 2.11.2017 nuk mendohet se përfaqëson në vetvete zgjidhjen më ideale të mosmarrëveshjeve të mbatruara midis kontrollorëve dhe Shoqërisë “Albcontrol” sha. Përkundrazi, kjo qasje, e cila në pamje të parë duket se e le të mbyllur edhe për disa kohë çështjen e grevave të kontrollorëve të trafikut ajror në Shqipëri, ndikon në thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve ndërmjet aktorëve të shërbimit të navigacionit ajror, duke e bërë më vulnerabël se kurrë  sigurinë e fluturimeve që pritet të influencohet fort, ose prej rebelimit të kontrollorëve të trafikut ajror për shkak të krizës.[40] ose prej ndërprerjes masive të marrëdhënies së punës me ta.[41]

Rishikimi sa më parë i lirive sindikale të kontrollorëve të trafikut ajror nga ligjvënësi ynë dhe ndërtimi i mekanizmave për zgjidhjen efektive të mosmarrëveshjeve disa vjeçare punëmarrës-punëdhënës sipas një qasje bashkëkohore (së paku në rastin konkret) është e vetjma zgjidhje për të garantuar në mënyrë të qëndrueshme sigurinë e trafikut ajror.

 

 

-----------------------------------------------------------

 

Literatura:

 

            Akte normative                       

            - Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

- Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut

      - Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë                 

      - Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Kontratë Kolektive e Punës, 2017

      - Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror,Kontratë Kolektive e Punës, 2014

- Kontrollorët e Trafikut Ajror, Kontratë Individuale e Punës, 2014

- Statuti i Shoqërisë “Albcontrol” sh.a

- Statuti i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror

- Dokument Anëtarësie i SPKTA në ATCEUC

- Joint Declaration of the ATM Social Partners ATCEUC – CANSO – ETF, 9 Shtator 2016

- Korrespondencë Elektronike eSindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajrorme Sindikatat

Homologe

- Procesverbale të Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror për mosmarrëveshjet

punëmarrës-punëdhënës

- Kuvendi i Shqipërisë, Relacioni që shoqëron ndryshimet e propozuara në Kodin e Punës

- Kuvendi i Shqipërisë, Tabelë e Përputhshmërisë së ndryshimeve të propozuara në Kodin

e Punës

- Kuvendi i Shqipërisë, Raport i Komisionit Paralamentar të Ligjeve

- Kuvendi i Shqipërisë, Raport i Komisionit Parlamentar të Integrimit

- Kuvendi i Shqipërisë, Raport i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetin

- ILO, Principles concerning the Right to Strike

- European Commission, Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air

Traffic Management Services’ Community, (COM 2017 286 final), datë.6.06.2017

-Euroepan Commission, Communication from the Commission to the European

Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee

of the Regions’ Aviation: “Open and Connected Europe”, {swd (2017) 207

- ILO, Occupational Stress and Stress Prevention in Air Traffic Control

 

 

 

 

 

 

 



[1] Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, fq. 7

[2] Po aty, fq. 16-17; mbarimi i veprimit të Kontratës Kolektive të Punës së Janarit 2014 mdodhi në Janar 2017

[3] Po aty, Në ankimin kushtetues ankuesit dokumentuan se Sindikata e Pavarur e Teknikëve të Konstrollit Ajror përfaqëson më pak se 1/3-n e punonjësve të “Albcontrol” sh.a, ndërsa Sindikata e tyre përfaqëson më shumë se 2/3t e punëtorëve të Shoqërisë

[4]Po aty. Shih gjithashtu politikat për dimensionin social të EUCONTROL-IT DHE CANSO-s. Shih gjithashtu, European Commission, Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air Traffic Management Services Community (COM 2017 286 final). 6.6.2017, fq. 20-24

[5] Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, fq. 16-17.

[6] Po aty, fq. 9

[7] Po aty, fq 7-9

[8] Kontrata Individueale e Punës e punonjësve të kontrollit të trafikut ajror

[9] Po aty, fq. 7-9

[10] European Commission, Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air Traffic Management Services Community (COM 2017 286 final). 6.6.2017, fq. 6-12

[11] Po aty

[12] Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, fq. 7-9.Shih gjithashtu European Commission, Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air Traffic Management Services Community (COM 2017 286 final), 6.6.2017, fq. 6-12

[13] Po aty

[14] Vendim dt 26.10.1988

[15] Shih gjithashtu Vendimin Johnston Etj të 18 Dhjetorit 1986, Seritë A nr. 112, fq. 21, §. 42, dhe Vendimin Marckx, Seritë A nr. 31, fq. 13, §. 27). Ky qëndrim është ripërsëritur nga GJEDNJ për analogji në Vendimin e saj për çështjen Enerji Yapi-Yol Sen k Turqisë §  22 dhe 23)

[16] Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, fq. 7-9

[17] International Labor Office, Geneva, “Occupation stress and stress prevention in air traffic control”. Shih gjithashtu politikat për dimensionin social të EUCONTROL-IT DHE CANSO-s si dhe European Commission, Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air Traffic Management Services Community (COM 2017 286 final). 6.6.2017, fq 20-24.

 

[18]Right to Strike in the European Union after Accession to the European Convention on Human Rights: Identifying Conflict and Achieving Coherence Vilija Velyvyte* DPhil in Law Candidate, University of Oxford

[19] Sipas GJEDNJ, kjo listë nuk është e mbyllur. Përkundrazi, ajo është subjekt i evolucionit në varësi të zhvillimeve të veçanta në marrëdhëniet e punës. Në lidhje me këtë është vendi për të kujtuar se Konventa është një instrument i gjallë, e cila duhet të interpretohet në dritën e kushteve aktuale, dhe në përputhje me zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare, në mënyrë që të pasqyrojë standardin e lartë gjithnjë në rritjeqë kërkohet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, dhe kështu kërkon njëqëndrueshmëri më të madhe në vlerësimin e shkeljeve të vlerave themelore të shoqërive demokratike. Me fjalë të tjera, kufizimet e të drejtave duhet të interpretohen për t’i dhënë një mbrojtje praktike dhe efektive të drejtave të njeriut (shih, mutatis mutandis, Refah Partisi (Partia e Prosperitetit) dhe të Tjerë kundër Turqisë [GC], nr. 41340 / 98, nr. 41342/98, nr. 41343/98 dhe nr. 41344/98, § 100, ECHR 2003-II dhe Selmouni kundër Francës [GC], nr 25803/94, § 101, ECHR 1999-V)

 

[20] European Commission , Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air Traffic Management Services Community  (COM 2017 286 final). 6.6.2017

[21] Po aty

[22] Korreposndencat i janë bashkëlidhur ankimit kushtetues të punonjësve të kontrollit të trafikut ajror  

[23]European Commission, Commission Staff Working Document, Practices Favoaring Air Traffic Management Services’ Community, (COM 2017 286 final). Dt.6.06.2017, fq. 21 – 30

[24]Euroepan Commission, Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions’ Aviation: “Open and Connected Europe”, {swd (2017) 207 final, fq. 5.-7

[25] Kuvendi, Realicion lidhur me ndryshimet në Kodin e Punës të RSH

[26] Kuvendi, Tabelat e Përputhshmërisë lidhur me ndryshimet në Kodine Punës të RSH

[27] Kuvendi, Komisioni Ligjeve, Relacion lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Punës të RSH

[28] Kuvendi, Komisioni Parlamentar i Integrimit, Raport lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Punës të RSH.

[29] Kuvendi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Çështjet Sociale dhe Shëndetinë, Raport lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Punës të RSH

[30] Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, faqq 7

[31] Gjykata Kushtetuese, Vendim nr. 235 dt 2.11.2017, fq. 4

[32] Po aty, fq. 7

[33] Gjykata Kushtetuese, Vendim nr. 235 dt 2.11.2017, faqe 5

[34]Po aty, faqe 6

[35] Sipas nenit 3 të Kontratës Kolektive të Punës kërkuesit u vendosën në kohë prove, duke rrezikuar seriozisht të humbisnin në mënyrë arbitrare vendet e tyre të punës, edhe pse ishin të trajnuar dhe me mjaft eksperience. Sipas nenit 9.2, ndalimi i mbledhjes së informatave nuk ishte absolut dhe tejet i dyshimtë ndaj besueshmërisë së burimeve të informatave. Sipas nenit 22.3 detyrimi për të indeksuar inflacionin u kushtëzua me të ardhurat e ndërmarrjes. Sipas nenit 26 u hoq specifikimi i detyrimit të punëdhënësit për ushqim, i cili ishte përcaktuar në kontratat kolektive më të hershme në shumën 16.000 lekë. Kontrata Kolektive e Punës nuk përmbante parashikime specifike për transparencën dhe sigurimin e liçencës.

[36] Konkretisht ata pretenduan se nuk u qenë paguar për 3 vite rresht shpenzimet për ujë e kafe në vlerën 6.000 lekë/muaj (të cilat përfaqësojnë 1.2 % të të ardhurave të tyre vjetore); gjatë 5 viteve të fundit nuk u qe indeksuar inflacioni në pagesë, i cili sipas INSTAT ishte mesatarisht 1.5% në vit, duke u shkatuar atyre humbje mesatarisht në masën 7.5% të të ardhurave të tyre vjetore; nuk u qe paguar paga e 15-të, shpërblimi i verës, që përfaqësonte 6.6% të të ardhurave të tyre vjetore. Pra, prej moszbatimit të Kontratës Kolektive të Punës të vitit 2014 nga ana e punëdhënësit kërkuesve u qneë ulur të ardhurat vjetore në masën 15.8%. Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, fq 5.

[37] Ankuesit pretenduan se Kontrata Kolektive e Punës e propozuar në Janar të vitit 2017 i kufizon edhe më tej kushtet e trajtimit të kërkuesve. sepse midis të tjerash ajo kontratë nuk i shtrin efektet e veta deri në miratimin e kontratës së ardhshme kolektive të punës[37]; thellohet çështja e kohës së provës, sepse sipas nenit 8 të kontratës kërkuesit detyrohen te nënshkruajnë kontrata të reja individuale pune si dhe të vendosen në kohë prove edhe kur ndryshojnë (me, ose pa vullnetin e tyre) pozicionin, apo sektorin e punës; paga e dytë suplementare, sipas kontratës është kushtëzuar me të ardhurat e shoqërisë nga mbikalimet[37], ndonëse prej 8 vitesh dhënia e shpërblimit të dytë suplementar nuk kishte qenë e kushtëzuar[37]; përllogaritja e detyrimeve të punëdhënësit për pension sipas kontratës bëhet duke i’u referuar pagës bazë së kërkuesve dhe jo pagës së tyre faktike, e cila veç bazës përfshinte edhe shpërblimet e përhershme që lidheshin me turnet, vjetërsinë e tyre në punë dhe shkallën e vështirësisë. Për rrjedhojë, ndryshe prej sa parashikohej në kontratat kolektive të punës më të hershme, të ardhurat e kërkuesve dëmtohen deri në masën 40%. Ankim Kushtetues i punonjësve të kontrollit të trafikut ajror, fq 6

[38] Ankim Kushtetues i punonjësve të Kontrollit të Trafikut ajror, fq 7

[39] Vendim nr. 235 dt 2.11.2017, fq 6.

[40] Sikurse u argumentua në këtë trajtesë, kontrollorët e trafikut ajror tek ne nuk kanë negociuar me Shoqërinë shërbimet minimale që ofrohen në raste grevash, apo ndërprerjesh të punës që shkaktohen si pasojë e mosmarrëveshjeve punëmarrës-punëdhënës, pavarësisht se mosmarrëveshjet mes tyre janë disa vjeçare. Kjo është një mangësi që rrezikon ndjeshëm sigurinë e flutirimeve, pa folur për dëmet e tjera që mund të sjellë.    

[41] Ndërpreja më masive e marrëdhënieve të punës me kontrollorët e trafikut ajror ka ndodhur në vitin 1981, kur Presidenti i SHBA, Reagan pushoi nga puna 11,000 kontrollorë. SHBA-ve i’u deshën më shumë se dy dekada për të riparuar dëmet e vendimit të Presidentit Reagan. Sipas studimeve të bëra mbi këtë çështje ka rezultuar që kostoja e rikuperimit të shërbimit të trafikut ajror ishte shumëfish herë më e lartë nga sa do kishte rezultuar plotësimi i kërkesave të kontrollorëve. Në fakt aftësimi i kontrollorëve është tejet i kushtueshëm dhe i shtrirë në kohë. Në këtë kuptim edhe zëvendësimi i kontrollorëve është proces i kushtueshëm dhe i vështirë.