PhD Gerta MEHMETI   

Av. Dr. Mallëngjim SKËNDERAJ

Lektorë në Kolegjin Universitar ‘Pavarësia’,

Vlorë

 

Hyrje

 

Gjithnjë e më shpesh ngrihet pyetja: A mund të paraqiten në procesin gjyqësor prova të tilla si e-mail, SMS, chat WhatsApp, video e audio, webpage, screenshot? Nëse po: Me cilat modalitete? Ka vazhdimisht dyshime në lidhje me vlerën probatore (provuese) dhe mënyrën e marrjes së këtyre lloj provash, pavarësisht se këto kanë hyrë me “prepotencë” në procesin civil dhe administrativ. I ndryshëm është diskursi në lidhje me këto lloj provash atipike në proceset penale, në të cilat vetë legjislatori është kujdesur t’i parashikojë në Kodin e Procedurës Penale. Gjithashtu, një tjetër pyetje që ngrihet është: A mund të jetë e përdorshme prova me dëshmitarë në videokonferencë?

 

Përballë përdorimit të gjithnjë e më shumë instrumentave elektronike, mjedisi ligjor po përdor zgjidhjet e teknologjisë ligjore “legaltech”, për të qartësuar problemin e pranueshmërisë dhe përdorimit të provave elektronike në procesin civil, administrativ dhe penal. Qëllimi i këtij artikulli është të analizojë se sa hapësirë mund të gjendet në kuadrin ligjor shqiptar, për të shtuar provat atipike të listuara më sipër, ndër provat tipike të përdorshme në proces, dhe çfarë standardesh duhet të përmbushin këto të fundit.

 

Provat atipike elektronike

 

Sipas përkufizimit që bën Këshilli i Evropës, electronic evidence – provë elektronike është ajo provë që rrjedh nga të dhënat që përmban një pajisje, funksionimi i së cilës varet nga një softëare, ose nga të dhënat e ruajtura, ose të transmetuar në një rrjet apo në një sistem kompjuterik. Prova dixhitale, ose prova elektronike, në kuptimin e gjerë të saj mund të ketë formën e një teksti, video, fotografie apo regjistrimi zanor. Të dhënat mund të vijnë nga burime të ndryshme si smartphone, pc, GPS, webpage apo rrjete sociale, përfshirë edhe të dhënat e mbledhura nga burime që nuk kontrollohen prej vetë palës në proces. E-mail është një shembull klasik i provës dixhitale, e cila vjen nga një suport elektronik dhe përmban metadata. Metadatat sipas përkufizimit të Këshillit të Evropës në Udhëzuesin për Provat Elektronike në Procesin Civil dhe Administrativ,[1] të miratuar më 30.01.2019, përbëjnë informacion elektronik në lidhje me të dhëna të tjera, të cilat mund të zbulojnë identitetin, origjinën apo historinë e provës, si edhe datën apo orën. Praktikisht, metadatat janë gjurmët dixhitale të një prove elektronike dhe mund të përmbajnë elemente probatore (provuese) shumë të rëndësishme, si data dhe ora e krijimit apo modifikimit të një dokumenti informatik, autori, data dhe ora e dërgimit etj.

Por është thelbësore për identifikimin dhe sigurinë ajo që përcaktohet si trust service (shërbimi i besuar) nga Rregullorja nr. 910/2014 (EU)[2] e Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Europian në fushën e identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm që abrogon Direktivën 1999-93-CE[3] (Rregullorja “eIDAS”). Pra, prova dixhitale ka disa karakteristika që lidhen me origjinalitetin, integritetin dhe sigurinë e kësaj lloj prove. Këto çështje mund të jenë komplekse në varësi të llojit të provës dixhitale: ekzistojnë përshembull dokumente të nënshkruara me firmë dixhitale (nënshkrim elektronik) dhe prova të tjera të thjeshta si e-mail apo sms. Edhe fuqia provuese ndryshon në varësi të llojit të provës, e cila mund të jetë edhe dëshmia në videokonferencë apo e regjistruar. Pyetja që ngrihet lidhet me pranueshmërinë e provave atipike, që nuk gjen shpjegim në jurisprudencën shqiptare, përfshirë edhe atë të Gjykatës së Lartë, Kolegjet e Bashkuara të së cilës kufizohen të shpjegojnë vetëm karakteristikat e mjeteve teknike të afta dhe në gjendje për dokumentimin e veprimeve (procesverbali elektronik). Çështja që shtrohet përpara Kolegjeve të Bashkuara është nëse regjistrimet dixhitale audio apo kur janë instaluar ato audiovideo, mund të konsiderohen si mjete teknike, të cilat për nga vetitë dhe karakteristikat e tyre janë apo jo të afta dhe në gjendje që të dokumentojnë veprimet gjatë procesit (penal), më konkretisht veprimet procedurale si akte apo si fakte të ndodhura në seancën gjyqësore në prani të palëve pjesëmarrëse dhe të gjykatës.[4]

Disa autorë përdorin terminologjinë amerikane digital evidence, duke e kuptuar si informacioni provues, rëndësia procedurale e të cilit varet nga përmbajtja e të dhënës, ose nga fakti se është transmetuar me modalitete informatike, ose telematike. Shprehja digital evidence është përkthyer si prova dixhitale, duke e trajtuar si një të dhënë, fryt të manipulimit elektronik të numrave.  Ndërsa studiues të tjerë pikërisht për shkak të mungesës së materialitetit strukturor të provës, më me vend e kanë parë të përdorin lokucionin provë me natyrë dixhitale. Prandaj, për qëllimet e këtij artikulli i jemi drejtuar doktrinës, e cila është me e interesuar në lidhje më argumentin e provave në proces, duke ndarë me të edhe shqetësimin nëse gjyqtari mund të marrë parasysh për qartësimin e factum probandum (të provuarit të faktit), elemente të ndryshme nga ata të parashikuar e disiplinuar nga legjislatori ynë, atipike për nga burimi, nga forma në të cilën krijohen dhe mënyra në të cilën përdoren në gjykim.

 

Përdorimi i provave elektronike në proces

 

Doktrina në favor të një pranueshmërie të përgjithshme të provës atipike mbështetet kryesisht në bindjen se, duke patur parasysh funksionin epistemik të procesit (për qartësimin e të vërtetës materiale), çdo kufizim i provës do të sillte një vulnus (dobësim) të mundësisë së gjyqtarit për të arritur te e vërteta. Për rrjedhojë, kriteri i relevancës apo rëndësisë do të duhet të ishte i vetmi filtër për paraqitjen e provave në proces, kjo referuar edhe parimit të common laë se të gjitha faktet që kanë vlerë provuese racionale janë të pranueshme, nëse nuk ka një normë specifike që e ndalon atë (all facts having rational probative value are admissible, unless some specific rule forbids).[5]

Argumentohet se nocioni i provës i përket sferës së logjikës dhe, për këtë arsye, disiplina e parimit probator nuk ezauron nocionin e provës, por shërben për të përjashtuar pranueshmërinë e disa mjeteve të provës nëse ka arsye të veçanta për përjashtim, të cilat gjithashtu kanë funksione për5 qartësimin e provës materiale, sepse ndalojnë apo evitojnë gabime në vlerësimin nga ana e subjekteve apo oganeve që duhet të formulojnë vendime përfundimtare në lidhje me fakte të caktuara. Në të vërtetë, në zbatim të nenit 213 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen e gjykimit. Gjithashtu, duke marrë parasysh Kodin tonë të Procedurave Civile shohim se kur flitet për provat, sipas titujve të krerëve në lidhje me rregullat e përgjithshme të marrjes së provave, i referohet kryesisht provave dokumentare dhe provave me dëshmitarë, duke e kufizuar katalogun e provave në dokumente shkresore që ekzistojnë përpara procesit, dëshmi në proces (dëshmia, pohimi i palës në proces, betimi) dhe pohimet jashtëgjyqësore që kanë nevojë për prova mbështetëse. Nga sa shihet në krerët V deri në X të K.Pr.C mund të flitet për një lloj “taksativitetit” të repertorit në fuqi të provave, si në kuptimin e burimeve materiale të provave, edhe në kuptimin e mënyrës të marrjes së tyre. Legjislacioni procedural civil shqiptar bën pjesë në ato sisteme juridike të cilat në mënyrë shteruese kanë përcaktuar se cilat prova mund të merren dhe procedurën sesi keto prova mund të merren me  në një proces civil me qëllim që palët të vërtetojnë bazueshmërinë e pretendimeve të tyre në proces. Kjo kategori provash konsiderohet ndryshe si provë tipike, pra modele të përcaktuara shprehimisht në ligjin procedurial.

Ndërsa të gjitha format e tjera të fiksimit të të dhënave, të cilat nuk parashikohen shprehimisht në K. Pr. Civile, dhe që shërbejnë për vërtetimin e një marrëdhënie juridike të caktuar konsiderohen si prova atipike. Për shembull, si një nga modelet e provave atipike përmendim komunikimet elektronike me sms apo nëpërmjet platformave të tjera të komunikimit. Pohimet e palëve në mediat sociale, në hapësirat personale të veta apo të individëve të tjerë, janë gjithashtu një tjetër lloj i provës atipike. Pranimi dhe njohja e burimeve të reja atipike të provës ka ardhur si rezultat i zhvillimeve shkencore, ndryshimeve të metodave të zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore, si edhe evoluimit të mjeteve të komunikimit në përgjithësi. Aktualisht legjislacioni shqiptar njeh si forma të provës dixhitale filmat fotografikë, kinematografikë e regjistrime të tjera duke mos imponuar taksativitetin e këtyre lloj provave. Sipas nenit 278 të K.Pr.C filmat fotografikë ose filmat kinematografikë, kasetat e çdo Iloji, si dhe çdo lloj tjetër regjistrimi, mund të përbëjnë provë për ngjarjet e sendet që janë regjistruar, kur gjykata bindet për saktësinë e vërtetësinë e tyre. Për këtë qëllim ajo mund të thërrasë edhe ekspertë kompetentë. Gjithashtu, në nenin 279 saktësohet se fotografitë, ose fotokopjet e shkresave kanë fuqi të njëjtë me origjinalin, përderisa saktësia e tyre vërtetohet nga personi, që sipas ligjit është kompetent të nxjerrë kopje, pa përcaktuar nëse fotografia duhet të jetë në format hard (e printuar) apo mund të paraqitet edhe në format soft (në jpg., png. etj.). Madje, gjykata sipas nenit 289 mund të vendosë që të kryhen edhe riprodhime fotografike të objekteve, dokumenteve dhe sendeve, meadje, kur është e nevojshme dhe e mundshme edhe filmime të tyre, ose të përdorë mjete dhe veprime të tjera mekanike. Gjykata, për t’u siguruar në ekzistencën e një fakti mund të urdhërojë që kjo të verifikohet, duke proceduar në një mënyrë të caktuar për riprodhimin e tij, duke siguruar prova me anë fotografish, ose me filmime.

Një lloj tjetër prove elektronike e njohur nga ligjvënësi dhe jurisprudenca shqiptare është riprodhimi audio i pyetjes së dëshmitarit në procesin penal, që përbën një formë dokumentimi të veprimeve të seancës gjyqësore, e cila është në funksion të transparencës së procesit. Sipas nenit 115 të Kodit të Procedurës Penale, procesverbali përpilohet nga sekretari i gjykatës, në formë të plotë ose të përmbledhur, me stenotipi, me mjet tjetër teknik dhe, kur mungojnë këto mjete, me dorëshkrim. Kur procesverbali përpilohet në formë të përmbledhur duhet të bëhet edhe riprodhimi fonografik dhe, po të jenë kushtet, edhe riprodhimi audioviziv kur është i domosdoshëm. por nuk e zëvendëson procesverbalin e seancës gjyqësore, i cili përcaktohet nga neni 115/1 i Kodit të Procedurës Penale, si i vetmi akt që dokumenton veprimet e Gjykatës. Sipas Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë nr.353, datë 03.09.2013, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për mbajtjen, ruajtjen dhe arkivimin e procesverbalit të seancës gjyqësore me mjete audio”, mjetet dixhitale audio të regjistrimit të seancave gjyqësore përdoren për regjistrimin e seancave gjyqësore të gjykimeve civile, administrative dhe penale, të zhvilluara në ambientet e gjykatave ku zhvillohen seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit në Republikën e Shqipërisë. Procesverbali audio i seancave gjyqësore përbën procesverbalin zyrtar të seancës në përputhje me nenin 118 të Kodit të Procedurës Civile, nenin 115 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 34 të ligjit nr.49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

Pra, nga kjo mund të deduktojmë që procesverbali audio do të përbëjë një provë elektronike të përdorshme në rastet e apelimit të vendimeve gjyqësore. Nëse i drejtohemi jurisprudencës së huaj për një përqasje krahasuese vëmë re se në çështjen Schatschaschëili kundër Gjermanisë[6] (Kërkesa nr. 9154/10), Gjykata Rajonale vendosi të kërkojë ndihmë ligjore nga autoritetet e Letonisë në bazë të Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjelltë në Çështjet Penale të datës 20 prill 1959, si plotësuese e Konventës mbi Ndihmën e Ndërsjelltë në Çështjet Penale mes Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian të 29 Majit 2000 (shih paragrafët 64-66 më poshtë). Gjykata kërkoi që dëshmitaret të thirreshin përpara një gjykate në Letoni dhe në një lidhje audio-vizuale në mënyrë që seanca të kryhej nga kryetari i trupit gjykues i Gjykatës Rajonale (audiovisuelle Vernehmung). Gjykata Evropiane e Drejtësisë (me seli në Luksemburg), në rastin Pupino C‑105/03,[7] datë 16 Qershor 2005 ka përcaktuar detyrimin e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian ta interpretojnë të drejtën e tyre të brendshme procedurale penale në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian (vendim kuadër) dhe mbrojtjen e viktimave vulnerabël, siç janë të miturit, sa përket jetës dhe privatësisë së të miturit, duke dhënë dëshminë e tyre në përputhje me masat e marra për mbrojtjen e tyre sipas një niveli të caktuar. Edhe GjEDNj-ja në rastin Rosin kundër Estonisë[8], nr.26540/08, datë 13.12.2013, § 55 ka deklaruar si në përputhje me Konventën Evropiane faktin e përdorimit si dëshmi të procesverbalit të regjistruar audio gjatë hetimeve paraprake të një të mituri - viktimë e abuzimit seksual. Në këtë mënyrë, regjistrimi audio apo audiovideo do të shmangte ri-viktimizimin, si edhe ri-pyetjen e të miturës më shumë se sa një herë, pa qenë e nevojshme në apel apo edhe gjatë rigjykimit të çështjes.

 

Dokumenti informatik dhe nënshkrimi elektronik

 

Progres në lidhje me përdorimin e provave elektronike në proceset gjyqësore përbën edhe krijimi i PVK pikës së vetme dixhitale e-albania, e cila gjeneron dokumente elektronike të ndryshme. Nga ana tjetër, AKSHI është përgjegjës që brenda datës 31.12.2021 të implementojë postën elektronike unike për çdo shtetas të huaj apo shqiptar, nëpërmjet numrit personal (NID) dhe çdo person fizik e juridik nëpërmjet numrit unik të identifikimit të subjektit (NUIS).[9] Në këtë mënyrë posta elektronike unike do të shërbejë si e vetmja mënyrë kontakti në llogarinë e çdo qytetari dhe shoqërie tregtare në e-albania, duke plotësuar një kriter të rëndësishëm që kërkon Këshilli i Evropës në lidhje me provat dixhitale, që është pikërisht trus service, ose shërbimi i besuar. Ky koncept i dematerializimit të dokumenteve transformon edhe konceptin e provës së shkruar në procesin civil.

Ndër provat dokumentare sot marrin rëndësi të veçantë pikërisht dokumentat informatikë, të destinuar të kenë një përdorim gjithnjë e më të madh në raport me dokumentet në letër. Ndërsa normativa në lidhje me provat shkresore përmbahet në Kodin e  Procedurës Civile, dokumentet informatike disiplinohen nga ligji Nr. 10 273, datë 29.4.2010 “Për dokumentin elektronik”, i cili rregullon përdorimin e dokumentit elektronik nga personat fizikë, juridikë, publikë dhe privatë, programet dhe pajisjet elektronike të të cilëve mundësojnë realizimin, prodhimin, transmetimin, marrjen, ruajtjen dhe sigurinë e informacionit të dokumentit elektronik. Sipas kuptimit të këtij ligji, “dokument elektronik” është çdo informacion i krijuar me “cilësi dokumentare”, i dërguar, i marrë ose i ruajtur në formë elektronike nga një sistem kompjuterik apo nga një mekanizëm i ngjashëm dhe që përmban  nënshkrim  elektronik  dhe/ose  vulë  elektronike, të dhënat e krijuesit të dokumentit elektronik, pacënueshmërinë, akses në përmbajtjen e dokumentit elektronik përgjatë gjithë ciklit të dokumentimit dhe qartësi në leximin e përmbajtjes së tij.

Normativa kombëtare duhet të integrohet e koordinohet me legjislacionin e Bashkimit Euripian. Veçanërisht me nenin 3 nr. 35 të Rregullores eIDAS, të përmendur më sipër, e cila e përkufizon dokumentin elektronik si “çdo përmbajtje e ruajtur në formë elektronike, në veçanti tekst apo regjistrim zanor, viziv ose audioviziv”. Neni 46 i Rregullores përcakton se një dokumenti elektroik nuk i mohohen efektet juridike dhe pranimi si provë në proceset gjyqësore, vetëm për shkak të formës elektronike që ka. Për më tepër, prova dixhitale në formën e dokumentit elektronik duhet të ketë akses të plotë në proces, pavarësisht se ka një efikasitet të ndryshëm provues.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm që lidhet me “administratën dixhitale” është edhe nënshkrimi elektronik apo firma dixhitale, që disiplinohet nga ligji  nr.9880, datë 25.2.2008 “Për nënshkrimin elektronik”, i cili përcakton se veprimet juridike dhe aktet e hartuara nga personat fizikë dhe juridikë, publikë e privatë,  mund të bëhen edhe përmes një dokumenti elektronik, të cilit i bashkëlidhet një nënshkrim elektronik i kualifikuar, cka e bën dokumentin të këtë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese me formën shkresore.

Ndërsa kuadri ligjor është i qartë me fuqinë provuese që ka dokumenti informatik i pajisur me nënshkrim elektronik, jurisprudenca shqiptare nuk është shprehur në lidhje me përdorimin e dokumenteve informatike pa nënshkrim si e-mail, Ëhatsapp apo video. Gjykata e Kasacionit në Itali në lidhje me këtë ka qartësuar se mesazhet e postës elektronike përbëjnë një dokument elektronik që përmban një paraqitje informatike të akteve, fakteve apo të dhënave me rëndësi juridike që, pavarësisht se i mungon nënshkrimi, bën pjesë në riprodhimet informatike dhe paraqitjet mekanike të rregulluara nga neni 2712 i Kodit Civil Italian dhe për këtë arsye përbëjnë provë të plotë të fakteve që ato përfaqësojnë.[10] Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë e Kroacisë konfirmoi se mesazhet SMS mund të përdoren si provë në proceset gjyqësore në të njëjtën mënyrë si përmbajtjet e tjera të shkruara në mediat e tjera. Jurisprudenca e Gjykatës së Lartë Italiane ka qartësuar edhe se regjistrimi në shirit magnetik i bisedave telefonike mund të përbëjë burim prove sipas nenit 2712 të Kodit Civil, nëse ai kundër të cilit po përdoret regjistrimi nuk pretendon se biseda nuk është kryer realisht apo është kryer me persona që nuk janë palë në proces.

Në çdo rast, Këshilli i Europës në manualin për përdorimin e provave elektronike thekson rëndësinë e metadatave të cilat përcaktojnë vlerën e një prove, ashtu si një pullë postare provon vlerën e një letre të zakonshme. Provat elektronike përmbajnë edhe metadata si një çështje që kërkon vëmendjen e gjykatave për të njohur vlerën e tyre provuese. Mund të përdoren për të gjurmuar identitetin e burimit dhe destinacionin e një komunikimi, të dhëna mbi pajisjen që e ka gjeneruar, datën, orën, kohëzgjatjen dhe llojin e provës.  Në Irlandë, për shembull, metadatat u konsideruan të rëndësishme për përcaktimin e autenticitetit të prejardhjes elektronike të dokumentit.[11] Gjykatat irlandeze vendosën detyrimin e palëve në proceset civile që të informojnë palën tjetër në lidhje me provat elektronike që disponojnë dhe metadatat e dokumenteve origjinale. Nga ana tjetër, printimi i provave elektronike mund të manipulohet lehtësisht, sepse nuk përmbajnë metadata apo të dhëna të tjera të fshehta. Për rrjedhojë, një printscreen nga një broëser nuk është provë e përdorshme, sepse s’është tjetër veçse një kopje e pamjes së faqes ëeb. Ishte Gjykata e Apelit e Lituanisë ajo që vendosi se kopjet e ekranit të kompjuterit (screenshots) nuk janë të besueshme.

Për më tepër, Bashkimi Europian kërkon bashkëpunimin e gjykatave në lidhje me marrjen e provave dixhitale. Neni 10.4 i Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 1206/2001 e 28 majit 2001 mbi bashkëpunimin ndërmjet gjykatave të Shteteve Anëtare në marrjen provave për çështjet civile dhe tregtare parashikon që gjykatat të kërkojnë nga njëra-tjetra përdorimin e teknologjive të komunikimit për të marrë prova, vëçanërisht duke përdorur videokonferencën dhe telekonferencën. Neni 803 i Kodit të Procedurës Civile të Lituanisë, përshembull, parashikon mundësinë e gjykatave të Republikës së Lituanisë që të kërkojnë nga një gjykatë e huaj të përdorë teknologji të informacionit si videokonferenca, për të marrë një provë (dëshmi).  Në kontekstin e drejtësisë elektronike europiane, përdorimi i videokonferencave në proceset gjyqësore është pjesë e planit për veprim në këtë fushë që nga viti 2008.[12] Historikisht marrja e provave përfshin edhe përdorimin e videokonferencave në proceset ndërkufitare, por gjithashtu përdoret për dëgjimin e dëshmitarëve vulnerabël apo objekt ngacmimesh, si edhe për dëgjimin e ekspertëve, sidomos në proceset penale. Përsa u përket seancave për marrjen e provave orale, modalitetet për marrjen e tyre në distancë duhet të garantojnë efektivitetin e së drejtës për t’u mbrojtur dhe parimin e barazisë së armëve. Faktorët që diktojnë necvojën për dëgjimin e dëshmitarëve në distancë janë ekonomikë (për shembull, reduktimi i kostove), vështirësitë praktike dhe reduktimi i kohëzgjatjes së procesit.

Prova dixhitale ka hyrë me prepotencë në procesin civil prej disa vitesh dhe, megjithatë, legjislatori ynë në vend që të rishkruajë normat substanciale dhe procedurale mbi provat në procesin civil, ka preferuar të miratojë normativë specifike, por jo organike. Për këtë arsye ka patur vazhdimisht kundërshtime lidhur me pranueshmërinë e provave dixhitale në procesin civil, bazuar në parimin e përdorimit të provave tipike, ose shprehimisht të njohura nga ligji. Ndërsa në Francë ligjvënësi ka zgjedhur të modifikojë Kodin Civil me Ordonnance n. 2016-131 të datës 10.2.2016. Kjo e fundit ka reformuar, ndër të tjera, nenin 1358 të Kodit Civil, i cili sot parashikon që "Hors les cas où la loi en dispon autrement, la preuve peut être apportée par tout moyen".[13] Gjithashtu, koncepti i "shkruar" në Francë është përshtatur edhe me realitetin e epokës dixhitale.

 

Përdorimi i provave me natyrë dixhitale në procesin penal

 

Ndërkohër që në procesin civil mungon kuadri ligjor për përdorimin e provave elektronike, pas ratifikimit të Konventës së Budapestit[14] u kryen ndryshime ligjore për të pohuar se provat elektronike janë të pranueshme në çështje penale. Pranueshmëria në përgjithësi vendoset në bazë të standardeve të caktuara nga Kodi i Procedurës Penale për pranimin e çdo lloj  prove. Neni 149 i K.Pr.P përcakton në lidhje me provat atipike se, kur kërkohet një provë që nuk rregullohet me ligj, gjykata mund ta marrë nëse prova vlen për të vërtetuar faktet dhe nuk cenon lirinë e vullnetit të personit. Gjykata vendos për marrjen e provës pasi dëgjon palët mbi mënyrën e marrjes së saj. Kjo qasje mund të paraqesë probleme ligjore dhe praktike, siç janë sfidat ndaj besueshmërisë së provave elektronike dhe sigurimi i tyre përmes operacioneve të fshehta, ose nga shtete të tjera, si edhe ngadalësia për marrjen e të dhënave nga jashtë Shqipërisë. Megjithatë, gjyqtari autorizon kontrollin e kompjuterëve apo rrjeteve, duke specifikuar të drejtën për hyrje, kontroll dhe marrje të të dhënave, si dhe duke ndaluar çdo veprim tjetër që ndikon në integritetin e të dhënave apo sistemit. Kontrolli dhe sekuestrimi duhet të respektojnë këtë rregull me përpikëri. Një gjyqtar, prokuror, ose oficer i policisë gjyqësore mund të autorizojë ekzaminimet kompjuterike, të kompjuterëve, imazhimin e të dhënave dhe marrjet në kohë reale. Hetuesve nuk u kërkohet të sekuestrojnë objekte fizike për të siguruar të dhëna, mirëpo është e vështirë që të zbatohet sekuestrimi i të dhënave pa sekuestrimin e një objekti fizik. Kur nuk sekuestrohet asnjë objekt fizik, hetuesit shfrytëzojnë marrjet në kohë reale të të dhënave.

Në Shqipëri nuk ka udhëzime kombëtare për sekuestrimin e provave elektronike, kështu që hetuesit e Njësisë së Ekspertizës Kompjuterike ndjekin standarde të brendshme. Në prezantimin e saj, në Bukuresht,[15] Shqipëria e identifikoi si problem mungesën e standardeve të shkruara për hyrjen në provat elektronike për veprime hetimore, ashtu si edhe kapacitetin e kufizuar teknik të Ofruesve të Shërbimeve të Internetit, agjencive të zbatimit të ligjit dhe të institutit të ekspertizës. Nëse të dhënat elektronike ofrohen si provë në gjykim dhe ato kundërshtohen nga mbrojtja, prokurori duhet që të provojë integritetin e të dhënave duke i ftuar oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët që të dëshmojnë për çdo procedurë të zbatuar që nga momenti i sekuestrimit të të dhënave deri në prezantimin e tyre në gjykatë. Neni 152 i K.Pr.P parasheh përcaktimin e saktësisë dhe autenticitetit të provave, duke shpjeguar se asnjë provë nuk ka vlerë të paracaktuar nga ligji. Gjykata, pas shqyrtimit të provave në tërësi çmon vërtetësinë dhe fuqinë provuese të tyre, duke argumentuar arsyet ku është mbështetur për të krijuar bindjen e saj. Gjityhashtu, është e mundur që të sigurohen të dhëna nga palët e treta, K.Pr.P përmban baza specifike ligjore për këtë (Nenet 191/a, 208/a, 299/a dhe 299/b). Në veçanti, Neni 191/a parasheh proceset penale në lidhje me krimet në fushën e teknologjisë informative duke pohuar, se “Gjykata, në rastin e procedimeve për vepra penale në fushën e teknologjisë së informacionit, me kërkesë të prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, urdhëron mbajtësin ose kontrolluesin të dorëzojnë të dhënat kompjuterike të memorizuara në një sistem kompjuterik apo në një mjet tjetër memorizimi”. Nëse është e nevojshme, hetuesit munden që t’i sekuestrojnë të dhënat edhe me mbështetjen e një eksperti të caktuar nga gjykata. Palët e treta mund të bashkëpunojnë vullnetarisht me Prokurorinë dhe t’i dorëzojnë të dhënat në bazë të Neneve 198 dhe 201 të K.Pr.P. Provat mund të sigurohen nga vendet e tjera përmes instrumentit të ndihmës reciproke juridike dhe janë të pranueshme vetëm kur sigurohen në mënyrë zyrtare. Shqipëria pavarësisht se ka përvojë me përdorimin e provave elektronike në gjykata, sërish ka probleme me përdorimin e tyre. Këtu përfshihen pajisjet dhe programet e vjetruara (sidoqoftë, ekspertët mund të sjellin pajisjet dhe  programet e tyre). Vetëm disa gjyqtarë kanë njohuri sipërfaqësore për analizën e ekspertizës elektronike; për më tepër, parashtruesit e provave mund të hasin afate tepër të shkurtra, mungesë të të kuptuarit të raporteve të ekspertizës, ose kërkesa për t’i printuar të dhënat, duke përfshirë printimin e të gjitha të dhënave kur vetëm një pjesë e vogël e tyre janë të nevojshme.

Megjithatë, pavarësisht përdorimit të tyre në procedurën penale mungon përkufizimi i provës elektronike në K.Pr.P. Duke qenë se ky i fundit ndryshon më me vështirësi se rregulloret, do të duhej të miratohen të tilla për përcaktimin e standardeve të operimit. Gjithashtu, praktikat për trajtimin e të dhënave duhet të përmirësohen dhe të zbatohen me përpikëri, duke përfshirë sekuestrimin, në mënyrë që asnjë veprim në atë fazë të mos i ndryshojë të dhënat. Nëse nevojitet një veprim, ai duhet të bëhet vetëm nga një ekspert i trajnuar, me dokumentimin e përpiktë të çdo veprimi. Vëc të tjerash nevojiten ndryshime statusore për të adresuar marrjen e të dhënave nga shërbimi “cloud”, sepse shumica e të dhënave ruhen në “cloud” dhe serverët e tyre janë pothuajse gjithmonë jashtë territorit shqiptar.[16]

 

Provat dixhitale dhe standardet ndërkombëtare

 

Ashtu siç pamë edhe më sipër, Interneti i ka rrëzuar kufijtë kombëtarë dhe, si rezultat i kësaj, në vitet 1990 u krijua një bashkëpunim global. Ky bashkëpunim përfshin Organizatën Ndërkombëtare për Provat Kompjuterike dhe Grupin e Provave Dixhitale. Organizata Ndërkombëtare për Provat Kompjuterike (IOCE) është një organizatë ndërkombëtare e krijuar në 1992, e cila deri në 2006 u shndërrua në një organizatë e organizatave, që punon me organizatat rajonale të zbatimit të ligjit kur agjencitë qeveritare tashmë ekzistojnë. Përveç kësaj, ajo promovon përhapjen e komponenteve rajonale të IOCE në zonat ku mungon një organizim i tillë. Qëllimi kryesor i saj është të sigurojë një kornizë standardesh, parimesh të cilësisë dhe qasjet për zbulimin, ruajtjen, rikuperimin, ekzaminimin dhe përdorimin e provave dixhitale për qëllime kriminalistike. Komisioni Ndërkombëtar Elektro-teknik IEC, organizmi lider në përcaktimin e standardeve në elektro-teknologji, dhe ISO - Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin, përmes Komitetit të Përbashkët JTC 1 mbi Teknologjine e informacionit kanë miratuar një Standard Ndërkombëtar - ISO/IEC 27037 – Teknologjia e Informacionit – Siguria e teknikave – Udhëzimet për identifikimin, mbledhjen, marrjen dhe ruatjen e  provave dixhitale.

Qëllimi kryesor i standardeve ISO është të sigurojnë kredibilitetin e provave dixhitale për t’u përdorur në gjykaya dhe në zgjidhjen e konflikteve. Vendimarrësit, si edhe ligjvënësit, mund të përcaktojnë besueshmërinë e një prove dixhitale, në asnjë rast standardet nuk zëvendësojnë kërkesat specifike ligjore të çdo juridiksioni. ISO/IEC 27037 parashikon harmonizimin dhe përdorimin global të një metodologjie që ruan integritetin dhe autenticitetin e tij. Gjithashtu ka qëllim të thjeshtojë shkëmbmin e provave dixhitale ndërmjet juridiksioneve, duke u siguruar se kërkesat dhe procedurat janë konsistente. Kjo njeh faktin se krimi dhe në veçanti krimi kibernetik cybercrime ka gjithnjë e më tepër prirjen që  të kapërcejë kufijtë. Këto standarde nuk bëjnë tjetër vecse synojnë të japin udhëzime e të drejtojnë personat përgjegjës për identifikimin, mbledhjen dhe ruajtjen e provave dixhitale.

Aplikimi i  këtyre standardeve kërkon përputhje me ligjin, rregullat dhe rregulloret e brendshme. Gjithashtu, ruajtja e këtyre standardeve ndihmon në shkëmbimin e provave elektronike ndërmjet juridiksioneve. Në mënyrë që të ruhet integriteti i provës dixhitale, përdoruesit e Standardeve Ndërkombëtare duhet të miratojnë dhe amendojnë procedurat e përshkruara nga këto standarde në përputhje me kërkesat ligjore të juridiksioneve të tyre mbi provat. Ka edhe standarde të tjera ISO që duhen marrë parasysh gjatë procesit të investigimit dixhital: ISO/IEC 27043 mbi parimet e proceset e investigimit dhe ISO/IEC 30121 Governance of Digital Forensics (qeverisja e drejtësisë dixhitale), ISO/IEC 27037 mbi identifikimin, mbledhjen, marrjen dhe ruajtjen e provave dixhitale, ISO/IEC 27042 udhëzimet për analizimin e këtyre provave dhe ISO/IEC 27037 përatitur nga Joint Technical Committee ISO/IEC JTC 1 për interpretimin e provave dixhitale.[17]

 

Përfundime  

 

Qëllimi i këtij artikulli ishtë të japë një pamje të përgjithshme të përkufizimeve mbi provat dixhitale në juridiksione të krahasuara, në mënyrë që të identifikohen burimet e mundshme të provave dixhitale dhe të përpunohen parimet bazë që lidhen me marrjen dhe vlerësimin e tyre. Ne mendojmë se për shkak të mungesës së materialitetit strukturor të provës elektronike, me vend është të përdorin lokucionin provë me natyrë dixhitale dhe jo provë dixhitale. Ajo që vërejmë si operatorë të ligjit është se provat dixhitale gjithnjë e më tepër inkorporohen në pohimet e palëve në proces, por nuk kanë ende një identitet të tyre të plotë, pavarësisht se prej kohësh këto prova hyjnë “me forcë” në proceset civile dhe administrative. I ndryshëm është diskursi në raport me çështjet penale, duke qenë se në shpjegimin e kuptimit të provës legjislatori e ka zgjeruar kuptimin e provës, duke përfshirë edhe prova që nuk rregullohen shprehimisht me ligj, por mund të merren parasysh nga gjykata nëse vlejnë për të vërtetuar faktet dhe nuk cënojnë lirinë e vullnetit të personit. Sot, me normativën e re ligjore pranohet vlefshmëria e dokumentit elektronik dhe nënshkrimit elektronik por nuk bëhet asnjë hap përpara në azhornimin e procedurës civile dhe administrative në përputhje me këtë kuadër të ri ligjor. Për këtë arsye nevojitet të replikohet eksperienca ligjore franceze, e cila parashikon që prova mund të merret në çdo mënyrë, përveçse në rastet kur ligji parashikon ndryshe, ose ajo e common laë sipas së cilës  të gjitha faktet që kanë vlerë provuese racionale janë të pranueshme, nëse nuk ka një normë specifike që i ndalon ato. Së fundi, theksojmë nevojën e një procedure të qartë për mbledhjen, mbajtjen dhe ruajtjen e këtyre provave, duke implementuar standardet e IOCE dhe ISO në lidhje me provat dixhitale, në mënyrë që të jenë të përdorshme edhe për ndihmën ndërkombëtare ligjore në çështje penale.17

----------------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

-   Kodi i Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë (në fuqi)

-   Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë (në fuqi)

-   Kodi i Procedurës Administrative të republik së Shqipëisë (në fuqi)

-   Kodi Civil i talian (në fuqi)

-   Kodi Civil francez, plotësuar me ligjin nr. 2016 – 131, datë 10.2.2016

-   Kodi i Procedurës Civile të Lituanisë (në fuqi)

-   Ligji Nr. 10 273, datë 29.04.2010 “Për Dokumentin Elektronik”

-   Ligji Nr.9918, datë 19.05.2008, Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë, i ndyshuar

-   Ligji Nr. 9880, datë 25.02.2008 “Për Nënshkrimin Elektronik”, i ndryshuar

-   Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 1147, datë 9.12.2020 për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Portali Unik Qeveritar e-albania” dhe për miratimin e rregullave “Për mënyrën e funksionimit të pikës së vetme të kontaktit”

 

Doktrinë

-   International Telecommunication Union (2012), Electronic Evidence: Model Policy Guidelines & Legislative Texts, Establishment of Harmonized Policies for the ICT Market in the ACP countries, HIPCAR project “Enhancing Competiveness in the Caribbean through the Harmonization of ICT Policies, [18]Legislation and Regulatory Procedures”, available at http://bit.ly/ITU-ElecEvid.

-   The Very Brief History Of Digital Evidence Standards, Mark M. Pollitt, Regional Computer Forensic Laboratory Program, Federal Bureau of Investigation Washington, DC, https://link.springer.com/content/pdf/10.1007%2F978-0-387-35693-8_8.pdf

-   Digital evidence in Criminal procedures - A comparative approach, Gordana Buzarovska Lazetik, Olga Koshevaliska https://core.ac.uk/download/pdf/35334344.pdf

-   Electronic evidence in civil and administrative proceedings. Guidelines adopted by the Committee of Ministers of the Council of Europe on 30 January 2019 and explanatory memorandum.

https://rm.coe.int/guidelines-on-electronic-evidence-and-explanatory-memorandum/1680968ab5

-   Regulation (EU) No 910/2014 of the European Parliament and of the Council of 23 July 2014 on electronic identification and trust services for electronic transactions  in the internal market and repealing Directive 1999/93/EC.

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/ga/ALL/?uri=CELEX:32014R0910

-   Directive 1999/93/EC of the European Parliament and of the Council of 13 December 1999 on a Community frameëork for electronic signatures.

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex%3A31999L0093

-   iPROCEEDS Projekti mbi shënjestrimin e të ardhurave nga krimi në Internet në Evropën Juglindore dhe në Turqi, Raporti i vlerësimit  mbi marrjen dhe përdorimin e provave  elektronike në proceset penale sipas legjislacionit kombëtar në Evropën Juglindore dhe në Turqi. https://www.coe.int/en/web/cybercrime/iproceeds

-   Convention on Cybercrime, Budapest 2001

https://www.europarl.europa.eu/meetdocs/2014_2019/documents/libe/dv/7_conv_budapest_/7_conv_budapest_en.pdf

 

Jurisprudencë

- Çëështje e gjykuara nga GJEDNj: Rasin kundër Estonisë nr. 26540/08, datë 13 Dhjetor, 2013; Schatschaschërili kundër Gjermanisë, Kërkesa nr. 9154/10

            - Çështja e gjykuar nga GJED: Pupino, C – 105/03, datë 16 Qershor 2015

            - Vendimi Unifikues nr. 1/2015 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të RSh 



[1] Electronic evidence in civil and administrative proceedings. Guidelines adopted by the Committee of Ministers of the Council of Europe on 30 January 2019 and explanatory memorandum. (Provat elektronike në proceset civile dhe administrative. Udhëzuesi i miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës më 30 janar 2019 dhe memorandumi shpjegues). I aksesueshëm në https://rm.coe.int/guidelines-on-electronic-evidence-and-explanatory-memorandum/1680968ab5

[2] Regulation (EU) No 910/2014 of the European Parliament and of the Council of 23 July 2014 on electronic identification and trust services for electronic transactions  in the internal market and repealing Directive 1999/93/EC. (Rregullorja e BE nr. 910-2014 e Parlamentit Europian dhe Këshillit më 23 korrik 2014 mbi identifikimin elektronik dhe shërbimin e besueshëm për transaksionet në tregun e brendshëm që shfuqizon direktivën 1999-93-EC). E njohur ndryshe si Rregullorja “e-IDAS”

E aksesueshme në https://eur-lex.europa.eu/legal-content/ga/ALL/?uri=CELEX:32014R0910

[3] Directive 1999/93/EC of the European Parliament and of the Council of 13 December 1999 on a Community framework for electronic signatures. (Direktiva 1999/93/EC e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 13 dhjetor 1999 mbi një kuadër komunitar për nënshkrimet elektronike)

E aksesueshme në https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex%3A31999L0093

[4] Vendim Unifikues nr. 1-2015 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. I aksesueshëm në http://gjykataelarte.gov.al/web/1_kb_p_unif_1289.doc

[5] Evidence Admissibility. The Common Denominator, Harry P. Thomson Jr.,Thomas J. Leittem, Missouri Law Review, Volume 31,  Issue 4 Fall 1966

[9] Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 1147, datë 9.12.2020 për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Portali Unik Qeveritar e-albania” dhe për miratimin e rregullave “Për mënyrën e funksionimit të pikës së vetme të kontaktit”

[10] Cass., Sez VI civ. 14.5.2018 n. 11606

[11] Koger Inc. & Koger (Dublin) Ltd v. O’Donnell & Others (2010) IEHC 350

[12] Plani për veprim 2019-2023 në fushën e drejtësisë elektronike evropiane (2019/C 96/05)

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/IT/TXT/PDF/?uri=CELEX:52019XG0313(02)&from=EN  

[13] Përkthimi në shqip: “Me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe, prova mund të merret me të gjitha mjetet e mundshme”

[14] Convention on Cybercrime, Budapest 2001 – Konventa mbi Krimin Kibernetik. E aksesueshme në https://www.europarl.europa.eu/meetdocs/2014_2019/documents/libe/dv/7_conv_budapest_/7_conv_budapest_en.pdf

[15] iPROCEEDS Projekti mbi shënjestrimin e të ardhurave nga krimi në Internet në Evropën Juglindore dhe në Turqi, Raporti i vlerësimit  mbi marrjen dhe përdorimin e provave  elektronike në proceset penale sipas legjislacionit kombëtar në Evropën Juglindore dhe në Turqi. https://rm.coe.int/3156-52-iproceeds-electronic-evidence-report-eng/16807bdfdf

[16] iPROCEEDS Projekti mbi shënjestrimin e të ardhurave nga krimi në Internet në Evropën Juglindore dhe në Turqi, Raporti i vlerësimit  mbi marrjen dhe përdorimin e provave elektronike në proceset penale sipas legjislacionit kombëtar në Evropën Juglindore dhe në Turqi, faqe 4-7

[17] Digital evidence in Criminal procedures - A comparative approach, Gordana Buzarovska Lazetik, Olga Koshevaliska https://core.ac.uk/download/pdf/35334344.pdf

[18] Të gjitha standardet ISO që u referohen në ndonjë pjesë provave dixhitale janë trajtuar nga David Watson, Andrew Jones në (2013) në Digital Forensics Processing and Procedures: Meeting the Requirements of ISO 17020, ISO 17025, ISO 27001 and Best Practice Requirements.