E   D R E J T Ë   T R E G T A R E 

 

Av. Prof. Asoc. Dr. Av. Arbër GJETA1

Lektor në Universitetin ‘A. Xhuvani’,

Anëtar i Dhomës së Avokatisë,

Elbasan

 

Hyrje

 

Shoqëria e thjeshtë është një kontratë tipike e parashikuar në Kodin Civil. Të gjithë kodet civile me fryme romaniste-kontinentale parashikojnë pak a shumë një formë të tillë kontraktuale, me synimin për të rregulluar kur dy apo më shumë palë kërkojnë të ushtrojnë aktivitet në emër të përbashkët me qëllim fitimin.

 

Në fushën e së drejtës, zhvillimet historike mesjetare sollën rregullimin e tregtisë bazuar në një legjislacion të veçantë, me baza zakonore kontraktuale, siç qe Lex Mercatoria[1]. Me anë të zhvillimit të lex mercatoria e drejta e biznesit shkëputet nga rregullimi sipas ius commune dhe merr një zhvillim të veçantë, duke ndjekur rregulla dhe parime të veta, që çonin drejt një autonomie studimore, ligjore dhe interpretuese. Megjithatë, në shumë vende të Evropës, e drejta tregtare, e lindur në mesjetë dhe e mbledhur në të ashtuquajtërën Lex Mercatoria, nuk i shpëton proçesit të kodifikimit të shekullit të XIX. Gjithsesi, kontrata e shoqërisë së thjeshtë rregullohet në të drejtën civile të përgjithshme[2] dhe nuk është pjesë e së drejtës tregtare[3] në legjislacionet moderne. Pra, në kuadër të zhvillimeve historike, kontrata e shoqërisë së thjeshtë mund të themi se ka ardhur deri tek ne si pjesë e zhvillimeve të së drejtës civile të përgjithshme. Në kuadër të së drejtës tregtare ajo mund të konsiderohet si një kategori residuale, një relike historike dhe një rregullim mbetës i ushtrimit të aktivitetit tregtar në emër të përbashkët.

Megjithatë, aktualisht, qoftë në formën e saj tipike apo në format atipike[4] të kontratave të joint ventures, kjo kontratë vazhdon të ketë përdorim dhe qarkullim civil duke u përdorur gjerësisht edhe nga operatorë ekonomikë të cilët ushtrojnë aktivitete ekonomike të rëndësishme.[5] Qëllimi kryesor i përdorimit është bashkimi dhe destinimi i forcave në mënyrë të përbashkët me qëllim arritjen e një objektivi ekonomik por pa i shkrirë aspektet menaxheriale apo financiare të pjesëtarëve të shoqërisë së thjeshtë në ndryshim nga shoqëritë tregtare, sidomos ato të kapitalit.[6]

 

Rregullimi ligjor i shoqërisë së thjeshtë sipas Kodit Civil

 

Në legjislacionin shqiptar shoqëria e thjeshtë rregullohet në Kodin Civil në nenet nga 1074 e vijues, në pjesën e V, tituli II, kreu XXII.

Shoqëria, sipas Kodit Civil, është “një kontratë me të cilën dy apo më shumë persona merren vesh për të ushtruar një aktivitet ekonomik, me qëllim që të ndajnë fitimet që rrjedhin prej tij. Personi anëtar i shoqërisë duhet të vërë në dispozicion të këtij aktiviteti para, sende apo shërbime”.[7] Pra, qëllimi i kësaj kontrate ë21`shtë që pjesëtarët të ndajnë fitimet e aktivitetit ekonomik të ushtruar prej tyre dhe kontributi i tyre për të qenë pjesëtarë mund të jetë i çfarëdollojshëm duke përfshirë edhe shërbimet.[8]

Kontrata e shoqërisë së thejshtë është një kontratë konsensuale, bashkëpunimi,[9] midis dy apo më shumë palëve, dhe forma nuk kërkohet për efekt vlefshmërie, përpos kur nuk kërkohet nga natyra e sendeve të destinuara si kontribut në shoqëri.[10] Përfshihet në nocionin juridik të kësaj kontrate edhe natyra e saj residuale, pra, sipas nenit 1075, par. 2, shoqëria është e thjeshtë sipas Kodit Civil, kur “nuk paraqet cilësitë dalluese të shoqërisë tregtare të rregulluara në Kodin Tregtar”. Megjithatë, kjo normë, e shkruar në frymën e proçesit të kodifikimit të viteve të para të ’90,[11] mbetet normë e pazbatuar në legjislacionin shqiptar pasi rregullimet e mëvonshme kanë sjellë një rregullim të ndryshëm të legjislacionit tregtar nëpërmjet ligjit 9901/2008.[12] Megjithatë, Kolegji Civil i Gjykatë së Lartë nuk ka ngurruar të cilësojë si kontratë shoqërie të thjeshtë një kontratë noteriale të lidhur mids dy palëve ndërgjyqëse në cilësimin juridik të përgjithshëm “kontratë bashkëpunimi” dhe njëkohësisht duke mos pranuar cilësimin e saj si kontratë huaje.[13]

Kodi Civil, në rregullimin e kontratës së shoqërisë së thjeshtë, rregullon së pari marrëdhëniet midis anëtarëve në nenet 1076 e vijues (1076-1087), marrëdhëniet midis anëtarëve e shoqërisë (1106-1112), marrëdhëniet me të tretët (1088-1093) dhe shpërndarjen e shoqërisë së thjeshtë (1094-1105).

Rregullimi ligjor që ofron Kodi Civil është i plotë dhe prek gjithë aspektet e jetës së një shoqërie siç është krijimi, administrimi, përgjegjësia, përfaqësimi dhe shuarja, ashtu siç rregullohen shoqëritë tregtare në ligjin 9901/2008 “Për tregtarin dhe shoqëritë tregtare”.[14]

 

Marrëdhëniet midis anëtarëve. Në lidhje me marrëdhëniet midis antarëve, normat e Kodit Civil janë thelbësisht dispozitive duke u parashikuar se prezumohet se pjesët e kontributit janë të barabarta, dhe se kontributi duhet të shkojë deri në arritjen e qëllimit të shoqërisë.[15] Gjithashtu, rregulli i kontratës së shoqërisë kërkon unanimitet për ndryshime në kontratë, duke lejuar mundësine e marrëveshjes së ndryshme midis antarëve.[16] Aspekte të veçanta të jetës së shoqërisë së krijuar rregullohen me norma referuese në tipologji tjera kontraktuale të Kodit si p.sh. shitja (për garancitë e kërkuara nga antari dhe kalimi i rrezikut për sendet e dhëna në pronësi), garancia, porosia (në rastin e rregullimit të marrëdhënies me administratorët dhe shkarkimit të tyre) apo përfaqësimi.

Momenti i dytë që vjen me rëndësi është administrimi i shoqërisë së thjeshtë. Neni 1080 K.C. përcakton se administrimi i takon secilit nga antarëve veçmas nga të tjerët, përpos kur nuk është parashikuar ndryshe në kontratë. Kur administrimi i takon veçmas antarëve atëherë secili nga antarët e tjerë administratorë kanë të drejtë të kundërshtojnë veprimin përpara se të kryhet. Në këtë rast mosmarrveshjet zgjidhen nga të gjithë antarët e shoqërisë së thjeshtë duke u shprehur me shumicë, e cila duhet të jetë shumicë e antarëve sipas pjesëve të tyre në fitim.

Për kundër, rregullohet në nenin 1081 K.C. administrimi i përbashkët nga disa anëtarë dhe se administratorët mund të kryejnë veprime më vete vetëm kur gjendet përpara “rasteve të ngutshme, kur duhet shmangur një dëm që i kanoset shoqërisë”. Edhe në këtë rast, nëse parashikohet në kontratë që për vendime të caktuara apo për administrimin në përgjithësi kërkohet shumica kjo duhet të jetë shumica e antarëve sipas pjesëve të tyre në fitim.

Në lidhje me përcaktimin e pjesëve neni 1086 K.C. përcakton se, pjesët që u takojnë antarëve në fitime dhe në humbje prezumohen sipas kontributit të tyre, vlera e të cilave përcaktohet në kontratë apo caktohet nga gjykata. Pra, kontrata e shoqërisë së thjeshtë, përtej prezumimit të nenit 1076 K.C. për kontributet në pjesë të barabarta, në rregullimin e saj ligjor nuk i qëndron parimit të barazisë së pjesëve dhe për rrjedhojë të votimit në marrëdhëniet e brendshme të shoqërisë. Për më tëpër kur kemi dhe normën imperative të sanksionuar në nenin 1087 K.C., sipas të cilit: “çdo marrëveshje që përjashton një ose më shumë anëtarë nga pjesëmarrja në fitimet ose humbjet, është e pavlefshme”. Pra, legjislatori kujdeset që kontrata e shoqërisë së thjeshtë të mos humbasë kuptimin e saj ligjor dhe qëllimin për të cilën lidhet edhe në raportet e brendshme midis palëve.

Marrëdhëniet me të tretët. Në lidhje me përfaqësimin dhe shprehjen e vullnetin të kësaj shoqërie në lidhje me të tretët neni 1088 K.C. përcakton, se: “shoqëria fiton të drejta dhe merr përsipër detyrime me anë të anëtarëve që kanë të drejtën për ta përfaqësuar” dhe këta anëtarë janë administratorët, përveç kur është përcaktuar ndryshe në kontratë. Përfaqësimi i shoqërisë është organik, duke u shtrirë “për të gjitha aktet që përfshihen në objektin e shoqërisë”. Gjithsesi lejohet ndryshimi dhe shuarja e tagrave për secilin nga administratorët.

Në lidhje me përgjegjësinë ndaj të tretëve, këto të fundit kanë të drejtë të kërkojnë ekzekutimin mbi pasurinë e shoqërisë. Gjithsesi përgjegjësi të pakufizuar dhe solidare kanë antarët që kanë vepruar në emër dhe për llogari të shoqërisë. Me marrëveshje midis antarëve, mund të kufizohet apo përjashtohet përgjegjësia e antarëve të tjerë, por kjo marrëveshje nuk mund t’u kundrejtohet të tretëve që nuk kanë patur dijeni për marrëveshjen.

Në lidhje me marrëdhëniet e veçanta personale që një kreditor ka me një antar të shoqërisë nenet 1092 dhe 1093 K.C. janë të qartë në përcaktimin e përparësisë së ruajtjes së kontratës së shoqërisë së thjeshtë nga pretendimet që nuk kanë të bëjnë me funksionimin dhe qëllimin e shoqërisë. Kështu, kreditori i veçantë i antarit deri sa zgjat shoqëria mund të kënaqë të drejtat e tij mbi fitimet e antarit debitor dhe mund të vendosë masa konservative mbi kuotën e këtij të fundit. Kreditori i veçantë mund të kërkojë likuidimin e pjesës vetëm nëse “sende të tjera të debitorit janë të pamjaftueshme për të shpërblyer kreditë e tij”. Po kështu, neni 1093 K.C. në mënyrë detyruese shprehet, se: “nuk pranohet kompensimi midis detyrimit që një i tretë ka ndaj shoqërisë dhe kredisë që ky ka ndaj një anëtari”.

Këto elemente i japin kontratës së shoqërisë së thjeshtë njëfarë autonomie, brenda natyrës së saj juridike, ndaj pluralitetit të antarëve që e përbëjnë por gjithsesi kjo mbrojtje është e pamjaftueshme dhe dobët në raport me të tretët dhe e bën shoqërinë vulnerabël në çdo kohë.

Marrëdhënia e anëtarit me shoqërinë. Anëtari bëhet pjesë e shoqërisë në momentin e lidhjes së kontratës apo adezionit të mëvonshëm në kontratë duke marrë të gjitha të drejtat dhe detyrimet sa më sipër përsa i përket administrimit, përgjegjësisë apo përfaqësimit të shoqërisë.

Rregullimi i raportit që antari ka me shoqërinë bëhet sipas neneve 1106 e vijues K.C. ku përcaktohet zgjidhja e marrëdhënieve midis shoqërisë si një e tërë dhe antarëve të veçantë. Pjesëmarrja në një shoqëri të thjeshtë është shprehje e vullnetit dhe pëlqimit të lirë të antarit. Natyra e shoqërisë së thjeshtë përcakton se ky raport është një raport intuitu personae ku cilësitë e antarëve të tjerë të shoqërisë kanë një rëndësi të veçantë për vazhdimin apo jo të marrëdhënies së krijuar.

Kështu, neni 1106 K.C. përcakton se antari mund të tërhiqet nga shoqëria nëse kjo është e formuar për një kohë ta pacaktuar apo për gjithë jetën e njërit prej antarëve,[17] në rastet e parashikuara në kontratën e shoqërisë ose kur ekziston një shkak i drejtë.

Kodi Civil rregullon edhe rastet e përjashtimit të njërit prej antarëve, pa e prishur shoqërinë e thjeshtë,  kur gjatë jetës së shoqërisë bashkëjetesa në këtë kontratë është bërë e pamundur për palët. Përjashtimi i antarit ndodh në rastet kur kemi mospërmbushje të detyrimeve ligjore apo kontraktuale, kur ndalohet apo është i pazoti, qoftë dhe përkohësisht, të kryejë detyra zyrtare, kur është papërshtatshmëria e kryerjes së një pune e cila është përfshirë si kontribut në shoqëri, kur sendi që ka dhënë në përdorim për shoqërinë si formë kontributi humb jo për faj të administratorëve, kur sendi që ka kaluar në pronësi të shoqërisë si kontribut nëse sendi humb përpara se të fitohet nga shoqëria, kur antari është deklaruar i falimentuar dhe kur antarit i likuidohet kuota nga kreditori i tij personal.

Pra, rastet më sipër tregojnë se antari mund të përjashtohet kur kontributi i tij në shoqëri mungon në fazën e kalimit të pronësisë apo gëzimit në shoqëri apo kur cilësitë e tij personale janë të papërshtatshme për të vazhduar pjesëmarjen në shoqëri.

Sipas nenit 1109 K.C. përjashtimi vendoset nga shumica e anëtarëve, duke mos përfshirë në numrin e tyre anëtarin për t’u përjashtuar dhe ka efekt pas 30 ditëve nga data kur i është bërë njoftimi anëtarit të përjashtuar. Brenda këtij afati ortaku i përjashtuar mund të paraqesë kundërshtim përpara gjykatës, e cila mund të pezullojë zbatimin e vendimit. Po qe se shoqëria përbëhet nga dy anëtarë, përjashtimi i njërit bëhet nga gjykata me kërkesën e tjetrit.

Shpërndarja e shoqërisë. Kodi Civil rregullon në mënyrë shteruese kontratën e shoqërisë së thjehstë duke u shprehur edhe mbi shpërndarjen e shoqërisë në nenet 1094 e vijues K.C. Shoqëria e thjeshtë shpërndahet, sipas nenit 1094 K.C., me mbarimin e afatit, me realizimin e objektit të shoqërisë apo pamundësisë së realizimit të tij, me vullnetin e të gjithë antarëve, për shkaqe të parashikuara në kontratë nga vullneti i palëve. Kodi Civil rregullon mënyrën e funksionimit dhe tagrat e administratorëve mbas deklarimit të shpërndarjes dhe mënyrën sesi kryhet likuidimi në gjendjen e aftësisë paguese të shoqërisë. Likuidimi kryhet sipas parashikimeve në kontratë ose nëse sësht parashikuar sipas dakordësisë së antarëve, të cilët nëse nuk bien dakord ia besojnë likuidimin likuiduesve të zgjedhur prej tyre apo nga gjykata, në rast mosmarrëveshje.[18] Likuiduesit punojnë ngushtë me administratorët për invetarizimin e aseteve të shoqërisë dhe kryejnë të gjitha aktet e nevojshme për likuidimin sipas parashikimeve të kontratës apo dispozitave të Kodit Civil.

 

Shoqëritë e thjeshta në rregullimin ligjor tregtar

 

Më lart u theksua se shoqëria e thjeshtë bie jashtë rregullimit të ligjit 9901/2008 megjithatë, shoqëria si kontratë ka si synim të sajin ushtrimin e aktivitetit tregtar dhe zakonisht antarë të saj, sidomos në format e reja të joint ventures, janë zakonisht persona juridikë. Kështu, shoqëritë e thjeshta ushtrojnë aktivitetin e tyre në të njëjtin ambjent ashtu sikur tregtari apo shoqëritë tregtare.

Si të tilla, ato ndikohen nga legjislacioni tregtar. Kështu, ligji nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, rregullon mënyrën e regjistrimit të shoqërive të thjeshta në regjistrin tregtar, regjistrim i cili ka vetëm efekt deklarativ duke mos fituar shoqëria e thjeshtë personalitet juridik më vete.[19] Megjithëse nuk fiton personalitet juridik të ndarë nga pluraliteti i antarëve shoqëria e thjeshtë mbetet një subjekt i cili, sipas nenit 1088 K.C. “fiton të drejta dhe merr përsipër detyrime me anë të anëtarëve që kanë të drejtën për ta përfaqësuar” dhe si e tillë mund të konsiderohet si një qëndër të drejtash, interesash e detyrimesh e ndarë nga antarët që e përbëjnë.

 Neni 28, pika 2, i ligjit nr. 9723/2007 përcakton, se në regjistrimin fillestar të shoqërisë së thjeshtë duhet të depozitohet nga anëtarët, apo personi i autorizuar prej tyre, kontrata përkatëse ose nëse nuk është në formë të shkruar vetëm aplikimi dhe deklarata e antarëve për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave të funksionimit të shoqërisë së thjeshtë. Në regjistrimin fillestar të shoqërisë janë të detyrueshme të dhënat e mëposhtme: a) kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar; b) fusha e veprimtarisë, në qoftë se është e përcaktuar;  c) vendi i ushtrimit të veprimtarisë; ç) të dhënat e identifikimit të anëtarëve; d) vlera dhe lloji i kontributeve të anëtarëve; dh) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit dhe afatet e emërimit; e) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë shoqërinë përpara të tretëve.[20]

Njëkohësisht, shoqëritë e thjeshta gjejnë rregullim në fushën e biznesit edhe në VKM nr. 537, datë 01.08.2007 “Për Rregullat për Emrat dhe Emërtimet Tregtare” sipas të cilit ruhen emërtimi tregtar, shenjat apo karakteristikat dalluese të shoqërisë së thjeshtë njësoj si për tregtarin apo shoqëritë tregtare. Gjithsesi, duke mos patur personalitet juridik nuk i njihet e drejta e emrit shoqërive të thjeshta.

Shoqëritë e thjeshta, si qendra të drejtash dhe detyrimesh janë gjithashtu subjekt i legjislacionit special tregtar për likuidimin e ndërmarrjve në krizë, posaçërisht Ligji nr. 110, datë 27.10.2016 “Për Falimentimin”. Kështu, neni 15 i Ligjit 110/2016 përcakton se detyrimin për të paraqitur kërkesën për fillimin e proçedurës së falimentimit e ka debitori, në rastin e shoqërisë së thjeshtë bashkërisht të gjithë antarët e saj, dhe se “nëse një kërkesë e tillë nuk është paraqitur bashkërisht nga ... të gjithë anëtarët e shoqërisë së thjeshtë, kërkesa do të lejohet nga gjykata e falimentimit nëse shkaqet e parashikuara për fillimin e procedurës së falimentimit janë të mjaftueshme dhe bindëse. Gjykata e falimentimit dëgjon anëtarët e tjerë të organit drejtues dhe anëtarët e shoqërisë së thjeshtë që nuk i janë bashkuar kërkesës, para se të marrë një vendim”. Gjithashtu, ligji barazon pozicionin e shoqërisë së thjeshtë me shoqëritë tregtare me përgjegjësi të pakufizuar përsa i përket përgjegjësisë kur disponon, se: “nëse procedura e falimentimit fillon për pasurinë në pronësi të një shoqërie të thjeshtë ose një shoqërie me përgjegjësi të pakufizuar, administratori i falimentimit ose administratori mbikëqyrës mund të pretendojnë përgjegjësinë personale të ortakëve ndaj detyrimeve të kompanisë gjatë procesit të falimentimit”.[21]

Megjithatë, disa nga ligjet që i përkasin fushës së biznesit nuk i aplikohen shoqërive të thjeshta siç është psh ligji për detyrimet kontraktore dhe pagesat e vonuara tregtare (Ligji nr. 48/2014), i cili është hartuar në kuadër të proçesit të përafrimit të legjislacionit në fushën e tregtisë me acquis communautaire.[22] Në gjykimin tonë ky ligj paraqet jo pak probleme në pjesën që nuk përfshin edhe pagesat e kryera nga shoqëritë e thjeshta që ushtrojnë aktivitet tregtar.

Ky është rregullimi ligjor tregtar, i cili prek në mënyrë të pashmangshme rregullimin e shoqërisë së thjeshtë si një kontratë që rregullon një sipërmarrje të përbashkët të dy apo më shumë personave fizikë apo juridikë për të ushtruar aktivitet në emër të përbashkët. Gjithsesi, shoqëritë e thjeshta veprojnë dhe ushtrojnë aktivitet në të njëjtin ambjent ashtu sikur shoqëritë tregtare.

Natyra juridike e shoqërisë së thjeshtë, mungesa e personalitetit juridik në kuptimin e Kodit Civil, rregullimi jashtë legjislacionit tregtar kanë sjellë disa problematika në interpretimin e mënyrës së ushtrimit të aktivitetit të saj dhe përfshirjen e tyre në fushën e aplikimit të ligjeve të veçanta me natyrë tregtare si ligji nr. 48/2014, duke sjellë jo pak problematika në praktikë.

 

Analizë e problematikave që dalin nga kuptimi juridik i shoqërive të thjeshta

dhe aftësia e tyre për të ushtruar aktivitet ekonomik tregtar

 

Shoqëria e thjeshtë është një kontratë në të cilën dy apo më shumë palë hyjnë në këtë marrëdhënie juridiko-civile me qëllim ushtrimin e aktivitetit të përbashkët dhe realizimit të fitimit. Në këtë ajo paraqet ngjashmëri me shoqëritë tregtare por rregullohet jashtë fushës së aplikimit të ligjit 9901/2008 dhe mbetet, në gjykimin tonë, një zonë gri duke ngritur problematika të shumta në sistemin ligjor shqiptar.

Problematika e mospërfshirjes së shoqërive të thjeshta në fushën e zbatimit të ligjit nr. 48/2014. Me anë të ligjit nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” legjislatori, në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE, kërkon të përcaktojë “rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjore për pagesat e vonuara, në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt ndërmarrjeve të tjera tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm, duke nxitur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tregtare dhe, në veçanti, të ndërmarrjeve të vogla e të mesme”[23]. Ndër të tjera, ligji në nenin 16 parashikon, se: “Detyrimet monetare, të lindura nga veprimet juridike tregtare, të cilat nuk janë shlyer brenda afatit të pagesës përkatëse, sipas këtij ligji, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga neni 485 i Kodit Civil, përbëjnë titull ekzekutiv dhe vihen në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor, pavarësisht vlerës” në rastet kur kreditori ka kryer shërbim apo ka lëvruar mallin dhe debitori nuk e ka kundërshtuar detyrimin. Gjitashtu ligji parashikon afatet e fillimit të kamatëvonesave, llogaritjen e kamatëvonesës, afate të veçanta për marrëdhëniet me autoritetet publike, etj.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji legjislatori ka arritur të përmbushë detyrimet e marra në kuadër të proçesit të proçesit të stabilizim-asociimit megjithatë nëse do të flisnim për një transpozim të saktë të direktivës në legjislacionin shqiptar do të ishim të gabuar.[24]

Qëllimi i legjislatorit europian është të përshpejtojë kohën e pagesës dhe të vendosë rregulla të qarta për mënyrën e pagesave të pranuara nga debitori kur kemi të bëjmë me transaksione tregtare. Fusha e aplikimit të direktivës shtrihet në pagesat tregtare të operatorëve që marrin cilësimin e sipërmarrësit (Undertaking).[25] Në Ligjin 48/2014 legjislatori shqiptar përcakton nocionin e “sipërmarrjes tregtare” si “çdo person juridik, i krijuar sipas ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me përjashtim të një autoriteti publik, i cili vepron në kuadër të veprimtarisë së tij të pavarur ekonomike a profesionale”, duke lënë jashtë fushës së zbatimit të këtij ligji një nga format e ushtrimit të aktivitetit siç është shoqëria e thjeshtë apo tregtari person fizik.

Pra, megjithëse shoqëria e thjeshtë ushtron aktivitet tregtar me qëllim fitimi dhe bie brenda nocionit të legjislacionit europian për sipërmarrjen tregtare legjislatori e ka interpretuar ngushtë në Ligjin nr. 48/2014 duke e lënë shprehimisht jashtë fushës së aplikimit të tij. Edhe nga travaux preparatoires të Kuvendit nuk del qartë ratio e legjislatorit për të përjashtuar shoqëritë e thjeshta nga fusha e zbatimit të këtij ligji.[26] Kështu, nocioni europian i sipërmarrjes në fushën tregtare (Undertaking) për efekte të këtij ligji në legjislacionin shqiptar reduktohet vetëm në format e shoqërive që rregullon ligji nr. 9901/2008.

Në këto kushte, ky është një përfitim që legjislacioni i ofron shoqërive të thjeshta duke patur si synim që këto forma të ushtrimi aktiviteti, duke mos marrë personalitet juridik, të gëzojnë avantazhe në treg në krahasim me shoqëritë tregtare. Legjislatori mesa duket niset nga koncepti i Kodit Civil sipas të cilit shoqëritë e thjeshta janë një kategori residuale që rregullojnë ushtrimin e aktivitetit tregtar vetëm kur nuk është e mundur që të kualifikohet shoqëria si një shoqëri tjetër. Megjithatë, ky avantazh i garantuar nga legjislacioni shoqërive të thjeshta ka rritur përdorimin e tyre sidomos në format e reja të kontratave atipike të joint ventures, por duke ruajtur cilësimin ligjor si shoqëri të thjeshta në regjistrimin e tyre në regjistrin tregtar, madje edhe për aktivitete të cilat kanë një peshë të konsiderueshme në treg.

Për sa më sipër, duhet theksuar se në praktikën gjyqësore shqiptare mjafton cilësimi formal si shoqëri e thjeshtë  nga autonomia dhe vullneti i lirë i palëve që gjykata të mos kryejë hetime të mëtejshme, në frymën e nenit 1076 pika 2 K.C. sipas të cilit: “shoqëria është e thjeshtë, kur nuk paraqet cilësitë dalluese të shoqërisë tregtare të rregulluara në Kodin Tregtar”, për ricilësimin e një shoqërie që organizohet si shoqëri e thjeshtë me një veprim të simuluar.

Në jurisprudencën shqiptare është ngritur edhe dyshimi nëse Ligji 48/2014 paraqet profile antikushtetueshmërie te pjesa që nuk përfshin në konceptin e sipërmarrjeve tregtare shoqërinë e thjeshtë në nenin 3/3 të tij. Kështu, në gjykimin me kërkues “Viante Konstruksion” shpk Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në çështjen me nr. 951 Akti, datë 12.02.2015 me objekt “Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për faturën tatimore të shitjes me nr. 36 dhe nr. serie 87960787, datë 30.11.2014 në shumën 10,383 (dhjetëmijë e treqind e tetëdhjetë e tre) USD me TVSH” dhe bazë ligjore, ndër të tjera, ligjin Nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare”. Në thelb, gjykatësi a quo, konstaton, se: “veprimet juridike tregtare që përbëjnë tituj ekzekutivë janë vetëm ato që kryen midis shoqërive kolektive, komandite, shoqërive me përgjegjësi të kufizuara dhe aksionare. Në këtë mënyrë ligji nr.48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” përjashton nga cilësia e titullit ekzekutiv veprimet juridike tregtare të kryera midis personave fizikë tregtarë, ndërmjet shoqërive të thjeshta, si dhe ndërmjet tyre dhe shoqërive tregtare” dhe se nëse do të rrëzonte kërkesën e paditësit, në zbatim të ligjit 48/2014, ky zbatim “do të cenonte parimin e barazisë dhe të veprimtarisë ekonomike, pasi kategoria e subjekteve të ligjit nuk duhej kufizuar vetëm te personat juridikë të krijuar sipas ligjit nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, por duhej të shtrihej dhe te sipërmarrjet e vogla ose të mesme, duke përfshirë edhe shoqëritë e thjeshta të krijuara sipas Kodit Civil”. Në përfundim Gjykata e Shkallës së Parë “ka krijuar bindjen se neni 3/3 i nr.48/2014, që përcakton zgjidhjen e çështjes duke mos i përfshirë shoqëritë e thjeshta si subjekte, vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në këto kushte, gjykata referuese vlerësoi se gjykimi i çështjes nuk mund të përfundonte para se Gjykata Kushtetuese të shprehej për kushtetutshmërinë e kësaj dispozite”,[27] sepse cënohen nenet 18[28] dhe 11[29] të Kushtetutës së RSh dhe nenin 70[30] të MSA.

Mbi këtë kërkesë të gjyqtarit a quo është shprehur Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 85 datë 29.05.2015 duke mos e kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare për mosplotësim të kushteve për t’iu drejtuar me gjykim incidental.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese çmon, se: “gjykata referuese në arsyetimin e saj nuk ka parashtruar arsye serioze për papajtueshmërinë me Kushtetutën të nenit 3/3 të ligjit nr.48/2014. Mosparashikimi i shoqërive të thjeshta si subjekte të veprimeve juridike që sjellin si pasojë ekzekutimin e detyrimit, në vetvete nuk passjell cenim të barazisë dhe lirisë ekonomike” (pika 19) dhe se “Ligji në këtë rast ka përjashtuar edhe tregtarin si person fizik, subjekt i marrëdhënieve juridike tregtare. Shoqëria e thjeshtë nuk është subjekt tregtar, por një prej subjekteve të marrëdhënies juridike civile dhe në veçanti të marrëdhënies juridike të detyrimit. Pretendimi i gjykatës referuese për të përfshirë shoqërinë e thjeshtë si subjekt te veprimet juridike që rregullohen nga e drejta tregtare, nënkupton që kjo shoqëri duhet të ishte parashikuar si subjekt i së drejtës tregtare (tregtar ose shoqëri tregtare)” (pika 20).

Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese nuk shprehet në lidhje me pajtushmërinë e nenit 3/3 të Ligjit 48/2014 me nenin 70 të MSA, e cila konsiderohet si një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me vendet antare të BE, dhe si rrjedhojë e neneve 5 dhe 116 të Kushtetuës. Është i drejtë konstatimi i gjyqtarit a quo, sipas të cilit: “neni 3/3 i Ligjit vjen në kundërshtim me Direktivën e Bashkimit 2011/7/EU, datë 16.02.2011 “Për luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare” të cilës i është qasur. Kjo Direktivë jep një përkufizim më të gjerë të subjekteve dhe fushës së zbatimit nga ajo që përcakton neni 3/3 i Ligjit nr. 48/2014, duke përcaktuar si ndërmarrje tregtare çdo organizim që nuk është autoritet publik dhe që ushtron një aktivitet ekonomik dhe profesional të pavarur, edhe sikur ky aktivitet të ushtrohet nga një person i vetëm (neni 2 i Direktivës). Në këtë mënyrë, duke e ngushtuar rrethin e subjekteve të Ligjit vetëm tek personat juridikë të organizuar sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare (të cilat nuk janë subjektet e vetme që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e Republikës së Shqipërisë), në kundërshtim me parashikimet e direktivës, neni 3/3 i Ligjit nr. 48/2014 jo vetëm që nuk e përmbush qëllimin e saj, por përkundrazi sjell efektin e kundërt. Kjo pasi favorizohen vetëm një pjesë e operatorëve ekonomikë, duke përkeqësuar konkurrencën te ndërmarrjet e vogla apo të mesme, të cilat jo gjithmonë janë të organizuara në formën e shoqërive tregtare, por që përmbushin kriterin e kryerjes së një veprimtarie të pavarur profesionale apo tregtare. Në këtë vështrim, neni 3/3 i Ligjit nr. 48/2014, duke qënë në kundërshtim me një Direktivë të Bashkimit Europian, vjen në kundërshtim me nenin 70 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të lidhur ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe Bashkimit Europian”.[31]

Në gjykimin tonë është i drejtë qëndrimi që gjyqtari a quo mban ndaj kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit nr. 48/2014 përsa nuk përfshin në fushën e vet të zbatimit edhe shoqëritë e thjeshta dhe tregtarin, sepse vlerëson dhe transpozon keq Direktivën 2011/7/EU, datë 16.02.2011 “Për luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare” në lidhje me konceptin e “sipërmarrësit tregtar”. Duke e ngushtuar fushën e zbatimit vetëm në transaksionet midis shoqërive tregtare sjell efektin e kundërt të qëllimit që ka dashur të përndjekë legjislatori evropian në kuadër të harmonizimit të legjislacionit tregtar në BE. Ky i fundit prej kohësh është përqëndruar te një përfshirje e operatorëve tregtarë në fushën e zbatimit të normave tregtare mbi bazën e veprimtarisë ekonomike që ata zhvillojnë, pra, që merr cilësimin si veprimtari ekonomike tregtare apo jo, dhe jo në format juridike të organizimit të këtyre operatorëve, forma këto që mund të jenë të ndryshme në vende të ndryshme të BE, pavarësisht prirjes për harmonizim në kuadër të zhvillimit të legjislacionit tregtar të BE.  

Mosmarrja në shqyrtim të kësaj kërkese nga ana e Gjykatës Kushtetuese jo vetëm ka sjellë probleme interpretuese në lidhje me natyrën juridike të shoqërisë së thjeshtë, por në praktikë ka cënuar konkurencën e lirë dhe ka sjellë abuzimin me formën juridike për të ushtruar një aktivitet ekonomik me qëllim fitimi. Në këto kushte, e udhës dhe e lavdërueshme do të ishte një ndërhyrje e legjislatorit në Ligjin nr. 48/2014, me qëllim rregullimin e kësaj anomalie në transpozimin e Direktivës së BE sipas frymës së legjilsacionit evropian.[32]

Probleme në lidhje me personalitetin juridik të shoqërive të thjeshta dhe legjitimimin proçesual. Jo pak problematika ka ngritur në praktikën gjyqësore edhe diskutimi në lidhje me gëzimin apo jo të personalitetit juridk nga ana e shoqërisë së thjeshtë dhe, si rrjedhojë, edhe legjitimimi proçesual i tyre në gjykim.

Kështu, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 1416, datë 26.05.2017 çmon se  Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr. 9397, datë 21.11.2016 ka marrë një vendim në shkelje të rregullave proçesuale, sepse: “në mënyrën sesi është formuar ndërgjyqësia në këtë gjykim, ajo është e gabuar dhe cenon rregullshmërinë e gjykimit. Si paditësi, ashtu edhe gjykata kanë gabuar kur kanë vlerësuar se i padituri “COPRI-AKTOR” është person juridik, pasi në fakt sipas ekstraktit nga QKR datë 07.12.2015, rezulton se i padituri në fakt është “shoqëri e thjeshtë” duke theksuar se “shoqëria e thjeshtë në drejtën shqiptare nuk është e pajisur me personalitet juridik, që do të thotë se nuk përbën një entitet të pavarur nga anëtarët që e kanë krijuar atë. ... Pra, në të vërtetë, shoqëria e thjeshtë është një kontratë për ushtrim të një aktiviteti ekonomik dhe jo një person juridik i krijuar për ushtrimin e këtij aktiviteti. Ligji rregullues për shoqëritë e thjeshta (Kodi Civil) nuk njeh në asnjë dispozitë të tij personalitet juridik për këto shoqëri dhe për më tepër, si rrjedhojë logjike e mungesës së personalitetit juridik, nuk përcakton as mënyrën ose momentin kur e fitojnë personalitetin juridik”.

Gjykata vazhdon më tej duke intepretuar nenet e Kodit Civil në sensin që shoqëria e thjeshtë reduktohet në pluralitetin e antarëve që e përbëjnë, kur thekson se: “për efekt të lehtësimit të ushtrimit të aktivitetit, Kodi Civil i ka njohur shoqërisë së thjeshtë mundësinë për të “fituar” disa të drejta” dhe se “Shoqëria “COPRI – AKTOR Shoqëri e Thjeshtë” nuk është një entitet i ndarë dhe i veçuar nga anëtarët e saj dhe si e tillë, nuk mund të legjitimohet në këtë proces, referuar edhe nenit 90 të Kodit të Procedurës Civile sipas të cilës palët në një proces janë personat fizikë ose juridikë. Kriteri që përdor Kodi në këtë rast është formal dhe nëse subjekti njihet nga ligjet përkatëse si person juridik, atëherë ai mund të jetë palë në procedurat gjyqësore, në të kundërt jo. Nëse një subjekt, ka apo i njihen nga ligji të drejta të ngjashme sikurse mund të jenë disa të drejta pasurore të vendosura nën një regjim të posaçëm, kjo nuk e barazon atë me personin juridik e për pasojë nuk e bën atë palë në procesin gjyqësor, por të tillë janë anëtarët e shoqërisë së thjeshtë.”.

Me këtë arsyetim, Gjykata e Apelit Tiranë gjykon se ndërgjyqësia duhej të krijohej ndërmjet subjekteve që kanë personalitet juridik, duke arritur në përfundimin se: “njoftimi i subjekteve “Copri Construction Enterprises ë.l.l.” dhe “AKTOR TECHNICAL SOCIETE ANONYME”, mund të bëhet pranë adresës së deklaruar prej tyre bashkërisht në QKR, e cila është e njëjtë me atë të shoqërisë së thjeshtë COPRI-AKTOR, e konkretisht “Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tëin Toëers, nr.1, kati 14, ap.2, Tiranë”.

Në gjykimin tonë, kjo Gjykatë ka interpretuar gabim ligjin proçesual dhe material në lidhje me kuptimin juridik të shoqërisë së thjeshtë dhe aftësisë së saj për të fituar të drejta, për të marrë detyrime apo për të qëndruar në gjykime më vete si subjekt i së drejtës, pavarësisht personalitetit juridik, e ndarë nga pluraliteti i anëtarëve të saj, të cilët me vullnet të lirë janë përfshirë në këtë mërrëdhënie juridiko-civile.

Në rradhë të parë, Gjykata e Apelit Tiranë nuk mban parasysh vendimet e Gjykatave më të larta, edhe pse jo detyruese, në përcaktimin e të qënit apo jo subjekt i së drejtës. Kështu, Gjykata Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me Vendim e saj nr. 85, datë 29.05.2015, ka arsyetuar (paragrafi 20): “...Shoqëria e thjeshtë nuk është subjekt tregtar, por një prej subjekteve të marrëdhënies juridike civile dhe në veçanti të marrëdhënies juridike të detyrimit”. Më i qartë në përpunimin e tij është Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në Vendimin e vet Nr.00-2015-3502 (430) të datës 14.10.2015 ku ka arsyetuar (paragrafi 9), se: “Kolegji çmon të theksojë se shoqëria e thjeshtë është një  formë e veçantë e personave juridikë privat fitimprurës. Shoqëria e thjeshtë nuk rregullohet nga ligji “Për Shoqëritë Tregtare”, por vetëm nga Kodi Civil, si kontratë më vete (nenet 1074-1112)”. Përtej përcaktimeve të Gjykatës së Lartë në këtë sens është paqësor në jurisprudencën e gjykatave të Apelit legjitimimi proçesual i shoqërive të thjeshta.[33]

Në rradhë të dytë, Gjykata e Apelit gabon në vendimin e saj për rregullimin e ndërgjyqësisë me aëntarët e shoqërisë së thjeshtë. Në zbatim korrekt të ligjit material e proçedurial, duke marrë në konsideratë kontratën e themelimit të shoqërisë së thjeshtë për sa i përket administrimit, minimalisht nuk duhet të vihet në diskutim ngritja e ndërgjyqësisë midis palëve nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sepse të dy anëtarët e shoqërisë së thjeshtë ‘Kopri-Aktor’ kanë parashikuar shprehimisht në kontratën midis tyrë përcaktimin e një administratori me fuqi përfaqësimi.[34]

Në këto situata, e lavdërueshme do të ishte një ndërhyrje e Gjykatës së Lartë me vendim unifikues, duke u nisur nga fakti se ka interpretime të ndryshme në praktikë në lidhje me legjitimimin proçesual të shoqërive të thjeshta dhe aftësinë e tyre për të qënë qendër të drejtash e detyrimesh.

 

Përfundime

 

Shoqëria e thjeshtë është një kontratë e rregulluar në Kodin Civil, megjithatë me anë të kësaj kontrate shumë operatorë ekonomikë, individë apo shoqëri tregtare, ushtrojnë aktivitet ekonomik tregtar. Si rrjedhojë, edhe pse regullimi i shoqërive të thjeshta gjendet në Kodin Civil përsëri ndikohet nga legjislacioni tregar, ose në gjykimin tonë duhet të ndikohet pasi janë subjektë të së drejtës që veprojnë në të njëjtin mjedis tregtar. Si të tillë, me qëllim aplikimin e parimeve tregtare duhet të ndikohen nga legjislacioni tregtar, për shembull, nga Ligji nr. 48/2014. Më lart u përpoqëm të analizojmë qartë, edhe në kuadër të së drejtës komunitare, se cili është koncepti i “sipërmarrësit tregtar”, dhe se edhe shoqëritë e thjeshta të organizuara sipas së drejtës civile janë pjesë e këtij nocioni në të drejtën e BE. Për rrjedhojë, mirë do të ishte ndërhyrja sa më parë e legjislatorit për rregullimin e Ligjit nr. 48/2014, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë në shqyrtim çështjen për kushtetueshmërinë e ligjit.

Në anën tjetër, ashtu siç illustruam më lart, praktika gjyqësore është jo uniforme në interpretimin e nocionit juridik të shoqërive të thjeshta, dhe problematika kanë dalë në lidhje me personalitetin juridik të shoqërive të tilla apo legjitimimin proçesual të tyre të ndarë nga pluraliteti i anëtarëve. Gjithashtu, në këtë pikë mirë do të ishte një ndërhyrje e Gjykatës së Lartë me vendim unifikues, me qëllim unifikimin e praktikës gjyqësore, sepse një ndërhyrje legjislative do të kërkonte edhe ndërhyrje në Kodin Civil.

-----------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

- Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë

- Ligji nr. 9901/2008 “Për tregtarin dhe shoqëritë tregtare”

- Ligji nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për regjistrimin e biznesit”

- Ligji nr. 110, datë 27.10.2016 “Për Falimentimin”

- Ligji nr. 48, datë 27.04.2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”

- Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 537, datë 01.08.2007 “Për Rregullat për Emrat dhe

Emërtimet”

- Direktiva 2011/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit , datë 16 Shkurt 2011 “Për

luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare”

 

Doktrinë

- A. MALLTEZI, E Drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Mediaprint’, Tiranë 2011

- A. Malltezi, J. Rystemaj, L. Pelinku, Aspekte të së drejtës së biznesit në Shqipëri, ‘Mediaprint’, Tiranë 2013

- A. Xhoxhaj, Gjykimi i çështjeve që lidhen me organizimin dhe funksionimin e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, Disertacion , Tiranë 2012

- B. Berberi, Shoqëritë tregtare. Komente të ligjit nr. 7638 dt. 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare (I, II, III)”, ‘Morava’ 2004

- I. Hoxhaj, Kontrolli Kushtetues mbi nenin 3/3 të Ligjit Nr. 48/2014 botuar në https://www.academia.edu/19015592/Kontrolli_Kushtetues_mbi_nenin_3_3_t%C3%AB_Ligjit_Nr._48_2014 (aksesi i fundit më 21.06.2019)

- I. Mustafaj, Detyrmiet dhe kontratat, Tiranë 2016

- IFC, Qeverisja e korporatave. Manual, ‘IFC Ëorld Bank Group’, 2008

- M. Tutulani-Semini, E drejta e detyrimeve dhe kontratave, Pjesa e përgjithshme dhe e posaçme, ‘Skanderbeg Books’, Tiranë 2016

- T. Bachner, E. Schuster, M. Ëinner, Ligji i ri shqiptar për tregtarin dhe shoqëritë tregtare. Interpretuar sipas burimeve të tij në të drejtën evropiane, ‘Dudaj’, Tiranë 2009

- V. Kondili, E drejta civile I, Pjesa e përgjithshme, ‘Geer’, Tiranë 2008

 

Jurisprudencë

- Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 85, datë 29.05.2015

- Vendim i Gjykatës së Apelit Tiranë nr. 1416, datë 26.05.2017

- Çështja e shqyrtuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me nr. 951 Akti, datë 12.02.2015

 



[1] Mbi burimet e së drejtës tregtare dhe evoluimin historik shiko A. Malltezi, J. Rystemaj, L. Pelinku, Aspekte të së drejtës së biznesit në Shqipëri, ‘Mediaprint’, Tiranë 2013, fq. 17 e vijues.

[2] Kjo formë kontraktuale mësohet dhe rregullohet në doktrinën juridike shqiptare,m sepse me të drejtë, megjithëse pjesë e Kodit Civil, de facto është një formë ushtrimi aktiviteti tregtar në emër të përbashkët dhe kjo ka sjellë mospërfshirjen në manualet e së drejtës civile më të përdorur si psh. M. Tutulani-Semini, E drejta e detyrimeve dhe kontratave, Pjesa e përgjithshme dhe e posaçme, Skanderbeg Books, Tiranë 2016; I. Mustafaj, Detyrmiet dhe kontratat, Tiranë 2016

[3] Për përkufizimin e së drejtës tregtare në Shqipëri shiko: V. Kondili, E drejta civile I, Pjesa e përgjithshme, ‘Geer’, Tiranë 2008, fq. 27-30; M. Tutulani-Semini, E drejta e detyrimeve dhe kontratave, cit.,, fq. 23

[4] Për kontratat atipike shiko: I. Mustafaj, Detyrimet, cit., fq. 429-430

[5] Në formën e joint ventures organizohen shoqëritë tregtare kur ndërmarrin gara në fushën e konçesioneve dhe e ruajnë këtë formë bashkëpunimi deri sat ë organizohen në një nga format e shoqërisë së kapitalit të kërkuar nga ligj. A. Malltezi, E Drejta shqiptare e shoqërive tregtare, ‘Mediaprint’, Tiranë 2011, fq. 13

[6] Është e pranuar paqësisht ngjashmëria e rregullimit ligjor të shoqërive të thjeshta me shoqëritë e personit, veçanërisht me formën e shoqërisë kolektive. Për shoqëritë e kapitalit shiko: IFC, Qeverisja e korporatave. Manual, ‘IFC World Bank Group’, 2008

[7] Neni 1074 K.C.

[8] Në të njëjtin sens dhe formë siç parashikon legjislacioni tregtar në ligjin 9901/2008 “Për tregtarin DHe shoqëritë tregtare” në lidhje me shoqëritë e personit.

[9] A. Xhoxhaj, Gjykimi i çështjeve që lidhen me organizimin dhe funksionimin e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, Disertacion , Tiranë 2012, fq. 34

[10] Për shembull, kur në sajë të kontratës midis anëtarëve destinohet si kontribut i shoqërisë një pasuri e paluajtshme.

[11] Qëllimi i legjislatorit në atë kohë ishte edhe miratimi i Kodit Tregtar si rregullim përfundimtar i kodifikuar i legjislacionit tregtar dhe një lidhje dinamike me Kodin Civil. Në të vërtetë qenë miratuar Ligji nr. 7632 datë 04.11.1992 “Për dispozitat që rregullojnë Pjesën e Parë të Kodit Tregtar”, Ligji nr. 7638 datë 19.11.1992 “Për kompanitë” dhe Ligji nr. 7667 datë 28.01.1993 “Për regjistrin e biznesit dhe detyrimet që duhet të përmbushen nga kompanitë”. Shiko në doktrinë: B. Berberi, Shoqëritë tregtare. Komente të ligjit nr. 7638 dt. 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare (I, II, III)”, ‘Morava’, 2004, fq. 10 e vijues

[12] Shiko T. Bachner, E. Schuster, M. Winner, Ligji i ri shqiptar për tregtarin dhe shoqëritë tregtare. Interpretuar sipas burimeve të tij në të drejtën evropiane, ‘Dudaj’, Tiranë 2009, fq. 16 e vijues

[13] Vendimi nr. 430 datë 14.10.2015 i Gjykatës së Lartë. Në cilësimin e këtij bashkëpunimi midis palëve Gjykata vlerëson se “referuar rrethanave të çështjes, Kolegji Civil vlerëson të gabuar konkluzionin e arritur nga gjykatat e faktit, se: “marrëveshja datë 19.05.2008 midis palëve nuk mund të konsiderohet si një kontratë e një shoqërie të thjeshtë, pasi paditësja nuk e ka cilësinë e tregtarit, por marrëveshja është një kontratë huaje pa afat me interes të ndryshueshëm”, duke arritur në përfundimin, se: “marrëdhënia e lidhur mes palëve ndërgjyqëse është marrëdhënia e një shoqërie të thjeshtë dhe jo një marrëdhënie huaje” dhe se gjykatat më të ulta gabojnë kur e vlerësojnë shoqërinë e thjeshtë si një lloj shoqërie tregtare. Përfundimisht Kolegji Civil e kthen çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit Durrës me detyrat e lëna.

[14] Në lidhje me natyrën juridike të shoqërive tregtare, ato, ashtu siç edhe shoqëria e thjeshtë është një kontratë, bazën e kanë të një kontratë e cila përkon me aktin e themelimit duke bërë të mundur kështu dhënien e një karakteri special krijimit të shoqërive tregtare sipas legjislacionit special në lidhje me formën mëmë historike të ushtrimit të aktivitetit tregtar, pra shoqërisë së thjeshtë. Gjithsesi, ndryshimet ligjore në panoramën europiane, me pranimin e shoqërive unipersonale, e kanë futur në krizë këtë koncept dhe ngjashmëri midis shoqërisë së thjeshtë dhe shoqërive tregtare duke thelluar më shumë autonominë e së drejtës tregtare përkundrejt të drejtës civile të përgjithshme.

[15] Neni 1076 K.C.

[16] Neni 1077 K.C.

[17] Neni 1106.3 K.C. përcakton se, në këto raste tërheqja komunikohet të paktën 3 muaj përpara. Në këtë rast prevalon parimi se vullneti për të qenë pjesë e një shoqërie nuk mund të jetë i përjetshëm apo ta detyrojë individin të marrë pjesë kundër vullnetit të tij të mëvonshëm.

[18] Neni 1097 K.C.

[19] Neni 42 pika 2 Ligji nr. 9723 datë 03.05.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar

[20] Neni 31 Ligji nr. 9723 datë 03.05.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar

[21] Neni 64 Ligji nr. 110 datë 27.10.2016 “Për Falimentimin”

[22] Përafrim i pjesshëm me Direktivën 2011/7/EU, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të datës 16 shkurt 2011 “Për luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare”

[23] Neni 1 i ligjit nr. 48 datë 24.04.2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”

[24] Në pjesën hyrëse të Direktivës 2011/7/EU përcaktohen qartë arsyet për një unifikim të rregullimit në këtë fushë pasi recitali (5) shprehet se “Many payments in commercial transactions between economic operators or between economic operators and public authorities are made later than agreed in the contract or laid doën in the general commercial conditions. Although the goods are delivered or the services performed, many corresponding invoices are paid well after the deadline. Such late payment negatively affects liquidity and complicates the financial management of undertakings. It also affects their competitiveness and profitability when the creditor needs to obtain external financing because of late payment. The risk of such negative effects strongly increases in periods of economic downturn ëhen access to financing is more difficult.”

[25] Sipas nenit 2 pika 3 e Direktivës është sipërmarrës “any organisation, other than a public authority, acting in the course of its independent economic or professional activity, even ëhere that activity is carried out by a single person.

[26] Raporti i Komisionit për Ekonominë dhe Financat nuk ka diskutime në lidhje me projektligjin. Raporti i Komisionit për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut ka analizuar nga pikëpamja ligjore projektligjin dhe ka propozuar disa ndryshime, ku ndër të tjera, pikërisht kërkon ndryshimin e termit “Ndërmarrje tregtare” (përkthim i saktë nga Undertaking) në “Sipërmarrje tregtare”. Gjithashtu ky Komision ngre dyshime në lidhje me përcaktimin e pagesave të njohura nga debitori si urdhër ekzekutimi. Po ashtu edhe Relacioni shoqërues i projektligjit nuk e prek këtë çështje.

[27] Pika 8 e Vendimit të GJK me nr. 85, datë 29.05.2015

[28] Në vlerësimin e gjykatës referuese “neni 3/3 i ligjit përjashton personat fizikë tregtarë dhe shoqëritë e thjeshta si subjekte që ushtrojnë veprimtari të pavarur profesionale dhe tregtare, cenon parimin e trajtimit të barabartë të subjekteve të së drejtës të ndodhura në kushte objektivisht të njëjta, duke cenuar nenin 18 të Kushtetutës.  Përjashtimi nga rregulli në rastin konkret përbën diskriminim pozitiv, i cili është në përputhje me Kushtetutën nëse justifikohet nga shkaqe të arsyeshme dhe objektive”. Pika 9.3 e Vendimit të GJK, me nr. 85, datë 29.05.2015

[29] Në vlerësimin e gjykatës referuese “neni 3/3 i ligjit cenon nenin 11 të Kushtetutës, i cili parashikon lirinë e veprimtarisë ekonomike, pasi shoqërive tregtare iu kufizohet liria për të kontraktuar me subjekte të tjera që ushtrojnë aktivitet tregtar. Shoqëritë tregtare detyrohen të kontraktojnë vetëm me shoqëri të tjera tregtare të organizuara sipas ligjit nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” të ndryshuar, me qëllim që të mbledhin më shpejt detyrimet monetare”. Pika 9.4 e Vendimit të GJK me nr. 85 datë 29.05.2015

[30] Në vlerësimin e gjykatës referuese “neni 3/3 i ligjit nr.48/2014, duke favorizuar vetëm një pjesë të operatorëve ekonomikë, përkeqëson konkurrencën ndërmjet shoqërive të vogla dhe të mesme, të cilat jo gjithmonë janë të organizuara në formën e shoqërive tregtare, por përmbushin kriteret për kryerjen e një veprimtarie të pavarur profesionale. Në këtë këndvështrim vjen në kundërshtim edhe me nenin 70 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. Pika 9.5 e Vendimit të GJK nr. 85, datë 29.05.2015

[31] Shiko I. Hoxhaj, Kontrolli Kushtetues mbi nenin 3/3 të Ligjit Nr. 48/2014, botuar në https://www.academia.edu/19015592/Kontrolli_Kushtetues_mbi_nenin_3_3_t%C3%AB_Ligjit_Nr._48_2014 (aksesi i fundit më 22.06.2019)

[32] Është korrekt transpozimi i direktivës në vende me të njëjtën traditë juridike si i yni, për shembull, Italia. Është paqësore në legjislacionin, jurisprudencën dhe doktrinën e këtyre vendeve se forma e ushtrimit të aktivitetit në shoqëri tregtare apo shoqëri të thjeshtë nuk paragjykon përfshirjen e operatorit ekonomik në nocionin e Undertaking sipas legjislacionit evropian.

[33] Gjykata e Apelit Tiranë, në vendimin e saj Nr.362, date 26.05.2016, në çështjen civile që i përket palëve ndërgjyqëse: Kërkues: Shoqëria “ABACO” shpk dhe Person i tretë: Shoqëria e Thjeshtë ‘COPRI –AKTOR’ (përfaqësuar në gjykim nga Av.Ermal Nufi), ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit me nr.224 akti, datë 16.03.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, duke pranuar kështu legjitimitetin e palës Shoqëria e Thjeshtë COPRI –AKTOR; Gjykata e Apelit Tiranë, në vendimin e saj Nr.736, datë 05.04.2016, me palë: paditës: Shoqëria “GEGA-TH” shpk; i paditur: Shoqëria e Thjeshtë ‘COPRI – AKTOR’, me objekt: “Sigurimin e padisë në vlerën e kërkuar dhe përmbushje e detyrimit kontraktor”, ka vendosur: “Lenien në fuqi te vendimit civil nr.4440, date 28.05.2015 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane”, duke pranuar kështu legjitimitetin e palës Shoqëria e Thjeshtë COPRI –AKTOR.

[34] Konkretisht, më datë 26 Mars 2012, dy ortakët kanë hartuar dhe nënshkruar Marrëveshje për Shoqëri të Thjeshtë, nënshkrime që i kanë vërtetuar më datë 06.04.2012, nga notere Adriana Solis, me shkresën nr.83 Rep.