- Vëzhgim mbi problematikat e lidhura me anën subjektive dhe bashkëpunimin -

Avv. Assoc. Prof. Dr. Ersi BOZHEKU

Pedagog i të Drejtës Penale në Shkollën e Doktoraturës së

Universitetit Sapienza,

Romë (Itali)

 

Hyrje

 

Në punimin e botuar në numrin 41 të kësaj Reviste, objekt analize ishin veprat penale në fushën e falimentimeve në planin e elementit objektiv.[1] Më konkretisht, fokusi i punimit u ndal te thellimi i anës objektive  të veprave penale para-falimentare, ku objekti i shqyrtimit gjyqësor është analiza e veprimeve apo mosveprimeve të kryera në kuadrin e kompanive tregtare gjatë periudhës kur,  këto të fundit, kanë zhvilluar aktivitetin e tyre tregtar (pra, përpara se të jetë hapur drejt tyre procedura falimentare nga seksionet kompetente të gjykatës civile).

 

Bëhet fjalë për nenet 193 dhe 194 të Kodit Penal, të cilat sanksionojnë veprat penale të “falimentimit të provokuar” dhe “fshehjes së gjendjes së falimentimit”.

Në këtë punim objekti i analizës do të përqendrohet te ana subjektive e këtyre veprave dhe te problemet e lidhura me kryerjen e tyre në bashkëpunim, ndërsa në një punim të mëtejshëm do të analizohen veprat penale post-falimentare (d.m.th. ato vepra që kanë si objekt shqyrtimi fakte të realizuara pas hapjes së procedurës falimentare).

Është e arsyeshme të përcaktojmë që në fillim të këtij punimi se, ky i fundit, duhet të lexohet në harmoni dhe vazhdimësi me atë të botuar në numrin 41 të kësaj Reviste.

Dy artikujt janë pjesë e pandashme njëri me tjetrin dhe vetëm studimi koral i tyre mund të realizojë objektivat formuese të parapërcakuara nga autori, nga një anë, ose mund t’u japë përgjigje nevojave njohëse-studimore të lexuesit, nga ana tjetër.

Për arsye metodologjike dhe qartësie shpesh herë do të risillen në mënyrë sipërfaqësore argumente të trajtuara thellë në punimin e mëparshëm; megjithatë vetëm leximi dhe studimi i të dyja punimeve do të mund të garantojë një njohje të qartë dhe të mjaftueshme të mendimit të autorit mbi interpretimin e neneve, objekt i dy shkrimeve.

Në punimin e mëparshëm u vu në pah se si veprat penale para-falimentare shfaqin një sërë problematikash, pasi kërkojnë një gërshetim të thellë interpretues midis instituteve të së drejtës penale, asaj civilo-tregtare dhe falimentare.[2] U dhanë një sërë argumentimesh dhe interpretimesh për të bërë sa më të qartë metodologjinë që duhet të ndiqet në kuadrin e aplikimit të veprave penale të parashikuara nga nenet 193, 194 të K.P. në planin e elementit objektiv.[3]

Nuk mund të mos përsërisim faktin se këto vepra – të paktën në bazë të kërkimevë të kryera pranë Gjykatës së Lartë dhe atyre të faktit – nuk kanë gjetur aplikim në kuadrin e sistemit tonë penal. Ky konstatim natyrisht hap një sërë pyetjesh mbi nivelin e zhvillimit të drejtësisë penale në Shqipëri, pasi janë pikërisht veprat penale në fushën e ekonomisë, ku spikasin veçanërisht ato në kuadrin e falimentimeve, të cilat dëshmojnë për zhvillimin juridik dhe ekonomik të një vendi.

Nëse vepra penale si vrasjet, plagosjet, vjedhjet etj. janë parashikuar dhe ndëshkuar që në fillimet e njerëzimit, pasi që në shoqëritë e para primitive ndëshkimi i atyre që dhunonin disa të mira juridike thelbësore për mbijetesën e vetë shoqërisë ishte diçka parësore për të garantuar ekzistencën e saj, veprat penale në fushën e ekonomisë, të lidhura ngushtë me të drejtën e shoqërive tregëtare, i përkasin një faze më të vonë. Në të drejtën mesjetare do të gjejmë gjurmët e para të së drejtës penale falimentare:[4] megjithatë, pas revolucionit industrial rreth fundit të shekullit të XVIII, do të fillojnë të evidentohen trajtat e saja të mirëfillta në shumë legjislacione perëndimore.

Natyrisht në vendin tonë ndikimi i kulturës otomane para dhe pas pavarësisë, i gërshetuar me prapambetjen ekonomike që karakterizonte Shqipërinë në fillim të shekullit XX dhe i ideologjisë komuniste pas 1945 (ku mbizotëronte ideja e ekonomisë së centralizuar dhe e drejta tregtare konceptohej vetëm në një qasje publicistike), kanë bërë që pjesa e së drejtës penale falimentare të jetë e panjohur për shumë juristë apo edhe gjenerata juristësh.

Natyrisht nuk duhet harruar se tashmë janë më shumë se 30 vite që Shqipëria është një vend demokratik me një ekonomi tregu; si rrjedhim, shumë mungesa, edhe në planin e njohjes së instituteve juridike, nuk mund të justifikohet mē me periudhën e tranzicionit.[5] 

Megjithatë, mungesën e vendimeve gjyqësore mbi argumentin në vendin tonë mund ta interpretojmë në tre dimensione të ndryshme:

1.      Në Shqipëri nuk ka kompani që falimentojnë. Ky konkluzion bie ndesh me faktin se ligji ynë mbi falimentimet (110/2016) është tepër i artikuluar dhe pranë gjykatave civile ka seksione speciale per falimentimet, ku rezultojnë të hapura dhjetra e dhjetra procedura falimentare;

2.      mund të themi se në këtë vend administrimi i të gjitha shoqërive që kanë falimentuar ka qënë aq korrekt sa asnjëherë, në asnjë nga to nuk ka patur raste keqpërdorimi të fondeve nga ana e administratorëve. Kjo mundësi duket tepër e vështirë. Majfton të kujtojmë rastet e firmave piramidale, ku firma si ‘Vefa’, ‘Sude’, ‘Kamberi’ etj., përvec veprave penale të mashtrimeve, kanë realizuar edhe atë të falimentimit të provokuar, neni 193 KP, si edhe të mbajtjes së marrëdhënieve juridike tregtare me qëllim fshehjen e gjëndjes së falimentimit, neni 194 K.P.   

3.      Në Shqipëri thellimi i veprave penale në fushën e falimentimeve është i dobët dhe si pasojë iniciativat e Prokurorive lidhur me këto vepra penale kanë qënë të ulëta, për të mos thënë inekzistente. Dhe kjo natyrisht na jep dimensionin real të nivelit të sistemit gjyqësor në vendin tonë.

Është fakt se mungesa e një doktrine, dhe veçanërisht e një jurisprudence në fushën e veprave penale të falimentimeve në Shqipëri, tregon mungesën e një njohje të thellë të së drejtës penale mbi to.  

 

Disa reflektime të mëtejshme mbi problematikat interpretuese të lidhura me veprat penale para-falimentare

 

Profili më problematik i veprave penale para-falimentare është i lidhur me faktin se objekti i gjykimit nga ana e gjykatave penale është i lidhur ngushtë me aktivitetin e realizuar nga personi juridik (kryesisht kompani tregtare). Shpesh, në gjyqet për këto vepra penale, të paktën në eksperiencën italiane, gjykatat shtyhen derin në analizën e proceseve vendimarrëse të subjekteve që kanë administruar kompanitë e shpalluara më pas të falimentuara.

Kjo natyrisht sjell një problem të parë: deri ku mund të arrijë shqyrtimi gjyqësor penal? Cilat janë marrëdhëniet midis këtij të fundit dhë lirisë së iniciativës tregtare?

Gjetja e ekuilibrave nuk është e thjeshtë.

Në punimin e shkuar treguam se si keqadministrimet (sjelljet: duke kuptuar me këto të gjitha vemdimarrjet opo mos marrjet e vendimeve të nevojshme për administrimin korrekt) nga ana e subjekteve drejtuese të kompanive tregtare, që kanë çuar këto të fundit në falimentim, mund t’i ndajnë në dy kategori:[6]

a.       Sjelljet fiziologjike, ku drejtuesit e kompanive tregtare gabojnë në vlerësimin e strategjisë së biznesit duke çuar personin juridik në një gjëndje paaftësie ekonomike (p.sh. administratorët e kompanisë marrin kredi nëpër banka për të realizuar një impant prodhues, p.sh. në fushën e prodhimeve të bylmetit; ky i fundit nuk arrin të sjellë përfitimet e menduara nga administratorët pasi çmimi i produkteve nuk është i aftë të mbulojë shpenzimet. Si rrjedhojë, personi juridik shkon drejt një situate paaftësie ekonomike dhe më pas i kërkon gjykatës hapjen e procedurës falimentare. Në këtë rast, nuk kemi një keqpërdorim të fondeve në planin penal. Nuk kemi përvetësime fondesh nga ana e organeve drejtuese, por një stretegji të gabuar biznesi. Në këtë kuadër nuk mund të flasim për përgjegjësi penale të administratorëve).

b.      Sjelljet patologjike, kur drejtuesit e kompanive tregtare realizojnë fakte që nuk futen në kuadrin e aktivitetit të personit juridik, por madje keqpërdorin asetet apo burimet e saj financiare për qëllime që nuk përkojnë me objektin tregtar të tij. P.sh. administratori i kompanisë me fondet e saj blen makina lloksoze, bën udhëtime dhe pushime të shtrenjta, paguan shkolla të shtrenjta jashtë vendit për fëmijët e tij. Në këto raste kemi të bëjmë me keqpërdorime që nuk kanë lidhje me aktivitetin e personit juridik dhe që në planin shkaksor çojnë në një situatë paaftësie ekonomike të tij.         

Ka edhe një kategori të tretë faktesh që futen në horizontin e dispozitave penale para-falimentare, dhe me konkretisht bëhet fjalë për sjelljet fiziologjike të realizuara në kontekste patologjike.

  Këto të fundit janë më problematiket në planin e shqyrtimit gjyqësor pasi kërkojnë një analizë tepër penetruese jo vetëm mbi aktivitetin e zhvilluar por edhe të kontekstit ku ai është zhvilluar. Bëhet fjalë për ato raste kur gjëndja ekonomike e kompanisë nuk është e mirë dhe si rrjedhim shumë ide apo plane biznesesh, sado të virtytshme dhe interesante mund të jenë në planin parimor apo abstrakt, nuk përputhen dhe nuk janë adapte me kontekstin ekonomik të personit juridik. Si rrjedhim, vendimarrje të organeve drejtuese të tij, edhe pse fomalisht dhe objektivisht në përputhje me objektin e biznesit të realizuar nga kompania, nuk duhet të ishin marrë pasi kanë kontribuar në përkeqsimin e gjëndjes ekonomike të saj duke e çuar atë deri në një gjëndje paaftësie ekonomike, apo janë përdorur si instrument për fshehjen e paaftësisë ekonomike të personit juridik.

Në këto raste, gjykata penale, për të verifikuar nëse konkretisht cilësohen apo jo elementet e veprave penale para-falimentare (nenet 193, 194 K.P.), është e detyruar të shtrijë rrezen e saj të vlerësimit edhe te konteksti ekonomik i kompanisë, për të vlerësuar nëse plan-biznesi, parimisht korrekt dhe me perspektivë arritje suksesi, mund të realizohej me sukses në atë kontekst të cakuar, apo mundësia e suksesit të tij nuk mund të ishte e mundur. Në rastin e parë, përgjegjësia penale e subjekteve drejtuese të personit juridik duhet të përjashtohet. Në rastin e dytë, pamundësia objektive e suksesit të tij duhet të analizohen të paktën nën prizmin e nenit 194 K.P.

Për të qënë më të qartë, le të marrim një shëmbull nga praktika gjyqësore italiane dhe konkretisht nga çështja Parmalat. Një kompani, në fushën e bulmeteve, në gjendje të thellë krize financiare u kërkon bankave një kredi bankare prej disa qindra miliona eurosh për të zhvilluar një biznes të ri në fushën e mbledhjes, ambalazhimit dhe shpërndarjes së ujit të pijshëm. Nga analiza e plan biznesit del se ky është serioz dhe efektivisht mund të sjellë rrezultate të mira ekonomike në një plan afat shkurtër-afat mesëm. Bankat japin kredinë. Aktiviteti del efektivisht i sukseshëm por shkalla e borxheve të kompanisë është megjithatë tepër e lartë. Si rrjedhim, edhe pse investimi i ri sjell burime të reja financiare, përsëri kompania shkon në falimentim. Pra, edhe pse nga biznesi i ri kemi një përmirësim të situatës ekonomike financiare, kjo nuk ka arritur të eliminojë situatën e paaftësisës ekonomike të kompanisë, e cila pas kërkesës së shlyerjes së borxhit nga ana e bankave, shkon në falimentim (teknikisht: gjykata shpalla hapjen e procedurës falimentare). Ndërkohë, me anë të marrjes së kredisë nga banka kompania ka mundur të shtyjë fomalisht momentin e paaftësisë së saj financiare, duke përdorur këtë periudhë kohore për të marrë borxhe të tjera në popullatë me anë të lëshimit të bonove si dhe duke përdorur një pjesë të financimit për të shlyer borxhet në prag skadence. Kompania, edhe pse biznesi i ri del i suksesshëm, nuk është në gjëndje të përmirësojë situatën e saj ekonomike. Lind pyetja: në këtë rast kemi të bëjmë me veprën penale të mbajtjes së marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me të tretë me anë të fshehjes së qëllimshme të gjëndjes së falimentimit?  

Për të kuptuar nëse në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një vepër penale:

a.       duhet të realizojmë një analizë të thellë jo vetëm të plan-biznesit por edhe të kontekstit ekonomik të kompanisë, për të vlerësuar nëse plan-biznesi ishte apo jo i aftë në momentin kur u kërkua për të përmirësuar situatën ekonomike të personit juridik dhe si rrjedhim evitimin e falimentimit të tij. Pra në këto raste nuk është e mjaftueshme vetëm analiza e projekt-planit në vetvetë, d.m.th. në planin e realizimit dhe frytdhënies së tij, por edhe të aftësisës së tij për të nxjerrë kompaninë nga situata dramatike e krizës finanziare në të cilën gjëndet, duke patur parasysh kontekstin ekonomik në të cilin ajo gjëndet në momentin e parashitjes së plan-biznesit;

b.      duhet të analizojmë anën subjektive të veprës penale të fshehjes së gjëndjes së falimentimit (neni 194 K.P.), pasi vetëm me anë të kësaj të fundit mund të nxjerrim nëse kemi apo jo realizimin e saj. Pra, me anë të analizimit të anës subjektive të veprës penale mund të nxirret nësë faktet e realizuara dhe fiziologjikisht koherente me objektin tregtar të kompanisë, janë realizuar me qëllim mbajtjen në jetë në formë artificiale të saj (pra faktet janë realizuar me qëllim fshehjen e gjëndjes falimentare) apo efektivisht të realizuar pasi mund të sillnin objektivisht një përmirësim të gjëndjes ekonomike të kompanisë.

 

Ana subjektive në falimentimet e provokuara (neni 193 K.P.)

 

Në punimin e shkuar u sollën një sërë argumentesh në planin interpretues dhe disa shëmbuj në planin aplikues të lidhur me anën objektive të nenit 193 K.P.

Le të fokusohemi atëherë të ana subjektive e nenit 193 K.P. i cili thekson, se: “Falimentim i provokuar: çuarja e personit juridik në gjëndje falimentimi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Në artikullin e mëparshëm vumë në pah se shprehja “gjëndje falimentimi” duhet kuptuar si gjëndja e paaftësisë ekonomike e personit juridik për t’u paguar borxhet debitorëve, ndërsa procedura e falimentimit që sjell në pushimin e aktivitetit të personit juridik, i cili nga ai moment vihet nën administrim të përkohshëm nga gjykata që shpall hapjen e procedurës, përbën një kusht objektiv për ndëshkueshmërinë e fakteve të realizuara gjatë jetës së personit juridik dhe që e kanë çuar atë në një gjëndje krize ekonomike duke e bërë të paaftë në planin ekonomik për të shlyer borxhet ndaj debitorëve.[7] 

Midis sjelljes së subjektit aktiv dhe paaftësisë ekonomike të personit juridik duhet të ketë një lidhje shkaksore, pra e para duhet të vijë si rrjedhojë e së dytës. Personi jurdik arrin në një gjëndje paaftësie ekonomike pasi subjektet drejtuese të tij kanë realizuar veprime apo mosveprime që i kanë shkaktuar atë gjendje (paaftësi ekonomike).

Janë pra sjelljet e personave drejtues të personit jurdik që bëhen shkak i paaftësisë së tij ekonomike (e cila është pasojë e tyre).

Kemi të bëjmë pra me një vepër penale me pasojë (vepër penale me dëm). Kjo nxirret edhe nga leximi i dispozitës e cila thotë, se “…çuarja në…”, “…gjëndje falimentimi…”: pra duhet një lidhje shkaksore midis sjelljes (veprimit apo mos veprimit) të subjektit aktiv dhe pasojës së kësaj sjellje (gjëndja e falimentimit duhet të jetë e lidhur në planin shkaksor me faktet që e kanë provokuar atë).

Ky përcaktim është tepër i rëndësishëm në planin e elementit subjektiv, pasi, siç është e njohur në veprat penale me pasojë, elementi psikologjik i veprës penale mund të marrë çdo formë, nga dashja direkte në atë indirekte të shkallës së parë apo të shkallës së dytë.  

Natyrisht, interpretimi i nenit 193 K.P. duhet të gërshetohet me nenet e parashikuara nga Kodi Penal në lidhje me elementin e dashjes.

Konkretisht, Neni 14, i cili përcakton konceptin e Fajit thekson, se: “Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër penale, në qoftë se vepra nuk është e kryer me faj. Quhet me faj personi që e kryen veprën me dashje ose me pakujdesi.”

Neni 15 përcakton konceptin e Dashjes në Kodin tonë, dhe konkretisht parashikon, se:“Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre”.

Për arsye metodologjike, dy format e dashjes në këtë Kod mund t’i cilësojmë si:

A.    dashje direkte;

B.     dashje indirekte (ketë mund ta ndajmë në dy kategori: te shkallës së parë dhe të shkallës së dytë apo eventuale).

Siç është e njohur ka dashje direkte kur elementi përfytyrues (apo intelektual) koinçidon më atë të vullnetit: fakti që realizohet është shprehi e këtyre dy përbërësve psikologjikë. Pra, kur subjekti aktiv përfytyron (parashikon) pasojat e sjelljes së tij dhe sillet konform (pra shpreh vullnetin, dëshiron) për realizimin e tyre, atëhere kemi të bëjmë me dashje direkte. Fakti që realizohet është shprehi e një vullneti të ndërgjegjshëm, pra është i përfytyruar dhe i dëshiruar nga autori.

Le të marrim një shëmbull.

Subjekti A do të vrasë subjektin B. Merr pistoletën dhe qëllon B në kokë duke e vrarë. Subjekti A përfytyron (parashikon) sjelljen e tij (goditjen me pistoletë të B), lidhjen shkaksore midis kësaj dhe pasojës (vdekjes së B).

Realizimi i kësaj sekuence në planin faktik na tregon ekzistencën e elementeve (të përfytyrimit dhe vullnetit / parashikimit dhe dashjes) që janë thelbësore në kuadrin e aplikimit të nenit 15 K.P.[8]

Dashja indirekte e shkallës së parë shfaqet kur subjekti edhe pse nuk ka si objekt kryesor realizimin e pasojave, ardhja e këtyre është e sigurtë dhe ai vepron duke i pranuar ato si të sigurta. Me fjalë të tjera, subjekti aktiv për të realizuar një objektiv të caktuar përfytyron dhe pranon edhe të realizojë pasoja të tjera, realizimi i të cilave është i sigurtë. 

Për shëmbull, për të marrë paratë nga kompania e sigurimeve, pronari i një trageti i vë flakën në mes të detit. Ai e di shumë mirë (përfytyron/parashikon apo mund të përfytyrojë/parashikojë) se nga kjo sjellje është shumë i lartë, madje i sigurtë, rreziku që pasagjerët të vdesin. Edhe pse ai nuk do vdekjen e tyre, në momentin që djeg tragetin në mes të detit, është i ndërgjegjshëm dhe me ndërgjegje lejon pasojën e veprimit të tij (vdekjen e pasagjerëve).

Ka dashje indirekte të shkallës së dytë (apo dashje eventuale) kur subjekti aktiv i veprës penale parashikon pasojat e sjelljes së tij. Edhe pse këto të fundit nuk futen në objektin e dëshirave të tij dhe mundësia e ardhjes së pasojave është eventuale, megjithatë pranon rrezikun e ardhjes së pasojave, për ardhjen e të cilave është i ndërgjegjshëm.

Le të marrim një shëmbull.

Subjekti A vë një bombë tek shtëpia në mal e një armikut të tij, subjekti B, i cili shkon atje shumë rrallë. Gjesti ka qëllim demonstrativ dhe kërcënues. Nuk është objekt i A të vras armikun e tij apo dikë tjetër. Mundësia që dikush mund të kalojë në atë rrugë në mal është e ulët, eventuale, pasi zona ka pak banorë. Bomba plas; në atë moment një vajzë e vogël që po kalonte pranë shtëpisë së subjektit B vdes. Subjekti A do të përgjigjet për vdekjen e vajzës, pasi ka realizuar veprën e vrasjes. Në planin e elementit objektiv nuk ka dyshim mbi lidhjen shkaksore midis bombës së vënë (sjellja apo veprimi) dhe vdekjes së vajzës.

Në planin e elementit psikologjik kemi elementin e dashjes eventuale (dashje indirekte e shkallës së dytë).

Subjekti A parashikon (apo mund të parashikojë) se me vënien dhe plasjen e bombës mund të ndodhë edhe që të vrasë një kalimtar. Edhe pse nuk është ky objekti i tij (pra ai nuk dëshiron të vrasë kalimtarin por të kërconojë subjektin B), edhe pse rreziku që të vrasë dikë është i vogël (eventual), pasi zona ka pak banorë dhe shtëpia ku është vënë bomba është e izoluar, A pranon rrezikun që mund të vrasë eventualisht një person dhe me ndërgjegje lejon që kjo të ndodhë (mbi tematikën e objekti dhe shqyrtimit të elementit të dashjes do të dedikojmë një artikull specifik në të ardhmen). Kemi vrasje me dashje eventuale. Për të arritur objektivin e tij kryesor (plasjen e bombës për të kërcënuar armikun e tij) A vepron duke parashikuar dhe pranuar pasojat e veprimit të tij. Edhe pse ai nuk do realizimin e tyre vepron me ndërgjegje duke pranuar rrezikun e realizimit të pasojës (në rastin konkret vepron duke parashikuar dhe pranuar rrezikun e vrasjes së një kalimtari).

Duke u nisur nga këto përcaktime bazike, le të shohim se si elementi i dashjes duhet interpretuar në kuadrin e veprës penale të falimentimit të provokuar (neni 193 K.P.) e cila, ashtu si u theksua më parë është një vepër me pasojë (pra vepër penale me dëm) dhe si rrjedhim objekt i përfytyrimit dhe dashjes nga ana e subjektit aktiv është jo vetëm sjellja por edhe pasojat e saj.

Fillimisht, është e arsyeshme të ritheksojmë se në veprat penale para-falimentare, hapja e procedurës falimentare e cila përkon me gjendjen falimentare, nuk duhet kuptuar si pasoja e sjelljes së subjketit aktiv.

Në artikullin e mëparshëm është evidentuar se hapja e procedurës falimentare përbën një kusht objektiv ndëshkueshmërie. Vendimi i gjykatës që shpall hapjen e e saj njeh në planin juridik një situatë, pra mbush një kusht për të marrë në shqyrtim faktet që kanë çuar në një gjëndje paaftësie ekonomike të personit juridik.[9]

Është paaftësia ekonomike e pakthyeshme pasoja në veprat penale para-falimentare.

Përcaktimi përbën momentin më delikat të proceseve penale lidhur me veprat penale në fjalë. Kjo provë formohet me anën e ndihmës së konsulentëve teknikë, të cilët përcaktojnë momentin kur gjendja e paaftësisë ekonomike është shfaqur në mënyrë të pakthyeshme. Mund të ndodhë që kompania të jetë me vite në gjëndje paaftësie ekonomike ndërsa hapja e procedurës së falimentimit më vendim gjykate të ndodhë shumë vite më pas.

Në planin penal ajo që është me rëndësi nuk është moment i hapjes së procedurës por ai i futjes së kompanisë në një gjëndje paaftësie ekonomike të pakthyeshme.

Pas identifikimit të këtij momenti mund të merren parasysh dhe analizohen sjelljet që kanë çuar në gjëndje paaftësie ekonomike. Natyrisht kjo është objekt prove. Secila palë (prokuroria nga një anë dhe mbrojtësi, nga ana tjetër) i përkushton një vëmëndje vendimtare këtij aspekti pasi është parametri për të vlerësuar më pas sjelljet e administratorëve të kompanive. Prokurori, nga një anë, do të mundohet të tregojë se gjëndja e paaftësisë ekonomike është e hershme në mënyë që të fusë në perimetrin e vlerësimit penal sjellje të hershme të administratorëve. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse do të mundohet të provojë të kundërtën. Pra që gjendja e paaftësisë ekonomike nuk është e hershme por e shfaqur pranë momentit të hapjes së procedurës falimentare, duke përjashtuar kështu nga horizonti i lidhjes shkaksore, si në planin objektiv ashtu edhe subjektiv, sjellje të realizuara në momentin kur gjëndja ekonomike e personit juridik ishte solide dhe si rrjedhim nuk ka ndikuar në planin shkaksor në krijimin e gjëndjes së paaftësisë ekonomike.

Në këndvështrimin penal do cilësohen vetëm ato sjellje që në planin shkaksor kanë sjellë çuarjen e personit juridik në gjëndje paaftësie ekonomike. 

Natyrisht, në planin e nenit 193 K.P. jo çdo sjellje do të mund të cilësohet si e tillë, por vetëm ato të cilat nuk janë realizuar në koherencë me objektivat tregtare të personit juridik (pra sjellje patologjike).

Le të marrim disa shëmbuj.

Në vitin 2010 administratori i kompanisë A përvetëson rreth 1 milion euro nga kompania duke i kaluar në një llogari të gruas së tij jashtë shtetit. Kemi të bëjmë me një sjellje patologjike; pra një përvetësim të parave të kompanisë pa asnjë justifikim në planin e aktivitetit të saj tregtar. Duke patur parasysh se ligjvënësi ka ndërtuar nenin 193 K.P. si vepër penale me pasojë, për cilësimin e veprës penale në fjalë nuk mjafton vetëm prova e sjelljes patologjike të drejtuesve të personit juridik, por duhet provuar edhe aftësia e saj shkaksore në çuarjen e kompanisë në një gjëndje paaftësie ekonomike të pakthyeshme. Pra duhet lidhja shkaksore midis veprimit (apo mosveprimit) dhe pasojës (paaftësisë ekonomike).

T’i kthehemi shëmbullit të sapo dhënë.

Në atë vit kompania krijon përfitime për 2 milion euro. Në vitin 2012 futet në një gjëndje krize ekonomike që e bën të paaftë të shlyejë borxhet që ka. Ekspertët teknikë të thirrur nga gjykata për të evidentuar shkaqet që kanë çuar kompaninë në një situatë paaftësie ekonomike nxjerrin në pah se kjo është e lidhur me një investim të gabuar të vitit 2011 që ka boshatisur asetet financiare të saj. Në vitin 2020 njëri nga debitorët e saj kërkon hapjen e procedurës falimentare.

Rasti sjell në pah disa tematika. Së pari, hapja e procedurës falimentare përmbush kushtin për të vepruar në planin penal në lidhje me veprat penale para-falimentare. Objekti i këtyre do të jenë ato fakte që kanë çuar në krizën e vitit 2012 apo e kanë thelluar atë më pas. Si rrjedhim, përvetësimi i administratorit në vitin 2010 nuk mund të futet në horizontin aplikues të dispozitave para-falimentare pasi në atë vit sjellja e tij nuk ka çuar në një krizë eknomomike, pra nuk ka lidhje shkaksore midis përvetësimit të administratorit dhe paaftësisës ekonomike të realizuar në vitin 2012. Administratori mund të jetë përgjegjës për shumë vepra penale të tjera kundër kompanisë por për faktin e 2010 nuk mund të thirret përgjegjës për veprën penale të falimentimit të provokuar (neni 193 K.P.).

Në këtë rast nuk cilësohet vepra penale pasi mungon elementi objektiv i lidhjes shkaksore midis sjelljes (përvetësimit të parave në 2010) dhe pasojës (paaftësisë ekonomike në 2012).

Le t’i qëndrojmë rastit, duke ndryshuar njërin nga faktorën e faktit që përshkruam.

Ekspertët e gjykatës përcaktojnë se përvetësimi i 2010 në planin shkaksor ka krijuar situatën e paaftësisë ekonomike të vitit 2012 pasi, po mos të kishte përvetësuar 1 milion eurot, gjëndja e saj ekonomike do të ishte ende e mirë. Dhej kjo për faktin se në vitin 2010 të fitimet e kompanisë ishin prej 500 mijë eurosh. 

Lind pyetja nëse kemi vepër penale. Nëse në planin e elementit objektiv nuk ka dyshim se janë prezent të gjitha elementet e parashikuara në nenin 193 K.P., në planin subjektiv përgjigja nuk mund të jetë automatike por kërkon disa sqarime.

Në planin e elementit psikologjik do të futen në sferën e dashje ato sjellje patologjike, të cilat subjekti aktiv:

1.      përfytyronte/parashikonte apo mund të përfytyronte/parashikonte në kundërshtim me objektivat e personit juridik, duke dashur realizimin e tyre;

2.      përfytyronte/parashikonte apo mund të përfytyronte/parashikonte aftësinë e tyre në planin shkaksor për të çuar personin juridik në gjëndje paaftësie ekonomike, pasi përfytyronte/parashikonte apo mund të përfytyronte/parashikonte gjëndjen ekonomike të dobët të kompanisë;

3.      donte realizimin e veprimit dhe me ndërgjegje, duke njohur situatën e kompanisë, ka pranuar çuarjen e kompanisë në një gjëndje paaftësie ekonomike.

Me fjalë të tjera, në veprat penale të falimentimeve të provokuara në planin e anës subjektive të veprës penale duhet provuar se subjekti aktiv parashikonte dhe donte realizimin e sjelljeve (patologjike) në kundërshtim me objektivat e shoqërisë, si dhe parashikonte apo mund të parashikonte se nga ato sjellje mund të realizohej një situatë paaftësie ekonomike e personit juridik.

Pra, në lidhje me sjelljen duhet provuar se subjekti aktiv:

a.       ka parashikuar dhe dashur sjelljen e realizuar;

b.      ka qënë i ndërgjegjshëm që kjo ka qënë në kundërshtim me objektivat tregtare të personit juridik;

c.       ka dashur apo të paktën ka parashikuar, edhe pse nuk e ka patur objektiv kryesor, çuarjen e kompanisë në një gjëndje paaktësie ekonomike, duke pranuar me sjelljen e tij realizimin e saj.

Siç mund të shihet, në lidhje me pasojat e sjelljes së tij (paaftësia ekonomike e shkaktuar në planin shkaksor) është e mjaftueshme të provohet se subjekti aktiv ka vepruar me dashje indirekte. Pra edhe pse ka parashikuar pasojat e sjelljes së tij, pavarërisht se nuk ka dashur sjelljen e një situate paaftesie ekonomike, me ndërgjegje ka lejuar, me anë të sjelljes së tij, realizimin e saj.

Në rastin e mëparshëm, përvetësimi i një shume prej 1 milion eurosh nga ana e administratorit është i parafytyruar dhe i dashur nga ai. Në këtë sjellje del qartë se ai ka qënë i ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për një përvetësim të fondeve, në kundërshtim me objektin tregtar të kompanisë. Nga shëmbulli del edhe se autori ka patur mundësinë të përfytyrojë uljen e aftësisë eknomike të kompanisë, e cila ka patur një fitim të ulët (kompania ka bërë fitime prej 500 mijë eurosh ndërsa ai ka përvetësuar 1 milion euro). Edhe pse objektivi i administratorit nuk është krijimi i një paaftësie ekonomike të kompanisë të aftë për ta çuar atë në një situatë falimentare, me ndërgjegje vepron dhe pranon rrezikun që një situatë e tillë të mund të shfaqet.

Në rastin konkret, në planin e elementit subjektiv nuk ka dyshim se administratori ka realizuar veprën penale të parashikuar nga neni 193 K.P. të paktën me dashje eventuale (indirekte të shkallës së dytë).

Le të japim një shëmbull tjetër. Administratori i kompanisë A paguan me të ardhurat e kompanisë shkollat në Londër të fëmijëve të tij, duke harxhuar në 3 vite rreth 3 milion euro. Këto sjellin një gjendje jo të mirë ekonomike për shoqërinë. Pas një krize ekonomike të lidhur me ngritjen e çmimeve të energjisë kompania A futet në një gjendje edhe më të thellë paaftësie ekonomike. Kreditorët kërkojnë borxhet. Ajo nuk është e aftë t’i shlyejë. Kreditorët kërkojnë dhe marrin nga gjykata vendimin e shpalljes së procedurës falimentare. Ekspertët evidentojnë se po mos ishin bërë shpenzimet e mësipërme për shkollat në Londër gjëndja ekonomike e Kompanisë do të ishte ende e mirë.

Në planin e elementit subjektiv, administratori në momentin kur realizon pagesat për fëmijët është i ndërgjegjshëm se po përvetëson fondet e kompanisë. Ai, me vetëdije, do dhe realizon këtë fakt. Ai në atë moment përfytyron/parashikon apo mund të përfytyrojë/parashikojë se përvetësimi mund të çojë në një krizë ekonomike kompaninë por me ndërgjegjë pranon këtë rrezik duke e konsideruar si eventual pasi ka besim se kompania nuk do të këtë probleme ekonomike. Konkretisht, në planin shkaksor përvetësimi çon kompaninë në paaftësi ekonomike. Nuk ka dyshim mbi cilësimin e veprës penale mbi administratorin si në planin objektiv ashtu edhe atë subjektiv.  

 Shëmbuj të ngjashëm mund të bëjmë në lidhje me shumë raste, kur përvetësimi i fondeve çon personin juridik në një gjëndje paaftësie ekonomike, apo thellon një krizë ekonomike ekzistente. Këto raste ndodhin kur situata ekonomike nuk është e mirë për personin juridik; aftësia e tij ekonomike ështe e dobët por edhe nuk është në gjendje krize.

 

Ana objektive në veprat penale të fshehjes së gjendjes së falimentimit

 

Delikate është tematika e dashjes në lidhje me veprat penale të fshehjes së gjëndjes së falimentimit, pasi struktura e dispozitës është e atillë që kërkon një analizë të thellë të disa aspekteve.   

Konkretisht, nenin 194 K.P. theksonFshehja e gjëndjes së falimentimit. Hyrja në marrëdhënie ekonomike tregtare me të tretët nga ana e personit juridik, me qëllim të fshehë gjëndjen e falimentimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”

Kemi të bëjmë me një vepër penale formale, apo e quajtuar ndryshe e rrezikshme, apo pa dëm material, ku ligjvënësi synon të sanksionojë ato veprime apo mosveprime të drejtuesve të personave juridikë në situatë paaftësie ekonomike që vënë apo mund të vënë në rrezik:

a.       pritshmëritë e kreditorëve të personit juridik, të cilët në rast paaftësie ekonomike të tij duhet menjëherë të vihen në kushte të përshtatshme për të marrë nga ai maksimumin e kreditit me anë të hapjes sa më parë të procedurës falimentare;

b.      stabilitetin ekonomik financiar të subjekteve të treta që hyjnë në marrëdhënie ekonomike me to.

Më konkretisht objektivi i dispozitës është ai i sanksionimit të atyre sjelljeve që, nga një anë, mund të induktojnë subjekte të treta të futen në marrëdhënie ekonomike me subjekte në gjëndje paaftësie ekonomike (konkretisht të falimentuar, por formalisht ende jo subjekt procedure falimentimi) dhe, nga ana tjetër, shtyjnë momentin e shpalosjes së gjëndjes së paaftësisë ekonomike. Shtyrja e kësaj të fundit përbën një rrezik për kreditorët e personit juridik, garancitë pasurore të të cilëvë mund të ulen gjatë fazës në të cilën personi juridik futet apo mban marrdhënie me të tretë për të fshehur gjëndje e falimentimit.

Në lidhje me këtë vepër penale nuk është i nevojshëm realizimi i një pasoje, por mjafton realizimi i sjelles së parashikuar nga dispozita.

Me fjalë të tjera, për cilësimin e veprës penale në fjalë është e mjaftueshme të provohet se drejtuesit e një personit juridik kanë mbajtur qëllimisht marrëdhënie eknomike me të tretë me qëllim fshehjen e gjëndjes së paaftësisë ekonomike të tij, pavarësisht nëse kjo sjellje ka ulur apo jo aftësinë ekonomike të personit juridik (vepra penale në fjalë nuk kërkon shkaktimin e një dëmin si element thelbësor për cilësimin e saj). 

Për cilësimin e dispozitës në fjalë ligjvënësi kërkon elementin e qëllimit të fshehjes së paaftësisë ekonomike, i cili është ndërtuar si elementi subjektiv i veprës penale por në të njëjtën kohë ka dhe një funksion seleksionues të veprimeve (apo mosveprimeve) në planin objektiv.

Kemi të bëjmë me atë që në doktrinën botërore njihet si dashje e qëllimshme apo dashje specifike. Quhet e tillë pasi sjellja e subjektit aktiv është e orientuar në mënyrë specifike për realizimin e një fakti të caktuar, të saktësuar shprehimisht nga dispozita ndëshkuese. Në planin e elementit psikologjik, subjekti aktiv përfytyron dhe do atë fakt të marrë si objektiv specifik për të realizuar një qëllim të mëtejshëm, që është ai i përcaktuar nga ligjvënësi.    

Në veprën penale të parashikuar nga neni 194 K.P., qëllimi i mëtejshëm i mbajtjes së marrëdhënieve ekonomike me të tretë është ai i fshehjes së gjëndjes së falimentimit (retius: të paaftësisë ekonomike). Ajo që karakterizon sjelljen e subjektit aktiv është mbajtja me qëllim e sjelljeve që kanë si objektiv fshehjen e gjëndjes së paaftësisë ekonomike të personit juridik.

Kjo do të thotë se nëse mbajtja e marrëdhënieve me të tretë bëhet për qëllime të tjera, të ndryshme nga ajo e fshehjes së paaftësisë ekonomike e përcaktuar nga ligjvënësi, nuk mund të flasim për vepër penale pasi mungon elementi psikologjik i dashjes specifike (apo të qëllimshme).

Në këtë rast mungon qëllimi që duhet të karakterizojë veprimet e organeve drejtuese të personit juridik. Nëse qëllimi i tyre nuk përkon me atë të parashikuar nga dispozita, nuk mund të kemi vepër penale pasi mungon elementi psikologjik i dashjes së qëllimshme.

Natyrisht, prova e qëllimit të mbajtjes së sjelljes me objektiv fshehjen e gjëndjes së paaftësisë eknomike duhet të jetë objekt i një prove të thellë.

Edhe pse kemi të bëjmë me provën e elementit subjektiv të veprës penale të parashikuar nga neni 194 K.P., vërtetimi i saj duhet të zhvillohet me anë të një analize të thellë të sjelljes së mbajtur nga autori, të faktit të realizuar, të kontekstit ekonomik të personit juridik, të besueshmërisë objektive të pritshmërisë që subjekti aktiv i veprës penale ka nga realizimi i sjelljes së tij në kontekstin ekonomik ku ai vepron etj. 

Le të marrim një shëmbull. Administratori i kompanisë A, e cila është në një gjëndje paaftësie ekonomike, nënshkruan një kontratë me një kompani B për blerjen e disa produkteve. Kompania B i ka shprehur kompanisë A interesin e saj për t’u futur në biznes sëbashku pasi është e interesuar për asetet e saj.

Provohet gjaë gjykimit (me anë të dëshmitarëve dhe konsulenteve), se:

a.       kompania A i ka fshehur gjendjen e saj ekonomike të kompromentuar kompanisë B;

b.      megjithatë vërtetohet se kompania A futej në marrëdhënie ekonomike me B me qëllim realizimin e një biznesi sëbashku dhe jo për t’i fshehur gjëndjen e saj financiare.

Në këtë rast, administratorët e kompanisë A nuk do të përgjigjen penalisht për veprën penale të parashikuar nga neni 194 K.P. pasi sjelljet e tyre kanë qënë të frymëzuara nga një qëllim tjetër nga ai i parashikuar nga dispozita. Konkretisht, qëllimi i realizimit të një biznesi të ri është i ndryshëm nga ai i fshehjes së gjëndjes së falimentimit (rectius: të paaftësisë ekonomike) dhe, si rrjedhim, nuk mund të kemi vepër penale. Elementi psikologjik që ka karakterizuar vullnetin e subjektit aktiv në rastin konkret është i ndryshëm nga ai i parashikuar nga neni 194 K.P.

Le të kthehemi te shëmbulli i falimentimit të Parmalat. Administratorët e saj, edhe pse kompania ishte në një gjëndje paaftësie ekonomike totale, pasi kishte një borxh prej rreth 8 miliard eurosh, i kërkonin dhe merrnin nga sistemi bankar kredi prej 50 milion eurosh për të realizuar një biznes në fushën e ambalazhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ujrave të pijshëm. Ky liquiditet i ri i garantonte mundësinë e fshehjes së gjëndjes ekonomike kreditorëve të tjerë, kryesisht investitorë privatë (familje), të cilat kishin investuar në bono dhe aksione të Parmalat-it. Në këtë rast, mbajtja e marrëdhënieve huamarrëse me bankat (veçanërisht me bankën e Romës) kishte si qëllim pikërisht fshehjen e situatës së rëndë ekonomike dhe i jepte mundësi kompanisë për të kërkuar nga publiku kredi të reja me anë të lëshimit të bonove dhe shitjes së aksioneve të reja duke e thelluar edhe më tej nivelin e borxhit.

Në këtë rast, mbajtja e marrëdhënieve me bankat, në një moment kur kompania ishte në gjëndje falimentimi, futet në kuadrin e sjelljeve të sanksionuara nga neni 194 K.P.

Edhe pse marrja e kredisë në vetvete është një sjellje fiziologjike e që cilëson aktivitetin e një personi juridik, edhe pse plani i biznesit për aktivitetin e ri (invetimi në sektorin e ujit të pijshëm) ishte interesant dhe me premisa pozitive, në kontekstin ekonomik ku Parmalat ndodhej ky plan jo vetëm nuk mund të zgjidhte problemet financiare por, madje qëllimisht, ishte realizuar për të shtyrë nxjerrjen në pah para kreditorëve (kryesisht investitorë persona fizik dhe familje që kishin blerë bono dhe aksione) të gjëndjes së paaftësisë ekonomike të kolosit agro-ushqimor.  

Në këta rast, në planin e elementit psikologjik, qëllimi i fshehjes së gjëndjes së paaftësisë ekonomike nxirret nga konteksti i përgjithshëm ku zhvillohej sjellja e administratorëve (që u kërkonin kredi bankave), kur duke njohur mirë situatën e borxheve të kompanisë e kishin shumë të qartë se aktiviteti i ri nuk do të mundej kurrë të rekuperonte një situatë debitore të kompromentuar (8 miliardë euro borxhe); prandaj, e vetmja zgjidhje korrekte që ata duhet të bënin ishte t’i drejtoheshin ata vetë gjykatës duke i kërkuar shpalljen e procedurës së falimentimit.

Pra, nga analiza e kontekstit ekonomik del se sjelljet e administratorëve, edhe pse në pamje të parë fiziologjike pasi në koherënce me aktivitetin tregtar të kompanisë, në planin konkret kishin si qëllim të vetëm fshehjen e gjëndjes së saj ekonomike totalisht të kompromentuar.  

Nisur nga sa u evidentua më parë dhe nga analizimi i shëmbujve të  sapo dhënë del në pah qartë, se verifikimi nga ana e gjykatës së elementit psikologjik të dashjes së qëllimshme (apo specifike) përbën momentin qëndror në kuadrin e gjykimit të veprës penale të parashikuar nga neni 194 K.P. Ky moment kërkon cilësimin e fakteve të realizuara nga drejtuesit e personave juridikë nëse janë shprehi e një vullneti për të fshehur gjëndej e paaftësisë ekonomike apo duhet të inkuadrohen si shprehi e një vullneti tjetër. Në këtë rast të fundit nuk do të mund të kemi cilësimin e veprës penale në fjalë për mungesë të elementit psikologjik të qëllimit për të fshehur gjendjen falimentare.

Por, për të patur një provë sa më solide të qëllimit që ka karakterizuar sjelljet e drejtuesve të personit juridik, duhen analizuar sjellja (veprimi apo mosveprimi) në raport me situatën e përgjithshme ekonomike të tij. Nëse nga kjo analizë del se situata ekonomike e kompanisë ka qënë tepër e kompromentuar (në këtë rast zgjidhja më korrekte nga ana e drejtuesve të personit juridik është kerkesa pranë gjykatës për shpalljen e procedurës falimentare) është e qartë që, sjelljet që kanë sjellë fshehjen e situatës së saj ekonomike, do të përmbushin trajtat e qëllimit specifik që kërkon dispozita për cilësimin e saj. Nëse nga analizimi i sjelljes në lidhje me kontekstin del se një investim i ri edhe do të mund të kishte efekte të afta për të çuar në daljen nga situata e krizës ekonomike të personit juridik, tregon se objektivi i sjelljes së drejtuesit të personit juridik nuk ishte fshehja e paaftësisë ekonomike, por ajo e nxjerrjes së saj nga situata në fjalë.

 

Problemi i bashkëpunimit në veprat penale para-falimentare

 

Ndër tematikat më të komplikuara në kuadrin e së drejtës penale falimentare është ajo e cilësimit të saktë të elementeve përbërëse të bashkëpunimit në këto vepra, pasi pozicioni i bashkëpuntorëve në to është i ndryshëm nga ai i ekzekutorit material të tyre.

Në lidhje me këta të fundit nuk është e tepërt të kujtojmë se, veprimet apo mosveprimet që çojnë në gjëndjen falimentare të personit juridik, duhet të realizohen nga subjekte që kanë kontrollin konkret të tij. Në punimin e kaluar u theksua si ligjvënësi ynë, ndryshe për shembull nga ai italian, nuk përcakton cilat janë figurat që mund të realizojnë si ekzekutor material veprat në fjalë ([10]). Megjithatë, kjo nxirret natyrshëm nga interpretimi i kombinuar i dispozitave penale me ato të së drejtës tregtare dhe falimentare. U evindentua në punimin e fundit se subjekte aktive të veprave penale para-falimentare mund të jenë vetëm ata që kanë administrimin dhe kontrollin e saj në planin konkret, pra subjektet që efektivisht drejtojnë jetën e personit juridik .[11]

Këto subjekte mund t’i ndajmë në dy kategori:

1.      Subjektet që kanë në planin formal dhe konkret një rol drejtues, ku mund të futen administratorët, drejtorët e përgjithshëm, ortakët kur kanë role administruese të parashikuara në akte specifike etj.

2.      Subjektet që kanë vetëm në planin material por jo në atë formal një rol drejtues, ku mund të futen ortakët pa tagra por që efektivisht drejtojnë kompaninë; subjekte që formalisht nuk kanë asnjë lidhje me kompaninë por konkretisht janë ata që e kanë nën sundim (p.sh. kanë kartat e kreditit, janë ata që mbajnë kontakte me të tretët, u japin udhëzime administratorëve formalë mbi aktivitetet që duhet të kryejnë etj).

Siç shihet, në të dyja rastet, bëhet fjalë për subjekte që e njohin mirë kompaninë, biznesin dhe financat e saj, kreditë dhe borxhet etj. Veprimet e tyre, që çojnë në gjëndje paaftësie ekonomike personin juridik, realizohen në një kontekst ku kanë një rol drejtues dhe e njohin mirë situatën ekonomike.

Në lidhje me këto subjekte, problemi i shqyrtimit gjyqësor të elementit psikologjik nuk është i komplikuar, pasi thjesht duhet të provohen si sjelljet patologjike të realizuara nga ata, ashtu edhe nëse kishin dijeni dhe mund të përfytyronin lidhjen shkaksore të këtyre sjelljeve me paaftësinë ekonomike të personit juridik. Dhe kjo për faktin se, duke patur një rol drejtues brënda personit juridik, subjektet në fjalë e kanë të thejshtë të njohin gjëndjen e tij financiare.

Problemi lind me cilësimin e përgjegjësisë penale të subjekteve të jashtëm (extraneus) që bashkëpunojnë me drejtuesit e personit juridikë (intraneus) dhe sëbashku realizojnë veprat penale të parashikuara nga nenet 193 dhe 194 K.P.

Natyrisht bashkëpuntori në këto vepra duhet të japë, në planin objektiv, një kontribut në realizimin e tyre, ndërsa në atë subjektiv duhet të jetë i ndërgjegjshëm duke parashikuar dhe dëshiruar dhënien e këtij kontributi.

Problemi qëndron në përcaktimin e elementit subjektiv të bashkëpuntorit në veprat penale para-falimentare, pasi horizonti i njohjes së situatës ekonomike të kompanisë nga ana e tij është më i vogël dhe totalisht i ndryshëm nga ai i ekzekutorit material të veprës penale (zakonisht administratori i kompanisë ose gjithësesi një subjekt që ka një rol drejtues brënda saj) ([12]).

 

Bashkëpunimi dhe ana subjektive e bashkëpunëtorëve në veprën penale të falimentimit të provokuar (neni 193 K.P.)

 

Në lidhje me veprën penale të falimentimit të provokuar, cilësimi i rolit të bashkëpuntorëve kërkon, së pari, të kujtohet fakti se vepra penale në fjalë është vepër penale me pasojë apo me dëm. Pasoja qëndron në çuarjen e personit juridik në një gjëndje paaftësie ekonomike, ku midis faktit të realizuar nga subjekti aktiv (person me rol drejtues brënda tij) dhe pasojës në fjalë duhet të ketë një lidhje shkaksore: pasoja duhet të jetë rrjedhojë direkte e faktit të realizuar.

Në planin e elementit subjektiv si ekzekutori material i veprës ashtu edhe bashkëpuntori duhet të përfytyrojë (parashikojë) jo vetëm sjelljen por edhe pasojat e saj, të cilat mund t’i duan, ose nëse nuk i duan megjithatë i përfytyrojnë dhe me vetëdije lejojnë ardhjen e tyre.

Pra, pasoja e krijimit të një situate paaftësie ekonomike duhet të mund të përfytorohet si nga ekzekutori material ashu edhe nga bashkëpuntorët.

Problemi qëndron në faktin se njohja e gjëndjes ekonomike të personit juridik nga bashkëpuntori i jashtëm është e vogël, madje shumë herë më e vogël krahasuar me atë të personit që realizon sjellen (p.sh administratori që përvetëson fondet e kompanisë). Kjo për faktin se bashkëpuntori i jashtëm, ndryshe nga autori i brëndshëm (p.sh. administratori) nuk disponon të gjithë materialin informativ mbi gjëndjen financiare të kompanisë. 

Le të marrim një shëmbull.

Administratori i kompanisë A fton për pushime në Dubai disa miqtë e tij, ku harxhojnë rreth 1 milion euro të kompanisë. Kompania shkon në krize eknomike dhe kreditorët kërkojnë falimentimin e saj. Nuk ka dyshim mbi cilësimin e përgjegjësisë së administratorit. Jemi përballë një sjelljeje patologjike që nuk ka lidhje me konceptin e mirë-administrimit të një kompanie dhe që duhet të cilësojë veprimet apo mosveprimet që duhet të mbajë administratori i saj. Edhe në planin subjektiv nuk ka dyshim mbi cilësimin e veprës penale të parashikuar nga neni 193 K.P. Administratori është i ndërgjegjshëm se po keq-administron të ardhurat e kompanisë; ai njeh situatën e saj ekonomike dhe si rrjedhim parashikon se një harxhim i përmasave në fjalë mund ta çoj atë në situatë paaftësie eknomike. Vepron duke lejuar me ndërgjegje një gjë të tillë (kemi dashje indirekte eventuale apo e shkallës së dytë).

Pyetja shtrohet nëse miqt e tij që shkuan në Dubai me pushime dhe shpenzuan me të mbi 1 milion euro, kanë bashkëpunuar në veprën penale të falimentimit të provokuar?

Në planin e elementit objektiv ata kanë dhënë një kontribut të aftë në planin shkaksor për çuarjen e personit juridik në situatë paaftësie eknomike.

Më i ndërlikuar është cilësimi i përgjegjësisë së tyre në planin e anës subjektive të veprës penale në fjalë.

 Bashkëpuntorët janë përgjegjës nëse:

a.       kishin dijeni se administratori që i ftoi për pushime mbulonte shpenzimet me të ardhuarat e kompanisë dhe jo ato të tijat personale, pra kishin dijeni mbi sjelljen patologike të administratorit;

b.      kishin dijeni mbi situatën ekonomike të kompanisë;

c.       mund të kuptonin impaktin që ai shpenzim mund të kishte në bilancin e saj ekonomik, pra mund të përfytyronin pasojat e këtij shpenzimi.

Kur provohen këto tri profile jemi në një situatë bashkëpunimi edhe në planin subjektiv. Pozicioni më pas i çdo bashkëpuntori do të shikohet nëse ka qënë ai i organizatorit, shtytësit apo ndihmësit në realizimin e faktit (pushimet në Dubai).

Në rast se provohet se shokët e administratorit A nuk kishin dijeni mbi këto fakte, pra nëse vërtetohet se nuk dinin se A paguante me paratë e kompanisë; nuk kishin dijeni mbi situatën financiare të saj dhe, si rrjedhim, nuk mund të kuptonin impaktin e shpenzimit mbi të, nuk do të mund të flasim për bashkëpunim. Edhe nëse ata mund ta kenë shtyrë për të bërë pushimet, pra duke i organizuar ato, apo ndihmuar në organizimin e tyre, pa patur dijeni në lidhje me sa më lart, nuk mund të përgjigjen si bashkëpuntorë në realizimin e veprës penale të falimentimit të provokuar.

Le të marrim një shëmbull tjetër.

Administratori i kompanisë X i shet nën kosto produktet e saj një mikut të tij të ngushtë duke e çuar kompaninë në falimentim. Për shëmbull, shet prodhimin e stofeve dhjetë herë më pak se kosto e tyre gjatë fazës së përpunimit. Nuk ka dyshim se jemi përballë një sjellje patologjike që nuk ka lidhje me konceptin e mirë-administrimit të një kompanie dhe që duhet të cilësojë veprimet apo mosveprimet që duhet të mbajë administratori i saj. Edhe në planin subjektiv nuk ka dyshim mbi cilësimin e veprës penale të parashikuar nga neni 193 K.P. në lidhje me administratorin e kompanisë. Ai është i ndërgjegjshëm se shitja nën kosto e produkteve të kompanisë do ta çojë atë në një gjëndje paaftësie ekonomike. Ai me ndërgjegje vepron dhe lejon ardhjen e pasojës së paaftësisë ekonomike. 

Problemi shtrohet në lidhje me pozicionin e subjektit që ka blerë mallin nën kosto. A është ai bashkëpuntor në veprën penale të falimentimit të provokuar?

Në planin e elementit objektiv nuk ka dyshim mbi cilësimin e elementeve të veprës penale në fjalë. Me kontributin e tij bashkëpuntori ka çuar në planin objektiv në gjëndjen falimentare.

Po në planin subjektiv?

 Për t’iu përgjigjur pyetjes duhet të mbajmë parasysh kriteret e përcaktuara më parë.

Bashkëpuntori është përgjegjës nëse:

d.      kishte dijeni se administratori i kompanisë A po i shiste mallin nën kosto, pra kishte dijeni mbi sjelljen patologike të tij;

e.       kishte dijeni mbi situatën ekonomike të kompanisë;

f.        mund të kuptonte impaktin që ajo shitje nën kosto mund të kishte në bilancin e saj ekonomik, pra mund të përfytyronin pasojat e kësaj sjellje (shitjes nën kosto).

Kur provohen këto tri profile jemi në një situatë bashkëpunimi edhe në planin subjektiv. Blerësi nën kosto kur ka dijeni mbi situatën ekonomike të personit juridik, e cila është e dobët dhe si rrjedhim mund të përtyrojë se shitja nënkosto është thjesht një instrument për ta boshatisur atë nga ana e administratorit të saj, ai kupton se nga kjo sjellje kompania mund të shkojë në gjëndje paaftësie ekonomike të thellë, me ndërgjegje lejon këtë pasojë duke kontribuar me vetëdije në realizimin e faktit (shitjes nën kosto) që provokon defoult-in ekonomik të kompanisë. Pas provës së këtij aspekti, më pas gjykata do të shqyrtojë nëse roli i blerësit nën kosto ka qënë ai i organizatorit, shtytësit apo ndihmësit në realizimin e faktit nga administratori (shitjes nën kosto).

Nëse blerësi nën kosto nuk ka dijeni mbi situatën ekonomike të personit juridik, madje mendon se kjo shitje është thjesht një aktivitet promocional i tij, dhe si rrjedhim nuk mund të kuptojë (përfytyrojë/parashikojë) as faktin se kemi të bëjmë me një sjellje patologjike të administatorit të kompanisë X dhe as impaktin e shitjes nën kosto mbi situatën ekonomike të saj, subjekti që ka kryer bledjen e mallin nën kosto nuk mund të cilësohet si bashkëpuntor në veprën penale të falimentimit të provokuar, pasi mungon elementi subjektiv i dashjes nga ana e tij.

 

Bashkëpunimi dhe ana subjektive e bashkëpunëtorëve në veprën penale të fshehjes së gjendjes së falimentimit (neni 194 K.P.)

 

Vepra penale e fshehjes së gjëndjes së falimentimit është një vepër penale më rrezik, pra pa pasojë në planin material. Për cilësimin e saj nuk është e nevojshme që veprimi apo mosveprimi i realizuar nga subjekti drejtues i personit juridik të sjellë një pasojë konkrete ([13]). Ajo që mjafton për shqiptimin e veprës është fakti se subjekti aktiv, ekzekutori material, të ketë mbajtur apo krijuar marrëdhënie eknomike tregtare me qëllim fshehjen e gjëndjes ekonomike të falimentuar (pra të paaftësisë së thellë ekonomike) të personit juridik që drejton.

Ligjvënësi ndëshkon thjesht mbajtjen e sjelljeve të parashikuara nga dispozita kur këto janë realizuar me qëllimin e përcaktuar po aty. Nuk ka rëndësi nëse fakti i realizuar sjell në planin shkaksor pasoja për personin juridik. Nëse një person juridik që gjendet në një situatë paaftësie ekonomike futet apo mban marrëdhënie ekonomike me të tretë për të fshehur situatën ekonomike ku ndodhet, është përgjëgjës për veprën penale të parashikuar nga neni 194 K.P.: kaq kërkon dispozita.

Tepër delikate është tematika e cilësimit të bashkëpunimit në veprën penale në fjalë.

Vlen të përcaktohet menjëherë se qëllimi që frymëzon sjelljen e ekzekutorit material duhet të jetë i njohur nga bashkëpuntori.

Më konkretisht, për të afirmuar përgjegjësinë e bashkëpuntorit në planin e elementit subjektiv:

a.       duhet të provohet nëse ai kishte dijeni mbi gjëndjen e paaftësisë ekonomike të personit juridik;

b.      dhe nëse po, duhet të provohet edhe nëse ai kuptonte apo mund të kuptonte qëllimet e subjektit drejtues të personit juridik lidhur me mbajtjen apo krijimin e marrëdhënieve ekonomiko- tregtare për të fshehur gjëndjen falimentare (paaftësinë ekonomike) të tij.

Le të marrim një shëmbull.

Subjektet drejtuese të Bankës A kanë dijeni se kompania X është në gjëndje të falimentuar; administratori i saj i kërkon bankës kredi, pasi vetëm kështu mund të shtyjë për pak muaj gjëndjen e paaftësisë ekonomike duke paguar disa borxhe në prag skadence, në pritje të marrjes së borxheve të tjera nga publiku me anë të lëshimit të bonove (obligacioneve) dhe shitjes së aksioneve. Edhe pse kuptojnë qëllimin e administratorëve të kompanisë, drejtuesit e Bankës ia lëvrojnë kredinë. Drejtuesit e Bankës bashkëpunojnë në veprën penale të parashikuar në nenin 194 K.P. Qëllimi i tyre ashtu si edhe i administratorit të kompanisë X përkojnë njëri me tjetrin. Të dy futen në marrëdhënie ekonomike me njëri tjetrin duke njohur situatën e paaftësisë ekonomike të personit juridik me qëllim fshehjen e saj.

Ndryshon totalisht situata në rastin kur subjekti (extraneus) që futet në marrëdhënie ekonomike me një subjekt të falimentuar nuk ka dijeni mbi këtë situatë. Në këtë rast, qëllimi i tij nuk mund të jetë i njëjtë me atë të ekzekutorit material (intraneus). Duke mos njohur situatën në fjalë, përpara nje situate fiziologjke pa patur mundësinë e njohjes së kontekstit patologjik të kompanisë, qëllimi i bashkëpuntorit nuk mund të jetë ai i fshehjes së gjendjes së falimentimit.

Le të marrim një shëmbull.

Banka nuk ka dijeni mbi situatën e paaftësisë ekonomike të personit juridik, pasi ky i fundit ka falsifikuar bilancet e tij. Përpara një kërkese borxhi për të zhvilluar një biznes të ri, ku plani i zhvillimi të tij duket interesant dhe me premisa positive, banka lëvron kredinë. Ndërkohë, drejtuesit e personit juridik kërkojnë kredinë me qëllim që të maskojnë situatën e rëndë ekonomike ku ai ndodhet me anë të futjes së një likuiditeti të ri, me anë të të cilit arrihen të paguhen disa borxhe në prag skadence. Edhe pse në planin objektiv drejtuesit e bankës japin një kontribut shkaksor në lidhje me fshehjen e gjëndjes së rëndë financiare të personit juridik, mungon përgjegjësia penale e tyre në planin subjektiv. Qëllimi i drejtuesve të bankës nuk është ai i fshehjes së gjëndjes ekonomike, por i dhënies së një kredie pasi mendojnë se personi juridik është në kushtet e duhura për ta marrë. Qëllimi i tyre është i ligjshëm dhe i ndryshëm nga ai i organeve drejtuese të personit juridk, të cilat i kërkojnë kredinë bankës për të pagur disa borxhe në prag skadence dhe kështu për të fshehur gjëndjen e paaftësisë financiare të personit juridik.

Akoma edhe një shëmbull. Kompania A është në gjëndje paaftësie ekonomike. Me qëllim fshehjen e gjëndjes së saj ekonomike, administratorët kërkojnë me ndihmën e avokatëve të një zyre ligjore të krjojnë kontakte më një investitor të huaj. Në planin e administratorëve kjo manovër iu duhet për t’i kërkuar - kundrejt një norme të lartë interesi – disa kreditorëvë B dhe C të presin edhe disa muaj pagesën e një kredie ne skadencë, pasi janë në tratativë me investitorin e huaj për mbylljen e një kontrate strategjike. Negocimet me investitorin e huaj në planin e administratorëve të kompanisë A janë thesht instrument për të fshehur gjëndjen e paaftësisë ekonomike tek kreditorët B dhe C e duke u kërkuar atyre shtyrjen, kundrejt një interesi të lartë, të skadencës së borxhit. Lidhur me administratorët e kompanisë A nuk ka dyshim mbi cilësimin e veprës penale të parashikuar në nenin 194 K.P.

Lind pyetja nëse edhe zyra ligjore ka përgjegjësi penale në bashkëpunim me atë të administratorëve të  kompanisë A.

Nëse zyra ligjore ka dijeni mbi paaftësinë ekonomike të kompanisë A dhe si rrjedhim ndihmon kompaninë A në kuadrin e mbajtjes së negociatave me investitorin e huaj për t’i dhënë asaj mundësinë e fshehjes së gjëndjes së paaftësisë ekonomike në sytë e kreditorëve B dhe C, subjektet drejtuese të zyrës që kanë ndjekur çështjen do të përgjigjen për veprën penale të fshehjes së gjendjes së falimentimit në bashkëpunim të parashikuar nga neni 194 K.P. Nëse avokatët e zyrës ligjore që ndjekin çështjen e negociatave midis kompanisë A dhe investitorit të huaj nuk kanë dijeni mbi situatën ekonomike të kompanisë (administratorët mund t’i kenë fshehur dokumentacionin ose t’i kenë dorëzuar avokatëve dokumentacion të falsifikuar), nuk mund të cilësohen së bashkëpuntorë. Qëllimi i aktivitetit të tyre është i ligjshëm dhe nuk përputhet me atë të administratorëve të kompanisë.   

 

Konkluzione

 

Nga leximi i dy shkrimeve mbi vepra penale para-falimentare të parashikuara nga nenet 193, 194 K.P. mund të nxirren një sërë konkluzionesh si mbi nivelin e vështirësisë dhe problematikave që këto vepra shtrojnë, ashtu si edhe mbi shkallën e analizës që ato kërkojnë dhe që është munduar të realizohet në kuadrin e dy punimeve. Pavarësisht opinioneve objektive apo subjektive që mund të lindin nga leximi i tyre, ngel fakti se vetëm studimi i thellë, serioz dhe logjik i dispozitave të kodit penal mund të sjellë zhvillimin e mendimit juridik të një vendi në kuadrin e fushës të së drejtës penale. Shrepsojmë pra të kemi dhënë një kontribut në këtë drejtim, me shpresë se analiza dhe interpretimet e propozuara të krijojnë premisat për realizimin e punimeve akoma edhe më të thella dhe solide si nga koleget e universiteteve ashtu edhe nga protagonistët e tjerë të jetës juridike të vendit (avokat, prokurorë, gjykatës, studiues). Dëshira më e madhe nga ana jonë është ajo e krijimit të një lëvizje shkencore-kulturore ku me anë të një qasje kritike, vlerësimet e dhëna të analizohen, të kritikohen, madje edhe të hidhen poshtë prej punimeve të ardhshme nga autorë të ardhshëm, me anë të një analize edhe me të thellë, të argumentuar dhe të detajuar, të problematikave të nxjerra në pah në dy shkrimet mbi veprat penale para-falimentare.

 

Literatura:

 

Akte normative

-          Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë

-          Kodi Penal i Republikës së Italisë

-          Ligji shqiptar mbi falimentimet (110/2016)

 

Doktrinë

- Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë, në ‘Avokatia’ n. 41, f. 91 e vazhdim

F. Antolisei, Manuale di diritto penale, leggi complementari, II ed., Milano, 1995, f. 12. Në mesjetë, kush falimentonte cilësohej si mashtrues veçanarisht në rastet kur zhduket apo kur nuk mbante në mënyrë të rregullt kontabilitetin

- Enida Bozheku, Profile penale në fushën e së drejtës penale falimentare, në këtë revistë, n. 28; A. Nano, Vepra penale e falimentimit të provokuar në të drejtën penale të ekonomisë, në ‘Studime Juridike’, Tiranë 2016 n. 2, f. 117 dhe vazhdim

Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë, cit., f. 113

Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë. cit., f. 110

D. HOZHA – S. KAÇUPI – M. HAXHIA, E drejta penale, pjesa e përgjithshme, Tiranë 2019. S. MENGJESI, Baza e doktrinës të së drejtës penale, Tiranë 2016

Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë. cit., f. 110

Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë, c.it, f. 99

-Ersi Bozheku, Riflessioni in ordine alle tematiche del pericolo e del dolo nella struttura del delitto di bancarotta fraudolenta per distrazione, nota a Cass. Sez. V., 10 settembre 2013, 41665, in Cassazione penale, n. 7/8, 2014 f. 2638 dhe vazhdim; Ersi Bozheku, Continua il restyling della Cassazione in ordine al delitto di bancarotta fraudolenta pre-fallimentare per distrazione: alcune annotazioni in tema di dolo, in ‘Parola alla difesa’, fasc. 1, 2018, f. 51 dhe vazhdim

- Ersi Bozheku, La Corte di cassazione sul pericolo nella bancarotta fraudolenta prefallimentare: un'altra rondine in attesa di primavera?, in ‘Parola alla difesa, fasc. 4, 2017, f. 387 



[1] Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë, në ‘Avokatia’ n. 41, f. 91 e vazhdim

[2] Po aty

[3] Po aty

[4] F. Antolisei, Manuale di diritto penale, leggi complementari, II ed., Milano, 1995, f. 12. Në mesjetë, kush falimentonte cilësohej si mashtrues veçanarisht në rastet kur zhduket apo kur nuk mbante në mënyrë të rregullt kontabilitetin

[5] Për një analizë lidhur me veprat penale falimentare ne vendin tonë: Enida Bozheku, Profile penale në fushën e së drejtës penale falimentare, në këtë revistë, n. 28; A. Nano, Vepra penale e falimentimit të provokuar në të drejtën penale të ekonomisë, në ‘Studime Juridike’, Tiranë, 2016 n. 2, f. 117 dhe vazhdim

[6] Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë, cit., f. 113.

 

[7] Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë. cit., f. 110

[8] Në letëraturën tonë interesante janë në këtë pikë analizat e D. HOZHA – S. KAÇUPI – M. HAXHIA, E drejta penale, pjesa e përgjithshme, Tiranë 2019. S. MENGJESI, Baza e doktrinës të së drejtës penale, Tiranë, 2016

[9] Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë. cit., f. 110

 

[10] Ersi Bozheku, Reflektime mbi veprat penale para-falimentare në Republikën e Shqipërisë, c.it, f. 99.

[11] Po aty.

[12] Mbi anën subjektive të veprave penale para-falimentare: Ersi Bozheku, Riflessioni in ordine alle tematiche del pericolo e del dolo nella struttura del delitto di bancarotta fraudolenta per distrazione, nota a Cass. Sez. V., 10 settembre 2013, 41665, in Cassazione penale, n. 7/8, 2014 f. 2638 dhe vazhdim; Ersi Bozheku, Continua il restyling della Cassazione in ordine al delitto di bancarotta fraudolenta pre-fallimentare per distrazione: alcune annotazioni in tema di dolo, in ‘Parola alla difesa’, fasc. 1, 2018, f. 51 dhe vazhdim

[13] Mbi interpretimin e veprave penale para-falimentare me rrezik: Ersi Bozheku, La Corte di cassazione sul pericolo nella bancarotta fraudolenta prefallimentare: un'altra rondine in attesa di primavera?, in Parola alla difesa, fasc. 4, 2017, f. 387