Av. Jonel BAÇI

                            Specialist ligjor në

Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë,

                                                                        Tiranë

 

Hyrje

 

E drejta e ankimit përbën një nga të drejtat themelore të njeriut, që ka lindur në kohë shumë të hershme. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, termi ankesë përkufizohet si: Shkresë ose fjalë, që i drejtohen një organi zyrtar për të shprehur kundërshtimin për një veprim të padrejtë e të paligjshëm të një njeriu a të një institucioni.

Ankesë e drejtë (e padrejtë). Ankesë me shkrim (me gojë). Zyra e ankesave. Libri i ankesave. Bëj (paraqit) një ankesë. Zgjidh ankesat.”.[1] Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka përcaktuar, se: “….e drejta e ankimit presupozon të drejtën e qytetarit për t’iu drejtuar një organi më të lartë shtetëror, shqyrtimin e ankimit, ekzistencën e organit për shqyrtimin e ankimit, afatet optimale të shqyrtimit, shqyrtimin objektiv, kontrollin gjyqësor si kontroll përfundimtar ndaj ankimit dhe garanci për rehabilitim të mundshëm si pasojë e pranimit të ankim.”.[2]

Në kohë të hershme, fillimisht e drejta për ankim ka qenë e rregulluar në të drejtën zakonore dhe ankesat kanë qenë joformale. Në ndryshim nga e kaluara, gjatë ditëve të sotme e drejta e ankimit përbën një nga të drejtat themelore të parashikuara në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përmendur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore etj. E drejta e ankimit, pavarësisht se përbën një nga të drejtat themelore të njeriut, sidoqoftë mund të kufizohet duke respektuar garancitë e parashikuara në Kushtetutë.

Në fokus të këtij punimi është vendosur trajtimi i kufizimit të së drejtës së ankimit, për shkak të vlerës dhe lëndës së objektit të padisë, ndaj vendimeve përfundimtare në gjykimin administrativ. Rëndësi e veçantë i është kushtuar efektivitetit që solli kufizimi i të drejtës konventore dhe kushtetuese të ankimit, bazuar edhe në raporte statistikore. Gjithashtu janë bërë përpjekje për të ofruar një panoramë mbi klasifikimin e të drejtës së ankimit në interpretim të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit të posaçëm për gjykimin administrativ. Më tej jepen disa përfundime mbi qëllimin e kufizimit të të drejtës së ankimit në ligjin nr. 49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, risitë, problematikat dhe efektivitetin që ka sjellë kjo në praktikën gjyqësore.

 

Klasifikimi i ankimeve

 

E drejta e ankimit në kuptim të neneve 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore[3] konsiderohet si një nga të drejtat themelore të njeriut në gjykimin civil, administrativ dhe penal. Nëse do ta interpretonim literalisht dispozitën, neni 6 i Konventës nuk parashikon shprehimisht të drejtën për t'u ankuar në gjykatë.[4] Por, pavarësisht kësaj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur se neni 6 i KEDNJ-së detyron Shtetet Anëtare që në rast se do të kenë gjykata apeli apo gjykata kasacioni, atëherë janë të detyruara që të sigurojnë të gjitha të drejtat themelore të parashikuara në nenin 6. Neni 13 i KEDNJ-së, sanksionon jo vetëm të drejtën për t'u ankuar, por edhe detyrimin e Shtetit për të garantuar këtë të drejtë.[5] Gjithashtu, neni 2 i protokollit 7 të KEDNJ-së pranon kufizimin e së drejtës për apel, duke u orientuar nga natyra penale e çështjes.[6] Referuar kësaj dispozite, nga e drejta për apel në çështjet penale, mund të ketë përjashtime për vepra të lehta penale, siç përcaktohet me ligj, kur i interesuari ka qenë gjykuar në shkallë të parë nga gjykata më e lartë, ose është shpallur fajtor dhe është dënuar në vijim të një apeli kundër pafajësisë së tij.[7] Fakti që kufizimi i të drejtës për ankim pranohet nga e drejta ndërkombëtare në të drejtën penale, atëherë një kufizim i tillë do të jetë i pranueshëm edhe për çështjet civile dhe administrative. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 12, datë 14.04.2010 ka mbajtur qëndrimin që nëse ligjvënësi në rrugë ligjore do të zëvendësonte apo hiqte një mjet ankimi ekzistues nuk konsiderohet cenim i dispozitave të Konventës.[8]

Në të njëjtën linjë, nenet 43 dhe 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë[9] garantojnë të drejtën e ankimit, përveç, rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj për kundërvajtje të lehta penale, për çështje civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël, në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës. Duhet të qartësojmë lexuesin se Kushtetuta në të njëjtën linjë me parashikimet e Konventës, lejon ligjvënësin për të kufizuar me ligj të drejtën e ankimit për çështje me karakteristika të veçanta, duke i vendosur njëkohësisht kufizimin për respektimin e kritereve të parashikuara në nenin 17 të saj. Gjykata Kushtetuese në një sërë vendimesh është shprehur se e drejta për t'u ankuar është pjesë e qenësishme e procesit të rregullt ligjor.[10]

Pavarësisht këtij parashikimi, nga ana tjetër Kushtetuta, në shkronjën “i”, të pikës 1, të nenit 134 të saj, parashikon të drejtën e ankimit edhe për individët. E drejta e ankimit në Gjykatën Kushtetuese ushtrohet për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve, kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.[11] Në këto kushte, pavarësisht se është kufizuar e drejta e ankimit për shkak të vlerës dhe lëndës në gjykimin administrativ, nuk mund të kufizohet e drejta e ankimit kushtetues kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.

Referuar parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile,[12] ankimi parashikohet si akti që palët në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre.[13] Neni 442 i Kodit të Procedurës Civile parashikon, se: “Mjetet për t’u ankuar ndaj vendimeve të gjykatave janë: ankimi në gjykatën e apelit, rekursi në Gjykatën e Lartë, kërkesa për rishikim”.

Ankimi në Gjykatën e Apelit ushtrohet kundrejt vendimeve gjyqësore të gjykatave të shkallëve të para dhe vendimeve të arbitrazhit vendor. Ankimi në Gjykatën e Apelit konsiderohet si ankim i zakonshëm, sepse është i hapur për çdo lloj vendimi, me përjashtim kur ligji parashikon se ndaj vendimit nuk mund të bëhet ankim. Rekursi është akti me të cilin palët ushtrojnë të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të gjykatave të shkallëve të para ose Gjykatës së Apelit. Brenda kategorisë së ankimeve Kodi i Procedurës Civile parashikon edhe ankimin e veçantë. Ankimi i veçantë aplikohet kur dispozita e parashikon shprehimisht dhe legjislatori ka parashikuar kryesisht afat 5 (pesë) ditor nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.[14]

Ligji nr. 49/2012 nuk përmban asnjë parashikim që të përkufizojë të drejtën e ankimit, por përcaktohet se mjetet dhe afatet e ankimit të vendimeve të gjykatave administrative janë të njëjta me ato të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.[15] Referuar parashikimeve të këtij ligji, Gjykata Administrative e Apelit shqyrton ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë dhe mosmarrëveshjet me objekt aktet nënligjore normative, si dhe raste të tjera të parashikuara me ligj, ndërsa Gjykata e Lartë shqyrton rekurset kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit. Gjatë gjykimit administrativ gjykata administrative mund të japë vendime të ndërmjetme dhe vendime jopërfundimtare për të cilat parashikohet ankim i veçantë. Në këto raste ligji nr. 49/2012 nuk ka parashikuar kufizimin e së drejtës së ankimit apo rekursit për shkak të vlerës dhe lëndës së objektit të padisë.[16]

Meqenëse tema e trajtimit lidhet me fushën civile dhe administrative, në analizë do të merren vetëm dispozitat për gjykimin administrativ në referim dhe të parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile.[17]

 

Kufizimi i të drejtës së ankimit për shkak të vlerës dhe lëndës së objektit të padisë

Gjykatat administrative filluan të funksionojnë me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 49, datë 03.05.2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.[18] Në Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 8349, datë 14.10.2013, përcaktohej se në datë 04.11.2013 në Republikën e Shqipërisë, fillonin të ushtronin funksionin e tyre, gjykatat administrative, si gjykata me kompetencë të veçantë dhe fushë zbatimi, fushën e të drejtës administrative. Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 49/2012 u krijuan gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.[19]

Një nga diskutimet që ka shoqëruar ligjin nr. 49/2012 që në momentin e hartimit, miratimit e në vijim ka qenë kufizimi i së drejtës së ankimit ndaj vendimeve përfundimtare për shkak të vlerës dhe lëndës së objektit të padisë. Gjykimi administrativ, për shkak të karakterit të veçantë, shfaq karakteristika të ndryshme sa i takon vendimeve të formës së prerë.

Thelbi i artikullit janë përjashtimet që parashikon ligji nr. 49/2012 sa i përket të drejtës së ankimit të vendimeve gjyqësore përfundimtare. Neni 45 dhe neni 56 i ligjit nr. 49/2012 e kufizon të drejtën e ankimit për shkak të vlerës dhe lëndës së objektit të padisë. Kufizimi i së drejtës së ankimit sjell si pasojë dhe kufizim e aksesit në Gjykatën Administrative të Apelit apo Gjykatën e Lartë. Neni 45 parashikon, se:

Nuk lejohet ankim ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës administrative për padi me objekt:

a) kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

b) kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

c) kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

ç) mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.”.

Në vijim neni 56 i ligjit parashikon se:

“Nuk lejohet rekurs ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës Administrative të Apelit për padi me objekt:

a) kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

b) kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

c) kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

ç) mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.”.

Referuar këtyre parashikimeve, ligjvënësi ka kufizuar të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Lartë për një kategori të caktuar çështjesh gjyqësore i nisur nga vlera dhe lënda e objektit të padisë. Në momentin që lexon rishtazi dispozitat e mësipërme, në pamje të parë, duken dispozita të thjeshta dhe lehtësisht të kuptueshme. Në një vështrim më të thelluar, vlerësohet se parashikimet ligjore kanë nevojë për trajtim për shkak të interpretimeve dhe zbatimit të ndryshëm në praktikë.

Pikë së pari vlen të trajtohet fjalia e parë e neneve 45 dhe 56 ku parashikohet se nuk lejohet ankim apo rekurs ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës administrative apo Gjykatës Administrative të Apelit për padi me objekt (lënda), me vlerë më të vogël se njëzetfishi apo dyzetfishti i pagës minimale, në shkallë vendi. Situatat që lindin për trajtim janë të ndryshme. Me vlerë për t'u trajtuar janë rastet kur objekti i padisë ka më shumë se një kërkim. Së dyti, mbetet interesant rasti kur kemi më shumë se një kërkim, por që lidhen me kërkime që nuk vlerësohen në vlerë monetare. Element tjetër me rëndësi për t'u sqaruar është përllogaritja e vlerës së objektit të padisë nëse përcaktohet në bazë të pretendimeve të palëve apo njëzetfishti dhe dyzetfishti i objektit të padisë i referohet në përfundim vendimmarrjes së gjykatës.

Pa u ndalur në trajtimin e çështjeve të shtruara për diskutim, fillimisht vlen të sqarohet se gjykata në shqyrtimin e rastit dhe përcaktimin apo jo të ankueshmërisë, duhet t'i referohet vendimit të Këshillit të Ministrave që përcakton pagën minimale në shkallë vendi, në kohën e dhënies së vendimit. Aktualisht në fuqi është vendimi nr. 1025, datë 16.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, është 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. Në një përllogaritje të thjeshtë aritmetike rezulton se njëzetfishi i pagës minimale është 600.000 lekë.

Në këtë kuptim vlerësohet se ndaj vendimeve të gjykatave administrative të shkallës së parë me objekt kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla dhe mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar me vlerë të objektit të padisë nën 600.000 lekë nuk lejohet e drejta e ankimit. Gjithashtu i njëjti parashikim vlen edhe për rekursin, me ndryshimin e vetëm, që nuk lejohet rekurs ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës Administrative të Apelit për paditë me objekt sipas nenit 56, me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi apo 1.200.000 lekë.

Për t'iu rikthyer çështjeve të shtruara për diskutim, sa i përket rastit të parë, është marrë në trajtim vendimi nr. 219, datë 27.03.2018 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Nga ana e palës paditëse janë kundërshtuar dy akte administrative të ndërvarur nga njëri -tjetri. Në përfundim të gjykimit, nga ana e gjykatës për aktin e parë administrativ është vendosur rrëzimi i padisë dhe kufizimi i të drejtës së ankimit për shkak se vlera është nën njëzetfishin e pagës minimale. Për aktin e dytë administrativ është vendosur rrëzimi i padisë dhe e drejta e ankimit për në Gjykatën Administrative të Apelit, për shkak se vlera është mbi njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi.[20] Objekti i padisë lidhej me kundërshtimin e dy akteve administrative të ndryshme me vlerë të veçuar.

Referuar këtij vendimi vlerësojmë se fjalia e parë e nenit 45 qartazi përcakton se nuk lejohet ankim ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës administrative për padi me objekt, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi. Këtë vendimmarrje të gjykatës e çmojmë jo në përputhje me parashikimin e nenit 45 dhe frymën e ligjvënësit pasi nga ana e gjykatës objekti i padisë edhe pse përbëhej nga dy akte administrative duhej të përllogaritej në një vlerë të vetme. Pavarësisht numrit të akteve që kundërshtohen në një gjykim administrativ nga ana e gjykatës sa i përket të drejtës së ankimit duhet të përllogaritet vlera totale e objektit të padisë dhe jo e kërkimeve/akteve administrative në mënyrë të veҫuar. Vendimi përfundimtar duhet të shprehet për lejimin ose kufizimin e së drejtës së ankimit të objektit të padisë në tërësi nëse është mbi apo nën njëzetfishin e pagës minimale, në shkallë vendi.

Lidhur me rastet kur kemi më shumë se një kërkim, por që një apo disa prej tyre nuk vlerësohen në vlerë monetare, sjellim në vëmendje një nga vendimet e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Padia në fjalë ka të bëjë me kundërshtimin e vendimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Vendimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë përmban detyrimin me gjobë dhe si dënim plotësues heqjen e lejes së drejtimi për 20 (njëzet) muaj. Pala paditëse ka pretenduar dhënien e formës së prerë të vendimit sipas nenit 45, të ligjit nr. 49/2012. Nga ana e gjykatës nuk është pranuar kërkesa, për shkak se, organi administrativ përveç gjobës ka disponuar edhe më dënime plotësuese. Gjykata në vendim është shprehur se këto forma dënimi administrativ, nuk përfshihen në fushën e veprimit të nenit 45, të ligjit nr. 49/2012 i cili lidhet me akte të vlerësueshme nga ana monetare, ndaj mund të bëhet ankim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.[21]

Së fundmi, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në datën 25.03.2021 mori në shqyrtim në dhomë këshillimi, çështjen administrative me nr. 31001-01287-00-2015 Regjistri Themeltar. Në këtë gjykim janë trajtuar çështje me rëndësi për praktikën gjyqësore të tilla si, e drejta e ankimit kundër një vendimi gjyqësor në kuptim të nenit 45 të ligjit nr. 49/2012 apo fakti nëse mund të kufizohet e drejta e ankimit në gjykatën më të lartë për aktin administrativ. Kjo vendimmarrje e gjykatës vjen për shkak të interpretimeve të ndryshme në praktikë në mënyrë që të njësojë praktikën gjyqësore. Mosmarrëveshja objekt gjykimi ka si objekt kundërshtimin nga i padituri të gjobës dhe pezullimit të lejes së drejtimit të vendosur nga organi administrativ përkatës. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur shfuqizimin e aktit administrativ për pjesën ku është pezulluar leja e drejtimit duke lënë në fuqi pjesë tjetër. Në të njëjtën kohë palës paditëse i është njohur e drejta e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr. 1281, datë 04.03.2015 ka vendosur mospranimin e ankimit për shkak se ligji nuk lejon ankim ndaj vendimeve që kanë zgjidhur mosmarrëveshje administrative, në lidhje me akte administrative që përmbajnë vlera më të ulëta se njëzetfishi i pagës minimale. Sipas gjykatës dënimi kryesor që është caktuar për paditësin është gjobë, ndërsa pezullimi i lejes së drejtimit është dënim plotësues, i cili nuk qëndron i pavarur. Në kushtet kur dënimi i dhënë është nën vlerën që përcakton ligji për minimumin ligjor që lejon të drejtën e ankimit, duhet të vendoset mospranimi i tij. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs pala e paditur.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në këtë vendim sqaron se: “...ligji nr. 49/2012 kufizon të drejtën e ankimit për kundërshtimin e dënimit mbi kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi. Kolegji vlerëson se në zbatimin e drejtë të këtij kufizimi ligjor, në funksion të garantimit të të drejtave themelore kushtetuese, gjykata duhet të vlerësojë në çdo rast rëndësinë dhe pasojën konkrete të çdo dënimi administrativ. Fakti që masa e dënimit administrativ me gjobë nuk e tejkalon kufizimin minimal të përcaktuar në nenin 45 të ligjit të sipërcituar, nuk prezumon apriori shtrirjen e këtij kufizimi edhe për të drejtën e ankimit ndaj dënimit të pezullimit të lejes së drejtimit. Të dyja këto dënime duhet të vlerësohen dhe të konsiderohen se qëndrojnë të pavarura nga njeri tjetri, pikërisht për shkak të natyrës së ndryshme që kanë, por edhe të pasojave që sjellin, të cilat nuk janë të njëllojta. Për subjektin e ndëshkuar, masa administrative e pezullimit të lejes së drejtimit të automjetit mund të vlerësohet më e rëndë sesa ajo e dënimit me gjobë. Në këtë aspekt, nisur nga shkalla e ashpërsisë që mund të paraqes ky lloj dënimi, për çdo rast konkret, nuk mund t’i ndalohet subjektit e drejta themelore e ankimit gjyqësor. Gjithashtu, Kolegji çmon se, për të përcaktuar natyrën e vërtetë të masës së pezullimit të lejes së drejtimit është e nevojshme të vlerësohet pika 3 e nenit 184 të Kodit Rrugor, me nenin 30, paragrafi i parë, shkronja 3 e Kodit Penal, ku sanksionohet si dënim plotësues, i titulluar “... 3. Ndalimi për të drejtuar automjete. ...”. Edhe nga ky këndvështrim, masa administrative ka elementë të plotë dhe ekuivalentë me dënimin penal plotësues, për të cilin ligji penal ofron garancitë procedurale të ankimit gjyqësor, arsye për të cilën të njëjtat garanci duhet të sigurohen edhe në raport me ndëshkimin administrativ”.[22]

Ky vendim shfaq një rëndësi të madhe sa i përket interpretimit të kufizimit të së drejtës së ankimit dhe unifikimit të praktikës gjyqësore. Në mënyrë absolute nuk mund të kufizohet apriori e drejta e ankimit, por gjykata duhet të kryejë një hetim të thelluar lidhur me vlerësimin e objektit të padisë. Sikundër Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë citon në këtë vendim, e drejta e ankimit kundër një vendimi gjyqësor përbën një të drejtë procedurale, përmes së cilës mbrohet një e drejtë substanciale.

Siç u përmend dhe më lart, element tjetër me rëndësi për t'u sqaruar është përllogaritja e vlerës së objektit të padisë nëse përcaktohet në bazë të pretendimeve të palëve apo njëzetfishti dhe dyzetfishti i objektit të padisë i referohet në përfundim vendimmarrjes së gjykatës. Përcaktimi i vlerës së objektit të padisë ka si rol përcaktimin e së drejtës së ankimit, kompetencës së gjykatës dhe pagimin e taksës gjyqësore. Vlera e objektit të mosmarrëveshjes duhet të gjej trajtim që në padi në pretendimet e palës paditëse. Përcaktimi i këtij elementi përbën një faktor kyç pa të cilin gjykata nuk duhet të vijojë me shqyrtimin e çështjes. Sipas një mendimi, në përcaktimin e vlerës merren për bazë objekti dhe shkaku i padisë (kombinim i të dyjave).[23] Objekti i padisë përcaktohet ekskluzivisht vetëm në fazat e gjykimit të shkallës së parë, derisa nuk është deklaruar i mbyllur shqyrtimi gjyqësor.[24] Pavarësisht këtij parashikimi, gjykata të ndryshme në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore e konsiderojnë element jo të rëndësishëm duke sjell si pasojë problematika dhe në shkallët e tjera të gjykimit. E rëndësishme është që përcaktimi i saktë i vlerës së objektit të padisë të bëhet në këtë fazë, sepse vlera e kërkimit e përcaktuar saktë vjen në përputhje me dispozitat që rregullojnë detyrat për gjyqtarin në seancë përgatitore. Mospërcaktimi i vlerës së objektit të padisë apo mospërcaktimi saktë i tij vjen në shkelje të neneve 154 dhe 154/a të Kodit të Procedurës Civile si dhe nenit 21 të ligjit nr. 49/2012. Në këtë rast duhet që padia të kthehet me të meta dhe jo të vijohet gjykimi apo në rastin më të keq të merret vendim nga gjykata.[25] Në çdo rast, për përcaktimin e së drejtës së ankimi gjykata duhet të bazohet në pretendimin e palëve në objektin e padisë dhe jo në vendimmarrjen e gjykatës lidhur me masën e objektit të padisë.

Në përmbyllje, sa i përket çështjeve që shtruam për diskutim, në një interpretim literal dhe teleologjik të dispozitave, por edhe jurisprudencës së gjykatave të ndryshme, vlerësojmë se kriteret që një vendim të jetë i paankimueshëm janë:

a)      padia të ketë për objekt kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla ose mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar;

b)      objekti i padisë të jetë me vlerë nën njëzetfishin ose dyzetfishin e pagës minimale, në shkallë vendi;

c)      të vlerësohet shuma në tërësi e pretenduar nga pala në objektin e padisë dhe jo pjesa që është pranuar apo rrëzuar nga gjykata;

ç)  gjykata duhet të vlerësojë në çdo rast rëndësinë dhe pasojat konkrete të çdo dënimi administrativ;

d)  nëse objekti i padisë përbëhet nga shumë se një kërkim, duhet që shuma e të gjitha kërkimeve (objektit të padisë) të ndërlidhura të padisë, të jetë me vlerë nën njëzetfishin ose dyzetfishin e pagës minimale, në shkallë vendi.

Në vijim të çështjeve të shtruara për diskutim, referuar shkronjave a-ç të nenit 45 vlerësohet se kategoria e çështjeve që përfshihen në to është e larmishme. Shkronja “a” parashikon kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi. Raste nga praktika mund të përmendim paditë që kanë objekt gjobat e organeve publike për kundërvajtje administrative. Si shembull përmendim rastin kur pala paditëse është gjobitur nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria Tatimore, Dega Doganore etj. Nga ana e gjykatës, mbështetur në shkronjën “a”, të nenit 45, të ligjit nr. 49/2012 është kufizuar e drejta e ankimit.[26]

Shkronja “b” e nenit 45, parashikon kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi. Raste nga praktika sa i përket këtij kategorizimi janë lehtësisht të verifikueshme. Në një interpretim literal të parashikimit, në këtë kategori do të citonim paditë me objekt kundërshtimin e aktit administrativ me vlerë detyrimi konkrete.[27] Akti administrativ individual i cili përmban detyrim në të holla përkufizohet: “çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të funksionit të tij publik, ndaj një ose disa subjekteve individualisht të përcaktuara të së drejtës, që krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete.”.[28] Në këtë kuptim mund të përmendim aktet administrative individuale të Drejtorive Rajonale Tatimore, Degëve Doganore, Inspektorateve etj., drejtuar subjekteve të ndryshme. I njëjti arsyetim vlen edhe për shkronjat “c” dhe “ҫ”, të nenit 45 sa i takon kundërshtimit të aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi dhe mosmarrëveshjeve që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.

Pavarësisht se pikat e mësipërme shprehin deri diku qartazi lidhur me objektet e padisë për të cilat kufizohet e drejta e ankimit, në praktikë ndeshim raste kur gjykata të ndryshme i interpretojnë në mënyra të ndryshme këto parashikime, duke i dhënë formë të prerë dhe padive me objekte që jo lehtësisht mund të kategorizohen në lëndën e marrëdhënieve juridike objekt mosmarrëveshjeje sipas nenit 45, të ligjit nr. 49/2012. Çështje me interes paraqesin paditë me objekt kompensim burgimi të padrejtë. Në shumë raste gjykatat referuar vlerës së objektit të padisë i kanë konsideruar vendimet si të formës së prerë duke i kufizuar palëve të drejtën e ankimit.[29]

Gjithashtu është me vend të sqarojmë se ligjvënësi edhe në Kodin e Procedurës Civile ka parashikuar kufizim të së drejtës së ankimit për shkak të vlerës. Fryma e ligjvënësit është që çështjet me vlerë të vogël të zgjidhen në një kohë sa më të shkurtër ose të kufizohen në të drejtën e ankimit. Neni 162/a i Kodit të Procedurës Civile parashikon gjykim të shkurtuar për paditë që rrjedhin nga marrëdhëniet kontraktore me vlerë deri njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi.[30] Gjithashtu, në nenin 162/a të Kodit të Procedurës Civile parashikohet se në rast se vlera e padisë është më e vogël se njëzetfishti i pagës minimale në shkallë vendi dhe vlera e kundërpadisë tejkalon njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi, gjykimi zhvillohet sipas dispozitave të përgjithshme për gjykimin e zakonshëm, parashikim të cili për shkak të natyrës së gjykimit administrativ nuk e hasim në ligjin nr. 49/2012.[31] Neni 472 shkon edhe më tej duke kufizuar të drejtën e ankimit kundër vendimeve të gjykatës së apelit për paditë me vlerë deri në 150 000 lekë.

 

Ankimi, si e drejtë themelore e njeriut, a duhet të kufizohet?

A përbën e drejta e ankimit një të drejtë absolute për njeriun?

 

Neni 15 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon, se: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.”. Pavarësisht këtij parashikimi, neni 43 Kushtetutës lejon që të kufizohet e drejta e ankimit kundër një vendimi gjyqësor vetëm në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të saj dhe vetëm për kundërvajtje të lehta penale, për çështjet civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël. Praktika jonë kushtetuese dhe ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut parashikojnë se, e drejta e ankimit dhe, bashkë me të, edhe e aksesit në gjykatë nuk janë të drejta absolute dhe të pakufizueshme.[32] Neni 17 i Kushtetutës, parashikon se kufizimi i të drejtave dhe lirive mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ. Pyetja që lind është nëse kufizimi i së drejtës së ankimit të vendimeve përfundimtare të padive me objekt nën një vlerë të caktuar monetare në gjykimin administrativ është në përputhje me përcaktimet kushtetuese?!

Kufizimi i parashikuar në nenet 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, për kufizimin e të drejtës së ankimit në një gjykatë me të lartë rezulton në përputhje me kriteret e nenit 17 të Kushtetutës. Kufizimi i së drejtës së ankimit për shkak të vlerës së vogël të objektit të padisë është i parashikuar në ligj, konkretisht në ligjin nr. 49/2012. Qëllimi i legjislatorit në vendosjen e kufizimit të të drejtës së ankimit ka qenë shmangia e mbingarkesave të gjykimeve të mosmarrëveshjeve administrative për padi me vlerë të vogël. Gjykatat administrative në vetvete u krijuan me qëllimin e vetëm për të zgjidhur në një kohë sa më shkurtër proceset gjyqësore administrative. Afatet që përcakton ligjin nr. 49/2012 për veprimet përgatitore janë shumë të shkurtra në krahasim me afatet për proceset gjyqësore civile. Ligji nr. 49/2012 parashikoi se afati për shqyrtimin e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit ishte 30 (tridhjetë) ditë. Qëllimi i legjislatorit ka qenë që procesi gjyqësor në gjykatat administrative të zgjidhen brenda një afati sa më të shpejtë. Pavarësisht krijimit të gjykatave administrative dhe ndryshimit të kompetencës lëndore, që në fillim gjykatat administrative u ndeshën me një numër shumë të lartë dhe të papërballueshëm çështjes gjyqësore. Për shkak të problematikave të dala në praktikë, Gjykata e Lartë, ende pa filluar punë gjykatat administrative, unifikoi praktikën me vendimin unifikues nr. 3, datë 06.12.2013.[33]     Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arritën në interpretim unifikues, se: “Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji, përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në Gjykatën e Shkallës së Parë, Gjykatën e Apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë Shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma.

...Kufizimet financiare që parashikojnë nenet 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, në lidhje me të drejtën për të paraqitur ankimin në Gjykatën Administrative të Apelit ose rekurs në Gjykatën e Lartë, nuk zbatohen në lidhje me ankimet apo rekurset e paraqitura përpara datës 04.11.2013.”[34]

Ligji nr. 49/2012 ka klasifikuar një grup çështjesh të cilat për shkak të vlerës të vogël dhe lëndës të objektit të padisë, nuk mund të ankimohen në një shkallë më të lartë. Gjithashtu, një kriter i fortë që kërkon neni 17 i Kushtetutës është edhe interesi publik mbi këtë kufizim. Interesi publik në kufizimin e të drejtës për ankim, ka të bëjë me nevojën e një administrimi sa më efikas të drejtësisë, duke u dhënë zgjidhje sa më të shpejtë mosmarrëveshjeve administrative dhe arritjes së paqes sociale me kosto sa më të ulët për shtetin dhe publikun. [35]

Në përmbyllje, në kushtet kur kufizimi është kryer me ligj nuk është cenuar thelbi i së drejtës së ankimit dhe aksesit në gjykatë, nuk janë tejkaluar kufizimet e KEDNJ-së dhe është respektuar parimi i proporcionalitetit, vlerësohet se kufizimi i të drejtës së ankimit është realizuar në përputhje me kriteret e nenit 17 të Kushtetutës.

 

Detyrat funksionale të gjyqtarëve

 

Me interes është trajtimi i detyrave funksionale të gjyqtarëve. Pikëpyetja qëndron në faktin ssipas të cilit nëse në rastet kur gjykatat administrative të shkallës së parë vendosin në dispozitiv se kundër vendimit nuk lejohet ankim, dhe nga ana e njërës apo të dyja palëve ushtrohet e drejta e ankimit, atë here si veprohet me ankimin e paraqitur në sekretarinë e gjykatës?

Neni 46 i ligjit nr. 49/2012 parashikon aktet që i bashkëlidhen ankimit. Kjo dispozitë përcakton se në rastet kur ankimi dhe dokumentet e tjera nuk janë paraqitur në kopje aq sa janë personat që marrin pjesë në proces si palë, mungon akti i përfaqësimit, ose ankimi nuk është nënshkruar, nuk tregohen palët ndërgjyqëse, vendimi kundër të cilit bëhet ankim ose, çfarë kërkohet me ankimin, gjyqtari i vetëm njofton palët për të ndrequr të metat brenda 5 (pesë) ditëve. Kjo dispozitë hesht për veprimet procedurale që duhet të kryejë gjyqtari i vetëm në rastin e paraqitjes së ankimit kur në dispozitiv është përcaktuar se ndaj vendimit nuk lejohet ankim.

Neni 48 i të njëjti ligj parashikon procedurën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon ankimin, së bashku me aktet që i bashkëlidhen atij, vendimin e gjyqtarit për pranimin e ankimit, aktet e komunikimit të ankimit, si dhe dosjen e gjykimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të ankimit.

Për të pasqyruar problematikën e konstatuar, rasti për shqyrtim është vendimi nr. 160, datë 24.02.2014 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës ku është vendosur: “Rrëzimi i kërkesëpadisë, ky vendim është përfundimtar dhe kundër tij nuk lejohej ankim”. Pala paditëse, edhe pse ka pasur kufizim për të drejtën e ankimit, ka paraqitur ankim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka dërguar dosjen së bashku me ankimin në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr. 2069, datë 27.05.2014 ka vendosur: “Mospranimin e ankimit kundër vendimit nr. 160, datë 24.02.2014, kundër këtij vendimi nuk lejohej rekurs”. Kundër këtij vendimi pala paditëse ka ushtruar rekurs pranë Gjykatës së Lartë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në vendimin nr. 1307, datë 30.03.2016 ka vendosur pushimin e gjykimit të çështjes për shkak se çështja objekt gjykimi ka për objekt vlerë dukshëm më të ulët se parashikimi në nenin 56, të ligjit nr. 49/2012.

Në këtë rast ankimi dhe rekursi i palës paditëse ka qenë në tejkalim të të drejtave që lejon ligji nr. 49/2012 dhe Kodi i Procedurës Civile palëve në proces. Këtë vetëbesim të tepruar të ushtruar nga pala paditëse duhet t'a kufizonte e drejta procedurale e gjyqtarit të vetëm. Nga njëra anë në sistemin gjyqësor merren iniciativa për kufizimin e së drejtës së ankimit lidhur me vlerën dhe natyrën e objektit të padisë dhe nga ana tjetër nuk zbatohen detyrat procedurale që kanë gjyqtarët në vendimmarrje. Në rastin që shqyrtuam më sipër, pala paditëse ka vënë në lëvizje gjyqtarin e vetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë për pranimin e ankimit, Gjykatën Administrative të Apelit për vendimmarrje mbi këtë ankim dhe Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë për vendimmarrje mbi rekursin. Të gjitha instancat e vëna në lëvizje padrejtësisht dhe koha e gjatë që ka pritur qytetari për një vendimmarrje kanë qenë të paefektshme dhe mbingarkesë për gjykatat.

Kolegji Administrativ gjatë parashtrimit të fakteve dhe rrethanave shprehet se kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit ka ushtruar rekurs pala paditëse, brenda afatit ligjor. Kur e drejta e rekursit të kufizohet në vendim a konsiderohet rekursi i paraqitur brenda afatit ligjor? Kjo mbetet një pikëpyetje e madhe për Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në arsyetim sqaron se ky kolegj ka detyrimin për të verifikuar, rast pas rasti, nëse vlera e padisë apo e kërkesës në çështjen për të cilën është paraqitur rekurs, është apo jo nën vlerën minimale të përcaktuar sipas nenit 56, të ligjit nr. 49/2012.[36] Nga ana jonë bëhet e njëjta linjë arsyetimi dhe gjejmë me vend të shprehim shqetësimin se Kolegji Administrativ duhet të vendosi detyrim për Gjykatën Administrative të Apelit, që të verifikojnë rast pas rasti, nëse vlera e padisë apo e kërkesës në çështjet për të cilat është paraqitur ankimi, janë apo jo nën vlerën minimale të përcaktuar në nenin 45, të ligjit nr. 49/2012. Nëse Gjykata e Lartë do të vendosi detyrim për gjykatat e shkallëve më poshtë që të kryejnë këtë filtër, atëherë çështjet me objekt gjykimi nën njëzetfishin, ose dyzetfishin e pagës minimale, në shkallë vendi, nuk do të rekursohen në këtë gjykatë.

Gjithashtu, sqarojmë se rasti në shqyrtim, paraqet shqetësim për faktin se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, në dispozitiv ka vendosur se kundër vendimit nuk lejohet ankim dhe më pas, pasi pala paditëse ka ushtruar ankimin, po kjo gjykatë ka dërguar dosjen në Gjykatën Administrative të Apelit. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka heshtur dhe nuk ka arsyetuar fazën e paraqitjes së ankimit. Më sipër përmendëm nenin 46 dhe 48 të ligjit nr. 49/2012, që rregullojnë fazën e paraqitjes së ankimit dhe dërgimin e dosjes në Gjykatën Administrative të Apelit. Jemi të mendimit që në momentin që një gjykatë ka dhënë vendimin me formë të prerë dhe nga pala ushtrohet e drejta e ankimit, gjyqtari i vetëm nuk duhet të pranojë ankimin dhe të dërgojë dosjen në Gjykatën Administrative të Apelit, për shkak se kemi dy qëndrime të ndryshme që rezultojnë kontradiktore për vetë gjykatën. Arsyetimi që i bëjmë kësaj faze, lidhet me kushtet formale të ankimit. Për sa kohë kemi një vendim të formës së prerë, atëherë nga gjyqtari i vetëm nuk duhet të pranohet ankimi.

Ligji nr. 49/2012 në shkronjën “a”, të nenit 50 ka përcaktuar se Gjykata Administrative e Apelit vendos mospranimin e ankimit, në rastet kur ankimi nuk plotëson kushtet e pranueshmërisë dhe gjykata administrative e shkallës së parë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kushtet e pranueshmërisë janë përmendur më sipër dhe i përkasin nenit 46 të ligjit nr. 49/2012. Neni 46 hesht lidhur më momentin procedural të gjyqtarit të vetëm për shqyrtimin e ankimit. Mendojmë se është e domosdoshme një shtesë pas nenit 46 ku të përcaktojë kompetencën e gjyqtarit të vetëm të shkallës së parë për të vendosur mbi ankimin, kur kjo e drejtë është kufizuar në vendimin e themelit. Për sa kohë nga ligjvënësi ky moment procedural do të mbetet i parregulluar dhe nga Gjykata e Lartë nuk do të kemi një rregullim të njësuar, atëherë numri i çështjeve që ankimohen dhe rekursohen në tejkalim të kufizimeve të nenit 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012 do të jetë i lartë.

Mjetet e zakonshme të ankimit, konkretisht apeli dhe rekursi, synojnë dhe kanë aftësinë që të parandalojnë marrjen e cilësisë të gjësë të gjykuar (res judicata) të vendimit gjyqësor mbi zgjidhjen e marrëveshjes objekt konflikti gjyqësor. Në momentin kur vetë ligji nr. 49/2012 i ka dhënë statusin e gjësë së gjykuar një kategorie çështjesh gjyqësore për shkak të vlerës së objektit të padisë është e panevojshme ezaurimi i shkallëve të tjera të gjykimit.

Kjo analizë duhet të shikohet dhe në raport me faktin nëse vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të përcaktojë në dispozitiv se vendimi është i formës së prerë, apo gjyqtari që shqyrton ankimin duhet të llogarisë vlerën e objektit të padisë dhe të mos pranojë çështjen për shqyrtim.

Neni 310 i Kodit të Procedurës Civile përcakton se çfarë duhet të përmbajë vendimi i arsyetuar i gjykatës. Paragrafi i tretë i këtij neni përcakton, se “…në pjesën urdhëruese, ndër të tjera, duhet të përmenden:

1. çfarë vendosi gjykata,

1/1. Nëse gjykata vendos detyrime për palët, përmbajtjen konkrete të tyre dhe se vendimi është i ekzekutueshëm nga përmbaruesi gjyqësor.

2. kujt i ngarkohen shpenzimet gjyqësore.

3. e drejta për të bërë ankim dhe afati për paraqitjen e tij.”

Në kushtet kur ligji nr. 49/2012 nuk ka ndonjë përcaktim sa i përket elementeve që duhet të përmendë gjykata në pjesën urdhëruese do t'i referohemi parashikimit të Kodit të Procedurës Civile. Kodi në pjesën urdhëruese detyron gjykatën për të përmendur, ndër të tjera, edhe të drejtën për ankim dhe afatin e paraqitjes së ankimit. Nga studimi në praktikë i vendimeve gjyqësore, rezulton se në pjesën urdhëruese gjykatat përcaktojnë të drejtën për ankimin, afatin e ankimit ose sipas rasti përcaktojnë se vendimi është i formës së prerë.[37]

 

Efektiviteti i kufizimit të të drejtës së ankimit në gjykimin administrativ

 

Qëllimi i krijimit të gjykatave administrative, si gjykata për një fushë të veçantë, ka qenë zgjidhja e çështjeve administrative në një kohë sa më të shkurtër. Sot qe flasim ka një numër të madh vendimesh që Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, nuk ju lejon të drejtën e ankimit.[38] Dispozitat e ligjit nr. 49/2012 përcaktojnë afate të shkurtra lidhur me shqyrtimin e çështjeve në gjykatat administrative të shkallëve të para, në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Lartë. Nenet 48 dhe 60 të ligjit nr. 49/2012 përcaktojnë përkatësisht afatin 30 ditor për shqyrtimin e çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit nga momenti i ardhjes së ankimit dhe afatin 90 ditor për shqyrtimin e çështjes në Gjykatën e Lartë nga momenti i ardhjes së rekursit. Sot në fazën që ndodhet procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut), çështjet që po shqyrtohen në Gjykatën Administrative të Apelit janë ankimet e regjistruara gjatë vitit 2017 ose në disa trupa gjyqësore, ankimet që janë regjistruar në vitin 2018. Që një çështje të shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Apelit, nga momenti i depozitimit të ankimit, duhet të presë 3 ose më shumë vite. E njëjta situatë shfaqet dhe në Gjykatën e Lartë për shkak të mbingarkesës, llojit të gjykimit, por dhe mosfunksionimit të kësaj gjykate për më shumë se 2 vite. Aktualisht kemi një trup gjyqësor për Kolegjin Administrativ dhe një trup gjyqësor për Kolegjin Penal me nga 3 anëtarë secili. Në Gjykatën e Lartë po shqyrtohen rekurset që janë paraqitur 3 ose me shume vite më parë, me përjashtim të rasteve kur gjykata ka shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar një kategori të caktuar çështjesh gjyqësore.[39]

Referuar të dhënave të përcjella nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër dhe Korçë, rezulton se nga vendimet e gjykatave administrative të shkallëve të para, 10 % e vendime janë pa të drejtë ankimi dhe pothuajse e njëjta vlerë pa të drejtë rekursi. Atëherë pyetja që shtrohet, pasi kanë kaluar 7 vite nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr. 49/2012, është nëse gjykatat administrative e arritën qëllimin e krijimit? Kufizimi i së drejtës së ankimit a pati efektshmëri në administrimin sa më të mirë, efektiv dhe efikas të drejtësisë, duke i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë mosmarrëveshjeve administrative?

Me keqardhje përgjigjja rezulton e zbehtë dhe negative. Është fakt që gjykatat administrative deri sot nuk ja kanë arritur qëllimit që janë krijuar. Kufizimi i vendosur në nenin 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012 nuk ka sjellë drejtësi për palët në një kohë më të shpejtë. Shkaku kryesor i kolapsit që është krijuar në gjykatat administrative mendojmë se ka qenë heshtja që ka bërë ligjvënësi në dispozitat kalimtare në ligjin nr.49/2012, sa i përket zbatimit të ligjit procedural për çështjet objekt shqyrtimi në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të mësipërm. Nëpërmjet vendimit unifikues nr. 3 datë 06.12.2013, Gjykata e Lartë unifikoi praktikën dhe mbajti qëndrim mbi kompetencën për çështjet gjyqësore administrative që ishin në shqyrtim në gjykatat civile. Nëpërmjet këtij vendimi gjyqtarët pranë gjykatave administrative e filluan punën me një numër të madh dhe të papërballueshëm çështjesh gjyqësore. Së dyti, procesi i vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve ka sjellë si pasojë krijimin e shumë vendeve vakante në sistemin gjyqësor. Së treti përqendrimi i ankimeve të gjykatave të shkallëve të para vetëm në një gjykatë, Gjykatën Administrative të Apelit, nuk ka qenë reforma më e mirë që ka shoqëruar gjykimin administrativ. Tregues të efikasitet të kufizimit të së drejtës së ankimit ose vlerës janë dhe statistikat e vëna në dispozicion nga gjykata të ndryshme.

Për të arritur në një studim statistikor i jemi drejtuar 6 gjykatave administrative të shkallëve të para me kërkesa për informacion. Qëllimi i realizimit të pyetësorit ka qenë nëse kufizimi i vendosur në nenet 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012 ka ulur numrin e çështjeve apo mbingarkesën në Gjykatën Administrative të Apelit. Nëpunësit gjyqësorë pranë këtyre gjykatave me të drejtë kanë pretenduar se mbi informacionin e kërkuar nuk rezulton seleksionim automatik në sistem, i cili klasifikon numrin e dosjeve pa të drejtë ankimi. Megjithatë, koordinatorët për të drejtën e informimit pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, na informuan mbi numrin e vendimeve të dhënë nga këto gjykata, pa të drejtë ankimi, përkatësisht rezultojnë si më poshtë:

 

Viti

2018

2019

2020

Gjykata e Shkallës së Parë Administrative Shkodër

1163 vendime, nga të cilat 95 pa të drejtë ankimi

 

766 vendime, nga të cilat 68 pa të drejtë ankimi

1106 vendime, nga të cilat 47 pa të drejtë ankimi

Gjykata e Shkallës së Parë Administrative Korçë

110 pa të drejtë ankimi

30 pa të drejtë ankimi

61 pa të drejtë ankimi

 

Nga një përllogaritje e thjeshtë aritmetike në këto gjykata, rezulton se kufizimi i vendosur në nenin 45 të ligjit nr. 49/2012, ka ulur numrin e ankimeve, të kufizuara me ligj, për Gjykatën Administrative të Apelit me rreth 8 -12 %.

Referuar raportit statistikor të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2019, Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë kanë pasur gjithsej për të shqyrtuar 20,698 çështje në total. Në Gjykatën Administrative të Apelit, në vitin 2019, janë ankimuar 12,915 vendime.

Në retrospektivë, në vitin 2017 numri i çështjeve civile administrative të shqyrtuara nga Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, arrin në 17,451 çështje duke pasur një ulje prej 3,184 çështjesh krahasuar me vitin 2016. Në krahasim me vitin 2015, ka një ulje me 476 çështje të shqyrtuara. Duke e krahasuar me vitin 2014, këtë vit ka një ulje me 1,401 çështje të shqyrtuara në vitin 2017.

Në vitin 2018 numri i çështjeve civile administrative të shqyrtuara nga Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë arrin në 16,940 çështje, duke pasur një ulje prej 511 çështjesh krahasuar me vitin 2017. Në krahasim me vitin 2016, ka një ulje më të madhe me 3,425 çështje të shqyrtuara. Në krahasim me vitin 2015, ka një ulje me 987 çështje të shqyrtuara. Duke e krahasuar me vitin 2014, këtë vit ka një ulje me 1,912 çështje të shqyrtuara në vitin 2018.

Për vitin 2019 numri i çështjeve civile administrative të përfunduara nga Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, arrin në 16,222 çështje duke pasur një ulje prej 718 çështjesh krahasuar me vitin 2018. Në krahasim me vitin 2017, ka një ulje me 1,229 çështje të shqyrtuara. Në krahasim me vitin 2016, ka një ulje të madhe me 4,143 çështje të shqyrtuara. Duke e krahasuar me vitin 2015, këtë vit ka një ulje me 1,705 çështje të shqyrtuara në vitin 2019.[40]

Nëse nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr. 49/2012, nga ana e strukturave përkatëse pranë gjykatave administrative ose strukturave të tjera në nivel hierarkie më të lartë do të ishte marrë iniciativa për të futur pjesë të sistemit ICMIS, kategorinë e vendime të paankimueshme për shkak të vlerës së objektit të padisë, sot do të kishim informacion të shpejtë dhe të saktë për të bërë një përllogaritje dhe një studim mbi efektivitetin që ka sjellë kufizimi i nenit 45 të ligjit nr. 49/2012. Gjithashtu me të njëjtin parashikim rezulton edhe neni 56 i ligjit 49/2012, duke kufizuar të drejtën për rekurs me ndryshimin e vetëm, togfjalëshin “me vlerë me të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi”.

 

Përfundime

 

E drejta e ankimit përbën një nga të drejtat themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Ligji nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshje administrative” ishte një ndër aktet e para ligjore që kufizoi të drejtën e ankimit për shkak të vlerës dhe lëndës së objektit të padisë. Qëllimi i ligjvënësit lidhej me shmangien e mbingarkesës së gjykatave administrative për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative me vlerë të vogël dhe garantimit të zgjidhjes së çështjeve administrative në një kohë sa më të shkurtër.

Në përfundim të këtij artikulli po paraqes disa konkluzione dhe rekomandime në lidhje me vendimet e paankimueshme në gjykimin administrativ për shkak të vlerës dhe lëndës të objektit të padisë.

Që një vendim të jetë i paankimueshëm në kuptim të neneve 45 dhe 56 të ligjit 49/2012 duhet që:

a)      padia të ketë për objekt kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla ose mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar;

b)      objekti i padisë të jetë me vlerë nën njëzetfishin e pagës minimale, në shkallë vendi;

c)      të vlerësohet shuma në tërësi e pretenduar nga pala në objektin e padisë dhe jo pjesa që është pranuar apo rrëzuar nga gjykata;

ç) gjykata duhet të vlerësojë në çdo rast rëndësinë dhe pasojat konkrete të çdo dënimi administrativ;

d)  nëse objekti i padisë përbëhet nga shumë kërkime duhet që shuma e të gjitha kërkimeve (objektit të padisë) të jetë me vlerë nën njëzetfishin ose dyzetfishtin e pagës minimale, në shkallë vendi.

Neni 46 hesht lidhur më momentin procedural të gjyqtarit të vetëm për shqyrtimin e ankimit. Mendojmë se është e domosdoshme një shtesë pas nenit 46 ku të përcaktojë kompetencën e gjyqtarit të vetëm të shkallës së parë për të vendosur mbi ankimin, kur kjo e drejtë është kufizuar në vendimin e themelit. Për sa kohë nga ligjvënësi ky moment procedural do të mbetet i parregulluar dhe nga Gjykata e Lartë nuk do të kemi një rregullim të njësuar, atëherë numri i çështjeve që ankimohen dhe rekursohen në tejkalim të kufizimeve të nenit 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012 do të jetë i lartë.

Gjithashtu, është fakt që gjykatat administrative deri sot, nuk ja kanë arritur qëllimit që janë krijuar. Rekomandohet shtimi i numrit të gjyqtarëve në Gjykatën Administrative të Apelit. Sa i përket sistemit ICMIS, rekomandoj, të shtohet klasifikimi i vendimeve të paankimueshme për të arritur një studim në kohë reale, ndërmjet vendime me të drejtë ankimit dhe vendimeve që ju kufizohet e drejta e ankimit.

Me qëllim krijimin e një kornize të plotë legjislative, për të shmangur dhe keqinterpretimet në praktikë, është e nevojshme njësimi i praktikës nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.

----------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

-   Ligji nr. 8137, datë 31.07.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore” dhe protokollet shtesë

-   Ligji nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

-   Ligji nr. 8166, datë 29.03.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

-   Ligji nr. 44/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”

-   Ligji nr. 49, datë 03.05.2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar

-   Ligji nr. 49/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar”

-   Ligji nr. 39/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar”

-   Ligji nr. 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”

-   Vendimi nr. 1281, datë 04.03.2015, nr. 1025, datë 16.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”

 

Doktrinë

-   Florjan Kalaja, Arjana Fullani, Gjykimi në Gjykatën e Lartë, Tiranë 2019

-   Flutura Kolaj Tafaj, Asim Vokshi, Procedurë civile, Pjesa I, Shtëpia Botuese ‘Shtypshkronja’, Tetor 2013

-   Sokol Sadushi, Gjykata administrative dhe kontrolli ligjor mbi administratën, botimet ‘Toena’

-   Xhezair Zaganjori, Efektiviteti i mjeteve të brendshme të sistemit shqiptar në kuptimin e nenit 13 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Shtator 2007

 

Jurisprudencë

-   Çështja Dauti kundër Shqipërisë shqyrtuar nga GJEDNJ

-   Vendimi nr. 12, datë 14.04.2010; nr. 76/2002; nr. 39, datë 29.12.2005; nr. 22, datë 07.10.2008 dhe nr. 15, datë 08.06.2009 i Gjykatës Kushtetuese

-   Vendimi Unifikues nr. 3, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë

-   Vendimi nr. 1307, datë 30.03.2016, nr. 00-2016-1307, datë 30.03.216 dhe nr. 41. datë 25.03.2021 i Kolegjit Administrativ të Gjykatë së Lartë

-   Vendimi nr. 2069, datë 27.05.2014 dhe nr. 583, datë 02.03.2021 i Gjykatës Administrative të Apelit

-   Vendimi nr. 343 datë 06.01.2018 dhe nr. 158, datë 07.03.2019 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër

-   Vendimi nr. 219, datë 27.03.2018 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë;

-   Vendimi nr. 160, datë 24.02.2014 dhe nr. 200, datë 30.03.2016 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës

-   Vendimi nr. 2747, datë 24.11.2020; nr. 3080, datë 24.11.2020; nr. 80-2020-2971, datë 29.12.2020; nr. 2971, datë 29.12.2020 dhe nr. 2971, datë 29.12.2020 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë

 

Të tjera

-   http://fjalori.shkenca.org/

-   https://albania.savethechildren.net/sites/albania.savethechildren.net/files/library/E%20drejta%20p%C3%ABr%20nj%C3%AB%20proces%20t%C3%AB%20drejt%C3%AB%20-%20ECF.pdf

-   https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20210227124921Relacion%208116.pdf

-   https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2020/07/VJETARI-STATISTIKOR-2019



[1]http://fjalori.shkenca.org/, aksesuar datë 22.05.2021

[2]Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, viti 2003, faqe 40

[3] Ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.071996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”. Në vijim referuar si KEDNJ

[5] Për më tepër shih, Prof. As. Dr. Xhezair Zaganjori, Efektiviteti i mjeteve të brendshme të sistemit shqiptar në kuptimin e nenit 13 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, Shtator 2007, faqe 2

[6] Pika 2 e nenit 2, të Protokollit 7 të KEDNJ-së parashikon se: “Nga kjo e drejtë mund të ketë përjashtime për vepra të lehta penale, siç përcaktohen me ligj, ose kur i interesuari ka qenë gjykuar në shkallë të parë nga gjykata më e lartë, ose shpallur fajtor dhe dënuar në vijim të një apeli kundër pafajësisë së tij.”

[7] Për më tepër shih Sokol Sadushi, Gjykata administrative dhe kontrolli ligjor mbi administratën, botimet ‘Toena’, faqe 291

[8] Vendimi nr. 12, datë 14.04.2010, nr. 76/2002 i Gjykatës Kushtetuese dhe Çështja Dauti kundër Shqipërisë (ankesa nr. 19206/05)

[9] Ligji nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

[10] Për më tepër shih vendimin nr. 39, datë 29.12.2005; nr. 22, datë 07.10.2008; nr. 15, datë 08.06.2009 të Gjykatës Kushtetuese

[11] Neni 131, shkronja “f” e Kushtetutës

[12]Ligji nr. 8166, datë 29.03.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

[13] Neni 442/a i Kodit të Procedurës Civile

[14] Neni 470 i Kodit të Procedurës Civile parashikon se, në rastet e parashikuara shprehimisht në këtë Kod, kundër vendimeve të ndërmjetme mund të bëhet ankimi i veçantë në gjykatën e apelit, brenda 5 ditëve nga njoftimi i tyre

[15] Neni 44 i ligjit nr. 49/2012

[16] Në këtë rast vlerësohet se pavarësisht se ligjvënësi nuk e ka kufizuar të drejtën e ankimit apo rekursit për vendimet e ndërmjetme apo vendimet jopërfundimtare për të cilat lejohet ankim i veçantë, praktikisht ky moskufizim nuk sjell asnjë efekt për shkak se vendimmarrja mbi këto vendime zakonisht ndërmerret pasi çështja e themelit përbën res judicata. Të njëjtin qëndrim mund ta gjeni në Florjan Kalaja, Dr. Arjana Fullani, “Gjykimi në Gjykatën e Lartë”, Tiranë 2019, fq. 176

[17] Ligji nr. 49/2012 në pikën 2, të nenit 1 parashikon, se: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”

[18] Para ndryshimeve që solli ligji nr. 39/2017, ligji nr. 49/2012 titullohej “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Ligji nr. 47/2012 ka pësuar ndryshime me ligjin nr. 100/2014, nr. 39/2017 dhe ligjin nr. 49/2021. Në vijim referuar si ligji nr. 49/2012

[19] Pika 4, e nenit 2, të ligjit nr. 49/2012. Në territorin e Republikës së Shqipërisë, gjykatat administrative organizohen në 6 gjykata administrative të shkallës së parë dhe 1 Gjykatë Administrative Apeli

[20] Shih vendimin nr. 219, datë 27.03.2018 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë

[21] Për më tepër shih vendimin nr. 583, datë 02.03.2021 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë

[22] Për më tepë shih vendimin nr. 41, datë 25.03.2021 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë

[23] Flutura Kolaj Tafaj, Asim Vokshi, Procedurë civile, Pjesa I, Shtëpia Botuese “Shtypshkronja”, Tiranë 2013, faqe 226

[24] Për më tepër shih nenin 185 dhe 302 të Kodit të Procedurës Civile

[25] Gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së saj

[26] Vendimi nr. 158, datë 07.03.2019 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër

[27]Shih vendimin nr. 2971, datë 29.12.2020 dhe vendimin nr. 3080, datë 24.11.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë

[28] Pika 2 e nenit 2 të ligjit nr. 49/2012

[29] Për më tepër shih vendimin nr. 343, datë 06.01.2018 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër

[30] Për më tepër shih Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021. Neni 7 i ligjit nr. 44/2021 parashikon se në pikën 1 të nenit 162/a të Kodit të Procedurës Civile të bëhen ndryshime si më poshtë: togfjalëshi “deri në 150. 000 lekë”, të zëvendësohet me togfjalëshin “deri në njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi”. Fryma e legjislatorit është e njëjtë si për Kodin e Procedurës Civile ashtu dhe për ligjin nr. 49/2012. Në relacionin shoqërues të projektligjit, aksesuar datë 25.05.2021 në: https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20210227124921Relacion%208116.pdf, parashikohet, se: “Gjithashtu, është rregulluar terminologjia juridike që përdoret në nenin 162/a te Kodit qe parashikon procedurën e shqyrtimit të padive me vlerë të vogël, duke e përshtatur me terminologjinë që gjen përdorim në ligjin nr. 49/2012. E njëjta logjike është ndjekur edhe në ndryshimet që i janë kryer neneve 236/a, 285/a dhe 310 te Kodit, duke zëvendësuar togfjalëshin “deri ne 150 000 lek” me togfjalëshin “deri ne njëzetfishin e pagës minimale në shkalle vendi.”

[31] Ndryshuar me ligjin nr. 44/2021

[32] Për më tepër shih paragrafin 24 të Vendimit Unifikues nr. 3, datë 06.12.2013

[33] Shih paragrafin nr. 14 të Vendimit Unifikues nr. 3, datë 06.12.2013, i cili ndër të tjera parashikon, se: “Zbatimi i ligjit procedural lidhet me momentin kur zhvillohet gjykimi për shqyrtimin e mosmarrëveshjes para gjykatës. Nëse gjatë shqyrtimit gjyqësor të një çështjeje, ligji procedural ndryshon, atëherë në gjykim do të zbatohet ligji i ri, me përjashtim të rastit kur vetë ky ligj në dispozitat kalimtare ka parashikuar që për një farë kohe, ose rrethana të caktuara, të vazhdojë zbatimi i ligjit të vjetër procedural.”

[34] Shih paragrafin nr. 19 të Vendimit Unifikues nr. 3, datë 06.12.2013

[35] Shih paragrafin nr. 28 të Vendimit Unifikues nr. 3, datë 06.12.2013

[36] Vendimi nr. 00-2016-1307, datë 30.03.216 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë

[37]Vendimi nr. 80-2020-2971, datë 12.29.2020 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Vendimi ka objekt: “Shfuqizimin e njoftim vlerësimit tatimor, me vlerë 50.000 lekë.”

[38]Vendimi nr. 200, datë 30.03.2016, i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Vendimi nr. 2971, datë 29.12.2020 dhe nr. 2747, datë 24.11.2020 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë

[39] Gjykata e Lartë mund të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar çështjet si vijojnë:

a)    Kundërshtim të vendimeve të ndërmjetme.

b)    Çështje për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit nga Gjykata e Lartë.

c)    Çështje për të cilat gjykata e apelit ka vendosur kthim për rigjykim ose pushimin e gjykimit.

d)    Çështje që kanë ardhur për herë të dytë ose të tretë në Gjykatën e Lartë, si dhe çështjet për të cilat gjykata e apelit ka vendosur kthimin për rigjykim në shkallë të parë.

e)    Çështje me objekt pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë si dhe kundërshtimin e veprimeve përmbarimore.
Konflikte pune e sigurime shoqërore.

f)     Ankimet kundër vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil.

g)    Çështje që kanë të bëjnë me interpretimin e vendimeve dhe ndreqjen e gabimeve në vendimet gjyqësore.

h)    Çështje që kanë të bëjnë me rivendosjen në afat dhe pavlefshmërinë e njoftimeve.

i)     Çështje që duhen shqyrtuar për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.