-Me rastin e 330 vjetorit të lindjes së tij-

 

V Ë S H T R I M E   H I S T O R I K O   -   J U R I D I K E

                    

Prof. Dr. Aleksandër Dh. DHIMA

Lektor në Universitetin Europian

të Tiranës

 

Hyrje

 

            Një ndër ndihmesat e filozofit dhe mendimtarit të shquar francez, Sharl Monteskjë (1689 – 1756) në modelimin institucional të demokracive të Kohës së Re është qasja antropologjike rreth politikës, përmes analizës së ndikimit të klimës në organizimin shoqëror dhe politik. Monteskjë përpiqet të gjejë marrëdhënie shkakësore midis kushteve klimatike, si variabël i pavarur, dhe cilësive morale të qytetarëve të një shteti, ligjeve të këtij të fundit apo sistemit të qeverisjes së tij, madje edhe midis marrëdhënieve gjinore në shoqëri.

 

            Monteskjë, ndryshe nga mendimtarë të tjerë liberalë, si Loku (J. Locke), nuk i kërkon parimet e lirisë në disa ligje me natyrë hyjnore, absolute dhe universale. Ai mendon se ligjet janë produkt i rrethanave, në të cilat gjendet një shoqëri; për pasojë, shoqëritë që gjenden në rrethana të ndryshme kanë nevojë për ligje të natyrave të ndryshme. Madje, qëndrimi i Monteskjë ndaj sistemeve të qeverisjes që ndërtohen në bazë të këtyre ligjeve nënkupton edhe se liria nuk është një fryt i përshtatshëm për të gjithë njerëzit apo për të gjitha shoqëritë.

            Më poshtë do të përqëndrohemi te pikëpamjet e Monteskjë për ndikimin e e klimës në ligjvënie, si edhe për marrëdhëniet shoqërore në hartimin e ligjeve.  

 

Ndikimi i klimës në ligjvënie

 

            Për ta bërë më të qartë mendimin antropologjik të Monteskjë-së, po i referohem së pari veprës së tij “Mbi Frymën e Ligjeve” (1748) ku ai shprehet, se: “ligjet duhet të jenë në funksion të relievit të vendit, klimës, cilësisë së tokës, pozicionit dhe madhësisë së territorit, mënyrës së jetesës së popujve; ato duhet të përcaktojnë shkallën e lirisë së pranueshme prej Kushtetutës, besimit fetar të banorëve, prirjeve, pasurive, numrit të popullsisë, tregtisë, zakoneve dhe mënyrës së sjelljes së tyre; ato duhet të kenë lidhje me prejardhjen e atyre banorëve, qëllimin e ligjvënësit dhe me rendin e sendeve mbi të cilin ata ngrihen”.[1] Të gjithë këta faktorë përbëjnë atë që Monteskjë e quan “frymë e ligjeve”, duke nënkuptuar me këtë lloj determinizmi se, ligjet nuk janë një tërësi normash morale universale dhe absolute, por marrëdhënie të qëndrueshme midis elementeve ndërveprues. Kësisoj kuptohet se, në mendimin politik të Monteskjë-së, klima luan rolin e njërit prej faktorëve përcaktues të marrëdhënieve shoqërore dhe politike.

Analizën e tij për përcaktimin e “lidhjes” pozitive midis kushteve klimatike dhe organizimit shoqëror dhe politik, Monteskjë e nis me një qasje biologjike. Fillimisht, ai kërkon të zbulojë çfarë roli luan klima në tiparet e karakterit të individëve. Qëllimi i përcaktimit të kësaj “lidhjeje” është përdorimi i mëpasshëm i tipareve për të përcaktuar çfarë lloj ligjesh janë të duhura për një shoqëri apo se çfarë lloj sistemi politik i dalë prej këtyre ligjeve është i domosdoshëm për ’të. Te vepra e përmendur, Monteskjë e nis analizën me këto fjalë: “Ajri i ftohtë tkurr skajet e fibrave të jashtme të trupit tonë; kjo shton elasticitetin e tyre dhe favorizon kthimin e gjakut nga skajet në drejtim të zemrës. Përkundrazi, ajri i ngrohtë i bymen skajet e fibrave, duke i zgjatur; pra ai pakëson forcën dhe elasticitetin e tyre. Si rrjedhim, individët që jetojnë në klimat e ftohta janë më të fuqishëm”.[2]

Pikërisht këto fjali, të denja për një biolog, i shërbejnë Monteskjë-së për të përcaktuar tiparet e karakterit të individëve në kushte të ndryshme klimatike. Në këtë mënyrë, Monteskjë i mëshon mendimit, se klima e ftohtë ndikon që njerëzit të kenë karakter më luftarak, të jenë më të guximshëm, madje edhe të panënshtruar, ndërkohë që tiparet e kundërta vihen re në karakterin e njerëzve që jetojnë në kushte klimatike të nxehta. Përfundime të tilla, Monteskjë i shpreh kështu te kjo vepër: “Merrni një njeri dhe vendoseni në një mjedis të nxehtë; ai do të vuajë për shkak të mosrezistencës së zemrës së tij; dobësia që ai ndjen në këto rrethana do t’ia shkurajojë krejtësisht shpirtin; ai do të ketë frikë nga gjithçka, sepse do të ndjejë se nuk ka kurrfarë mundësie për të vepruar”.[3] Kështu, reagimi fizik i njerëzve ndaj kushteve klimatike çon edhe në ndërtime shpirtërore të ndryshme. Pikërisht, këto ndryshime shpirtërore apo të karakterit do t’i vlejnë Monteskjë-së për të përcaktuar në vijimësi logjike dhe shkakësore tiparet e “ndërtimeve” të ndryshme politike e shoqërore të njerëzve.    

            Përpara së të arrijë te tiparet e ligjeve apo të sistemit politik, Monteskjë qëndron në analizën e një shkaku të ndërmjetëm midis tipareve të karakterit dhe cilësive morale të individëve. Duke u mbështetur te lëvizshmëria, forca, rezistenca dhe të tjera tipare si këto, Monteskjë mendon se cilësitë morale mund të dallohen vetëm në vende me klimë të ftohtë, dhe si shembull merr vendet e Veriut, sidomos ato të Evropës veriore. Ai shprehet pikërisht, se: “në vendet e Veriut, një makinë e shëndetshme dhe e ndërtuar mirë, por e rëndë, i gjen kënaqësitë e saj në gjithçka që mund ta vërë mendjen në lëvizje; në klimat e Veriut do të gjeni popuj që kanë më pak vese, jo pak virtyte, shumë sinqeritet dhe çiltërsi; po të zbrisni drejt Jugut duket sikur do të largoheni prej vetë moralit: pasionet, shumë më të gjalla, shumëfishojnë krimet”.[4]

Pikërisht këtu Monteskjë bën lidhjen midis klimës së ftohtë, lëvizshmërisë hapësinore dhe cilësive morale te individët që jetojnë në Veri, ndërkohë që tiparet e kundërta vihen re nga Monteskjë ndër popujt që jetojnë në klimë të nxehtë. Prandaj, ai mendon kështu: “Temperatura, duke ndikuar trupin, ndikon njëkohësisht edhe mendjen e pasionet. Në klima të nxehta, njerëzit janë më të ndjeshëm ndaj kënaqësive dhe dhimbjeve e kështu janë më të ndrojtur e të ngathët. Në ato vende ku nxehtësia tepër e madhe acaron dhe stërmundon, prehja është aq e këndshme dhe lëvizja aq e mundimshme”.[5]

            Në këtë mënyrë, Monteskjë vëren se në vendet me klimë të nxehtë, tiparet fizike dhe ato të karakterit ndikojnë në cilësitë morale negative të individëve. Prandaj duhet thënë që cilësitë morale, sipas tij janë rrjedhojë logjike e klimës, ndërkohë që këto cilësi ndikojnë më pas edhe në sistemin e qeverisjes apo në llojin e ligjeve të përshtatshme për një shoqëri.

            Pikërisht në ligjvënie dallohet më së qarti ndikimi i klimës. Për Monteskjë-në, këtu kemi të bëjmë me një determinizëm klimatik zinxhir, ku hallka qendrore janë ligjet. Këto të fundit vendosen jo për të rregulluar apo ndryshuar karakteret njerëzore apo cilësitë e tyre morale, por për t’iu përshtatur këtyre të fundit. Ndryshe nga Platoni, Monteskjë nuk u përket atyre mendimtarëve politikë që Hajeku (F. Hayek) i quan racionalistë konstruktivistë, të cilët i perceptojnë ligjet si “prodhim të mendjes intelektuale të disa njerëzve”, të cilët, duke pretenduar të kenë njohuri më të thella mbi Drejtësinë i imponojnë pjesës tjetër të shoqërisë ligje që janë jashtë natyrës apo mendësisë shoqërore. Monteskjë, edhe në këtë pikë mbështet një determinizëm ligjvënës, duke menduar se ligjet duhet të jenë vetëm shprehje e natyrës shpirtërore të individëve që jetojnë në një shoqëri të caktuar.

Për këtë arsye, ai do të refuzonte çdo lloj modeli teorik normativ për të jetësuar një sistem ligjor universal, cilado qoftë domethënia morale e këtij të fundit. Prandaj, edhe në rastin e raportit të klimës me ligjet, Monteskjë mendon se një sistem politik ndërtohet mbi një shoqëri, tiparet “e brendshme” të së cilës janë përcaktuar nga klima, dhe jo se sistemi politik përcakton shoqërinë. Në rrjedhë të këtij mendimi, mund të përmenden fjalët e Monteskjë-së, kur ai shprehet, se: “nevojat e ndryshme në klima të ndryshme kanë ndikuar në krijimin e mënyrave të ndryshme të jetesës; mënyrat e ndryshme të jetesës kanë ndikuar në krijimin e llojeve të ndryshme të ligjeve”.[6] Edhe këtu shihet qartë rëndësia që Monteskjë i jep klimës në përcaktimin e ligjeve.

            Gjithsesi, Monteskjë nuk ndalet vetëm në përcaktimi teorik të ndikimit të klimës te ligjet, por merr edhe shembuj historikë për ta bërë më të qartë këtë ide. Një ndër rastet më tipike përbën shembulli i ligjeve që ndalojnë apo lejojnë konsumin e pijeve alkoolike. Shembulli në fjalë tregon relativizmin e këtyre ligjeve në vende të ndryshme, për shembull, në gadishullin Arabik apo në Evropë. Monteskjë thotë: ”Ligji i Muhamedit, i cili ndalon pirjen e verës, është pra një ligj i përcaktuar nga klima e Arabisë. Një ligj i tillë nuk do të ishte i mirë për vendet e ftohta, ku duket se klima detyron një lloj dehjeje të kombeve, por krejt të ndryshme nga ajo e një individi pijanec[7].

            Nga ana tjetër, te vepra “Letrat Persiane” (1721), Monteskjë shprehet me gojën e një udhëtari persian në Evropë: “Ligji ua ndalon princërve përdorimin e verës, kurse ata e pinë me kaq tepri sa i prish edhe si njerëz. Përkundrazi, përdorimi i verës u është lejuar princave të krishterë dhe nuk është vënë re që t’u ketë sjellë ndonjë të keqe”.[8] Duke u mbështetur te karakteristikat e klimës mund të thuhet se ligjet në fjalë dallojnë pikërisht nga fakti që konsumi i pijeve alkoolike në një klimë të nxehtë dëmton shëndetin, njëlloj sikundër ndihmon në aktivitetet fizike të njerëzve që jetojnë në një klimë të ftohtë. Në këtë mënyrë shprehet edhe një herë hapur determinizmi apo relativizmi ligjor i Monteskjë-së, ku si faktor përcaktues qëndron klima.

 

Marrëdhëniet shoqërore në hartimin e ligjeve

 

            Në veprat e cituara më sipër, Monteskjë analizon edhe disa marrëdhënie shoqërore, të cilat janë të përcaktuara nga ligjet, sidomos nga ato civile. Një ndër shembujt e ndikimit të klimës në këto lloje ligjesh dhe, më pas, edhe në krejt marrëdhëniet shoqërore janë ato që kanë të bëjnë me të drejtat e grave, me barazinë gjinore dhe detyrimisht edhe me ligjet që pohojnë apo mohojnë këto koncepte. Qëndrimi i Monteskjë-së edhe në këtë pikë i nënshtrohet determinizmit klimatik, duke pohuar korrelacionin se sa më e nxehtë të jetë klima e një vendi, aq më shumë ka gjasa që familja të jetë poligame dhe roli i gruas në shoqëri të jetë i nënshtruar dhe i pabarabartë me burrin.

            Për të dëshmuar këtë lloj marrëdhënieje bashkëvepruese është e udhës t’i referohemi përsëri veprës së tij “Mbi frymën e Ligjeve”. Ai e nis fillimisht analizën se si ndikon klima në anatominë njerëzore dhe, më pas, se si kjo e fundit ndikon jo thjesht në karakterin vetjak të individëve, por edhe në raportet midis burrit dhe gruas në familje, të cilat më pas mbështeten në ligje civile të miratuara për t’iu përshtatur atyre. Ja ç’thotë Monteskjë për vendet me klimë të nxehtë: ”Në klimat e nxehta, femrat e arrijnë pubertetin në moshën tetë, nëntë dhe dhjetë vjeçare; kështu, fëmijëria dhe martesa shkojnë thuajse së bashku. Ato gjenden të plakura në moshën njëzetvjeçare. Për rrjedhojë, tek ’to arsyeja nuk gjendet kurrë e shoqëruar me bukurinë. Kur bukuria kërkon pushtetin, arsyeja e refuzon atë; kur arsyeja mund ta arrinte [pushtetin], bukuria nuk është ’më. Gratë duhet të jenë në varësi, sepse arsyeja nuk mund t’u sigurojë atyre gjatë pleqërisë një pushtet që bukuria nuk ua kishte dhënë gjatë rinisë. Pra është krejt e thjeshtë se kur një burrë e braktis të shoqen, për të marrë një tjetër, do të përhapej edhe poligamia”.[9]

            Siç shihet, analiza e Monteskjë-së ka si përfundim pabarazinë gjinore dhe poligaminë, por shkaqet rrënjësore për këtë i gjen te klima e nxehtë, e cila duke ndikuar anatominë e femrës në të tilla vende, më pas ndikon edhe te marrëdhëniet pushtetmbajtëse në familje. Krejt tjetër paraqitje i bën Monteskjë rolit të femrës në shoqëritë ku klima është e ftohtë. Këtu vihen re tipare të kundërta me shoqëritë e mëparshme. Në ’to mbizotëron barazia gjinore dhe monogamia. Shkaqet i jep vetë Monteskjë gjatë rreshtat në vijim: “Në vendet me klimë të butë, ku femrat e ruajnë shumë më mirë hijeshinë e tyre dhe e arrijnë pjekjen seksuale më vonë, dhe duke qenë se ato kur martohen zotërojnë më shumë pjekuri dhe njohuri se sa meshkujt, qoftë edhe ngaqë kanë jetuar më gjatë, midis dy sekseve vendoset një lloj barazie dhe, për rrjedhojë, edhe ligji i martesës me një grua të vetme”.[10] Kështu, klima e butë, duke e përcaktuar krejtësisht - sipas tij - anatominë femërore, plotëson kushtin fizik të ekzistencës së barazisë gjinore dhe të monogamisë. Në këtë mënyrë, Monteskjë jep arsyet se pse në vende si ato të Azisë Perëndimore, ligji i përshtatet shoqërisë, duke lejuar poligaminë dhe pabarazinë gjinore, ndërkohë që në Evropë, të paktën në mendjen e Monteskjë-së, pa qenë krejtësisht të sigurt për vërtetësinë historike të këtij pohimi, ligji përcakton monogaminë dhe barazinë gjinore në familje.    

            Në fund të përcaktimit “klimatik” të ligjeve civile, Monteskjë bën analizën e përshtatshmërisë së klimës me sistemet e qeverisjes. Madje, për ta bërë lidhjen e tyre me marrëdhëniet gjinore, Monteskjë shprehet, se: “kur klima kërkon sundimin e burrit mbi gruan, forma më e mirë qeverisëse është ajo përmes sundimit të një individi të vetëm”.[11] Ose përndryshe, ai shprehet: “Te popujt më të qytetëruar, gratë kanë pasur gjithmonë pushtet mbi burrat”.[12]    

            Por cilat janë shkaqet rrënjësore të këtij korrelacioni pozitiv midis klimës së nxehtë dhe sistemeve shtypëse të qeverisjes? Për ta përcaktuar më qartë këtë duhet përmendur shkurtimisht klasifikimi që u bën Monteskjë sistemeve të qeverisjes. Për të, sistemet e qeverisjes ndahen në tre lloje, të cilat janë republika, me dy nënndarjet e veta (aristokracinë dhe demokracinë), monarkia dhe despotizmi. Monteskjë mendon se të përputhshme me lirinë janë vetëm sistemet republikane dhe monarkia. Këto të fundit - ndryshe nga despotizmi, që mbështetet në parimin e frikës - mbështeten në parime që ndikojnë te liria, si për shembull virtyti dhe nderi.

            Gjithsesi, ndihmesa më e qartë e Monteskjë-së qëndron në analizën e despotizmit dhe gjetjen e një korrelacioni pozitiv midis tij dhe një shoqërie që jeton në një klimë të nxehtë. Pikërisht te parimi i frikës, mbi të cilin ngrihet despotizmi, Monteskjë vëren ndikimin kryesor të klimës. Ai mendon se klima e nxehtë, duke zbehur guximin te qytetarët, këta të fundit i bën krejtësisht të pafuqishëm dhe të frikësuar ndaj despotit. Nga ana tjetër, klima e nxehtë ndikon edhe në karakterin e plogësht të popullsisë, karakter i cili është “ndihmësi” më i mirë i despotizmit. Prandaj Monteskjë shprehet: “Robëria fillon gjithnjë nëpërmjet gjumit. Por një popull, i cili nuk prehet kurrë në asnjë lloj gjendjeje, i cili mat pa reshtur pulsin e vetvetes duke kuptuar gjithnjë se ku i dhemb, kurrë nuk mund të bjerë në gjumë”.[13] Në këtë mënyrë, karakteri aktiv i individëve i bën këta qytetarë të virtytshëm të mos durojnë dot asnjë lloj nënshtrimi, ndërkohë që qytetarët e një regjimi despotik janë të nënshtruar pikërisht sepse karakteri i tyre është “sa i plogët, aq edhe i frikësuar”.

            Analiza e Monteskjë-së rreth ndikimit të klimës sistemin e qeverisjes tregohet edhe në pranimin që ai i bën skllavërisë në vendet me klimë të nxehtë. Siç u vu re edhe më lart, Monteskjë mendon që ligji, madje edhe sasia e lirisë që lejon ligji, nuk janë urdhëresa morale absolute, por rregulla që i përshtaten natyrës njerëzore, e cila është e përcaktueshme nga klima. Prandaj ai shprehet, se: “ka vende ku nxehtësia e tërbon trupin dhe dobëson aq shumë guximin sa që njerëzit mund të detyrohen të punojnë vetëm përmes frikës së ndëshkimit; pra, skllavëria e trondit më pak arsyen; dhe kur skllavopronari është po aq i frikësuar ndaj princit të tij sa ç’është edhe skllavi përkundrejt atij vetë, atëherë skllavëria civile shoqërohet me skllavërinë politike”. Në këtë mënyrë, në vende të tilla, vetë klima e përcakton skllavërinë si të domosdoshme, “nëse duhet që shoqëria të prodhojë të mira jetese”.[14] Ndërkohë që Monteskjë nuk lë pa përmendur edhe faktin që në një shoqëri të tillë të gjithë janë skllevër, pasi edhe skllavopronari nuk gëzon asnjë të drejtë përpara princit. Prandaj - sipas tij - mund të thuhet se në një sistem të tillë, të mbështetur krejtësisht te frika, klima e nxehtë i siguron një sistemi të tillë shtypës qytetarë “idealë”.

 

Përfundime

    

            Mund të thuhet se mendimi politik i Monteskjë-së përbëhet nga pjesë të rëndësishme antropologjike, ku vendin kryesor e luan roli i klimës në organizimin e shoqërisë. Ky rol vihet re në mënyrë të qartë në llojet e ndryshme të ligjeve që janë të përshtatshme për shoqëri të ndryshme dhe në sistemin e qeverisjes që u përshtatet këtyre shoqërive. Por, nuk duhet harruar se, këto janë përfundime të një zinxhiri faktorësh që nisin nga klima, por që ndërmjetësohen nga tiparet e karakterit të njerëzve që jetojnë nën ndikimin e klimës dhe nga cilësitë morale të tyre.

            Monteskjë, duke u mbështetur te një determinizëm klimatik i fortë, i heq ligjvënies dhe ndërtimit politik të shoqërisë në përgjithësi çdo formë voluntarizmi krijues “prej hiçi”, që do të përpiqej ta nënshtronte natyrën e shoqërisë përkundër projekteve të lira ligjvënëse. Pra, paracaktueshmëria klimatike ndikon pashmangshmërisht - sipas tij - në karakterin politik dhe ligjor të shoqërisë.

-------------------------------------------------------

 

Literatura:

 

-          Balandrier, Georges, Political Anthropology, “Pantheon”, New York 1971

-          Cohen, Ronald & John Middleton (eds.), Comparative Political Systems, ‘Natural History Press’, Garden City-NY 1967

-          Dhima, Aleksandër, Sistemet politiko-ligjore në këndvështrimin antropologjik, revista ‘Justicia’ (Tiranë), vol. 1 (2008)

-          Dhima, Aleksandër, Hyrje në Antropologji, ‘Ideart’, Tiranë 2016 (botim i 3 i

ripunuar)

-          Foucault, Michel, Discipline and Punish; The Birth of Prison, ‘Vintages University Press’, New York 1979

-          Hayek, Friedrich August (von), Udha drejt skllavërisë, ‘Toena’, Tiranë 2003

-          Hobes, Thomas, Leviathani, ‘Dita’, Tiranë 2001; origjinali: Leviathan, 1651

-          Hoebel, Adamson E., The Law of Primitive Man, ‘Harvard University Press’,

Cambridge-MA 1954

-          Locke, John, Letër për tolerimin, ‘Dita’, Tiranë 2002; origjinali: A Letter Concerning Toleration, 1689

-          Montesquieu, Charles, De l’esprit des lois, ‘Garnier’, Paris 1973; origjinali: 1748; botimi shqip: Mbi  frymën e ligjeve. ‘Luarasi’, Tiranë 2000

-          Id. Lettres perses, ‘Revue française d’histoire du livre’ (Paris) vol. 102-103 (1999); origjinali: 1721; botimi anglisht: Persian Letters, ‘Penguin Books’, Harmondsworth 1973; botimi shqip: Letra persiane. ‘Mësonjëtorja e Parë’, Tiranë 2000

-          Pospisil, Leopold, Anthropology of Law; A Comparative Theory, ‘Harper and Row’, New York 1971

 

 

 

The spirit of Laws

           

 



[1] Ch. Montesquieu, Mbi frymën e ligjeve, fq. 15

[2] Id., De lesprit des lois, fq. 320

[3] Id., ibid., f. 323

[4] Id., ibid., po aty

[5] Id., ibid., f. 326

[6] Ch. Montesquieu, De lesprit des lois, fq. 320

[7] Id., ibid., fq. 329

[8] Id., Lettres perses, fq. 64

[9] Id., De lesprit des lois, fq. 362

[10] Id., ibid., po aty

[11] Id., ibid., fq. 368

[12] Id. Lettres perses, fq. 74.

[13] Id., De lesprit des lois, fq. 335

[14] Id., idem, fq. 345