Av. Eleni SAVA

Drejtoria Rajonale

e Sigurimeve Shoqërore,

Vlorë

 

Hyrje

 

Sigurimi shoqëror nëpërmjet sistemit të tij bëhet garant për përfitime të vazhdueshme financiare në drejtim të personave të paaftë për punë, si pasojë e moshës, paaftësisë së përhershme, paaftësisë së përkohshme, barrëlindjes dhe papunësisë.

 

Ky sistem është ndërtuar për të ndihmuar subjektet në nevojë, kur ata kalojnë momente të vështira në jetë nga sëmundjet, papunësia apo pleqëria. Qëllimi social është parimi kryesor mbi të cilin funksionon sistemi i Sigurimeve Shoqërore. Skema e këtij sistemi praktikisht funksionon bazuar në parimin “pay as you go”[1], ku të punësuarit e sotëm nëpërmjet përqindjes së kontributit mbulojnë me pagesa të gjithë përfituesit aktualë të Sigurimeve Shoqërore.

Pleqëria është fenomen i natyrshëm, kur individi fillon të humbasë aftësinë për punë dhe nuk ka qëndrueshmërinë e nevojshme apo aftësinë e përshtatjes me teknikën.

Fenomeni i zhvillimit pengon shumë pensionistë që të vazhdojnë punën ose të punësohen kur u krijohet mundësia, nëse aplikojnë për të përfituar pension pleqërie. Skema e pensionit ndalon çdo lloj përfitimi tjetër për subjektin.

Subjektet për të përfituar padrejtësisht sigurime ndërmarin hapa, kualifikimi i të cilave  bëhet në bazë të marrëdhënies juridike të cënuar nga veprimet e kundraligjshme. Më poshtë do të bëhet fjalë, se përse “Mashtrimi në sigurime” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” janë dy vepra penale që nuk konkurrojnë me njëra – tjetrën; sa është afati i parashkrimit të ndjekjes penale dhe koha e kryerjes së veprës penale në këtë fushë; cilat janë format e falsifikimit të dokumenteve, kryerja e këtyre dy veprave penale nga punonjës të organit publik etj.

Në praktikë duhet koordinuar vigjilenca e organit publik të Sigurimeve Shoqërore për të verifikuar deklarimet e subjektit përfitues me përgjegjësinë individuale të tij. Aspektet për të kontrolluar përfshijnë ndërmjet të tjerave, numrin e përfituesve të paligjshëm dhe keqpërdorimin përkatës të fondeve, zbatimin e procedurave legale për të kontrolluar cilësinë e dokumentave të paraqitura.

           

Dy vepra penale që nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën

 

Kodi i Procedurës Civile[2] jep kuptimin, se: “shkresat kanë fuqi provuese kur janë hartuar në formën e caktuar kanë elementët e nevojshme për vlerën e tyre, nuk janë të copëtuara, të grisura ose të shuara, nuk kanë gërvishtje, ose shtesa midis rreshtave, ose çrregullime të tjera me shuarje dhe mund të lexohen. Po ashtu, ky Kod[3] jep kuptimin, se: “aktet zyrtare që dalin nga organet shtetërore dhe që përmbajnë një urdhër, një vendim ose çdo masë tjetër të marrë prej tyre ose që tregojnë kryerjen e një veprimi nga ana e këtyre organeve, përbëjnë provë të plotë për përmbajtjen e tyre. Lejohet të provohet e kundërta vetëm kur pretendohet se shkresa është e falsifikuar”.

Paraqitja në dokument i rrethanave të rreme ose përpilimi i një dokumenti krejtësisht të falsifikuar, si edhe përdorimi i dokumenteve të falsifikuara përmblidhen në termin “falsifikim i dokumentit”.[4]

Ndërsa, në interpretim të dispozitës të Kodit Penal, të doktrinës dhe të jurisprudencës gjyqësore[5] pranohet se: “Mashtrimi është marrja ose hedhja në dorë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, të pasurisë apo të të drejtave pasurore të personit fizik, personit juridik apo shtetit, të kryera me dashje dhe me qëllim të përfitimit material, për vete ose për të tjerë”. Mashtrimi në ndryshim nga vjedhja e thjeshtë kryhet vetëm me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit.[6]

Në fushën e Sigurimeve Shoqërore, “Fondi i pensioneve” gëzon mbrojtje të posaçme prej mashtrimit i parashikuar si figurë e veprës penale të veçantë.[7] Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në praktikën e tij ka çmuar se personi që mashtron nuk duhet të mbajë përgjegjësi penale për falsifikimin, jo për faktin se nuk provohet ta ketë kryer, por se veprimet e tij në lidhje me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara janë pjesë përbërëse e realizimit të qëllimit kriminal të mashtrimit në sigurime, ku si “mashtrimi në sigurime”[8] dhe “falsifikimi i dokumentave”10 parashikohen në Kodin Penal në fuqi, si vepra penale më vete në sferën ekonomike.

 

Gjykata e Lartë është shprehur, se “falsifikimi i dokumenteve” në formën e përdorimit të dokumentit dhe vepra penale e “mashtrimit në sigurime” nuk konkurrojnë si vepra penale më vete, sepse falsifikimi është mjet për të kryer mashtrimin.

Elementet dalluese të figurës së veprës penale “mashtrim në sigurime”, parashikuar në nenin 145 të K.Penal i ka konkretizuar Gjykata e Lartë, në vendimin Nr.00-2012-1677 (356), datë 20.12.2012 të Kolegjit Penal, ku theksohet, se: “subjekti i dëmtuar nga veprimet e kundraligjshme të të gjykuarit është fondi i pensioneve, i cili gëzon një mbrojtje të posaçme mbasi është parashikuar si figurë më vete në Kodin Penal. Objekt i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar realizimin e drejtë të sigurimit të objekteve, marrëdhënie këto të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal nga veprimet apo mos veprimet kriminale. I gjykuari nuk duhet të mbajë përgjegjësi penale për falsifikimin, jo për faktin se nuk provohet ta ketë kryer, por se veprimet e tij në lidhje me përdorimin e dokumenteve të falsifikuar janë pjesë përbërëse e realizimit të qëllimit kriminal të mashtrimit në sigurime”.

Në rastin konkret, në bazë të provave të shqyrtuara në të dy shkallët e gjykimit ka rezultuar e provuar se e gjykuari P.Gj nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ka arritur të përfitojë një pension të pamerituar invaliditeti në emër të shtetases M.Gj. Në bazë të provave të administruara në fashikullin e gjykimit rezulton se të gjykuarit i ka lindur mendimi kriminal të përfitojë në mënyrë të padrejtë nga fondi shtetëror i sigurimeve shoqërore. Për të realizuar qëllimin e tij kriminal ai ka përdorur marrëdhënien e afërt familjare që ka pasur me shtetasen M.Gj. Duke qenë se këtë përfitim nuk mund ta merrte në mënyrë të drejtpërdrejtë, mashtrimin në sigurime ka vendosur ta realizojë, duke përdorur emrin e shtetases M.Gj, duke paraqitur si rrethanë të rremë sikur ajo vuan nga sëmundje me pasojë invaliditetin dhe se ajo është përfituesja e saj. Pa dijeninë e kësaj shtetases ai ka siguruar disa dokumente të falsifikuara, të cilat do t’i bënin të mundshëm plotësimin e praktikës administrative për përfitimin e paligjshëm të pensionit të invaliditetit.

I gjykuari, pasi ka siguruar dokumentet e falsifikuara i ka vënë këto në përdorim duke i paraqitur pranë zyrës së asistencës dhe nëpërmjet gënjeshtrës se ai ishte personi i autorizuar nga përfituesi ka arritur të përfitojë padrejtësisht pensionin e akorduar për 23 muaj në një vlerë prej 69.000 lekë. Fakti që është pikërisht ai personi që ka mashtruar në sigurime provohet nga deklarimet e shtetases M.Gj, e cila ka kallëzuar veprimet e të gjykuarit, pa dijeninë e saj të plotë për pensionin e përfituar, deklarimet e punonjësve që kanë administruar praktikën e pensionit, dëshmitarët R.M, Sh.P, M.K, P.P e N.D, të cilët kanë pohuar faktin se dokumentet dhe tërheqja e pensionit është kryer nga i gjykuari, si edhe nga vetë shënimi i vendosur në regjistrin e tërheqjes së pensionit ku në çdo rast provohet që ka qenë i gjykuari që cili ka tërhequr shumën për 23 muaj, duke shënuar në kolonë nr. e pasaportës së tij. I gjykuari që ka paraqitur rrethana të rreme sikur shtetasja M.Gj është e sëmurë, padrejtësisht ka përfituar pension invaliditeti, duke dëmtuar interesat pasurore jo të kësaj shtetase, por të entit që i lëshon këto fonde. Në bazë të provave të shqyrtuara rezulton se ka qenë i gjykuari, i cili nëpërmjet vënies në përdorim të dokumenteve të falsifikuar ka bërë të mundur që të sigurojë një pension invaliditeti të pamerituar për shtetasen M.Gj dhe më pas ta përfitojë vetë atë, në padijeni të plotë nga kjo shtetase.

Po ashtu, ka raste në praktikën gjyqësore ku vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri është kryer në vitin 1996 dhe përfitimi i padrejtë për pension të parakohshëm apo pension minatori nëntoke është tërhequr deri në vitin 2021, kur i ka lindur e drejta e ligjshme për të përfituar pension pleqërie. Kallëzimi penal nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore është dorëzuar në organin e ndjekjes penale në vitin 2021, pasi në këtë moment është verifikuar dokumentacioni në bazë të aplikimit online të qytetarit për përfitim të një pensioni tjetër, atij të pleqërisë. Kjo ka ndodhur për shkak se, në vitin 1996 inspektorët përkatës të lidhjes së pensionit të parakohshëm apo të pensionit të minatorit të nëntokës nuk e kanë pasur në rregullore verifikimin e dokumentacionit të paraqitur dhe kanë neglizhuar verifikimin e dokumentacioneve që depozitonte qytetari. Rregullorja e brendshme nr.1, datë 21.10.2008 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve” e Këshillit Administrativ ka filluar të zbatohet prej personelit të Drssh–ve rajonale prej vitit 2008. Përfitimi që mund të vijë nga përdorimi i një dokumenti të falsifikuar është pasojë sekondare dhe jo e domosdoshme e kësaj figure krimi, pasi ajo nuk vjen në çdo rast dhe nga ana tjetër, mosardhja e saj nuk përbën shkak që vepra penale e falsifikimit të dokumenteve të ngelet në tentativë.

Në praktikën e Gjykatës së Lartë, që ka pranuar zbatimin korrekt të ligjit penal nga ana e gjykatave të faktit është nënvizuar se teoria e së drejtës penale dhe jurisprudenca gjyqësore kanë bërë dallimin mes momentit të kryerjes së veprës penale dhe momentit të konsumimit të saj. Vetëm konsumimi i plotë i veprës (pra, diferencimi nëse vepra ka ngelur në tentativë apo është konsumuar plotësisht) është i lidhur me momentin e ardhjes së pasojës, ndërsa kryerja e saj është e qartë, duke patur si moment të saj kryerjen e veprimit ekzekutues. Për pasojë, në nenin 66 të K.Penal, legjislatori në mënyrë të shprehur e ka lidhur fillimin e afateve të parashkrimit të veprës penale me momentin e kryerjes së veprës penale, jo me momentin e konsumimit të saj të plotë apo jo. Momenti i konsumimit të veprës penale te përdorimi i dokumentit të falsifikuar është momenti që autori ia paraqet ato autoritetit përkatës shtetëror apo privat dhe jo momente të tjera të mëvonshme.Vepra penale quhet e konsumuar në momentin që qytetari e dorëzon dokumentacionin e falsifikuar prej tij apo prej organit që e ka lëshuar dhe se inspektori pritës e pranon pa e verifikuar.

Lidhur me ngatërrimin nëse kemi të bëjmë më konsumim nga ana e shtetasit Gj.Z.G, të veprës penale “Mashtrim në sigurime”, parashikuar nga neni 145 i K.Penal, në praktikën gjyqësore - referuar edhe vendimeve të mosfillimit të marra prej organit të akuzës - lëna në fuqi deri në Gjykatën e Lartë[9] theksohet, se: “…në analizë të fakteve dhe provave të parashtruara më lart provohet se nga shtetasi Gj.Z.G janë konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave”, vepër kjo e ndodhur në vitin 1994. Kjo vepër penale në kuptim të dispozitës së Kodit Penal neni 66 është parashkruar. Përsa i përket pjesës së “Mashtrimit në sigurime”si krim vazhdues mendoj se ana e shtetasit GJ.Z.G nuk janë konsumuar elementët e kësaj vepre penale, pasi në datën 03.06.1995 është e konfirmuar se ky shtetas ka mbushur moshën reale dhe ka përfituar pension të plotë pleqërie dhe nga ky moment ky shtetas nuk ka mashtruar. Periudha për të cilën shtetasi Gjon Zef Grizhaj 03.06.1995 ka përfituar në mënyrë të padrejtë pensionin si dhe shumën e përfituar prej tij duhet zgjidhur civilisht dhe administrativisht nga D.R.S.SH. Shkodër dhe këtij shtetasi”.

 

Ndërsa, momenti më qartë i konsumimit të veprës penale (referuar nenit 145 të K.Penal) dallohet në fushën e sigurimeve, në sektorin e transportit, ku Gjykata e Lartë[10] e thekson qartësisht, se: “... krimin e mashtrimit në sigurime i gjykuari R.M e ka konsumuar në momentin e përpilimit të dokumentacionit fiktiv për të provuar rastin e sigurimit, ku nga ana tjetër shoqëria e sigurimit pretendon se nuk ka ndodhur. Nga ana e të gjykuarit R.M janë kryer veprimet për përfituar nga primi i sigurimit më datë 23.02.1999, duke paraqitur kërkesën për shpërblimin e dëmit, së bashku me dokumentacionin shoqërues dhe fakti se ai ka kërkuar shpërblimin e dëmit edhe në rrugë civile nuk përbën anën objektive të veprës penale të parashikuar nga N.145 i K.Penal”.

Përgjegjësia penale është individuale. Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale nuk është shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është objektivisht e paevitueshme. Autorit mund t’i refuzohet e drejta për pension nëse dokumentacioni nuk është në formën e kërkuar nga ligji. Shtetasi mundet përsëri të mos përfitojë pension, nëse nuk kualifikohet nga ligji si përfitues, për arsye të tjera, apo nga fakti se ai pas aplikimit për pension zgjedh të punojë përsëri. Prokuroria dhe organi i Sigurimeve Shoqërore kanë ngritur pretendime se vepra penale e mashtrimit në sigurime përbën krim vazhdues, pasi përfituesi e tërheq pensionin e tij çdo muaj deri në muajin në të cilin është konstatuar prej inspektorit verifikues, se atij i lind e drejta legjitime për përfitim pensioni.

Gjykata e Lartë pranon se nuk jemi para rastit të veprës penale vazhduese në kuptim të veprës penale “Mashtrim në sigurime”,[11] referuar nenit 145 të K.Penal, duke pranuar vetëm konsumim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal dhe arsyetuar se vepra penale vazhduese është, sipas teorisë dhe praktikës gjyqësore, ajo vepër që kryhet me veprime të njëpasnjëshme të përsëritura (pra jo me një veprim), që drejtohet ndaj një marrëdhënie juridike dhe që karakterizohet nga një mendim unik kriminal. Ngatërrimi nga ankuesi i kohës së ardhjes së pasojës kriminale me përsëritjen e veprimeve kriminale të udhëhequra nga një mendim unik kriminal (pra krim vazhdues) sjell cenim të institutit të parashkrimit të ndjekjes penale, i cili ka si funksion depenalizimin e një sjellje (pra, veprimi apo mosveprimi) nëse nga kryerja e tij ka kaluar një kohë e përshtatshme (e parashikuar respektivisht nga neni 66 i K.Penal, sipas ashpërsisë së sanksionit penal që parashikohet për të). Prandaj, në lidhje me këtë moment, Gjykata e vlerëson si të mbështetur në interpretimin e bërë nga prokuroria në lidhje me këtë çështje, duke vlerësuar se edhe konsiderimi i kësaj vepre penale si mashtrim është po ashtu i gabuar, pasi ashtu si është shprehur në raste te tjera, vepra penale e mashtrimit nuk konkurron me veprën penale të falsifikimit të dokumentave. Ky qendrim mbizotërues pranohet edhe në vendime më të hershme në kohë, nga ana e Gjykatës së Lartë,[12] e cila pranon arsyetimet ligjore të gjykatave të shkallëve më të ulëta, se vepra penale e mashtrimit nuk konkurron me falsifikimin e dokumenteve: “Këto vepra kanë objekt dhe anë subjektive të njëjtë, por ato dallojnë nga ana objektive, për pasojë është e pakuptimtë që të aludohet se ato konkurrojnë me njëra−tjetrën, apo se njëra shërben si mjet për të realizuar tjetrën. Ky interpretim do të cenonte parimin e mosdënimit dy herë për të njëjtin fakt penal”.

Për këtë arsye, Gjykata arsyeton se, edhe sikur të ishin të provuara pretendimet e kërkuesit, në këtë rast do të ishim para veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe jo para veprës penale të mashtrimit apo mashtrimit në sigurime, duke theksuar që pretendimi se dokumenti është i falsifikuar nuk është rrjedhojë e një procesi shkencor, por është vlerësuar si i tillë nga komisioni i çertifikueseve të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Shkodër. Mënyra e zgjidhjes së konfliktit civil, duke e cilësuar dokumentin si të falsifikuar, sipas vlerësimit të saj nuk mund të ketë fuqi detyruese lidhur me këtë fakt, për një proces penal. Konkretisht, rezultoi se DRSSH i ka caktuar shtetases L.Q një pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë në vlerën 4,000 lekë në muaj. Gjatë procesit të informatizimit të të dhënave ka rezultuar se, datëlindja e kësaj shtetaseje ndryshon nga 07.06.1948 (siç është pasqyruar në certifikatën e paraqitur prej saj), në 27.06.1948 (siç pasqyrohet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile). Sa më sipër, DRSSH ka paraqitur kallëzim penal, duke pretenduar se kjo shtetase ka mashtruar dhe ka përfituar pension pleqërie mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, duke theksuar Kolegji se e gjen të drejtë edhe arsyetimin e bërë nga Gjykata e Apelit, sipas së cilës, pretendimi i kallëzuesit se kemi të bëjmë me veprën penale të mashtrimit në sigurime, bazuar në përfundimin e arritur nga vet organi për pasaktësi të dokumentit, nuk është një fakt me fuqi detyruese në lidhje me procesin penal.

 

Parashkrimi i ndjekjes penale, koha e kryerjes së veprës penale

 

Vepra penale vazhduese nuk ka të bëjë me kohën se kur vijnë pasojat e një vepre penale, por me dallimin nëse një person do të dënohet disa herë për disa veprime të njëjta kriminale. Në legjislacionin tonë nuk ka një dispozitë që të parashikojë shprehimisht kuptimin e veprës penale vazhduese. Kjo e vështirëson kuptimin dhe zbatimin unik të saj në praktikë, si edhe ngre pikëpyetje nga pikëpamja e legjitimitetit të pranimit të saj. Megjithatë, në teorinë e së drejtës penale shqiptare është dhënë kuptimi i kësaj lloj vepre dhe janë përcaktuar kriteret e këtij instituti, të cilat janë pranuar edhe nga praktika gjyqësore ndër vite.[13] Vepra penale vazhduese pasjell veprime të njëllojta dhe mendim unik kriminal, ndaj veprimet apo mosveprimet formojnë, po të ndahen nga njëri-tjetri, vepra penale më vete. I tillë është krimi i vjedhjes pak e nga pak në mënyrë të vazhdueshme i pasurisë private apo shtetërore, duke patur një mendim unik kriminal.[14]

Në praktikën gjyqësore shqiptare të unifikuar nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.284, dt.15 Shtator 2000 dhe 6 Tetor 2000 arsyetohet se: “Mendimi i vetëm kriminal, si bosht i kërkesës për krimin vazhdues, presupozon që i pandehuri të ketë përpunuar në mendjen e tij zhvillimin e veprimeve konkrete në kohë e hapësirë. Pavarësisht se është “mendim” ai “lexohet” nëpërmjet veprimeve konkrete që kryen i pandehuri për realizimin e veprës penale”. Po ashtu, Gjykata e Lartë në vendimin unifikues nr.284, dt.6 Tetor 2000 arsyeton, se: “Qëllimi në të cilin synon të arrijë autori i krimit, motivi apo shkaku i përbashkët nga është nxitur ai në kryerjen e akteve të veçanta, nuk mund të çojnë në konkluzionin se këto akte duhet të bashkohen në një të vetëm.” 

Për të pasur krim vazhdues[15] duhet të ekzistojnë këto elemente: a) personi të ketë kryer dy ose më shumë veprime apo mosveprime, çdo njëra prej të cilave të mund të konsiderohet si krim më vete; b) veprimet apo mosveprimet e personit të jenë të njëllojta, në kuptimin që me anën e tyre të kryhet e njëjta figurë e krimi, pavarësisht nga karakteri i ndryshëm material që mund të kenë veprimet e shumta.

Me vepër penale vazhduese kuptohet kryerja apo moskryerja e dy a më shumë veprimeve kriminale të njëllojta, me qellim që të zbatohet një mendim i vetëm kriminal i autorit të tyre. Veprimet e veçanta të krijojnë përshtypjen sikur janë kryer disa vepra të veçanta, por në të vërtetë, për shkak të lidhjes së brendshme që ekziston ndërmjet tyre, ato janë pjesë përbërëse e një vepre të vetme. Kjo lidhje organike i bashkon ato nga pikëpamja juridike, në një tërësi të vetme, i bën pjesë të pandashme të së tërës, duke formuar kështu një vepër, veprën penale vazhduese. Kur mungon lidhja organike, nuk ka vepër penale vazhduese, por ekzistojnë aq vepra të veçanta sa është numri i veprimeve apo mosveprimeve të veçanta kriminale, të cilat formojnë figurë juridike më vete.[16] Praktika gjyqësore ka njohur plot raste të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve si krim vazhdues.[17]

E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Kjo dispozitë parashikon se individi ka të drejtë të kërkojë pensionin e tij në çdo kohë dhe se kjo e drejtë nuk shuhet, nuk humbet.[18] Realizimi i detyrave në për forcimin e shtetit të së drejtës kërkon që veprimtaria e aparatit shtetëror të ushtrohet mbi bazën e dokumentacioneve zyrtare të rregullta.[19] Marrëdhënia juridike konkrete që cënohet te vepra e falsifikimi të dokumentave është ajo që garanton veprimtarinë e rregullt të organeve të administratës publike, si edhe të personave privatë në lidhje me hartimin, administrimin dhe lëshimin e dokumenteve, nga veprimet apo mosveprimet kriminale, që sjellin si pasojë cenimin e ligjshmërisë së funksionimit të këtyre organeve, si edhe të të drejtave apo interesave të ligjshëm të shtetasve. Falsifikimi i dokumenteve dhe vepra penale e mashtrimit në sigurime nuk konkurrojnë si vepra penale më vete, sepse subjekti mashtron sigurimet shoqërore, duke depozituar dokumente të falsifikuara.                       

Si kohë e kryerjes së veprës penale vazhduese duhet quajtur koha e kryerjes së veprimit të fundit, sepse veprimet e ndryshme formojnë një tërësi të pandarë. Përcaktimi i kohës së përfundimit të veprës vazhduese ka rëndësi për fillimin e afateve të parashkrimit të ndjekjes penale, që do të fillojnë të llogariten nga momenti i kryerjes së veprimit të fundit. Gjithashtu ka rëndësi edhe për zbatimin e amnistisë. Nëse veprimet e personit vazhdojnë edhe pas bërjes së amnistisë, ajo nuk do të zbatohet për veprimet e kryera përpara hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, sepse vepra konsiderohet unike dhe papërfunduar.[20]Vepra penale e vazhduar konsiderohet si një vepër e vetme dhe, për pasojë, personi do të dënohet vetëm një herë, për të gjitha veprimet e kryera, në përpjesëtim me sasinë e përgjithshme të pasojave të ardhura nga veprat e veçanta. Në aspektin procedural, vendimi përbën gjë të gjykuar (ne bis in idem), për të gjitha veprimet që përbëjnë veprën e vazhduar, përfshirë edhe ato veprime që janë zbuluar pas dhënies së vendimit.[21] Krimi i falsifikimit të dokumentave konkurron[22] me krimin e vjedhjes së pasurisë shetërore apo private. Në vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë nr.6, datë 30.09.2011 parashikohet se faktin që ka më tepër se sa një pasojë të rëndë gjykata duhet ta marrë parasysh në caktimin e masës së dënimit, prandaj vepra penale nuk duhet të cilësohet sipas pasojave të ardhura, por ajo duhet të cilësohet një herë si vepër penale e “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 141 dhe 25 të K.Penal. Kjo pasi elementi i parë i  veprës penale vazhduese është ekzistenca e një apo më shumë veprimeve, por jo e sasisë apo kohëzgjatjes së pasojave.

Kodi Penal parashikon se, për krimet e parashikuara me dënim gjer në pesë vjet apo me gjobë parashkruhet ndjekja penale, kur nga kryerja e veprës deri në marrjen e personit si të pandehur kanë kaluar pesë vjet.

Për pasojë, për kuptimin e qartë të  veprës penale vazhduese duhet të përcaktohen kritere më të detajuara, që gjykatat t’i kenë parasysh për të dalluar në rastet konkrete nëse kemi të bëjmë apo jo me figurë vazhduese, duke u ndërtuar baza juridike e pranimit të kësaj lloj vepre, pasi nuk ka parashikim ende në ligjin penal. Sa më sipër, e nevojshme është që në K.Penal të parashikohet dhe rregullohet shprehimisht kuptimi i veprës penale vazhduese, për të legjitimuar pranimin e këtij instituti, i cili ndikon në kuptimin e figurave të veprave penale, dallimeve mes tyre, kohës së kryerjes dhe aplikimit të institutit të parashkrimit në mënyrë uniforme dhe ligjore. Gjithashtu, Gjykata e Lartë kam mendimin se duhet të plotësojë dhe qartësojë vendimin unifikues të saj, ku të përcaktojë disa kritere orientuese për gjykatat e faktit, për një zbatim sa më të drejtë në rastet konkrete.

Në rastin e mashtrimit në sigurime, afati pesë vjeçar i parashkrimit fillon prej momentit kur personi ka kryer veprën e mashtrimit dhe duke qenë se pretendohet prej organit të ndjekjes penale si krim vazhdues, data e kryerjes së veprës konsiderohet edhe tërheqja e fundit mujore të pensionit prej individit që ka depozituar dokumentacionin e falsifikuar, me anë të së cilit është lidhur pensioni i pleqërisë. Tërheqja e fundit e masës së pensionit të përfituar në bazë të dokumentacionit të falsifikuar përkon me momentin kur subjektit i ka lindur e drejta legjitime për përfitim të pensionit të pleqërisë. Këto janë raste praktike të hasura prej DRSSH Vlorë, për të cilat ende nuk ka unifikim.[23]

    

Format e falsifikimit të dokumenteve

 

Falsifikimi i dokumenteve, mund të kryhet nëpërmjet dy formave: falsifikimit të dokumenteve, ku është e domosdoshme zbulimi i autorësisë së veprimit të falsifikimit për konfigurimin e kësaj forme të kryerjes së veprës penale; përdorimit të dokumenteve të falsifikuara nga vetë personi që e ka kryer falsifikimin apo nga një person tjetër që ka interes për përdorimin e tij, kur rëndësi ka identifikimi i përdoruesit të dokumentit të falsifikuar. Forma e dytë përdoret nga pensionistë, që depozitojnë pranë organit publik, dokumentacione të falsifikuara.

Vepra penale e falsifikimit të dokumentave është në rrethana të cilësuara: 1. Kur kryhet në bashkëpunim nga dy ose më shumë përsona me marrëveshje. II. Kur kryhet më shumë se një herë, në intervale kohore të ndryshme, duke e konsideruar krimin vazhdues.[24] III Kur ka sjellë pasoja të rënda, pra, kur falsifikohen me shumicë të madhe libreza pune apo dokumentacione, duke bërë të mundur që personi të përfitojë pension përpara plotësimit të kushteve apo përpara mbushjes së moshës.[25] IV.Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të nxjerrë dokumentin, subjekti i posaçëm.

             Vepra penale e falsifikimit të dokumenteve mund të bëhet në dy mënyra: i. si falsifikimim “material”, duke vepruar drejtpërsëdrejti mbi dokumentin, duke i bërë shtesa a tjetërsime të paligjshme, ose me çdo veprim tjetër material një dokumenti ekzistues të mëparshëm;[26] ii. si falsifikim “intelektual” me mënyrë tjetër, që konsiston në falsifikimin përmbajtjes së dokumentit, pa prekur formën e tij, duke ndryshuar konceptin dhe brendinë e dokumentit.[27]

Kuptimi i provës së llojit “dokument”[28] është mjaft i zgjeruar dhe kapërcen shumë herë kuptimin e ‘dokumentit shkresor’, tradicionalisht të kuptuar si të tillë. Kështu, nëse në procesin e shqyrtimit gjyqësor, gjykata verifikon se akti i marrë me cilësinë e dokumentit është i falsifikuar[29], sepse nuk është autentik ngaqë është imituar apo ndryshuar (falsifikim material) apo sepse është i pavërtetë edhe pse autentik, i përmbushur nga vetë autori i tij (falsifikim intelektual), automatikisht e përjashton atë nga aktet mbi të cilat do të krijojë besimin dhe bindjen mbi ekzistencën e faktit objekt i gjykimit.

 

 

Faji

 

Që të kemi vepër penale, përveç elementëve të trajtuara më sipër, të cilat kanë karakter objektiv, ligji penal kërkon përmbushjen edhe të një elementi tjetër të karakterit subjektiv. Në nenin 14 të Kodit parashikohet, se: “askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër penale, në qoftë se vepra nuk është e kryer me faj”. Elemente të anës subjektive të figurës së veprës penale janë faji, motivet dhe qëllimet. Faji është një element përbërës i domosdoshëm për çdo figurë të veprës penale. Pa faj nuk mund të ketë vepër penale dhe as dënim (Nullum crimen, nulla poena sine culpa).             Ndërsa, motivet dhe qëllimet janë elemente plotësuese, jo të domosdoshme për të gjitha figurat e veprës penale. Nga përmbajtja e këtij neni del se nuk jepet përcaktimi i kuptimit të fajit, por sanksionohet parimi i fajësisë si bazë e përgjegjësisë penale dhe parashikohen format e fajit; dashja dhe pakujdesia.[30]  Dashja është një nga format e fajit. Kuptimi i saj, jepet në nenit 15 të K.Penal, sipas të cilit: “Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre”.

Në teorinë e të drejtës penale, nisur nga ky përkufizim, dallohen dy forma të paraqitjes së dashjes: dashja e drejtpërdrejtë apo direkte dhe dashja indirekte apo eventuale. Ndërsa, vepra konsiderohet e kryer me dashje të paramenduar kur mendimi për të kryer një vepër penale lind te personi mjaft kohë përpara se të kryhet ajo. Ky person parashikon me kohë veprën, pasojat, mjetet dhe rrethanat e tjera në të cilat do të veprojë, për të arritur rezultatin e dëshiruar[31]. Dashja e drejtpërdrejtë[32] karakterizohet nga fakti që personi është i vetëdijshëm se me veprimin apo mosveprimin e vet kryen veprën penale, ndërkohë që parashikon dhe dëshiron ardhjen e pasojave të dëmshme. Dallimi ndërmjet dashjes së drejtpërdrejtë dhe indirekte ka rëndësi të madhe praktike në caktimin e llojit dhe masës së dënimit ndaj autorit të veprës penale. Kjo për arsye se, personi që vepron me dashje të drejtpërdrejtë, që paraqet shkallën më të lartë të fajësisë, gjithashtu paraqet rrezikshmëri shoqërore më të madhe se sa personi që vepron me dashje indirekte.[33]

 

 Falsifikimi i dokumentave dhe shpërdorimi i detyrës nga punonjësit e organit publik

 

Falsifikimi i dokumentacionit dhe shpërdorimi i detyrës janë dy vepra penale që nuk konkurrojnë sepse vepra penale e shpërdorimit të detyrës e përthith veprën tjetër dhe nuk qëndrojnë si dy vepra penale më vete.

Falsifikimi i dokumentacionit nga punonjësit e sigurimeve shoqërore ka patur raste që kanë ndikuar në skemën e mashtrimeve, duke favorizuar qytetarin me anë të korrupsionit aktiv apo pasiv.

Në dallim nga shpërdorimi i detyrës, që parashikon si element kryesor të domosdoshëm të anës objektive veprimin apo mosveprimin në kundërshtim me ligjin dhe vetëm si pasojë dëmtimin, midis të tjerave, të interesave pasurore të shtetit, shtetasve apo personave juridikë, te vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën, megjithëse në çdo rast veprimi vjen në kundërshtim me ligjin apo aktet nënligjore, elementi kryesor i domosdoshëm i anës objektive është shtënia në dorë, përvetësimi i pasurisë.

Krimi i vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën nuk konkurron me krimin e shpërdorimit të detyrës. Përjashtim bëjnë rastet kur janë krime më vete me elementet përbërëse të çdo figure. Është e diskutueshme nëse krimi i vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën konkurron me falsifikimet. Përthithjen e veprës penale të falsifikimit, kur ka shërbyer si mjet për shtënien në dorë të pasurisë që synohet për vjedhje, nga vepra penale e vjedhjes e ka konfirmuar edhe Gjykata e Lartë në vendimin unifikues penal nr.3, datë 2.11.2015,[34] në zgjidhjen që i ka dhënë çështjes penale konkrete. Në teorinë e së drejtës penale është shfaqur mendimi që, pavarësisht se sipas praktikës gjyqësore të mëparshme pranohej që falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga personi zyrtar nuk konkurronte me shpërdorimin e detyrës (dhe për pasojë as me vjedhjen e kryer duke shpërdoruar detyrën) po qe se shpërdorimi i detyrës kryhej nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve zyrtare, aktualisht, duke u nisur nga struktura e Kodit Penal ku krimi i falsifikimit nuk përfshihet në kreun e krimeve në detyrë, të gjitha arsyet janë që të pranohet konkurrimi i krimit të falsifikimit të dokumenteve me krimin e shpërdorimit të detyrës. I njëjti arsyetim vlen edhe për vjedhjen e kryer duke shpërdoruar detyrën, në kushtet që kjo nuk konkurron me shpërdorimin e detyrës.

 

Përfundime

 

Në këtë punim jam përpjekur të identifikoj qëndrime të ndryshme të disa gjykatave në tri shkallët e gjykimit, të ndërlidhura edhe me vendimmarrjet e organit të akuzës për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, e përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit në sigurime”, duke paraqitur edhe elementët dallues të figurave për secilën vepër.

Qëndrimi mbizotësues në praktikën gjyqësore reflekton që vepra penale e mashtrimit në sigurime nuk konkurron me atë të falsifikimit të dokumenteve. Këto vepra kanë objekt dhe anën subjektive të njëjtë, por ato dallojnë nga ana objektive, për pasojë është e pakuptimtë që të aludohet se ato konkurrojnë me njëra−tjetrën, apo se njëra shërben si mjet për të realizuar tjetrën. Ky interpretim do të cënonte parimin e mosdënimit dy herë për të njëjtin fakt penal, sepse i pandehuri nuk duhet të mbajë përgjegjësi penale për falsifikimin, duke theksuar që, pavarësisht nëse provohet ta ketë kryer falsifikimin, veprimet e tij në lidhje me përdorimin e dokumenteve të falsifikuar janë pjesë përbërëse e realizimit të qëllimit kriminal të mashtrimit në sigurime.

Po ashtu, jurisprudenca gjyqësore ka pranuar se nuk jemi para rastit të veprës penale vazhduese në kuptim të veprës penale “Mashtrim në sigurime”, referuar nenit 145 të K.Penal, duke pranuar vetëm konsumim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal, por në raste të tjera edhe vetëm konsumim vetëm të veprës penale “Mashtrim në sigurime”, parashikuar në nenin 145 të K.Penal, e cila është konsumuar në momentin e përpilimit të dokumentacionit fiktiv, referuar qëllimit të posaçëm, duke arsyetuar se vepra penale vazhduese sipas teorisë dhe praktikës gjyqësore është ajo vepër që kryhet me veprime të njëpasnjëshme të përsëritura (pra, jo vetëm me një veprim), që drejtohet ndaj një marrëdhënie juridike dhe që karakterizohet nga një mendim unik kriminal, duke mos pasur ende një kuptim dhe zbatim ligjor të drejtë në praktikë për këtë të fundit.

Sa më sipër, e nevojshme është që në Kodin Penal të parashikohet dhe rregullohet shprehimisht kuptimi i veprës penale vazhduese, për të legjitimuar pranimin e këtij instituti, që ndikon në kuptimin e figurave të veprave penale, dallimeve mes tyre, kohës së kryerjes së veprave penale dhe aplikimit të institutit të parashkrimit të ndjekjes penale në mënyrë uniforme e ligjore nga prokuroritë dhe gjykatat. Gjithashtu, Gjykata e Lartë duhet të plotësojë dhe qartësojë vendimin unifikues të saj për veprën penale vazhduese, ku të përcaktojë disa kritere orientuese për gjykatat e faktit, për një zbatim sa më të drejtë në raste konkrete.

-----------------------------------------------------

 

Literatura:

 

Akte normative

­   Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, Botim i Qendrës së Publikimeve Zyrtare, 2021, i përditësuar

­   Kodi i Procedurës Civile, miratuar me ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, i ndryshuar, Botim i Qendrës së Publikimeve Zyrtare, datë 23.06.2021, i përditësuar

­   Ligji Nr.7703, datë 11.05.1993 ”Për Sigurimet Shoqërore në RSh”, i ndryshuar

­   Udhëzimi nr.1, datë 10.01.1966 i Plenumit të Gjykatës së Lartë.

 

            Doktrinë

­   Zhaklina Çuçi (Peto), Sistemet e Mbrojtjes Shoqërore, Shtëpia Botuese “Ilar”, Tiranë  2007

­   Shefqet Muçi, E Drejta Penale, Pjesa e Përgjithshme, Botim i përditësuar, Shtëpia Botuese “Dudaj”, Tiranë 2007

­   Vllado Kambovski, “E Drejta Penale, Pjesa e Përgjithshme”, Botimi i II, përkthyer në shqip nga A. Osmani dhe I. Zejneli, Shtëpia Botuese “Furkan ISM”, Shkup 2007

­   Ismet Elezi, E drejta penale, pjesa e posaçme (azhornuar dhe plotësuar me shtesat dhe ndryshimet e bëra nga reformat ligjore gjatë viteve 2001 – 2007), Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë 2008

­   I.Elezi dhe të tjerë, Komentari i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, Shtëpia Botuese “GEER”, Tiranë 2006

­   Dhimitër Lara, Koment mbi Kodin e Procedurës Penale, Pjesa e Parë, Botim i Shkollës së Magjistraturës, Tiranë 2010

­   E Drejta Penale e RPSSH, Pjesa e Përgjithshme, Botim i Gjykatës së Lartë të RPSSH dhe Universiteti i Tiranës, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982

 

Jurisprudencë

­   Vendime të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë: nr.284, datë 15.09.2000 dhe 6 Tetor 2000; nr.6, datë 30.09.2011; nr.3, datë 02.11.2015;

­   Vendime të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë: nr. 10, datë 04.02.2009; nr.617, datë 16.06.2010; nr.00-2012-1677 (356), datë 20.12.2012; nr.00-2012-948 (140), datë 24.04.2013; nr. 00-2017-659 (116), datë 19.07.2017; Nr.00-2021-48, datë 29.01.2021; nr.00-2021-61, datë 29.01.2021; nr. 00-2021-94, datë 05.02.2021

­   Vendimi nr.267, datë 01.03.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

­   Vendimi nr.184, datë 16.02.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

 

 



[1] Zhaklina Çuçi (Peto), Sistemet e Mbrojtjes Shoqërore, Shtëpia Botuese ‘Ilar’, Tiranë  2007: Gjithçka që grumbullohet sot, ndahet po e tëra sot në drejtim të përfituesve të skemës së kontributeve të Sig. Shoqërore. Në bazë të Kodit të Punës lejohet punësimi i personave në moshë. Ligji i Sig. Shoqërore lejon që një pensionist të punojë, por duke hequr dorë nga pensioni

[2] Shih nenin 246 të KPRC

[3] Shih nenin 254 të KPRC

[4] Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon se kualifikimi nga gjykatat e faktit i veprimeve të të gjykuarit P. Gj. si mashtrim (vepër penale e parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal) është i gabuar, duke arritur në konkluzionin se me veprimet e veta ka kryer veprën penale të mashtrimit në sigurime, të parashikuar nga neni 145 i Kodit Penal. Vendimi Nr.00-2012-1677 (356), datë 20.12.2012 i Gjykatës së Lartë. Kjo e ka quajtur si kusht sine qua non të ekzistencës së falsifikimit të dokumenteve, qëllimin e të pandehurit për përfitim material, me Vendimin Nr.10, datë 04.02.2009 Gjykata e Lartë e ka deklaruar të pafajshëm të gjykuarën A.H. me arsyetimin, se: “Vepra penale e falsifikimit të dokumenteve, parashikuar nga neni 186 i K.Penal kryhet gjithmonë me dashje direkte, por krahas kësaj është e domosdoshme që të provohet se falsifikimi është bërë me qëllim fitimi, ose çdo interesi tjetër personal, element ky që gjykatat nuk e kanë patur parasysh në marrjen e vendimit.

[5] Shih Vendimin Nr.617, datë 16.06.2010 të Gjykatës së Lartë, i cili thekson, se: “Ky kolegj vlerëson të nënvizojë qëndrimin e tij, të mbajtur ndërkohë gjatë shqyrtimit të çështjeve të ngjashme, se në mungesë të qëllimit të fitimit, apo nxjerrjes së një përfitimi tjetër nga përdorimi i dokumentacionit të falsifikuar, asnjë subjekt nuk mund të deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal.”

[6] Rasti në fjalë ka të bëjë me të gjykuarin P. Gj., i cili duke përfituar nga mungesa e interesimit dhe pamundësisë fizike të shtetases M. Gj. për t’u interesuar pranë institucioneve si dhe duke shfrytëzuar mirëbesimin që ajo kishte tek ai, i ka lindur mendimi kriminal që të përfitonte padrejtësisht nga fondi i sigurimeve shoqërore një pension invaliditeti, në emër të kallëzueses M. Gj. Për të realizuar këtë qëllim i gjykuari pa dijeninë e përfitueses, shtetases M. Gj., ka përdorur një sërë dokumentesh tërësisht të falsifikuara mbi bazën e të cilave D.R.S.SH. Lezhë i ka lidhur asaj një pension invaliditeti të pamerituar.

[7] Shih në nenin 145 të Kodit Penal

[8] Ismet Elezi, E drejta penale e posaçme, Shtëpia Botuese ‘Erik’, Tiranë 2008 (azhornuar dhe plotësuar me shtesat dhe ndryshimet e bëra me reformat ligjore të viteve 2001-2017): Termi “mashtrimi i sigurimeve” nënkupton një veprim të qëllimshëm të kryer nga një person për të marrë një përfitim që ai ose ajo nuk ka të drejtë të marrë. Në nenin 145 të Kodit Penal  parashikohet, se: “Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Objekt i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar realizimin e drejtë të sigurimit,të mbrojtur posaçërisht nga legjislacioni penal dhe nga veprimet dhe mosveprimet kriminale. Krimi kryhet me anë të paraqitjes së rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentacion nga çdo person që ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm, me dashje të drejtëpërdrejtë për të përfituar padrejtësisht sigurime.

[9] Ref. përmbajtjes së Vendimit Nr.00-2021-48, datë 29.01.2021të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

[10] Vendimi Nr.00-2012-948 (140), i datës 24.04.2013 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

[11] Po, i njëjti vendim i Gjykatës së Lartë Nr.00-2021-48, datë 29.01.2021

[12] Vendimi Nr.00-2021-94, datë 05.02.2021 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

[13] Shih, Udhëzimin nr.1, dt.10.01.1966 të Plenumit të Gjykatës së Lartë

[14] Shefqet Muҫi te “E Drejta Penale, Pjesa e Përgjithshme”, botim i përditësuar, Shtëpia Botuese Dudaj”, Tiranë 2007 e përkufizon veprën penale vazhduese si ajo vepër që kryhet me dy ose me shumë veprime apo mosveprime të njëllojta, në kuadrin e një mendimi të vetëm krimi

[15] Shih Udhëzimin Nr.1 datë 10.01.1966 e Plenumit të Gjykatës Lartë

[16] Vep. e cit. Shefqet Muçi, “E Drejta Penale, Pjesa e Përgjithshme”, botim i përditësuar, Shtëpia Botuese “Dudaj”, Tiranë 2007, fq. 331

[17] Në vendimin Nr.267, datë 01.03.2011 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, ku është deklaruar fajtor shtetasi K.H., për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, sipas nenit 186/1 i Kodi Penal, pasi  ky shtetas duke falsifikuar disa dokumente, në kohë të ndryshme, por duke kryer veprime të njëllojta, pranohet se ka kryer vetëm një vepër penale dhe jo disa (pasi të gjitha ato vepra janë kryer me një mendim unik kriminal) apo vendimi tjetër i Gjykatës së Rrethit Tiranë, me nr.184, datë 16.02.2011, me një situatë të ngjashme si e mësipërmja.

[18] Shih Ligjin Nr.7703, datë 11.05.1993 ”Për Sigurimet Shoqërore në R.Sh.”, i ndryshuar, neni 62 i të cilit parashikopn, se: “E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre; Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.”

[19] Kodi i Procedurës Civile, i ndryshuar, neni 254. Sipas dispozitave të Kodit të Procedurës civile, shkresat kanë fuqi provuese kur janë hartuar në formën e caktuar, kanë elementet e nevojshme për vlerën e tyre, nuk janë të copëtuara, të grisura  ose    shuara,  nuk  kanë  gërvishtje,  ose  shtesa  midis  rreshtave,ose çrregullime të tjera me shuarje dhe mund të lexohen.  Aktet zyrtare që dalin nga organet shtetërore dhe që përmbajnë një urdhër, një vendim ose çdo masë tjetër të marrë prej tyre ose që tregojnë kryerjen e një veprimi nga ana e këtyre organeve, përbëjnë provë të plotë për përmbajtjen e tyre.

[20] Shih: I. Elezi dhe të tjerë, “Komentari i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, Shtëpia botuese “GEER”, Tiranë 2006, fq. 285 dhe fq. 301

[21] Shih: Vllado Kambovski, “E Drejta Penale, Pjesa e Përgjithshme”, Botimi II, përkthyer në shqip nga A. Osmani dhe I. Zejneli, Shtëpia Botuese “Furkan ISM”, Shkup 2007, fq. 420-421

[22] Ismet Elezi, “E drejta penale, pjesa e posaçme” (azhornuar dhe plotësuar me shtesat dhe ndryshimet e bëra nga reformat ligjore gjatë viteve 2001 – 2007), Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë 2008

 (azhornuar e plotësuar me shtesat dhe ndryshimet e bëra me reformat ligjore të viteve 2001-2017) Me falsifikim të dokumentave do të kuptojmë paraqitjen në dokument të rrethanave të rreme ose përpilimin e një dokukumenti krejtësisht të falsifikuar si dhe përdorimin e tyre ne qarkullimin juridik. Psh ndryshon afatin kohor të vjetërsisë në punë duke përfituar pension pleqërie apo invaliditeti apo familjar jo në kohën e duhur. Për shembull, personi paraqet pranë organit të Sig Shoqërore një librezë pune të falsifikuar.Duhet mbajtur parasysh se vepra penale e falsifikimit të dokumentave nuk kërkon si element të saj qëllimin e fitimit, por mjafton që te këto dokumenta të pasqyrohen të dhëna të pavërteta. Personi që kërkon të përfitojë pension prej organit të Sigurimeve Shoqërore aplikon duke depozituar një dokumentacion për të cilin është në dijeni se është i falsifikuar. Personi kërkon të përfitojë prej fondeve të organit të Sigurimeve duke menduar se nuk do të zbulohet dhe duke mos e menduar pasojën.

[23] Me njoftim për përfundim të hetimeve del se vepra penale është konsumuar në Qytetin e Vlorës, nëpërmjet tërheqjes së pensionit, vepër e cila është konumuar deri në datën kur subjektit i ka lind e drejta reale për pension pleqërie.Nga sa më sipër provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se është konsumuar vepra penale e mashtrimit me sigurime e për këtë arsye do të dërgohet në gjyq pranë gjyqtarit të seancës paraprake në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

[24] Vendim Nr.284, datë 15.09.2000 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë: “Për të patur krim vazhdues duhet që secila vepër të qëndrojë si akt më vete,veprimet ose mosveprimet e të pandehurit të konsumojnë të njëjtën figurë të veprës penale,të ekzistojë një mendim kriminal, i cili të bashkojë aktet e vecanta në një tërësi të vetme të pandashme, që personi të ketë parashikuar hollësitë reth veprimtarisë së tij kriminale,siç janë koha, mjetet, format, mënyra e kryerjes së krimit.

[25] I. Elezi dhe të tjerë, Komentari i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, Shtëpia botuese “GEER”, Tiranë 2006 parashikon se:Falsifikimi i akteve të Gjendjes civile, regjistrat, certifikatat e lindjes apo ndryshime në to, duke përdorur aktet e gjendjes civile,  psh vë në përdorim certifikatën e vdekjes për të marrë kompesim nga sigurimet shoqërore. Certifikatat e falsifikuara janë përdorur për një kohë të gjatë dhe kanë nxjerrë përfitime materiale, duke përfituar pension të padrejtë.

[26] Vendimi Nr.00-2017-659 (116), datë 19.07.2017 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ku në përmbajtje të tij arsyetohet se:Për të kryer krimin e falsifikimit të dokumentave,kërkohet që i personi i pandehur të dijë se dokumenti përmbante të dhëna që nuk i përgjigjen realitetit dhe i përdor ato për të nxjerrë përfitime. Personat duke paraqitur rrethana të rreme në dokumentacionin e falsifikuar, sikur personi me të cilin kanë marrëdhënie familjare, është i sëmurë, mund të  përfitojnë padrejtësisht pension invaliditeti duke dëmtuar interesat pasurore, jo të personit i cili nuk ka kushtet per përfitim pensioni pleqërie apo invaliditeti, por të entit që i lëshon këto fonde. Në çdo rast çmohet interesi i të gjykuarit për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, pasi pa to nuk do të ishte e mundur hedhja në dorë e pensionit. Personat nuk do të mbajnë përgjegjësi penale për falsifikimin, jo për faktin se nuk provohet ta kenë kryer, por se veprimet në lidhje me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara janë pjesë përbërëse e realizimit të qëllimit kriminal të mashtrimit në sigurime.”

[27] Shih nenin 62, pika 3, parag.4 në Ligjin Nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në RSH”, i ndryshuar: “Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50% e këstit mujor të përfitimit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.”

[28] Dhimitër Lara, Koment mbi Kodin e Procedurës Penale, Pjesa e Parë, Botim i Shkollës së Magjistraturës, Tiranë 2010, fq.583

[29] Vep. e cit., Dhimitër Lara, Koment mbi Kodin e Procedurës Penale, Pjesa e Parë, fq.590

[30] I. Elezi dhe të tjerë, Komentari i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, Shtëpia Botuese ‘GEER’, Tiranë 2006, fq. 111

[31] E Drejta Penale e RPSSH, Pjesa e Përgjithshme, Botim i Gjykatës së Lartë të RPSSH dhe Universiteti i Tiranës, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982, f. 152.

[32] Figura e veprës penale e "Mashtrimit në sigurime", parashikuar nga neni 145 i Kodit Penal kërkon si formë faji dashjen e drejtpërdrejtë. Ref. Vendimit Nr.00-2021-61, datë 29.01.2021 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

[33] Për më tepër shih po aty

[34] Shih Vendimin nr.3, datë 02.11.2015 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, paragr. 40. 418. Siç është përmendur në vendimin unifikues penal nr.3, datë 2.11.2015, të Gjykatës së Lartë, paragr.52, me nocionin “ruajtje të pasurisë” do të kuptojmë mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e pasurisë, me qëllim që të mos e sulmojnë, dëmtojnë apo vjedhin atë. Personi që ruan pasurinë është ai i cili është ngarkuar për ta mbajtur apo për t’u kujdesur për atë pasuri. Ndërsa, me nocionin “administrim” të pasurisë do të kuptojmë kujdesin e treguar për pasurinë, që ajo të përdoret mirë sipas rregullave ose sipas nevojave për ruajtjen e asaj pasurie, në bazë të drejtimit dhe organizimit të punës në një fushë të caktuar, në bazë të rregullave teknike dhe ligjeve përkatëse të shtetit