D O K U M E N T E

 01.02.2022 

 

Këshilli i Bareve dhe Shoqatave Ligjore të Evropës (CCBE) përfaqëson avokatët dhe shoqatat ligjore të 45 vendeve dhe, nëpërmjet tyre, më shumë se 1 milion avokatë evropianë. Që nga krijimi i saj, CCBE ka qenë në ballë të avancimit dhe mbrojtjes së parimeve ligjore mbi të cilat bazohet demokracia dhe shteti i së drejtës.

 

CCBE ka njoftuar se konsorciumi i gazetave Forbidden Stories dhe Amnesty International zbuluan një rrjedhje të më shumë se 50.000 numrave të telefonit të përzgjedhur për qëllime mbikëqyrjeje me Pegasus, një spyware[1] i shitur nga kompania izraelite NSO Group. Konsorciumi zbuloi se si kjo teknologji ka abuzuar sistematikisht për vite me radhë, për të spiunuar avokatët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët, akademikët, biznesmenët, mjekët, liderët e sindikatave, diplomatët, politikanët dhe disa krerë shtetesh.

 

Në veçanti, rrjedhja e të dhënave telefonike tregon se avokatët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut u përzgjodhën nga qeveritë në mbarë botën si kandidatë të mundshëm për mbikëqyrje invazive (nga jashtë) përmes telefonave të tyre. CCBE vëren se avokatë nga Franca, Hungaria dhe Britania e Madhe ishin në shënjestër, ose u zgjodhën si objektiva të mundshëm për mbikëqyrje. Rodney Dixon, një avokat me bazë në Londër, u zgjodh si shënjestër në 2019.[2] Analiza ligjore (Forensic) e pajisjes së tij tregoi aktivitet të lidhur me Pegasus, por jo infektim të suksesshëm. Telefoni i Joseph Breham, një avokat francez për të drejtat e njeriut u komprometua disa herë në 2019. Ndërsa në Hungari, të dhënat e nxjerra përfshijnë numrat e të paktën 10 avokatëve,[3] duke përfshirë János Bánáti, President i Odës Hungareze të Avokatëve.[4]

 

           

 

Në fund të dhjetorit 2021, dolën zbulime të reja në lidhje me përdorimin e Pegasus në Poloni kundër një avokati, Roman Giertych, i cili njihet për përfaqësimin e politikanëve nga opozita polake.[5] Presidenti i Këshillit të Avokatëve të Polonisë (Naczelna Rada Adwokacka) i dërgoi një letër kryeministrit polak dhe palëve të tjera të interesuara duke pyetur nëse raportet ishin të vërteta dhe, në mënyrë pohuese, mbi cilën bazë ligjore telefoni i Roman Giertych ishte vënë nën vëzhgim. Në letër ai theksoi shprehimisht faktin se një përgjim i tillë ngre dyshime se aktivitetet cenojnë sekretin profesional, parim ky që në një vend demokratik garanton funksionimin korrekt të shtetit dhe drejtësisë.[6]

CCBE dëshiron të shprehë shqetësimin e saj serioz për të ashtuquajturin skandali Pegasus dhe përgjimin, ose mbikëqyrjen e mundshme të avokatëve. Në këtë drejtim, CCBE ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e sekretit profesional dhe privilegjit ligjor. Vetë Gjykata Evropiane e Drejtësisë u shpreh shprehimisht, se: “ky konfidencialitet i shërben kërkesave, rëndësia e të cilave njihet në të gjitha shtetet anëtare, që çdo person duhet të jetë në gjendje, pa kufizime, të konsultohet me një avokat, profesioni i të cilit kërkon dhënien e një këshille të pavarur juridike për të gjithë ata që kanë nevojë për të”, dhe shtoi se, parimi i “mbrojtjes kundër zbulimit të ofruar për komunikimet me shkrim ndërmjet avokatit dhe klientit bazohet kryesisht në njohjen e vetë natyrës së profesionit ligjor, për aq sa ai kontribuon në ruajtjen e shtetit të së drejtës dhe se të drejtat e mbrojtjes duhen respektuar”.[7]

Kjo vlerë thelbësore e profesionit të avokatit është nën sulm nga përdorimi i aftësive të sofistikuara teknike nga subjektet private ose publike, si organet shtetërore. Në ditët e sotme, avokatët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përdorin teknologjinë moderne kur komunikojnë me klientët, gjykatat, kolegët avokatë e të tjerë. Megjithatë, një teknologji e tillë duket se nuk është e sigurt për t'u përdorur, pavarësisht se sa me maturi e shfrytëzon avokati. CCBE nënvizon se gërryerja e konfidencialitetit të komunikimit avokat-klient gërryen edhe besimin e një qytetari në administrimin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Prandaj, autoriteteve kombëtare dhe evropiane CCBE u bën thirrje nëpërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, të ndërmarrin hapa për të mbrojtur dhe rritur konfidencialitetin e komunikimit avokat-klient kur përdoret teknologjia moderne. Hapa të tillë duhet të përfshijnë punë ligjore dhe teknike, për shembull, duke qartësuar përgjegjësinë e çdo botuesi që u vë në dispozicion këto mjete palëve të treta që janë të afta për përdorim të paligjshëm; ndalimin e publikimit të mjeteve të tilla në mbarë botën jashtë shërbimeve të sigurisë kombëtare; garantimin që mjete të tilla të jenë të aksesueshme vetëm për ato shërbime të sigurisë kombëtare për veprimet e të cilave shteti botues merr përgjegjësinë e plotë; ose lëshimin e mandateve për punën e standardizimit për t'i bërë këto pajisje të përdoruesit fundor më të sigurta për t'u përdorur.

Për më tepër, duhet të sigurohet që materiali i mbrojtur nga sekreti profesional dhe privilegji profesional ligjor të jetë jashtë fushëveprimit të operacioneve të mbikëqyrjes përmes instrumenteve të së drejtës ndërkombëtare, siç është Konventa Evropiane për profesionin ligjor.

Së fundi, CCBE fton autoritetet kombëtare dhe evropiane që të marrin në konsideratë rekomandimet e saj për mbrojtjen e të drejtave themelore në kontekstin e sigurisë kombëtare,[8] si edhe për mbrojtjen e konfidencialitetit të klientit brenda kontekstit të aktiviteteve të mbikëqyrjes.[9]

 



[1] Spyware është një softuer që i mundëson një përdoruesi të marrë informacion të fshehtë rreth aktiviteteve kompjuterike të tjetrit, duke transmetuar fshehurazi të dhëna nga hard disku i tyre.

[7] ECJ, 1982, AM&S (155/79).

[8] CCBE recommendations on the protection of fundamental rights in the context of ‘national security, 2019

[9] CCBE recommendations on the protection of client confidentiality within the context of surveillance activities, 2016