KU U MBËSHTET JURIDIKISHT PEZULLIMI I VEPRIMTARISË SË ORGANEVE GJYQËSORE GJATË LUFTËS KUNDËR VIRUSIT TË RI KORONAR?

 

Përhapja në dimensione të gjera e virusit COVID – 19 ka shkaktuar që prej disa muajsh një krizë dramatike të rrafshit global në fushat e shëndetësisë publike, ekonomike dhe sociale, kur kontinenti ynë është ndër më të goditurit. Në këto kushte të urgjencës publike, çdo shtet Evropian ka pasur jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë të vendosë masa rreptësisht kufizuese në jetën e përditshme, të cilat tejkalojnë edhe disa parashikime të Konvetës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

 

Ashtu siç është deklaruar këto këto kohë gjithashtu nga instancat drejtuese të Këshillit të Evropës, vetë parimi themelor i proporcionalitetit marxhinon veprimet e ndërmara përmes testimit të asaj që “kërkohet rreptësisht nga shpërthimi i virusit”, por pa injoruar garancitë e përshtatshme që mbron Neni 15 i kësaj Konvente për derogimet gjatë emergjencave civile, në mënyrë që të mos krijohen rreziqe serioze të cënimit të vlerave demokratike dhe të sundimit të ligjit.

Pra, fjala është për ruajtjen e disa vektorëve thelbësorë të shtetit të së drejtës, si ligjshmëria, mbikqyrja efektive parlamentare dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor, që konsiderohen se mund dhe duhet të lëvizin edhe gjatë periudhës së një gjendjeje të jashtëzakonshme. Kjo vlerësohet si një çështje e parimeve demokratike, si edhe një platformë e domosdoshme për besimin e njerëzve te drejtuesit, pa të cilat çështje, masat e nevojshme për ashpërsinë e tyre nuk do të zbatoheshin me sukses.

Edhe në Shqipëri u përhap në mënyrë shqetësuese virusi koronar i ri dhe i pa njohur më parë nga e gjithë bota. Por masat e shpejta dhe drastike të ndërmara këtu, fillimisht me nxjerrjen e një Urdhëri të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nr. 156/2, datë 11.3.2020, “Për shpalljen e gjendjes së epidemisë nga infeksioni COVID – 19” (në të njëjtën ditë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësonte pandemi situatën e rënduar globale nga frekuenca e këtij virusi) dhe veçanërisht pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 243, datë 24.3.2020, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, mund të thuhet pa e tepruar aspak se, brenda pak javësh u vunë nën kontroll efektet shqetësuese të situatës shëndetësore.

Në këtë kuadër, që me hyrjen menjëherë në fuqi të Urdhërit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmendur më lart, praktikisht u pezulluan në përgjithësi edhe afatet në veprimtarinë e të gjitha organeve gjyqësore, duke paralizuar (qoftë përkohësisht dhe pjesërisht) edhe aktivitetin e avokatëve në mbrojtje të të drejtave të klientëve të tyre. Mirëpo, ku u mbështet juridikisht kjo masë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje ndoshta është e nevojshme që t’i thërrasim kujtesës apo më mirë të hedhim vështrimin te kërkesat që shtrojnë disa dispozita konventore dhe kushtetuese, si edhe vendime interpretuese për një kategori aktesh normative.

Më 31 Mars 2020, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës informoi instancat drejtuese të këtij të fundit, nëpërmjet një Note Verbale, se zbatimi i masave të ndërmara nga Qeveria jonë, në përputhje me Nenin 15 të Konventës jep arsye për domosdoshmërinë e shmangies nga Republika e Shqipërisë të obligimevve të parashikuara në Nenet 8 dhe 11 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirisë Themelore dhe në disa Nene të dy Protokolleve të Saj. Mirëpo, nuk përmendet derogimi nga Neni 6 i kësaj Konvente, i cili parashikon veç të tjerash, se: “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme...” Ndërkohë që ky derogimi faktik buron drejtpërdrejtë prej Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 9/2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore…”, teksti i të cilit nuk duket as të jetë vënë në dispozicion të Sekretariatit të Përgjithshëm të KiE. 
Gjithashtu, vlen të diskutohet, se publikimi dhe hyrja e menjëhershme në fuqi e këtij Akti një ditë pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 243, datë 24.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore"nuk mund të argumentohej, deri diku, veçse me nevojën dhe urgjencën e kërkuar nga neni 101 i Kushtetutës. Por lidhja në Aktin Normativ e kohëzgjatjes së masave me gjendjen e epidemisë, që u shpall më herët me Urdhërin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vështirë se gjen justifikim bindës. Sepse, ndonëse Akti Normativ nuk referon te Urdhëri i mësipërm, mjafton vendosja që në titullin e tij të fjalëve  …gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë” që të çojë te akti me të cilën është shpallur kjo gjendje. E pra, as veprimtaria gjyqësore në tërësi dhe as ngrirja e afateve të kodeve nuk varen nga një urdhër ministror, që madje edhe brenda vetë familjes së akteve nënligjore nuk gëzon pozicion primar. Që këtej vihen në pikëpyetje disa parime themelore të KEDNJ dhe të Kushtetutëa së Republikës së Shqipërisë për ndarjen e pushteteve, hierarkinë e normave, sigurinë juridike etj.

Nëse kohëzgjatja e masave të veçanta do të lidhej jo me gjendjen e epidemisë, por me atë të fatkeqësisë natyrore, për të cilën, sipas nenit 174 të Kushtetutës:: ”Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë”, dhe kur koha në kuadër të këtij afati do të mbetej e pasigurt, më mirë do të ishte që së paku kjo të zgjatej nga Kuvendi, i cili ka ekskluzivitet expresis verdi. Megjithatë, nuk do të ishte e tepërt që të shfletohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nr. 24/2006, i cili interpreton nenin 101 të Kushtetutës dhe që ndalet te elementet e duhura në situata të tilla.

Ndërsa, me interes do të ishte edhe shfletimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 5/2014, që e ka ndaluar shprehimisht ndërhyrjen me akt normativ me fuqinë e ligjit te të gjitha ato ligje, të cilat, neni 83/3 i Kushtetutës nuk lejon shqyrtimin me procedurë parlamentare të përshpejtuar. Pra, të atyre ligjeve që miratohen me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, midis të cilëve, neni 81/2 i Kushtetutës rendit që në krye ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe, më pas, brenda asaj liste edhe kodet dhe disa ligjeve të tjera të veçanta. Ndonëse Akti Normativ nr. 9, datë 25.3.2020 nuk i amendonte dhe nuk i shfuqizonte ato ligje - përveç disa plotësimeve ende të diskutueshme në dy kode - ndërhyrja te veprimtaria që rregullojnë këto ligje, si edhe te pasojat praktike të ngjashme apo të njëjta, sidoqoftë ngrenë shqetësime kushtetutshmërie rreth Aktit Normativ dhe ligjit që e miratoi atë.

Në dritën e këtij Vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e vetmja mbrojtje për Aktin Normativ, të përmendur më sipër, do të ishte fakti se me anën e tij jo vetëm që nuk do të amendoheshin dhe nuk do të shfuqizoheshin ligjet e tjera, por edhe që ndërhyrjet e këtij Akti duhej të ishin të përkohëshme dhe të lidhur me gjendjen e fatkeqësisë natyrore (një bazë kjo më serioze dhe më justifikuese se sa gjendja e epidemisë e shpallur me urdhër ministror). Ndërkohë që kjo do të peshonte apo balanconte parimet kushtetuese me mundësinë e ndërhyrjeve rreth tyre, duke vënë re se cila nga këto prevalon në rrethanat konkrete.    

Pra, në këtë prizëm është e domosdoshme të vazhdojë lufta kundër virusit COVID – 19, duke zbatuar masat mbrojtëse të përcaktuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe nga legjislacioni i miratuar dhe i zbatuar në frymën dhe zbatimin e tyre. Njëkohësisht, të sigurohen ekuilibrat, që të funksionojë në masën maksimale të mundur demokracia pluraliste e qeverisur nga sundimi i ligjit, duke respektuar autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe pavarësinë e Gjyqësorit të saj, si edhe strukturat kombëtare të të drejtave të njeriut. Kështu vlerësohet të bëhet kapërcimi sa më parë i krizës aktuale në vendin tonë dhe në vendet e tjera evropiane, pa braktisur vlerat që na bashkojnë.