PËRFITIMI I ARSYESHËM I PAGESAVE PËR AVOKATËT QË OFROJNË NDIHMË JURIDIKE DYTËSORE 

Dihet që administrimi i mirë i drejtësisë fillon me krijimin dhe zbatimin e garancive që duhet të ketë çdo individ për mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese, konventore dhe ligjore, nëpërmjet aksesit në institucionet e drejtësisë. Në këtë kuadër, edhe në vendin tonë ka ekzistuar një kuadër ligjor, për të sanksionuar kushtet dhe procedurat e dhënies së ndihmës juridike të garantuar nga Shteti. Por, sa  efektiv ka qenë ai?

 Për herë të parë legjislatori shqiptar ka miratuar në vitin 2008 ligjin nr.10039 “Për ndihmën juridike”, sipas të cilit, kjo lloj ndihme klasifikohej në asistencë juridike parësore dhe dytësore, ndërsa subjektet përfitues ishin personat e gjendur në pamundësi financiare, të tjerë që përfitonin nga ndihma sociale, si edhe të miturit. Ndihma juridike parësore dhe ajo dytësore për këto kategori vulnerabël duhej të jepej nga persona që ushtronin profesionin e avokatit, sipas një liste të hartuar nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë (më pas me emërtimin: Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë). Por, përveç disa përcaktimeve konkrete për mbarëvajtjen në këtë fushë, ky ligj nuk parashikonte, për shembull, marzh të ardhurash/pasurish që kategorizojnë personat me të ardhura të pamjaftueshme, duke krijuar kështu terren për interpretime subjektive.

Ndërsa në ligjin pasues 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” jo vetëm që caktohet një marzh fiks të ardhurash/pasurish, që një person të përfshihet në kategorinë e përfituesve të kësaj ndihme, por edhe shtron për zgjidhje problematikat e konstatuara nga ligji i dekadës së kaluar. Megjithatë, ashtu sikurse për përmirësimet e mundshme në disa drejtime ende vihen re zvarritje të pajustifikuara, edhe në këtë fushë përsëri kanë mbetur në pikëpyetje disa çështje, të cilat nuk janë këtu objekt trajtimi, sepse shpjegimet përkatëse mund të gjenden në ndonjë numër të kaluar të Revistës ‘Avokatia’.

Ajo që vlen të shënohet në këto radhë është përcaktimi dhe miratimi së fundmi i tarifave të shpërblimit dhe të kompensimit të shpenzimeve për ndihmën juridike të ofruar nga avokatët. Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë (DHASH) hodhi në kohë disa hapa në mbështetje të detyrimit ligjor të saj, të përcaktuar në ligjin 111/2017, për të propozuar tarifat e arsyeshme për llojet e shërbimeve të ofruara nga mbrojtësit ligjorë, përkundër atyre rreth 50 për qind më të ulta që u propozuan më herët nga Ministria e Drejtësisë.

Fillimisht, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë harmonizoi përpjekjet e veta me Ministrinë e Drejtësisë për të përcaktuar rregullat e përgjithshme mbi përgatitjen e listave dhe renditjen në ‘to të avokatëve të ndihmës juridike falas, hartimin e procesit e caktimit të avokatëve, si edhe parashikimin e tre dispozitave kalimtare. Përpjekje të tilla u materializuan në nxjerrjen me firmën e titullarëve të këtyre dy Institucioneve të një Udhëzimi të përbashkët Nr. 17, datë 05.08.2020, për zbatimin e të cilit ngarkohen Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, dhomat vendore të avokatisë dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.

Ndërkohë, DHASH zhvilloi një sondazh me rreth 50 avokatë, të cilët, duke qenë pjesë e listave për ofrimin e ndihmës juridike dytësore aplikuan, nëpërmjet formularëve të posaçëm, për nivelin e tarifave që i vlerësojnë të domosdoshme në plotësim të misionit të tyre në fushat penale, civile dhe administrative, si edhe për mbrojtjen ligjore të të miturve. Të dhënat e përftuara nga ky sondazh u shtruan për diskutim dhe u aprovuan në Këshillin e Përgjithshëm të DHASH, ku u vendos paraqitja e tabelave përkatëse pranë Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e tyre përfundimtar.

Rezultati: ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës dhe nenit 7, gërma “b”, të ligjit nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” nënshkruan Udhëzimin përbashkët Nr. 18, datë 5.8.2020 “Për miratimin e kritereve të përfitimit të pagesave dhe tarifat e shpërblimit të avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike dytësore”, për zbatimin e të cilit ngarkohen Drejtoria e Ndihmës Juridike në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Ky Udhëzim ka hyrë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare Nr. 157, më datë 3 shtator 2020.

Më poshtë pasqyrohen tarifat e shërbimeve juridike të avokatëve sipas përcaktimeve të bëra në Udhëzimin e mësipërm.