Rikonfigurimi i hartës së re gjyqësore, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit gjyqësor

Kohë më parë, në kuadër të një Programi të përbashkët midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i Efiçencës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” u emërua një grup ekspertësh ndërkombëtarë (2 profesorë italianë nga Universiteti LUIS në Romë dhe Universiteti i Bolonjës, si edhe një konsulente vendase pranë Zyrës së KiE në Tiranë), misioni i të culëve  fokusohej te rishikimi i hartës gjyqësore në Shqipëri, duke u përqendruar në tre faza që korespondonin me: a. analizimin e situatës ekzistuese këtu, për përcaktimin e hartës gjyqësore; b. analizën e thelluar të të dhënave statistikore mbi treguesit gjyqësorë për periudhën 2014 – 2016; c. vlerësimet e marrura nga autoritetet vendase gjatë këtij misioni në Tiranë më 20 – 21 Qershor 2018.

Versioni shqip i Raportit të fazës III u publikua më Nëntor 2018 nën titullin “Udhëzime për një Metodologji për Hartën Gjyqësore në Shqipëri”, ku vihej theksi që autoritetet vendase duhet të mbledhin një gamë të gjerë të dhënash, si nga burimet e brendshme, edhe nga burimet e jashtme. Kryesisht ato për administrimin gjyqësor, si përt shembull, çështjet e reja, çështjet e gjykuara, çështjet në gjykim; treguesit e performancës, si produktiviteti i gjykatave dhe i gjyqtarëve, si edhe kohëzgjatje e gjykimit deri në dhënien e vendimit; të dhënat për gjeografinë, për transportin dhe infrastrukturën; informacione specifike si niveli i biznesit, ndihma ligjore etj.       

Mbi bazën e këtyre Udhëzimeve autoritetet gjyqësore të vendit tonë të përfshira në Projektin e përcaktimit të hartës së re në këtë fushë shprehën menjëherë nevojën për të pasur një pamje të qartë të situatës, përpara se të vazhdohej puna për shqyrtimin dhe përcaktimin e kësaj Harte. Po çfarë produkti është nxjerrë prej atëhere, kur kanë kaluar rreth 2 vjet e gjysmë?

Konkretisht, Këshillit i Lartë Gjyqësor (KLGj) ka shpallur një projekt – hartë apo propozimin për t’u shkurtuar numri i gjykatave të shkallës së parë nga 34 në 15, si edhe nga 6 gjykata apeli në vetëm 1, Me sa duket kjo ka qenë rruga më e shkurtër që ka zgjedhur ky Institucion, ndoshta duke u bazuar veçse te realiteti provizor i shkarkimit të një numri jo të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh nga procesi i Vetting – ut dhe dorëheqjet e disave prej tyre për të shmangur hetimin administrativ ndaj tyre në këtë proces. Ndërkohë që mbetet domosdoshmëri studimi i një sërë faktorësh që ndikojnë drejtpërdrejt në hartimin apo përcaktimin e shtrirjes së re të gjykatave në të gjithë vendin.

            Për shembull, rikonfigurimi i hartës gjyqësore me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë do të kërkonte një analizë paraprake të situatës shqiptare, që tregon se në shpërndarjen e popullatës dhe ngarkesës së punës së gjykatave ka anomali, sikurse edhe pabarazi në shpërndarjen e burimeve njerëzore. Aktualisht, sistemi ynë i gjykatave karakterizohet nga shumica e gjykatave të vogla mesatarisht me nga 4 – 6 gjyqtarë, kur ligji nr. 98/2016 përcakton një numër minimal prej 7 gjyqtarësh për çdo gjykatë. Sepse përqendrimi i gjyqtarëve në një numër më të vogël gjykatash më të mëdha se sa ekzistueset do të çonte përgjithësisht në uljen e kostove dhe rritjes së nivelit të specializimit të gjyqtarëve.

            Mirëpo, po kaq e vërtetë është se hapi i parë që duhet hedhur për rishikimin e hartës gjyqësore do të ishte e nevojshme që të hidhej për vlerësimin e kujdesshëm të gjendjes aktuale të gjykatave në bazë të treguesve të strukturës dhe performancës së tyre. Pra, të treguesve të dendësisë së popullsisë, të shpërndarjes së burimeve njerëzore, të niveleve dhe përbërjes së çështjeve, të produktivitetit etj. Një vlerësim i tillë mund të jetë kyçi për të shpalosur një tablo më të qartë dhe për të krijuar një ide për të mbështetur atë se çfarë duhet arritur përmes kësaj reforme. Pas kësaj, vendimi i radhës së reformuesve ka të bëjë me strategjinë operacionale që do të përdorej për konfigurimin konkret të hartës së re gjyqësore.

            Gjithashtu, nuk duhet harruar që disa kritere, për shembull, afëria e gjykatave me përdoruesit e tyre vendosen me më shumë se sa një metodë matjeje, çka do të thotë se ato mund të lidhen me më tepër se një tregues. Prandaj, e rëndësishme është që politikëbërësit, sidomos ekipet teknike përgjegjëse për rishikimin e hartës gjyqësore, mirë do të ishte që të identifikonin treguesit përkatës, duke mbajtur parasysh rezultatet që priten nga ky reformim, aq më tepër që shfrytëzimi i një treguesi dhe jo i tjerëve mund të çojë në rezultate krejt të ndryshme për konfigurimin e gjeografisë së re gjyqësore.           

Mangësitë e theksuara në produktin e nxjerrë deri tani nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) ka ngritur paraprakisht një valë pakënaqësie ndër disa prej aktorëve të sistemit të drejtësisë. Për shembull, një qëndrim kritik ka shprehur ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila e ka cilësuar propozimin e KLGj “një vendim drastik”, që nuk u shërben qytetarëve; prandaj – sipas saj - harta e re gjyqësore duhet të bëhet në bashkëpunim mes KLGj –s ë dhe ministrisë së Drejtësisë, të cilat nuk bien dakord ndërmjet tyre në 3 pika të rëndësishme: shkurtimi drastik i numrit të gjykatave, krijimi i një Gjykate të vetme Apelit dhe mënyra e funksionimit të degëve të gjykatave. Pra, në vijimësi do duhej të përballohej kjo sfidë me bashkëpunim të ngushtë, për t’u garantuar qytetarëve sa më shumë dhe sa më mirë aksesin në gjykata.

Pa reaguar fuqimisht ndaj propozimit të KLGj nuk ka mbetur as Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë (DhASh) në nivel qendror dhe vendor, duke e konsideruar këtë projekt - hartë (të njohur prej anëtarëve të saj nëpërmjet mediave) të pastudiuar dhe të njëanshëm, në një kohë kur duhet të bëhet pjesë e diskutimeve gjithëpërfshirëse, me grupet e interesit, në së pari me përfaqësuesit e përfituesve të drejtpërdrejtë të kësaj harte të re. Ky projekt, sikurse është shprehur Kryetari i DhASh, Maksim Haxhia, sipas mendimit paraprak të konumitetit të avokatëve krijon pasoja të renda, si në organizim, edhe në ushtrimin juridiko - profesional të të gjithë aktorëve në proces, duke filluar nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe subjektet fizike dhe subjektet juridike pjesëmarrës ne proceset gjyqësore, pa përmendur këtu probleme shumë të mëdha dhe delikate të infrastrukturës.

Ndodhur përballë kësaj gjendjeje, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka thirrur gjatë muajit të kaluar organet drejtuese të saj, për të diskutuar me objektivitet situatën e krijuar, si edhe u ka bërë thirrje organeve të qeverisjes së drejtësisë, si KLGJ, KLP dhe ILD që ta vlerësojnë me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të madhe hedhjen e këtij hapi me pasoja për të gjithë, në një kohë që gjetja e një ekuilibri optimal midis gjykatave dhe afërsisë së tyre me përdoruesit përbën një sfidë të kohës për t’u përballuar me sukses.