- Një perspektivë juridiko-sociale e fenomenit -

 

Dr. Gerta MEHMETI

Lektore në Kolegjin Universitar ‘Pavarësia’,

Vlorë

 

“Thua: është e lodhshme të merresh me fëmijët.

Ke të drejtë.

Shton: sepse duhet të shkosh në nivelin e tyre,

/të ulesh, të zbresësh, të palosesh, të zvogëlohesh.

E ke gabim.

Nuk është ky aspekti më i lodhshëm.

Është e lodhshme se të duhet të ngrihesh

deri në lartësinë e ndjenjave të tyre.

Të shtriqesh, të zgjatesh, të ngjitesh në majën e gishtave.

Për të mos i lënduar.”

                                                               Janusz Korcza[1]

 

Hyrje

 

Shpesh njihen si fëmijë të rrëmbyer, fëmijë me valixhe, fëmijë transparentë, dhe janë protagonistë të kësaj panorame të trishtueshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, çka tërheq vëmendjen e medias dhe opinionit publik. Prezenca gjithnjë në rritje e martesave mikse në Shqipëri përbën tashmë një provë të qartë se, vendi ynë vazhdon të konsiderohet një “shtet i të emigruarve”, të cilët pasi janë vendosur në vende të huaja kanë krijuar edhe familje aty. Sipas raportit të Pew Research, në vitin 2017 ishin 1,150,000 njerëz të lindur në Shqipëri, që po jetonin në shtete të tjera. Sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri jetonin 2.87 milionë banorë, pra shqiptarët që jetojnë jashtë përbëjnë 40% të atyre që janë brenda, sipas përllogaritjeve të ‘Monitor’. Ky raport është ndër më të lartët në botë, sipas vlerësimeve të mëparshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas raportit të Pew Research, Italia është destinacioni i parë ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Në total janë rreth 460 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali. Në vend të dytë është Greqia, e cila dikur ka qenë destinacioni kryesor i emigrantëve, por që vitet e fundit shumë janë kthyer pas krizës së borxheve që pushtoi Shtetin grek. Në vend të tretë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një destinacion mjaft i preferuar, ku shumë shqiptarë nëpër vite kanë ikur përmes lotarisë  (numri i aplikimeve arrin deri në 200 mijë në një vit) apo me forma të tjera. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë 90 mijë shtetas që kanë lindur në Shqipëri.[2]

Gjithashtu, sipas raporteve të INSTAT, më 2018 - n numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.162 banorë, duke shënuar rritje me 9,7 %, krahasuar me 2017 - n dhe arsyet kryesore të lejeve të qëndrimit janë arsyet për punësim dhe bashkim familjar, të cilat së bashku zënë 72,4 % të arsyeve të të huajve rezidentë gjithsej.[3] Këto të dhëna na japin idenë se faktori emigracion mund të ndikojë drejtpërdrejtë në një numër të konsiderueshëm të martesave mikse ndërmjet personave me shtetësi shqiptare dhe personave me shtetësi të huaj. Përsëri sipas raportit të INSTAT, në vitin 2018 u lidhën 23.104 martesa gjithsej dhe në të njëjtin vit 4.846 divorce u regjistruan, por nuk ka të dhëna se sa prej këtyre divorceve zgjidhin martesat me elementë të huaj.

Referuar nenit 2 të Kodit të Familjes, prindërit, organet kompetente dhe gjykatat, në vendimet dhe veprimtarinë e tyre ngarkohen që të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës. I njëjti parim na shërben edhe për të reflektuar mbi pasojat e zgjidhjes së martesës, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë te fëmijët dhe që lidhen me raportin e ekuilibruar dhe të vazhdueshëm me të dy prindërit, si një nevojë psiko-juridike që pason divorcin. Funksioni prindëror duhet të mbijetojë dhe interesi më i lartë i fëmijës prevalon kurdoherë. Prandaj, një autor i njohur në këtë fushë thekson, se: “një fëmijë ka të drejtë të ketë akses te të dy prindërit, ka të drejtë të mos e humbasë gjysmën e të qenit fëmijë i dikujt dhe gjysmën e identitetit të tij, ka gjithashtu të drejtë të mos jetë i detyruar të zgjedhë që të urrejë njërin prind”.[4] Për të garantuar këto të drejta edhe pas zgjidhjes së martesës së prindërve, Shtetet impenjohen, krahas të tjerave, që të ndërmarrin masat e nevojshme për të ndaluar daljet dhe mbajtjet jashtë territorit në mënyrë të paligjshme të të miturve.

Duke iu referuar instrumenteve juridike që rregullojnë këtë fushë, ky punim qëllimon të inkuadrojë fenomenin e rrëmbimit ndërkombëtar të të miturve dhe të detektojë apo të hulumtojë në mjetet e brendshme, si edhe në ato evropiane/ndërkombëtare të aplikueshme rastet që përbëjnë këtë fenomen.   

 

Objekt i një sërë aktesh ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare

 

Ndër parimet kryesore të të drejtave të fëmijëve, gjerësisht të mbrojtura nga normativa kombëtare dhe ajo ndërkombëtare, interesi më i lartë i fëmijës prevalon në çdo legjislacion dhe në çdo situatë problematike, ku ky interes duhet të jetë përparësor.[5] Themelore është edhe e drejta për të patur marrëdhënie të qendrueshme afektive dhe afatgjata me figurat prindërore edhe pas zgjidhjes së martesës.[6] Këto dy parime themelore marrin një rëndësi delikate në rastet e rrëmbimeve ndërkombëtare prindërore.

Kuadri ndërkombëtar. Me shprehjen rrëmbim ndërkombëtar prindëror tregohet një situatë në të cilën një i mitur nxirret në mënyrë të paligjshme jashtë territorit dhe më pas mbahet jashtë tij (mungesa e riatdhesimit) nga njëri prind kundër vullnetit të prindit tjetër. Sipas nenit 3 të Konventës së Hagës mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve të datës 25.10.1980, largimi ose mbajtja e një fëmije konsiderohet i paligjshëm në rastet kur:

a) konsiston në shkeljen e të drejtave të kujdestarisë dhënë një personi, një institucioni apo organi tjetër, qoftë kolektivisht apo individualisht, sipas ligjit të shtetit në të cilin fëmija ka qenë banor i përhershëm para largimit apo mbajtjes;

b) në kohën e largimit apo mbajtjes këto të drejta janë ushtruar, qoftë kolektivisht apo individualisht, ose që mund të kenë qenë ushtruar me përjashtim të largimit apo mbajtjes.

Të drejtat e kujdestarisë, të përmendura më sipër, mund të lindin veçanërisht nga funksionimi i ligjit ose për shkak të një vendimi gjyqësor apo administrativ, ose për shkak të një marrëveshjeje që ka efekt ligjor sipas ligjit të Shtetit.

Kjo Konventë e Hagës ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me Ligjin 9446/2005 ka objektivin primar për të mundësuar kthimin  e të miturit në shtetin ku ka vendbanimin e përhershëm.[7] Tjetër objektiv themelor i kësaj Konvente është rregullimi i të drejtës për vizita të të prindit që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim. Deri më sot, Konventa është i vetmi instrument juridik ndërkombëtar të cilit duhet dhe mund t’i drejtohen shtetet, në rastet e rrëmbimit apo rregullimit ndërkombëtar, duke implikuar në fazën ekzekutive zgjedhjen e njërës prej masave të  cilat janë riatdhesimi ose rregullimi i  vizitave/takimeve me prindin tjetër.

Edhe Rregullorja (CE) nr.2201/2003 e njohur si Rregullorja Bruksel II Bis ndërton një hapësirë të përbashkët evropiane në fushën e të drejtës së familjes që aplikohet në Shtetet Anëtare me përjashtim të Danimarkës, dhe përcakton ndër të tjera kompetencën e gjyqtarit kombëtar të vendit ku i mituri kishte vendbanimin e përhershëm përpara rrëmbimit, si edhe ekzekutimin e vendimeve të tij me titull ekzekutiv evropian.

Nga ana tjetër, në Konventën Evropiane të Luksemburgut, datë 20.05.1980, mbi njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në fushën e lënies së fëmijëve për rritje dhe edukim, si edhe mbi rivendosejn e kujdestarisë, trajtohen elementët e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës nga njëri prind. Në kuadër të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës dhe promovimit të tij, Konventa Evropiane e Strasburgut, datë 25.01.1996, për qëllim ka njohjen e të drejtave procedurale për të miturit që në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet personave apo organeve të tjera, të informohen dhe autorizohen për të marrë pjesë në procedurat që kanë të bëjnë me të drejtat e familjes që lidhet me ta. Edhe pse nuk përmban instrumente operative, kjo Konventë bashkon parimet të cilave duhet t’u përmbahen Shtetet.

Në fushën e të drejtave të fëmijëve, Konventa e Kombeve të Bashkuara e datës 20.11.1989 dhe tre Protokollet Opsionalë përbëjnë instrumentin ndërkombëtar më të plotë. Ndërmjet parimeve më të rëndësishme të përcaktuara aty, që lidhen drejtpërdrejtë më rastin që po trajtoj në këtë punim, janë interesi më i lartë i fëmijës (neni 3); e drejta për ruajtjen e identitetit të fëmijës, përfshirë kombësinë, emrin dhe lidhjet familjare (neni 8); mbajtja e marrëdhënieve personale dhe të drejtpërdrejta me të dy prindërit (nenet 9 dhe 10); e drejta për t’u mbrojtur nga largimet e paligjshme jashtë vendit (neni 11).

Edhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nënshkruar më datë 04.11.1950, bashkë me Protokollet Shtesë kanë ndërtuar një sistem të veçantë për të garantuar mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke u ofruar individëve privatë mundësinë për të nisur kontrollin gjyqësor nga organet mbikombëtare në bazë të kërkesave të tyre. Në veçanti, neni 8 mbi të drejtën për respektimin e të drejtës private dhe familjare merret në shqyrtim në mosmarrëveshjet që lidhen me fëmijët e rrëmbyer nga prindërit e tyre.

Legjislacioni i brendshëm. Në përputhje me kornizën ligjore ndërkombëtare dhe evropiane, në legjislacionin e brendshëm është miratuar dhe ka hyrë në fuqi prej vitit 2017 ligji nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, i cili shfuqizon ligjin e mëparshëm nr.10347, datë 4.11.2010.

I pari, pra, ligji 18/2017 përcakton jo vetëm të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, por edhe mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse që garantojnë ushtrimin, respektimin dhe promovimin e këtyre të drejtave.[8] Ky ligj përcakton edhe kuadrin ligjor të brendshëm në lidhje me çështjen objekt studimi në këtë punim. Në nenin 3 (pikat 5 dhe 6 të tij) përcaktohet se, fëmijë i pashoqëruar konsiderohet fëmija i ndarë nga të dy prindërit, ose të afërmit e tjerë të familjes dhe për të cilin nuk kujdeset ndonjë person madhor. Ndërsa fëmijë në nevojë për mbrotje e zgjeron detyrimin e Shtetit për të vendosur nën mbrojtje të veçantë jo vetëm fëmijët që mund të jenë viktima të abuzimit, neglizhencës, shfrytëzimit, diskriminimit, dhunës apo i një veprimtarie kriminale, por edhe individët nën moshën e përgjegjësisë penale që dyshohen apo akuzohen se kanë kryer një vepër penale apo janë në konflikt me ligjin.

Realizimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve bëhet duhet zbatuar së pari parimin kushtetues të interesit më të lartë të fëmijës, reflektuar në Kodin e Familjes, në nenin 6 (gërma ‘d’) të ligjit 18/2017 dhe në neni 10 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, ku përcaktohet se në zbatimin e këtij parimi mbahet parasysh, ndër të tjera, edhe vazhdimësia e marrëdhënieve personale ndërmjet fëmijës dhe personave me të cilët ai ka lidhje gjinore, shoqërore dhe/ose shpirtërore. Kjo vazhdimësi merr përkufizimin e një parimi të përgjithshëm listuar në nenin 5 (pika 11) të Ligjit 18/2017, ku përcaktohet se mbrotja e të drejtave të fëmijëve duhet të realizohet nëpërmjet garantimit të vazhdimësisë dhe stabilitetit në kujdesin, rritjen dhe edukimin e fëmijës, duke mbajtur parasysh formimin e tij etnik, fetar, kulturor dhe gjuhësor. Në çdo situatë në të cilën gjendet i mituri duhet patur parasysh se ka vetëm një formë “parandalimi” për të evituar ndërprerjen e vazhdimësisë dhe stabilitetit të marrëdhënvieve të fëmijës me personat me të cilët kanë lidhje gjinore, shoqërore apo shpirtërore, dhe kjo është të privilegjohet interesi më i lartë i fëmijës, duke gjetur modalitete sa më të përshtatshme të lënies për rritje dhe edukim dhe/ose të vizitave. Në fakt, neni 9 (pikat 3 dhe 4) të Ligjit 18/2017 përcakton se fëmija i ndarë nga njëri apo të dy prindërit ka të drejtë të kalojë kohë, ose të mbajë marrëdhënie vetjake të rregullta dhe të ketë takime të drejtpërdrejta me ta, me përjashtim të rasteve kur gjykata vendos se është në kundërshtim me interesin më të lartë të tij.

Në dritën e objektit të studimit të këtij punimi, pika 4 e nenit 9 të të njëjtit ligj ndalon prindin apo kujdestarin që të pengojë fëmijën për të mbajtur marrëdhënie vetjake me të afërmit, me përjashtim të rasteve kur gjykata vendos. Në rastet kur ka mosmarrëveshje për mënyrat e ushtrimit të të drejtave të prindërve, gjykata vendos një ditar të përcaktuar me orare sipas moshës së fëmijës, intensitetit të raportit me secilin prind, si edhe elemente të tjera që gjykata i merr në shqyrtim rast pas rasti. Gjithashtu, për të siguruar mbarëvajtjen e marrëdhënieve personale të fëmijës me prindërit apo me persona të tjerë me të cilët ai gëzon një jetë familjare, si edhe me qëllim kthimin e fëmijës në banesën e tij pas përfundimit të vizitës, ose lejimin e fëmijës për t’u takuar me prindin tjetër, sipas vendimit të gjykatës, kjo e fundit me kërkesë të prindit të interesuar apo të personit të ngarkuar me mirërritjen e fëmijës, mund të vendosë marrjen e këtyre masave ose garancive:

a) gjobë për vonesë ndaj personit që refuzon të zbatojë orarin e caktuar për mbajtjen e kontakteve me fëmijën;

b) garanci pasurore ndaj prindit që nuk respekton vendimin e gjykatës, kur është e mundur, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile. Këto masa mund të jenë sigurisht të ekzekutueshme për sa kohë njihet vendbanimi i prindit që nuk ka respektuar vendimin gjyqësor apo mund të detektohet vendqendrimi i këtij të fundit. Por në rastet e rrëmbimit ndërkombëtar, sipas përkufizimit të Konventës mbi Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve, situata komplikohet dhe ka nevojë për bashkërendimin e një numri më të madh aktorësh për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijës së rrëmbyer nga njëri prind.

 

Detyrimet pozitive të shtetit sipas nenit 8 të KEDNJ

dhe çështja emblematike Bajrami vs. Shqipërisë

 

Një çështje emblematike me këtë temë përfaqëson çështja Bajrami kundër Shqipërisë, [9] e vitit 2006, kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut intepreton dhe rithekson se qëllimi kryesor i nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është të mbrojë individin prej veprimeve arbitrare të autoriteteve publike. Përveç kësaj, Shteti ka detyrime pozitive dhe të qenësishme për të mbrojtur dhe garantuar respektimin efektiv të jetës familjare. Ndër detyrimet e Shtetit në këtë sens, Gjykata ka vendosur theksin në të drejtën e prindit në marrjen e masave me qëllim ribashkimin e tij me fëmijën. Asokohe Shqipëria nuk ishte palë e Konventës së Hagës mbi Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar, prandaj nuk ishte i aplikueshëm detyrimi i Shtetit sipas nenit 11 të kësaj Konvente, për të vepruar shpejt me anë të organeve gjyqësore apo administrative në kryerjen e procedurave për kthimin e fëmijëve, pasi çdo mosveprim për më shumë se gjashtë javë mund të çojë në nisjen e një ankimimi për të kërkuar arsyet e vonesës.

Në të njëjtin vendim është arsyetuar nga ana e Gjykatës se është e pakëshillueshme që në këtë fushë delikate të përdoren sanksionet në rast të një sjelljeje të paligjshme nga ana e prindit me të cilin jeton fëmija. Në çështjen në fjalë ankuesi, pasi është divorcuar nga bashkëshortja është shkëputur nga fëmija i lindur prej kësaj martese, sepse ish bashkëshortja ka udhëtuar drejt Greqisë, duke e marrë fëmijën me vete pa pëlqimin e ankuesit. Ankuesi është ankuar se mungesa e efektivitetit të organeve kompetente shqiptare në marrjen e masave të nevojshme për ribashkimin familjar me të bijën në përputhje me vendimin e formës së prerë të vendosur nga Gjykata e Rrethit Vlorë. Sipas këtij vendimi, ankuesit iu dha kujdestaria e fëmijës për shkak të mungesës së interesit të bashkëshortes për jetën e fëmijës, paqendrueshmërinë ë vendbanimit të saj dhe periudhat e gjata të ndarjes nga fëmija. Por ekzekutimi u bë i pamundur duke qenë se fëmija nuk ndodhej në Shqipëri. Sipas nenit 8 të KEDNJ, çdo person ka të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, vendbanimi dhe korrespondenca e tij.

Në çështjen Bajrami kundër Shqipërisë, Gjykata rithekson se qëllimi kryesor i nenit 8 është të mbrojë individin ndaj parimeve arbitrare të autoriteteve publike dhe nga ana tjetër ka detyrime pozitive për të garantuar respektimin efektiv të jetës familjare. Në të dy kontekstet duhet të ketë një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesave konkurruese të individit dhe komunitetit në tërësi, dhe në të dyja kontekstet Shteti gëzon një liri të caktuar vlerësimi. Përsa i përket detyrimit të Shtetit për të marrë masa pozitive, Gjykata ka arsyetuar vazhdimisht se nenu 8 përfshin të drejtën e prindit në marrjen e masave me qëllim ribashkimin e tij me fëmijën dhe detyrimin e organeve shtetërore për të lehtësuar këtë ribashkim.[10] Në rastet lidhur me ekzekutimin e vendimeve në fushën e të drejtës familjare, Gjykata ka arsyetuar se kriteri vendimtar është nëse organet kompetente shtetërore kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të lehtësuar ekzekutimin e tyre.

Në çështjet e kësaj natyre, përshtatshmëria e një mase gjykohet nga shpejtësia e ekzekutimit të saj, meqënëse kalimi i kohës mund të sjellë dëme të parikuperueshme për marrëdhëniet ndërmjet fëmijës dhe prindit që nuk jeton me të. Gjykata tërheq vëmendjen se, neni 1 i Konventës së Hagës për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës kërkon nga organet gjyqësore apo administrative kompetente të veprojnë shpejt lidhur me procedurat e kthimit të fëmijëcve, sepse çdo mosveprim që zgjat më shumë se gjashtë javë mund të çojë në nisjen e një ankimi për të kërkuar arsyet e vonesës. Si rrjedhim, Gjykata e lidh interpretimin e detyrimeve pozitive që rrjedhin nga parashikimet e nenit 8 KEDNJ në përputhje me kërkesat e Konventës së Hagës të sipërpërmendur.

Lidhur me çështjen objekt studimi, Gjykata vëren se procedurat e ekzekutimit të vendimit për lënien e fëmijës për rritje dhe edukim në favor të ankuesit, për rreth një vit kanë mbetur pezull, dhe vetëm në prill 2005 përmbaruesit kërkuan nga policia informacion rreth vendndodhjes së F.M dhe të së bijës, dhe nuk është parashtruar nga Shteti asnjë shpjegim i pranueshëm për të justifikuar këtë vonesë. Autoritetet shtetërore pretendonin se pamundësia e ekzekutimit lidhej me faktin se fëmija nuk jetonte në Shqipëri, situatë kjo e krijuar pasi ankuesi kur kishte kërkuar masat urgjente (të sigurisë) gjatë procedurave të kujdestarisë. Megjithatë, Gjykata ka arsyetuar, se mosveprimi i ankuesit për të kërkuar një masë të ndërmjetme nuk mund të merret për të shfajësuar autoritetet nga detyrimet e tyre përsa i përket ekzekutimit të vendimeve, meqënëse janë ata që ushtrojnë autoritetin publik dhe kanë mjetet në dispozicion për të kapërcyer problemet në fushën e ekzektimit të vendimeve. Veç kësaj, ankuesi nuk mund të fajësohej pse nuk iu drejtua gjykatës së vendit ku ndodhej fëmija, pasi marrëveshja dypalëshe për këtë çështje kërkonte qartë përfshirjen e Ministrive të Drejtësisë të të dyja vendeve në ekzekutimin e vendimeve të kujdestarisë në territorin e tyre.

Në një çështje të mëvonshme,[11] Neulinger dhe Shuruk vs. Zvicra, ankuesi i parë ishte një shtetas zviceran me vendbanim në Izrael, i martuar dhe me një fëmijë. Ky i fundit (djali ishte gjithashtu ankuesi i dytë në këtë çështje) me vendim të Gjykatës Familjare të Tel Avivit nuk u lejua të largohej jashtë Izraelit me të atin deri në arritjen e moshës madhore, kjo me kërkesë të nënës së tij.  Ankuesit të parë iu dha kujdestaria  e përkohshme dhe autoriteti prindëror duhet të ushtrohej nga të dy prindërit bashkërisht. Pas kësaj, ankuesi u largua në mënyrë të fshehtë nga Izraeli, duke marrë me vete edhe fëmijën në Zvicër. Gjykata Federale e Zvicrës urdhëroi ankuesin të kthente fëmijën në Izrael, ndërkohë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi se ishim në shkelje të nenit 8 të KEDNJ, sepse nuk ishte e bindur që kthimi i fëmijës në Izrael përfaqësonte interesin e tij më të lartë, pasi kishte edhe shtetësinë zvicerane dhe prej katër vitesh jetonte në Zvicër ku kishte ndërtuar një vazhdimësi të marrëdhënieve sociale, arsimore dhe shëndetësore. Edhe pse ishte në një moshë (shtatë vjeç) kur fëmija ka aftësi të larta për t’u përshtatur, kthimi pas mund të sillte pasoja serioze për të dhe duhet të peshoheshin në këtë rast përfitimet që do të sillte kjo për vetë fëmijën. Për më tepër, Konventa e Hagës kërkon kthimin e fëmijës në Shtetin ku ka vendbanimin e zakonshëm, kështuqë gjykatat duhet të binden në lidhje me vlerësimin se cili është vendi që i ofron përmbushjen e kushtit të vendbanimit të zakonshëm; dhe nëse ka një rrezik të njohur që lidhet me këtë, Shteti në fjalë duhet të marrë masat e nevojshme të prekshme për ta penguar atë.[12]  

 

 

 

Aspekte të tjera juridike të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës nga prindi

 

Rrëmbimi ndërkombëtar i fëmijëve përkufizohet si:

a)      “aktiv”  kur i mitur në mënyrë të paligjshme merret nga Shqipëria (Shteti ku ka vendbanimin e përhershëm) në një vend të huaj, ose nuk sillet më në Shqipëri pas një qendrimi të ligjshëm jashtë territorit;

b)      “pasiv” kur i mituri sillet në Shqipëri dhe mbahet këtu në mënyrë të paligjshme.

Krahas aspekteve civile që lidhen me procedurat e caktimit të kujdestarisë sipas Kodit të Familjes dhe procedurat e kthimit të fëmijëve të rrëmbyer sipas Konventës së Hagës, në sistemin shqiptar rrëmbimi i fëmijës konsiderohet, gjithashtu, vepër penale.

Duhet patur parasysh se për qëllimet e aplikimit të Konventës, shtetësia e të miturve dhe e të rriturve nuk është e rëndësishme, ajo që paraqet interes në këtë sens është vendbanimi i përhershëm i të miturit në momentin e rrëmbimit.

Aspektet civile (kthimi i fëmijëve). E drejta për kujdestarinë mbi një fëmijë mund të

derivojë drejtpërdrejtë nga ligji, nga një vendim gjyqësor apo nga një marrëveshje që është në fuqi në bazë të legjislacionit të brendshëm. Një përkufizim i ngjashëm jepet edhe nga rregullorja e BE-së nr. 2201/2003 në nenin 2 par.11.  Sipas nenit 158 e vijues të Kodit të Familjes, prindi që fëmija i tij nuk i është lënë për rritje dhe edukim, ndërkohë ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës, për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër. E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës. Ekzekutimi i vendimit për vizitat dhe  banimin, nga ky moment është detyrim i Shtetit, që duhet të garantojë mbrojtjen e duhur praktike dhe efektive të jetës familjare, çka kërkohet nga detyrimi pozitiv i Shtetit sipas Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila u kërkon Shteteve të marrin të gjitha masat e nevojshme në zgjedhjen e tyre të lirë, për të siguruar ribashkimin e prindërve me fëmijët e tyre në përputhje me një vendimi të formës së prerë të gjykatës vendase. Sipas parashikimeve në nenin 3 të Konventës së Hagës, largimi ose mbajtja e një fëmije konsiderohet i padrejtë në rastet kur:

a) konsiston në shkeljen e të drejtave të kujdestarisë dhënë një personi, një institucioni apo organi tjetër, qoftë kolektivisht apo individualisht, sipas ligjit të Shtetit në të cilin fëmija ka qenë banor i përhershëm para largimit apo mbajtjes;

b) në kohën e largimit apo mbajtjes, këto të drejta janë ushtruar, qoftë kolektivisht apo  ndividualisht, ose që mund të kenë qenë ushtruar me përjashtim të largimit apo mbajtjes.

Procedurat e parashikuara nga Konventa e Hagës aplikohen nëse Shteti i vendbanimit dhe Shteti në të cilin i mituri është dërguar kanë ratifikuar Konventën e 1980 dhe kanë pranuar reciprokisht aderimin e shtetit tjetër. Këto procedura zbatohen për të miturin deri më 16 vjeç dhe me mbushjen e vitit të gjashtëmbëdhjetë procedura ndërpritet, edhe nëse është në fazë gjyqësore. Si parashikohet edhe në nenin 6 të Kodit të Familjes, në çdo procedurë që i përket të miturit, ai ka të drejtë të dëgjohet, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar, duke ruajtur të drejtën që i japin dispozitat e veçanta që garantojnë ndërhyrjen dhe dhënien e pëlqimit nga ana e tij. I mituri mund të dëgjohet vetë, nëpërmjet një avokati apo një personi të zgjedhur prej tij. Në çdo procedurë që i përket të miturit, prania e psikologut është e detyrueshme për të vlerësuar thëniet e të miturit, në përputhje me zhvillimin mendor dhe situatën e tij  sociale. Çdo person, institucion apo organ tjetër që pretendon se një fëmijë është larguar apo mbajtur në shkelje të të drejtave të kujdestarisë, mund t’i drejtohet autoritetit qendror të vendbanimit të përhershëm të fëmijës, ose autoritetit qendror të ndonjë Shteti tjetër Kontraktues për asistencë në sigurimin e kthimit të fëmijës.

Sipas nenit 155 të Kodit të Familjes, para se gjykata të marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë  prindërore, të drejtës së vizitës, ose të besuarit të fëmijës njërit ish-bashkëshort, duhet të thërrasë një psikolog ose punonjës social. Në rast se gjykata arrin në konkluzionin se fëmija,  përkohësisht, duhet t’i besohet një personi të tretë ose një familjeje kujdestare, duhet të marrë mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë së vendit ku zhvillohet gjykimi. Në disa raste, shërbimet sociale mund të legjitimohen të paraqesin kërkesë për kthimin e fëmijës, nëse me vendim gjyqësor ky i fundit u është lënë në kujdestari.  Kujdestaria mbi të miturin, i cili nuk ka të afërm të njohur ose të aftë për të ushtruar detyrën e kujdestarit, mund t’i jepet nga gjykata një institucioni publik ose privat të licensuar për përkujdesjen e fëmijëve. Drejtuesi i institucionit, sipas nenit 271 të Kodit të Familjes, i delegon njërit nga punonjësit e tij të drejtën e ushtrimit të funksioneve të kujdestarit.

Kur fëmija është larguar apo mbahet padrejtësisht dhe kur në datën e fillimit të procedimit para autoritetit gjyqësor apo administrativ të Shtetit Kontraktues ku është fëmija ka kaluar më pak se një vit nga data e largimit apo mbajtjes së padrejtë, autoriteti i interesuar do të urdhërojë kthimin e menjëhershëm të fëmijës. Edhe kur procedimet kanë filluar pas mbarimit të periudhës së një viti, autoriteti gjyqësor apo administrativ do të urdhërojë kthimin e fëmijës, për sa kohë që nuk është provuar se fëmija tashmë është vendosur në një mjedis të ri të tij. Nëse autoriteti gjyqësor apo administrativ në Shtetin e kërkuar ka arsye të besojë se fëmija është çuar në një shtet tjetër, mund të shtyjë procedimet, ose të pushojë aplikimin për kthimin e fëmijës. Në përcaktimin nëse largimi apo mbajtja ka qenë e padrejtë brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës së Hagës, autoritetet gjyqësore ose administrative të Shtetit ku është paraqitur kërkesa, mund të marrin në konsideratë drejtpërsëdrejti ligjin dhe vendimet gjyqësore, ose ato administrative, që njihen apo nuk njihen formalisht në Shtetin e vendbanimit të përhershëm të fëmijës. Në çdo rast, fakti i vetëm që një vendim në lidhje me kujdestarinë është dhënë, ose ka të drejtën e njohjes në Shtetin e kërkuar, nuk do të përbëjë shkak për refuzimin e kthimit të fëmijës, por autoritetet gjyqësore, ose ato administrative të Shtetit ku është paraqitur kërkesa do të marrin parasysh shkaqet për këtë vendim në zbatimin e Konventës së Hagës.

Aspektet penale, neni 109 ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ dhe neni 320 ‘Pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës’ të Kodit Penal të RSH. Rrëmbimi dhe mbajtja e fëmijës jashtë vendit, në legjislacionet e Shteteve fqinje konsiderohet krim dhe dënohet deri në 5 vite burgim. Me përjashtim të rasteve kur përbën krim më të rëndë, kushdo që rrëmben dhe mban kundër vullnetit të prindit një fëmijë, duke i hequr këtij të fundit të drejtën për ushtrimin e kujdestarisë, dënohet në legjislacionin penal italian me heqje lirie nga një deri në katër vite. Nëse ky fakt është kryer kundrejt një të mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe ky i fundit ka dhënë konsensusin, aplikohet dënimi më heqje lirie nga gjashtë muaj deri në tre vite. Nëse faktet e sipërpërmendura janë kryer nga njëri prind në dëm të fëmijës së mitur, dënimi sjell pezullimin nga ushtrimi i kujdestarisë.[13]  

Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim për të fituar pasuri apo çdo lloj përfitimi tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, për të ndihmuar fshehjen ose largimin e autorëve apo bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave apo kushteve të caktuara për qëllime politike, ose çdo qëllim tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Po kjo vepër e kryer ndaj të miturit nën moshën 14 vjeç dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit apo e të miturit nën moshën 14 vjeç, i paraprirë ose i shoqëruar me tortura fizike, ose psikike, kur është kryer kundër disa personave dhe/ose më shumë se një herë, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm. Por në këtë figurë vepre penale nuk parashikohet asgjë lidhur me rrëmbimin prindëror të fëmijëve, duke e trajtuar këtë situatë komplekse juridike si një fakt civil.

Me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001 është shtuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë rrëmbimi në rrethana lehtësuese, kur personi i rrëmbyer ose i mbajtur peng lirohet vullnetarisht para mbarimit të shtatë ditëve nga rrëmbimi ose mbajtja peng, pa e arritur qëllimin e krimit. Në këtë rast, kur ndaj personit nuk është ushtruar torturë ose dëmtime të tjera të shëndetit, kjo vepër penale dënohet me burgim nga tre gjer në pesë vjet. Nga ana tjetër, nëse vijojmë me studimin krahasues me Shtetin fqinj ku hapa të konsiderueshme janë kryer në funksion të plotësimit të kuadrit ligjor mbi rrëmbimin e fëmijëve nga prindërit, në Kodin Penal Italian në nenet 574 e vijues janë shtuar rrëmbimi i personave të pazotë për të vepruar. Sipas atij Kodi, kushdo që rrëmben një të mitur deri në katërmbëdhjetë vjeç, ose një person të paaftë mendërtisht, duke e larguar atë nga prindi që ushtron kujdestarinë, pas kallëzimit nga prindi dënohet me heqje lirie nga një deri në tre vite. Gjithashtu, legjislacioni penal italian parashikon edhe rastet e sekuestrimit të personit që dënohet nga gjashtë muaj deri në dhjetë vite, kur është kryer ndaj një paraardhësi apo pasardhësi apo kundrejt bashkëshortit.

Në fakt duket se ka nevojë që legjislacioni ynë penal të formatohet në këtë aspekt, sepse nuk gjejmë asnjë strehë nën të cilën të kërkojmë dënimin penal të prindit që, vec të tjerash, mund të mbajë përgjegjësi penale për vetëgjyqësi sipas nenit 277 të Kodit Penal të RSH, për shkak të ushtrimit të një të drejte prej personit që i përket apo që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, vepër kjo që përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim gjer në tre muaj. Gjithashtu, sipas neneve 320 dhe 321 të Kodit Penal, pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe veprimet në kundërshtim me vendimin e gjykatës përbëjnë kundravajtje penale që shoqërojnë kryerjen e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës. Në këto raste, fshehja e fëmijës për të cilin është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet apo të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim deri në dy vjet. Si edhe kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës në lidhje me detyrimet e lindura nga dëmtimet plotësuese të dhëna prej saj, që përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim deri në dy vjet.

Është e vërtetë se Konventa e Hagës mbi aspektet civile të rrëmbimit të fëmijve nëpër botë u garanton prindërve që të kërkojnë kthimin e fëmijve të tyre. Këtë Konventë e kanë nënshkruar 64 vende dhe këto të fundit janë të detyruara t’i kthejnë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Jashtme fëmijët e moshës nën 16 vjeç të cilët janë zhvendosur padrejtësisht nga vendet e tyre nëse kërkesa është bërë brenda një viti që nga rrëmbimi, ose qëndrimi i tyre jashtë atdheut. Gjykata mund të refuzojë kthimin e një fëmije në rrethana shumë të kufizuara, përfshirë rastet kur kthimi do të ishte rrezik i madh për të, ose kur vetë fëmija nuk dëshiron të kthehet në ato raste kur fëmija ka moshën dhe pjekurinë për të shprehur mendimin e tij. Ky proces nuk është i përsosur, por ofron shpresën më të mirë për zgjidhjen e rasteve të fëmijve të rrëmbyer.

Nga ana tjetër, sipas legjislacionit amerikan Akti Ndërkombëtar i Rrëmbimit Prindor miratuar në vitin 1993[14] e konsideron krim federal zhvendosjen e një fëmije nga Shtetet e Bashkuara apo mbajtjen e një fëmijë jashtë Shteteve të Bashkuara, me qëllimin për të penguar ushtrimin ligjor të të drejtave të prindit ndaj fëmijës, duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund tragjedisë së rrëmbimit prindrror, pasi e drejta për të mbajtur fëmijën duhet të vendoset me anë të një procesi ligjor, jo me anë të rrëmbimit.

Pavarësisht kësaj, kallëzimi penal jo gjithmonë sjell efekte pozitive në procedurën e kthimit të fëmijës, përkundrazi subjekti rrëmbyes mund të mos pranojë të kthehet edhe për shkak të pasojave penale me të cilat do të përballet për shkak të sjelljes së tij. Prandaj autoritetet gjyqësore të disa Shteteve, përpare se të lëshojnë urdhrin e kthimit verifikojnë nëse subjekti rrëmbyes do të përballet me pasoja penale në dëm të lirisë personale dhe kallëzimi këshillohet kur nuk dihet ku është dërguar dhe ku mbahet i mituri. Në fakt, nëse kërkohet shtimi i emrit të të miturit dhe të personit shoqërues në bankën e të dhënave të forcave ndërkombëtare dhe evropiane të policisë (Interpol e Sirene), aktivizohet kërkimi në nivel ndërkombëtar.  

 

Në vend të konkluzionit

 

Si të mos mjaftonte gjithë kompleksiteti i kuadrit ligjor të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve, menaxhimi i tij u komplikua së fundmi edhe nga pandemia Covid-19 që goditi në mënyrë të veçantë aspektin socio-ekonomik të familjeve shqiptare, si edhe familjet e ndara dhe fëmijët e tyre. Kjo situatë u pa se u trajtua cum grano salis[15] nga ana e Shtetit shqiptar, i cili me aktin normativ nr. 13, datë 2.4.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19” përcakton se pezullohen afatet për kryerjen e veprimeve  procedurale të përmbaruesit gjyqësor shtetëror apo privat, deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19, me përjashtim të ekzekutimit të titujve ekzekutivë që rrjedhin nga çështje familjare, me objekt kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë, birësimin, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim.  

Është e rëndësishme të kujtohet për të gjithë operatorët e ligjit se interesi më i lartë i fëmijës kërkon një proces të rregullt, të kujdesshëm dhe të ndjeshëm ligjor. Pavarësisht se në hapësirën ligjore mund të gjenden edhe figura të veprave penale në rast mosrespektimi të një vendimi gjyqësor për lënien e fëmijës për rritje dhe edukim, GjEDNj në çështjen Bajrami vs. Shqipërisë arsyeton se është e pakëshillueshme që në këtë fushë delikate të përdoren sanksionet në rast të një sjelljeje të paligjshme nga ana e prindit me të cilin jeton fëmija. Në situata të tilla duhet patur kujdes që pas rrëmbimit të fëmijës të mos ndiqen praktika autonome të zgjidhjes alternative të konfliktit. Për më tepër, kjo do t’i jepte mundësi fëmijës për tu integruar në Shtetin tjetër duke e bërë të vështirë marrjen e urdhrit të kthimit. 

-------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

- Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989

- Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore

- Rregullorja e Këshillit të Bashkimit Evropian (CE) n. 2201/2003

- Kodi i Familjes në Republikën e Shqipërisë

- Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit në Republikën e Shqipërisë

- Ligj nr. 9446, datë 24.11.2005 Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën, “Për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës”

- Ligji nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”

- VKM Nr. 578, datë 3.10.2018 “Për procedurat e referimit e të menaxhimit të rastit, hartimin dhe përmbajtjen e planit individual të mbrojtjes, financimin e shpenzimeve për zbatimin e tij, si dhe zbatimin e masave të mbrojtjes”.

- Kodi Penal i Republikës së Italisë

- Akti Ndërkombëtar i Rrëmbimit Prindëror 1993

 https://www.oas.org/dil/International_Child_Abduction_Act_Bahamas.pdf

 

Doktrinë

- Mori, T., La sottrazione internazionale di minore e le nuove integrazioni normative apportate dal Regolamento CE n. 2201/2003. Psicologia & Giustizia IV/2, 1-14, www.psicologiagiuridica.com

- Salzano, A., La sottrazione internazionale di minori, analisi e prevenzione. Il diritto di famiglia e delle persone, 2, 718-751.

- Viale, S., La sottrazione internazionale di minore

http://www.giustiziaminorile.it/public/neës/2006/opuscolo.pdf

- Virzi’, G., Il bambino conteso nella separazione dei genitori www.prepos.it

- I Figli contesi: L'affidamento dei minori nella procedura di separazione (Quaderni dell'Associazione italiana dei guidici per i minorenni) (Italian Edition) (Italian)

 

Jurisprudencë

- Çështja Bajrami kundër Shqipërisë, e gjykuar nga GJEDNJ, si edhe çështje të tjera të ngjashme të gjykuara prej saj dhe të akesesueshme në

https://www.echr.coe.int/Documents/FS_Child_abductions_ENG.pdf

 

Të tjera

- Drejtësia për të mitur në Shqipëri. Një analizë e sistemit të administrimit të drejtësisë për të mitur dhe gjendjes së të miturve në konflikt me ligjin në Shqipëri. Studimi i mundësuar nga UNICEF, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe Sida, i akesueshëm në

https://www.crca.al/sites/default/files/publications/drejtesia%20per%20te%20mitur.pdf

- Ministria e Drejtësisë, Strategjia e drejtësisë për të mitur 2017- 2020, http://drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2017/11/01_Strategjia_e_Drejtesise_per_te_Mitur_2017-2020_Shqip.pdf

- https://www.echr.coe.int/Documents/FS_Child_abductions_ENG.pdf

- Guida e Ministrisë së Jashtme Italiane mbi Fëmijët e Rrëmbyer, e aksesueshme në https://www.esteri.it/mae/approfondimenti/20110210_guida_bambini_contesi.pdf

- Toolkit for the 1980 Child Abduction Convention in Times of COVID-19, i aksesueshëm në https://www.hcch.net/en/neës-archive/details/?varevent=741

 



[1] Pedagog, shkrimtar dhe mjek polak (lindur në Varshavë, 22 korrik 1878 – vdekur në kampin e përqendrimit, Treblinka, më 6 gusht 1942)

[4] Virzi’ G., Il bambino conteso nella separazione dei genitori (www.prepos.it)

[5] Neni 3 Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve dhe Preambula e Konventës së Hagës 25.10.1980.

[6] Neni 9.3 Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve; Neni 24 Karta e të Drejtave Themelore e Bashkimit Evropian.

[8] Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve konstituohet sipas neneve 40-44 Ligji 18/2017, dhe është një entitet institucional që operon me një rrjet vendor të Punonjësve për Mbrojtjen së Fëmijëve (PMF), i cili zgjeroi mbulimin e shërbimeve të Mbrojtjes së Fëmijëve në të gjithë vendin. Procesi është në përputhje me qasjen e "ndërtimit të sistemeve" për mbrojtjen e fëmijëve, i përqendruar në trajtimin e shkaqeve rrënjësore të cenueshmërisë së fëmijëve, dhe jo vetëm të simptomave. Informacioni mbi PMF është  i aksesueshëm në https://www.unicef.org/albania/sq/sistemi-i-mbrojtjes-s%C3%AB-f%C3%ABmij%C3%ABve

[9] Vendimi i plotë i aksesueshëm në https://www.incadat.com/en/case/898

[10] Shih ndër të tjera: Ignacolo-Zenide vs. Romania no. 31679/96, Iglesias Gil dhe A.U.I v. Spain no. 56673/00 dhe Nuutinen v. Finland no. 32842/96)

[11] Për çështje të tjera në lidhje me aplikimin e nenit 8 KEDNJ shih: https://www.echr.coe.int/Documents/FS_Child_abductions_ENG.pdf

[12] X v. Latvia (application no. 27853/09), Grand Chamber judgment of 26 November 2013, §§ 93-108

[15] Nga latinishtja: me mend në kokë