Durim BERISHA

Universiteti “Heinrich Heine”,

Düsseldorf (Gjermani)

Hyrje

Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës është rrjedhojë e ndikimit të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët përpos rolit aktiv që kishin gjatë procesit të draftimit të dokumentit kushtetues,[1] po ashtu kishin kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës përmes zbatimit të njëanshëm të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin Final të Kosovës, dokument që u propozua nga Maarti Ahtisaari pas procesit të dështuar negociator në Vjenë dhe që nuk u aprovua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, por në të cilin ishin ankoruar parimet themeltare dhe struktura e rendit kushtetues të Kosovës së pavarur.[2] Obligimet e zbatimit të plotë të asaj që në Kosovë njihet si “Plani i Ahtisaarit” apo “Pakoja e Ahtisaarit” e të cilit autori në vijim do t’i referohet me emërtimin ‘propozimi gjithëpërfshirës’, janë marrë përsipër përmes Deklaratës së Pavarësisë.[3] Këtij dokumenti i është njohur kësisoj epërsia mbi Dokumentin Kushtetues të Kosovës dhe, pavarësisht abrogimit të nenit 143 të Ligjit Themelor të këtij shteti, i cili po ashtu shprehimisht përcaktonte supremacinë e propozimit gjithëpërfshirës, statusi i këtij dokumenti në hierarkinë e normave ngelet i paprekur.

 

Neni 2 i Aneksit II të propozimit gjithëpërfshirës parasheh zbatimin e drejtpërdrejtë të instrumenteve për mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave themelore.[4] Ndër to, edhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore[5]dhe protokolleve të saj. Mirëpo, për dallim nga dokumentet e tjera të përcaktuara në propozimin gjithëpërfshirës, hartuesit e kushtetutës i dhanë një rëndësi të veçantë KEDNJ përmes nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton, se: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.[6]

Një rol të veçantë në jetësimin e Kushtetutës dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore në Kosovë është konsideruar se duhet ta ketë Gjykata Kushtetuese, e cila u themelua si organ i veçantë kushtetues për të shërbyer si autoritet përfundimtar i interpretimit të Kushtetutës dhe përputhshmërisë me ‘të të ligjeve. Përbërja e saj do të pasqyronte përfaqësim të kombinuar në mes të gjyqtarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Ndërsa, edhe numri i gjyqtarëve vendorë do të pasqyronte përbërjen e shoqërisë kosovare si shoqëri shumetnike.

Mirëpo, dekada e parë e gjyqësisë kushtetuese në Kosovë ka dëshmuar se, nën ndikimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka interpretuar në mënyrë ekstensive nenin 53 të Kushtetutës, duke e shtrirë kuptimin e normës jo vetëm në raport me interpretimin e lirive dhe e të drejtave themelore, por duke e konsideruar si detyruese orientimin e punës së vet në harmoni me GJEDNJ në të gjitha vendimet e saj.[7] Se cili ka qenë efekti i kësaj qasje në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, autori synon t’i përgjigjet në vijim.

 

Zhbërja e Kushtetutës përmes një akti nënligjor

dhe ushtrimi i kompetencave legjislative

nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës

 

Sistemi kushtetues i Republikës së Kosovës ndër të tjera bazohet edhe në rregullin e ndarjes të pushteteve.[8] Nisur nga fakti se sistemi kushtetues i Kosovës nuk është rrjedhojë e një zhvillimi vetanak, pra i një procesi historik-kushtetues, por konsiderohet nga ato rastet e transplantimit të së drejtës,[9]e qartë është se pushtetet ushtrohen nga organe të veçanta që janë të autorizuara të ushtrojnë kompetenca të caktuara. Mirëpo, duke marrë parasysh se legjislacioni në Kosovë është hartuar nën ndikimin e fondacioneve të ndryshme, ka rezultuar me ngatërrim konceptesh mes sistemit evropian-kontinental dhe sistemit anglo-sakson. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e Kosovës është goditur edhe nga elementi i tretë, që është futur nën ndikimin e gjyqtarëve dhe këshilltarëve ndërkombëtar, të cilët në nëntë vitet e para ishin pjesë e saj, dhe të cilët - duke u bazuar në strukturën, organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut - e shndërruan gjykatën de facto një organ ligjdhënës.[10] Nuk bëhet fjalë për konceptin e gjykatave kushtetuese si ligjdhënës pozitiv[11] apo ligjdhënës negativ,[12] por për ushtrim faktik të kompetencave ligjdhënëse, duke nxjerrë akte juridike me efekt juridik përtej aspektit organizativ dhe funksionimit të brendshëm të saj, pavarësisht se një kompetencë e tillë nuk i njihet Gjykatës as në Kushtetutë dhe as në ligjin organik.

Ligji ia njeh Gjykatës të drejtën që përmes Rregullores së Punës të përcaktojë organizimin e vet të brendshëm, proceset e vendimmarrjes dhe çështje të tjera organizative. Mirëpo, të gjitha këto duhet të jenë në pajtim me ligjin.[13] Për më tepër, autorizimet që ia njeh ligji nënkuptojnë strukturimin dhe funksionimin administrativ, rregullimin e procedurave të vendimmarrjes në kuptim të afateve të brendshme për procedim të shkresave përkitazi me rastet në shqyrtim, sikurse mund të shohim në rastin e Gjykatës Federale Kushtetuese Gjermane.[14]

Përderisa shembulli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është në kundërshtim jo vetëm me rregullin e ndarjes së pushteteve, por edhe me parimet themelore të së drejtës, konkretisht me hierarkinë e normave juridike, sipas të cilës normat janë të renditura në një formë piramidale dhe burojnë nga njëra tjera. Ndërsa aktet nënligjore janë norma juridike që nxirren për të zbatuar të drejtën, jo për ta krijuar atë. Në rastin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vërejmë se ky organ ka miratuar Rregulloren e saj të Punës[15]që, përpos çështjeve të organizimit të brendshëm, jo vetëm që ka tejkaluar kornizën ligjore të përcaktuar, por ka rezultuar edhe me ndryshim faktik të Kushtetutës së Kosovës.

Kjo arsyetohet me faktin se neni 113, paragrafi 1, i Kushtetutës së Kosovës përcakton që Gjykata detyrohet të pranojë për shqyrtim të gjitha rastet e ngritura nga pala e autorizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në Kreun III (nenet 29-54) ka përcaktuar hollësisht procedurën e parashtrimit dhe kriteret e pranueshmërisë së kërkesave kushtetuese në të gjitha llojet e procedurave, për zhvillimin e të cilave është kompetente Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, përmes Rregullores së Punës (më herët në neni 36, ndërsa tani në nenin 39), Gjykata Kushtetuese ka paraparë kritere të tjera që nuk parashikohen as në Kushtetutë, as në ligj. Ajo nuk ka nxjerrë një akt brenda kornizës së përcaktuar ligjore dhe për zbatim të ligjit. Përmes Rregullores, ajo jo vetëm që e ka amendamentuar Kushtetutën, por e ka zhvlerësuar atë dhe ligjin organik, duke përcaktuar kritere të tjera të pranueshmërisë dhe afateve për vendosje rreth kërkesave. Pikërisht mbi bazën e këtyre rregullave ka rezultuar refuzimi mbi baza procedurale i pothuajse të gjitha kërkesave që dorëzohen në Gjykatë.

Gjykata ka ushtruar kompetenca ligjdhënëse, duke konsideruar se GJEDNJ po ashtu i ka paraparë në rregulloren e saj kriteret e pranueshmërisë. Por, duke e harruar faktin se GJEDNJ nuk është organ shtetëror dhe nuk ka përballë vetes një organ legjislativ, që të jetë i ngarkuar ekskluzivisht me kompetenca ligjdhënëse. Për më tepër, detyrë e ligjdhënësit është që të përcaktojë të drejtat dhe detyrimet për shtetasit, kurse është detyrë e gjykatave që të zbatojë ato ligje që nxirren apo miratohen nga Legjislativi. Pra, gjykatat vendosin mbi të drejtat dhe detyrimet në përputhje me kornizën e vënë nga ligjdhënësi, por nuk e krijojnë atë.[16]

 

Interpretimi i Kushtetutës me vendime të tjera përveç aktgjykimeve

 

Në teorinë dhe praktikën kushtetuese është i njohur fakti se gjykatat kushtetuese përmes vendimeve të saj, gjatë shqyrtimit të meritave të një kërkese/ankese kushtetuese, interpretojnë kushtetutën. Për dallim nga ankesat individuale kushtetuese të cilat parashtrohen nga personat fizikë apo juridikë (privatë), në të cilat efekti juridik i vendimeve shtrihet vetëm ndaj palëve të përfshira në procedurë (inter partes), vendimet përkitazi me kontrollin kushtetues të ligjeve zgjerohen me efekt të përgjithshëm në tërë rendin juridik (erga omnes).

Pavarësisht këtyre parimeve të njohura, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në një vendim që trajtonte kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme, ishte lëshuar në interpretimin e nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës.[17] Duke marrë parasysh se gjyqtarët kushtetues në Kosovë nuk kishin ndonjë përgatitje të specializuar mbi gjykimin kushtetues, i diskutueshëm është fakti nëse ata kanë qenë të vetëdijshëm që përmes vendimeve, përkitazi me shqyrtimin e një kërkese për vendosjen e masave të përkohshme, nuk mund të interpretohet Kushtetuta. Ky shqetësim është edhe më i bazuar, kur konsiderohet se kjo Gjykatë i ka konsideruar të vendosura në merita edhe çështjet për të cilat kishte nxjerrë aktvendim për papranueshmëri. Pra, edhe atëherë kur ajo ka refuzuar të shqyrtojë meritat e një kërkese.[18]

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konsideruar të interpretuar nenin 53 të Kushtetutës përmes në vendimi për masë të përkohshme, i cili në fakt as që ka ngritur çështjet e zbatimit të KEDNJ në ato lloj procedura. Sepse vendosja e masave të përkohshme ndaj akteve të autoriteteve publike është paraparë me nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Pas këtij vendimi, Gjykata e ka konsideruar si të mirëqenë faktin se ajo e zbaton praktikën e GJEDNJ edhe në procedura të tjera, përpos në raport me interpretimin e lirive dhe të drejtave themelore.

Kjo vjen në dukje në kërkesën e parashtruar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, të cilët kishin kontestuar në vitin 2016 kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit për President të Republikës së Kosovës. Pavarësisht se bëhej fjalë për një procedurë kushtetuese, që cila nuk parashtrohej nga një individ, por nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, Gjykata e refuzoi kërkesën mbi baza procedurale, duke u bazuar në rregullin 36 (formulimi i vjetër i Rregullores së Punës), që përcaktonte se Gjykata mund të shpallë të papranueshme kërkesa që ajo i konsideron si “qartazi të pabazuara”. Është fakt i njohur se ky kriter, përmes të cilit shpallen të papranueshme pothuajse të gjitha kërkesat e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, është përfshirë në Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese, duke u bazuar në të njëjtin kriter që përdor GJEDNJ. Mirëpo, për dallim nga GJEDNJ, e cila është Gjykatë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe që shqyrton vetëm kërkesa të ngritura nga individët për shkelje të pretenduar të lirive dhe të të drejtave themelore prej autoriteteve publike, dhe e cila po ashtu është e stërngarkuar në krahasim me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ku brenda vitit dorëzohen rreth 200 kërkesa kushtetuese të të gjitha llojeve të procedurave, kjo e fundit është Gjykatë nacionale kushtetuese, e cila shqyrton disa lloje të kërkesave që ngrihen para saj.

Është evidente se ky “kriter i pranueshmërisë”, që në praktikën e GJKK ka rezultuar të nënkuptohet si kriter i papranueshmërisë, është zbatuar edhe në rastet e kontrollit incidental,[19] ose në rastet e kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë së ligjeve.[20] Ndërsa fakti se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka konsideruar vendime me efekt juridik ndaj meritave të rastit edhe atëherë kur i ka shpallur të papranueshme për shqyrtim mbi baza procedurale dhe ka refuzuar të shqyrtojë meritat e kërkesave të parashtruara, dëshmohet me paragrafin 76 të Aktgjykimit KO 126/16 ku theksohet, se: “Përveç kësaj, Gjykata rikujton Aktvendimin e saj për papranueshmëri në rastin K0118/16, të 31 tetorit 2016, në të cilin Gjykata ka bërë vlerësimin in abstracto të kushtetutshmërisë së Ligjit për Trepçën.”

 

Interpretimi i cekët i KEDNJ

apo keqpërdorimi i jurisprudencës së GJEDNJ?

 

Është vështirë të gjendet një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ku nuk citohet praktika e GJEDNJ. Në vitet e para pas themelimit të kësaj Gjykate, palëve u krijohej përshtypja, se në rastin e tyre po zbatohen me përpikëri standardet e vendosura nga Gjykata me seli në Strasburg. Si shkak i mungesës së përgatitjes së juristëve rreth gjykimit kushtetues apo mungesës së njohurive të tyre rreth lirive dhe të drejtave themelore, një besim ishte krijuar se Gjykata është duke vendosur drejt. Por nëse vihen përballë vendimet e GJEDNJ, të cilat janë cituar në raste të caktuara, qartazi vërehet se ato vendime janë cituar pa asnjë përkatësi me rastin e parashtruesit.

Referenca kryesore për shpalljen e kërkesave si “qartazi të pabazuara”. Praktika

gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ka kthyer Vendimin e GJEDNJ në çështjen Garcia Ruiz kundër Spanjës në njërin ndër më të cituarit. Në fakt, shumica e vendimeve të GJKK përmes të cilave janë shpallur si të papranueshme, nën arsyetimin si “qartazi të pabazuara” kërkesat e parashtruesve,[21] i referohen këtij Vendimi të Dhomës së Madhe të GJEDNJ. GJKK i është referuar këtij Vendimi edhe në rastet kur ka konsideruar se një vendim gjyqësor i cënon liritë dhe të drejtat themelore të parashtruesve.[22] Mirëpo, vendimi i çështjes Garcia Ruiz kundër Spanjës është i GJEDNJ, të cilin kjo e ka shpallur proceduralisht të pranueshëm, por ka konstatuar se nuk ka shkelje të lirive dhe të drejtave themelore.[23]

Shfuqizimi faktik i ligjeve parlamentare dhe krijimi i pasigurisë juridike. Përderisa

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka refuzuar në disa raste të shqyrtojë themelësinë e kërkesave të parashtruara, nën arsyetimin se ajo nuk është instancë e shkallës së katërt, duke konsideruar se nuk është detyrë e saj që të vlerësojë çështje të faktit dhe ligjit,[24]është për t’u habitur përbën fakti se në praktikën e saj hasim raste kur ajo madje ka luajtur rolin e gjyqësorit të zakonshëm. Në një procedurë të zhvilluar para gjyqësorit të zakonshëm, parashtruesi kishte gabuar mjetin juridik. Në vend që t’i përdorë mjetet juridike administrative, avokati i tij ka ushtruar padi gjyqësore pranë departamentit ekonomik. Ai njëkohësisht kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të vendosen masat e përkohshme – duke ndaluar efektin juridik të vendimeve administrative, përmes të cilave ishte shuar personi juridik (i padituri) -, me qëllim që vendimi i nxjerrë në procedurë arbitrazhi të mos mbetej pa u ekzekutuar. Mirëpo, Gjykata e Themelore kishte refuzuar kërkesën nën arsyetimin e drejtë, se parashtruesi (paditësi) kishte gabuar mjetin juridik. Për rrjedhojë, duke marrë parasysh se kjo Gjykata nuk është kompetente për të vendosur çështjen, kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme e refuzon.[25] Parashtruesi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se përmes këtij vendimi gjyqësori i zakonshëm po ja pamundëson ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë.

Pavarësisht se gjyqësori i zakonshëm kishte arsyetuar mjaftueshëm dhe qartë se ajo nuk kishte kompetencë për të vendosur mbi çështjen, dhe krahas kësaj është fakt notor se nuk është ushtruar mjeti juridik i paraparë, Gjykata Kushtetuese - duke cituar një sërë vendimesh të GJEDNJ që nuk kanë asnjë përkatësi dhe nuk mund të krahasohen në asnjë mënyrë me rastin në shqyrtim para saj[26] - vjen me shumicë votash në përfundimin se gjyqësori i zakonshëm ka cenuar të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit. Përmes këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese arbitrarisht ka anashkaluar një ligj parlamentar, duke e zhvlerësuar atë faktikisht. Pavarësisht se, edhe sipas GJEDNJ, gjyqësori obligohet t’i zbatojë ligjet parlamentare, në të kundërtën cenohet parimi i sigurisë juridike.[27]

Mohimi arbitrar i të drejtës për ekzekutim të vendimit gjyqësor. Gjyqësori i

zakonshëm kishte miratuar padinë administrative të parashtrueses B.R. dhe kishte detyruar organin administrativ që t’i përgjigjej kërkesës së saj për lejimin e vendosjes së një kioske në një pjesë të caktuar të qytetit. Mirëpo, në procedurën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, ajo ishte ballafaquar me një vendim të papritur nga gjykatat, të cilat kishin refuzuar kërkesën për ekzekutim të vendimit gjyqësor të formës së prerë nën arsyetimin se ekzekutimi i një vendimi administrativ mund të kërkohej vetëm nëse bëhet fjalë për vlerë monetare. Mirëpo, gjyqësori i zakonshëm kishte anashkaluar faktin se një interpretim i tillë i të drejtës ishte konsideruar kundërkushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në të gjitha rastet e kësaj natyre të parashtruara para saj.[28] Për më tepër, gjyqësori i zakonshëm në vendimin mbi refuzimin e kërkesës për përmbarim ishte thirrur në të njëjtën kohë në ligjin e mëparshëm, i cili kishte tetë muaj që ishte shfuqizuar edhe në fjalinë pasuese të ligjit në fuqi.

Pavarësisht praktikës së saj dhe arbitraritetit të qartë që vërehej në këto dy vendime, GJKK - duke konsideruar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe ligjit - e shpall të papranueshme kërkesën e parashtrueses. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me interpretim të mënyrës së saj të konceptit të instancës së katërt, tek e fundit ka privuar disa parashtrues nga e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Sepse është obligim i Gjykatës që të shqyrtojë pretendimet nëse ligji dhe faktet janë interpretuar dhe zbatuar në kundërshtim me garancitë e një procesi të drejtë dhe të paanshëm.[29]

Referimi jorelevant në praktikën e GJEDNJ. Përpos situatave të lartpërmendura, të

cilat u referohen parashtruesve individual, praktika e GJKK njeh rastet të përdorimit jorelevant të vendimeve të GJEDNJ edhe në procedurat e vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve. Kështu, për shembull, në vitin 2019 Gjykata Kushtetuese konsideroi se Ligji për Noterinë në Kosovë, i cili në mënyrë retroaktive shkurtonte mandatin e noterëve të emëruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.[30] Në paragrafin 105 të aktgjykimit, duke ju referuar Vendimit të GJEDNJ për çështjen Dubska dhe Krejzova kundër Republikës Çeke, GJKK theksoi, se“...në pajtim edhe me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk është brenda fushëveprimit të saj që të zëvendësojë politikat publike të përcaktuara nga ligjvënësi. Parimi i ndarjes së pushteteve obligon Gjykatën që të respektojë përcaktimin e politikave nga ligjvënësi. Ligjvënësi - për shkak të pozitës së tij dhe legjitimitetit demokratik - është në pozitë më të mirë se sa Gjykata për të përcaktuar dhe avancuar politikat ekonomike dhe sociale të vendit.”

Mirëpo, parashtrueset Dubska dhe Krejzova[31] nuk kishin kontestuar para GJEDNJ shkurtimin e ndonjë mandati të fituar, përmes veprimit retroaktiv të një ligji. Në fakt, ato kishin pretenduar se shteti kishte shkelur të drejtën për respektimin e jetës dhe privatësisë familjare, për shkak se nuk u kishin ofruar asistencë mjekësore në shtëpi. Prandaj, rrethanat e këtij rasti në asnjë mënyrë nuk kanë pasur mundësi të përfshihen apo të përdoren për diçka tjetër (subsumohen) me pretendimet e ngritura nga Avokati i Popullit rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Noterinë.

 

Konkluzione

 

Zbatimi i instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave themelore kishte për qëllim sigurimin e një minimumi të garancive për qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpo, përmes nenit 53 të Kushtetutës, liritë dhe të drejtat themelore nacionale u futën nën “hijën” e lirive dhe të të drejtave themelore të parapara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pavarësisht që katalogu nacional i lirive dhe i të drejtave themelore parashikon garanci më të gjëra sesa ato që përfshin vetëm KEDNJ.

Kështu, duke marrë parasysh se gjyqtarët kushtetues, vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk shquheshin për përgatitje në gjykimin kushtetues, gjyqësia kushtetuese në Kosovë më tepër i ngjante një eksperimenti ku provoheshin dhe vazhdojnë të provohen ide nga më të ndryshmet. Në vend që Gjykata Kushtetuese të ishte korrektues i gabimeve të sistemit, që në veçanti në Kosovë i referohen gjyqësorit, ajo u kthye në legjitimues të shkeljeve sistematike të lirive dhe të drejtave themelore.  Për më keq, ajo u kthye në një cënues të lirive dhe të drejtave themelore, dhe në pamundësi të apelimit të vendimeve të veta në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gabimet e saj ngelin pa mundësi korrigjimi. Interpretimi i gjerë i nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës shkaktoi zhbërjen graduale të rendit kushtetues të Kosovës. Gjykata gradualisht u kthye në një institucion që realisht tenton – por nuk e bën dot – të ushtrojë kompetenca të kontrollit të konvencionalitetit. Ajo ka anashkaluar në tërësi garancitë kushtetuese nacionale. Pavarësisht formulimit të dispozitës kushtetuese, ka qenë interpretimi dhe zbatimi i gabuar i saj nga ana e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetë formulimi i normës që e ka shkaktuar këtë. Gjyqtarët me vetëdije kanë filluar të orientohen kah GJEDNJ dhe nuk kanë ndjekur shembujt e gjykatave kushtetuese të disa shteteve të tjera, nga të cilat do të mund të kuptonin rolin dhe funksionin që kanë ato në jetën institucionale, pavarësisht që natyra e GJEDNJ nuk përputhet assesi me atë të një gjykatë nacionale.

Shembujt të cilëve u jam referuar në këtë punim, për fat të keq nuk janë të vetmit të kësaj natyre. Pothuajse shumica e kërkesave të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës shpallen të papranueshme, nën arsyetimin se janë “qartazi të pabazuara”. Gjykata përmes rregullores së saj kundërkushtetuese dhe kundërligjore ka themeluar një mekanizëm të përshtatshëm për të hequr qafe edhe ato pak kërkesa që i dorëzohen brenda vitit. Prandaj ndërhyrja e ligjdhënësit në të ardhmen, duke ia përcaktuar shprehimisht me ligj se cilat janë aspektet organizative dhe funksionale që Gjykata mund t’i përcaktojë me rregulloren e saj të brendshme, duket të jetë mundësia e vetme për evitimin e kësaj situate arbitrare. Po ashtu, përderisa Kosova nuk është e anëtarësuar në Këshillin e Evropës, Gjykata Kushtetuese do ta ketë mundësinë që të përdorë në mënyrë arbitrare, pa asnjë relevancë apo përkatësi, citimin e jurisprudencës së GJEDNJ. Për këtë arsye, Kosova do të duhej të kishte ndjekur shembullin italian, ku Gjykata Kushtetuese ishte funksionalizuar pas gati një dekade të hyrjes në fuqi të Kushtetutës.[32] Sepse është e dukshme që dekada e parë e gjyqësisë kushtetuese në Kosovë ka rezultuar jo vetëm me dështim të gjyqësisë kushtetuese, por edhe me pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues.

---------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

-          Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

-          Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement

-          Kushtetuta e Republikës së Kosovës (me amendamentet I-XXV)

-          Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës

-          Rregullore e Punës e Gjykatës Federale Kushtetuese të Gjermanisë

-          Rregullore e Punës e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

 

Doktrinë

-          Allan R. Brewer-Carías, Constitutional Courts as Positive Legislators, In General Reports of the XVIIIth Congress of the International Academy of Comparative Law/Rapports Généraux du XVIIIème Congrès de l’Académie Internationale de Droit Comparé, Springer, Dordrecht, 2012

-          Durim Berisha, Internationalized Constitutionality and the Rise of Judicial Despotism: How the International Community failed to build a Constitutional Court in Kosovo, ‘IACL’, 2019

-          Hans Kelsen, Reine Rechtslehre: mit einem Anhang: Das Problem der Gerechtigkeit, ‘Mohr Siebeck’, 2017

-          Hans Kelsen. Wer soll der Hüter der Verfassung sein?. Berlin-GruneWald: W. Rothschild, 1931

-          Heike Jung, Recht und kulturelle Identität–Anmerkungen zur Rezeption, Transplantation und Diffusion von Recht, ‘Zeitschrift für die gesamte Strafrechtsëissenschaft’ 121, no. 2 (2009)

-          Nicolas Mansfield, Creating a Constitutional Court: Lessons From Kosovo, East-West Management Institute Occasional Paper Series, 2013

 

Jurisprudencë

-          Akte të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës: Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 04/12 i datës 20.07.2012; Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 112/12 i datës 05.07.2013; Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 122/17 i datës 30.04.2018; Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO 126/16 të datës 01.06.2017; Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO 65/19 i datës 23 gusht 2019; Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Nr. Ref. AGJ 181/11 i datës 27.12.2011; Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO 118/16 i datës 31.10.2016; Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 51/15 dhe KI 52/15 i datës 4 korrik 2016; Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 143/16 i datës 08.06.2018; Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 34/18 i datës 11.06; Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës KI 11/09 i datës 16.10.2009

-          Akte të  Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi çështjet: Brumarescu kundër

Rumanisë (kërkesa nr. 28342/95); Dubksa dhe Krejzova kundër Republikës Çeke (kërkesat nr.28859/11 dhe 28473/12); Garcia Ruiz kundër Spanjës (kërkesa nr. 30544/96); Georgia kundër Rusisë (I), 13255/07, 03.07.2014; Hassan kundër Mbretërisë së Bashkuar, 29750/09, 16.09.2014; Husayn (Abu Zubaydah) kundër Polonisë,7511/13, 24.07.2014; Ivinović kundër Kroacisë, 13006/13, 18 shtator 2014; Khamidov kundër Rusisë (kërkesa nr. 72118/01) i datës 15 nëntor 2007; Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, (kërkesa nr. 184/02)  i datës 11.01.2007;

Okay dhe të tjerët kundër Turqisë (kërkesa nr. 36220/97); Agrokompleks kundër Ukrainës (kërkesa nr. 23465/03); Waldberg kundër Turqisë (kërkesa nr. 22909/93), 06.12 1995; Tregubenko kundër Ukrainës (kërkesa nr. 61333/00)



[1] Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka kaluar nëpër asnjërën nga procedurat e draftimit dhe miratimit të një dokumenti kushtetues, të cilat i njeh teoria dhe praktika kushtetuese, prandaj autori i këtij punimi rezervohet ta konsiderojë atë si aktin përmes të cilit është shprehur vullneti mbi ekzistencën politike të popullit të Kosovës. Për më tepër, për draftimin dhe miratimin e saj nuk është themeluar një konventë nacionale kushtetuese dhe populli i Kosovës e ka pasur të pamundur të ndikojë në strukturën themeltare të këtij dokumenti kushtetues. Ajo është miratuar nga përbërja e parlamentit të mëhershëm, i cili ka qenë i zgjedhur në kuadër të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, një organ kuazi-ligjdhënës, i cili në periudhën e administrimit ndërkombëtar ka pasur kompetenca të kufizuara në ligjbërje, dhe vendimet e të cilit i janë nënshtruar kontrollit dhe autoritetit të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, ky organ nuk ka pasur kompetenca kushtetutbërese, rrjedhimisht "Kushtetuta e Kosovës” nuk mund të konsiderohet si e aprovuar nga organi legjislativ i Republikës së Kosovës

[2] Nicolas Mansfield, Creating a Constitutional Court: Lessons From Kosovo, Wast-West Management Institute Occasional Paper Series, 2013, fq. 1

[3] Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008, fq.2 Nr.3

[4] Krahaso: Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement, në vegëzën: https://reliefweb.int/sites/reliefweb.int/files/resources/1DC6B184D02567D1852572AA00716AF7-Full_Report.pdf. Qasur për të fundit herë më 14.12.2019

[5] Në tekstin e mëtejmë: KEDNJ apo Konventa

[6] Neni 53, Kushtetuta e Republikës së Kosovës (me amendamentet I-XXV), Prishtinë, Gusht 2015, në vegëzën:

http://gjk-ks.org/ëp-content/uploads/2017/11/gjkk_kushtetuta_e_republikes_se_kosoves_me_amendamentet_I-XXV_shq.pdf, qasur për të fundit herë më 14.12.2019

[7] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës KI 11/09 i datës 16.10.2009. Në krahasimin mes versionit të vendimit në gjuhën shqipe dhe atë angleze vërehet shpërputhje mes tyre. Përderisa versioni në gjuhën shqipe thekson se neni 53 i Kushtetutës duhet të shërbejë si bazë “për interpretimin e të gjitha vendimeve”, në gjuhën angleze është përdorur formulimi “... all our decisions,...” (të gjitha vendimeve tona). Duke marrë parasysh se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka punuar paralelisht deri në Qershor të vitit 2018 në gjuhën shqipe, gjuhën serbe dhe gjuhën angleze, nuk është e njohur për autorin se cili është versioni origjinal në të cilin gjyqtari raportues e ka draftuar këtë vendim. Por pavarësisht kësaj, orientimi në GJEDNJ për të gjitha çështjet, jo vetëm procedurale dhe materiale, por edhe organizative dhe funksionale të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i ngulitur në mentalitetin e gjyqtarëve të kësaj Gjykate

[8] Neni 4, Kushtetuta e Republikës së Kosovës (me amendamentet I-XXV), Prishtinë, gusht 2015, në vegëzën:

http://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2017/11/gjkk_kushtetuta_e_republikes_se_kosoves_me_amendamentet_I-XXV_shq.pdf, qasur për të fundit herë më 14.12.2019

[9]Heike Jung,Recht und kulturelle Identität–Anmerkungen zur Rezeption, Transplantation und Diffusion von Recht, Zeitschrift für die gesamte Strafrechtsëissenschaft 121, no. 2 (2009): 467-500

[10]Durim Berisha, Internationalized Constitutionality and the Rise of Judicial Despotism: Hoë the International Community failed to build a Constitutional Court in Kosovo, IACL-AIDC Blog (10 April 2019)https://blog-iacl-aidc.org/2019-posts/2019/4/10/internationalized-constitutionality-and-the-rise-of-judicial-despotism-how-the-international-community-failed-to-build-a-constitutional-court-in-kosovo. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019

[11] Për konceptin e Gjykatës Kushtetuese si ligjdhënës pozitiv shih: Allan R. Brewer-Carías, Constitutional Courts as Positive Legislators, In General Reports of the XVIIIth Congress of the International Academy of Comparative Laë/Rapports Généraux du XVIIIème Congrès de l’Académie Internationale de Droit Comparé, Springer, Dordrecht, 2012, fq. 549-569

[12] Për konceptin e Gjykatës Kushtetuese si ligjdhënës negativ shih: Kelsen, Hans, Ëer soll der Hüter der Verfassung sein?, Berlin-Gruneëald: Ë. Rothschild, 1931.

[13] Neni 2, Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Shpallur në Gazetën Zyrtare më 30.12.2008, në vegëzen: https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2614. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019.

[14] Rregullore e Punës së Gjykatës Federale Kushtetuese, versioni në gjuhën angleze, në vegëzën: https://www.bundesverfassungsgericht.de/SharedDocs/Downloads/EN/Gesetze/GO_BVerfG.html;jsessionid=41CCD8B107A7A542E1E73428EDCE4A96.1_cid370. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019.

[15] Version i fundit i qasshëm online, në vegëzen: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=16599. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019.

[16] Për më tepër shih: Hans Kelsen, Reine Rechtslehre: mit einem Anhang: Das Problem der Gerechtigkeit,‘Mohr Siebeck’, 2017,fq. 174.

[17] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, KI 11/09 i datës 16.10.2009

[18] Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO 126/16 të datës 01.06.2017

[19] Po aty

[20] Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO 118/16 i datës 31.10.2016

[21] Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 51/15 dhe KI 52/15 i datës 4 korrik 2016; Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 143/16 i datës 08.06.2018

[22] Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nr. Ref. AGJ 181/11 i datës 27.12.2011

[23] Shih vendimin e GJEDNJ në rastin Garcia Ruiz kundër Spanjës (kërkesa nr. 30544/96) në vegëzen: https://hudoc.echr.coe.int/tur#{%22itemid%22:[%22001-58907%22]}. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019

[24] Aktvendim për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 34/18

[25] Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 122/17 i datës 30.04.2018, paragrafët 74-75

[26] Disa nga rastet që u referohet Gjykata Kushtetuese në këtë aktgjykim janë: Brumarescu kundër Rumanisë(kërkesa nr. 28342/95), Okay dhe të tjerët kundër Turqisë (kërkesa nr. 36220/97), Agrokompleks kunder Ukrainës (kërkesa nr. 23465/03) dhe Tregubenko kundër Ukrainës (kërkesa nr. 61333/00)

[27] Shih për më tepër rastet Husayn (Abu Zubaydah) k. Polonisë,7511/13, 24.07.2014, § 521ff; Hassan k. Mbretërisë së Bashkuar, 29750/09, 16 .09.2014, § 106; Georgia k. Rusisë (I), 13255/07, 03.07.2014, § 182ff (Article 5 ECHR); Ivinović k. Kroacisë, 13006/13, 18.09.2014, § 40

[28] Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 04/12 i datës 20.07.2012; Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KI 112/12 i datës 05.07.2013

[29] Shih vendimet e  GJEDNJ në rastet Waldberg kundër Turqisë, (kërkesa nr. 22909/93) i datës 06.12 1995; Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, (kërkesa nr. 184/02)  i datës 11.01.2007; Khamidov kundër Rusisë (kërkesa nr. 72118/01) i datës 15 nëntor 2007

[30] Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO 65/19 i datës 23 gusht 2019

[31] Shih: Vendimi i GJEDNJ në  rastin Dubksa dhe Krejzova kundër Republikës Çeke (kërkesat nr.28859/11 dhe 28473/12), në vegëzen: https://hudoc.echr.coe.int/eng/#{%22itemid%22:[%22001-148632%22]}. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019

[32] Durim Berisha, Internationalized Constitutionality and the Rise of Judicial Despotism: Hoë the International Community failed to build a Constitutional Court in Kosovo,‘IACL-AIDC Blog’ (10 April 2019) https://blog-iacl-aidc.org/2019-posts/2019/4/10/internationalized-constitutionality-and-the-rise-of-judicial-despotism-how-the-international-community-failed-to-build-a-constitutional-court-in-kosovo. Qasur për të fundit herë më 15.12.2019