E D I T O R I A L

Tashmë është bërë e qartë që konsultimi publik në hartimin dhe miratimin e projektakteve ligjore dhe nënligjore është një aspekt i rëndësishëm i mirëqeverisjes, çka bën të mundur pjesëmarrjen e grupeve të interesit dhe çdo qytetari në procese të rëndësishme vendimmarrëse. Një nga arsyet kryesore përse synohet konsultimi në këto procese është nevoja për të mundësuar pranimin më të gjerë të legjislacionit, strategjive dhe politikave të zhvillimit, për rrjedhojë, edhe lehtësimin gjatë zbatimit të tyre. Në këtë kuptim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në Tetor të vitit 2014 ligjin Nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, i cili hyri në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, përkatësisht më 24 Maj 2015.

 

            Por, ndonëse po mbushen pra pothuajse shtatë vjet nga fillimi i zbatimit të këtij ligji, që mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së organeve publike për hartimin dhe miratimin e akteve ligjore me interes publik, kombëtar dhe vendor, nga disa sondazhe të kryera me aktorë të grupeve të interesit vihen re nivele relativisht të ulta të konsultimit efektiv me palët e interesuara, duke cenuar deri diku transparencën e proceseve vendimmarrëse të projektakteve.    

            Më evidente bëhet nevoja e konsultimit me avokatët. Jo vetëm për faktin se në vendin tonë numrin më të madh të pjesëtarëve ndër kategoritë e profesionistëve të ligjit e zë komuniteti i avokatëve, brenda të cilit ushtrohen kapacitetet juridike në vazhdimësi dhe për një sferë të gjerë çështjesh të natyrave të ndryshme, por edhe se me këto tipare - në mbrojtje ligjore të qytetarëve në mënyrë të veçantë, si edhe të grupeve specifike të interesit - në vetvete ky komunitet përbën gjithashtu një grup interesi.

            Mirëpo organet qendrore dhe ato lokale nuk janë kujtuar t’i ofrojnë  Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë dhe dhomave vendore të Avokatisë mundësinë e një konsultimi të vazhdueshëm për projektakte të ndryshme. Konkretisht, kjo mundësi nuk u arrit të realizohej as për projektin e shtesave dhe ndryshimeve të Kodit të Familjes, sikurse nuk po duket të arrihet as për hartimin e Kodit të ri Penal. Gjithashtu, me propozimin së fundmi për disa ndryshime në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë”,  ministria e Financave nuk iu drejtua komunitetit të avokatëve, ndonëse nga kjo ministri thuhet se propozimin e saj e ka hedhur për konsultim publik. Pa folur pastaj për marrëdhëniet në këtë drejtim të administratave të bashkive, që nuk ndodh t’u kërkojnë edhe anëtarëve të dhomave vendore të Avokatisë këshillimin për projektaktet, të cilat duhet të miratohen nga këshillat bashkiakë.

            Aq më tepër që ligji përcakton shprehimisht ato projekte që duhet t’i nënshtrohen njoftimit dhe konsultimit publik, sikurse parashikon edhe kufizime mbi përmbushjen e tij, siç mund të përmendim në këto kufizime ato që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë kombëtare (për aq sa përbëjnë sekret shtetëror), me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe apo shumëpalëshe, aktet administrative individuale dhe ato me karakter normativ, përveçse kur me ligj të veçantë parashikohet ndryshe, aktet normative me fuqinë e ligjit, emergjencat civile etj.    

Ndërkohë që ligji Nr. 146/2014 detyron çdo organ publik të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar transparencën e procesit të njoftimit dhe konsultimit publik, që institucionet publike të cilat ushtrojnë veprimtari politikëbërëse dhe vendimmarrëse janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të palëve të interesuara, nëpërmjet hartimit dhe publikimit të planit vjetor të vendimmarrjes të institucionit përkatës. Pavarësisht se ligji nuk parashikon detyrime specifike për strukturën dhe përmbajtjen e këtij plani, rregullat e përgjithshme të procesit të njoftimit dhe konsultimit publik mund të orientojnë institucionet, se planet vjetore duhet të përmbajnë së paku aktet që do të konsultohen me publikun, periudhën dhe mënyrën e konsultimit, si edhe një informacion shpjegues për objektin dhe qëllimin e projektaktit përkatës.

Kështu, moszbatimi i detyrimit nga disa institucione për të publikuar planet vjetore të vendimmarrjes i privon grupet e interesit nga e drejta për t’u njohur paraprakisht me projektaktet për të cilat kanë interes që të japin mendime dhe sugjerime, rrjedhimisht për të bërë të mundur një planifikim realist, për të kontribuuar në kohë dhe me cilësi gjatë procesit të mëpasshëm të njoftimit publik për këto projektakte. Gjithashtu, moszbatimi i këtij detyrimi i privon grupet e interesit edhe nga e drejta, që vetë ligji ua njeh, për t’u propozuar organeve publike fillimin e procedurës për hartimin dhe miratimin e projekteve, sipas planit të vjetor të vendimmarrjes.

Në këto kushte është gjithashtu e nevojshme që vetë avokatët dhe dhomat vendore të tyre të tregohen më aktivë, për të ndikuar me përfshirjet e veta në procese vendimmarrëse, së bashku me qytetarët dhe krahas organizatave të shoqërisë civile, medias, aktorëve të biznesit, trupave akademike dhe palëve të tjera të interesuara drejtpërdrejtë apo tërthorazi, Tek e fundit,  pjesëmarrja në konsultimin publik pasqyron nivelin e demokratizimit të një vendi. Prandaj një sërë organizmash ndërkombëtarë, si Asambleja e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian i japin rëndësi të veçantë pjesëmarrjes së publikut në proceset vendimmarrëse, nëpërmjet hartimit të dokumenteve përkatëse, të cilat jo vetëm paraqesin parimet e përgjithshme rregullatore, por edhe ngrenë instrumente që bëjnë të detyrueshme respektimin e këtyre parimeve.