Lorena ÇABEJ

Ndihmësmagjisrate pranë Gjykatës së Lartë,

Tiranë

 

Hyrje

 

Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, legjislacioni procedural civil, penal dhe administrativ, pësoi disa ndryshime thelbësore, në kuadrin e përgjithshëm të reformës në sistemin e drejtësisë. Ndryshimet ligjore synuan ekonomizimin e procesit gjyqësor, garantimin e afatit të arsyeshëm të gjykimit, efiçiencën në dhënien e drejtësisë, në përputhje me standardet e përgjithshme ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë. Neni 141 i Kushtetutës, i ndryshuar me ligjin nr. 76/2016 datë 22.7.2016 parashikon: “1. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit.

 2. Për ndryshimin e paktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.”

Kodi i Procedurës Civile (në vijim KPC) ka pësuar ndryshime fillimisht me ligjin nr. 38/2017 dhe së fundmi me ligjin nr. 44/2021. Një pjesë e konsiderueshme e ndryshimeve ligjore kanë përfshirë edhe dispozitat që rregullojnë gjykimin në Gjykatën e Lartë. Krahas qëllimit të përgjithshëm për një sistem drejtësie eficient, ato synuan përshtatjen e procedurës së gjykimit me rolin thelbësor kushtetues të reformuar të Gjykatës së Lartë, sikurse është roli nomofilatik mbi zhvillimin, njësimin apo unifikimin e praktikës gjyqësore, në kuadër të ushtrimit të funksionit të saj si gjykatë ligji. Në përputhje me të, janë rikonceptuar, shkaqet për të cilat palët ndërgjyqëse mund t’i adresohen Gjykatës së Lartë nëpërmjet rekursit, gjykimi i çështjeve si rregull në dhomë këshillimi (de plano) dhe po ashtu edhe kompetencat vendimmarrëse të Gjykatës së Lartë në çështjet konkrete. Në vijim do të trajtohen ndryshimet kryesore që solli ligji nr. 44/2021 në lidhje me procedurën e gjykimit dhe vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë, e parë në këndvështrim të praktikës gjyqësore, në ilustrim edhe të rasteve konkrete.

 

Shkaqet e rekursit

 

Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 35/2017 do të ndryshonte së pari, neni 472 i KPC që paraqet shkaqet e rekursit në Gjykatën e Lartë. Vendimet e shpallura nga gjykata e apelit dhe ato të shkallës së parë në rastet që parashikohen në këtë Kod mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë:

a) për zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural, të një rëndësie themelore për njehsimin, sigurinë dhe/ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;

b) kur vendimi i ankimuar është i ndryshëm nga praktika gjyqësore e Kolegjit Civil ose praktika e njehsuar e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;

c) ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit ose të procedurës së gjykimit, sipas nenit 467 të këtij Kodi.

Pavarësisht faktit që Gjykata e Lartë ka funksionuar gjithmonë si një gjykatë ligji, e cila kontrollon vendimmarrjen e gjykatave më të ulëta, vetëm në drejtim të zbatimit të ligjit material apo procedural apo qënien e tyre në përputhje me praktikën e Kolegjit Civil apo Kolegjeve të Bashkuara, në praktikë vihet re që palët shpesh herë i drejtohen Gjykatës së Lartë me shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara nga neni 472 i KPC, duke bërë që Gjykata e Lartë të marrë vendim për mospranim rekursi. Në drejtim të shkaqeve të rekursit nuk ka pasur një ndryshim me ligjin nr. 44/2021 datë 23.03.2021, i cili është dhe fokusi i këtij punimi, megjithatë me ndryshimet e fundit ligjvënësi ka parashikuar detyrimin e palëve për të specifikuar shprehimisht në rekurs për cilin shkak/shkaqe nga ato të parashikuara nga neni 472 i KPC i janë drejtuar Kolegjit Civil dhe të argumentojnë bazueshmërinë e pretendimeve, referuar shkakut/shkaqeve të rekursit.

Në analizë të germës c) të nenit 472 të KPC, ka vlerë për diskutim fakti që ligjvënësi parashikon si shkak rekursi shkeljen jo të çdo norme procedurale civile, por vetëm ato që përbëjnë shkelje të rënda dhe që sjellin pasojë pavlefshmërinë e vendimit ose të procedurës së gjykimit, në referim të nenit 467 të KPC. Nga ana tjetër, dispozita ku referon germa c) në lidhje me shkaqet e rekursit, neni 467 i KPC, parashikon rastet e prishjes së vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhë dërgimin për rigjykim nga gjykata e apelit.

Në rast se, pavarësisht ekzistencës së një/disa shkeljeve procedurale si më sipër, gjykata e apelit nuk i ka konstatuar ato dhe nuk e ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë, atëherë palës i lind e drejta të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi ndodhet në kushtet e shkeljeve të rënda procedurale, sipas germës c) të nenit 472 të KPC.

Pasi janë verifikuar parakushtet procedurale për marrjen në shqyrtim në themel të rekursit, filtri i parë që i bëhet rekursit prej Kolegjit Civil është ai nëse rekursi i përmbahet shkaqeve të rekursit të parashikuara nga neni 472 i KPC. Vetëm pas kalimit të këtij filtri, Kolegji do të verifikojë në themel pretendimet e ngritura prej palës kërkuese duke u shprehur për bazueshmërinë ose jo të tyre. Referuar parimit të përgjithshëm të barrës së provës në procedurën civile (neni 12 i KPC sipas të cilit pala që pretendon një të drejtë, ka detyrim që, në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilët bazon pretendimin e saj), është detyrim i rekursuesit të parashtrojë në rekurs se cilit shkak/shkaqeve të rekursit i referohet në pretendime dhe të argumentojë më pas bazueshmërinë e tyre.

Në kuptim të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, kushtet dhe kriteret e pranueshmërisë së rekursit, si një mjet i zakonshëm i ankimit, përfshijnë së pari, respektimin e disa kërkesave formalo-ligjore të lidhura me subjektin që i drejtohet Gjykatës së Lartë, ndër të cilat, respektimin e afatit ligjor 30 ditor mbi depozitimin e rekursit, nënshkrimi i rekursit, dokumentet që domosdoshmërisht duhet t’i bashkëlidhen rekursit etj.; së dyti, kontrollin dhe verifikimin nga ana e Kolegjit të shkaqeve të prezantuara në rekurs, të cilat nënkuptojnë respektimin nga e gjykatave të normave procedurale të cilat eventualisht mund të çojnë në pavlefshmërinë e vendimit gjyqësor apo të të gjithë procedurës së gjykimit, respektimi i parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, zbatimi i drejtë i ligjit material etj. (vendim i Kolegjit Civil nr. 00-2021-1794 datë 08.11.2021)

 

Përmbajtja e rekursit

 

Përmbajtja e rekursit parashikohet nga neni 475 i KPC. Sipas kësaj dispozite, rekursi duhet të përmbajë; palët ndërgjyqëse; vendimin që kundërshtohet; paraqitjen e përmbledhur të fakteve të çështjes; shkaqet për të cilat kundërshtohet vendimi, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 472 të këtij Kodi; prokurën nëse rekursi është bërë nga avokati ose nga përfaqësuesi i ankuesit.

Me ligjin nr. 44/2021 u shtua pika ç) e dispozitës e cila parashikon: “Rekursi duhet të përmbajë: ç) shkaqet për të cilat kundërshtohet vendimi, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 472 të këtij Kodi.” Arsyeja e një ndryshimi të tillë ishte disiplinimi i palëve dhe i avokatëve që përfaqësojnë interesat e tyre në Gjykatën e Lartë, që rekursi duhet të përmbajë shkaqet konkrete për të cilat kundërshtohet vendimi dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas nenit 472 të KPC. Në praktikë vihet re që shpesh herë rekursi është një përsëritje e ankimit me të cilin palët i janë drejtuar Gjykatës së Apelit. Në këtë rast, jo vetëm që ndaj rekursit do të vendoset mospranimi, por rekurse të tilla që nuk referojnë shkaqet ligjore të rekursit sipas nenit 472 të KPC mbingarkojnë në mënyrë artificiale punën e Gjykatës së Lartë.

Kolegji Civil në vendimmarrjet e tij ka rikonfirmuar qëndrimin se rekursi nuk mund të jetë një përsëritje e shkaqeve të ankimit, për të cilat rekursuesi ka marrë një herë përgjigje nga Gjykata e Apelit. Paraqitja e rekursit për shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, apo pa u argumentuar ato, përbën shkak që Kolegji Civil të vendosë mospranim të rekursit sipas nenit 480 të KPC.

Neni 474 i KPC parashikonte se rekursi i paraqitur në Gjykatën e Lartë duhet të nënshkruhet nga avokati që e përfaqëson palën dhe nëse pala e kërkon, edhe nga kjo e fundit. Me ligjin nr. 44/2021 u parashikua që jo vetëm rekursi, por të gjitha kërkesat që i drejtohen Gjykatës së Lartë duhet të nënshkruhet nga avokati. Këtu përfshihen kërkesat për përshpejtim gjykimi, për shkelje të afatit të arsyeshëm, për pezullim gjykimi etj. Arsyeja e një parashikimi të tillë lidhet me faktin që Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe palët jo vetëm në rekurs, por në çdo kërkesë me të cilën investojnë Gjykatën e Lartë, duhet të përfaqësohen prej një profesionisti të ligjit. Për kërkesat për heqje dorë nga rekursi nuk është i nevojshëm nënshkrimi nga një avokat, pikërisht sepse kjo kërkesë përbën disponim të së drejtës së rekursit, e drejtë që i përket vetëm palës ndërgjyqëse, ndërsa në këtë disponim nuk ka nevojë për njohuri të posaçme ligjore.

 

Heqja dorë nga rekursi

 

Një nga ndryshimet e parashikuara me ligjin nr. 44/2021 është përcaktimi i momentit procedural se deri kur pala ka të drejtë të heqë dorë nga rekursi. Neni 490 i KPC parashikonte se pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë bëhet me shkrim, e nënshkruar nga vetë pala apo avokati i saj, i pajisur me prokurë për këtë qëllim. Me ndryshimet e ligjit nr. 44/2021 kjo dispozitë parashikoi se: “Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa Kolegji Civil apo Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk janë tërhequr për vendim. Heqja dorë bëhet me shkrim, e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj, e pajisur me prokurë për këtë qëllim.”

Ajo që ka ndryshuar tek e drejta për heqje dorë nga rekursi është momenti procedural se deri kur mund të ushtrohet kjo e drejtë. Ndërsa më përpara parashikohej se kjo e drejtë ushtrohej derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore, me ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 44/2021 kjo e drejtë mund të ushtrohet derisa gjykata të jetë tërhequr për vendim. Në çdo fazë të gjykimit, pala ose avokati i tij ka të drejtë të heqë dorë nga rekursi. Momenti i fundit procedural që kushtëzon ushtrimin e kësaj të drejtë është momenti i tërheqjes së Kolegjit Civil apo Kolegjeve të Bashkuara për vendim. Në kushtet kur si rregull gjykimi në Gjykatën e Lartë bëhet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, pala sapo merr dijeni për caktimin e datës dhe orës së gjykimit ka të drejtë të ushtrojë një të drejtë të tillë. Ushtrimi i kësaj të drejte para se Kolegji të tërhiqet për vendim, merr një kuptim tjetër kur gjykimi zhvillohet përjashtimisht në seancë gjyqësore dhe pala është e pranishme. Ajo mund ta ushtrojë këtë të drejtë në çdo fazë të procesit, për sa kohë trupi gjykues nuk është tërhequr për të marrë vendim.

Heqja dorë bëhet me shkrim, e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj, e pajisur me prokurë për këtë qëllim. Heqja dorë nga rekursi ashtu si ushtrimi i rekursit përbën të drejtë ekskluzive të palës ndërgjyqëse, të drejtë disponimi, prandaj avokati mund ta ushtrojë atë vetëm kur e ka marrë një tagër të tillë në mënyrë të shprehur nga pala që përfaqëson. Akti i heqjes dorë u njoftohet palëve. Kodi parashikon se kur hiqet dorë nga rekursi dhe në gjykim kanë marrë pjesë të gjitha palët ose përfaqësuesit e tyre, nuk ka vend për shpallje të veçantë të vendimit të mospranimit të rekursit, por palëve u vihet në dispozicion vendimi. Ky rast i referohet zhvillimit të gjykimit në seancë gjyqësore me prani të palëve ndërgjyqëse. Në rast se gjykimi zhvillohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, pala tjetër ka të drejtë të njoftohet për kërkesën për heqje dorë nga rekursi.

Çështje për diskutim në këtë pikë është fakti se çfarë ndodh kur Kolegji Civil ka marrë vendim për njësimin e një çështje gjyqësore dhe pala në vijim heq dorë nga rekursi? Çfarë ndikimi ka disponimi i palës në lidhje me rekursin referuar çështjes gjyqësore dhe pyetjeve të shtruara për njësim?

Në çështjen civile nr. 11243-00093-2015 regj.themeltar Kolegji Civil vendosi kalimin e çështjes për njësim duke parashtruar dhe çështjet që do t’i nënshtroheshin njësimit. Rezultoi se pasi pala u njoftua në lidhje me këtë vendim të ndërmjetëm të Kolegjit dhe me datën dhe orën e gjykimit të seancës, paraqiti kërkesë për heqje dorë nga rekursi. Para Kolegjit u vu për diskutim çështja se çfarë duhet të ndodhte me çështjen e shtruar për njësim? A mundej Kolegji të vijonte me gjykimin e çështjes së shtruar për njësim, pavarësisht disponimit me mospranim në lidhje me rekursin ndaj të cilit ishte hequr dorë, të vazhdonte gjykimin dhe të shprehej në lidhje me çështjet e shtruara për njësim?

Në çështjen konkrete, pasi u vu në dijeni se ndaj rekursit ishte paraqitur kërkesa për heqje dorë, Kolegji mori vendim për revokimin e vendimit të caktimit të seancës gjyqësore për njësimin e çështjes civile nr. 11243-00093-2015. Kolegji e ka arsyetuar këtë vendim me parimin e disponibilitetit, që i takon palës ndërgjyqëse. Gjithashtu, në lidhje me rekursin Kolegji me vendimin datë 22.11.2015 ka disponuar me mospranim rekursi.

Pavarësisht vendimmarrjes së mësipërme, mendoj se në këtë çështje Kolegji në lidhje me rekursin duhet të vendoste mospranim rekursi, por ai gjithashtu nuk kishte pengesë ligjore të vijonte me gjykimin e çështjes/çështjeve të shtruara për njësim, pasi ato i referohen interpretimit abstrakt të ligjit dhe nuk prekin të drejtën e palës ndërgjyqëse për të disponuar në lidhje me rekursin. Njësimi i çështjes gjyqësore lidhet me interesin e të gjitha gjykatave, profesionistëve dhe zbatuesve të ligjit për të pasur një praktikë të konsoliduar, të shtruar dhe përcaktuar nga Gjykata e Lartë, në lidhje me një/disa çështje që kanë interes, problematikë apo për të cilat praktika nuk është e njësuar.

Jam e mendimit që njësimi për shkak të rëndësisë që mbart, nuk mund t’i lihet disponimit të palës në gjykim për të përcaktuar nëse do të vazhdojë apo jo gjykimi i saj. Padiskutim që pala ka të drejtën e disponimit të rekursit dhe heqja dorë prej tij passjell vendim mospranimi në lidhje me rekursin. Megjithatë, vazhdimi i gjykimit në lidhje me çështjet që janë vlerësuar të rëndësishme për njësim dhe dhënia përgjigje e këtyre pyetjeve përbën një çështje që mbart interes shumë të të gjerë se ai i palëve ndërgjyqëse dhe që nuk prek të drejtën e disponimit të tyre në lidhje me rekursin. Jam e mendimit që Kolegji në një rast të tillë duhet të vazhdojë dhe shprehet për çështjen e shtruar për njësim dhe të vijojë me dhënien e përgjigjeve të pyetjeve, në kuadër të ushtrimit të rolit të saj nomofilatik mbi zhvillimin, njësimin apo unifikimin e praktikës gjyqësore.

 

Kufijtë e shqyrtimit të rekursit

 

Një prej ndryshimeve që solli ligji nr. 44/2021 datë 23.03.2021 i referohet kufijve të shqyrtimit të rekursit. Parimi i përgjithshëm i parashikuar nga neni 473/a/1 nuk ndryshoi: Gjykata e Lartë shqyrton rekursin brenda kufijve të tij, përveç kur ligji parashikon ndryshe. Ky parim buron nga parimi i përgjithshëm i procedurës civile sipas të cilit gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet (neni 6 i KPC).

Megjithatë, pavarësisht parimit të përgjithshëm, me ligjin nr. 44/2021 për herë të parë është parashikuar se: Në rastet kur Gjykata e Lartë vë në diskutim çështje të ligjit, të cilat merren në shqyrtim kryesisht dhe për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre, përpara shqyrtimit urdhërohet njoftimi i palëve dhe caktohet afati për depozitimin e parashtresave të tyre për çështjet e ligjit. Njoftimi në këto raste kryhet sipas rregullave të përgjithshme.”

Një parashikim i tillë ka zgjeruar kompetencat e Gjykatës së Lartë për të marrë në shqyrtim edhe kryesisht çështje të ligjit të cilat janë relevante për çështjen, pavarësisht se pala nuk i ka ngritur si shkak rekursi. Ky parashikim i shërben dhënies së drejtësisë dhe nuk e lë çështjen vetëm në kuadër të pretendimit të palës, të cilës nuk duhet t’i mohohet drejtësia vetëm sepse nuk e ka ngritur një pretendim. Paragrafi i shtuar i nenit 473/a nuk cenon parimin kryesor që rekursi shqyrtohet vetëm brenda shkaqeve të tij. Megjithatë, për t’i dhënë mundësi Gjykatës së Lartë ta gjykojë çështjen në drejtim të zbatimit të ligjit material apo procedural, pa u kushtëzuar nga ngritja e pretendimit prej palës, ligjvënësi i ka krijuar hapësirë Gjykatës së Lartë të marrë në shqyrtim edhe kryesisht çështje të ligjit që i çmon më rëndësi për çështjen.

Nëse Kolegji vendos si më sipër, palët njoftohen në lidhje me çështjen/çështjet ligjore të ngritura kryesisht prej tij dhe ftohen të paraqesin parashtresat e tyre, duke i dhënë mundësinë që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim në lidhje me këtë/këto çështje.

 

Veprimet përgatitore. Gjyqtari relator

 

Me ndryshimet e miratuara me ligjin nr.44/2021 i’u kushtua një rëndësi më e madhe rolit të gjyqtarit relator duke i dhënë atij detyra specifike në lidhje me çështjen. Ligji parashikon një sërë detyrash të gjyqtarit relator, para se çështja të përgatitet dhe të kalojë për gjykim nga Kolegji Civil. Një prej risive që ka sjellë ligji nr. 44/2021 është procedura e verifikimit të të metave të rekursit. Fillimisht kjo është një detyrë që ligjvënësi i’a lë gjykatës që ka dhënë vendimin, pranë së cilës si rregull paraqitet rekursi. Kur rekursi nuk plotëson kushtet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 476 të KPC[1], nuk është nënshkruar sipas nenit 474, ose nuk është paraqitur në përputhje me paragrafin e parë të nenit 475 të këtij Kodi (që i referohet përmbajtjes së rekursit), relatori që ka dhënë vendimin ose gjyqtari i vetëm njofton palën për të plotësuar të metat e rekursit brenda 5 ditëve. Në këtë rast shqyrtimi i rekursit bëhet në dhomë këshillimi. Kur ankuesi nuk plotëson ose korrigjon të metat brenda afatit, rekursi quhet se nuk është paraqitur dhe gjyqtari i vetëm merr vendim për kthimin e rekursit palës së bashku me aktet e tjera të paraqitura prej tij. Kundër vendimit të gjyqtarit për kthimin e rekursit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë.

Nga ana tjetër, ligji parashikon se kur të metat e rekursit janë plotësuar në afatin e caktuar, ai konsiderohet i regjistruar në datën e depozitimit në gjykatë. Në këtë rast, si plotësohen të metat në afat, sekretaria e gjykatës që ka dhënë vendimin e kundërshtuar, pas shqyrtimit nga gjyqtari, përcjell dosjen së bashku me dokumentet në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Kjo është procedura e zakonshme që duhet të ndodhë për verifikimin e parakushteve procedurale që rekursi të merret në shqyrtim, verifikim që si rregull e bën gjykata që ka dhënë vendimin ndaj të cilit ushtrohet rekurs.

Në rast se verifikimi i të metave të rekursit nuk kryhet nga gjykata që ka dhënë vendimin (gjykata e faktit), atëherë kjo detyrë i mbetet Gjykatës së Lartë. Para se rekursi të shqyrtohet në dhomë këshillimi, fillimisht kryhen disa veprime përgatitore në lidhje me të. Fillimisht verifikohet nëse rekursi përmbush parakushtet procedurale për t’u marrë në shqyrtim në themel. Ky verifikim kryhet nga relatori i çështjes, para se të studiohet dosja dhe të përgatitet relacioni në lidhje me çështjen.

Ligjvënësi parashikon që kur të metat e rekursit nuk janë konstatuar nga gjykata më e ulët, relatori i çështjes në Gjykatën e Lartë me vendim njofton palën për të plotësuar të metat brenda 5 ditëve. Kur të metat e rekursit nuk plotësohen brenda afatit, relatori, në dhomë këshillimi, merr vendim për kthimin e rekursit. Ky është një vendim jopërfundimtar që merr Gjykata e Lartë, kundër të cilit ligji nuk lejon të drejtën e ankimit.

Në këtë mënyrë, mund të konkludohet se ligjvënësi vendos dy filtra për verifikimin e parakushteve procedurale që rekursi të merret në shqyrtim. Së pari, ky verifikim si rregull kryhet nga gjykata e faktit që ka dhënë vendimin ndaj të cilit ushtrohet rekurs dhe vetëm në rast se kjo gjykatë nuk i konstaton të metat, detyra për verifikimin e tyre i kalon Gjykatës së Lartë.

Nga leximi i nenit 476 të KPC dhe nenit 480/1/b, në pamje të parë krijohet përshtypje sikur ka përplasje midis këtyre dy dispozitave. Nga njëra anë, neni 476 i KPC parashikon se nëse rekursi përmban të meta, të cilat pas njoftimit nuk rregullohen nga pala, gjyqtari relator vendos kthimin e rekursit në dhomë këshillimi. Nga ana tjetër, neni 480/1/b parashikon se:  Mospranimi i rekursit vendoset në dhomë këshillimi, në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë, në rastet kur:b) nuk plotësohen kërkesat procedurale të parashikuara në këtë kre.”

Nga leximi dhe interpretimi i dispozitave të mësipërme, arrihet në përfundimin se kthimi i rekursit me të meta, sipas nenit 476 të KPC i referohet rastit kur ai nuk përmban aktet bashkëlidhur sipas paragrafit 2 të këtij neni (kopja  e vërtetuar  e  vendimit    kundërshtuar  dhe,  kur  është rasti, edhe e njoftimit kur ky është bërë dhe prokura e posaçme), kur nuk përmban nënshkrimin e avokatit ose kur rekursi nuk përmban elementët formalë që parashikon neni 475  KPC që rregullon përmbajtjen e rekursit. Neni 476 i KPC i referohet të metave të dukshme të rekursit, të cilat mund të konstatohen edhe prima facie, me një verifikim të parë të tij. Në të gjitha këto raste, rekursi sipas ligjit konsiderohet me të meta, të cilat mund të ndreqen, prandaj i jepet mundësia palës t’i ndreqë ato. Nëse të metat nuk ndreqen brenda afatit të caktuar nga gjyqtari relator, ai vendos kthimin e rekursit me të meta, në dhomë këshillimi, vendim që ligji i’a ngarkon gjyqtarit të vetëm relator.

Nga ana tjetër, vendimi i parashikuar nga neni 480/1/b i KPC është vendim mospranimi që ligji i’a ngarkon trupit gjykues të përbërë prej 3 gjyqtarësh. Ky vendim merret kur rekursi nuk përmbush kriteret procedurale në parashikuara në ligj, të nevojshme për t’a shqyrtuar në themel atë, por duke përjashtuar të metat e parashikuara në nenin 476 të KPC. Një rast i tillë kur Kolegji merr vendim mospranimi referuar nenit 480/1/b të KPC është ai kur rekursi është paraqitur tej afatit të parashikuar nga ligji. Rast tjetër kur vendoset mospranimi sipas kësaj dispozite është kur rekursi nuk përmban më objekt për shqyrtimin e tij, si në rastin kur pala heq dorë nga rekursi.

Pasi verifikohet që rekursi nuk ka të meta, pra i përmbush parakushtet procedurale për t’u shqyrtuar në themel, kalohet në studimin e dosjes nga këshilltari ligjor ose ndihmës-magjistrati. Në lidhje me të përgatitet relacioni, sipas formatit standard të miratuar nga Gjykata e Lartë.

 

Procedura e gjykimit

 

Një nga risitë kryesore që solli ligji nr. 44/2021 është mënyra e gjykimit nga Gjykata e Lartë, e cila do të pësonte një ndryshim të rëndësishëm dhe thelbësor për mbarëvajtjen e procesit dhe ekonominë gjyqësore. Para ndryshimeve të miratuara me ligjin nr. 44/2021, ligji parashikonte se Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga tre ose pesë gjyqtarë, sipas rregullave të parashikuara në nenin 35. Nga ana tjetër, neni 35 i KPC parashikonte se Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve, çështjet e parashikuara shprehimisht në dispozita të tjera të këtij Kodi.

Deri në ndryshimet e ligjit nr. 44/2021, gjykimi në Gjykatën e Lartë zhvillohej në dhomë këshillimi nga trupë prej 3 gjyqtarësh, vetëm nëse Kolegji do të dispononte me vendimmarrje për mospranim rekursi. Neni 480 i KPC parashikonte se mospranimi i rekursit vendoset në dhomë këshillimi, në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Ligji e kushtëzonte gjykimin në dhomë këshillimi me llojin e vendimmarrjes, duke e lejuar këtë lloj gjykimi, mbi bazë aktesh dhe pa praninë e palëve vetëm kur disponohej me mospranim rekursi. Nëse Kolegji çmonte se rekursi përmbante shkaqe nga ato të parashikuara nga neni 472 i KPC ai vendoste kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, pasi vetëm në seancë gjyqësore mund të disponohej sipas nenit 485 të KPC.

Praktika e konsoliduar e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë ndër vite, ka ndërlidhur ritin e gjykimit në raport me llojin e vendimmarrjes përfundimtare të Gjykatës. Sipas legjislacionit që ka qenë në fuqi përpara ndryshimeve të vitit 2021, rezulton se Gjykata e Lartë, në dhomë këshillimi, nuk kishte kompetencë për të shqyrtuar në themel shkaqet e rekursit. Ajo kishte të drejtë të vendoste mospranimin e rekursit, sipas rasteve të përcaktuara shprehimisht në ligj dhe vetëm kur rekursi prima facia ngrinte shkaqe ligjore sipas nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, vendoste kalimin në seancë gjyqësore, në të cilën konkludonte në mënyrë përfundimtare.

Në jo pak raste është vënë re se, vendimi i ndërmjetëm i kalimit të çështjeve në seancë gjyqësore nga Gjykata e Lartë, është diktuar jo nga nevoja për të dëgjuar palët apo sepse çështja për shkak të natyrës nuk mund të shqyrtohej mbi aktet (de plano), por për shkak të pushtetit të kufizuar të Gjykatës, sipas ligjit, për të disponuar në dhomë këshillimi, në një nga format e vendimmarrjes të parashikuar në nenin 485 të KPC, të pandryshuar.

 

Referuar ndryshimeve të fundit që ka pësuar legjislacioni procedural, konkretisht ligji nr. 49, datë 03.05.2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, KPC, si dhe KPP, të cilat kanë hyrë në fuqi në datë 29.05.2021, janë përcaktuar disa rregullime praktike dhe efektive, në funksion të përmirësimit të gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë. Kështu, sipas nenit 482/1 të KPC të ndryshuar, shqyrtimi i çështjeve në Gjykatën e Lartë, bëhet si rregull në dhomë këshillimi, mbi bazë dokumentash, përveç rasteve të parashikuara në nenin 482/a të KPC.

 

Gjithashtu, në një formulim të njëjtë, në dispozitat tranzitore të ligjit nr. 44/2021 (neni 32/1), të ligjit nr. 49/2021 (neni 12) dhe ligjit nr. 41/2021 (neni 38/1), me të cilët janë ndryshuar përkatësisht KPC, ligji nr. 49/2012 dhe KPP, është parashikuar se “...Përbërja e trupave gjykues, si dhe procedura e gjykimit në Gjykatën e Lartë rregullohet sipas përcaktimeve të këtij ligji, pavarësisht parashikimeve të ndryshme në ligje të tjera...”. Këto parashikime ligjore detyrojnë Gjykatën e Lartë të zbatojë rregullat e reja të gjykimit dhe, në veçanti, ato që kanë të bëjnë me ritin e gjykimit në dhomë këshillimi të çështjeve gjyqësore dhe me formimin e trupës gjykuese. Gjykimi në Gjykatën e Lartë, si rregull bëhet mbi bazë dokumentesh në dhomë këshillimi me një trupë prej 3 gjyqtarësh. Kolegji vendos kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore vetëm përjashtimisht, në rastet e parashikuara shprehimisht nga neni 482/a i KPC.

Ky ndryshim do të reflektohej edhe në ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” i cili në nenin 31/2 tashmë parashikon: “Kolegji Civil gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Në rastet e gjykimeve për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore Kolegji Civil gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë.”

Ligji rregullon procedurën e gjykimit në dhomë këshillimi. Gjykimi zhvillohet në datën dhe orën e caktuar nga gjyqtari relator. Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari relator relaton çështjen duke paraqitur relacionin në lidhje me çështjen objekt gjykimi. Si rregull, relacioni duhet të pasqyrojë, veç të tjerave, arsyet e përshpejtimit të çështjes, nëse ka, një përmbledhje të fakteve dhe rrethanave që kanë rëndësi për marrjen e vendimit, siç janë vlerësuar nga gjykatat e faktit, përmbajtjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe vendimit të gjykatës së apelit dhe një përmbledhje të shkurtër të arsyetimit të bërë nga gjykatat, lidhur me shkaqet e rekursit. Relacioni duhet të pasqyrojë ato çështje që janë relevante për rekursin dhe gjykimin mbi bazë ligji nga Gjykata e Lartë. Ndër të tjera relacioni përmban pretendimet dhe shkaqet e ngritura në rekurs, prapësimet e paraqitura në kundërrekurs, dhe propozimin e tij për zgjidhjen ligjore të çështjes. Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor. Pas diskutimit nga trupi gjykues, Kolegji merr vendim, duke disponuar në një nga mënyrat që parashikon neni 485 i KPC.

Ashtu siç u parashtrua më lart, si rregull gjykimi i çështjes në Gjykatën e Lartë bëhet mbi bazë dokumentesh, në dhomë këshillimi. Megjithatë, me ligjin nr. 44/2021 është shtuar neni 482/a i KPC, i cili parashikon se Kolegji ka të drejtë të vendosë kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore, me praninë e palëve në këto dy raste:

a) kur çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;

b) si dhe kur vlerësohet e nevojshme nga Kolegji Civil thirrja dhe dëgjimi i palëve për shkak të problematikës ose kompleksitetit të çështjes, sipas shkronjave “b” dhe “c” të nenit 472, si dhe paragrafit të dytë të nenit 473/a të këtij Kodi.

Rasti i parë që parashikon Kodi, i referohet kalimit të çështjes në seancë gjyqësore, pasi Kolegji vlerëson se çështja ka rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore. Procedura e gjykimit për njësimin e praktikës gjyqësore do të trajtohet në vijim, ku Kolegji në këtë rast gjykon me trup të përbërë prej 5 gjyqtarësh.

Rasti tjetër është kur çështja paraqet rëndësi për zhvillimin e praktikës gjyqësore. Në interpretim të dispozitës kjo situatë mund të përfshijë rastin e një çështje që vlerësohet me rëndësi për zhvillimin e praktikës gjyqësore, për shkak të problemtatikës që mbart apo interesave që përfshin.

Rasti i dytë i parashikuar nga dispozita është kur Kolegji Civil çmon të nevojshme të thirren dhe dëgjohen palët për shkak të problematikës dhe kompleksitetit të çështjes, referuar nenit 472 germa b) dhe c). Këto janë shkaqet e rekursit që parashikojnë dy nga paragrafët e nenit 472, konkretisht; b) kur vendimi i ankimuar është i ndryshëm nga praktika gjyqësore e Kolegjit Civil ose praktika e njehsuar e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë; c) ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit ose të procedurës së gjykimit, sipas nenit 467 të këtij Kodi. Në një rast të tillë, kur çështja paraqet problematikë dhe kompleksitet, sipas këtyre dy shkaqeve të rekursit dhe Kolegji çmon të nevojshme të dëgjojë palët, ai mund të vendosë kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.

Kolegji Civil mund të vendosë kalimin e çështjes në seancë gjyqësore edhe në rast kur ai vë në diskutim çështje të ligjit, të cilat merren në shqyrtim kryesisht dhe për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre, pasi atyre u është njoftuar një fakt i tillë.

Vlen për t’u diskutuar fakti, që në Gjykatën e Lartë ka një numër të lartë çështjesh civile që presin për t’u gjykuar, ndërsa për to është marrë vendimi për t’u shqyrtuar në seancë gjyqësore. Së fundmi, Kolegj Civil ka verifikuar çështjet gjyqësore, për të cilat me vendim të ndërmjetëm është vendosur kalimi në seancë gjyqësore, ndërsa ka vlerësuar, rast pas rasti, shkakun e një vendimmarrje të tillë nga trupa gjyqësore e mëparshme, nëse është e nevojshme të dëgjohen palët apo çështja mund të shqyrtohet edhe mbi bazë dokumentash. Në një eventualitet të tillë, Kolegji ka vendosur revokimin e vendimit të ndërmjetëm, për të vijuar me gjykimin në dhomë këshillimi, sipas nenit 171/b të KPC dhe nenit 485 të KPC, në kushtet ku shkaqet se pse ky vendim është marrë, ligjërisht kanë rënë. (shih vendimin e Kolegjit Civil nr. 31003-01769-2013 Regj.themeltar datë 13.12.2021)

Revokimi i vendimit të ndërmjetëm për t’u gjykuar në seancë gjyqësore dhe kalimi i këtyre çështjeve për gjykim në dhomë këshillimi, mbi bazë aktesh, i ka shërbyer përshpejtimit të gjykimit të këtyre çështjeve, ekonomisë gjyqësore dhe dhënies së drejtësisë me efektivitet.

 

Njësimi ose ndryshimi i praktikës gjyqësore

 

Një nga ndryshimet që solli ligji nr. 44/2021 është procedura e gjykimit për ndryshimin ose njësimin e praktikës gjyqësore. Para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, paragrafi i dytë i pandryshuar i nenit 141 të Kushtetutës parashikonte se: “Për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.”. Nga kjo normë kushtetuese kuptohej se unifikimin e praktikës gjyqësore dhe ndryshimin e saj kishte autoritet ta bënte vetëm trupa gjyqësore e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, qoftë për krijimin e precedentëve fillestar dhe qoftë për ndryshimin apo zhvillimin e tyre në të ardhmen. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, amendime të cilat hynë në fuqi në datë 11.08.2016, neni 141 i Kushtetutës parashikon se: “1. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit. 2. Për ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.”.

Kjo do të thotë se, ndryshe nga më parë, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk unifikojnë apo njësojnë praktikën gjyqësore nëpërmjet krijimit të precedentëve fillestar jurisprudencial apo, thënë ndryshe, nuk njësojnë qëndrimet e ndryshme mbi zbatimin e ligjit procedural dhe material nga gjykatat më të ulëta. Këtë funksion të nomofilatisë apo uniformitetit të praktikës gjyqësore e bën vetëm Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë për çështjet civile, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë për çështjet administrative dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për çështjet penale. Këtë funksion kushtetues dhe ligjor secili prej kolegjeve do ta realizojë nëpërmjet vendimeve njësuese, të cilat kanë zëvendësuar terminilogjinë e mëparshme të vendimeve unifikuese. (shih vendimin njësues nr. 13 datë 04.04.2018 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë)

Për të konkretizuar dhe zbatuar në ligj parashikimet e reja të nenit 141 të Kushtetutës, ligji nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” në nenin 32 normoi rastet e kompetencës funksionale të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, duke parashikuar se: “1. Gjykata e Lartë gjykon në Kolegje të Bashkuara për çështje civile, penale ose administrative, të cilat, me vendim të një prej trupave gjykues ose të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, paraqiten për shqyrtim për ndryshimin e praktikës gjyqësore.

2. Kolegjet e Bashkuara shqyrtojnë rastet kur e njëjta çështje juridike nuk është interpretuar në mënyrë të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë, ose në rast se ekziston rreziku për interpretim jo të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë.”.

Ndryshimet e ligjeve procedurale gjyqësore në vitin 2017 plotësuan dhe detajuan kuadrin ligjor të nevojshëm për të ushtruar Gjykata e Lartë juridiksionin ekskluzivisht ligjor dhe rishikues dhe njëkohësisht edhe nomofilatik sikurse ndryshimet kushtetuese konturuan. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, neni 481 i KPC që rregullon gjykimin në Kolegje të Bashkuara nuk pësoi ndryshime me ligjin nr. 38/2017. Kjo dispozitë ndryshoi vetëm me ligjin nr. 44/2021, ligj që ka bërë një rregullim të qartë të kompetencës së Gjykatës së Lartë për njësimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore.

Sipas kësaj dispozite, Kolegji Civil, kryesisht ose me kërkesë të palëve, mund të vendosë nisjen e procedurës së gjykimit për të njësuar ose ndryshuar praktikën gjyqësore. Nisja e procedurës për ndryshimin e praktikës gjyqësore mund të vendoset edhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë. Ligji përcakton që Kolegji Civil ose Kryetari i Gjykatës së Lartë mer vendim të ndërmjetëm për kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, vendim që duhet të përmbajë çështjet e shtruara për njësim ose praktikën gjyqësore të njësuar që duhet ndryshuar. Si rregull ky vendim i ndërmjetëm trajton çështjet e shtruara për njësim dhe cila është arsyet për njësimin e praktikës gjyqësore. Në rast të ndryshimit të praktikës gjyqësore, vendimi i ndërmjetëm duhet të përmbajë cila është praktika gjyqësore e njësuar dhe pse lind nevoja për ndryshimin e saj. Ky vendim i ndërmjetëm arsyetohet dhe publikohet menjëherë pas arsyetimit në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, ligji parashikon mundësinë që Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara, kryesisht ose me kërkesë të palëve, mund të vendosin ndryshimin e çështjeve të shtruara për njësim ose ndryshim të praktikës gjyqësore. Ky vendim i ndërmjetëm gjithashtu publikohet në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë. Arsyet e një vendimmarrje të tillë mund të jenë nga më të ndryshmet, për shembull pas studimit më të thelluar të çështjes apo diskutimit të Kolegjit, mund të konstatohet se jo për të gjitha çështjet e shtruara ka nevojë për njësim. Ndryshe nga çështjet e tjera që gjykohen në Kolegjin Civil nga një trup prej 3 gjyqtarësh, gjykimi për njësimin e praktikës gjyqësore bëhet nga Kolegji Civil me trup gjykues prej 5 gjyqtarësh, në të cilin marrin pjesë trupi gjykues që po gjykon rekursin dhe dy gjyqtarë të tjerë të Kolegjit, të caktuar me short.

Nga ana tjetër, ligji përcakton se gjykimi për ndryshimin e praktikës gjyqësore të njësuar bëhet nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, si kryesues i Kolegjeve të Bashkuara, cakton datën dhe orën e gjykimit të çështjes për ndryshimin e praktikës gjyqësore. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë gjykojnë sipas rregullave të caktuara për kolegjin kur marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Palët njoftohen për datën dhe orën e seancës gjyqësore të paktën 15 ditë para. Arsyeja e njoftimit, si për çdo çështje tjetër lidhet me të drejtën që kanë ata për të ushtruar të drejtat e tyre procedurale si dhe për të paraqitur parashtrime në lidhje me çështjen.

Një nga risitë që sjell neni 481 i ndryshuar me ligjin nr. 44/2021 është parashikimi që për shkak të interesit që paraqet njësimi ose ndryshimi i praktikës gjyqësore, në këto gjykime, kur është rasti, Gjykata e Lartë mund të kërkojë mendimin me shkrim nga Avokatura e Shtetit, si dhe nga persona juridikë publikë ose privatë, që çmohet se kanë njohuri të posaçme për çështjet ligjore të shtruara për njësim ose ndryshim të praktikës gjyqësore. Mendimet me shkrim nuk janë detyruese dhe publikohen në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë. Arsyet e një parashikimi të tillë lidhen me nevojën për të përfshirë dhe marrë mendimin e aktorëve të rëndësishëm që mund të kenë njohuri për çështjet konkrete të shtruara për njësim dhe që do t’i vinin në ndihmë Kolegjit Civil apo Kolegjeve të Bashkuara në vendimmarrje.

Natyrisht që mendimi i këtyre subjekteve nuk është detyrues për Gjykatën e Lartë, por ky mendim ka karakter ndihmës. Ligji në mënyrë nominale përmend vetëm Avokaturën e Shtetit, por gjithashtu mendimi mund të merret nga subjekte të tjerë me një rol të rëndësishëm akademik si Shkolla e Magjistraturës apo Fakulteti i Drejtësisë.

Ligji parashikon se në rastet kur Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, në vendim gjykata formulon edhe rregullin e së drejtës për çdo çështje të shtruar për zgjidhje në vendimin e ndërmjetëm të marrë gjatë gjykimit të çështjes. Vendimi botohet në Fletoren Zyrtare dhe është i detyrueshëm për gjykatat në gjykimin e çështjeve të ngjashme.

 

Procedimi paragjykimor

 

Një risi tjetër që ka parashikuar për herë të parë ligji nr. 44/2021 është procedimi paragjykimor. Sipas nenit 483/a të KPC, Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të çështjes, në dhomë këshillimi ose në seancë gjyqësore, mund të vendosin t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose gjykatave të tjera ndërkombëtare sipas detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Procedura paragjykimore është ajo procedurë sipas të cilës Kolegji Civil apo Kolegjet e Bashkuara nuk mund të shprehen në lidhje me çështjen që kanë për gjykim, para se në lidhje me një dispozitë apo normë konkrete, e cila është e lidhur ngushtësisht me zgjidhjen e çështjes për gjykim, të shprehet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose një gjykate tjetër ndërkombëtare. Gjykata e Lartë do të duhet të ndjekë procedurën paragjykimore, nëse konstaton se vendimmarrja e Kolegjit Civil apo Kolegjeve të Bashkuara është e ndërvarur nga vendimmarrja e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose një gjykate tjetër ndërkombëtare (këtu mund të jetë rasti i Gjykatës së Bashkimit Evropian, me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian), sipas detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare. Në këtë rast, Kolegji Civil merr vendim pezullimi për çështjen që ka në shqyrtim derisa të shprehet gjykata ndërkombëtare. Deri tani, nuk ka rast të zbatimit të procedurës paragjykimore nga Gjykata e Lartë.

Kjo terminologji është e njëjtë me atë që përdor Traktati i Bashkimit Evropian, ku referuar nenit 267 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian, një nga kompetencat e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë është të shprehet me procedurë paragjykimore për interpretimin e Traktateve ose vlefshmërinë dhe interpretimin e akteve të institucioneve, organeve, zyrave ose agjencive të Bashkimit. Ky parashikim ligjor për herë të parë i KPC ka pasur si qëllim pikërisht përafrimin e ligjit tonë procedural civil me detyrimet e traktatit, në kushtet kur Shqipëria aspiron integrimin në Bashkimin Evropian dhe mund të duhet ta zbatojë këtë procedurë në të ardhmen.

 

Vendimmarrja e Kolegjit Civil

 

Një prej ndryshimeve kryesore që solli ligji nr.44/2021 është ridimensionimi i mënyrës së vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, i pasqyruar në nenin 485 të KPC. Sipas parashikimit të mëparshëm, që hyri në fuqi me ligjin nr. 38/2017 parashikohej, se: “Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin:

a) lënien në fuqi të vendimit;

b) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

c) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e apelit me tjetër trup gjykues;

ç) prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes.”

Kolegji Civil nuk kishte mundësi të ndryshonte vendimmarrjen e gjykatave më të ulëta, por ai mund të dispononte vetëm me lënien në fuqi të vendimit ose prishjen e tij, si dhe me pushimin e gjykimit të çështjes. Një parashikim i tillë kishte krijuar vështirësi për Gjykatën e Lartë, e cila detyrohej të prishte vendimin e gjykatës më të ulët dhe ta kthente atë për rigjykim, edhe pse për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe efektive të çështjes dhe në garantim të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, do të ishte e nevojshme të disponohej me ndryshimin e vendimit dhe zgjidhjen e çështjes përfundimisht nga Gjykata e Lartë, kur kjo nuk lidhej me rivlerësimin e fakteve dhe provave.

Kolegji Civil në vendimmarrjen e tij, me parashikimet e KPC para ndryshimeve me ligjin nr. 44/2021 u vendos para një vështirësie të dyfishtë. Së pari, ai në dhomë këshillimi mund të dispononte vetëm me mospranim rekursi, ndërsa çdo vendimmarrje tjetër duhet ta merrte në seancë gjyqësore, duke bërë kjo që ai të investohej dyfish për të njëjtën çështje gjyqësore, edhe kur kjo nuk ishte e nevojshme, referuar natyrës dhe problematikës së çështjes. Kjo ngadalësonte artificialisht kohën e shqyrtimit të çështjeve dhe rrjedhimisht të dhënies drejtësi, duke marrë në konsideratë këtu edhe numrin e lartë të çështjeve që presin për t’u shqytuar në Gjykatën e Lartë. Vështirësia e dytë lidhej pikërisht me faktin që vendimmarrja e Kolegjit Civil ishte e kufizuar vetëm në rastet e parashikuara nga neni 485 i KPC, i cili nuk i jepte mundësi gjykatës të ndryshonte vendimin dhe të zgjidhte çështjen vet.

Kjo mangësi u rregullua me ligjin nr. 44/2021, me hyrjen në fuqi të së cilit, neni 485 i KPC ndryshoi në këtë mënyrë: “1. Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin:

a) mospranimin e rekursit në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon neni 472 i këtij Kodi;

b) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

c) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues;

ç) prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë kur vendimi jopërfundimtar i gjykatës së shkallës së parë është marrë në kundërshtim me ligjin dhe kjo shkelje nuk është konstatuar nga gjykata e apelit;

d) prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes;

dh) ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes kur zbatimi i ligjit procedural apo material nuk diktohet nga nevoja për rishqyrtimin dhe rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes;

e) lënien në fuqi të vendimit të apelit.”

Të gjitha vendimmarrjet e mësipërme kryhen në dhomë këshillimi, nga trupa e përbërë nga 3 gjyqtarë. Ajo që vlen për t’u trajtuar në këtë punim janë ndryshimet që solli dispozita e mësipërme.  

Së pari, Kolegji Civil ka të drejtë të vendosë mospranim rekursi në rast se rekursi bëhet për shkaqe të ndryshme nga shkaqet e parashikuara nga neni 472 i KPC. Në këtë rast, Kolegji arsyeton se pretendimet e ngritura në rekurs nuk janë në përputhje me shkaqet e rekursit dhe disponon me mospranim rekursi. Në këtë rast, vendimi i mospranimit është vendim themeli, pra me të cilin është disponuar pas shqyrtimit në themel në pretendimeve të ngritura prej palës rekursuese. Mospranimi vendoset edhe kur rekursi nuk plotëson kërkesat procedurale të parashikuara në këtë kre apo kur pala që ka paraqitur rekurs heq dorë prej tij. Në këtë rast, Kolegji nuk shqyrton pretendimet e palës në themel.

Mundësia e dytë për Kolegjin është prishja e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Gjithashtu, Kolegji ka të drejtë të vendosë prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues. Të dyja këto mundësi disponimi kanë ekzistuar edhe me ligjin nr. 38/2017.

Ajo që përbën risi në nenin 485 të KPC të ndryshuar është pika ç) e dispozitës e cila parashikon që Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara vendosin prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë kur vendimi jopërfundimtar i gjykatës së shkallës së parë është marrë në kundërshtim me ligjin dhe kjo shkelje nuk është konstatuar nga gjykata e apelit. Ajo që vihet re nga dispozita është që Kolegji ka të drejtë të prishë vendimet e gjykatave të apelit dhe shkallës së parë dhe të dërgojë çështjen për rigjykim në shkallë të parë, vetëm kur kemi të bëjmë me një vendim jopërfundimtar të shkallës së parë, që është marrë në kundërshtim me ligjin dhe kur kjo shkelje nuk është konstatuar nga gjykata e apelit. Ligji e përjashton mundësinë që çështja të prishet dhe të kthehet për rigjykim në shkallë të parë në rast të një vendimi përfundimtar prej gjykatës së faktit.

Arsyeja e një parashikimi të tillë ligjor dhe qëllimi i ligjvënësit është interpretuar së fundmi nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në vendimin nr. 106, datë 18.10.2021 ku ai ndër të tjera ka bërë një interpretim historik dhe sistematik të kësaj dispozite me dispozitat e tjera të KPC, për të konkluduar mbi qëllimin e ligjvënësit në riformulimin e saj me ligjin nr. 44/2021. Para ndryshimeve me ligjin nr. 38/2017, neni 485 i KPC, rregullonte mënyrën e vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, në çështjet civile, shqyrtimi i të cilave kishte kaluar në seancë gjyqësore. Kjo dispozitë, ndër të tjera, parashikonte edhe të drejtën dhe kompetencën e Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimeve dhe rikthimin e çështjes në gjykatën e shkallës së parë, sa herë që nga gjykatat më të ulëta ishin lejuar shkelje të tilla procedurale të cilat e bënin të pavlefshëm gjykimin në shkallë të parë, referuar rasteve të parashikuar në nenin 467 të KPC.

Me ndryshimet që pësoi KPC, në vitin 2001, për herë të parë u prezantua kufizimi i gjykatës së apelit për t’a rikthyer vazhdimisht çështjen në gjykatën e shkallës së parë, pavarësisht shkeljeve dhe pavlefshmërisë së akteve të gjykimit sipas nenit 467 të KPC. Kështu, u shtua neni 467/a ku u parashikua se: “Gjykata e apelit kur prish vendimin nuk mund ta kthejë çështjen për rigjykim për të dytën herë por e shqyrton vetë si gjykatë e shkallës së parë.”

Kjo dispozitë kishte si synim ekonomizimin e procesit gjyqësor dhe projektoi gjykimin dy shkallësh, pasi shqyrtimi i mosmarrëveshjes në themelin e saj ishte realizuar dy herë në gjykimin në shkallë të parë, duke eliminuar një shkallë gjykimi. Por legjislatori në këtë rast, nuk vlerësoi të parashikonte një përjashtim nga ky rregull, konkretisht rastin kur vendimmarrja e gjykatës së shkallës së parë nuk ka qenë përfundimtare dhe nuk është zgjidhur në themel mosmarrëveshja. Kjo pasi në këtë rast nuk ka pasur asnjë gjykim në gjykatën e shkallës së parë dhe se për rrjedhojë çështja duhet të kthehet në këtë gjykatë për rigjykim, për të respektuar parimin e gjykatës së caktuar me ligj (neni 42 i Kushtetutës) dhe parimin e shkallëve të gjykimit në Republikën e Shqipërisë (neni 135 i Kushtetutës).

Një rregullim analog mungonte në rastet kur çështja shqyrtohej në Gjykatën e Lartë, pasi gjykimi i mosmarrëveshjes në themelin e saj kishte kaluar dy shkallë gjykimi, pavarësisht situatave të njëjta, pra kur çështja ishte shqyrtuar dy herë, por tashmë në linjë vertikale. Në këtë rast, ndryshe nga rregullimi i mësipërm, ndërsa gjykata e apelit ishte e kufizuar ta kthente çështjen në gjykatën e shkallës së parë për të dytën e herë, për Gjykatën e Lartë nuk vepronte ky kufizim. Sërish neni 485 i KPC në atë kohë parashikonte mundësinë e Gjykatës së Lartë ta kthente çështjen në gjykatën e shkallës së parë, sa herë që konstatoheshin pavlefshmëri të akteve në këtë shkallë të gjykimit, të cilat nuk ishin konstatuar nga gjykata e apelit.

Ndryshimet ligjore të vitit 2017 sollën një risi në mënyrën e disponimit në Gjykatën e Lartë, në rastet kur ajo konstatonte gabime në procedim (errores in procedendo), që shtriheshin si në vendimin e gjykatës së apelit ashtu edhe në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, referuar nenit 467 të KPC. Me ndryshimet e nenit 485, Gjykata e Lartë nuk e kishte më tagrin të vendoste prishjen e vendimeve dhe dërgimin e çështjes në gjykatën e shkallës së parë, por i’u la kompetenca të shfuqizonte vetëm vendimin e gjykatës së apelit dhe ta dërgonte çështjen për rigjykim pranë kësaj gjykate, pavarësisht se në cilën shkallë gjykimi konstatoheshin shkeljet dhe pavlefshmëritë e akteve. I njëjti ndryshim ligjor u bë edhe në nenin 63 të ligjit nr. 49/2012, për sa i përkiste kompetencave të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, në çështjet administrative.

Në lidhje me këto rregullime ligjore ka pasur disa interpretime nga praktikantët e së drejtës dhe nga Gjykata e Lartë.

Sipas një qëndrimi, në bazë të parimeve të përgjithshme të procesit të rregullt ligjor, të gjykatës së caktuar me ligj, respektimit të shkallëve të gjykimit sipas nenit 135 të Kushtetutës dhe pamundësisë për të konvaliduar qoftë edhe me ligj, pavlefshmërinë e akteve procedurale në një shkallë gjykimi, ometimi i ligjvënësit në nenin 485 të KPC, duhet të interpretohej në mënyrë pajtuese. Kjo duke patur parasysh se kishte mbetur i pandryshuar neni 493 i KPC, i cili parashikonte se: “Gjykata e shkallës së parë apo gjykata e apelit kur dërgohet çështja për rigjykim zbaton të njëjtat rregulla procedurale.” Sipas këtij qëndrimi Gjykata e Lartë pavarësisht ometimit të nenit 485 të KPC, kishte të drejtën ta kthente çështjen në atë gjykatë ku konstatohej pavlefshmëria e akteve në mënyrë të pakonvalidueshme.

Sipas një qëndrimi të dytë, neni 485 i KPC duhet të interpretohej se rregullonte në mënyrë analoge situatën e parashikuar në nenin 467/a të KPC, ku gjykata e apelit nuk ka të drejtë ta kthejë çështjen për herë të dytë, por duhet ta gjykojë me juridiksion fillestar. Sipas këtij interpretimi ometimi i ligjvënësit nuk ishte antikushtetues dhe nuk ishte i paqëllimshëm, përsa kohë gjykata ishte caktuar me ligj dhe ofrohen garancitë për proces të rregullt. Për më tepër që ligji në këtë rast ka pasur për bazë ekonomizimin e procesit gjyqësor dhe përfundimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Ligjvënësi i nxitur nga arsye të tilla të përligjura, mund ta kufizojë shqyrtimin e mosmarrëveshjeve në dy shkallë gjykimi (psh: neni 467/a i KPC; kompetenca funksionale e Gjykatës Administrative të Apelit për shqyrtimin me juridiksion fillestar të aktit normativ; kompetenca funksionale e gjykatave të apelit për të shqyrtuar me juridiksion fillestar paditë ndaj vendimeve të Agjensisë së Trajtimit të Pronës sipas ligjit nr. 133/2015 etj).

Sipas një interpretimi tjetër gjyqësor të Gjykatës së Lartë, kjo e fundit kishte vetëm mundësinë ta kthente çështjen në gjykatën e apelit, duke i lënë si detyrë kësaj të fundit të konstatonte pavlefshmërinë e akteve të gjykimit në shkallë të parë dhe ta dërgonte çështjen për rigjykim në shkallë të parë. (shih vendim nr.00-2017-2704 (823), datë 31.10.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë; Vendim nr. 163, datë 07.12.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë etj).

Duke qenë se neni 485 i KPC shkaktonte interpretime të ndryshme, ai u riformulua me ligjin nr. 44/2021. Në mënyrë të qartë në këtë dispozitë u parashikua se, pavarësisht se në cilën shkallë gjykimi konstatohet pavlefshmëria, çështja do të rikthehet për rigjykim vetëm në gjykatën e apelit. Në rastet kur konstatohen nga Gjykata e Lartë pavlefshmëri të akteve të gjykimit në shkallë të parë, gjykata e apelit do e shqyrtojë mosmarrëveshjen me juridiksion fillestar, duke rregulluar të metat e gjykimit të konstatuara në gjykimin në shkallë të parë, sipas detyrave të lëna nga Gjykata e Lartë (neni 485/c). Kolegji ka vlerësuar se ky rregullim ligjor dhe moskthimi i çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë nga ana e Gjykatës së Lartë është një risi pozitive në kuadrin e ekonomizimit procesual dhe arritjen e standardit të afatit të arsyeshëm të gjykimit, duke marrë si shembull modelin e nenit 467/a të KPC.

Neni 485 ishte risi edhe në raport me nenin 467/a, pasi saktësoi mangësinë e kësaj dispozite, duke e parashikuar në mënyrë eksplicite se Gjykata e Lartë mund ta kthejë çështjen në gjykatën e shkallës së parë, vetëm kur ka pasur një vendimmarrje jopërfundimtare nga gjykatës së shkallës së parë në kundërshtim me ligjin dhe kjo shkelje nuk është konstatuar nga gjykata e apelit (neni 485/ç).

Neni 485 i KPC, i ndryshuar në vitin 2001 parashikonte të drejtën e Kolegjit Civil për të vendosur ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit. Kjo kompetencë do t’i hiqej Gjykatës së Lartë me ndryshimet e ligjit nr. 38/2017, duke e vendosur atë para mundësisë për të vendosur mospranim rekursi (vetëm në dhomë këshillimi) ose prishjen ose lënien në fuqi të vendimeve të gjykatave më të ulëta (në seancë gjyqësore). Megjithatë, pavarësisht këtij rregullimi ligjor, Kolegji ka disponuar me ndryshimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta kur ka vlerësuar se kjo ka qenë e nevojshme referuar rrethanave dhe natyrës së çështjes. Për shembull, në rekurset ndaj vendimit që ka disponuar në lidhje me kërkesën për sigurim padie, Kolegji ka arsyetuar se për shkak të natyrës së ndërmjetme të vendimit në lidhje me sigurimin e padisë, natyrës urgjente që ka gjykimi i kësaj çështje dhe nevojës për ta zgjidhur atë përfundimisht, është i nevojshëm ndryshimi i vendimeve të gjykatave më të ulëta dhe zgjidhja e çështjes përfundimisht.

Në vendimin nr. 2020- 728 datë 26.11.2020 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka arritur në përfundimin se gjykatat më të ulëta kanë vendosur gabimisht pranimin e kërkesës për sigurim padie në një padi njohje. Sipas Kolegjit vendimi i ndërmjetëm me të cilin është vendosur masa e sigurimit të padisë është i papërligjur dhe i pajustifikuar, pasi të drejtat e paditësit, janë në çdo rast janë të garantuara ex lege, sipas dispozitave të analizuara më sipër, pa qënë e nevojshme të vendoset masë sigurimi padie. Si rrjedhojë nuk plotësohet premisa bazë ligjore e masës së sigurimit të padisë, rreziku se ekzekutimi i vendimit gjyqësor në të ardhmen do të bëhet i pamundur ose i vështirë...Sa më sipër, Kolegji ka vlerësuar se në rastin konkret, me vendimin e ndërmjetëm të marrë nga gjykata e shkallës së parë, lënë në fuqi nga gjykata e apelit, është vendosur sigurimi i padisë në kundërshtim me ligjin, si rrjedhojë zgjidhja e çështjes përfundimisht nga Gjykata e Lartë, që përputhet edhe me interesin e palës së paditur për të bërë rekurs, do të ishte prishja e dy vendimeve dhe anullimi i masës së sigurimit të padisë.

Gjithashtu, në vendimin nr. 16 datë 17.01.2022, Kolegji Civil ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë. Në këtë vendim, nga gjykata e shkallës së parë ishte disponuar me vendim kthim aktesh, duke arsyetuar se padia përmbante të meta që nuk ishin ndrequr nga paditësi, Avokatura e Shtetit, konkretisht adresat e të paditurve. Ky vendim është lënë në fuqi me të njëjtin arsyetim nga Gjykata e Apelit.

Kolegji Civil ka konstatuar se objekt gjykimi është kundërshtimi i një vendimi që ka njohur të paditurit pronarë mbi një pasuri të paluajtshme, duhet parë mundësia e njoftimit të të paditurve pronarë edhe pranë pasurisë së tyre, e cila formalisht duhet të jetë në posedim të tyre. Për faktin se asnjë nga veprimet si më sipër nuk rezulton të jetë bërë gjatë seancave të gjykimit në shkallë të parë, Kolegji vlerëson se vendimet e gjykatave të faktit janë të cenueshëm. Gjithashtu Kolegji ka konstatuar mungesë të kompetencës tokësore ekskluzive të gjykatave të faktit. Për këto arsye, në kushtet kur vendimi i gjykatës së shkallës së parë për kthim aktesh është vendim jo përfundimtar, është vendosur prishja e të dy vendimeve dhe kthimi i çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. (shih vendimin nr. 16 datë 17.01.2022 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë)

Me ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 44/2021 Kolegjit Civil i’u rikthye kompetenca për të ndryshuar vendimmarrjen e gjykatave më të ulëta, por me një përcaktim shumë të rëndësishëm që nënvizon rolin e saj si gjykatë ligji. Sipas germës dh) të nenit 485 të KPC, Kolegji ka të drejtë të vendosë ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes kur zbatimi i ligjit procedural apo material nuk diktohet nga nevoja për rishqyrtimin dhe rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes. Ky parashikim i jep mundësinë Kolegjit Civil ose Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të ndryshojnë vendimmarrjen e gjykatave më të ulëta, por ky ndryshim nuk duhet të jetë i tillë që të bëjë rivlerësim të fakteve apo provave të çështjes, pasi sipas qëndrimit të konsoliduar të secilit Kolegj të Gjykatës së Lartë kjo është një çështje që del jashtë juridiksionit eskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë.

Parashikimin e nenit 485/dh të KPC Kolegji Civil e ka zbatuar në vendimin nr. 44 datë 05.07.2021, me objekt pjesëtim pasurie. Në këtë vendim Kolegji Civil ka interpretuar veprimin juridik të njëanshëm, testamentin, duke arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me marrëdhënien juridike të trashëgimisë me titull universal. Në këtë çështje, Kolegji ka përcaktuar drejtë natyrën e marrëdhënies juridike, duke llogaritur pjesën e trashëgimtarit universal, që përbën një llogaritje matematikore dhe nuk konsiston në rivlerësim faktesh dhe provash. Në këtë vendim, Kolegji është shprehur se: “Kolegji vlerëson se identifikimi i gabuar i pjesëve takuese të palëve të paditura, nga gjykatat më të ulëta, si një përllogaritje e thjeshtë matematikore, ka ardhur si rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material dhe sipas nenit 485/dh të KPC, të ndryshuar me ligjin nr. 44/2021, Gjykata e Lartë nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta zgjidhur çështjen përfundimisht, duke ndryshuar pjesërisht vendimet e tyre.”

 

Njoftimet                            

 

Një nga risitë e sjella prej ligjit nr. 44/2021 është ai për procedurën e njoftimit. Në lidhje me mënyrën e njoftimit për datën dhe orën e gjykimit, ligji parashikon që listat e shqyrtimit të rekurseve shpallen të paktën 15 ditë përpara datës së shqyrtimit. Njoftimi për ditën, orën, si dhe përbërjen e trupit gjykues që shqyrton rekursin bëhet me shpallje në ambientet e Gjykatës së Lartë, si dhe në faqen e saj të internetit. Nga ana tjetër, ligji parashikon njoftimin individual kur palët ose përfaqësuesit e tyre kanë lënë të dhënat e tyre elektronike të kontaktit në shkallët e tjera të gjykimit. Pra, sipas ligjit njoftimi individual kryhet vetëm në rrugë elektronike kur palët ose përfaqësuesit e tyre i kanë lënë të dhënat e tyre të kontaktit në shkallët e tjera të gjykimit. Njoftimi sipas këtyre mënyrave rrit efikasitetin e njoftimit duke mundësuar në këtë mënyrë përshpjetimin e gjykimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë, për aq kohë sa njoftimi është pjesë përbërëse e procesit të rregullt ligjor dhe është kusht i domosdoshëm që gjykata të procedojë më gjykimin e çështjes.

Nga ana tjetër, neni 485/b i KPC, i shtuar me ligjin nr. 44/2021 parashikon se sekretaria gjyqësore njofton vendimet e Gjykatës së Lartë sipas nenit 316 të këtij Kodi, që parashikon rregullat e përgjithshme të njoftimit të vendimeve gjyqësore.

Duke marrë në konsideratë numrin e lartë të çështjeve që presin për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë, njoftimi sipas parashikimit të mësipërm do të përbënte një kosto dhe kohë të madhe e të pajustifikuar për Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, është i nevojshëm disiplinimi i palëve që të lënë adresën e tyre elektronike, që kur depozitojnë rekursin, në mënyrë që të kenë mundësi të njoftohen në rrugë elektronike nga Gjykata e Lartë për vendimin e arsyetuar, duke u ndjekur në këtë mënyrë procedura analoge e parashikuar nga neni 482/3 e KPC. Kjo do të lehtësonte ndjeshëm punën e Gjykatës së Lartë, do të ekonomizonte procesin dhe do të rriste efektivitetin e bërjes në kohë të njoftimeve gjyqësore.

 

Rigjykimi                   

 

Një nga ndryshimet e sjella me ligjin nr. 44/2021 i referohet procesit të rigjykimit, kur çështja është prishur dhe është kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë. Së pari, është parashikuar rishtazi se Gjykata e Lartë, kur dërgon çështjen për rigjykim, në vendim përcakton se cila pjesë e vendimit ose gjykimit të faktit prishet dhe për cilën pjesë të mosmarrëveshjes duhet të zhvillohet rigjykimi. Ky parashikim ka pasur si qëllim ekonomizimin e procesit gjyqësor dhe fokusimin e rigjykimit nga Gjykata e Apelit ose gjykata e shkallës së parë (në rastin e nenit 485/ç të KPC) në shkaqet për të cilat është prishur vendimi nga Gjykata e Lartë. Gjykata e rigjykimit duhet të orientojë hetimin gjyqësor në përmbushjen e detyrave të lëna nga Gjykata e Lartë, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar prej saj. Në mënyrë që t’a orientojë procesin e rigjykimit në këtë drejtim, sipas paragrafit II të nenit 493 të KPC, për Kolegjin Civil lind detyra që të përcaktojë në vendim cilat pjesë të vendimit ose gjykimit të faktit prishet dhe për cilën pjesë të mosmarrëveshjes duhet të zhvillohet rigjykimi. Një rast i tillë, do të ishte kur Kolegji Civil e prish vendimin e gjykatës më të ulët për moskrijimin e drejtë të bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme (neni 161 i KPC). Në këtë rast, Kolegji Civil duhet të shprehet në vendim se vendimi prishet vetëm për këtë shkak procedural dhe rigjykimi duhet të fokusohet në këtë drejtim.

 

Rekursi i veçantë ndaj vendimeve të ndërmjetme

 

Risi e parashikuar me ligjin nr. 44/2021 është rekursi i veçantë ndaj vendimeve të ndërmjetme. Paragrafi 2 dhe 3 i nenit 470 i KPC parashikon se në rastet e parashikuara shprehimisht në këtë Kod, kundër vendimeve të ndërmjetme mund të bëhet ankimi i veçantë në gjykatën e apelit ose rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë, brenda 5 ditëve nga njoftimi i tyre. Ankimet e veçanta ose rekurset kundër vendimeve të ndërmjetme shqyrtohen në dhomë këshillimi brenda 30 ditëve nga dita e regjistrimit të tyre në gjykatën më të lartë.

Gjithashtu, me ligjin nr. 44/2021 ka ndryshuar neni 443/4 i KPC që parashikon: Afati i ankimeve të veçanta dhe rekurseve është 5 ditë.”

Në rast se objekt gjykimi është një ankim i veçantë me objekt një vendim të ndërmjetëm të gjykatave më të ulëta, për shembull vendimi në lidhje me kërkesën e paditësit për sigurimin e padisë, diskutimi që ka lindur është nëse ka kompetencë Kolegji ta zgjidhë çështjen përfundimisht apo mund të vendosë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim. Në praktikë, një situatë e tillë ka sjellë problematikën që paralelisht zhvillohet gjykimi i themelit dhe gjykimi në lidhje me vendimin e ndërmjetëm ndaj të cilit është ushtruar ankim i veçantë. Kolegji e ka trajtuar këtë çështje duke u ndalur në risinë që sollën ndryshimet e vitit 2017 në Kodin e Procedurës Civile për sa i përket ritit të gjykimit rishikues në gjykatën e apelit dhe në Gjykatën e Lartë mbi gjykimin e ankimeve të veçanta ndaj vendimeve të ndërmjetme. (shih vendimin nr. 2020- 728 datë 26.11.2020 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë)

 Para datës 05.11.2017 ligji procedural nuk parashikonte rit të posaçëm gjykimi për ankimet e veçanta në gjykimin rishikues. Me ndryshimet ligjore procedurale hyrë në fuqi në këtë datë u parashikua se të gjitha vendimet e ndërmjetme të cilat ankimohen sipas ligjit në mënyrë të veçantë do të shqyrtohen nga ana e gjykatës më të lartë me juridiksion rishikues sipas ritit të gjykimit në dhomë këshillimi dhe se gjykimi duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të çështjes në gjykatë. Ky ndryshim u shoqërua edhe me ndryshimin e nenit 448 të K.Pr.C, në të cilin u ndalua gjykata rishikuese të bashkojë ankimet e llojeve të ndryshme të ushtruara nga palët mbi të njëjtin gjykim apo vendim.

Më tej me këtë qëllim u prezantua për herë të parë në ligjin procedural civil edhe një normë e posaçme për gjykimin kameral në gjykatën e apelit, konkretisht neni 465/a i Kodit të Procedurës Civile. Mesazhi i ligjvënësit ishte që ritmi i gjykimi të ankimeve të veçanta nuk mund të jetë i njëjtë me ritmin e gjykimit të ankimeve të zakonshme. Sigurisht që ratio e këtij ndryshimi ligjor procedural ishte garantimi i efektivitetit të ankimit të veçantë dhe njëkohësisht edhe ekonomizimi i afateve të gjykimeve të ndërmjetme të cilat janë mekanizmat proceduralë që ndikojnë thelbësisht edhe në mbarëvajtjen e gjykimit të zakonshëm.

Kjo do të thotë se, në çdo rast gjykimi kameral i ankimeve të veçanta në gjykatën më të lartë nuk mund të njësohet me gjykimin e zakonshëm të ankimeve dhe se këto dy gjykime të posaçme zhvillohen sipas regjimeve të ndryshme juridike me qëllim garantimin e efektivitetit sipas karakteristikave të këtyre mjeteve procedurale. Për rrjedhojë, Kolegji ka interpretuar se nenit 470 të KPC nuk mund t’i imponohen në çdo rast, edhe kur janë të papajtueshme me këtë procedurë gjykimi, rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në këtë kuptim, shqyrtimi në Gjykatën e Lartë të rekurseve të veçanta, njëlloj sikurse në gjykatën e apelit, të apeleve të veçanta, duhet të pasohet nga zgjidhja përfundimtare e kontestit të palëve mbi ligjshmërinë e vendimit të ndërmjetëm të ankimuar. Për rrjedhojë do të ishte e papajtueshme me qëllimin e ligjvënësit të ndryshimeve ligjore të vitit 2017 që gjykata rishikuese të mos e zgjidhte ankimin e veçantë përfundimisht dhe të mundej ta kthente çështjen për rigjykim. Kjo zgjidhje nuk do të justifikohej nga nevoja e gjykimit të themelit për të pasur ecuri dhe mbarëvajtje të pandërprerë dhe të sigurt dhe as nga nevoja e garantimit të efektivitetit të mjeteve të posaçme të ankimit, sipas nenit 43 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ.

Në këtë logjikë juridike, Kolegji ka vlerësuar se rregullat mbi disponimin e gjykatës rishikuese mbi vendimet e ndërmjetme të cilat ankimohen me ankime të veçanta, sipas nenit 470 të Kodit të Procedurës Civile, janë të ndryshme nga rregullat që regjojnë disponimet e gjykatës rishikuese ndaj vendimeve përfundimtare objekt ankimi, konkretisht dhe respektivisht sipas nenit 466, 480 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile. Këto dispozita do të zbatohen për aq kohë sa pajtohen me gjykimin e posaçëm të ankimeve të veçanta ndaj vendimeve të ndërmjetme. Ligjvënësi ka parashikuar se brenda 30 ditëve nga momenti i regjistrimit të çështjes në gjykatën rishikuese do të duhet që ankimi i veçantë ndaj vendimit të ndërmjetëm të marrë një zgjidhje me qëllim që të garantohet mbarëvajtja e procesit gjyqësor kryesor dhe se kjo mbarëvajtje mund të garantohet vetëm duke kuptuar se vendimi i ndërmjetëm objekt ankimi në çdo rast do të duhet të marrë një përgjigje përfundimtare në mënyrë që kjo çështje të jetë e zgjidhur juridikisht.

Në këtë kuadër, Kolegji Civil ka pasur praktikë ku është konkluduar se për vendimet e ndërmjetme objekt rekursi, nuk zbatohen rregullat e përgjithshme në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë, për shkak se ato kanë karakter urgjent dhe do të duhet të gjykohen me shpejtësi. Këto vendime nuk mund të prishen dhe të kthehen për rigjykim sipas nenit 467 të K.Pr.C, por për to duhet të konkludohet përfundimisht nga Gjykata e Lartë. (Shih vendimin nr. 00-2006-363 (849), datë 29.06.2006 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë)

 

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit gjyqësor

 

Në lidhje me pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, duhet vënë në dukje se para ndryshimeve të miratuara me ligjin nr. 44/2021, pezullimi rregullohej nga dy dispozita, neni 469/2 i KPC që parashikonte të drejtën e gjykatës së apelit për të vendosur pezullimin e gjykimit: “Gjykata e apelit me kërkesën e palës mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit edhe kur ajo le në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, kur kundër vendimit të saj bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nga ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit mund të vijnë pasoja të rënda ose të pariparueshme, si dhe kur pala që ka bërë rekursin jep garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit.”

Po ashtu, edhe neni 479 i Kodit të Procedurës Civile rregullonte kërkesën e palëve ndërgjyqëse, drejtuar Gjykatës së Lartë, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor objekt rekursi: “Gjykata e Lartë, pasi është paraqitur rekursi, me kërkesë të palës, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit kur:

a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme; dhe/ose;

b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin vendimit.

Neni 449 i KPC: “Ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundim të shqyrtimit në gjykatën e apelit, përveç kur me ligj parashikohet ndryshe. Në rastet e rekursit në Gjykatën e Lartë vendimi mund të pezullohet në Gjykatën e Lartë.”

Sikurse mund të deduktohej nga leximi i këtyre dispozitave, nenet 449, 469 dhe 479 legjitimoheshin njëkohësisht dy gjykata, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, duke mbivendosur kompetencat e tyre, për shqyrtimin e kërkesave të palëve për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke krijuar paqartësi për palët se cila është gjykata e caktuar me ligj. Gjithashtu, neni 469 i KPC kishte krijuar vështirësi zbatimi edhe për gjykatën e apelit, duke mos u sqaruar asnjëherë mënyra e zbatimit të kësaj dispozite. Ndodhte në praktikë që pala ndërgjyqëse i drejtohej me kërkesë për pezullim gjykatës së apelit, referuar nenit 469 të KPC, si edhe Gjykatës së Lartë referuar nenit 479 të KPC, duke krijuar mundësinë që këto gjykata të shpreheshin paralelisht në lidhje me kërkesën për pezullim, por edhe të mbanin qëndrime të ndryshme.

Për të qartësuar çështjen e mësipërme dhe cila prej këtyre dy dispozitave duhet të prevalojë në kërkesën për pezullim, më përpara i jemi referuar parimit universal që regjon kompetencën e gjykatave, të sanksionuar në nenin 55 të KPC, sipas të cilit gjykata që është kompetente për çështjen kryesore, është kompetente dhe për zgjidhjen e kërkesave dytësore, e njohur ndyshe si kompetenca që rrjedh ex lege për shkak të koneksitetit. Duke u bazuar te kjo dispozitë, e cila ka karakter të përgjithshëm dhe zbatohet për të treja shkallët e gjykimit, mund të konkludohet se gjykatë e caktuar me ligj, jo vetëm në aspektin formal por edhe substancial për shqyrtimin e kërkesave të tilla, të cilat garantojnë efektivitetin e rekursit, do të duhet të jetë vetëm Gjykata e Lartë, si gjykata që ka kompetencën funksionale, ekskluzive, për shqyrtimin e rekursit. E thënë ndryshe, sikurse kompetenca funksionale e Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar rekursin është e natyrës ekskluzive, e po të njëjtës natyrë është edhe kompetenca e kësaj Gjykate për të shqyrtuar çdo kërkesë dytësore në funksion të zgjidhjes së rekursit, me natyrë të prejardhur nga rekursi, përfshirë këtu kërkesën për pezullim gjykimi.

Argumenti i dytë në mbështetje të këtij përfundimi, është fakti se gjykata që shqyrton kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, bazuar në nenet 469 apo 479 të KPC, krahas vlerësimit rast pas rasti të rrethanave të urgjencës, mundësisë së ardhjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm që mund t’i vijë palës gjyqhumbëse nga ekzekutimi i vendimit, shqyrton dhe vlerëson edhe perspektivën e çështjes dhe mundësinë e dhënies së një vendimi të ndryshëm nga Gjykata e Lartë pas shqyrtimit të rekursit. Sipas parimit kushtetues të gjykimit hierarkik treshkallësh, nuk mundet dot gjykata që ka dhënë vendimin të verë në diskutim apo në dyshim ligjshmërinë e vendimit të dhënë prej saj.

Diskutimi i mësipërm aktualisht ka vlera studimore, pasi ligji nr. 44/2021 shfuqizoi paragrafin e dytë të nenit 469 të KPC që parashikonte të drejtën e gjykatës së apelit për pezullim të vendimit gjyqësor të dhënë prej saj. Aktualisht neni 469 i KPC i ndryshuar ka këtë përmbajtje: Kur prishet vendimi i shkallës së parë dhe çështja dërgohet për rigjykim, pezullohet ekzekutimi i vendimit.”

Dispozita në fuqi që rregullon pezullimin e vendimit gjyqësor është neni 479 i KPC që parashikon ndër të tjera: Gjykata e Lartë, pasi është paraqitur rekursi, me kërkesë të palës, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit kur:

a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme; dhe/ose;

b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit.

2. Kërkesa për pezullim parashtrohet në rekurs ose më vete.

Gjykata e Lartë merr masat e nevojshme që kërkesa t’i njoftohet palës tjetër dhe kërkesa të gjykohet sa më shpejt. Pala ka të drejtë të parashtrojë me shkrim brenda tre ditëve, nga e nesërmja e marrjes dijeni mbi kërkesën për pezullim, argumentet e saj dhe kërkimet.

3. Shqyrtimi i kërkesës bëhet në dhomë këshillimi.”

 

Kompetenca tokësore

 

Me ligjin nr. 37/2017 për herë të parë do të parashikohej që gjykata, kur konstaton se nuk është kompetente për shkak të lëndës, funksionit ose të kompetencës tokësore ekskluzive, sipas neneve 45 dhe 46, të këtij Kodi, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vendos moskompetencën e saj dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente. E drejta e gjykatës për të marrë në shqyrtim kryesisht kompetencën kushtëzohej nga lloji i kompetencës, për shkak të lëndës, funksionit ose të kompetencës tokësore ekskluzive, sipas neneve 45 dhe 46 të KPC.

Nga ana tjetër, neni 61 i KPC parashikon se kompetenca tokësore joekskluzive mund të mund të merret parasysh vetëm me kërkesë të palëve, derisa nuk është nxjerrë urdhri për caktimin e seancës gjyqësore.

Në lidhje me këtë parashikim, Kolegji Civil ka mbajtur qëndrimin se si parakusht procedural në disponibilitetin e palës, sipas vlerësimit që ato i bëjnë interesave të tyre ngushtësisht personale, për gjykatën që do të zgjidhë më shpejtë dhe më lehtë çështjen e tyre, K.Pr.Civile, (pas ndryshimeve me Ligjin nr. 38/2017), në nenin 61, ka parashikuar se çështja e kompetencës tokësore është një prapësim procedural në kuptimin e ngushtë, që mund të ngrihet vetëm nga pala dhe brenda afatit dekadent, konkretisht derisa të jetë nxjerrë urdhri për seancën gjyqësore.

Pra, ndryshe nga parashikimi i mëparshëm, çështjen se kush gjykatë do e zgjidhë më lehtë dhe më shpejtë çështjen mund ta vlerësojnë ekskluzivisht palët dhe nuk mundet gjykata, sipas parimit të disponibilitetit, të bëjë një vlerësim ndryshe, të këtyre interesave. Përjashtimisht kjo dispozitë ka parashikuar se në oficialitetin dhe disponibilitetin e gjykatës, mbetet vetëm çështja e kompetencës tokësore ekskluzive sipas neneve 45 dhe 46 të K.Pr.Civile dhe gjykata mund të investohet kryesisht për të konstatuar kompetencën tokësore vetëm për paditë reale në lidhje me sende të paluajtshme apo për paditë trashëgimore sipas këtyre dispozitave.

Kolegji ka vlerësuar se, qëllimi i ligjvënësit (ratio legis) në lidhje me këtë ndryshim të nenit 61 të K.Pr.Civile lidhet me faktin se çështjen e kompetencës tokësore ligji procedural e ka konceptuar që në vitin 2001 si prezumim ligjor relativ dhe si të tillë të konvalidueshëm. Kështu, neni 467/b i K.Pr.Civile, i pandryshuar, parashikonte se: “Kur gjykata për çështjen që nuk ishte në kompetencën e saj ka dhënë një vendim të drejtë dhe, nga ana tjetër, nuk janë kapërcyer kompetencat e gjykatës së cilës i takonte çështja, gjykata e apelit ka të drejtë të mos e prishë vendimin, por të mjaftohet t’i verë në dukje gjykatës përkatëse parregullsinë e vendimit të saj.”

Kjo dispozitë në fakt frymëzohet nga parimi i disponibilitetit dhe parimi i konvalidimit të akteve procedurale në gjykimin civil, (shiko nenin 120 të K.Pr.Civile) sipas të cilit nuk mund të shpallet pavlefshmëria e një akti procedural, pa kërkesën e palës në interes të së cilës kryhet ai akt. Kjo do të thotë se gjykata që sipas ligjit nuk është fillimisht kompetente nga pikëpamja tokësore, bëhet e tillë dhe prodhon akte të vlefshme në momentin kur pala e pranon apo heshtazi ka hequr dorë nga kundërshtimi i kompetencës tokësore. Kolegji ka vlerësuar se, parashikimi i nenit 61 të K.Pr.Civile të ndryshuar është marrë si model nga i njëjti regjim juridik që zbatohet në procesin penal apo atë administrativ. Ndërkohë paragrafi i parë i nenit 61 të K.Pr.Civile do të duhet të rregullojë vetëm mënyrën se si gjykata verifikon kompetencën lëndore. (shih vendimin nr. 1099-2020 datë 11.11.2020, nr. 1099-2020 datë 11.11.2020 të Kolegjit Civil)

Nga ana tjetër, risi e sjellë me ligjin nr. 44/2021 është parashikimi i nenit 62 të KPC sipas të cilit: “Kundër vendimit të gjykatës mbi kompetencën për gjykimin e mosmarrëveshjes lejohet ankim bashkë me vendimin përfundimtar ose jopërfundimtar.” Ligji ka parashikuar se ndaj vendimit të gjykatës që shpall moskompetencën nuk lejohet ankim i posaçëm, por mund të bëhet ankim vetëm se bashku me vendimin përfundimtar ose jopërfundimtar. Për shkak të mosparashikimit më të së drejtës për ankim të posaçëm, është shfuqizuar edhe neni 63 i KPC që parashikonte pezullimin e gjykimit, për shkak të ushtrimit të ankimit ndaj vendimit të gjykatës që shpallte moskompetencën.

Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë mund të investohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës vetëm me parashtrim nga gjykata më e ulët të cilës i është dërguar çështja për kompetencë, sipas nenit 64 të KPC që parashikon parimin e përgjithshëm që konflikti i kompetencës midis gjykatave nuk lejohet. Megjithatë, gjykata që i dërgohet çështja për kompetencë ka të drejtë t’i parashtrojë qëndrimin e saj Gjykatës së Lartë, e cila vendos përfundimisht për kompetencën. Nga ana tjetër, e drejta e rekursit të veçantë vazhdon të ekzistojë në lidhje me vendimin e gjykatës që nxjerr çështjen jashtë juridiksionit, sipas nenit 59/2 të KPC që parashikon: Kur gjykata vendos nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë, ndërsa kur vendos që çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, kundër vendimit lejohet ankim bashkë me vendimin përfundimtar ose jopërfundimtar.

________________________________

 

Literatura:

 

E drejtëm pozitive

-          Kodi i Procedurës Civile

-          Ligji. nr. 38/2017, datë 30.3.2017

-          Ligji 44/2021, datë 23.3.2021

 

Jurisprudencë

-          Vendimi nr. 40, datë 05.02.2020 i Gjykatës Kushtetuese

-          Vendim nr. 1099-2020 datë 11.11.2020 i Kolegjit Civil

-          Vendim nr. 1099-2020 datë 11.11.2020 i Kolegjit Civil

-          Vendim nr. 2021 - 2002 datë 06.12.2021 i Kolegjit Civil

-          Vendim nr. 00-2006-363 (849), datë 29.06.2006 2021 i Kolegjit Civil

-          Vendim  nr. 2020- 728 datë 26.11.2020 i Kolegjit Civil

-          Vendimi nr. 44 datë 05.07.2021 i Kolegjit Civil

-          Vendim nr. 00-2017-2704 (823), datë 31.10.2017 i Kolegjit Administrativ

-          Vendim nr. 163, datë 07.12.2017 i Kolegjit Civil

-          Vendim njësues nr. 13 datë 04.04.2018 i Kolegjit Penal

-          Vendim nr. 31003-01769-2013 Regj.themeltar datë 13.12.2021 Kolegji Civil

-          Vendim nr. 00-2021-1794 datë 08.11.2021 i Kolegjit Civil

-          Vendim nr. 16 datë 17.01.2022 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë

 

 

 



[1] Neni 476/1,2 i KPC parashikon: “1. Rekursi  depozitohet    sekretarinë  e  gjykatës    ka  dhënë vendimin në afatin prej 30 ditësh nga dita e njoftimit që u është bërë palëve.

                2. Së bashku me rekursin duhet të depozitohet:

               a)  kopja  e vërtetuar  e  vendimit    kundërshtuar  dhe,  kur  është rasti, edhe e njoftimit kur ky është bërë;

                b) prokura e posaçme;

                c)  aktet  dhe  dokumentet  mbi    cilat  është  bazuar  rekursi  në aq  kopje  sa  janë  palët.