Av. Spiro SPIRO

Ish Anëtar i Gjykatës së Lartë,

Tiranë

 

Hyrje

Për shkak të shumllojshmërisë së veprave penale, nga njëra anë, dhe formave, mënyrave dhe mjeteve që përdoren për kryerjen e tyre, si edhe kompleksitetit në raste të veçanta, nga ana tjetër, procesi i të provuarit për zgjidhjen e problemeve që lindin i drejtohet jo rrallë një kategorie specifike provash, të cilat, në terminologjinë e së drejtës procedurale penale njihen me emërtimin prova shkencore.

 

Këto prova emërtohen kështu,[1] si për shkak të mjeteve dhe metodave që përdoren për t’u përftuar njoftimet mbi fakte dhe rrethana që kanë lidhje me veprën penale, ashtu edhe për shkak të personave (subjekteve) që thirren, të cilët me njohuritë që kanë në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknikës kontribuojnë në dhënien e drejtësisë në përgjithësi dhe të drejtësisë penale në veçanti. Fjala është për ekspertimet, si provë në procesin penal.

Ashtu sikundër shumllojshmëria e veprave penale, edhe llojet e ekspertimeve, përmes të cilave përftohen provat shkencore të shumta janë – në vartësi të natyrës dhe llojit të rrethanave faktike të shumllojshme, për zbulimin dhe vlerësimin e të cilave, veç burimeve të llojeve të tjera të provave, nevojitet edhe përdorimi i mjeteve dhe metodave shkencore, rast pas rasti.

Përjashto aspektet e procesit penal, që i përkasin ligjit material (si edhe ato që parashikohen në Nenin 178/2 të K.Pr.Penale), nevoja për të kryer ekspertim gjatë procesit penal mund të lindë në të gjitha fushat e tjera të veprimtarisë njerëzore, duke përfshirë jo vetëm rastet e veprave penale me të cilat ballafaqohen më shpesh prokuroritë dhe gjykatat e vendit, si për shembull, veprat penale kundër jetës dhe shëndetit; kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; kundër rendit e sigurisë publike, por edhe shumë lloje të tjera, deri edhe në fushën e artit dhe kulturës.[2]

Pa marrë përsipër që të bëj analizën e metodave dhe procedurave (protokolleve) teknike që ndiqen për secilën prej tyre, rast pas rasti, në pjesët vijuese të këtij punimi do të jepet shkurtimisht kuptimi i një pjese të llojeve të ekspertimit, që i përkasin fushave të ndryshme në të cilat ndodhin veprat penale. Ky informacion mendoj se i nevojitet subjekteve (oficer i policisë gjyqësore, prokuror, gjyqtar dhe avokat) të procesit penal, së pari: për rrethin e pyetjeve që kërkojnë përgjigje nga specialistë të fushës përkatëse të shkencës dhe teknikës dhe, së dyti, për të qënë në gjëndje që ata, përmes një niveli të mjaftueshëm njohurish, të realizojnë procesin e çmuarjes së përfundimeve që përmban akti i ekspertimit, në funksion të dhënies së drejtësisë.

Përsa i përket përjashtimit, nga ky proces, të aspekteve (çështjeve) që i përkasin ligjit, ai bazohet në faktin që subjektet e procesit penal që u përmendën më lart konsiderohen për shkak të përgatitjes profesionale të prezumuar të tyre, se janë specialistë në fushën e ligjit ( jo vetëm të ligjit penal – material dhe procedural, por edhe më gjërë).

Kurse në rastet kur gjatë gjykimit të një çështjeje konstatojnë se ligji bie ndesh me Kushtetutën, ose me marrëveshjet ndërkombëtare, gjykatat e të gjitha niveleve kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, për t’u shprehur në lidhje me pajtueshmërinë (ose jo) të këtij ligji me Kushtetutën.[3] Të drejtën për të iniciuar një kontroll mbi pajtueshmërinë (ose jo) të ligjit me Kushtetutën, kur pretendojnë se u cënohen të drejtat dhe liritë e tyre të parashikuara ne Kushtetutë, e kanë edhe individët – pjesmarrës në procesin penal (i pandehuri dhe viktima), kur pretendojnë se u cënohen të drejtat dhe liritë e tyre.[4]

Ndërsa, rastet përjashtimore që parashikohen në Nenin 178/2 të K.Pr.Penale, ato kanë të bëjnë me ndalimin e përcaktimit, përmes ekspertimit, të profesionalizmit në veprën penale (të faktit nëse fakte dhe rrethana konkrete përbëjnë apo jo vepër penale); të përcaktimit të prirjeve kriminale (fushë kjo objekt studimi i disiplinë së Kriminologjisë), si edhe përcaktimit të veçantive individuale si karakteri dhe personaliteti i autorit të veprës, veçanti këto që i përkasin shkencave socio- antropologjike.[5]

Sjellë në vëmëndje faktin juridik, sipas të cilit, veç ekspertimit (që përbën objektin e kësaj teme), për shkak të mjeteve  dhe mënyrave që përdoren për t’i përftuar ato si prova shkencore mund të konsiderohen edhe njoftimet që lidhen me veprën penale, të cilat përftohen prej burimeve të tjera të parashikuara në K.Pr.Penale. Si të tilla, mund të konsiderohen sidomos: eksperimenti (nenet 176-177); këqyerjet – veçanërisht këqyerjet e kufomave dhe autopsia e tyre (nenet 198-201); deri diku, kontrollet (nenet 202-207) dhe përgjimet (nenet 221-226 të K.Pr.Penale).

Një pjesë e konsiderueshme e veprimeve që kryhen për të përftuar njoftimet në lidhje me veprën penale, në secilin prej këtyre rasteve, kryhen përmes përdorimit të metodave që i përkasin fushave të ndryshme të shkencës dhe teknikës. Në raste të veçanta (si në rastin e autopsisë dhe përgjimit), njoftimet si më sipër përftohen përmes përdorimit të mjeteve dhe teknologjive të posaçme. Madje, në rastin e përgjimeve, veç procesverbalit të transkritimit të njoftimeve, edhe vet kaseta (sidia) është mjet, që përbën provë në procesin penal.

Trajtimi i  këtyre llojeve të provave përbën objekt studimi të temave të veçanta si në legjislacion, ashtu edhe në doktrinën e së drejtës procedurale penale.

Megjithatë, si ekspertimet, ashtu edhe njoftimet që përftohen prej veprimeve  procedurale të kryera në rastet që renditen në këtë paragraf, ashtu edhe ato që përftohen nga ekspertimi, veç vlerës provuese në vetvete lozin rol të rëndësishëm edhe për të verifikuar vërtetësinë dhe, në mënyrë të posaçme, besueshmërinë e provave të tjera, sidomos të dëshmisë dhe të ballafaqimeve midis personave, deklarimet e mëparëshme të të cilëve para autoritetit të procedimit, rast pas rasti (në mos krejt të kundërta) përmbajnë kundërshti, qoftë edhe të pa qëllimshme.

Prandaj, duke qenë parimisht të zhveshura nga subjektivizmi njerëzor, këto lloj njoftimesh konsiderohen si prova memece dhe vlera provuese e tyre (veçanërisht e ekspertimit) konsiderohet e lartë.[6]

Theksova fjalën parimisht se, edhe pse qoftë në pamje të parë mund të duken si memece, nuk përjashtohet mundësia që ato mund të jenë jo të sakta. Mund të jenë të pasakta për shkak të gabimeve që kanë lidhje me metodën apo mjetet që përdoren për t’i përftuar ato, ose si rrjedhojë e mangësive profesionale të specialistit/ve që thirren si ekspertë në çështjen konkrete. Të pasakta mund të jenë, gjithashtu, edhe për shkak të manipulimeve të qëllimshme, si të njoftimeve, ose edhe të vet përfundimeve të ekspertimit.

Manipulimet apo devijimet si më sipër të fakteve dhe të së vërtetës së përfundimeve të ekspertimit, mund të ndodhin si për shkak të kompromentimeve të llojeve të ndryshme, përfshirë edhe korrupsionin, ashtu edhe për shkak të ndikimeve të paligjshme te specialistit/ekspertit nga përfaqësuesit e akuzës apo ndikimeve dhe presioneve të llojeve nga më të ndryshme nga ana e akuzuarit apo njerëzve rreth tij,

Për korrigjimin e pasaktësive dhe ndreqjen e gabimeve në këto raste, veç ballafaqimit me provat e tjera (përfshirë edhe dëshmitë), faktor i rëndësishëm është edhe përsëritja e ekspertimit, kuptohet, nga ekspertë të tjerë

 

Disa nga llojet kryesore të ekspertimit

 

Për aq sa çmoj se njohja me llojet e ekspertimeve mund t’u shërbejë subjekteve të procesit penal në veprimtarinë e përditëshme të tyre, në vijim mendoj të rendis disa prej llojeve kryesore të ekspertimit, duke dhënë, sintetikisht, edhe thelbin e kuptimit të secilit prej tyre.

Kurse trajtimi i aspekteve procedurale lidhur me ekspertimet e të gjitha llojeve do të trajtohet posaçërisht në pjesën e tretë të temës.

Para se të filloj renditjen e llojeve të ekspertimeve, dëshiroj të sjell në vëmendje që, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e tyre, edhe teknikisht trajtohen në disiplinën  teorike të kriminalistikës, (në pjesën e teknikës) dhe rëndom quhen edhe ekspertime kriminalistike,[7] sikundër u theksua edhe më lart ato përmbajnë realisht njoftime që i përkasin jo vetëm teknikës kriminalistike, por dhe fushave të ndryshme të shkencës dhe teknikës. Gjithashtu, fushave të shkencës dhe teknikës u përkasin edhe mjetet dhe metodat që përdoren për kryerjen e ekspertimit, rast pas rasti

Megjithatë, për shkak të mospërfshirjes, specifikisht, në ndonjë fushë të posaçme të shkencës apo teknikës, edhe gjatë trajtimit të kesaj teme do të emërtohen disa prej tyre si ekspertime kriminalistike. Madje, ato janë edhe nga llojet më të shpeshta të ekspertimeve që ndeshen në veprimtarinë e përditëshme të subjekteve të procesit penal.

E kam fjalën këtu kryesisht për: ekspertimet daktiloskopike (identifikimit të personave përmes gjurmëve papilare të gjishtërinjve); ekspertimet traseologjike (identifikimit të personave përmes gjurmëve që lënë në vendin e ngjarjes pjesë të ndryshmë të trupit të njeriut, si këmbët dhe zakonisht këpucët apo shputa e dorës, gjurmët që lënë sendet e forta (metalike ose jo), si levë, darrë etj, mbi sipërfaqen e objekteve të ndryshme të dhunuara (për qëllime keqbërëse), nga autori/ët i/e veprave penale; gjurmët e lëna nga shkronjat e tastierës së makinëës së shkrimit – veçanërisht, ato me deformime për shkak të përdorimit – konsiderohen të tilla deri edhe gjurmët shtypëse që lihen nga forca e përdorimit të tastierës kompjuterike nga persona të ndryshëm.[8]

Në kategorinë e ekspertimeve kriminalistike përfshihet, për mendimin tim, edhe pjesa më e madhe e ekspertimeve që kryhen për identifikimin e personit përmes shkrimit, si: intensiteti i shkrimit mbi letrën e dorëshkrimit, i dinamikës (drejtë, pjertas – majtas/djathtas); i hapur (me shkronjat të lidhura apo të ndara nga njëra tjetra) dhe detë dorëshkrimet. Vend të veçantë zë ekspertimi i nënëshkrimit (firmës) së personit përmes intensitetit, dinamikës (fillimit dhe mbarimit) apo karakteristikave të tjera të veçanta, sipas rastit.[9]

Nënvizova pjesa më e madhe e ekspertimeve, pasi rol të rëndësishëm për identifikimin e personit  përmes shkrimit luan edhe përmbajtja e vet tekstit të shkruar, ekspertim ky që u përket kryesisht specialistëve të fushës së gjuhësisë. Si element identifikues në këto raste, veç atyre që u renditën menjëherë më lart, mund të shërbejnë edhe: masa e respektimit apo jo të rregullave të drejtshkrimit; shkalla e rrjedhshmërisë logjike të përmbajtjes së tekstit; djalekti i përdorur; huazimet dhe zhargonet etj.

Sikundër shihet, ekspertimi përmes shkrimit, është i përzier, kriminalistik dhe gjuhësor, lloj ekspertimi ky, që sikurse do të trajtohet edhe në pjesën e tretë të këtij punimi, emërtohet si ekspertim i përzier apo mix. Emërtohet kështu për shkak, jo të objektit material që i nënshtrohet ekspertimit, por për shkak të specialistëve që thirren për ta realizuar atë, të cilët i përkasin fushave të ndryshme të teknikës kriminalistike dhe shkencave të gjuhësisë, në raste të veçanta, edhe të logjikës së përgjithëshme.

Lloj i veçantë ekspertimi konsiderohen ekspertimet që bëhen për të ndihmuar subjektet e procedimit penal që të zgjidhin çështje, që i përkasin shkencave mjekësore. Çështje të kësaj natyre janë, për shembull, përcaktimi i shkakut dhe kohës së vdekjes, si edhe i dëmtimit/ve trupor që ka shkaktuar vdekjen; përcaktimi i llojit të mjetit që u përdor (prerës, mprehës, armë zjarri, mbytje në ujë, asfiksim, lëndë helmuese etj); përcaktimi i shkallës së dëmtimit trupor  (gjymtim, shëmtim, dëmtim tjetër i përhershëm i shëndetit; ndërprerja e shtatzanisë, nëse dëmtimi ka qënë ose jo i rrezikshëm në momentin e shkaktimit dhe kohëzgjatjen dhe paaftësisë për punë të të dëmtuarit); në rastet e dyshimit për vetvrasje: përcaktimi i mjetit dhe përcaktrimi i mekanizmit që ka shkaktuar vdekjen etj.

Në fushën e shkencave mjekësore përfshihen edhe ekzaminimet në sferën e veprave seksuale: mosha e viktimës; arritja apo jo e pjekurisë seksuale të saj në kohën e kryerjes së veprës; prania apo jo e shenjave, ose gjurmëve të tjera të dhunës së pretenduar (kafshime, hematoma, gërvishje etj); prania apo jo e mbeturinave të spermës, ose gjurmëve si të gjakut etj.

Gjithashtu përfshihen edhe ekspertimet neuropsikike, si: nëse personi i dyshuar autor i veprës penale vuante apo jo nga ndonjë turbullim psikik, ose neuropsikik, në kohën e kryerjes së veprës. Dhe nëse po: turbullimi psikik, ose neuropsikik ishte i shkallës që të prishte tërësisht apo të ulte ekuilibrin e tij mendor.

Po në fushën e mjekësisë përfshihet edhe ekspertimi: nëse mjeku ka zbatuar apo jo protokollet përkatëse të mjekimit, si edhe nëse personeli tjetër mjekësor apo farmacist ka zbatuar apo jo terapinë e përshkruar në kartelën mjekësore përkatëse, ose në recetën  farmaceutike nga ana e farmacistit. Këtu përfshihet, gjithashtu, edhe ekzaminimi toksikologjik: nëse në trupin (organet e brëndshme) e njeriut apo kufomës, sipas rastit konstatohet apo jo lëndë toksike, dhe nëse po, përcaktimi i llojit të substancës toksike që shkaktoi vdekjen etj.

Në sferën e ekspertimeve mjekësore përfshihen deri edhe ekspertimet që shërbejnë për identifikimin e personit të dyshuar, përmes ekzaminimit të ekzistencës apo jo të dëmtimeve në diafragmën dhe retinën e syrit të personit të dyshuar.[10]

Kurse në sferën e shkencave të përafërta me shkencat mjekësore, sikundër është gjenetika, përfshihet një lloj i veçantë dhe nga më të rëndësishmit të ekspertimit, që është identifikimi i personit përmes analizave të A.D.N-së.

Veç kritereve të përgjithëshme që ndiqen gjatë procesit të ekspertimeve në përgjithësi, për disa nga llojet e ekspertimeve (përfshir  edhe atë përmes analizave të A.D.N-së) organi procedues duhet të mbajë në konsideratë edhe detyrimet që rrjedhin nga Direktiva 95/46/EC e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale”, datë 28 tetor 1995.

Pikërisht, mbi bazën e ndalimeve në lidhje me rrethanat rreth privatësisë që i përkasin secilit individ, ligjvëvësi normon përmes dispozitës së Nenit 201/a të K.Pr.Penale (dispozitë kjo e shtuar me ligjin 35/2017) procedurat që duhet të ndiqen për marrjen me qëllim ekspertimi të kampioneve biologjikë. Urdhërimet e kësaj dispozite u përkasin si rasteve kur kampionet biologjikë merren pa vullnetin e personit (me detyrim), ashtu edhe kur merren me vullnetin e tij, që duhet të jepet me shkrim (& 2 i Nenit 201/a). Kampionet biologjikë mund të merren me detyrim vetëm me vendim gjyqësor, si atëhere kur personi është në gjëndje të lirë, ashtu edhe kur është me masë sigurimi arrest në burg apo i ndaluar proceduralisht.

Mendoj se, edhe pse nuk ka rregullim normativ të posaçëm, Direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Europës, e ratifikuar edhe në vendin tonë, e detyrueshme është për t’u zbatuar edhe për çdo lloj tjetër ekspertimi që ka lidhje me elemente të së drejtës së privatësisë, si p.sh marrja e shenjave të gishtave; e kampionëve të shkrimit apo të nënshkrimit; fotografive personale apo familjare etj.

Dallimi konsiston në faktin se, ndërsa në rastin e kampionëve biologjik, për shkak të ekzistencës së rregullimit normativ, pretendimet e mundshme lidhur me vlerën e provuese të përfundimeve të ekspertimit mund të jenë edhe vetëm për moszbatim të urdhërimeve të dispozitës së Nenit 201/a t K.Pr.Penale, pretendimet në rastet e tjera mund të bazohen vetëm në rrethana fakti – besueshmërie e veprimeve të organit procedues për dhe gjatë marrjes së kampionëve.

Lloj i veçantë ekspertimi është edhe identifikimi i personit në bazë të fotografisë.[11]

Jo rrallë lind nevoja edhe për ekspertim në çështjet gjyqësore me objekt veprat penale në sferën e veprimtarisë ekonomiko – financiare, në sektorin publik dhe privat. Këto lloj ekspertimesh emërtohen ekspertime kontabël dhe bazohen kryesisht në verifikimin nga specialistë të fushës, të zbatimit apo jo të ligjit nr. 8570/ 22.02.1999 “Për procedurat tatimore” ; të ligjit nr.10/2014, për Kodin Doganor dhe të vendimeve të shumta të Këshillit të Ministrave, nxjerrë në bazë dhe për zbatim të këtij Kodi, si edhe të shumë ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore në fushën e veprimtarisë financiare, në sektorin publik dhe privat.

Në kategorinë e ekspertimeve të përziera (mikx), që u përmed më lart, përfshihen edhe ekspertimet në sferën e balistikës dhe ato në sektorin automobilistik rrugor.

Sa i përket ekspertimeve balistike, ato kryhen për të përcaktuar, veç llojit të armës që u përdor në ngjarje – armë zjarri (luftarake, gjahu apo armë sportive), edhe për të përcaktuar  : distancën e qitjes; vendin nga i cili u bë qitja (përmes trajektores se predhës); gjëndjen teknike të armës- mund të realizonte ose jo qitje, si dhe pozicionin (në trupin e njeriut apo në objekt tjetër, sipas rastit) e vrimës së hyrjes dhe të daljes së predhës. Kryhen  gjithashtu, edhe për të konstatuar gjendjen e viaskave të tytës së armës dhe përputhjen ose jo të  saj me gjurmët përkatëse që kanë mbetur prej tyre në sipërfaqen e jashtëme të predhës, në rastet kur ajo gjëndet. Kryhen gjithashtu edhe për konstatimin ose jot ë përputhshmërisë së majës së gjilpërës së armës konkrete, rast pas rasti, me gjurmën e lënë në kapsollën e gëzhojës/ve të gjetura në vendin e ngjarjes, apo hapësira të tjera që lidhen me të.

Sa i përket përgjigjes së kërkesave në lidhje me viaskat e armës apo me gjurmët në sipërfaqen e gëzhojës dhe të kapsollës, nga sa është parashtruar në nën paragrafet e mësipërëm të kësaj teme, ato i përkasin sferës së traseologjisë, prandaj dhe ekspertimi balistik, në këto raste konsiderohet i përzier (mix). Po kështu, i përzier është ekspertimi edhe në rastin e përgjigjes së kërkesave për vrimën e hyrjes dhe të daljes së armës (kur kemi të bëjmë më trupin e njeriut), veç specialistit të armëve kërkohet edhe bashkëpunimi i mjekut ligjor; ndërsa në rastin e objekteve të tjera (të forta apo të buta) kërkohet bashkëpunimi me specialistin e traseologjisë.

Jo vetëm ndër llojet e ekspertimeve të përziera (mix), por në përgjithësi, thuajse më i shpeshti në praktikën e punës së autoriteteve të hetimit dhe gjykimit është ekspertimi automobilistik.

Përmes tij përcaktohet: gjëndja teknike e automjetit/ve në kohën e përfshirjes së tij/tyre në ngjjarjen automobilistike, shpejtësia  me të cilën udhëtonte drejtuesi i automjetit/ve në momentin e ngjarjes; gjëndja dhe rregullshmëria e sinjalistikës rrugore në vendin dhe momentin e ngjarjes; si dhe shkaku i dëmtimeve  të saj, nëse ka të tilla; sjellja e viktimës, në raport më parashikimet e Kodit Rrugor, në momentin kur ndodhi ngjarja etj.

Ndërsa kërkesat për pjesën më të madhe te ekspertimit si më sipër, mund të gjejnë përgjigje profesionale nga specialist/ët e fushës së automobilizmit dhe qarkullimit rrugor, në përgjithësi, për dhënien përgjigje kërkesave lidhur me gjëndjen e segmentit rrugor ku ndodhi ngjarja, jo në pak raste, nevojitet edhe bashkëpunimi me specialist të fushave të tjera.

Kështu, për shembull, për të përcaktuar shpejtësinë jo gjithmonë mund të mjaftojnë vetëm formulat përkatëse shkencore që përdoren rast pas rasti, por mund të nevojiten edhe pjesmarrja dhe bashkëpunimi i specialistëve edhe të fushave të tjera të shkencës dhe teknikës. Të tillë mund të jenë, fjala vjen, fizikani – për llogaritjen e forcës së fërkimit, në vartësi të kushteve të siperfaqes së segmentit rrugor përkatës (i asfaltuar ose jo: lloji i asfaltimit; asfalt i thatë, me lagështi, ngricë etj.); mjegull (jo për fushëpamjen, por për efekt të ndriçimit të lagështirës); fuqia e erës, nëse ka patur të tillë etj. Mund të jetë edhe specialist i ndërtimit të  rrugëve – lidhur me shkallën e rregullshmërisë së segmentit rrugor përkatës (valëzimet apo edhe arnimet – pjerrësitë e mundëshme etj). Gjithashtu, nuk mund të përjashtohen edhe rastet, kur veç pjesëmarrjes në grupin hetimor, i domosdoshëm bëhet edhe bashkëpunimi i mjekut ligjor.

Aspekt të veçantë, që duhet marrë në konsideratë në rastet e ekspertmeve mix-e përbën fakti që, sikundër do të trajtohet më gjërësisht në pjesën pasardhëse të këtij punimi, edhe pse kontributi i specialistëve i përket më shumë se një fushe të shkencës dhe teknikës (për rrjedhojë, fushave të ndryshme i përkasin edhe specialistët në rolin e ekspertit), konkluzionet e arritura në përfundim të ekspertimit nga secili prej tyre, si rregull, paraqiten në një akt të vetëm.

Edhe ekspertimet në fushën e ndërtimit përfshihen në ekspertimet mix-e. Në ngjarjet me pasoja në sferën e ndërtimit, përpos akteve që i përkasin ekskluzivisht inxhinierisë së projektimit dhe ndërtimit, si edhe akteve rregullatore (normative) të saj, jo në më pak raste, lind nevoja edhe për specialistë të fushave të tjera si: të gjeodezisë, elektrike (përfshirë eshe çështjeve që i përkasin sigurisë së montimit dhe funksionimit të ashensorëve); cilësisë (sa i përket shkellës së rezistencës) së materialeve që janë përdorur gjatë ndërtimit të objektit, rast pas rasti, etj.

Sa i përket akteve rregullatore (ligjore apo nën/ligjore), përsëris që, si në të gjitha rastet e tjera, zgjidhja e çështjeve që i përkasin ngjarjes që ka sjellë pasojën i përkasin ekskluzivisht organit procedues).

 

Caktimi i ekspertimit dhe i ekspertëve

Dihet që rregullimi normativ i veprimit procedural (penal) të ekspertimit, ndonëse për mendimin tim i pa plotë dhe në ndonjë rast i paqartë, bëhet në nenet 168-178 të K.Pr.Penale.

Veç objektit të ekspertimit dhe disponimit të organit procedues për caktimin e specialistit përkatës në rolin e ekspertit, në këto dispozita gjejnë rregullim edhe aspekte të veçanta, që i përkasin këtij veprimi procedural, të domosdoshëm për t’u kryer gjatë dinamikës së procesit penal, herë pas here. Ato kanë të bëjnë jo vetëm  me kompetencat procedurale në përgjithësi, dhe me të drejtat e detyrimet që ka eksperti gjatë realizimit të detyrës së tij në veçanti, por edhe me rregullimin normativ të formës dhe përmbajtjes së veprimatrisë së tij, rezultatet e së cilës pasqyrohen në një akt të posaçëm  juridiko-procedural, sikurse është akti i ekspertimit.

Pikërisht ky lloj akti (dhe jo veprimtaria në vetvete e ekspertimit) përbën provë në procesin penal. Në të gjënden njoftimet, e argumentuara shkencërisht/teknikisht që kanë lidhje me veprën penale, ose dhe me autorin e saj, sipas rastit. Njoftime këto, të cilat i nënshtrohen procesit të çmuarjes, duke u zbatuar kërkesat e dispozitës së Nenit 152 të K.Pr.penale, sikundër edhe për të gjitha llojet e tjera të provave dhe indicieve që administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Për rrjedhojë, edhe pse provë shkencore apo “memece”, për shkak të shkallës së objektivitetit, të prezumuar të tyre, nuk kanë vlerë të paracaktuar as përsa i përket vërtetësisë dhe aq më pak fuqisë provuese të tyre. Mandej, edhe kur rezulton se është e vërtetë bazuar si në aspektin e metodës shkencore/teknike të përdorur, ashtu edhe në përmbajtjen e saj, në rastet kur është e vetme si provë fajësie, nuk mund të konsiderohet e “mjaftueshme” për të dhënë vendim fajësie, pavarësisht llojit të ekspertimit (përfshirë gjurmët papilare dhe A.D.N-në).

Në praktikën ndërkombëtare gjënden jo pak shembuj rastesh të gabuara gjyqësore për shkak të vlerësimeve të kundërta me sa më sipër.[12]

Në grupin e ekspertimeve mikx-e përfshihen edhe ekspertimet në ngjarjet me pasoja, që ndodhin në miniera dhe në puset e naftës (shpim dhe shfrytëzim).

Veç specialistit në fushën e gjeodezisë apo të shpimit dhe shfrytëzimit, në shumë raste lind nevoja edhe për pjesmarrjen e specialistëve në fushën e elektricitetit (përfshirë dhe ashensoristët) dhe jo rrallë edhe të toksikologut.

Sa i përket objektit të ekspertimit, tërthorazi, ai përcaktohet në dispozitën e Nenit 178 të K.Pr.Penale. Them tërthorazi, pasi edhe pse titulli i kësaj dispozite: “objekti i ekspertimit” krijon pritshmëri, në mos për një përkufizim konçiz (sikurse jepet në Nenin176/2 të këtij Kodi për eksperimentet), të paktën për një kuptim juridiko-penal të shprehur në këtë dispozitë përcaktohen vetëm grup – rastet se kur lind nevoja dhe kur lejohet ekspertimi.

Si grup rastesh në të cilat lejohet ekspertimi konsiderohen: a) nevoja e zhvillimit të kërkimeve; b) nevoja e marrjes së të dhënave dhe c) nevoja e vlerësimeve, lloje nevojash këto që kërkojnë njohuri të posaçme teknike, shkencore apo kulturore. Ato nuk përfaqësojnë gjë tjetër veçse rrethana që prezumohet se i përkasin veprës penale. Prezumim ky, i cili për t’u shndërruar në fakt – njoftim që përbën provë (veç llojeve të tjera të njoftimeve që administrohen, rast pas rasti, nga organet e procedimit penal) nevojitet edhe mendimi i specialistit përkatës, në vartësi të fushës së shkencës dhe teknikës në të cilën ka ndodhur vepra (veprimi ose mos veprimi shoqërisht i rrezikshëm).

Ndërsa konstatimi i veprimit apo mosveprimit dhe përcaktimi i ekzistencës ose jo të rrezikshmërisë shoqërore, si edhe shkallës së saj, prerogativë ekskluzive e organeve të procedimit penal është konstatimi i kundërligjshmërisë dhe fajit (që do të përbënin dy  elementët e tjerë që vepra të konsiderohet vepër penale), në rastet kur lind nevoja e ekspertimit, kushtëzohet edhe me konkluzionet që përmban akti i ekspertimit.

Vakum i konsiderueshëm, mendoj se ekziston, lidhur me disponimet ligjore që përmban K.Pr.Penale, rreth caktimit dhe marrjes së detyrës nga specialisti që thirret për të bërë ekspertimin (eksperti). Në dy dispozitat e neneve 179/4 dhe 183 të K.Pr.Penale, të cilat emërtohen përkatësisht: “Caktimi i ekspertit” dhe “Caktimi i detyrës”, ligjvënësi disponon lidhur me detyrën e ekspertit, me objektin e veprimtarisë procedurale të tij.

Ndërsa në nenin 183, ligjvënësi shprehet se, pasi identifikon personin konkret që do të caktohet si ekspert dhe e fton të bëjë deklaratën lidhur me përgjegjësinë morale dhe juridike për detyrën i formulon atij kërkesat e ekspertimit, në pikën 4 të dispozitës së nenit 179, ai shprehet për detyrueshmërinë e pranimit të detyrës prej tij (me përjashtim të rasteve që e përjashtojnë atë nga qënia e ekspertit, ose kur pretendon se nuk është kompetent apo nuk ka mundësi të kryejë ekspertimin dhe ky pretendim pranohet nga organi procedues).

Veç shpërndarjes, për mendimin tim jo të nevojshme, të aspekteve procedurale si më sipër, në dy dispozita të ndryshme, mangësia që sjell pasoja herë pas here në veprimtarinë praktike të subjekteve të procesit penal konsiston në  faktin që gjatë procesit të caktimit të detyrës (Neni 183), nuk disponohet lidhur me formën dhe përmbajtjen juridike të aktit, përmes të cilit specialistit të fushës përkatëse i caktohet detyra dhe ai të deklarohet (përmes nënshkrimit) për pranimin e tij.

Kjo, në një kohë kur në praktikë veprohet përmes aktit procedural, që titullohet “Vendim për caktimin e ekspertit”, në pjesën hyrëse të të cilit argumentohet nevoja, për të kryer ekspertim, rast pas rasti. Në një kohë, gjithashtu, kur për një lloj “vendimi të organit procedues” - i detyrueshëm për t’iu bërë me dije (njoftuar) të pandehurit apo mbrojtësit të tij - disponohet edhe në pikën 2 të dispozitës së nenit 179 të K.Pr.Penale.

Prandaj mendoj se, togfjalëshi “….i formulon kërkesat e ekspertimit…” që përmban dispozita e Nenit 183 të këtij Kodi, nuk zëvëndëson dhe as përmbush kërkesën për thelbin e aktit juridiko – procedural që është vendimi për caktimin e ekspertit. Thelbin e këtij akti e përbëjnë pyetjet lidhur me çështjet (aspektet) konkrete për të cilat lind nevoja për ekspertim.[13]

Lidhur me  Vendimin për caktimin e ekspertimit, gjatë veprimtarisë praktike të organeve të procedimit penal, kanë lindur probleme që kanë të bëjnë si me elementet (përmbajtjen) e tij, ashtu edhe me pasojat juridike në rast mos përmbushjeje, qoftë edhe të asaj pjese të kërkesave (mund të thuhet edhe: kushteve) që duhet të plotësohen në raport me masën (shkallën ) e garantimit të të drejtave të të pandehurit (ose të mbrojtësit të tij). Pjesërisht, edhe me të drejtat e vet specialistit që thirret për të bërë ekspertimin.

Kur flitet për përmbajtjen e vendimit, veç vendit ku ka selinë përfaqsuesi (subjekti) i organit procedues; funksionit procedural: oficer i policisë gjyqësore, prokuror apo gjyqtar, si edhe emrit e datës së marrjes së tij, në pjesën e dytë paraqitet një përshkrim shumë i shkurtër i ngjarjes (ndodhisë), apo kallëzimit të çdo lloji, mbi bazën e të cilit zhvillohet hetimi apo gjykimi i procedimit penal. Kurse në pjesën e tretë renditen pyetjet, të cilat sikurse u tha, përbëjnë objektin e ekspertimit, rast pas rasti.

Përmbajtja e pyetjeve duhet të jetë e formuluar me terminologjinë profesionale, sipas sferës  së shkencës dhe teknikës në të cilën ka ndodhur vepra. Duhet të jenë edhe të qarta dhe jo sugjestive (të mos përmbajnë, qoftë dhe tërthorazi, shprehje që mund të ndikojnë, qoftë edhe pjesërisht, në përmbajtjen e përgjigjes/ve të konkluzioneve të specialistit që do të kryejë ekspertimin).

Ashtu sikundër u theksua edhe më lart, nuk duhet të bëhen pyetje për të përcaktuar profesionalizmin në veprën penale dhe për të zgjidhur aspekte të veçanta të ligjit material dhe procedural penal, apo të ligjit material, në përgjithësi.

Zakonisht, vendimi nuk përmban kohën se kur duhet të dorëzohet Akti i Ekspertimit, veç rasteve kur kryerja e ekspertimit kërkon kohë relativisht të gjatë për shkak të kompleksitetit të rrethanave dhe fakteve mbi përcaktimin shkencor/teknik të të cilave lind nevoja e tij. Raste këto, në të cilat organi procedues i jep ekspertit një afat jo më të gjatë se gjashtëdhjetë ditë. Ndërsa kur është nevoja për verifikime veçanërisht komplekse, ky afat mund të zgjatet edhe më shumë se një here, për periudha jo më të gjata se tridhjetë ditë (secila – S.S.), por pa kaluar afatin maksimal prej gjashtë muajsh (Neni 185/3 i K.Pr.Penale).

Mendoj se, kufizimi ligjor kategorik deri në gjashtë muaj i afatit maksimal, brënda të cilit duhet të përfundojë ekspertimi dhe të dorëzohet akti përkatës, në rastet kur realizimi i tij paraqet vështirësi objektive për shkaqe “kompleksiteti” jo vetëm nuk është logjik, por nuk është as në interes të drejtësisë. Ashtu sikurse konsideroj jo logjik edhe parashikimin në këtë dispozitë, për t’u përfunduar ekspertimi (dhe të dorëzohet akti – S.S,) menjëherë, kur objekti i tij (faktet) nuk është kompleks. Sa do të thjeshta të jenë faktet (çështjet) që kanë nevojë për t’iu nënshtruar ekspertimit, ky i fundit, megjithëse veprim procedural (ligjor), në vetvete është proces, kuptohet, jo i menjëhershëm, por që kërkon një farë kohe. Kohë që, sipas meje, nuk mund të parashikohet jo vetëm nga organi procedues, por as nga vetë specialisti, i cili merr përsipër kryerjen e tij. Ashtu sikurse jam i mendimit, gjithashtu, edhe që për rastet  e zvarritjeve të pajustifikuara (të qëllimshme ose jo), ligjvënësi, përveç vendimit për zëvëndësimin e ekspertit me një tjetër specialist të fushës (Neni 186/1 i K.Pr,P.), mund të kishte parashikuar të drejtën e organit procedues për të caktuar gjobë administrative, sipas rastit.

Ndalova posaçërisht në aspekte të veçanta që i përkasin formës dhe veçanërisht përmbajtjes së vendimit të ekspertimit, pasi nga njëra anë ligjvënësi në pikën 2 të dispozitës së Nenit 179 të K.Pr.Penale i ngarkon organit procedues një seri detyrash procedurale që kanë lidhje me të, nga ana tjetër, nuk artikulon asgjë se çfarë duhet të përmbajë ky akt procedural.

Njëri prej detyrimeve të organit procedues që cakton detyrën e ekspertimit dhe specialistin që do ta kryejë atë, sipas kësaj dispozite është edhe detyrimi që ka për t’ia njoftuar vendimin të pandehurit ose mbrojtësit të tij.

Njoftimi, në vetvete ka rëndësi substanciale, pra, nuk duhet konsideruar si veprim formal. Substancialiteti ka të bëjë me njohjen e të pandehurit (ose mbrojtësit të tij), si me identitetin dhe të dhënat/karakteristikat personale të specialistit përkatës, ashtu edhe me rrethin e çështjeve që do të përbëjnë objektin e veprimtarisë së tij – objektin e ekspertimit.

E drejta që sipas përmbajtjes së pikës 2 të kësaj dispozite kanë i pandehuri ose mbrojtësi i tij, për të parashtruar pyetje për ekspertin, nënkupton njohjen më përpara prej tyre, të rrethit të pyetjeve, përgjigjen e të cilave kërkon të ketë organi procedues. Përndryshe, ata logjikisht nuk kanë se si ta ushtrojnë këtë të drejtë.

Ndërhyrja e të pandehurit ose mbrojtësit të tij mund të kenë të bëjnë me po ato rrethana faktike si të organit procedues, duke kërkuar sipas rastit saktësime, plotësime apo  riformulim, por mund të jenë edhe pyetje të reja shtesë.

Forma e paraqitjes - me shkrim apo me gojë nuk ka ndonjë rëndësi procedurale - e pretendimeve të të pandehurit apo mbrojtësit mjafton që të administrohen proceduralisht, duke u përfshirë në vendimin e ekspertimit.

Po proceduralisht duhet të pasqyrohet edhe qëndrimi/vendimi, që do të merret nga organi procedues për pranimin apo refuzimin e tyre, vendim ky që duhet (t’i njoftohet të pandehurit ose mbrojtësit të tij), për t’u dhënë atyre mundësi efektive që të ushtrojnë të drejtën e ankimit.

Të njëjtat konsiderata, për mendimin tim, duhet të merren parasysh edhe lidhur me pretendimet/kërkesat e të pandehurit/mbrojtësit, në raport me identitetin, ose karakteristikat profesionale apo morale në lidhje me vlerësimin sipas tyre të përshtatshmërisë apo papërshtatshmërisë së peronit që është caktuar për të kryer ekspertimin.[14]

Mospërfshirjen  e një mase të konsiderueshme të çështjeve që kanë të bëjnë me përmbajtjen, si më sipër,  të Vendimit të Ekspertimit në K.Pr.Penale, personalisht e konsideroj jo thjesht dhe vetëm mangësi formale të këtij Kodi, por për shkak të substancialitetit të tyre (që u përmend më lart) e konsideroj edhe si mangësi, që ndikon sa në shkallën e respektimit të të drejtave të të pandehurit/mbrojtësit, aq edhe në cilësinë e drejtësisë penale në aspektin e bazueshmërisë në prova të vendimit gjyqësor.

Një nga çështjet që mendoj se ka vend për t’u trajtuar posaçërisht, ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes së specialistit në rolin e ekspertit. Nuk kam parasysh vetëm fushën e shkencës dhe teknikës nga e cila përzgjidhet individi/ët, rast pas rasti dhe shkallën e profesionalizmit të tij, në fushën përkatëse, por edhe aspekte apo faktorë, të cilët mund të ndikojnë, sipas rastit, në paanësinë/ objektivitetin që duhet të karakterizojë, domosdoshmërisht, përfundimet e arritura prej tij, pavarësisht kahut –në favor apo disfavor - të akuzës, që e cakton atë në këtë rol apo të të personit që dyshohet si autor i veprës penale.

Kështu pra, në këtë drejtim, përcaktimin përmes togfjalëshit në formë të rregullt, që përmban pika 1 e dispozitës së Nenit 179, për zgjedhjen e specialistit …ndërmjet personave që janë të rregjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim…” e gjej jo të duhurin, pasi  jo në të gjitha rastet mund të konsiderohet se është në favor të drejtësisë.

Pavarësisht qëllimit të mirë (të prezumuar) të ligjvënësit, në raport të mundësisë, edhe ligjore, për të lehtësuar procesin e përzgjedhjes, kufizimi i rrethit në një listë të parapërgatitur, brënda së cilës, si rregull duhet të zgjidhet specialisti, rast pas rasti, veç kufizimit edhe të mundësive të tjera (brënda apo jashtë territorit juridiksional të organit procedues), mbart edhe rrezikun e krijimit të një numri “shtresë” individësh, të cilët, krahas si specialistë në fushën e shkencës dhe teknikës së cilës i përkasin në përditshmërinë e tyre, të shndërrohen edhe në specislistë ekspertë profesionistë. Duke mos përjashtuar kështu, edhe mundësinë e pretendimeve të të pandehurit/mbrojtësit apo viktimës për njëanshmëri. Por, meqënëse për punën që kryen, specialisti shpërblehet financiarisht nga Shteti,  përmes organit procedues që e ka përzgjedhur atë për të bërë ekspertimin, mendoj se hapësirat për raste pretendimesh kundër përfundimeve që përmban akti dhe që janë në disfavor të të pandehurit, sigurisht që zgjerohen. Në praktikën e punës së prokurorive dhe gjykatave, raste të kësaj natyre nuk mund të thuhet se janë të pakta.

Kurse forma tjetër, ajo e zgjedhjes ndërmjet specialistëve (pa lista të parapërgatitura) që kanë njohuri të posaçme në fushën përkatëse të shkencës dhe teknikës, që parashikohet në të njëjtën dispozitë, mendoj se mbart më pak nga këto rreziqe. Veç kësaj, rrit edhe mundësinë për të zgjedhur jo vetëm ndërmjet specialistëve të juridiksionit gjyqësor të të njëjtit rreth, por edhe të juridiksioneve territoriale të rretheve gjyqësore të tjera.

Madje, bazuar në parashikimet që përmban pika 3 e dispozitës së Nenit 179 të K.Pr.Penale mund të përzgjidhet edhe një specialist i huaj – rezident i një vendi tjetër; mjafton që të përmbushë kushtet dhe shpreh vullnetin për të pranuar detyrën. Nënvizova togfjalëshin dhe shpreh vullnetin, pasi në rast se ekspertimi i kryer nga një specialist i huaj rrezulton i rremë, në kuptimin e Nenit 309 të K.Penal, ai përgjigjet penalisht për krimin e parashikuar nga kjo dispozitë. Ndërsa, për mospranimin prej tij të detyrës që i caktohet, ai nuk do të përgjigjet për veprën penale që parashikohet në dispozitën e Nenit 310 të këtij Kodi, sipas së cilës, njëra prej formave të anës objektive të figurës së veprës penale që parashikohet prej saj është edhe “mospranimi” i detyrës së ekspertimit

Çështjet e tjera lidhur me zgjedhjen e ekspertit mendoj se kanë të bëjnë : a) me faktin se zgjedhja e tyre nga specialistë të fushës përkatëse të shkencës dhe teknikës, nga punonjës të institucioneve buxhetore (të shtetit), pajtohet apo bie ndesh me objektivitetin  dhe paanshmërinë, si premisa bazë të besueshmërisë së përfundimeve të aktit të ekspertimit dhe b) me shkallën e besueshmërisë të ekspertimeve  që kryhen nga subjekte të liçensuara private.

Mendoj se përzgjedhja e specialistëve ndërmjet punonjësve të institucioneve buxhetore (me ndonjë përjashtim), në përgjithësi do të ishte e pranueshme, sa i përket shkallës së besueshmërisë së përfundimeve ku ata arrijnë lidhur me pyetjet e shtruara nga organi procedues, edhe pse, specialisti paguhet nga shteti. Kjo, sa për shkak të kritereve profesionale dhe morale  të përzgjedhjes si punonjës të këtyre institucioneve,  aq edhe për shkak të llogaridhënies para vetë institucionit, në rast shkeljeje të ligjeve të Shtetit, edhe kur ato kryhen jashtë sferës së detyrave institucionale, sikundër është edhe detyra e ekspertit gjyqësor.

Si raste përjashtimore do të konsideroja, për shembull, punonjësit e institucioneve të tilla si Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithëshme e Burgjeve, në gjithë strukturat piramidale të tyre.

Megjithatë, këtu nuk duhen përfshirë edhe punonjësit e Institutit të Policisë Shkencore pranë Policisë së Shtetit, (përfshirë edhe kriminalistët e rretheve). Kjo për shkak të profilizimit shkencor të tyre, me objekt veprimtarie në ndihmë të zbulimit të veprave penale, përmes përdorimit të metodave dhe mjeteve të shkencës dhe teknikës bashkëkohore. Gjithashtu, edhe për shkak të faktit që përzgjedhja, rast pas rasti, bëhet nga drejtuesit e vet institucionit, të cilët kanë për detyrë edhe kontrollin e respektimit, si të afateve të arsyeshme brënda të cilave duhet të përfundojnë procedurat e kryerjes së ekspertimit, ashtu edhe të vetë protokolleve dhe standardeve të realizimit të këtij procesi.

Ndërsa nuk ruaj të njëjtin mendim lidhur me përzgjedhjen e ekspertit, ndërmjet specialistëve privatë, të pajisur me liçensë nga Shteti, me objekt veprimtarie ekspertimin. Jo vetëm për faktin që, deri tani, ata janë përzgjedhur dhe paguar nga të pandehurit apo pjestarë të familjes së tyre si edhe avokatët, por edhe për shkak të mungesës së formave të kontrollit profesional dhe disiplinor të tyre.

Mendoj se zgjidhja e duhur në dobi të Drejtësisë Penale, në rastin e ekspertimeve private do të ishte krijimi i shoqërive private (persona juridikë), me një numër minimal të arsyeshëm, të parashikuar me ligj (K.Pr.P.) specialistësh të fushës së ekspertimeve gjyqësore dhe me një bazë minimale, të përcaktuar në grup llojesh, kapitali, si të aparaturave, ashtu edhe të reagentëve dhe mjeteve të tjera që nevojiten për kryerjen e ekspertimeve të llojeve të ndryshme.

Përmes kësaj forme organizimi, do të mundësohej si disiplina profesionale e specialistëve, ashtu edhe ndarja nga drejtuesit e personit juridik të detyrës së ekspertimit, sipas profesionit dhe përvojës në raste kompleksiteti të tij. Në të njëjtën kohë, do të realizohej edhe respektimi i standardeve të cilësisë së ekspertimeve për shkak të mundësive që japin natyrshëm konsultimet ndërmjet specialistëve të së njëjtës fushë, të vetë shoqërisë. Sigurisht, duke ruajtur konfidencialitetin dhe sekretin profesional, për mosidentifikimin, përfshirë edhe te kolegët, të të dhënave që i përkasin personave konkretë të çështjes penale, së cilës i përket ekspertimi.

Lidhur ngushtë me caktimin e ekspertimit, veç atyre që u trajtuan më lart, aspekte të rëndësishme procedurale janë edhe: a) papajtueshmëria me detyrën e ekspertit dhe b) përjashtimi i ekspertit, që parashikohen përkatësisht në dispozitat e neneve 180 dhe 181 të K.Pr.Penale, përmbajtja e të cilave është për mendimin tim jo vetëm e paplotë, por as funksionale sa duhet.

Papajtueshmëria me detyrën e ekspertit dhe përjashtimi i tij nga kjo detyrë në rast papajtueshmërie, për shkak të rëndësisë së aktit si lloj prove dhe peshës provuese të kësaj prove në procesin penal, me të drejtë konsiderohet aspekt shumë i rëndësishëm i këtij procesi.  Përmes aktit të ekspertimit, jo vetëm që marrin përgjigje, të bazuar në arritjet e shkencës dhe teknikës, çështje të rëndësishme të procesit penal (si: identifikimi i personit të dyshuar si autor i veprës penale; identifikimi i mjeteve që u përdorën për kryerjen e veprës; jepet informacion lidhur me mënyrën dhe mekanizmat e përdorur për kryerjen e veprës, si edhe shkakut në përgjithësi të pasojave që vijnë prej saj, rast pas rasti), por sikurse u përmend edhe në disa paragrafe të mëparshëm rrit edhe shkallën e besueshmërisë të zgjidhjeve që i jep organi procedues çështjes penale, në tërësi apo aspekteve të veçanta të saj, për të cilat është kryer ekspertimi.

Por, përmes formulimeve që përmbajnë dispozitat e neneve 180 dhe 181, të K.Pr.Penale, që u përmendën më lart, nuk mund të garantohen mjaftueshëm kërkesat si më sipër, të cilat duhet t’i përmbushë specialisti që kryen ekspertimin dhe vet akti i ekspertimit. Ato nuk përmbajnë përcaktime normative, qartësisht të shprehura dhe funksionale, në lidhje me rrethanat që i përkasin “staturës” juridiko - procedurale të personit që thirret për të kryer ekspertimin.

Kështu, rastet që parashikohen në dispozitën e nenit 180, si raste shterruese (nga “a” – “ç”) të papajtueshmërisë me detyrën e ekspertit, nuk kanë kurrfarë lidhjeje me rrethanat qënësore, prania e të cilave konsiderohet se krijon dyshime të arsyeshme, për të rrezikuar objektivitetin dhe besueshmërinë e aktit të ekspertimit. Si të tilla, mendoj se, mund të konsiderohen vetëm rrethanat, prania e të cilave, përbën kusht papajtueshmërie për pjesmarrjen në procedim të gjyqtarit dhe prokurorit, sikundër është papajtueshmëria për arsye lidhjeje familjare, gjinie ose krushqie (Neni 16 i K.Pr.P). Si dhe çdo lloj rrethane tjetër, e cila krijon dyshime të mjaftueshme se përbën konflikt interesi – në favor/disfavor të të pandehurit apo viktimës, rast pas rasti.

Parashikimi që përmban pika 1 e dispozitës së Nenit 180 të K.Pr.P, sipas të cilit “Palët mund të kërkojnë përjashtimin e ekspertit në rastet e parashikuara nga ky Kod për përjashtimin e gjyqtarit” (në përgjthësi), jo vetëm që nuk është funksional, por është edhe i pasaktë.

Nuk është funksional, për arsye se: së pari, lë të kuptohet që kërkesa e përjashtimit për papajtueshmëri lihet në diskrecionin vetëm të palëve të procesit dhe, së dyti, se palët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë në të gjitha rastet e parashikuara në K.Pr.Penale, për përjashtimin e gjyqtarit.

Sa i përket diskrecionit të palëve, kërkesa e përjashtimit të ekspertit mund të jetë fakultative për të pandehurin apo viktimën. Por, kur konstatohet prania e rrethanës së njëanëshmërisë për prokurorin dhe gjykatën në fazën e marrjes se vendimit për caktimin e ekspertimit, ajo është e detyrueshme,

Sa i përket rasteve të parashikuara në K.Pr.Penale për përjashtimin e gjyqtarit, dihet që si të tilla parashikohen në dispozitat e neneve 15 dhe 16 të këtij Kodi dy raste që kanë të bëjnë me rrethana krejtësisht të ndryshme. Në Nenin 15, si rrethanë papajtueshmërie parashikohet pjesmarrja e gjyqtarit në procedimet e mëparëshme të themelit të së njëjtës çështje penale, ose të gjyqtarit që ka shqyrtuar kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake apo në seancë paraprake për të njëjtin procedim, rrethana këto me të cilat nuk ka sesi të lidhet (kushtëzohet) edhe papajtueshmëria me detyrën e ekspertit.

Përkundrazi, në rolin e ekspertit, i njëjti specialist i fushës së shkencës dhe teknikës, sipas rastit, zakonisht merr pjesë (përmes aktit të ekspertimit, ose edhe personalisht, kur çmohet nga organi procedues), në të gjitha fazat (hetim dhe gjykim), përmes të cilave kalon i njëjti procedim, përfshirë dy shkallët e gjykimit dhe gjykimin në Gjykatën e Lartë. Në rast kthimi të çështjes për rigjykim për shkaqe që nuk lidhen me bazueshmërinë dhe besueshmërinë e aktit të ekspertimit, i njëjti akt vazhdon të jetë njëra ndër provat e administruara tashmë, edhe për gjykatën e rigjykimit. Madje, vazhdon të jetë provë edhe për gjykatat e rishikimit të vendimit penal të formës së prerë.

Veç rastit të papajtueshmërisë për arsye lidhjeje familjare, gjinie, ose krushqie (Neni 16 i K.Pr.P) apo të konfliktit të interesit, në përgjithësi, rast papërshtatshmërie për shkak të pjesmarrjes në procedim, edhe për ekspertin mund të jetë prania e ndonjë prej rrethanave që parashikohen në pikën 3 të Nenit 15 të këtij Kodi. Të tilla rrethana janë: të qënit prokuror, ose person që ka kryer veprime të oficerit të policisë gjyqësore në të njëjtin procedim; ka qënë mbrojtës apo përfaqsues i një pale; dëshmitar, viktimë apo person që ka paraqitur një kallëzim, ose ankim, në të njëjtin procedim.

 

Përmbajtja dhe forma e Aktit të Ekspertimit

 

Sikundër u trajtua edhe në paragrafet e mësipërme, ekspertimi në vetvete është njëri ndër llojet e veprimeve procedurale që kryhen gjatë dinamikës së procesit penal. Kurse rezultatet e kësaj veprimtarie pasqyrohen (dokumentohen) me shkrim, në formën e një akti procedural, që në Kodin e Procedurës Penale (Neni 185) emërtohet “Akti i ekspertimit

Sa i përket formës, veç faktit që duhet të paraqitet me shkrim (Neni 185/1), akti i ekspertimit duhet të përmbushë edhe kushtet e përgjithëshme (aq sa i përkasin) të akteve procedurale, në përgjithësi të normuara nga ligjvënësi, përmes dispozitave të titullit III të këtij Kodi (Aktet, njoftimet dhe afatet).

Ndërsa, sa i përket vlefshmërisë juridike  (si provë), edhe pse dispozita e Nenit 185 nuk përmban rregullim normativ lidhur me aspekte të tilla, si: njoftimi i palëve të tjera (të pandehurit, mbrojtësit dhe viktimës) dhe administrimi i pretendimeve të tyre, pala e interesuar kur ndodhet përpara mosnjoftimit apo kundërshtimit të pretendimeve të saj, sipas meje duke respektuar kërkesat e dispozitës së Nenit 129 të K.Pr.Penale, mund të pretendojnë pavlefshmërinë relative të këtij akti.

Në funksion të rolit dhe peshës provuese të tij, rëndësi ka përmbajtja e Aktit të Ekspertimit. Kjo, sepse në këtë pjesë të aktit dokumentohen përgjigjet e specialistit/ekspertit, veç e veç, për secilën prej pyetjeve që përmban Vendimi i Ekspertimit. Përgjigje këto, të cilat duhet të jenë të qarta dhe të sakta. Të qarta, në mënyrë që të shmangen dykuptueshmëritë. Ndërsa të sakta, në kuptimin që duhet të jenë të argumentuara.

Qartësia e aktit është kusht (domosdoshmëri), veçanërisht gjatë formulimit të përgjigjeve, që pasqyrojnë zgjidhjen përfundimtare të secilës prej çështjeve që ngrihen përmes pyetjeve të organit procedues. Prandaj quhen përfundime të ekspertimit. Mbi bazën edhe të tyre, organi procedues arrin në perfundimet përkatëse, lidhur me faktin nëse vepra përbën apo jo vepër penale, si edhe nëse personi i dyshuar është apo jo autor i saj.

Sa i përket argumentimit kam parasysh faktin që akti i ekspertimit duhet të përmbajë në formë të artikuluar (me gjuhë dhe terminologj të kuptushme si për organin procedues edhe për palët) edhe dinamikën (protokollin) e zhvillimit të ekspertimit.

Përmes argumentimit, si më sipër, për organin procedues, si edhe për palët e tjera të procesit krijohen mundësi reale për të kuptuar, sa dhe si duhet përmbajtja e përfundimeve të aktit të ekspertimit. Gjithashtu, shmangen edhe rastet e pyetjeve shtesë – sqaruese për specialistin, si edhe thirrja e tij (nga organi procedues), për të dhënë sqarime apo për të bërë ndërhyrje plotësuese në akt. Argumentimi i akteve si më sipër shërben edhe për të krijuar kushte dhe mundësi reale për krijimin e bindjes rreth besueshmërisë/pabesueshmërisë së përfundimeve të aktit.

Rregullim normativ i posaçëm për aktin e ekspertimit parashikohet në pikën 2 të Nenit 185 të K.Pr.Penale, për rastet kur caktohen dy ose më shumë specialistë, të së njëjtës fushë apo të fushave të ndryshme të shkencës dhe teknikës. Sipas kësaj dispozite, në këto raste, kur ekspertët kanë mendime të ndryshme (kupto: arrijnë në përfundime të ndryshme), secili prej tyre e paraqet mendimin e vet në akt të veçantë ekspertimi.

Nevoja për të caktuar si ekspertë dy ose më shumë specialistë, zakonisht, lind në rastet e ekspertimeve mix-e. Por, nevoja për ekspertime mix-se mund të lindë edhe për shkak të kompleksitetit të ngjarjes/kallëzimit apo të mekanizmit të saj, dhe të mjeteve të sofistikuara që mund të jenë përdorur. Për arritjen në përfundime sa më afër të vërtetës, kërkohen edhe konsultime shkencore ndërmjet specialistëve të fushës.

Në rastin kur pas konsultimeve arrihet në përfundime të njëjta, kuptohet që edhe akti i ekspertimit do të jetë i përbashkët. Ndërsa kur mendimet ndahen dhe arrihet në përfundime të ndryshme ose të kundërta, sipas dispozitës së përmendur, secili prej tyre parashtron me akt të veçantë mendimin/ përfundimet e tij.

Për rastet e akteve të veçanta të ekspertimit, që përmbajnë zgjidhje/përfundime të ndryshme apo të kundërta, natyrshën lind pyetja: cili/ët prej tyre do të merret/n për bazë nga organi procedues?

Ndërsa, sipas nenit 179/1 të K.Pr.Penale, për rastet kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm (nënkuptohet nga organi procedues), organi procedues merr masa që detyra t’i besohet një eksperti tjetër, për mosdakortësinë mbi përfundimet e ekspertëve, që paraqesin secili në aktin e tij, nuk parashikohet zgjidhje ligjore.

Deri në plotësimin e mundshëm të këtij vakumi nga ligjvënësi, mendoj se zgjidhja më e përshtatshme për të sheshuar papajtueshmëritë apo kundërshtitë e parfundimeve që përmbajnë aktet e veçanta të ekspertimit mund të ishte, ose një proces sqarues përmes marrjes në pyetje të ekspertëve nga organi procedues që ka caktuar ekspertë dhe detyrën e ekspertimit ose caktimi i specialistëve të tjerë, të së njëjtës fushë, për të kryer ekspertim të ri.

Gjithsesi, vlerësimi  (çmuarja) përfundimtar, pas ballafaqimit të përfundimeve që përmbajnë të dyja këto akte, mbështetur edhe në njohuritë profesionale, të prezumuara, në fushën e ekspertimeve, mbetet prerogativë ekskluzive e vetë organit procedues.

 

Konkluzione

 

Sikurse u theksua edhe gjatë trajtimit të aspekteve kryesore rreth ekspertimit, vendi dhe roli i tij në procesin penal në funksion të provueshmërisë është i rëndësishëm. Edhe pse në kategorinë e provave indirekte (të tërthorta), metodat dhe mjetet e fushave të ndryshme të shkencës dhe teknikës, që përdoren për realizimin e tij janë premisa të qënësishme për objektivitet, paanshmëri dhe besueshmëri, në një shkallë të konsiderueshme, të rezultateve të këtij veprimi procedural. Forma juridike e këtyre rezultateve përmblidhet dhe paraqitet para organit procedues përmes përfundimeve (konkluzioneve) që përmban akti i ekspertimit.

Gjithsesi, pavarësisht llojit të veprave penale, shkallës së rrezikshmërisë shoqërore të tyre, përmasave dhe shkallës së rrezikshmërisë së pasojave që vijnë apo mund të vijnë prej tyre, edhe pse konsiderohet provë shkencore (çka në fakt është e tillë), edhe akti i ekspertimit i nënështrohet procesit të çmuarjes, krahas provave të llojeve të tjera, dhe me të njejtat kritere (kërkesa) që duhet të përmbushen për ‘to.

Pavarësisht shkallës së besueshmërisë së tij, në përgjithësi, kur nuk mbështetet edhe me prova të tjera (direkte apo indirekte), edhe ekspertimi si provë e vetme, nuk mund të çojë në vendim fajësie. Madje, ashtu sikundër vetë akti i ekspertimit i shërben procesit të verifikimit të vërtetësisë  së llojeve të tjera të provave të një procedimi penal, veçanërisht, dëshmive dhe këto të fundit, përmes ballafaqimit procedural dhe metodave logjike (induksion/deduksion) shërbejnë edhe për verifikimin e shkallës së vërtetësisë së këtij akti.

Edhe fakti që raste konkluzionesh të gabuara apo të pasakta ekspertimesh janë konstatuar edhe në vënde me mundësi shumë më të mëdha se sa te ne, përdorimit të teknologjive dhe metodave shkencore të niveleve nga më të lartat dhe me përvojë shumëvjeçare në fushën e ekspertimit, bëjnë që pranimi a priori i vlerës provuese (si të sakta) të rezultateve të tij (fetishizimi i tyre), të mos jetë në dobi të drejtësisë penale.

Rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit tërësor të ekspertimeve procedurale, veç aspektit të rregullimit normativ luan edhe shkalla e përgatitjes profesionale të aktorëve të këtij procesi – oficerë të policisë gjyqësore, prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë.

Sa i përket përgatitjes profesionale të aktorëve (subjekteve) të këtij procesi, konsideroj domosdoshmëri pajisjen me njohuri të përgjithëshme në fushën e llojeve të ekspertimit, posaçërisht në funksion të: a) aspektit të profesionalizmit të kërkesave, në formën e pyetjeve, që duhet të përmbajë vendimi për caktimin e ekspertit dhe detyrës së tij; b) aspektit të vlerësimit juridik të përfundimeve që përmban akti i ekspertimit.

Ndërsa, lidhur me aspektin e rregullimit normativ, bazuar në konstatimet e mangësive, që u parashtruan modestisht thuajse në të gjitha rradhët e këtij punimi, mendoj për ekzistencën e nevojës së një përmirësimi tërësor të rregullimit normativ të të gjithë procesit ekzistues të ekspertimit (Seksioni i VI i titullit IV, të Kodit të Procedurës Penale).

-----------------------------------------------------

.

Literatura:

 

Akte normative

-          Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë (në fuqi)

-          Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë

-          Ligji nr. 8570, datë 22.02.1999 “Për procedurat tatimore”

 

Doktrinë

-          Paolo Tonini, Prova scentifica, Vol XII,  Enciclopedia II 24 ore-re.

-          Dh.N.Avokat Grigorios Llazarikos, Mbrojtja e të dhënave  personale përmes ekzaminimit

të informacioneve të ndjeshme trupore të individit”, Periodiku ‘Drejtësia Penale’, nr.11(2001), Athinë (Greqi)

-          Direktiva 95/46/EC e Parlamentit Europian dhe Këshillit “Për mbrojtjen e individëve në

lidhje me përfundimin e të dhënave personale”, datë 28 tetor 1995

-          Skënder Begeja, Kriminalistika, Tekst universitar, Tiranë 1971 (ribotuar 1984)

-          Estref Myftari, Zbulimi i falsifikimeve në dokumente, Monografi, Tiranë 1987

-          Luan Veliqoti, Identifikimi i personit në bazë të fotografive, Tiranë 2009



[1] Paolo Tonini, Prova scientifica, Vol. 12, fq.437: Mund të përkufizohet si shkencë ajo lloj njohurie që ka këto karakteristika: ka objekt faktet e natyrës; është e sankionuar nga një sërë rregullash të përgjithëshme që quhen ligje shkencore dhe që janë të lidhura mes tyre në mënyrë sistematike

[2] Neni 178 i K.Pr.P.: “Ekspertimi lejohet kur është i nevojshëm zhvillimi i kërkimeve ose marrja e të dhënave ose i vlerësimeve që përkojnë njohuri të posaçme teknike, shkencore ose kulturore” (theksimi i autorit të këtij punimi)

[3] Neni 49/3, gërma ‘dh’, i Kushtetutës

[4] Neni 49/3, gërma ‘e’ në lidhje me nenin 71/2 të Kushtetutës

[5] Ndalimet lidhur me individualitetin, si rrethana që i përkasin privatësisë së secilit person janë objekt trajtimi edhe në Direktivën 95/46/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE, datë 28 Tetor 1995 “Për mbrojtjen e individëve  në lidhje me përpunimin e të dhënave personale”

[6] Paolo Tonini, vep. e cituar, fq.440

[7] Skënder Begeja, Kriminalistika: “Teknika kriminalistike”, Tiranë 1971, fq.35-151

[8] Dr.Estref Myftari, Zbulimi i falsifikimeve në dokumente, Tiranë 1987

[9] Dh. N. Avokat Grigorios Llazaracos, Mbrojtja e të dhënave personale përmes ekzaminimit të informacioneve të ndjeshme (delikate) trupore të individit, artikull i publikuar në Periodikun  shkencor ‘Drejtësia Penale’, Nr.11/2001, Athinë (Greqi), fq.1169

[10] Gregoris Llazarikos, artikulli i cituar, fq.1167/B

[11] Prof. Asoc. Dr. Luan Veliqoti, Identifikimi i personit në bazë të fotografisë, botim i dytë, Tiranë 2009

[12] Grigoris Llazarikos; artikulli i cituar më lart: 

a.       Gjurmët e gishtërinjve: Për shkak të numrit të madh të karakteristikave që përmbajnë gishtat e duarve,

konsiderohet metoda më e njohur dhe më e përdorur për identifikimin e një personi. Mundësia e gabimit është (një) në 1.000.000 (një milion), fq. 1167

b.       Hirogjeometria (matja e dorës): Matja e gjatësisë së gishtërinjve ; të hollësisë  apo trashësisë aë pëllëmbës

së dorës dhe dëndësisë së lëkurës së saj. Ndyshe nga gjurmët daktiloskopike, hirogjeometria nuk ndikohet nga dëmtime të vogla, si p.sh. prerja e dorës. Por, dëmtohet nga pluhuri. Shërben edhe për të përcaktuar gjurmën e lëkurës. Mundësia e gabimit nga ekzaminimi është : 1 (një) në 1000 (njëmijë), fq.1168

 c.    Identifikimi përmes diafragmës dhe retinës së syrit:  Konsiderohet një nga metodat biometrike më të besueshme, për shkak të karakteristikave të ndryshme që ka çdo njeri. Realizohet me anë të rrezeve lazër.       

d.       A.D.N: Realizimet përmes  analizës së qelizave të njeriut, të cilat kanë një shtresë informacioni (zonë

gjenetike), që është e veçantë te çdo person. I përket karakteristikave (të dhënave) trashëgimore. Nënkupton sasi të vogël materiali gjenetik – mjafton edhe qime. Megjithë kritikat e shumta për gabimet e   mundshme, besueshmëria përmes analizës së A.D.N-së pranohet ndërkombëtasisht.

e.        Megjithatë, në literaturën botërore janë referuar raste dënimi me dënime te rënda të personave të pafajshëm,

për shkak të iterpretimit të gabuar të analizës së A.D.N-së. Si shembull, sillet rasti i një të dënuari për vjedhje në Britaninë e Madhe, në vitin 1999. Me kërkesë për riekspertim, tashmë në Sh.B.A, u konstatua gabimi i ekzaminimit të mëparshëm për shkak të pamjaftueshmërisë së zonës gjenetike që ishte marrë për bazë ekzaminimi : nga 6 (gjashtë) zona të tilla që ishin marrë në Britaninë e Madhe, në Sh.B.A u morrën 13 (trembëdhjetë)) zona gjenetike (numër ky që vazhdon të praktikohet në Sh.B.A.). Pas kësaj, edhe në Britaninë e Madhe, nga gjashtë që ishte numri i zonave gjenetike që merreshin  si bazë ekzaminimi, u rrit në dhjetë zona gjenetike. Bazuar në të dhënat statistikore, mundësia e gabimkit në rastin e A.D.N-së, është: 1(një) në 32.000000 (tridhjetë e dy) million, fq.1181

P-S :  Pas shtjellimit dhe analizës  së llojeve , përmbajtjes  së ekspertimit, përfshirë edhe propabilitetin e gabimit, si më sipër, autori i shkrimit arrin në përfundimin, se: rezultatet e ekzaminimit (ekspertimit : S.S), megjithëse konsiderohen indicje, “….vlerësimi përfundimtar i tyre prevalon në krahasim me mjetet provuese personale dhe posaçërisht me dëshminë”. Dhe kjo ndodh - - vazhdon autori - sepse përtej çmuarjes qënësore (thelbësore) të çdo mjeti provues, e vërteta shkencore e përmbajtjes të indicjeve faktike mund të kontrollohet në mënyrë të padiskutueshme, ndërsa besueshmëria e dëshmitarëve shpesh është e diskutueshme. Për këtë arsye – vazhdon autori - trendi drejt provueshmërisë shkencore fiton gjithnjë e më shumë terren, sa në gjykimin penal, aq edhe në gjykimin civil

[13] Lidhur me momentin e caktimit të ekspertit dhe detyrës së ekspertimit, në veprën e cituar më lart, autori Paolo Tonini, bazuar në çështjet që janë evidentuar nga doktrina italiane, shprehet se, kriteret që duhen vlerësuar (nga organi procedues – S.S) në momentin e lejimit të provës shkencore janë: a) nëse metoda është e vlefshme për të marrë një element të nevojshëm; b) nëse metoda konkrete është në gjëndje të rindërtojë faktin që duhet provuar; c) nëse metoda është e kontrollueshme në momentin e marrjes dhe të vlerësimit; d) nëse eksperti është i kualifikuar dhe e) nëse instrumenti është i kuptueshëm, pasi palët dhe gjykata duhet të kenë mundësi ta kuptojnë atë

[14] Shih edhe Nenin 184/4 të Kodit të Procedurës Penale