DUKE KUJTUAR DISA HAPA PRAKTIKË

PËR MENAXHIMIN E ÇËSHTJEVE GJYQËSORE

 

Prej kohësh administrimi i drejtësisë është parë gjithnjë e më shumë kudo në botën e civilizuar si një mjet për arritjen e standardeve në efektivitetin, efiçencën dhe cilësinë e dhënies së drejtësisë, si edhe për rritjen e besimit të publikut te drejtësia. Kjo optikë është aktuale sidomos në Shqipëri, kur po kryhet një reformë e thellë e konceptuar në 7 shtylla themelore, që të mara së bashku shërbyen si bazë për ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 dhe të një pakete të gjerë ligjesh, zbatimi i të të cilave bën të mundur aplikimin sa më të plotë të kësaj reforme.

 

Në këtë kuadër, Dhoma e Avokatisë Shqiptare në bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm ka zhvilluar herë pas here trajnime të avokatëve për menaxhimin më të mirë të kohës për aspekte të ndryshme të procedurave, me ndikim në rritjen e efektivitetit të gjykimit. Për shembull, vetëm gjatë muajit Dhjetor të vitit që lamë pas u organizuan 2 trajnime të tilla, në njërin prej të cilëve u trajtuan çështje të tilla, si: rivendosja në afat në procesin gjyqësor civil; efikasiteti dhe përshpejtimi i procedimeve; gjykimi rishikues në gjykatën e Apelit pas ndryshimeve të Kodit të Procedurës Civile të vitit 2017 etj.

Por, përveç formave të trajnimit vazhdues, nuk mund të lihen jashtë vëmendjes përpunimi dhe vënia në jetë e disa sistemeve të tjera efektive të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, të cilat vlerësohet se mund të prodhojnë rezultate të mira për rritjen e cilësisë në dhënien e drejtësisë, në funksion të një procesi të rregullt ligjor dhe garantimit të të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, që përbëjnë premisa kryesore të shtetit të së drejtës. Këto sisteme percaktohen apo ravijëzohen fare qartë nga filozofia praktike në sugjerimin për të përdorur kapacitetet e qenësishme të të gjithë aktorëve që marrin pjesë në procesin gjyqësor, kur rregullat administrative për këto procese dhe funksionet e gjykatës nuk janë ekskluzivisht kompetencë e legjislacionit apo e ndonjë organi tjetër.

            Konkretisht, le t’u hedhim më poshtë një vështrim të shpejtë disa prej hapave praktikë në zhvillimin e seancave, që mund të çojnë gjithashtu në menaxhimin proaktiv të çështjeve gjyqësore, dhe të cilat ia vlen të përmenden apo të kujtohen në këtë kohë prtshmërie kulturash dhe nënkulturash garantiste.   

Së pari, të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë (përfshirë avokatët, ekspertët etj.) është e domosdoshme të bëjnë një ndryshim thelbësor në mënyrën se si i konsiderojnë seancat. Këto nuk duhet të shihen si qëllime në vetvete. Përkundrazi, të gjithë duhet të kuptojmë që seancat gjyqësore janë mjete për t’u përdorur vetëm kur nevojiten për zgjidhjen e shpejtë dhe të efektshme të mosmarrëveshjes në fjalë. Nëse me të vërtetë duhet të zhvillohet një seancë gjyqësore, atëherë duhet ta caktohet apo planifikohet një e tillë. Pra, me caktimin e një seance duhet të caktohen qartë edhe qëllimet për mbajtjen e kësaj seance, arsyet pse duhet të mblidhen të gjithë në sallën e gjyqit.

Për t’u siguruar që çdo seancë e planifikuar do të jetë një seancë e dobishme, të gjithë duhet të kuptojmë qartë edhe punën që e paraprin ditën e seancës. Duhet të vendosen afate kohore të arsyeshme për të mundësuar edhe veprimtarinë që duhet realizuar jashtë gjykatës, sepse njerëzit mund të mbështeten mbi këto afate dhe të krijojnë edhe pritshmëritë e tyre sipas këtyre afateve. Më pas, këto duhet të respektohen.

Qëllimi i vendosjes së afateve kohore të arsyeshme për të realizuar detyrat jashtë gjykatës (pra, për punën para seancës) është që të ndryshohet kultura e rrënjosur prej një kohe të gjatë te disa prej aktorëve të këtij sistemi: ardhja në gjykatë vetëm për ta shtyrë seancën (shtyrje që ndikon te gjithë të tjerët), vetëm për të kryer atë punë që në fakt duhet të ishte përfunduar para ditës së seancës. Gjyqtarët nuk duhet të tolerojnë më persona që paraqiten në seancë vetëm të kërkojnë shtyrje, sepse nuk e kanë bërë punën e tyre brenda afatit të caktuar. 

      Së dyti, planifikimi i një seance nuk duhet të konsiderohet  si diçka e zakonshme. Pra,

gjyqtarët duhet ta përdorin praktikën e shtyrjes së seancës jo sepse një apo më shumë avokatë e kërkojnë një gjë të tillë, por vetëm nëse gjykatës i paraqitet një arsye vërtet e arsyeshme për shtyrje. Kjo do të thotë, për shembull, që avokatët nuk do të munden më që të bien dakord mes tyre për të kërkuar shtyrjen e seancës.

Kjo ka një rëndësi të veçantë për uljen e ndjeshme të numrit të seancave. Fakti që avokati ka rezervuar në të njëjtën kohë edhe një obligim tjetër, pasi ka rënë dakord për datën e seancës në gjykatë, padyshim që ka shumë mundësi të mos konsiderohet arsye e bazuar për shtyrjen e saj dhe as justifikim për të mos u paraqitur në seancë. Gjykata është arbitri që do të vendosë nëse seanca do të shtyhet. Domethënë, avokatët, ekspertët ose aktorët e tjerë në gjykim nuk mund ta shtyjnë punën që duhet të bëjnë, me mendimin se e kanë gjithmonë mundësinë për ta shtyrë seancën.

Tek e fundit, kërkesat e arsyeshme të gjykatës duhen respektuar dhe kjo gjë duhet të pranohet nga institucionet publike e private, nga të gjitha palët në një proces. Kjo jo për shkakun se gjykata ka fuqinë të lëshojë urdhra, por sepse të gjitha palët, edhe ato që përfaqësohen prej avokatëve, nga mundësitë e gjykatës varen për një dhënie të shpejtë, efektive dhe të ndershme të drejtësisë, si edhe dhe të gjithë ata që përfitojmë nëse gjykata jep drejtësi me cilësi të lartë. Për ta bërë këtë në mënyrë efikase, tërë aktorët në procesin e gjykimit duhet të respektojnë kërkesat e saj të arsyeshme për bashkëpunim administrativ.

Së treti, në marrëdhëniet me gjykatën, të gjithë aktorët e përfshirë duhet të sillen me ndershmëri, përgjegjësi dhe mirësjellje, pavarësisht se cilët janë ata dhe kë përfaqësojnë. Kjo është një përpjekje për të garantuar që të gjithë të trajtohen me respekt për kohën e shpenzuar dhe për cilësinë e drejtësisë, e cila administrohet në një sistem të përbërë nga aktorë që varen në mënyrë të ndërsjellë nga njëri - tjetri. Aq më tepër kur në radhën e këtyre aktorëve bëhet fjalë për avokatin, i cili vlerësohet se promovon funksionimin efektiv të sistemit gjyqësor dhe të një gardiani të integritetit dhe etikës në procesin e dhënies së drejtësisë.   Një status i tillë ka të bëjë me kërkesën më të madhe për integritet në marrëdhëniet me gjykatën dhe proceset e saj.

Së katërti, duke qënë se për plotësimin e kësaj kërkese rritet edhe përgjegjshmëria e Dhomës së Avokatisë Shqiptare, ky Institucion ka të drejtën që t’u kërkojë gjykatave për ta informuar atë periodikisht dhe në vazhdimësi mbi rastet kur avokatë të caktuar, në mënyrë të pajustifikuar mungojne në seanca gjyqësore, duke ndikuar kështu në shtyrjen e këtyre seancave dhe vënien në pikëpyetje të plotësimit të afateve ligjore për përfundimin e proceseve gjyqësore. Por është edhe obligimi i gjykatave për ta vënë në dijeni Dhomën e Avokatisë Shqiptare, që nëpërmjet Komisionit të Disiplinës (si organ i brendshëm i saj) të marrë mbi vete përgjegjshmërinë për të kryer hetime administrative në drejtim të veprimtarisë së anëtarë të përvetshëm të komunitetit të avokatëve, si edhe të marrë masa disiplinore ndaj tyre, deri në heqjen e liçencës për ushtrimin e profesionit ligjor të mbrojtësit.       

Çka u përmend më lart është vetëm një pjesë e hapave që mund të ndërmerren për menaxhimin aktiv të çështjeve përkatëse, në funksion të efiçencës së sistemit të drejtësisë. Të gjitha këto mund të aplikohen apo zbatohen me sukses, sigurisht brenda kornizave ekzistuese procedurale, duke shfrytëzuar hapësirat e lejuara prej kësaj kornize. Por, si për çdo reformë tjetër, edhe për këtë në drejtësi është vullneti i aktorëve të përfshirë, të cilët që te hedhja e hapave praktikë të tregojnë veprime proaktive për menaxhimin me sukses të proceseve gjyqësore.