E D I T O R I A L

 

Kur në krye të këtij viti Këshilli i Lartë Gjyqësor publikoi një raport vlerësimi “Një hartë e re gjyqësore për Shqipërinë” ra në sy se në parathënien e këtij raporti citohej një shprehje e Platonit: “Drejtësia në jetën dhe sjelljen e një shteti është e mundur vetëm nëse ajo jeton në zemrat dhe shpirtrat e qytetarëve”. Mirëpo, pavarësisht citimit të kësaj thënieje filozofike me vlera edhe aktuale, drejtësia nuk është e prekshme plotësisht për qytetarët e vendit tonë, veçanërisht për njerëzit në nevojë nga kushtet e vështira ekonomiko-shoqërore. Në të vërtetë, riorganizimi i gjykatave dhe kompetencave të tyre tokësore ka një rëndësi mjaft të madhe për rritjen e aksesit, cilësisë dhe reduktimin e kostove për shtetasit në marrjen e drejtësisë, për elemente të rëndësishme të së drejtës për një proces të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

 

Por, nga raporti vlerësues i KLGJ-së propozohet që nga 22 gjykata të shkallës së parë të mbeten vetëm 13 të tilla dhe një gjykatë apeli për të gjithë vendin. Pas disa muajsh konsultimesh me grupet e interesit, i vetmi ndryshim nga propozimi i mëparshëm i KLGJ-së është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë. Ndërkohë që, sipas ligjit ndërkombëtar dhe evropian për të drejtat e njeriut, parimi i aksesit në drejtësi detyron shtetet të garantojnë të drejtën e çdo individi të shkojë në gjykatë ose, në raste të caktuara, të ketë akses në një organ që zgjidh në mënyrë alternative mosmarrëveshjet, me qëllim që të zhdëmtohet nëse konkludohet se të drejtat e veta janë shkelur. Element esencial i aksesit në drejtësi është edhe shpërndarja gjeografike e gjykatave.

Megjithë përpjekjet e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, që përfshin kapacitetet kryesore të mbrojtësve ligjorë, për të vënë në ulli të drejtë riogranizimin e gjykatave, sidomos në planin gjeografik, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka bërë asnjë ndryshim të Hartës, përveç propozimit të mësipërm.

Në këto kushte, Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, pasi u njoh me vendimin e KLGJ-së të datës 10.06.2022 për miratimin e Hartës së Re Gjyqësore, vlerësoi në vendimin nr.1, datë 11.06.2022 tërësinë e hartimit të kësaj Harte si një akt në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura në mënyrë të posaçme nga Kushtetuta dhe Ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu, sipas vendimit të këtij Komitetit, Harta e Re Gjyqësore ka përjashtuar totalisht detyrimin ligjor për krijimin e degëve të gjykatave. Respektimi i kritereve ligjore në këtë fushë do të lehtësonte hartimin e një Harte të Re efikase.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë vendosi që të bojkotojë të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të atyre për dhënien e masave të sigurimit, duke përfshirë në objektin e këtij bojkoti edhe seancat gjyqësore të planifikuara në Gjykatën e Lartë për datat 14, 15, 16 dhe 17 Qershor 2022.

Komiteti Drejtues zhvilloi, gjithashtu, më datën 17.06.202, një mbledhje të zgjeruar me pjesëmarrjen edhe të kryetarëve të dhomave vendore të avokatisë për të marrë në shqyrtim zbatimin e Vendimit të tij nr. 1, datë 11.06.2022, për bojkotimin e proceseve gjyqësore gjatë periudhës katër ditore të përmendur më lart, por anëtarë të disa dhomave vendore kanë kapërcyer edhe tri javë të bojkotit. Ky Komitet Drejtues ka vlerësuar përmbushjen e qëllimit për të cilin u mor ky vendim, duke e konsideruar si një fillim të një procesi mbi përmbushjen e kërkesave lidhur me ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë.

Konsultimi i organit qëndror të Avokatisë për një Hartë të Re me të vërtetë serioze do të vazhdojë edhe nëpërmjet konsultimeve me organe të tjera, të tilla si Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, Komisoni Parlamentar përkatës dhe Këshilli i Ministrave. Ndërkohë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm janë dakordësuar me Hartën e Re, ndërsa Ministri i Drejtësisë e ka konsideruar bojkotin e avokatëve për Hartën e Re Gjyqësore si të papranueshëm dhe që u kufizon klientëve aksesin në drejtësi. Gjithashtu, ai shpreh mendimin që, pasi Harta e Re të miratohet, avokatët mund ta hedhin në gjyq, madje edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke mos marrë parasysh se reflektimi i grupit të punës mbi nevojën e rishikimit të raportit të vlerësimit për Hartën e Re Gjyqësore, është i domosdoshëm për të shmangur rrezikun e kolapsit sa i takon aksesit në drejtësi, të cilën Gjykata jonë Kushtetuese e ka cilësuar si një ‘të drejtë’ në jurisprudencën e saj.

Në të vërtetë, i papranueshëm është huazimi që Këshilli i Lartë Gjyqësor u ka bërë modeleve të pesë vendeve të tjera, katër prej të cilave janë Anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian. Por, infrastruktura, cilësia e jetesës, mundësitë e transportit të shpejtë, të ardhurat që përfitojnë etj. e qytetarëve të tyre nuk mund të krahasohen apo të barazohen me ato që ballafaqohen qytetarët e Shqipërisë.

Kur, prej shumë e shumë kohësh, në botë është bërë e qartë, se drejtësia duhet të preket e të ndjehet nga njerëzit, dhe jo të ndodhë e kundërta.