Av. Prof. as. Dr. Fehmi ABDIU

Anëtar i Bordit Editorial

të Revistës ‘Avokatia’,

Tiranë

 

Hyrje

 

Amendimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale nëpërmjet ligjit nr. 35/2017 patën rëndësi të madhe, sepse sollën efekte me pritshmëri të ndjeshme për të gjithë sistemin e hetimit dhe gjykimit. Në morinë e tyre nga këto ndryshime, më te dukshme janë ato që kanë të bëjnë me padinë civile në procesin penal që imponojnë një mentalitet tjetër nga ai ekzistues. Në këtë fushë të dukshme janë ato që kanë të bëjnë me një konceptim të ri të statusit të viktimës së veprës penale, sidomos të drejtave të saj në procesin hetimor dhe gjyqësor, si edhe të demit te shkaktuar si faktor që shërben për t’u patur parasysh si një kriter për kompesimin e viktimës.

 

 Prandaj, në këtë punim do të qëndrojmë kryesisht në këto drejtime: Disa njohuri të përgjitheshme mbi viktimën; statusi i saj në dokumente të rëndësishme ndërkombëtare; vendi që i jepet në shkencat e Viktimologjisë dhe Procedurës Penale; Statusi i viktimës në K.Pr.Penale të Republikës së Shqipërisë pas ndryshimeve dhe shtesave të tij në vitin 2017; risitë që sollën këto ndryshime në lidhje me dëmin që shkaktohet nga kryerja e veprës penale dhe, se fundmi, detyrimet e shtetit ndaj kësaj kategorie njerëzish në nevojë. Me pak fjalë, do të trajtohet viktima si subjekt i ndjekjes penale dhe i gjykimit, si edhe dëmi si subjekt i pëgjegjësisë së fajtorit.

 

Njohuri të përgjithshme për viktimën dhe pozitën proceduriale të saj

 

Problemet që lidhen me viktimat dhe sidomos mbrojtja e tyre në aspektin ligjor dhe moral janë bërë një preokupim serioz për mbarë shoqërinë, prandaj edhe për këtë arsye janë shtuar ndjeshëm studimet rreth tyre, veçanërisht ato në lëmin e juridiksionit penal.

Në përgjithësi pranohet se problemi i kuptimit të viktimës ka të bëjë me ato raste kur dikush ka pësuar nga veprimtaria kriminale e tjetrit. Por kjo qasje nuk është e plotë, pasi shumë herë trajtimi dhe studimi i viktimave shihet më gjerë se aq, pra për të gjitha llojet e tyre dhe jo vetëm me ato që bëhen pre e veprimtarisë kriminale. Një vështrim të gjerë dhe dimensional në lidhje me viktimizimin, kuptimin, llojet e viktimave, pikëpamjet mbi ato, si edhe shumë aspekte të tjera i gjejmë në librin Viktimologjia.[1]

Ndërsa, në rradhët e mëposhtme do të fokusohemi vetëm te këndvështrimi i ngushtë i kuptimit juridik të viktimës, që i është shkaktuar një dëm nga fajtori në procesin penal.

Në doktrinë gjenden edhe përkufizime të tjera të ndryshme.[3] Por, pavarësisht nga shumëllojshëmria e përkufizimeve në koncept, vëmë re dy dukuri qe do te jene objekt analize ne kete punim, kur ka ndryshuar mentaliteti për këndvështrimin e këtij fenomeni, pasi tashmë viktima nuk shihet formalisht vetëm si i dëmtuar në procesin penal apo civil, por edhe si subjekt me të drejta të rëndësishme proceduriale, ndaj të cilit detyrohet jo vetëm personi fajtor, por edhe shteti e shoqeria.

Përkufizimi i viktimës. Në lidhje me këtë, nga  literatura juridike mund të përmenden disa prej tyre. Përkufizimi i termit ligjor që përdoret tani edhe në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë në lidhje me viktimën është ndikuar nga këndvështrime të ndryshme. Por, këtu mund të veçojmë disa prej tyre. Në përgjithësi konsiderohet si viktimë personi juridik, ose ai fizik, të cilit i janë lënduar apo atakuar të mirat e tij të garantuara me ligj, si: jeta, integriteti trupor a moral, liria, pasuria etj. Autori i njohur i kërkimeve kriminalogjike gjermane, Kaiser mendon se sajimi i një përkufizimi gjithëpërfshirës rreth kuptimit të termit viktimë është pak i dobishëm dhe i shfrytëzueshëm për faktin se, te krimi ekonomik, te krimi i financave, te krimet e vjedhjeve nëpër lokale, markete, vështirë se mund të identifikohet, pasi  nuk është e qartë se cila është viktima e vërtetë. Për këto arsye, ai mendon se, një përkufizimi i vetëm nuk mund të përmbledhë të gjitha llojet e viktimave. Këtë pikpamje  e kritikon autori Schneider, i cili mendon se viktimologjia nuk mund të ekzistojë si disiplinë e pavarur, nëse nuk e ka përkufizuar qartë kuptimin e viktimës.[2]

Ndryshimi tjetër i rëndësishëm rreth padisë civile në procesin penal ka të bëjë me dëmin, sepse ajo – pra, padia civile - nuk është më e lidhur vetëm me dëmin material, siç ishte kuptuar nga legjislacioni ynë i mëparshëm, por me dëmin në përgjithësi, që këtu do të trajtohet me detaje.

Kuptimi i viktimës në dokumentet dhe aktet ndërkombëtare. Kuptimi  i termit viktimë ndodh që të mos përputhet me kuptimin e “të dëmtuarit” në Procedurën Penale, sepse, atje si viktimë apo të dëmtuar, konsideroheshin vetëm personat e veçantë kur kryerësi i veprës penale është identifikuar dhe ndaj tij zhvillohet proçedura penale, ndërsa në viktimologji si viktima konsiderohen të gjithë ata që kanë pësuar dëm nga aktiviteti kriminal, pa marrë parasysh faktin se a dihet kryerësi i atij aktiviteti criminal.[4]

1-      Sipas Deklartës së O.K.B-së, të datës 29 Nëntor 1985 “Mbi Parimet Themelore të

Drejtësisë për Viktimat e Krimit dhe Keqpërdorimit të Pushtetit”, si viktima nënkuptohen: personat të cilët, individualisht apo në mënyrë kolektive kanë pësuar lëndime, duke përfshirë këtu edhe lëndime fizike apo mendore, pësime emocionale, humbje ekonomike apo keqësimin substancial të të drejtave të tyre themelore, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo moskryerjes së tyre, të cilat paraqesin shkelje të ligjeve penale që janë në fuqi në kuadër të shteteve anëtare, duke përfshirë edhe ligjet të cilat ndalojnë keqpërdorimin e pushtetit.[5]

Sipas kësaj Deklarate, si viktima konsiderohen: a) personat të cilët në mënyrë individuale apo kolektive kanë pësuar lëndime, përfshirë aty dhe lëndimin fizik ose mendor, pësime emocionale, humbje ekonomike apo humbje substanciale të të drejtave të tyre themelore nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosverpimeve që formojnë shkelje të ligjit, përfshi dhe ato ligje që ndalojnë keqpërdorimin e pushtetit; b) si viktimë mund të konsiderohet edhe personi i cili ka pësuar, pa marrë parasysh nëse është identifikuar, është kapur, është ndjekur penalisht apo është dënuar autori i veprës dhe pa marrë parasysh marrëdheniet familjare mes autorit dhe viktimës. c) Kuptimi i termit viktimë, sipas kësaj Deklarate, përfshin në raste të caktuara edhe të afërmit në lidhje familjare apo farefisnore, që kanë jetuar me viktimën, ose kanë qënë të varur nga viktima. d) si viktime, shpesh në praktikë konsiderohen edhe personat e tjerë të cilët kanë pësuar dëm, duke dashur të ndihmojnë apo të mbrojnë viktimën para, gjatë ose pas rastit viktimizues.

2-   Sipas Rekomandimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës “Mbi mbrojtjen e viktimave të krimit dhe viktimave të akteve terroriste” si viktima konsiderohen “personat natyral” të cilët kanë pësuar dëmtime, duke përfshirë lëndime fizike dhe mendore, vuajtje emocionale, humbje ekonomike nga veprime apo mosveprime që paraqesin shkelje të ligjit penal të Shtetit Anëtar. Ky term përfshin, gjithashtu, në raste të caktuara edhe anëtarin e familjes, ose personat e tjerë që kanë vartësi të drejtë nga viktima.

Studimet në këtë fushë dëshmojnë se sot njihen si të tilla dhe ato të krimeve kundër jetës e shëndetit, viktima në familje, ato të trafikimit të qënieve njerëzore, viktima të trafikut rrugor, viktima të krimeve të së drejtës ndërkombëtare, të akteve terroriste, të krimit të organizuar etj.

Si dokumentet e sapopërmendura, edhe Direktiva nr 2012/129, datë 25/10/2012 e Parlamentit dhe Këshillit Europian për standartet minimale, për mbrojtjen, mbështetjen e viktimave të krimeve, afërsisht rekomandon që viktimat duhet të njihen dhe të trajtohen me respekt, pa diskriminim të çfarëdo llojshëm dhe, mbi të gjitha, ato duhet të mbrohen nga viktimizimi sekondar dhe i përsëritshëm, nga frikësimet dhe nga hakmarrja per lehtësimin dhe rehabilitimin e tyre dhe kjo gjë t’u sigurohet nëpërmjet qasjes së mjaftushme në drejtësi.

3.  Fryma e dokumenteve të tilla është pasqyruar edhe në akte të tjera ndërkombëtare, ndër të cilat: Direktiva nr 2004/80 e datës 29.4,2004 e Këshillit të Evropës për kompesimin e viktimave të krimit; Konventa Evropiane “Mbi kompesimin e viktimave të krimeve të dhuneshme”, Strasburg datë 24.11.83, si edhe rekomandimi i Këshillit të Ministrave për shtetet anëtare mbi ndihmën ndaj viktimave e datës 14.06.2006 etj.[6]

4. Përkundrejt këtyre qëndrimeve e përkufizimeve të ndryshme sa më lartë, mendohet se padrejtësisht pak njihen sot edhe forma të tjera, si: viktima nga keq përdorimi i pushtetit, viktima nga krimet kundër nderit e dinjitetit seksual, viktimat në krimet e korrupsionit nga abuzimi me pushtetin. Të gjitha këto, në të gjitha këto forma studjohen nga Viktimologjia - shkenca që studion viktimizimin, përfshirë marrëdhënien midis viktimës dhe shkelësit, viktimës dhe sistemit të drejtësisë penale, viktimës dhe grupeve e institucioneve të tjera, si mediat, bizneset dhe lëvizjet sociale.

 Në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, me viktimë kuptohet ai që plagoset a vritet në një aksident, që dëmtohet a vdes nga termeti, përmbytjet etj, ai që vritet a plagoset nga dikush, ai që pëson pa të drejtë një të keqe të madhe nga dikush.[7] Rreth mënyrës se si është përkufizuar ky term, në akte te ndryshme janë shtjelluar edhe argumentet pro tij, nga të cilat mund të veçojmë dy aspekte: Së pari, nga keto përcaktime është lënë hapësirë që të përfitojnë dhe të quhen të tillë edhe viktimat e krimeve të luftës, pavarësisht së në të shumtën e vendeve autorët e këtyre krimeve nuk janë evidentuar dhe nuk janë vënë para përgjegjësisë penale. Pra, në këto rrethana, ata vihen në një farë mënyre në një pozitë të mbrojtur. Së dyti, jo pa qëllim, sipas nenit 2 të Direktivës së Parlamentit dhe Këshillit të Europës, si të tillë janë nënkuptuar edhe të gjithë anëtarët e familjes së një personi, vdekja e të cilit është shkaktuar drejtëpërsëdrejti nga një vepër penale dhe që ka pësuar dëm si rezultat i vdekjes së atij personi.[8]       

 Përkufizimi i emrit viktimë ka qenë objekt debati edhe gjatë pëgatitjes së statutit të Romës. Ngaqë ka qënë e pamundur miratimi me unanimitet i një përkufizimi, atëherë u evidentuan dy qëndrime më rëndësi parimore. Nga njëra anë u duk se do të sundonte pikëpamja tradicionale që e vështronte atë term në kuptimin e ngushtë, duke quajtur si të tillë vetëm individin apo personin fizik të lënduar nga kryerja e veprës penale; nga ana tjetër, qëndrimi  që mbështetet fuqishëm te Rezoluta e Këshillit të Sigurisë, që si viktimë  konsiderohet edhe çdo familjar, i afërm apo person juridik që pëson dëm në përpjekje për të ndihmuar viktimën e drejtëpërdrejtë. Për rrjedhojë, pas shumë debatesh u pranua me kompromis, se:  Viktima nënkupton personat fizik që kanë pësuar dëmtim si rrjedhojë e kryerjes së një krimi që është brenda juridiksionit gjyqësor. Viktimat mund të përfshijnë organizata apo institucione, të cilat kanë pësuar dëme që lidhen me besimin, arsimimin, artin, shkencën , ose për qëllime bamirësie etj.

Në vitin 2016, kur u bënë përjekje për ta përkufizuar këtë koncept në vendin tonë edhe në versionin e ‘Euralius’-it  u pranua se, si viktimë quhej “personi i cili ka pësuar dëm, përfirë dëmin fizik, mendor ose emocional, ose humbje ekonomike të shkaktuar drejtëpërdrejtë nga një vepër penale”. Ky version nuk u miratua prandaj, nuk po e vlerësojmë për ta diskutuar më tepër.

Pra, për këtë problem të rëndësishëm, me sa duket legjislatori gjeti zgjidhjen më të thjeshtë, duke bërë përpjekje për të sjellë ndryshime të rëndësishme konceptuale në lidhje me padinë civile në procesin penal, por pa zgjidhur problemin kryesor, përkufizimin e termit viktimë, gjë kjo e nevojshme, biles e domosdoshme, sepse nga ai do të dimensionoheshin saktësisht si pozita e paditësit, ashtu edhe e të paditurit civil. Pikërisht, për këto arsye do të qe me shumë rëndësi që në K. Pr. Penale (me ndryshimet e vitit 2017) t’i kushtohej vëmendje më e madhe këtij problemi, duke përcaktuar një përkufizim të saktë për rrethin e personave që konsiderohen viktimë e krimit, si edhe duke mos lënë mangësi ligjore që mund të lënë shkas për keqinterpretime.

Veç këtyre, si në planin teorik, edhe në atë praktik ekziston një problem tjetër. Në Kodin Penal e ndeshim termin viktimë në disa dispozita, sidomos në ato që kanë të bëjnë me krimet kundër jetës, me pasoja humbjen e jetës.[9] Ndodhur në këto kushte mendoj se praktika gjyqësore do ta ndjejë këtë, gjë që ka gjasa se do të sjellë problem për ‘të.

Në këto kushte, praktika jonë gjyqësore është e detyruar që t’i qëndrojë besnike vendimit nr 2, datë 20.06.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, që i përket një periudhe para se të bëheshin ato ndryshime. Por, edhe pse mund të pretendojmë se një qëndrim i tillë është përcaktuar nga praktika gjyqësore, ky fakt nuk është gjithçka. Prandaj, do të ishte më e rëndësishme që ky problem të kishte gjetur një zgjidhje më afat-gjatë me ligj, edhe sepse termi viktimë dhe grupimet e njerëzve që vijnë pas tij në kuptimin e ligjit përbëjnë një shumicë që ndjejnë çdo ditë agresivitetin e veprimtarisë kriminale. Për më tepër, edhe në dokumentet më të rëndësishme që u jemi referuar konstatojmë se në qëndrimin që mbajnë në lidhje me viktimën, ato kanë edhe diferenca apo ndryshime, sepse kane te drejta dhe detyrime te ndryshme, të cilat kanë ndikimin e tyre në planin kombëtar të vendeve të ndryshme. 

 Duke analizuar rolin që ka në procesin penal viktima, sidomos të drejtat e veta në proces dallojmë viktimën akuzuese, viktimën ankimuese, viktimën me cilësinë e dëshmitarit per një veper tjetër çfarëdo, ose viktimën kallëzuese. Pra: a) si viktimë akuzuese, konform nenit 59 të K.Pr. Penale për veprat penale me rrezikshmëri shoqërore të vogël, ku ai ka të drejtën e ngritjes dhe përfaqësimit të akuzës duke u konsideruar me të drejtë si palë në proces; b) sipas nenit 284 të K.Pr. Penale viktima ka të drejtën të vërë në lëvizje procesin penal duke paraqitur ankimin në organet e procedimit penal, si edhe duke patur të drejtën për të hequr dorë prej tij në çdo fazë të procesit gjyqësor; c) si person që kallëzon në organet përkatëse kryerjen e një vepre penale ndaj tij, që ndiqet procedurialisht dhe kryesisht, pavarësisht faktit nëse dëshiron apo ankon ai, i cili në praktikë njihet me cilësinë e dëshmitarit.

Veç sa më lart, sipas llojit të tyre, njihen edhe viktima të veçanta, si viktima e mitur, ajo e trafikimit të qenieve njerëzore dhe viktima nga krimet në familje etj. Për shkak të individualitetit të tyre ato janë grupuar veçmas nga legjislacioni procedural, duke paraparë për secilën prej tyre edhe staturën në lidhje me të drejtat e veçanta, tej atyre që ka në përgjithësi viktima. Prandaj, pavarësisht nga ndryshimet  mendoj, se viktimat vihen në pozita të vështira procedurale  duhen sistemuar disa ndriyshime, sepse ato të parat vihen në pozita të vështira proceduriale. Më së pari, sipas këtij sistemi dhe sidomos sipas detyrimeve te tyre proceduriale, të krijohet përshtypja sikur për këto raste procesi penal është shndërruar në proces civil, ku viktimës i kërkohet jo vetëm të sigurojë provat e nevojshme për të provuar fajësinë e të akuzuarit, çka shumë herë del jashtë mundësive të tij. Kjo bëhet bëhet edhe më e vështirë për faktin se ai nuk mund të sigurojë një mbrojtje financiare, profesionale dhe se shumë herë mund të jetë në pamundësi për të ndjekur procesin etj. Pa qënë nëvoja që për këtë të bëjmë këtu një analizë të hollësishme, sidoqoftë shprehim bindjen se ky proces e vë viktimën në pozita të vështira aq sa jo rrallë ajo detyrohet të mos ndjekë si duhet dhe me vendosmëri akuzën. Duke qenë kështu, këtij personi me cilësinë e viktimës duhet t’i sigurohet përfaqësues lgjor dhe të gjitha shpenzimet e nevojshme që duhet të bëhen deri në perfundim të procesit gjyqësor.       

  Mangësi në aspektin procedural vihen re edhe në lidhjen me viktimen akuzuese apo në lidhje me atë që ne e kemi quajtur denoncues. Kështu, as në nenin 331, për detyrimet e prokurorit në lidhje me dërgimin e çështjes në gjykatë, as në nenin 333 që trajton zhvillimin e seancës nga gjyqtari i çështjes, nuk është sqaruar nëse bëhet fjalë për të dëmtuarin ankimues (neni 284) apo për atë që ka të bëjë me vepra që ndiqen kryesisht apo për atë që ka paraqitur kërkesë për padi civile në procesin penal. I dëmtuari për veprat penale që ndiqen kryesisht nga organi procedures legjitimohet të  bëjë kallëzimin për veprën penale të kryer ndaj tij, por asgjë më tepër se kaq, sepse mund të ndikojë për fatin e dërgimit apo jo të çështjes për gjykim dhe aq më tepër për të drejtën e ankimit kundër vendimit të gjykatës.[10]

 

Viktima dhe e Drejta e Procedurës Penale

 

Koncepti për viktimën dhe viktimizimi si fenomen janë objekt i studimit të shkencës së viktimologjisë. Kjo disiplinë trajtohet si shkencë dhe si veprimtari praktike mbi viktimizimet e shtetasve, duke paraqitur elemente konstruktive të sistemit të mbrojtjes shoqërore. Prandaj, për këtë arsye ndihmon shtetasit, duke paralajmëruar dukuritë, format, shkaqet dhe masat për luftimin, eleminimin dhe neutralizimin e rrezikut nga viktimizimi i shtetasve.[11] 

Viktimilogjia ka lidhje edhe me të drejtën e procedurës penale. Viktima, ose siç quhet në Procedurën Penale, “i dëmtuari, paditësi privat, paditësi subsidiar” është një ndër subjektet apo pjesëmarrësit e saj. Në të drejtën e procedurës penale dhe në Kodin e Procedurës Penale rregullohet pozita e viktimës apo e të dëmtuarit dhe të drejtat kryesore për pjesëmarrjen në procedurën penale dhe në realizmin e kërkesave të ndryshme.

Sipas dispozitave proceduriale, ajo ka disa të drejta dhe ka interes që çështja penale të përfundojë edhe me zgjidhjen e kërkesave të saj për zhdëmtim, qoftë moral, qoftë material. Ajo drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet përfaqësuesit të saj, mund të shtrojë kërkesa, parashtresa dhe të marrë pjesë në veprime të caktuara proceduriale, gjatë fazave të ndryshme të procedurës penale. Të mos harrojmë se, shpesh herë viktima apo i dëmtuari, me deponimet e veta kontribon në ndriçimin dhe zgjidhjen e rasteve të rënda kriminale. Nga ana tjetër, gjykata në procesin penal konstaton se cilat janë viktimat, kush është shkalla e viktimizimit, eventualisht edhe lloji i zhdëmtimit të tyre. Në shumë raste, sasinë dhe llojin e zhdëmtimit gjykata nuk e zgjidh në procesin penal, por palën e dëmtuar apo viktimën e udhëzon që këtë kërkesë ta bëjë nëpërmjet gjykimit civil.

Në shumë kode të reja të procedurave penale, të cilat kanë marrë kërkesat për mbrojtjen më të gjërë të viktimës janë paraparë paragrafe dhe nene konkrete, të cilat e trajtojnë viktimën e krimit në mënyrë më të favorshme lidhur me një varg veprimesh proceduriale. Kjo vërehet me normimin e së drejtës së viktimës, drejtëpërsëdrejti apo nëpërmjet përfaqësuesit të saj, që të marrë pjesë aktive në fazën e procedurave paraprake, hetimore, në fazën e akuzimit, në fazën e shqyrtimit kryesor, në fazën e apelit dhe në fazën e zbatimit të vendimeve, deri te faza e realizimt të kërkesave të saj për mbrojtje dhe dëmshpërblim. Në të gjitha këto faza, ajo ka të drejtë të informohet, të parashtrojë kërkesa, të kërkojë sqarime dhe procedime të provave të ndryshme që i shkojnë në favor.

Po ashtu, gjykata dhe organet e tjera të përfshira në procedimin e rasteve janë të detyruara që viktimës t’i ofrojnë mbrojtje dhe siguri për lëvizje të lirë edhe si palë e dëmtuar, ose si dëshmitar për rastin viktimizues.Veçmas insistohet që viktimave t’u afrohen garanci, që gjatë gjithë fazave të procedurës ato të mos riviktimizohen si rezultat i mospërfilljes së kërkesave të tyre legjitime, të mos injorohen dhe të mos pësojnë për shkak të mos informimit apo mos njohjes së të drejtave të tyre.

Aktet ndërkomtare për të drejtat e viktimave rekomandojnë që në dispozita konkrete të procedurës penale pozitive të parashihen obligimet e organeve dhe zyrtarëve që udhëheqin procedurat rreth mbrojtjes së viktimave dhe realizimit të kërkesave për dëmshpërblim, gjithashtu, të kenë kujdes gjatë tërë kohës për interesat e viktimave. Nëpërmjet nxjerrjes apo dhënies së fondeve për këtë qëllim, përballohen programe të ndryshme lidhur me ngritjen e strehimoreve për mbrojtjen dhe vendosjen e viktimave të rrezikuara, për funksionimin e shërbimeve të ndryshme në favor të viktimave, p.sh. funksionimin e telefonave SOS, qëndrave këshilluese për viktimat, të organizimit të trajnimeve të personave që u ofrojnë viktimave përkrahje dhe ndihma etj. Në ato vende ku funksionojnë këto forma të sigurimit të burimeve për mbështetjen dhe zhdëmtimin e viktimave të krimit, më pak problem ka në realizimin e kompensimit të dëmit të viktimave të krimit. Duke marrë parasysh këtë përparësi, shumë akte ndërkomëtare rekomandojnë nevojën gjithnjë e më të madhe për nxitjen e krijimit të këtyre fondeve.

  Në doktrinë sot ekzistojnë tri kategori të viktimologjisë me karakter akademik:

a) Viktimologja pozitive, që e përkufizon viktimizimin sipas kodit penal, duke u bazuar në idenë e fajësimit që bën viktima ndaj fajtorit, është ajo që e propozon viktimologjinë si shkencë; b) Viktimologjia radikale, e cila përfshin viktimizimin përtej kufijve të kodit penal (përfshinë të drejtat të njeriut) dhe shqyrton rolin e shtetit kapitalist në rritjen e viktimizimit. c) Viktimologjia kritike, e cila kombinon aspekte të viktimologjsë pozitive dhe asaj radikale për viktimën qe studion eksperiencat e viktimave individuale, duke kritikuar aspekte të veçanta të teorive të para. Veç këtyre, sot njihet edhe shkenca e Viktimologjisë speciale, që hulumton vetëm viktimat e kriminalitetit të dhunshëm, viktimat e krimeve të luftës dhe të krimeve të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare, viktimat e terrorizmit, viktimat e keqpërdorimit të pushtetit, viktimat e shkeljes flagrante edhe të drejtave të njeriut, ato të vrasjeve, ato të krimeve seksuale, të dhunës në familje etj.

Në aktet ndërkombëtare përmenden shpesh termat viktimizimi primar dhe sekondar. Sipas tyre, në momentin kur viktima përjeton dhunë apo i nënshtrohet forcës, ose është objekt mbi të cilin është ushtruar forca apo dhuna, atëhere ka ndodhur viktimizimi primar. Ky term përdoret më shpesh në praktikë. Po kështu, ndërsa në situata të caktuara përjetimi i serishëm i traumës apo dëmit që i shkaktohet viktimës më vonë (jo aty për aty) është quajtur viktimizimi  sekondar.

 

 Viktima dhe drejtësia  

 

Me shkencën e Viktimologjisë ka lidhje dhe Drejtësia Restorative. Me këtë nënkuptojmë atë veprimtari ndërmjetësuese qe behet për pajtimin e viktimës me kryerësin e veprës penale, nëpërmjet dëmshpërblimit të tij për arritjen e kompensimit që shërben si mjet për rikthimin e viktimës në gjendjen e mëparshme.[12]

Përpjekjet serioze për pajtimin e të dëmtuarit me autorin e një vepre penale i ndeshim si në shoqëritë tradicionale, ashtu edhe në të drejtën zakonore shqiptare, ku rezultatet pozitive në këtë aspekt nuk kanë munguar në mjaft raste. Në të drejtën zakonore shqiptare është vënë re “vendosja e paqes” ndërmjet palëve në konflikt, autorit të një vepre penale dhe viktimës, nëpërmjet një marrëveshje për kompensim të dëmit të shkaktuar në të gjitha format e tij.

Historia e së drejtës zakonore të Shqipërisë në këtë aspekt mbase na jep të drejtë të mburremi. Mjafton fakti se, duke filluar nga Kanuni i Skëndërbeut, te ai i Lekë Dukagjinit, deri te Kanuni i Labërisë nuk mungojnë zgjidhjet që parashikojnë ndërmjetësimin për pajtimin e palëve, ose edhe të fiseve të konfliktuara nga viktimizimi i njërës pale nga tjetra, duke u pajtuar nëpërmjet pagimit të një dëmshpërblimi për fajin e palës apo kryerësit të veprës penale. Si bazë ligjore apo juridike për këtë qëllim, në këto akte ka shërbyer kundravlera në para që është vendosur për secilën vepër të kryer sipas rrezikshmërisë shoqërore të saj. Në mjaft raste, kjo veprimtari pajtuese është vlerësuar aq shumë sa ka lënë pa vlerë edhe veprimtarinë e gjykatave, që janë shprehur për ‘to.[13]

Drejtësia restorative po përqëndron vëmendjen e duhur për mbrojtjen më së pari të të drejtave të të dëmtuarve, që ndjejnë mbi vete pasojat e veprës penale të kryer ndaj tij. Duke qenë kështu, nuk është vështirë për të kuptuar se, në dekadat e fundit për këtë problem janë bërë ndryshime konceptuale mjaft pozitive.[14] Kjo situatë është aktuale edhe për vendin tonë, sepse reformat në funksion të këtij qëllimi deri janë bërë të pjesëshme, të ngadalshme dhe, për më tepër, në disa drejtime që kanë të bëjnë me këtë qëllim shumë gjëra mungojnë, pasi shteti ende nuk ka marrë përsipër rolin e vet aktiv për të kompesuar qoftë dhe pjesërisht viktimat nga veprat penale.[15]   

Realizimi i dhënies së drejtësisë ndër dekada është shoqëruar me përsosjen e legjislacionit ndërkombëtar dhe atij të brendeshëm, duke u mbështetur fillimisht në idetë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (më poshtë: KEDNJ apo Konventa). Kjo veprimtari legjislative ka sjellë edhe me ndryshime të koncepteve bazë mbi të cilat vepron drejtesia. Deri në dekadat e fundit ekzistonte parimi i të ashtuquajturës drejtësi retributive, sipas të ciliës, veprat kriminale konsideroheshin si të kryera kundër shtetit dhe dënimi ndaj autorëve të tyre shoqërohej nga koncepti i kompessimit të së keqes. Dënimi ishte në propocion me pasojat e shkaktuara, dhe në aplikim të këtij parimi mbivlerësoheshin interesat shtetërore dhe indirekt nënvlerësohej interesi individual, qoftë edhe kur ai është i dëmtuar drejtpërsëdrejti nga kryerja e veprës penale. Më vonë, sidomos në dekadat e fillimit të këtij shekulli, drejtësia është bazuar në një parim tjetër, pra, te e ashtuquajtura quajtur drejtësi restorative, si një proces ku të gjithë që janë të ndikuar nga një padrejtësi e bërë kanë mundësi për të diskutuar rreth saj, duke patur të drejtë të kërkojnë edhe kompesimin për riparimin e demit.[16] Mendoj se në koncept këto parime nga është udhëhequr dhënia e drejtësisë kanë patur lidhje me parimet e tjera të obligimeve të Shtetit ndaj qytetarëve.

Mbështetur në idetë themelore të KEDNJ janë përcaktuar edhe detyrimet e tyre. Ndër vite ka qenë sundues obligimi me karakter negativ i cënimit të të drejtave të njeriut nga shtetet dhe agjensitë shtetërore, i cili njihet si koncepti vertikal i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ky koncept tashmë i tejkaluar ka përsosur dhe zgjeruar përgjegjësinë e Shtetit, duke njohur dhe zbatuar mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave themelore të individit. Pra, sot kërkohet që Shteti të ndërhyjë edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut, kur ato shkaktohen nga individët në kryerjen e veprave penale. Ky koncept i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i quajtur koncepti horizontal, sot sa vjen e bëhet më i ndjeshëm dhe efektiv, sepse siguron një status më social, më njerëzor për personat që bien viktimë e veprimtarisë kriminale. Me fjalë të tjera, sipas këtij koncepti flitet për mos përmbushje të detyrimeve pozitive në mbrojtje të të drejtave të individit edhe kur Shteti qëndron pasiv dhe nuk reagon pozitivisht për këtë qëllim.      

Duke trajtuar problematikën e obligimeve pozitive të Shtetit në raport me viktimat, për parandalimin e veprimtarise kriminale, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (më poshtë: GJEDNJ apo Gjykata e Strasburgut) ka përcaktuar tre kushte për vlerësimin e përgjegjësisë së Shtetit, duke vënë detyrë që të bëhen hetime për të sqaruar: nëse është kërcënuar realisht viktima; nëse kanë dashur apo është dashur të dinë autoritetet për këtë gjë; nëse kanë ndërmarrë masat e arsyeshme për të zbrapsur një rrezik të tillë. Nëse nga përgjigjet e këtyre tre pyetjeve konstatohet se ekzistojnë ato së bashku, atëherë Gjykata vleëson se ekziston edhe përgjegjësia e Shtetit, që formon shkelje konform nenit 2 të Konventës.

Kohët e fundit, Gjykata e Strasburgut u ka shtuar kritereve të sapo përmendura edhe një standard tjetër të quajtur standardi i kujdesit të shtuar, sipas të cilit, Shteti ka përgjegjësi për shkak të mungesës të kujdesit të shtuar për parandalimin e veprimit të kryer apo për t’iu kundërpërgjigjur atij. Në ditët e sotme, standardi i kujdesit të shtuar është ridimensiuar më pozitivisht, aq sa është pranuar në mënyrë universale si gjithëpranues. Duke u shprehur rreth këtij standardi, GJEDNJ ka tërhequr vëmendjen që Shteti duhet të veprojë me kujdes të veçantë në përmbushjen e obligimit të tij për hetimin e çdo shkelje të rëndë, çka kërkon marrjen e nasave efektive në kontekst të veçantë, duke marrë parasysh kompleksitetin e shkeljes.[17] Gjykata ka identifikuar si obligime pozitive të shteteve të ndryshme të drejtën për të hetuar sidomos krimet e rënda, si vrasjet, të drejtën për ndihmën falas, atë për një process të rregullt ligjor etj.

                                            

 Mbi statusin ligjor të viktimës në procesin penal

 

Pozita juridike e të dëmtuarit nga vepra penale, historikisht ka qenë e studiuar dhe e përcaktuar nga disiplina të ndryshme, nga legjislacioni procedural penal, legjislacioni civil dhe nga shkenca e viktimologjisë. Vite më parë i dëmtuari, edhe pse kishte një pozitë të përcaktuar procedurialisht, në të vërtetë legjitimimi tij procedurial pati më tepër karakter formal dhe procedurial. Rreth këtij konstatimi mund të evidentojmë disa nga këto probleme:

- Në bazë të legjislacionit procedural penal qëndronin zgjidhjet që e vinin viktimën në pozitat e të dëmtuarit apo të paditësit civil, çka i detyronte ata të ndërmarrin një veprimtari të gjatë profesionale dhe me kosto financiare, për të realizuar kompensimin e dëmit që eventualisht mund të dështojë dhe në fazën e ekzekutimt të detyrimit. Veç kësaj, gjatë gjithë kësaj pune viktima apo i dëmtuari nuk gëzonin sa duhej ndihmën e organeve shtetërore që në mënyrë të dukshme duhet të bënin më shumë.

- Pozita juridike procedurale e të dëmtuarit nga vepra penale ka patur dimensione të kufizuara: në parim atë e përfitonte vetëm i dëmtuari të cilit i është shkaktuar vetëm një dëm material. Me këtë status nuk përfshihej ai që pësonte dëm të çfarëdollojshëm, përveç atij me karakter material. Pra, problemi i statusit të tij ka qenë i ndryshëm, pasi legjislacioni i vendeve të ndryshme orientohej më tepër për ndëshkimin e elementeve fajtore se sa për mbrojtjen e të dëmtuarit. Prandaj, në dekadat e fundit flitet për një orientim të ri më demokratik, që Shteti të marrë përsipër për t’i siguruar një mbrojtje të veçantë viktimës së veprave penale, duke i konsideruar të drejtat e tij si problem i të drejtave të njeriut.

- Mbrojtja dhe përfaqësimi i tij përmbushej nga prokurori, i cili nuk kishte në fakt shumë detyrime ligjore për këtë qëllim.

- Gjykatat jo gjithmonë bënin vlerësimin e duhur për të zgjidhur problemin që kishte të bënte me statusin e viktimës apo atij të të dëmtuarit, ngaqë nuk ndiheshin të interesuar për gjykimin e njëkohshëm të çështjes penale dhe të pasojave civile.

- Shteti që kishte funksionet e veta edhe në luftën kundër kriminalitetit, më së shumti përqëndrohej në hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e fajtorit të veprës penale, pa synuar vlerësimin e pozitës së të dëmtuarit. Pra, ai pak motivohej të kujdesej për riparimin e pasojave ekonomike dhe financiare, sidomos të jepte kontributin e vet për shtetasin e dëmtuar, që ta lehtësuar atë dhe ta kompensonte veçanërisht për pozitën ku qe vënë si rrjedhojë e veprës penale.

- Këto dhe të tjera argumente bënë të nevojshme që dhe legjislacioni procedurial penal të pasqyronte një mentalitet të ri që harmonizohet me atë të vendeve të Bashkimit Evropian, duke marrë përsipër edhe detyrime të tjera, sidomos në disa aspekte: së pari, është ridimensuar statusi i viktimës apo i të dëmtuarit, duke e zgjeruar kuptimin e kësaj figure procedurale në krahesim me atë që ishte më parpara; së dyti, në reflektim të përmbajtjes së shumë akteve ndërkombëtare, tashmë janë ridimensionuar të drejtat e viktimës në fazën hetimore dhe gjyqësore, duke i siguruar në të vertetë një pozitë cilësore të re; së treti, ndryshim në koncept ka edhe qëndrimi që duhet mbajtur në lidhje me dëmin që i shkaktohet viktimës si rrjedhojë e kryerjes së veprave penale, duke mos u mjaftuar vetëm te dëmi material, por edhe duke e njohur atë në të gjitha format që parashikon legjislacioni civil; së katërti, orientimi i legjislacionit ndërkombëtar dhe i akteve më të rëndësishme të forumeve ndërkombëtare për një rol të ri lidhur me detyrimet që duhet të marrin përsipër qeveritë e vendeve të ndryshme, fondacionet apo institutucionet jo shtetërore, për të krijuar mundësi reale të kompesimit të dëmit të shkaktuar.

Vështruar më gjerë në aspektin profesional, më parë binte në sy se i dëmtuari nga vepra penale nuk ishte palë në procesin penal (përjashtuar të dëmtuarin akuzues). Duke qenë kështu, mbrojtjen e interesave të tij ligji ia kishte besuar prokurorit. Pavarësisht nga kjo, në K. Pr. Penale ishin parashikuar disa nga të drejtat e të dëmtuarit në procesin penal. Pas kallëzimit të bërë konformë nenit 58 të këtij Kodi, ai kishte të drejtë të kërkonte marrjen e provave nga prokurori, të bënte ankim në gjykatë në rast refuzimi të fillimit të çështjes penale apo në rast të pushimit të çështjes (neni 329) të kërkonte kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit material me padi civile, sikurse kishte të drejtën që të njoftohej për datën e séancës gjyqësore etj. Por, nga ana tjetër konstatohej së viktimës nuk i njiheshin të drejta të tilla si: ajo për t’u dëgjuar nga gjykata; për ndihmë ligjore falas; për të kërkuar informacion në çdo kohë mbi çështjen në procesin penal; për t’u përjashtuar nga taksat gjyqësore në rast të paraqitjes së padisë civile në procesin penal;  kërkesa për ekzekutimin e vendimit mbi padine civile etj.

Me ndryshimet e bëra në ligjin në vitin 2017 konstatohet se është ridimensionuar statusi i të dëmtuarit, zëvendësuar me termin viktimë, janë shumëfishuar të drejtat e saj që përfaqësohen edhe nga ajo vetë, janë krijuar struktura koordinimi për viktimat, si edhe janë përcaktuar detyrime konkrete për institucionet dhe agjensitë e caktuara publike. Pra është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme statusi i viktimës në procesin penal dhe janë ngritur të drejtat e saj në nivel parimesh, aq sa edhe për këtë është vendosur detyrimi i organeve publike në garantimin e trajtimit me respekt dhe në mbrojtje nga viktimizimi.

Në këto kushte, megjithëse nuk është përkufizuar në ligj termi, prej nga do të orientohej gjykata në praktikën e saj, mendoj se kjo do të mbështetet te përkufizimet e përcaktuara në dokumentet ndërkombëtare, sipas të cilave, viktimë konsiderohet çdo individ që ka pësuar dëm për shkak të një veprimtarie të ndëshkueshme penalisht. Sipas tyre, dëmin e çfarëdo llojshëm mund ta kërkojnë direkt i dëmtuari, familjarët e tij, si edhe ata persona që janë në ngarkim të tyre.

Në lidhje me standardet që janë respektuar, mund të përmendim se është ruajtur skema e ndjekjes penale private, me ndryshime në veprat penale përkatëse, është ruajtur skema e procedimit me ankimin e viktimës; është parashikuar detyrimi për njohjen me të drejtat e tij me një procesverbal, si edhe është njohur detyrimi i prokurorit për të mbykqyrur policinë gjyqësore në veprimtarinë hetimore. Gjithashtu, veç përfaqësimit të viktimave dhe zgjidhjes së konfliktit të interesave mes viktimës dhe përfaqësuesit të fajtorit, është shtuar koncepti i trashëgimtarit të viktimës dhe janë bërë përpjekje për përcaktimin e personave të afërt.

Lidhur me statusin e viktimës së veprës penale, një hallkë e rëndësishme është edhe instituti i padisë civile në procesin penal, që është bërë pjesë e hetimit dhe e gjykimit. Siç do të shihet më poshtë, problemi kryesor për t’u trajtuar është kompensimi i viktimave, për të cilin në vende të ndryshme ekzistojnë zgjidhje të ndryshme. Ndërkombëtarisht këtij problemi i kushtohet vëmendje, prandaj edhe - sipas KEDNJ - për kompesimin e viktimave të krimeve të dhunshme dëmshpërblimi duhet të mbulojë të paktën elementet e dëmit, të tilla si: humbjen e të ardhurave, shpenzimet mjekësore dhe spitalore, shpenzimet funerale dhe humbjen e personave që mbanin familjen.[18]  Edhe këto shpenzime, që - sipas saj - janë minimale, në mjaft raste nuk mund të kompesohen nga personi fajtor. Prandaj, Konventa ka përcaktuar se në të gjitha rastet, kur një gjë e tillë s’mund të realizohet nga burime të tjera, ai duhet të bëhet nga shteti. 

(Vazhdon në numrin e ardhshëm)



[1] Ragip Halili, Viktimologjia, Prishtinë, 2011, fq. 48

[2] Ragip Halili, Viktimologjia, Prishtinë 2011, fq. 48

[3] Po aty: Autori Bouza mendon se viktimë e krimit duhet konsideruar çdo person fizik dhe juridik, të cilit në mënyrë direkte apo indirekte i është cënuar, i është rrezikuar apo i është shkaktuar ndonjë dëm në të drejtat e tij. Autori tjetër, Vouin-Laute mendon se viktimë e krimit konsiderohet ai person fizik apo juridik, të cilit i është atakuar apo rrezikuar ndonjë e mirë apo e drejtë nga ndonjë vepër penale. Ndersa, Shepareviq mendon se si viktimë e krimit duhet të konsiderohet çdo person fizik të cilit i është cënuar ndonjë e mirë apo e drejtë në mënyrë direkte apo indirekte me anë të kryerjes së ndonjë vepre penale

[4] Po aty, fq. 164

[5] Deklarata e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat Themelore të Viktimave të Krimit dhe Keqpërdorimit të Pushtetit, mirauar në vitit 1985 (më tutje i referohemi si Deklarata e OKB-së)

[6] Direktiva e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Ministrave të BE

[7] Shih Fjalorin e Gjuhës Shqipe, fq. 920

[8] Neni  2 i Direktivës së Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE

[9] Neni 79, gërmat ‘a’ dhe ‘b’; nenin 82 të Kodit Penal  

[10] Në praktikën hetimore dhe gjyqësore ndodh që pozita e viktimës të ngatërrohet me atë të kallëzuesit, sepse shpesh i dëmtuari është ai që bën kallëzimin për ngjarjen. Në fakt kallëzuesi nuk është gjithmonë i dëmtuari, pasi sipas neneve 280 – 283 të K. Pr. Penale kallëzimi, që shumë herë është i detyrueshëm, mund të bëhet nga shtetas, nga persona juridik, nga gjyqtarë publikë

[11] Shih: Studia o zastvama, informatory, Zagreb 1998

[12] Ragip Halili, Viktimologjia, Prishtinë 2011, fq. 164

[13] Ismet Elezi, Ndërmjetësimi për pajtimin e konflikteve Penale, Tiranë 2004, fq. 40

[14] Megjithatë, ky problem nuk aplikohet njëlloj në të gjitha vendet e ndryshme, sepse shteti nuk siguron shumë herë lehtësimin e dhimbjeve të pësuara nga i dëmtuari gjë që shpesh bëhet shkak për viiktivizimin sekondar te tyre

[15] Benina Kusari, Të drejtat e viktimave të krimit, obligim shtetëror, Prishtinë 2013, fq. 15

[16] Po aty

[17] Po aty, fq. 27

[18] Neni 14 i Konventës për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme