Av. Dr. Ardita BUNA

Universiteti “Mesdhetar” i Shqipërisë,

Anëtare e Dhomës së Avokatisë,

Tiranë

Hyrje

Corona virusi i ri ka shkaktuar vështirësi të mëdha per çdo biznes. Deri tani kemi dëgjuar histori për dërgesa të vonuara, fluturime të anuluara, ndërprerje të punës, kontrata të prishura. Çështja e parë që del në këto situata: kush do të paguajë për kostot e shkaktuara apo për kompensimet e tyre? Cilat janë pasojat që përhapja e këtij virusi ka sjellë për shkeljen e detyrimeve kontraktore? A është ky virus i ri, një forcë madhore dhe, si pasojë, a duhet të ketë kompensime për dëmet e sjella? Cilat janë kushtet që një kompani te kërkojë konstatimin e Forces Madhore dhe të përjashtohet nga detyrimi për përmbushjen e kontratës?

 Përgjigja e parë që na vjen ndër mend menjëherë është se, çdo gjë varet nga rastet specifike. Është akoma herët të shohim se si do të trajtohen konfliktet gjyqesore, për shkak se palët akoma po përpiqen që t’i zgjidhin ato me marrëveshje dhe mund ti drejtohen gjykatës më vonë. Një rast i tillë do të ishte për shembull prishja e një objekti të siguruar dhe të dhënë me qira. Kompania siguruese pretendon vlerësimin e dëmit dhe riparimin e tij me mjetet e veta, kurse banka kërkon depozitimin e shumës së sigurimit të objektit që shërben si kolateral për kredinë që ka dhënë. Ndërkohë që individi që ka dhënë ambjentin me qira dhe e ka siguruar atë pikërisht për rreziqe të tilla si ai i tërmetit, dhe ai që e ka marrë me qira këtë object kërkon riparimin e objektit të dëmtuar për shkak të tërmetit që të vazhdojë aktivitetin ekonomik. Në këtë katërkëndësh operatorësh ekonomikë, të gjitha subjektet kërkojnë realizimin e detyrimeve kontraktore të marra përsipër:

Qiramarrësi kërkon objektin që ka marrë me qira (të padëmtuar dhe në gjendje të përshtatshme).

Qiradhënësi kërkon zbatimin e kontratës së sigurimit për mbulimin e rrezikut për të cilin e ka siguruar për shkak se kjo shërbën dhe si kolateral për një kredi bankare.

Banka kërkon mbulimin e shpenzimeve për riparimin e objektit për shkak se kërkont ëmbrojë kolateralin e saj lidhur me kredinë që ka dhënë.

Siguruesi tashmë duhet të përmbushë detyrimin kontraktor që ka marrë përsipër që në rastin e verifikimit të rrezikut (tërmetit në këtë rast), të paguajë shpenzimet e riparimit.

 

Cili është përkufizimi i termit juridik Forcë madhore?

 

Kodi Civil e përmend këtë term juridik në nenin 278, i cili parashikon se pronari duhet të lejojë fqinjin të hyjë e të kalojë në tokën e tij sa herë ka nevojë të ndërtojë, ose të ndreqë një mur apo një vepër tjetër. Ai duhet të lejojë personin që të kërkojë e të marrfë gjënë e gjallë e çdo send tjetër të tij, që ndodhen aty, rastësisht ose si rrjedhim i erës, ujit, orteqeve dhe forcave të tjera madhore ndodhen në tokën e tij apo janë bashkuar me sende të tij….

Këtë term juridik e gjejmë dhe në nenin 1006 të Kodit Civil, i cili parashikon kontratën e depozitës në hotel.

Ndërkohë, legjislacioni i mëparshëmsi, ai i Kodit Civil 1981[1] e përmend këtë term në nenin 65 si një nga shkaqet e pezullimit të parashkrimit të padisë, si edhe në nenin 343 si shkak për përjashtimin nga përgjegjësia mbi shkaktimin e një dëmi në mjedis.

Kodi Civil i vitit 1929 e përmend Forcën madhore në nenet 1788-1789 te kontratat e bartjes (kontratat e transportit): Ai që obligohet me bartë persona ose sende, detyrohet me marrë masat e nevojshme për me garantue sigurimin e personavet dhe gjendjen e mirë të sendevet që transporton; por nuk asht garant për rreziqet që janë të lidhuna me mjetin e bartjes. Gjithashtu detyrohet me ruejtë, si një atë familjeje i mirë, sendet që i janë besue edhe para se të fillojë bartja, dhe asht përgjegjës për vjedhjen, humbjen ose cënimin e tyne, kur provon se këto ngjarje kanë rrjedhë nga forca madhore, nga vesi i sendeve ose nga faji i kontraktuesit tjetër.

Dispozita parashikon përjashtimin nga përgjegjësia transportuesin, pasi Forca madhore, vesi i sendeve dhe veprimet me faj të kontraktuesit tjetër janë rrethana që përjashtojnë nga përgjegjësia personin që detyrohet të bartë. Këto rrethana qëndrojnë jashtë vullnetit dhe veprimeve të personit që bart. Po kështu parashikohet edhe përjashtimi nga përgjegjësia e hoteltarit në nenin 1790-1793, duke parashikuar: “Hoteltarët detyrohen, si depozitarët, me ruejtë e me kthye sendet që ua kanë besue si depozitë udhëtarët.

Nenet në vijim rregullojnë rastet e përgjegjësisë së pakufizuar të hoteltarit dhe rastet kur ai përjashtohet nga përgjegjësia. Hoteltari nuk mban përgjegjësi kur vjedhja, humbja, ose cënimi janë pasojë e veprimeve të udhëtarit, njerëzve të tij, të personave që vizitojnë udhëtarin, ose si rezultat i Forcës madhore.

Ky term përdoret dhe në Kodin e Procedurës Administrative të mëparshëm, si një nga shkaqet e përjashtimit nga përgjegjësia për shkak të mospërmbushjes së një detyrimi kontraktor për shkaqe madhore.

Ky është një term që përdoret përgjithësisht në çdo kontrate dhe në kontratat që vijnë në zbatim të ligjit për Prokurimin Publik. Në Dokumentet standarde te Prokurimit Publik është e përcaktuar qartë te “Kushtet e Përgjithshme të Kontratës” ku gjendet edhe një nen i veçantë lidhur me forcën madhore:

Neni 18

Forca Madhore

18.1 Kontraktuesi nuk duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen e depozitës së kontrates, dëmet e likuiduara ose ndërprerjen për mosplotësim nëse dhe deri në masën që vonesa në zbatim ose ndonjë dështim tjetër në zbatimin e detyrimeve të tij sipas kontratës vijnë si rezultat i ndodhjes së Forcës Madhore.

18.2 Për qëllimet e këtij neni “Forcë Madhore” do të thotë një ngjarje e paparashikueshme jashtë kontrollit të Kontraktuesit mbi fajin ose neglizhimin. Ngjarje të tilla mund të përfshijnë, por nuk janë të limituara nga, veprimet e Autoritetit Kontraktues qoftë në kapacitetin e tij sovran ose kontraktual, lufta ose revolucionet, zjarri, përmbytja, tërmeti, epidemitë, shtrëngime të karantinës dhe embargo tranziti.

18.3 Në se ndodh ndonjë situatë e Forcës Madhore, Kontraktuesi duhet të njoftojë menjehere Autoriteti Kontraktues. Me përjashtim kur Autoriteti Kontraktues jep direktiva të ndryshme, Kontraktuesi duhet të vazhdojë të zbatojë detyrimet e tij sipas kontratës në masën praktikisht të arsyeshme dhe duhet të kërkojë të gjitha mjetet e arsyeshme për zbatimin që nuk pengohet nga Forca Madhore.

Dhe menjëherë pas kësaj dispozite parashikon dhe …

Neni 19.4 Autoriteti Kontraktues do të jetë dakort për një zgjatje të afatit në rastin e Forcës Madhore.

Përgjithësisht e gjejmë përkufizimin e këtij termi si: “një ngjarje të paevitueshme dhe të paparashikueshme”.

Tekstet juridike e përkufizojnë si një pamundësi për të përmbushur në mënyrë të paevitueshme për të gjithë dhe jo vetëm për personin e caktuar.

Ka disa përkufizime të tjera që e përkufizojnë si mospërmbushje pa faj (pra, për shkaqe që nuk varen nga debitori për të përmbushur një kontratë (pra, veprim apo mosveprim që nuk varet nga vullneti) dhe që i përjashton palët nga përgjegjësia për mospërmbushjen e kontratës kur verfikohet një ngjarje, e cila nuk mund të parashikohej apo evitohej, çka është jashtë kontrollit të palëve dhe që e bën të pamundur përmbushjen e detyrimeve të kontratës. Përgjithësisht mbahet qëndrimi që këto shkaqe madhore pezullojnë përmbushjen e detyrimeve kontraktore deri në përfundimin e ngjarjes madhore, përveç rastit kur përmbushja në afatin e caktuar është themelore dhe lidhet ngushtësisht me një kohë të caktuar. Kontrata vetë mund të parashikojë si duhet të sillen palët në këto raste. A është i nevojshëm njoftimi i palës tjetër apo a duhet një verifikim zyrtar i rastit madhor.

Sipas Kodit Civil italian, ka disa zgjidhje kur vërtetohet ekzistenca e një force madhore: pavlefshmëri e kontratës, anullimi i saj, pezullimi i ekzekutimit të kontratës apo zgjidhja e saj. Palët do të ndodhen përpara rastit fator nëse ato kanë vepruar me kujdesin e një njeriu mesatar për të evituar ngjarjen dhe pasojat, por pavarsisht kësaj ato kanë ndodhur. Nga ana tjetër, termi rast fator i referohet një ngjarje, e cila ndikon në aspektin ekonomik të kontratës, ku ndodhja dhe pasojat e saj nuk varen absolutisht nga vullneti dhe sjellja e palëve. Doktrina italiane[2] afirmon se, në fakt termi rast fator cënon ekuilibrin e vendosur nga pala kontraktore, “ngjarje që duhet të jetë e paparashikueshme, në kuptimin relativ, duke e gjykuar nga pozicioni social i kësaj pale dhe të ambjentit ekonomik ku ajo jeton”. Ajo që referon është se kjo ngjarje që përbën rast fator nuk duhet në asnjë mënyrë të mund të parashikohet qoftë dhe aksidentalisht. Paparashikueshmëria duhet të vlerësohet në momentin në të cilin duhet të përmbushet detyrimi që ka për objekt një shërbim, ku ngjarja e paparashikueshme konkuron me ngjarje që është objektivisht e panjohur.

Në çështjen nr. 10651, datë 24.4.2008, Gjykata Italiane e Kasacionit pranoi kërkesën për dëmshpërblim të një cifti që kishte blerë një paketë turistike për në ishullin e Djerbës. Sapo arrijnë në destinacion zbulojnë që plazhi dhe deti janë të pafrekuentueshëm për shkak të një shkatërrimi ekologjik, si rezultat i shkarkimit të paligjshëm në det të një sasie nafte. Turistët reaguan kundër organizatorit të udhëtimit, duke e konsideruar përgjegjës se përse nuk i kishte ofruar një alternativë tjetër, në pamundësi për të shfrytëzuar një shërbim thelbësor, si plazhi dhe deti. Operatori turistik pretendonte se mospërmbushja ishte e paparashikueshme dhe e paevitueshme, si pasojë e veprimeve të të tretëve, ose të Forcës madhore. Gjykata e Kasacionit Italian e vlerësoi këtë fakt jo si mospërmbushje e paketës turistike, por si kusht që lidhet me ekzekutimin e kontratës, duke e vlerësuar këtë thelbësor. Jurisprudenca italiane ka përkrahur mendimin se organizatori nuk mund të garantojë kënaqësinë shpirtërore apo estetike të konsumatorit që ka blerë një paketë turistike, por duhet minimalisht të garantojë shërbimet që teorikisht ndikojnë në arritjen e kënaqësisë gjatë udhëtimit, ose qëndrimit të konsumatorit, i cili i ka konsideruar thelbësore këto pjesë të paketës që ai ka blerë. Një pjesë e doktrinës italiane ka kritikuar këtë qëndrim të jurisprudencës, duke pretenduar se pamundësia e shfrytëzimit të plazhit, si pjesë e shërbimeve të parashikuara në kontratë, duhet të konsiderohet si mospërmbushje, jo një kusht thelbësor, mungesa e të cilit duhet të shoqërohet me një alternativë tjetër nga ana e organizatorit. Ky qëndrim sjell paqartësi në dallimin midis mospërmbushjes dhe ndryshimit të kushteve thelbësore, duke ngarkuar organizatorin apo shitësin e paketës turistike me detyrime alternative.[3]

Kodi penal italian, neni 45 e parashikon forcën madhore si shkak për përjashtimin nga përgjegjësia penale faktin penal të shkaktuar për shkak të forcës madhore.[4]

Konventa e Brukselit[5] në nenet 9 dhe 20 parashikon të drejtën e udhëtarit për të hequr dorë nga kontrata e lidhur me organizatorin e udhëtimit apo me ndërmjetësin e udhëtimit, kundrejt shpërblimit të dëmit që mund t’i shkaktojë palës tjetër, sipas rregullave të parashikuara në kontratën e udhëtimit, ose në legjislacion kombëtar të palëve.

Në kontratat me detyrime të njëanshme neni 476 përcakton, se:

Çdo mangësi në ekzekutimin e  detyrimeve e detyron debitorin të shpërblejë dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij. Në këtë rast kreditori ka të drejtë:

a.      të kërkojë ekzekutimin në natyrë të detyrimit, veçanërisht dorëzimin e sendit ose krerjen e punimeve si dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit- ose

b.      shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mos ekzekutimi i detyrimit”.

Përgjithësisht, gjykatat shqiptare e konsiderojnë Forcën madhore si shkak për shkarkimin e palëve nga detyrimet kontraktore dhe kthimin e pagesave të kryera deri atëherë për përmbushjen e detyrimit, ose si afat pezullues, pas të cilit duhet të vazhdohet me përmbushjen e objektit të kontratës.[6]

Në kontratat e shitjes së sendeve, rreziku i humbjes së sendit për shkak të forcës madhore bie mbi shitësin deri në momentin e dorëzimit të sendit te blerësi. Ky qëndrim është mbajtur edhe nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vedimin nr. 901, datë 14.7.2000.

Në një vendim tjetër të Gjykatës së Lartë të datës 15.9.2015, është shqyrtuar një çështje ku pretendohej ekzistenca e forcave madhore duke e parashikuar shprehimisht në kontratë:

“Palët kontraktuese mund të zgjasin afatin e lëvrimit e mund të shkarkohen nga përgjegjësia e përmbushjes së kontratës vetëm në rastin e forcave madhore.

Do të konsiderohen forca madhore çdo ngjarje që ndodh jashtë kontrollit të blerësit ose shitësit dhe që nuk përbën neglizhencë nga ana e shitësit dhe që nuk mund të parashikohen. Këtu bëjnë pjesë luftrat, zjarret, tërmetet, përmbytjet, embargot, epidemitë, dhe mos alokimet apo ndryshimet e fondit nga organet kompetente.

Palët kontraktuese duhet të njoftojnë me shkrim për shfaqjen e fenomenit të forcës madhore duke paraqitur dokumentat justifikuese nga autoritetet përkatëse.

Afati i lëvrimit të mallit objekt i kësaj kontrate do të shtyhet aq kohë sa zgjasin forcat madhore.

Secila nga palët ka të drejtë të heqi dorë nga ekzekutimi i mëtejshëm i kësaj kontrate në rastin kur forcat madhore zgjasin më shumë se 100 ditë.

Çertifikata e lëshuar nga institucionet kompetente do të jenë të efektshme për aplikimin e rrethanave lë mësipërme”.

Në këtë  rast vetë palët kanë parashikuar se verifikimi i forcës madhore do të bëhet me anë të një certifikate të lëshuar nga organet kompente (pa i specifikuar se kush jane organet kompetente”. Në këtë  rast Gjykata e Lartë ndryshe nga dy gjykatat e Shkallës së parë dhe asaj të apelit, nuk ka pranuar ekzistencën e forcës madhore të pretenduar nga pala paditëse (bllokimi i anijes në Selanik që sillte lëndën e parë).            Forca madhore përmendet edhe në Kodin e Procedurës Penale (neni 350), që lidhet me shkakun e mosparaqitjes së avokatit i cili mund të jetë shkaktuar nga forca madhore. Komentari i Kodit të Procedurës penale[7] përcakton se është pranuar tashmë se ndodhemi para forës madhore në rastet e dukurive natyrore si tërmetet, përmbytjet, dëbora apo akulli, zjarret etj. Këto dukuri duhet të kenë sjellë pasoja të rënda, si bllokim rrugësh, apo pamundësi lëvizjeje në përgjithësi. Nga ana tjetër, sëmundjet (jo detyrimisht shtrimi në spital) ose mungesa për shkak të urgjencave të rëndësishme profesionale, mund të përbëjnë arsye që përjashtojnë të pandehurin nga përgjegjësia.[8]

Në ligjin 9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” (neni 41) parashikohet e drejta e konsumatorit për t’u kompensuar, në rast se ndërprerja teknike e furnizimit me energji, ujë dhe shërbim telefonik nuk janë shkaktuar nga forca madhore, ose nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara “Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave”, ratifikuar më ligjin 10 092, datë 9.3.2009 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara  ”Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave” parashikohet përjashtimi nga përgjegjësia për dështimin në dorëzimin e mallrave për shkaqe madhore.

Gjykata Europiane e Drejtësisë këtë përkufizim të forcës madhore e ka bërë në vendimin për cështjen 4/68 Chëarzëaldalmilchhv. Einfuhr-und Vorattsstelle[9] [1968] ECR 377, e cila përveç elementit të rrethanave të jashtëzakonshme i shton elementin e paevitueshmërisë dhe cilësimin se debitori është i detyruar që të shmangë pasojat e ardhura nga forca madhore, nëse për të bërë këtë e vetmja mënyrë do të ishte “Marrja përsipër e një kostoje të barasvlefshme me një sakrificë ekstreme”. Më vonë, në çështjen Fratelli Pardini SPA dhe Ministry of Foreign Trade (Case 808/79 Pardini [1980] ECR 2122, GJED bën dallimin midis rrezikut normal tregtar që ekziston në çdo transaksion tregtar dhe riskut anormal. Në një çështje tjetër, pra, në çeshtjen Nodrmark[10] Gjykata refuzoi kompensimin monetar nga humbjet prej një Forcë madhore atëhere kur ekzistojnë instrumente sigurimi, sepse palët në varësi të detyrimit kontraktor duhet të shqyrtojnë ekzistencën e instrumenteve siguruese, ose - në të kundërt - nuk përjashtohen nga përgjegjësia.

Direktiva 90/314/CEE[11] lidhur me kontratat e ofrimit të shërbimeve turisitike sqaron se, koncepti Forcë madhore nënkupton ato rrethana të paparashikueshme, jashtë vullnetit dhe mundësisë së organizatorit apo shitësit, pasojat e të cilave nuk mund të evitohen me kujdesin maksimal. Përcaktimi i këtij koncepti varion nëpër shtete të ndryshme.

Direktiva 90/314/CEE në nenin 5 parag. 2 citon rastet se kur organizatori dhe/ ose shitësi nuk është/ janë përgjegjës, në rastin kur dëmet: 1) i atribuohen konsumatorit; 2) janë të paparashikueshme, të pashmangshme dhe janë pasojë e veprimeve të një pale të tretë, e cila nuk ka lidhje me ekzekutimin e shërbimeve të parashikuara në kontratë apo dispozita ligjore; 3) shkaktohen nga forca madhore; 4) janë pasojë e një ngjarje që organizatori dhe/ ose shitësi apo furnizuesi i shërbimeve nuk mund ta parashikojnë dhe të parandalojnë, me gjithë kujdesin e duhur. Shumica e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian kanë pasqyruar në legjislacionin e brendshëm katër rastet e përjashtimit nga përgjegjësia.

Për shembull, Finlanda ka listuar rastet që konsiderohen forcë madhore në ligj, duke vlerësuar si të tilla: luftën, katastrofën natyrore, një grevë, ose çdo gjë e ngjashme me to pranë apo në destinacionin e paketës, ose sepse për shkak të rrethanave të tjera paketa e udhëtimit do të cënojë jetën apo shëndetin e udhëtarit.

Përkufizimi i konceptit të forcës madhore në Gjermani nuk bëhet nga legjislacioni, por nga praktika gjyqësore. Ky përcaktim është më i kufizuar se përcaktimi i dhënë nga Direktiva e Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë, gjykatat gjermane limitojnë rastet se kur organizatori ka të drejtë të anulojë kontratën, duke punuar në favor të mbrojtjes së interesave të konsumatorit. Gjermania i referohet rregullave të përgjithshme, sipas të cilave subjektet përjashtohen nga përgjegjësia nëse arrijnë të provojnë se dëmi i shkaktuar nuk është rezultat i veprimeve me faj të organizatorit, as në formën e dashjes dhe as të neglizhencës së tij.

Konventa e Brukselit parashikon në nenin 10, parag.1, se: “Organizatori i udhëtimit mund të anullojë, pa faj, tërësisht apo pjesërisht kontratën nëse përpara ose gjatë ekzekutimit të kontratës shfaqen rrethanave të pavarura nga vullneti i tij, të cilat ai nuk i dinte dhe nuk mund t’i dinte në momentin e lidhjes së kontratës, pasi nëse do të kishte dijeni nuk do të përfundonte këtë kontratë”.

Kodi italian i Konsumit parashikon në nenin 92, parag. 3, se tregtari mund të shkarkohet nga detyrimi për të shpërblyer dëmet e shkaktuara nga mospërmbushja vetëm në rastin e Forcës madhore, ose në mungesë të arritjes së shumicës së kërkuar për pjesëmarrësit e rënë dakort në kontratë. Studiuesit italianë mendojnë se kjo e drejtë që i njihet tregtarit, më shumë se heqje dorë duhet konsideruar si një kusht zgjidhës i kontratës së paketës turistike, për shkak të parashikimit të saj të detyrueshëm në përmbajtjen e kontratës. Këto janë të vetmet raste kur organizatorit apo shitësit të paketës së udhëtimit i njihet e drejta të anullojë kontratën, pa kompensuar konsumatorin për dëmet që mund t’i shkaktohen. Rastet e tjera që e vendosin organizatorin apo shitësin në kushtet e pamundësisë së realizimit të shërbimit, nuk përbëjnë shkak për t’i çliruar ata nga detyrimet kontraktore, por sjellin si pasojë zëvendësimin e shërbimit me një shërbim tjetër, pa rënduar në detyrimet e konsumatorit.

Konventa e Brukselit është treguar e kujdesshme për përcaktimin e pasojave në rastet e mësipërme, duke iu referuar dy momenteve të ndryshme: mëse kontrata anulohet përpara ekzekutimit të saj, organizatori i udhëtimit duhet t’i kthejë mbrapsht udhëtarit atë që ai i ka dhënë; nëse kontrata anullohet gjatë kohës që ajo po ekzekutohet, organizatori duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme në interes të udhëtarit dhe palët duhet të dëmshpërblejnë njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë.

Sipas të drejtës Belge, Force madhore është një “pengesë e pakalueshme për përmbushjen e një detyrimi”. Ajo duhet të jetë:

1.      rrethanë e pa parashikuar

2.      jashtë kontrollit të palës që duhet të përmbushë detyrimin

3.      dhe i cili e bën përmbushjen e detyrimit krejtësisht të pamundur.

E drejta Angleze e përkufizon Forcën madhore si ngjarje natyrore, që vjen direkt apo ekskluzivisht pa ndërhyrjen e njeriut, dhe që nuk mund të parandalohej me asnjë lloj mënyre me gjithë kujdesin maksimal të arsyeshëm.

Forca madhore janë ngjarje të pazakonta dhe të paparashikueshme. Ato janë përtej kontrollit të biznesit. Pasojat nuk mund të shmangeshin edhe në rast se do të ushtrohej gjithë kujdesi i mundshëm. Prandaj parashikimi i këtyre forcave madhore në kontratë është mënyra e vetme për të mënjanuar shkaktimin e dëmeve, sepse ato na mbrojnë nga rrethanat e paparashikuara.

Lidhur më përcaktimin e secilit kriter, gjykatat në çdo rast janë ato që verifikojnë vërtetimin e kritereve. Së pari, të kushtit lidhur me parashikueshmërinë në mënyrë të arsyeshme në kohën e lidhjes së kontratës. 

Në rastin e krizës aktuale, çështja ngrihet se, në çfarë shkalle një virus mbarëbotëror ishte i parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme, kur është lidhur kontrata një, dy apo më shumë vjet më parë. Mund të thuhet se asnjë nuk mund ta parashikonte sesi ky virus do të përhapej në këtë shkallë. Pra, pa dyshim që situata aktuale ishte e paparashikueshme. Ndryshe eshte rasti kur lidh kontrata me Afrikën ku njihen semundjet dhe ku viruset janë më të zakonshme atje, thjeshtë tek mendohet kriza e Ebolas. Shumë vende të Europës parashikojnë me detyrim bërjen e disa vaksinave që rekomandohen për njerëzit që duan të shkojnë në këtë vend.

Por në cilën pikë në javët e shkuara impaktet e kësaj krize u bënë të parashikueshme? Këtu fillon subjektiviteti. Duket e arsyeshme që të gjykojmë se kjo ndodhi javët e para të pranverës. Në këtë pikë kjo u përhap edhe në vendin tonë. Vështirësitë ekonomike që do të vinin si pasojë duhet të ishin të parashikueshme nga përvoja e Kinës dhe e Italisë. Çdokush që mbylli një marrëveshje, e cila përfshinte, për shembull, një udhëtim ndërkombëtar, mund të shihte vështirësitë e mundshme.

Kushti i dytë: Përtej kontrollit të arsyeshëm të palës. Kjo kërkon që mospërmbushja të mos ndodhë për fajin e personit që duhet të përmbushë një veprim, një shërbim apo një produkt.

Eshtë shumë e rëndësishme të verifikojmë shkakun e vërtetë të mospërmbushjes së detyrimit. Për shembull, dallimi duhet bërë midis masave të vendosura nga qeveria që lidhen me Corona Virusin (për shembull, mallra të caktuara nuk mund të transportoheshin me avion) apo mbyllja e fabrikës. Thjesht ekzistenca e këtij virusi koronar nuk mund të jetë e mjaftueshme për të kërkuar verifikimin e Forces madhore, as pasiguria apo frika e virusit nuk mund të jetë e tillë. Fakti që shumë njerëz punojnë nga shtëpia apo sëmuren nuk eshte shkak i mjaftueshëm. Çdo gjë varet nga konteksti dhe rrethanat specifike. Ajo që është e mundur, megjithatë është se nje ndalim i papritur i udhëtimeve, ose një mbyllje e papritur e të gjitha shërbimeve katering përbën situatë Force madhore apo situatë detyrimi qe restorantet të mos ishin te hapura deri vonë, ose humbjet e shkaktuara per shkak se nuk lejohet perdorimi i ambjenteve te brendshme.

Kushti i tretë: Pamundësia absolute për të përmbushur. Si rezultat i një situate të paparashikuar mbi të cilën ju nuk keni kontroll, duhet të jetë gjithashtu një “pengesë e pakapërcyeshme”. Përgjithësisht, thuhet se një vlerësim i këtij kushti duhet të mbetet i arsyeshëm. Është e pamjaftueshme që të tregosh se mospërmbushja do të kërkonte shumë më tepër përpjekje sesa ishte e parashikuar, ose do të kërkonte shpenzime shumë të mëdha. Këto janë pasoja tipike, pjesë e rrezikut sipërmarrës. Për sa kohë ti mudn të marrësh, për shembull, një transportues tjetër, të gjesh një furnizues tjetër, të marrësh staf ekstra, etj… pra që përveç kostos nuk ka pamundësi që të lejon të ërmendësh ndikimin e Forcës madhore. Zakonisht forca madhore është e përkohshme, por fjala vjen, dorëzimi i luleve për një dasëm nuk do kishte kuptim që të dërgohej me vonesë. Për pasojë duhet shqyrtuar nëse ka rrugë alternative për përmbushjen.

 

Përfshirja e klauzolës së Forcës madhore

 

Zakonisht të gjitha kontratat e kanë të përfshirë klauzolën e Forcës madhore. Në këtë rast duhet të verifikosh:

1.      Cilat janë rastet e Forcës madhore të listuar në klauzolë: Korona virus nuk do të jetë e listuar, por në rast se ke përfshirë fjalë epidemi, pandemi apo ndonjë tjetër sëmundje me shtrirje masive, këto ërbëjnë një nga shkaqet e Forës madhore. Ka mundësi që gjykata ta pranojë këtë arsye.

2.      Cfarë fjalësh janë përdorur: A duhet që ekzekutimi të parandalohet fizikisht, ose ligjërisht apo është e mjaftueshme një pengesë apo vonesë? Kjo përkon me gjendjen juridike të "pamundësisë". Megjithatë, me një klauzolë ekziston mundësia të sqaroni saktësinë e saj.

3.      Cilat kushte apo procedura duhet të ndiqen? A duhet dërguar së pari një njoftim? Brenda çfarë kornize kohore dhe si? A mund të merrni furnizime nga një palë e tretë apo jo? A duhet t'u jepni atyre një shans të fundit për të ofruar?

 

Cilat janë pasojat kur ka një rast të Forcës madhore?

 

Nëse keni një detyrim për të përmbushur, por besoni se nuk mund t'i përmbushni ato për shkak të forcës madhore, atë here duhet ta informoni palën tjetër menjëherë, së bashku me provat e situatës së forcës madhore. Marrëveshja juaj mund të specifikojë se si duhet të bëhet ky njoftim. Për më tepër, do të duhet të kufizoni sa më shumë dëmet që vijnë nga kjo situatë. Kjo nënkupton, për shembull, pranimin e një metode alternative të dorëzimit ose shtyrjen e një takimi/ afati.

Nëse jeni ballafaquar me një palë kontraktuese që pretendon forcën madhore, atëhere përgjigjuni shpejt. Një përgjigje e vonuar (ose jo) mund të konsiderohet si një pranim i Forcës madhore. Kur e bëni këtë, sigurohuni që të kontrolloni nëse plotësohen të gjitha kushtet. Coronavirus nuk përbën në vetvete një situatë të forcave madhore, kështu që pala tjetër do të duhet të citojë dhe të provojë arsye konkrete.

Cilat janë pasojat aktuale të forcës madhore për detyrimet kontraktuale, dhe kostot e ndodhura tashmë? Nëse nuk ka klauzolë të parashikuar lidhur me Forcën madhore, atëherë i drejtohemi parimeve të përgjithshme të së drejtës. Këtu bëhet një dallim midis pasojave të një situate të përkohshme të forcës së përkohshme dhe asaj madhore.

Nëse ekziston një situatë e përhershme e Forcës madhore, që e bën plotësisht të pamundur kryerjen e marrëveshjes, pala që kërkon verifikimin e kësaj force do të lirohet nga detyrimet e veta, nuk do të jetë përgjegjëse për "shkeljen e kontratës" të saj. Për rrjedhojë, ajo gjithashtu do të lirohet nga pagimi i dëmeve. Vini re: nëse kontrata ende mund të ekzekutohet pjesërisht, ekzekutimi i kësaj pjese mbetet i detyrueshëm. Ky është rasti, për shembull, në rastin e një dorëzimi të pjesshëm.

Një situatë e përkohshme e Forcës madhore do të krijojë vetëm pezullimin e kryerjes së detyrimeve gjatë periudhës së gjendjes së krijuar nga kjo forcë. Sidoqoftë, nëse marrëveshja humbet kuptimin, atëherë forca madhore do të çojë në përjashtimin e detyrimeve.

Nëse njëra palë kontraktuese mund të thërrasë Forcën madhore dhe asgjë nuk është parashikuar me kontratë për pagimin e kostove që kanë ndodhur tashmë, atëhere ka shumë të ngjarë që pala tjetër do të duhet të përballojë shpenzimet. Pala e prekur nga Forca madhore në të vërtetë do të lirohet nga çdo përgjegjësi për mos-përmbushje prej shkakut të kësaj Force.

 

Konkluzione

 

Ka tashmë tregues të fortë që tregojnë se Coronavirus-i është pranuar si Forcë madhore. Për shembull, Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare në Kinë e ka identifikuar Coronavirusin si një forcë madhore për palët kontraktuese Kineze, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përcaktuar shpërthimin e Coronavirus si një pandemi (e cila përgjithësisht pranohet të jetë përtej kontrollit të palëve kontraktuese).

Sidoqoftë, nuk është e mundur të jepet një mendim i përgjithshëm për këtë çështje, sepse gjithçka varet nga situata specifike. Vlerësimi mund të ndikohet nga faktorë të tillë si: prania apo mungesa e klauzolave të forcave madhore në kohën e lidhjes së kontratës, deri në çfarë mase qeveria vendos masa alternative në dispozicion.

Përsa i përket provës së ekzistencës së rrethanave të jashtëzakonshme, neni 13 i Kodit Civil përcakton se “Faktet e njohura botërisht ose zyrtarisht nuk kanë nevojë të provohen”. Në  këtë rast barra e provës është e lehtë, sepse këto ngjarje - forca madhore pasqyrohen si ngjarje natyrore, për shembull, përmbytjet, tërmetet apo gjendja e jashtëzakonshme, që në rastin tonë është shpallur me Aktin Normativ me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave nr.4, datë 16.3.2020 “Për disa shtesa në aktin normativ nr.3, datë 15.3.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së përiudhës së infeksioni të shkaktuar nga Covid-19”.[12]

Çfarë duhet të bëhet tani? Para së gjithash, të kontrollohet nëse marrëveshja përmban një klauzolë të Forcës madhore, sanksione kontraktuale apo detyrimin për dhënie informacioni. Bazuar në këto, ose në mungesë të tyre bazuar në ligj, mund të bëhet një vlerësim i rrezikut. Në të vërtetë, prania e një klauzole të Forcës madhore nuk përjashton automatikisht nga përmbushja e detyrimeve. Pastaj informohet pala kontraktuese dhe verifikohet nëse ka siguri për të mbuluar ndonjë dëm nga ana e3 saj.

Dhe, në fund, nëse nuk ka pasur një klauzolë të forcës madhore në marrëveshje, gjendja aktuale e ndodhur që prej disa muajsh na mëson se është gjithmonë e vlefshme ta parashikojmë atë në marrëveshje të reja.

Një klauzolë për parashikimin e një Force madhore do të ishte:

As shitësi dhe as blerësi (ose asnjëra nga palët) nuk do të jenë përgjegjës për mospërmbushje apo vonesë në përmbushje të kësaj kontrate, në rast se kjo përmbushje vonohet, ose pengohet nga ndodhja e një ngjarje, e cila është përtej kontrollit të arsyeshëm të secilës palë (ngjarje të forcave madhore).

Ngjarje ë forcave madhore përbëjnë, por nuk kufizohen, si veprime të natyrës, ndryshime të legjislacionit apo politikave.

Palët e dëmtuara nga një forcë madhore duhet të njoftojnë palën tjetër sa më parë që të jetë e mundur dhe në mënyrë të arsyeshme pasi kanë filluar efektet e një Force madhore.[13]

Parashikimi i specifikuar i forcave madhore dhe i pasojave në rast të verifikimit të këtyre ngjarjeve, sigurisht që kufizon zbatimin e parimeve të përgjithshme që parashikon ligji apo Kodi Civil dhe u jep një mbrojtje më të mirë palëve në kontratë, duke patur lirinë e parashikimit të të gjitha pasojave nga vetë palët në kontratë, më mirë sesa përcaktimi i pasojave nga Gjykata. Një parashikim tipik që përgjithësisht e kanë të gjitha kontratat qeveritare apo publike, për shembull, për ndërtimin e rrugëve publike, ose kontratat e koncensionit e parashikojnë klauzolën e Forcës madhore, si më poshtë:

·         Asnjë palë nuk ka të drejtë të bëjë padi ndaj palës tjetër për shkelje të detyrimeve të kësaj kontrate, për shkak të një ngjarje të Forcës madhore dhe në masën që një ngjarje e Forcës madhore e pengon të kryerjë detyrimet e veta.

·         Kur ndodh një ngjarje e një Forcë madhore, pala e prekur njofton palën tjetër pa vonesë. Njoftimi përfshin hollësitë për ndikimin e kësaj ngarje në detyrimet e palës së prekur dhe pëe cdo veprim të propozua rpër zbutjen e pasojave të saj.

·         Pa vonesë, pas një njoftimi të tillë palët konsultohen me njëra tjetrën me mirëbesim dhe bëjnë përpjekje të arsyeshme për  të rënë dakord për zbutjen e efekteve të ngjarjes së shkaktuar nga Forca Madhore dhe për të lehtësuar realizimin në vijimësi të Kontratës.

·         Kur palët nuk bien dakord për kushte të tilla brenda 6 muajsh nga data e fillimit

të ngjarjes së shkaktuar nga forac madhore, dhe një forcë e tillë madhore vazhdon, ose pasojat e saj vazhdojnë të jenë të tilla saqë pala e prekur nuk është në gjendje të përbushë të gjitha osë pjesën më të madhe të detyrimeve të saj sipas kësaj kontrate, secila nga palët mund ta zgjidhë këtë kontratë, duke i dhënë një njoftim paraprak 30 ditë përpara palës tjetër (“Njoftim për përfundimin e Kontratës për shkak të ngjarjeve të forcës madhore”).  Nëse si rezultat i ngjarjes së shkaktuar nga një forcë madhore, njëra palë nuk është në gjendje të përbushë detyrimet e kontratës sipas kushteve të parashikuara në kontratë, atëherë: Pala mund të kërkojë shtyrjen e afatit të datës së përmbushjes së detyrimit të kontratës; Përjashtimin nga detyrimi për aq sa preket nga ngjarja e forcës madhore; Në rastin e një ngjarje të shkaktuar nga Forca madhore, e cila bëhet shkak për vonesa në lidhje me një pjesë të caktuar të detyrimeve kontraktore   dhe që kanë kërkuar me shpenzime shtesë, pala e afektuar mund të kërkojë të drejtën e kompensimit për shpenzimet shtesë; Përjashtimin nga zgjidhja e kontratës për faj të palës së dëmtuar nga Forca madhore për aq sa mospërmbushja është shkaktuar ose është ndikuar materialisht nga ekzistenca e forcës madhore. Pala mund të përfitojë nga përfitimet e mësipërme vetëm në rrethanat kur ka njoftuar palën tjetër për kërkesën e saj për të kërkuar këto përfitime pa vonesë, por gjithmonë jo më vonë se maksimumi: 10 ditë pune pasi ka marrë dijeni për ndodhjen e një ngjarje të Forcës madhore; ose 30 ditë pune pas ngjarjes së Forcës Madhore.

---------------------------------------------------------

 

Literatura

 

Akte normative

-          Kodi civil i Republikës së Shqipërisë (në fuqi)

Kodi civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqiprisë, miratuar me lig

-          jin nr

6340, date 26.6.1981

-          Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare, viti 1929

-          Direktiva 90/314/CEE, dt. 13/06/1990 “Për paketat e udhëtimit, për paketat e

pushimeve dhe turet turistike”

-          Konventa e Brukselit e vitit 1968 “Në lidhje me kompetencën juridiksionale dhe

ekzekutimin e vendimeve në fushën civile dhe tregtare”.

 

Doktrinë

-          Tassoni, G., Il contratto di viaggio, ‘Giuffre’ Editore, 1998

 

Jurisprudencë

-          Gjykata italiane e Kasacionit, çështja nr. 16315, datë 24/04/2007. Për më shumë

info: http://ëëë.altalex.com/index.php?idnot=38031

-          Vendim nr. 706 i Gjykatës së Apelit Tiranë, datë 28.3.2012

-          EctHR, case n. 4/68 Chëarzëaldalmilchhv. Einfuhr-und Vorattsstelle [1968]

-          Judgement of ECJ , Case 38/79 Nordmark [1980] ECR 655)

 



[1] Kodi Civil 1981,  miratuar me ligjin nr 6340, date 26.6.1981

[2] Tassoni, G. Il contratto di viaggio, Giuffre Editore’, 1998,  fq. 214

[3] Gjykata italiane e Kasacionit, çështja nr. 16315, datë 24/04/2007. Për më shumë info: http://www.altalex.com/index.php?idnot=38031

[4] Kodi Penal Italian, neni 45.

[5] Konventa e Brukselit e vitit 1968 “Në lidhje me kompetencën juridiksionale dhe ekzekutimin e vendimeve në fushën civile dhe tregtare”. Konventa e Brukselit e datës 27 Shtator 1968 ishte ndër aktet e para që rregulluan fushën e përcaktimit të juridiksonit në çështjet civile dhe tregtare, më pas u miratua Konventa e Luganos, më tej lënda që rregullohej nga Konventa e Brukselit, u normua nëpërmjet Rregullores së Këshillit të Komunitetit Europian nr. 44\2001 “Mbi juridiksionin, njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në fushën civile dhe tregtare”, e cila qëndroi në fuqi deri në miratimin e rregullores së re të Brukselit nr.1215/2012 e njohur si rregullorja 1 bis e Bruksellit, e cila hyri në fuqi më 10 janar 2015. Normat Europiane që rregullojnë marrëdheniet në fushën civile dhe tregtare mund të përmblidhen në atë kuadër ligjor të njohur si “Regjimi i Brukselit”, i cili ka 50 vjet që rregullon marrëdhëniet juridike në Bashkimin Europian dhe vlerësohet si gur themeli në krijimin e një hapësire ligjore Europiane të përbashkët në këtë fushë. Qëllimi i këtij regjimi ligjor është të rregullojë të gjitha çështjet kryesore në fushën civile dhe tregtare.

[6] Shih Vendim nr. 706 i Gjykatës së Apelit Tiranë, datë 28.3.2012

[7] http://komentarielektronik.magjistratura.edu.al/sq/eli/fz/2017/7905/350

[8] Shih Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura Penale, Botimet Morava 2006, faqe 473-474

[9] ECtHR case n. 4/68 Chëarzëaldalmilchhv. Einfuhr-und Vorattsstelle [1968]

[10] Judgement of ECJ , Case 38/79 Nordmark [1980] ECR 655)

[11] Direktiva 90/314/CEE, dt. 13/06/1990 “Për paketat e udhëtimit, për paketat e pushimeve dhe turet turistike”.

[12] Këto akte janë të botuara në Fldetoren Zyrtare

[13] Direktiva 90/314/CEE, në nenin 3/ parag. 5 përcakton se: “Konsumatori duhet të njoftojë sa më shpejt që të jetë e mundur organizatorin ose shitësin për vendimin e tij.” Shtete të ndryshme gjatë transpozimit të Direktivës kanë përcaktuar afate të ndryshme kohore që referon në termin “sa më shpejt të jetë e mundur”, që nga 2 ditë pune – 8 ditë kalendarike, apo dhe brenda kohës të përcaktuar nga operatori turistik