- Së shpejti mbushen plot 70 vjet nga nënshkrimi i KEDNJ –

 

Ilir DHIMA

Redaksia e Revistës ‘Avokatia’,

Tiranë

 

Hyrje

           Që prej themelimit të Këshillit të Evropës,[1] si një bashkësi paqësore e shteteve demokratike, të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe traditave të tyre të përbashkëta, u proklamua se qëllimi i arritjes së unitetit më të madh në mes Anëtarëve të kësaj konfederate të lirë shtetesh (jo trupi mbikombëtar) do të ndiqej në fusha të ndryshme: ekonomike, sociale, kulturore, shkencore, ligjore dhe administrative.[2] Por, “pa asnjë dyshim ekziston një fushë e aktivitetit ku puna e Këshillit ka qenë më e rëndësishme: mendoj për çdo gjë që është ndërmarrë në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”.[3] Katër vite përpara se sa të dëgjohej ky zë i fortë, nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GjED) ishte deklaruar se respekti për të drejtat themelore është pjesë integrale e ligjit të Komunitetit. Ndërsa një vit më vonë, Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (që nga 1994 e quajtu: OSBE) e inkuadroi “respektin për të drejtat dhe liritë themelore” si një ndër parimet për hartimin e Aktit Final të Helsinkit.[4]

            Por cilat ishin arsyet kryesore që shpjegojnë ngërthimin me urgjencë të Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës, që në fillimet e veprimtarisë së kësaj Organizate, për t’u përqendruar te çështja e të drejtave të njeriut, për të vendosur “…themelet për një Evropë të re, të cilën shpresuan që ta ndërtojnë mbi gërmadhat e kontinentit të rrënuar nga lufta vëllavrasëse e një ligësie të pakrahasueshme”?[5] Studiues të ndryshëm të kësaj fushe[6] veçojnë dy prej këtyre arsyeve.

Së pari, përvoja e zymtë që kaloi Evropa gjatë viteve që i paraprinë krijimit të Këshillit (KiE) ishte e mjaftueshme për t’u përqendruar posaçërisht në këtë drejtim vëmendja e Shteteve Anëtare të Evropës së re. Shumë shtetas të vendeve evropiane të epokës mbas Luftës II Botërore kishin qenë gjatë kësaj Lufte pjsëmarrës në lëvizjet e rezistencës kundër okupatorëve nazi-fashistë, ose vuanin nëpër burgje dënime çnjerëzore, duke u bërë kështu të vetëdijshëm për nevojën e ndalimit të paraqitjes së diktaturave në Evropën Perëndimore; përderisa të drejtat e njeriut të jenë të respektuara demokracia, do të jetë e siguruar dhe rreziku nga diktaturat apo edhe nga një luftë tjetër e dhimbshme do të ishte i largët. Për më tepër, që ata ishin të bindur se hapat e para të diktaturave i hedhin pikërisht shtypjet graduale të të drejtave individuale dhe se, kur ky proces fillon një herë, mjaft e vështirë është për ta ndalur. Prandaj kishte shumë rëndësi që të theksoheshin të drejtat dhe liritë që duhen respektuar në shoqëritë demokratike, si edhe të krijoheshin institucionet për të mbikqyrur mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe lirive.

Së dyti, angaszhimi i menjëhershëm i Këshillit të Evropës për respektimin dhe  mbrojtjen e të drejtave të njeriut përkon me kohën e nisjes së një konflikti ideologjik ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, si edhe me faktorët që ndikuan ne lindjen e këtij konflikti. Lëvizja e pas Luftës për një bashkim të Evropës Perëndimore ishte kështu rezultat i bindjes së krijuar që ky bashkim do të qe jo vetëm një qëllim i dëshiruar, por edhe reagim ndaj një ere të rrezikut real që po kishte nisur të frynte në atë kohë nga stepat e  Bashkimit Sovjetik. Gjatë vitit që kishte kaluar ndërmjet Kongresit të Hagës[7] ku Statuti i KiE u shqyrtua për herë të parë, deri gjatë pranverës së 1949-s kur u nënshkrua ky Statut, në Çekosllovaki po e merrnin pushtetin komunistët, në Greqi vazhdonte lufta civile dhe në Gjermani po konturohej i ashtuquajturi Bllokimi i Berlinit. Kjo situatë i shtyu disa prej mendimetarëve dhe politikanëve të shquar pas Luftës që t’i bashkoheshin idesë së Paul - Henri Spaak, sipas të cilit, njeriu që kontribuoi më shumë për bashkimin e Evropës perëndimore ishte Josif Stalini.[8] Pra, ishte koha kur shumica e qytetarëve të Evropës së Pas Luftës po bëheshin koshientë për sfidat që po paraqisrte komuniuzmi, prandaj ndjenin nevojën për afirmimin e zbatimit të parimeve të besimit politik të tyre.

Në këtë sfond të përgjithshëm nisi puna për negociatat rreth hartimit të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ). Më herët, negociatat në këtë drejtim u zhvilluan gjatë seancës së parë të Asamblesë Konsultative të Këshillit të Evropës, çka rezultoi me një dokument të njohur si Raporti i Teitgenit,[9] me anë të të cilit u sigurua baza për shqyrtimin nga Këshilli i Ministrave të KiE gjatë gjysmës së parë të vitit pasardhës, atëhere kur u zhvilluan gjithashtu konsultime të mëtejshme në Asamble për disa ndryshime, veçanërisht mbi masat mbikqyrëse të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave. Më së fundmi, Shtetet Anëtare u pajtuan në parim me tekstin e Konventës dhe e nënshkruan atë më Romë, më 5 Nëntor 1950.

Mirëpo, që Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore të hynte në fuqi, fillimisht nevojitej miratimi apo ratifikimi i saj nga Shtetet Anëtare të deriatëhershme, aktet përkatëse të të cilave u harmonizuan plotësisht më 3 Shtator të vitit 1953. Nuk duhet harruar se, përveç Shteteve Themeluese të KiE, gjatë këtij viti ishin pranuar në Këshillin e Evropës edhe Islanda, Malta dhe Qipro, si edhe vende demokratike të tjera të Kontinentit të vjetër, duke përjashtuar Shtetet e Evropës Lindore, si edhe Spanjën dhe Portugalinë ku qeverisnin regjimet diktatoriale të Frankos dhe të Salazarit. Këto Shtete iu bashkëngjitën Këshillit të Evropës, kur përfundoi Lufta e ftohtë Lindje - Perëndim dhe kur në Gadishullin Iberik erdhën në fuqi qeveritë e zgjedhura me votime të lira dhe të ndershme. Sidoqoftë, në të gjitha këto vende duhej dëshmuar jo vetëm përkushtimi ndaj vlerave të një shoqërie të hapur, por edhe përmbushja e nevojës për një përmbajtje institucionale të demokracisë. Pra, në ato Shtete që kanë pasur sisteme totalitare, anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk konceptohej si ndonjë proces i automatizuar, por si diçka që duhej fituar.[10]  

Në paragrafet e mëposhtme do të bëhet fjalë në mënyrë lakonike të mundshme rreth përmbajtjes së Konventës, teksti i së cilës me kalimin e viteve u plotësua gjithnjë e më tepër me parashikime më të shumta se sa ato të sanksionuara në periudhën e fillesave të krijimit të saj; me disa aspekte të veçanta të jurisprudencës së bollshme të organeve të Strasburgut, si edhe me vendin që zë Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore në rendin kushtetues të Shqipërisë.  

 

Nga teksti origjinal i KEDNJ te plotësimet e tij me Protokollet Shtesë

për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore       

 

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore është përpiluar që “të ndërmerren hapat e para për zbatimin kolektiv të disa të drejtave të shtruara në Deklaratën Universale”,[11] e cila u hartua dhe u proklamua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 1948. Megjithatë, Asambleja e Këshillit të Evropës parashikonte që përpara nënshkrimit të KEDNJ për të hedhur hapa të mëtejshëm në një të ardhme të afërt, por edhe periodikisht nga një periudhë kohore në tjetrën, disa të drejta të tjera plotësuese nëpërmjet Protokolleve Shtesë të KEDNJ. Prandaj, pas Protokollit I, që u nënshkrua në Mars të vitit 1952 dhe hyri në fuqi vetëm dy vjet më vonë, përfunduan së hartuari dhe hynë në fuqi shtatë Protokolle të tjera gjatë viteve 1963 – 1990.

Kështu, në Nenin 1 të KEDNJ, i cili është një dispozitë kuadër që nuk mund të kufizohet në vetvete, garantohet se: “Palët e Larta Kontraktuese i sigurojnë çdokujt, që ndodhet në juridiksionin e tyre, të drejtat dhe liritë e përcaktuara në titullin e parë të kësaj Konvente”. Ajo që në përmbajtjen e këtij Neni bie në sy është futja e termit çdokujt, ashtu sikurse ky term haset edhe në tekste të tjera të së Drejtës Ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, duke theksuar natyrën universale të këtyre të drejtave që garantohen nga Konventa, e cila merr në mbrojtje jo vetëm të drejtat e shtetasve të Palëve të Larta Kontraktuese, por edhe ato të të huajve, të të tjerëve pa shtetësi dhe të njerëzve pa zotësi juridike për të vepruar.[12]

Pjesa e Parë e Konventës, që është nënshkruar, siç u tha më lart, që më 5 Nëntor 1950, përcaktonte vetëm 12 të drejta dhe liri themelore. Le t’i përmendim ato me numrat rendorë të dispozitave: E drejta për jetë (Neni 2); Çlirimi nga tortura dhe trajtimi jo human dhe degradues (Neni 3); Çlirimi nga skllavëria dhe robëria (Neni 4); E drejta për liri dhe siguri të personit (Neni 5); E drejta për një proces të drejtë gjyqësor (Neni 6); Mbrojtja e lirisë nga legjislacioni penal prapaveprues (Neni 7); E drejta për respekt të jetës private dhe familjare, shtëpisë dhe korespondencës (Neni 8); Liria e mendimit, vetëdijes dhe besimit (Neni 9); Liria e shprehjes dhe e informimit (Neni 10); Liria e tubimit dhe e organizimit (Neni 11); E drejta për martesë dhe krijim të familjes (Neni 12); E drejta për mjete efektive nëse e drejta e dikujt është shkelur (Neni 13).

Ndërsa Protokolli Nr. 1 shtoi edhe tri të drejta të tjera, që janë: E drejta për pronë (Neni 1); E drejta e prindërve që të sigurojnë arësimim për fëmijët e tyre, konform bindjeve të veta fetare dhe filozofike (Neni 2); E drejta për zgjedhje të lira (Neni 3). Protokolli Nr. 4 shtoi edhe 4 të drejta: Mbrojtja nga burgimi për shkak të borxheve (Neni 1); Liria e lëvizjes dhe e zgjedhjes së vendbanimit (Neni 2); Mbrojtja nga ekzili dhe e drejta për të hyrë në atë shtet ku është qytetar (Neni 3); Ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve (Neni 4). Një të drejtë tjetër, që u kthye si test i rëndësishëm për hyrjen apo pranimin e një Shteti si Anëtar i KiE, e shtoi Protokolli Nr. 6: Ndalimi i dënimit me vdekje gjatë kohës së paqes ( Nenet 1 dhe 2). Ndërsa së fundmi, 5 të drejta të tjera u parashikuan në Protokollin Nr. 7: E drejta e të huajit që të mos dënohet nga Shteti, pa proces gjyqësor të drejtë (Neni 1); E drejta për t’u ankuar në raste të proceseve penale (Neni 2); E drejta e kompensimit në rastet kur është ushtruar procedurë jo ligjore (Neni 3); Imuniteti nga persekutimi i dyfishtë për shkelje të njëjtë (Neni 4); Barazia e të drejtave dhe e përgjegjësive të bashkëshortëve përsa i përket karakterit të ligjit privat në mes tyre dhe në raportet me fëmijët e vet (Neni 5).

Natyrisht, këto 25 të drejta dhe liri themelore që mbrohen nga Konventa definohen në detaje. Për shembull, në shumë Nene të saj paragrafi i parë përmban afirmimin e përgjithshëm të së drejtës përkatëse, ndërsa paragrafët e mëtejmë vendosin kufizimet e aplikimit të asaj të drejte, por gjithnjë në përpjesëtim me gjëndjen që ka diktuar mundësinë e kufizimieve. Bie fjala, e drejta për liri të lëvizjes mund të kufizohet pas vendimit të një gjykate kompetente, ashtu si në rastet e arrestimit apo baraburgimit, sipas kushteve dhe afateve ligjore. Disa të drejta të tjera, siç janë liria e shprehjes apo ajo e tubimit dhe organizimit mund të kufizohen herë – herë në interes të sigurisë shtetërore, sigurisë publike dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve etj. Por, mund të justifikohen vetëm kur këto kufizime janë të përshkruara dhe të parashikuara në ligj, si të domosdoshme për shoqërinë demokratike, duke e paraqitur kështu konceptin e proporcionalitetit (përpjesëtimit) si një parim dhe fill që përshkon mbrojtjen e të gjitha të drejtave dhe lirive të parashikuara në  Konventë.

Ndërkohë, nenet 14 – 18 lidhen me këto të drejta dhee liri të garantuara. Për shembull, Neni 14 përbën ndalesë të përpunuar mirë kundër diskriminimit: kundër diskriminimit seksual (pra, kundër burrave dhe kundër grave); kundër diskriminimit në bazë të fesë apo të besimit; kundër atij mbi bazë të nënshtetësisë, ose vendbanimit; kundër diskriminimit mbi bazë të lindjes; kundër atij të mbështetur në orientimin seksual ndryshe etj. Ndërsa, Neni 15 lejon derogimet (shfuqizimet) e mbrojtjes së disa të drejtave në kohë lufte, ose gjatë emergjencave civile publike, por deri në atë masë që kërkohet prej urgjencës së situatës dhe pasi të jetë dërguar njoftimi deri te Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.[13]

Neni 17 siguron që asgjë në këtë Konventë nuk duhet të interpretohet siç nënkuptohet, për të mos lejuar legjitimitetin e asnjë të drejte tjetër që u jep mundësi Shteteve dhe individëve të kryejnë ndonjë akt, i cili do të shkatërronte apo sfumonte çdo të drejtë të shtruar këtu. Ndërsa Neni 18 përcakton qartë se kufizimet e lejuara në këtë Konventë nuk mund të aplikohen për asnjë qëllim tjetër, përveçse atyre që përshkruhen në këtë Dokument.

Gjithashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe se, Protokollet Nr. 4, Nr. 6, Nr. 7 zgjeruan, si edhe Protokolli Nr. 1, listën e të drejtave të mbrojtura. Ndërsa Protokollet Nr. 2, Nr. 3, Nr. 5 dhe Nr. 8 modifikuan instrumentin e mbikqyrjes. Protokolli Nr. 9, që u hartua dhe hyri në fuqi më 1990, individëve u mundëson të paraqesin ankimet e veta, në kushte të caktuara, përpara Gjykatës së Strasburgut. Kurse Protokolli Nr. 10 nuk kishte fatin e të tjerëve, sepse ndonëse i hapur për nënshkrim më 1992, me qëllim modifikimin e marrëveshjeve të Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës për votim në Komitetin e Ministrave të tij, ky Protokoll asnjëherë nuk hyri në fuqi. Ai u përmbys nga Protokolli Nr. 11, i cili hyri në fuqi në Nëntor 1998, duke ristrukturuar gjithë sistemin e kontrollit.            

Pas këtij vështrimi panoramik të shpejtë, shumë në sy bie fakti që i paraqet të drejtat e njeriut të gjendura në një fushë ku ndodhin dhe mpleksen shumë tregues. Plotësimet dhe përditësimet e herë pas hershme janë zhvilluar për t’iu përgjigjur kërkesave të shumëllojshme, duke mbuluar problemet më thelbësore në lidhje me të drejtat e njeriut. Kurse niveli dhe drejtimi i tyre është përcaktuar nga forcat shoqërore, politike dhe ekonomike, ndikimi i të cilave është ndryshuar dhe përmirësuar me kalimin e kohës. Por një gjë nuk ka ndryshuar: pozicioni i individit si qënie morale, të drejtat e të cilit e meritojnë mbrojtjen ndërkombëtare dhe, përkatësisht në hapësirat evropiane, atë rajonale.  

Sot, pas 70 viteve të nënshkrimit të tekstit fillestar të KEDNJ duket evident në vazhdimësi suksesi i një Dokumenti të tillë hartuar dhe zhvilluar nga Organizata e Këshillit të Evropës dhe nga Shtetet Anëtare të tij, në një numër gjithnjë e më të rritur. Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, megjithëse jo e vetmja në këtë fushë,[14] ende vazhdon të mbetet më e zhvilluara dhe më e shqyrtuara. Organet e saj, Komisioni dhe Gjykata për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) me seli në Strasburg kanë siguruar një model frymëzues për sistemet e tjera të kësaj fushe.

 

Qasjet e GJEDNJ për zbatim, interpretim dhe zhvillim të Konventës

 

 Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ka parashikuar që kundër shkeljeve të këtyre të drejtave mund të ankohet jo vetëm një Shtet ndaj një Shteti tjetër, por edhe çdo individ ndaj çdo Shteti që ka ratifikuar Konventën, duke u siguruar atyre mekanizma mbrojtës me sa më shumë efektivitet. Këtij synimi i shërbeu edhe zëvendësimi në vitin 1994 i dy prej organeve të Konventës, pra, Komisionit dhe Gjykatës, me një Gjykatë të vetme të përhershme për të drejtat e njeriut (GJEDNJ).[15]

Rasti i parë që u konsiderua për shqyrtim nga Gjykata njihet ai që ka të bëjë me një çështje,[16] ku bëhej fjalë për paraburgimin pa gjykim në Irlandë të një të dyshuari si anëtar Armatës Republikane Irlandeze (IRA), kur u ushtruan fuqitë e veçanta të akorduara nga Akti i Krimeve kundër Shtetit (1940). Qeveria irlandeze u justifikua se e kishte bërë këtë deprivim (heqje) të lirisë së atij individi bazuar në Nenin 15 të KEDNJ, duke deklaruar ekzistencën e atëhershme në vend të gjendjes së jashtëzakonshme, me çka ra dakrord Gjykata, në vendimin e së cilës ai veprim ishte i arsyeshëm dhe nuk përbënte shkelje. Çështjet në rastin e mësipërm ishin shumë të ngjashme me ato të mëvonshme, që u korespondonin neneve 5 dhe 6 të Konventës, si për shembull, çështja ndërshtetërore Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar,[17] për të cilën, Gjykata deklaroi se masat britanike kundër IRA – s mund të arsyetoheshin nëpërmjet Nenit 15 të Konventës. Në të  njëjtin konkluzion ajo arriti edhe shumë vite më vonë, pas shqyrtimit të një çështje tjetër.[18]

Pjesa më e madhe e rasteve sigurisht që nuk kanë pasur të bëjnë me llojet e çështjeve të iniciuara nga Neni 15 i Konventës, por kanë shtuar interesin për zbatimin apo interpretimin e KEDNJ. Për shembull, rasti i një qytetari britanik, Golderit, i gjykuar që nga 21 Shkurti i1975 - s[19] kishte të bënte me të drejtën për akses nëpër gjykata. Duke vuajtur burgimin, ai donte që të takonte avokatin për të ngritur padinë ndaj njërit prej gardianëve, por i ishte mohuar leja për ta bërë një gjë të tillë. Kur Gjykata e Strasburgut deklaroi në vendimin e saj që në këtë rast ishte shkelur Konventa, sepse e drejta për gjykim të drejtë (Neni 6) nënkuptonte të drejtën për akses në gjyq, kjo e detyroi Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar të njoftonte Parlamentit për nevojën e ndryshimit të Rregullores së burgjeve në atë vend. Vendimi i kësaj çështjeje është vlerësuar si një nga më të rëndësishmit, sepse jo vetëm që pati efekte të menjëhershme, por edhe se “demostroi mundësinë për zgjerimin e sferës së Konventës me interpretimin imagjinar të parashikimeve të saj”.[20] Pak kohë më vonë, Gjykata shkoi edhe më larg gjatë shqyrtimit të rastit të një qytetari irlandes, Airey-t,[21]duke pohuar se ishte shkelur Konventa ngaqë shpenzimet ndalonin në atë vend sigurimin e divorcit në gjyq. Pra, edhe pse nuk kishte barriera formale, aplikuesit i mohohej aksesi efektiv në gjyq. Kushtet e zhvillimit të proceseve gjyqësore të lidhura me sferën e të drejtës për gjykim të drejtë kanë siguruar bazën për shumë raste të tjera të këtij lloji.[22]

Ndërkohë, Gjykata e Strasburgut e ka bërë të qartë se, Konventa nuk merret vetëm me përkufizimin e përzjerjes në të drejtat, por edhe kërkon nga qeveritë, në rrethana të caktuara, që të hedhin hapa pozitivë për promovimin e këtyre të drejtave. Duke u bazuar te Neni 1 i Konventës, që ka të bëjë me detyrimin e shteteve dhe individëve për të respektuar të drejtat e njeriut, Gjykata ka dhënë vendime që paraqesin interes të jashtëzakonshëm lidhur me përgjegjësinë juridike ndërkombëtare të Shtetit. Për shembull, çështja Loizidou kundër Turqisë,[23] që i ishte paraqitur Strasburgut nga qeveria e Qipros, ka të bëjë me pretendimet e qeverisë së Turqisë për mungesën e juridiksionit, pra, edhe me përgjegjësinë e saj për shkeljet e pretenduara në lidhje me posedimin e një pronësie në veri të këtij vendi Ishullor. Në vendimin e dhënë për këtë çështje, Gjykata e shtriu konceptin edhe më tej, duke pohuar se juridiksioni shtetëror është një nocion që i tejkalon përmasat hapësinore të konceptit territor, si edhe përmbledh të njëjtat pasoja juridike përsa i përket përgjegjësisë së Shtetit.[24]  

Një grup tjetër i rasteve të rëndësishme kishte prekur të drejtën për respektim të jetës private dhe familjare, të banesës dhe të korespondencës. Në rastin e njohur dhe të shumë përmendur, Marckx,[25] Gjykata e Strasburgut deklaroi se disa parashikime të legjislacionit belg, që kanë të bëjnë me fëmijët e lindur jashtë martese, sidomos për të drejtën e tyre të trashëgimisë, këta fëmijë i vendosin në një situatë jo të favorshme, krahasuar me ata legjitimë, çka përbën gjithashtu shkelje të Konventës. Një karakteristikë e dukshme e këtij vendimi ishte fakti që Gjykata e shprehu si detyrë të saj që të interpretonte Konventën nën dritën e praktikave bashkëkohore ndaj ilegjitimitetit dhe jo nën trysninë e ideve që kanë mbizotëruar atëhere kur ishte përpiluar Konventa. Pra, njësoj si koncepti i të drejtave që nënkuptohet, bie fjala, në rastin Golder të përmendur më lart, nga Strasburgu respektohet një qasje për interpretim me potencial krijues. Përderisa Gjykata vetë e ka pranuar që mund të shkojë shumë larg në këtë drejtim, shpesh herë i ka përdorur interpretimet për të zgjeruar sferën e Konventës.

Gjithashtu, duke u ballafaquar me plot çështje ku kërkohet që të drejtat individuale të vlerësohen mbi bazën e interesave të përgjithshme të shoqërisë dhe të Shtetit, Gjykata ka përdorur konceptin e njohur të marxhinës,  pra, të kufirit të vlerësimit, sidomos në çështje që korespondojnë me parashikimet e Nenit 10 për lirinë e shprehjes. Për shembull, në çështjen Grippera Radio AG dhe të tjerë kundër Zvicrës,[26] Gjykata u shpreh se Shtetet jo vetëm kanë të drejtë të vendosin sisteme liçensimi dhe kushtëzaimi për transmetimet zanore dhe pamore, por edhe mund të kufizojnë transmetime të caktuara në respektim të së drejtës së brendshme dhe ndërkombëtare.    

Meqë ky artikull është shkruar në planin përkujtimor të një date të shënuar, siç është kjo e nënshkrimit të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ndoshta nuk do të përbënte këtu mangësi të ndjeshme mos zgjatja me raste të tjera, sepse edhe me paraqitjen e ekstrakteve që përmbajnë plot e përplot vendime të jurisprudencës së begatë të Strasburgut, këtij qëllimi nuk do të mund t’i përgjigjej formati i zakonshëm i një rubrike dhe, në analizë të fundit, vështirë se pas një leximi të pandërprerë mund të shijoheshin plotësisht nga lexuesi arsyetimet e vazhdueshme, mjaft cilësore dhe ndonjëherë të papritura.[27] Por, sidoqoftë, nuk mund të lihet pa theksuar jo vetëm aftësia e Gjykatës në funksion të mbrojtjes së dispozitave të Konventës për interesa praktike dhe efektive të individëve dhe, në këtë drejtim, për të ushtruar ndikim në planin e brendshëm të Shteteve, por edhe se gjatë interpretimit të parashikimeve të KEDNJ, organet e saj (posaçërisht Gjykata e të Drejtave të Njeriut deri në ditët tona) nuk kanë qenë dhe nuk janë të kufizuara prej ideve të 1950 – ës, por të përgatitura që ta trajtojnë Konventën si instrument i gjallë, pra, edhe i ndryshueshëm.

      

Pozicioni i KEDNJ te hierarkia e normave juridike në Shqipëri 

 

Pranimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës më 1996[28] u krye vetëm pasi pëfaqësuesit e vendit tonë u zotuan se do të hiqej ligjërisht dënimi me vdekje brenda 3 viteve dhe se ndërkohë do të hynte në fuqi një moratorium, i cili deri atëhere do të pezullonte zbatimin e këtij lloj dënimi të dhënë nga gjykatat e këtueshme.[29] Ky kusht që iu vendos Shqipërisë lidhej me parashikimin e Protokollit Nr. 6 të KEDNJ për heqjen e dënimit me vdekje. Dhe, ndonëse ky Protokoll qe fakultatit, ratifikimi i tij konsiderohej jo pa rëndësi për aderimin e çdo Shteti në KiE.

Ashtu sikurse Kushtetutat më të reja të vendeve evropiane, edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, hyrë në fuqi më 28 Nëntor 1998, nuk mund të mos merrte parasysh në mënyrë të qartë[30] papajtueshmërinë e dënimit me vdekje me parimet e demokracisë dhe të dinjitetit njerëzor.[31] Sidoqoftë, Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e adresoi këtë çështje te Komisioni i Venecies, i cili u shpreh më 22 Mars 1999 me një sërë argumentesh, se  dënimi me vdeklje nuk mund të konsiderohej në pajtim me Kushtetutën shqiptare. Kjo pasoi një vendim të 10 Dhjetorit 1999 të Gjykatës Kushtetuese, e cila, me nismën e Gjykatës së Lartë shfuqizoi të gjitha nenet e Kodit Penal që parashikonin dënimin me vdekje në kohë paqeje, si edhe nenet 59/2 dhe 77 të Kodit Penal Ushtarak. Kështu pra, Shqipëria u tregua e vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore të tij.

Për të paraqitur pozicionin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore te hierarkia e normave juridike në Shqipëri, më së pari është e domosdoshme të shfletojmë Kushtetutën që është Ligji bazik i vendit, për të parë se çfarë parashikojnë dispozitat përkatëse ku e drejta ndërkombëtare që rrjedh nga marrëveshjet ndërkombëtare (njohur ndryshe edhe si e drejta konventore) zë vend të posaçëm. Për shembull, neni 116/1 i vendos këto marrëveshje të ratifikuara menjëherë pas Kushtetutës dhe u jep fuqi mbiligjore në sistemin e akteve normative. Ndërkohë që neni 122 (pikat 1 dhe 2) sanksionon, se: “Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji…Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Pra, siç duket qartë, këto dispozita kanë caktuar: pozicionin e marrëveshjeve ndërkombëtare në rendin kushtetues shqiptar; pozitën e tyre mbliligjore (por më poshtë se sa Kushtetuta); zbatimin e tyre të drejtpërdrejtë, kur janë të vetëzbatueshme, siç njihen në doktrinën ndërkombëtare self execiting; epërsinë e këtyre marrëveshjeve në rast kolizioni normativ me ligjet e brendshme që nuk pajtohen me to.[32]

Ky pozicion është edhe më i dukshëm kur i referohesh Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, madje vendi i saj paraqitet i privilegjuar në raport me marrëveshjet e tjera, çka e dëshmon qartë Neni 17/2 i Kushtetutës në Pjesën e Dytë të saj (Parime të Përgjithshme) për kufizimin e të drejtave të njeriut në rendin tonë kushtetues, duke u sanksionuar se: “Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventëm Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Çka tërheq gjithnjë e më tepër vëmendjen është fakti, sipas të cilit, Kushtetuta vërtet që u miratua dhe hyri në fuqi afro 2 vite e gjysmë më vonë nga ratifikimi i Konventës, por duket që e ka konsideruar këtë dokument të rëndësishëm ndërkombëtar apo rajonal si instrumentin kryesor mbikqyrës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga cënimet e mundshme në rendin kushtetues shqiptar.

Nga një qëndrim doktrinar të mëparshëm, sipas të cilit bëhet fjalë më shumë se sa për një supremaci të Konventës mbi legjislacionin vendës, domethënë, që Kushtetuta “çiftëzohet” me KEDNJ,[33] ky akt ndërkombëtar merr kështu fuqi kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, vetëm përsa i takon kufizimit të të drejtave. Ndërsa nga një qëndrim tjetër, neni 17/2 i Kushtetutës duhet kuptuar edhe si një klauzolë interpretimi, nëpëmjet së cilës, të drejtat dhe liritë themelore të individit që parashikohen në Kushtetutë duhen interpretuar në funksion të dispozitave të Konventës. Sidoqoftë, nga këto qëndrime statusi kushtetues apo kuazi kushtetues mbetet në nivel terminologjik.[34]

Deri atëhere Gjykata Kushtetuese nuk ishte shprehur ndonjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë për vendin që zë Konventa në rendin e brendshëm juridik. Vetëm me vendimin nr. 6/2006 ajo i njeh Konventës fuqi mbiligjore, njësoj si për çdo marrëveshje ndërkombëtare tjetër të

ratifikuar me ligj, që renditet menjëherë pas Kushtetutës.[35] Gjykata Kushtetuese ndalet përsëri në lidhje me këtë pikë në vendimin nr. 24/2007, sipas të cilit, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 17 të saj e ka pranuar përmbajtjen e Konventës Evropiane si minimumin e kufizimeve, pa penguar që legjislacioni vendas t’i japë më shumë të drejta e liri dhe një dimension më të madh realizimit të mbrojtjes së individit. Zbatimin për herë të parë të nenit 17/2 të Kushtetutës sonë, me rastin e shfuqizimit të dënimit me vdekje të parashikuar nga legjislacioni ynë penal, Gjykata Kushtetuese e arriti ( siç e përmendëm më lart) me vendimin 65/1999, duke e interpretuar të drejtën për jetën në dritën e KEDNJ dhe jurisprudencës së gjykatës së Strasburgut. Më vonë, me vendimin 9/2010 ajo hodhi një hap të mëtejmë, duke u bashkuar me qëndrimin doktrinar, pra, duke i njohur Konventës vlerën e standardit kushtetues për kufizimin e të drejtave të njeriut.

            Ndërsa për sa u takon vendimeve të GJEDNJ të dhëna me Palë Shtetin shqiptar, kërkimi në katalogun e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese të çojnë te vendimi i saj 20/2011, për të aritur në përfundimin se jurisprudenca e GJEDNJ ka fuqi detyruese dhe drejtpërdrejt të zbatueshme nga ana e gjykatave kombëtare, kurse vendimeve të Gjykatës së Strasburgut u njeh në përgjithësi përmasa orientuese, për të ndihmuar gjyqtarët vendas që të interpretojnë të drejtën e brendshme në përputhje me dispozitat e KEDNJ dhe me jurisprudencën e GJEDNJ, duke pranuar kështu plotësisht autoritetin ekskluziv që ka kjo jurisprudencë për interpretimin e Konventës.

 

            Konkluzione

 

Me çfarë e u tha më lart, çdo vlerësim mbi Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore duhet të fillojë nga pranimi prej Shteteve nënshkruese dhe ratifikuese të saj i rëndësisë thelbësore të bashkëpunimit, çka ka qënë dhe mbetet instrumenti më i rëndësishëm për punë efektive në sistemin e Strasburgut. Gjithashtu, ndonëse në këto Shtete Anëtare të Këshillit të Evropës janë paraqitur për dekada me radhë shumë probleme të natyrave nga më të ndryshmet, këto u janë inkuadruar përafësisht të gjitha të drejtave dhe lirive të mbrojtura me Konventën dhe Protokollet Shtesë të saj.

Ndërkohë, e drejta e mbështetur nga dispozitat Konventore dhe jurisprudenca e GJEDNJ ka treguar në vazhdimësi se asnjë Shtet nuk është imun ndaj mbikqyrjes për të kontrolluar nëse masat e mara në një vend përputhen apo jo me obligimet që rrjedhin nga angazhimi në mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të vet, të të tjerëve të huaj, të atyre pa shtetësi dhe të personave pa zotësi juridike për të vepruar. Faktikisht, çdo Palë e Lartë Kontraktuese që ka pranuar të drejtën për ankesë individuale dhe, për më tepër mbart përvojë të pasur në këtë drejtim, herë pas here mund edhe të gabojë.

Të dhënat e përftuara dhe të klasifikuara në historinë 70 vjeçare të Konventës dhe organeve të saj, natyrshëm sugjerojnë dy qasje: së pari, Konventa Evropiane vazhdon të jetë e nevojshme në të gjithë hapësirën e Kontinentit të vjetër, madje edhe te ato Shtete që shquhen për sundimin e ligjit brenda territoreve të tyre dhe që kanë garanci kushtetuese të konsoliduara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të tij; së dyti, sikurse u tha më lart, kjo Konventë vlerësohet si sistemi më efektiv ndërkombëtar dhe rajonal në këtë fushë, në krahasim me ato të prezantuara ndonjëherë nëpër botë.

Në Shqipëri ka qënë doktrina kushtetuese që është shprehur më herët për statusin kushtetues që gëzon KEDNJ në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, sigurisht vetëm sa i përket kufizimit të të drejtave të njeriut në rendin normativ të brendshëm. Më pas, Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar këtë dokument të rëndësishëm, në mënyrë graduale brenda pak viteve që nga ratifikimi i tij nga Parlamenti, si vlerë e standardit kushtetues me fuqi detyruese dhe të zbatueshme drejtpërdrejt nga gjykatat kombëtare sa herë që ligjet e brendshme nuk pajtohen me të, si edhe duke pranuar plotësisht autoritetin ekskluzive që ka jurisprudenca e GJEDNJ për interpretimin e Konventës.

--------------------------------------------------------------

 

            Literatura:

 

            Akte normative

-    Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

-    Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar nga Shqipëria me ligjin nr. 8137, datë 31.07.1996

-    Statuti i Këshillit të Evropës, nënshkruar më 1949

-    Raporti i Asamblesë Konsultative të Këshillit të Evropës (Raporti i Titgenit), Shtator 1949

-    Akti Final i Helsinkit për themelimin e KSBE (sot OSBE), nënshkruar më 1975

-    Konventa Panamerikanë për të Drejtat e Njeriut, 1969

-    Karta Afrikane e të Drejtave të Njeriut dhe Popujve, 1981

-    Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar

 

               Doktrinë

-    Raporti zyrtar i debateve në KiE 1974-1975, Vol. I  

-    Fjala e Rolv Ryssdal, ish kryetar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në ceremoninë e zhvilluar më 5 Nëntor 1990, me rastin e 40 vjetorit të nënshkrimit të Konventës Evropiane pventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Evropiane

-    Rajia Hanski, Markus Suksi, An introduktion to the international protection of humman rights, Institute for Humman Rights, Abo Akademi University, Helsinki 2000

-    Paul – Henri Spaak, The Continuing Battles: Memoirs of A European, (1936 – 1066)

-    Dronna Gomien, Udhëzues i shkurtër i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Edicioni i 3 - të, Tiranë 2005

-    Luan Omari, Shteti i së Drejtës, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2002

-    Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë 2007

-    Luan Omari, Aurela Anastasi, E drejta kushtetuese, ‘ABC’, Tiranë 2010

-    Ervin Sulko, Statusi i KEDNJ në rendin kushtetues shqiptar, Revista ‘Avokatia’, nr. 19, Korrik 2016

 

Jurisprudence

-    Vendime të Gjykatës Kushtetuese: 65/1999; 6/20006; 24/2007; 9/2010; 20/2011

-    Vendime të GJEDNJ për çështjet: Lawless kundër Republikës së Irlandës, 1961; Irlanda

kundër Mbretërisë së Bashkuar, 1978; Braningen kundër McBide,1993; G0older kundër Mbretërisë së Bashkuar; Airey kundër Irlandës, 1979; Luedicke, Belkacem dhe Koç, 1978; Loizidou kundër Turqisë, 1995; Marckx kundër Belgjikës, 1979; Soerrng kundër Mbretërisë së Bashkuar, 1989

              

 

 



[1] Këshilli i Evropës u themelua në vitin 1949

[2] Neni 1 i Statutit të Këshillit të Evropës

[3] Fjalim i mbajtur në Maj 1974, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 25 vjetorit të themelimit të KiE, nga ish ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, atë kohë  në rolin e Kryesuesit të Komitetitit të Ministrave të kësaj organizate. Raporti zyrtar i debateve në KiE 1974-1975, Vol. I, fq. 27   

[4] Akti Final i Helsinkit për themelimin e KSB (sot OSBE) u nënshkrua më 1975

[5] Shkëputur nga Fjala e Rolv Ryssdal, ish kryetar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në ceremoninë e zhvilluar më 5 Nëntor 1990, me rastin e 40 vjetorit të nënshkrimit të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave  të Njeriut dhe Lirive Themelore

[6] Shih: Rajia Hanski, Markus Suksi, An introduktion to the international protection of humman rights, Institute for Humman Rights, Abo Akademi University, Helsinki 2000

[7] Mbledhur dhe zhvilluar punimet për të ardhmen e Evropës në Maj të vitit 1948

[8] Paul – Henri Spaak (25 Janar1899 – 31 Korrik 1972), politikan, diplomat dhe burrë shteti belg me shumë ndikim në qarqet e socialistëve evropiane, emri i të cilit për themelimin ne Evropës së re renditej krah emrit të francesit Robert Shuman, italianit Alcide Degasperi dhe gjermanit Konrad Adenauer

[9] Ky Raport përfundoi në Shtator 1949

[10] Rajia Hanski, Marcus Suksi, An introduktion to the international protection of humman rights, Institute for Humman Rights, Abo Akademi University, Helsinki 2000

[11] Shih Preambulën e Konventës

[12] Dronna Gomien, Udhëzues i shkurtër i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Edicioni i 3 - të, Tiranë 2005, fq.13

[13] Kujto situatat pak a ashumëanaloge gjatë përhapjes më 2020 në shkallë globale dhe në rrafsh territorial të shumë Shteteve të veçanta, sikurse Shqipëria

[14] Mund të përmenden këtu përkrah shumë traktateve, pakteve dhe konventave të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale, Konventa Pasnamerikane për të Drejtat e Njeriut (1969) dhe Karta për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve (1981)   

[15] Luan Omari, Shteti i së Drejtës, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2002, fq. 288

[16] Çështja Lawless kundër Republikës së Irlandës, vendimi i Gjykatës dhënë më 1961

[17] Vendimi për këtë çështja u dha në vitin 1978

[18] Çështja Braningen kundër McBide, vendimi më 1993

[19] Çështja Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar

[20] Rajia Hanski, Marcus Suksi, An introduction to the international projection of humman rights, Institute for Humman Rights, Abo Akademi University, Helsinki 2000

[21] Çështja Airey kundër Irlandës, vendimi për të cilën u dha më 9 Tetor 1979

[22] Shih, për shembull, çështjen Luedicke, Belkacem dhe Koç, vendimi i së cilës është dhënë më 28 Nëntor 1978

[23] Vendimi i dhënë më 23 Mars 1995

[24] Shih: Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë 2007

[25] Çështja Marckx kundër Belgjikës, vendimi i 13 Qershorit 1979

[26] Shih: Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë 2007

[27] Mund të kujtohet vendimi i Gjykatës për çështjen Soerrng kundër Mbretërisë së Bashkuar shënë më 7 Korrik  1989), në të cilin ngiti një problem të rëndësishëm në lidhje me Nenin 3 të Konventës, duke vendosur që Mbretëria e Bashkuar në vend që ta mbajë aplikuesin pa gjyq në izolim të pafundmë (çka përbën një torturë të paimagjinueshme me tejzgjatjen e një ankthi për fundin e qënies në këtë botë) mund të plotësojë kërkesën e tij për ta ekstraduar në SHBA, ku edhe mund të dënohej me vdekje. Ky vendim “i habitshëm”, që në pamje të parë dukej se binte ndesh me përmbajtjen e Nenit 2 të Konventës, i cili garantonte të drejtën e jetës, nga Gjykata u arsyetua me argumentin, se: “ndalesa absolute e torturës dhe trajtimit jo human dhe degradues në frymën e Konventës tregon që Neni 3 nxjerr në pah një ndër vlerat fondamentale të shoqërive demokratike, që përbëjnë Këshillin e Evropës.

[28] Saktësisht më 13 Korrik 1996. Brenda atij muaji u miratua në Kuvendin e Shqipërisë ligji nr. 8137, datë 31.07.1996 “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore

[29] Edhe me veçimin më 1990 të krimeve të luftës dhe krimeve ushtarake, numri i figurave të krimit, për të cilat Kodi ynë Penal parashikonte dënimin me vdekje, përsëri mbertej i madh

[30] Thuhet në mënyrë të qartë, sepse Neni 21 i Kushtetutës sonë nuk përjashton shprehimisht dënimin me vdekje, ndërkohë që përkrahit e ruajtjes së këtij lloj dënimi

[31] Luan Omari, Shteti i së Drejtës, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2002, fq. 299

[32] Ervin Sulko, Statusi i KEDNJ në rendin kushtetues shqiptar, Revista ’Avokatia., nr. 19, Korrik 2016, fq. 29

[33] Luan Omari, Aurela Anastasi, E drejta kushtetuese, ‘ABC’, Tiranë 2010, fq. 115

[34] Ervin Sulko, Statusi i KEDNJ në rendin kushtetues shqiptar, Revista ‘Avokatia’, nr. 19, Korrik 2016, fq. 32

[35] Shih nenin 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë