Dr. Gerta MEHMETI

Lektore në Kolegjin Universitar ‘Pavarësia’,

 Vlorë

 

Hyrje

 

Identiteti gjinor i referohet seksit, femëror apo mashkullor që një person ndjen se ka. Marrja e një identiteti gjinor të caktuar ndodh zakonisht në vitin e katërt të jetës së fëmijës dhe nëse nuk përputhet me seksin biologjik, atëherë vërehet një mospërputhje që dikton nevojën për të folur për persona transeksualë ose transgjinorë. Ashtu siç shpjegon kërkuesja shkencore Anne Fausto-Sterling, më shumë se një në njëqind persona paraqet karakteristika ndërseksuale.

Sipas Shoqatës Ndërseksuale të Amerikës së Veriut, pamundësia për të përcaktuar seksin në lindje prek më shume se një fëmijë në 1500 prej tyre. Kjo hap për debat dy çështje të rëndësishme: nga njëra anë nëse mjekët dhe prindërit mund të përcaktojnë në mënyrë arbitrare seksin dhe, nga ana tjetër, diskutohet se si natyra parashikon në mënyrë evidente edhe kushte seksualiteti jo dikotomike. Krahas këtyre debateve, ajo që duhet patur parasysh është koncepti i identitetit seksual që është shumë i ndryshëm nga seksi biologjik që përcaktohet nga natyra, ndërkohë që identiteti seksual përcaktohet nga disa variabla psikologjikë dhe kulturorë. Me gjini në ndryshim nga seksi biologjik kuptohet përkatësia, ose afërsia që ka një individ me përcaktimin që kulturalisht i bëhet mashkullit apo femrës. Nga ana tjetër ekziston edhe Disforia Gjinore e cila ka të bëjë me situata në të cilat personat kanë një përjetim subjektiv – identitet gjinor – që nuk përputhet me seksin biologjik. Në këtë kategori ndeshim dy nënkategori: transeksualët të cilët i janë nënshkruar një procesi të ndryshimit të seksit të tyre dhe transgjinorët të cilët pavarësisht se perceptojnë mospërputhjen mes seksit dhe identitetit, mendojnë se sfera e seksualitetit dhe gjinisë duhet konsideruar në mënyrë fluide dhe jo dikotomike, dhe qendrojnë në një gjendje të papërcaktuar në lidhje me përkatësinë mashkullore apo femërore.

 

Evolucioni i kuadrit ligjor mbi identitetin gjinor

 

Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë nënvizohet garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe zotimi për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor. Sipas nenit 3, veç te tjerave, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij janë baza e shtetit, i cili ka për detyrë t'i respektojë dhe t'i mbrojë këto. Neni 18/2, i njohur si neni kundër diskriminimit, rendit gjininë si një ndër shkaqet ku askush nuk mund të diskriminohet. Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut parashikon se, të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta. Parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit sanksionohet gjithashtu në një numër të madh dokumentesh mbikombëtare, si Karta e Kombeve të Bashkuara neni 1 (3) dhe mbrohet nga një numër gjithnjë në rritje instrumentash ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe Konventën Ndërkombëtarë për të Drejtat Civile dhe Politike (nenet 2,3 dhe 26), Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (nenet 2 dhe 3), si edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (neni 2). Ndërsa identiteti gjinor, shprehja gjinore dhe karakteristikat seksuale nuk janë shprehimisht të mbrojtura në asnjë traktat ndërkombëtar; shumë aktorë të OKB, duke iu referuar universalitetit, ndërvarësisë, pandashmërisë e patjetërsueshmërisë së të drejtave të njeriut[1] deduktojnë dhe konfirmojnë se, edhe personat trans apo ndërgjinorë gëzojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për shembull, Konventa për të drejtat e Fëmijës e OKB [KDF], pranon se çdonjëri mund të përfitojë nga të gjitha të drejtat dhe të gjitha liritë e parashtruara në to, pa asnjë dallim race, ngjyre, gjinie,.... Neni 2 i KDF paraqet detyrimin që kanë shtetet Palë të respektojnë të drejtat e përmendura në këtë Konventë dhe t’ia garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, .... ose çdo opinion tjetër mbi …çdo gjendje tjetër të fëmijës ose prindërve të tij ose përfaqësuesve të tij ligjorë. Gjithashtu, në paragrafin e dyte të nenit 2 theksohet se Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që fëmija të jetë efektivisht i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit, ose ndëshkimit, për shkak të pozitës, veprimtarive, opinioneve të shprehura, ose bindjeve të prindërve të tij, të përfaqësuesve të vet ligjorë, ose të anëtarëve të familjes së tij.Neni 8 i KDF i referohet të drejtës së fëmijës për të ruajtur identitetin e vet sipas ligjit, pa ndërhyrje të paligjshme dhe detyrimin që ka shteti për të dhënë ndihmën dhe mbrojtjen e duhur. Neni 29 i KDF rendit si synim të arsimimit edhe atë të respektimit të identitetit të fëmijës. Në G v Australi,[2] Komitetit i OKB mbi të drejtat e njeriut vërejti se, në mbështetje të Konventës për të Drejtat Civile e Politike (ICCPR) “…ndalimi i diskriminimit sipas nenit 26 të Konventës, ndalon diskriminimin e bazuar në …. identitetin gjinor, duke përfshirë edhe statusin transgjinor”. Gjithnjë në G v Australi, u njoh nocioni i privatësisë sipas nenit 17 ICCPR, në mbrojtje të identitetit, duke përfshirë edhe identitetin gjinor. Komiteti i të Drejtave të Njeriut u shpreh gjithashtu se, nëse personave u kërkohet të divorcohen përpara se të marrin gjininë e re ligjore, është në mospërputhje me garancitë që ofron Konventa.[3]

Komiteti i OKB kundër torturës, i cili monitoron respektimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës ka qenë një mbrojtës i vazhdueshëm i të drejtave ndërgjinore. Në disa rastë, Komiteti ka nxitur shtetet të adoptojnë “masa legjislative, administratibe dhe të tjera për të siguruar që të respektohet integriteti fizik i personave ndërgjinorë dhe të sigurojnë se askush nuk do të jetë gjatë fëmijërisë së tij subjekt i ndërhyrjeve jo-urgjente mjekësore për përcaktimin e seksit”.[4]

Në vërejtjet përfundimtare, Komiteti për Eleminimin e Diskriminimit ndaj Grave (Komiteti CEDAW), që monitoron  përmbushjen e detyrimeve të Konventës për Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave ka njohur se, diskriminimi ndaj grave është “ngushtësisht i lidhur me faktorë të tjerë që prekin jetën e tyre, duke përfshirë edhe të qenurit trans ose ndërgjinor”. Komiteti CEDAW bën thirrje për shtetet që “të përcaktojnë procese për eleminimin e rregulloreve apo praktikave kundër … grave trans dhe personave ndërgjinorë në sistemin e drejtësisë”.[5]

 

Perpsektiva evropiane mbi identitetin gjinor

Konventa Evropiane e të Drejtave dhe Lirive themelore të Njeriut - KEDNj në nenin 8 sanksionon “të drejtën e respektimit te jetës private dhe familjare” dhe në nenin 14 sanksionohet “ndalimi i diskriminimit”.

 Nga viti 2010 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), ka afirmuar se, personat trans përfshihen në detyrimet dhe qëllimin e nenit 14 të KEDNj për respektimin e barazisë dhe mosdiskriminimin. Kjo nënkupton se në gëzimin e të drejtave dhe lirive të tyre të sanksionuara në Konventë, individët trans nuk mund të jenë subjekt i diskriminimit të pajustifikuar. Në PV v Spain (2010), GjEDNj u shpreh, se: ‘transeksualiteti është një nocion që mbulohet padyshim nga neni 14 i Konventës”.[6] B v Francë (1992), GjEDNj u shpreh se refuzimi i Francës për të njohur gjininë e preferuar ishte në mospërputhje me nenin 8 të KEDNj. Gjykimi, sidoqoftë, nuk u shpreh me tepër në lidhje me njohjen ligjore të gjinisë. Ky konfirmim erdhi me çështjen Goodwin v United Kingdom (2000), ku Znj.Goodwin, e cila i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale kishte marrë refuzimin për të amenduar çertifikatën e lindjes që do të reflektonte gjininë e saj të preferuar. Si rezultat i kësaj, ajo ishte e paaftë për të patur akses në shërbimet esenciale ligjore dhe sociale në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë garancinë e pensionit dhe martesën. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut citoi, se ekzistojnë “prova të qarta e të pakontestueshme për trendin e vazhdueshëm ndërkombëtar në lidhje me pranimin social të transeksualëve dhe njohjen ligjore të një identiteti të ri seksual për transeksualët pas operacionit”.[7] Refuzimi i Anglisë për të modifikuar certifikatën e lindjes dhunonte nenin 8 dhe nenin 12 të KEDNJ (e drejta për t’u martuar). Në çështjen e mëpasshme Grant v United Kingdom (2006), GJEDNJ, vendosi se, në vijim të çështjes Goodëin, Mbretëria e Bashkuar nuk do të mund të vononte të jepte një pension që duhet t’i jepej një gruaje trans, e cila kishte ndryshuar gjininë dhe plotësonte moshën e kërkuar më parë.[8] Në BE, Gjykata e Drejtësisë ka mbajtur vazhdimisht pozicionin në mbrojtje të personave trans, duke garantuar barazinë në legjislacionin ekzistues të BE-së. Në çështje si P v S and Cornwall County Council,[9] gjejmë vendime që i shërbejnë jo vetëm popullatës trans në Evropë por gjithë fushës së të drejtave të njeriut, duke qenë se për shembull është inkorporuar termi “identitet gjinor” apo “shprehje gjinore” në nenit 19 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Europian.  Sidoqoftë, jurisprudenca e Gjykatës paraqet një pamje shumë “mjekësore” të personave trans - duke konceptuar mbrojtjen e tyre të barazisë përmes një lenteje të 'ndryshimit të gjinisë'. Kjo vë në pikëpyetje dobinë dhe zbatueshmërinë e garancive të BE-së për mos-diskriminimin për një numër të madh të qytetarëve trans-BE, të cilët nuk mund apo nuk do të kenë qasje në kujdesin shëndetësor për konfirmimin gjinor.

 

Procedura ligjore për ndryshimin e gjinisë: gjyqësore apo administrative?

 

Në shumicën  e vendeve të Bashkimit Evropian (edhe tre shtetet EFTA), ekzistojnë procedura specifike – administrative, ose gjyqësore apo të kombinuara) – sipas të cilave personat mund të kenë akses në të drejtën e njohjes së gjinisë të preferuar. Këto procedura aplikohen në mënyrë të njëjtë e të barabartë për personat trans dhe ata ndërseksualë. Në disa Shtete Anëtare, legjislacioni kombëtar specifikon atë që njihet si identiteti gjinor. Për shembull, neni 3 i Aktit Maltez për Identitetin Gjinor, shprehjen Gjinore dhe Karakteristikat Seksuale, të vitit 2015 përcakton, se: “të gjithë shtetasit e Maltës kanë të drejtën për t’iu njohur identiteti i tyre gjinor dhe janë të lirë të zhvillojnë personalitetin e tyre në përputhje me identitetin e tyre gjinor…”.[10] Pavarësisht kësaj, në pesë juridiksione (Qipro, Bullgaria, Letonia, Lituania dhe Lihtenshteini), edhe pse disa individëve u është njohur formalisht gjinia e re, nuk ka rregulla të qarta që duhen ndjekur në lidhje me ndryshimin gjinor, ose këto rregulla janë të paplota.[11]

Kur një individ aplikon për të ndryshuar zyrtarisht statusin e tij gjinor, ata duhet të mbështeten në një interpretim të gjerë të statuteve të tjera, ose të bindin gjykatat e vendit, për çdo rast, për të pranuar kërkesën e tyre. Në të pesë vendet, mungesa e një kornize specifike rrezikon de facto të pengojë qasjen në njohjen gjinore. Në Bullgari, e drejta për njohjen e gjinisë është vendosur në një numër tekstesh ligjore, asnjë prej të cilave nuk krijon shprehimisht të drejtën për të ndryshuar gjininë ligjore. Këto tekste përfshijnë Ligjin mbi Dokumentet Personale Bullgare, Rregulloren për Lëshimin e Dokumenteve Personale Bullgare dhe Aktin e Regjistrimit Civil 1999. Në mënyrë të ngjashme, në Qipro, ku nuk ka ligj të veçantë për njohjen e gjinisë, neni 40 i Ligjit të Regjistrit Civil të vitit 2002 e bën të mundur për të ndryshuar apo korrigjuar detajet e lindjes në Regjistrin e Popullsisë. Sidoqoftë, korrigjimet apo ndryshimet e tilla futen përveç regjistrave origjinal të lindjeve, të cilat mbeten pjesë e Dosjes së Popullsisë. Në Lituani, ekziston një e drejtë nominale për njohjen e gjinisë, e cila varet nga kryerja e operacionit të konfirmimit gjinor.[12] Sidoqoftë, pasi parlamenti vendas nuk ka rregulluar një operacion të tillë në Lituani, shumica e individëve në vend nuk ka mundësi të përfundojë kërkesat e ngritura në lidhje me ndryshimin gjinor. Në L kundër Lituanisë,[13] Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dënoi natyrën ‘e ndërmjetme’ të ligjit lituanez, por pavarësisht kësaj ligjvënësit ende nuk kanë miratuar masa të mjaftueshme për të korrigjuar boshllëkun ligjor. Edhe në Bullgari, Qipro, Letoni, Lihtenshtajn dhe Lituani, nuk ka procedura zyrtare për marrjen e njohjes ligjore të gjinisë së preferuar, megjithëse, në secilin juridiksion, ka prova që persona të caktuar janë njohur nga Shteti.[14]

Ndër 27 Shtetet Anëtare të BE dhe tre shtetet EFTA nuk është e mundur të identifikohet një procedurë uniforme nëpërmjet të cilës të mund të njihet formalisht gjinia e preferuar. Disa juridiksione vendosin detyrimin për t’iu nënshtruar procesit gjyqësor, ndërkohë që të tjera kanë krijuar një kuadër administrativ, të cilit duhet t’i nënshtrohen personat që dëshirojnë të ndryshojnë gjininë. Për më tepër, siç u përmend më lart, në pesë shtete të BE-së dhe ato të EFTA-s, aktualisht nuk ka rregulla legjislative, ose administrative (ose jo të plota) që lejojnë shprehimisht njohjen ligjore të gjinisë. Në një numër juridiksionesh, individët duhet të aplikojnë në gjykatat vendase në mënyrë që gjinia e tyre të njihet zyrtarisht. Shembuj të Shteteve Anëtare të BE-së me një sistem njohje të bazuar në gjykata përfshijnë Italinë dhe Greqinë. Në vitin 2016, Franca reformoi ligjet e saj të njohjes gjinore, duke hequr sterilizimin si një parakusht të detyrueshëm. Sidoqoftë, sipas kornizës së re legjislative (Ligji i 19 Nëntorit 2016), aplikantëve u kërkohet ende të angazhohen me një procedurë gjyqësore. Në mënyrë të ngjashme, në Gjermani, megjithëse Gjykata Federale Kushtetuese ka dënuar disa parakushte, përfshirë moshën minimale, sterilizimin e detyruar dhe divorcin e pavullnetshëm, ai nuk ka lënë mënjanë karakterin qendror të gjyqtarit të Ligjit Transeksual 1980. Në vitin 2008, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë vendosi që kërkesa për të marrë një vendim gjyqësor para se Shteti të njohë zyrtarisht gjininë e preferuar është në përputhje me të drejtën për jetën private, sipas nenit 26 të Kushtetutës së brendshme. Ndërsa vendimi për të aplikuar për njohjen ligjore të gjinisë është një zgjedhje personale, gjykatësit kombëtarë kanë një detyrë të rendit publik për të siguruar vlefshmërinë e dokumenteve të gjendjes civile. Kërkimi nga individët të paraqesin kërkesën e tyre para gjykatave kombëtare krijon një shtresë shtesë të formalitetit, të cilën shumë njerëz e shohin si frikësuese, prandaj kanë vështirësi për t’iu drejtuar gjykatës. Kur marrja e njohjes kërkon njohuri shtesë juridike, kjo mund t'i largojë individët nga bërja e një kërkese. Mund të kërkojë gjithashtu ndihmë juridike, të cilën shumë njerëz nuk mund ta përballojnë, veçanërisht për ata në situata vështirësie ekonomike. Për më tepër, në juridiksione të caktuara, procedurat gjyqësore vendosin gjyqtarët vendas në një rol ku mund të ushtrojnë nivele të larta të gjykimit personal nëse ata duhet të pranojnë zyrtarisht gjininë e preferuar. Në Rumani dhe në Gjermani ka rezultuar që gjyqtarët të vendosin parakushte shtesë përtej asaj që kërkohet aktualisht në ligjin, ose në politikat kombëtare. Në Poloni, një individ që aplikon në gjykatë për njohje zyrtare duhet të rendisë individë të veçantë si “mbështetës” (dëshmitarë) të kërkesës së tij.[15] Në praktikë, ekziston një detyrim për të përmendur anëtarët e familjes, duke përfshirë prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët, si mbështetës. Një kërkesë e tillë jo vetëm që ka potencial për të nxitur (ose përkeqësuar) grindjet familjare, por gjithashtu mund të vonojë procedurat e njohjes kur anëtarët e familjes kundërshtojnë. Një qasje alternative është rregullimi i njohjes gjinore përmes kornizave administrative. Në Mbretërinë e Bashkuar, njerëzit që aplikojnë për një Çertifikatë të Njohjes Gjinore paraqesin kërkesën e tyre në një organ administrativ, Paneli i Njohjes së Gjinisë. Në mënyrë të ngjashme, në Hungari, aplikimet përpunohen nga Zyra Qeveritare e Budapestit, Departamenti i Shtetësisë dhe Regjistrimit, i cili udhëzon regjistruesit publik për të ndryshuar gjininë ligjore. Në Luksemburg, ku kërkesat për njohje zyrtare janë vendosur historikisht nga gjykata administrative, reformat e reja legjislative (miratuar në 2018) tani do t'ia japin këtë fuqi Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa procedurat administrative shmangin shumë nga kritikat e drejtuara në gjykata, ata mund të jenë akoma jopopullorë për aplikantët që kundërshtojnë kontrollin e gjinisë së tyre nga palët e treta. Në një numër vendesh, procedurat administrative mund të kombinohen me mbikëqyrjen gjyqësore, veçanërisht në apel. Sipas Aktit të Irlandës për Njohjen e Gjinisë 2015, megjithëse aplikantët bëjnë kërkesën e tyre fillestare tek Ministri për Mbrojtjen Sociale, neni 17 i Aktit të vitit 2015 krijon të drejtën për të apeluar në Gjykatën e Familjes Qarkore nëse  kërkesat e tyre nuk janë të suksesshme. Në mënyrë të ngjashme, në Finlandë, megjithëse vendimi i njohjes merret nga magjistratët Finlandezë, bëhet një apel në Gjykatën Administrative.

Sipas modelit të ofruar nga Republika e Italisë, personi transeksual ka nevojën që jo vetëm të ndryshojë paraqitjen e vet dhe shprehjen e tij gjinore, por duhet edhe ta përshtatë atë në kontekstin në të cilin jeton, duke përshkuar një rrugëtim tranzitor.  Në Itali, mundësia për të ndryshuar seksin si rrjedhojë e një ndërhyrjeje kirurgjikale që passjell pasoja juridike dhe anagrafike (në gjendjen civile), rregullohet me ligjin nr.164 të vitit 1982 dhe nga dekreti legjislativ nr. 150 i vitit 2011. Ky ndryshim vjen me një vendim të gjykatës që i jep personit një seks të ndryshëm nga ai i përcaktuar në aktin e lindjes, si rrjedhojë e një ndërhyrjeje që ka modifikuar karakteristikat seksuale të personit. Procedimi origjinal i përcaktuar nga ligji i 1982 dhe kërkesa për marrjen e vendimit për ndryshimin, vinte në formën e një kërkese në gjykatën e vendit ku kishte vendbanimin personi, ku jepej autorizimi për kryerjen e ndryshimit seksual me ndërhyrje, çka ishte në atë kohë një kusht i domosdoshëm për të reflektuar ndryshimin edhe në gjendjen civile.  Në një fazë të dytë qartësohej, verifikohej kryerja e ndërhyrjes së autorizuar dhe pas këtij verifikimim, nëse rezultonte pozitiv, realizohej ndryshimi i seksit me vendim gjyqësor. Në rastet kur ishte kryer më parë ndryshimi seksual kirurgjik, jashtë vendit apo pa autorizim formal gjyqësor, parashikohej se gjykata mund të dispononte për ndryshimin me vendim atributiv (njohjeje) të një seksi të ndryshëm nga ai i përcaktuar apo njohur në aktin e lindjes.

Dekreti legjislativ nr. 15 i vitit 2011 ka modifikuar ligjin e 1982, duke i bashkuar kërkesën për autorizim të trajtimit kirurgjikal edhe njohjen e ndryshimit seksual në aktet e gjendjes civile ku do të reflektohej ky ndryshim. Një aspekt që duhet mbajtur parasysh është përqasja mjekësore e disforisë gjinore, e njohur si gjendje psikologjike dhe jo si sëmundje mendore vetëm në vitin 2018. Prandaj, në ligjin e 1982, vëmendja e legjislatorit dhe gjyqtarëve ishte e përqendruar në pamjen fizike të kërkuesit dhe jo në gjendjen psikologjike dhe të brendshme të tij. Ligji i 14 prillit 1982, nr. 164, mbi rregullimin ligjor të ndryshimit të seksit në favor të personave transeksualë përbën një shembull të rëndësishëm qytetarie juridike dhe respektimi të të drejtave themelore të personit. Në vendimin nr. 161 të datës 24 maj 1985, gjyqtarët kushtetues pranuan ekzistencën e një të drejte themelore të identitetit seksual të sanksionuar në nenet 2[16] dhe 32[17] të Kushtetutës, në brendësi të të cilave gjen mbrojtje edhe e drejta themelore e përshtatjes të identitetit fizik ndaj identitetit psikik, nëpërmjet modifikimit të seksit. Në veçanti, Gjykata identifikoi në nenin 32 të Kushtetutës një koncept të gjerë të së drejtës për kujdes shëndetësor, që përfshin shëndetin psikik krahas atij fizik. Gjithashtu, garancia dhe mbrojtja e të drejtës së padhunueshme të identitetit seksual, sipas nenit 2 të Kushtetutës Italiane lejonte subjektin transeksual, sipas gjyqtarëve, të zhvillonte personalitetin e tij si në dimensionin intim dhe psikologjik ashtu edhe në marrëdhëniet jetësore. Nga miratimi i ligjit nr. 164 të vitit 1982 kanë kaluar më shumë se tridhjetë vjet përvojë jete, ndryshime shoqërore dhe evolucion ligjor në nivelin ndërkombëtar, të cilat kanë çuar në besimin se, përmbajtja e ligjit është problematike në disa nga aspektet e tij, dhe e vjetëruar në të tjera. Interpretimi juridik që del nga diktimi i paqartë ligjor, në fakt ka vërtetuar se ndryshimi i seksit është i autorizuar nga gjyqtari pas trajtimit mjekësor-kirurgjik të modifikimit të karakteristikave kryesore seksuale, i autorizuar gjithashtu me vendim gjykate. Megjithëse, duhet theksuar, ligji nr. 164 i vitit 1982 nuk përmbante një detyrim për t'iu nënshtruar trajtimeve mjekësore-kirurgjikale për modifikimin e karakteristikave seksuale. Përvoja e jetës së njerëzve transeksualë dhe transgjinorë, si edhe kërkimi shkencor kanë demonstruar mjaft mirë se, ekuilibri psikofizik i personit transeksual nuk përfshin domosdoshmërisht rregullimin kirurgjik të organeve gjenitale, e cila në të kundërtën shpesh është e detyruar nga nevoja për të "rregulluar" një situatë të ndërmjetme në të cilën personi transeksual i nënshtrohet stigmatizimit shoqëror, diskriminimit, privimit të të drejtave themelore, përfshirë të drejtën për konfidencialitet të të dhënave personale të ndjeshme, siç janë ato që kanë të bëjnë me shëndetin dhe jetën seksuale. Kirurgjia bëhet, me fjalë të tjera, një mënyrë për të parë identitetin e personit të sanksionuar nga ligji. E gjithë kjo kushtëzon shumë respektimin e të drejtave dhe identitetit të personit, të mirëqenies së tij psikofizike dhe të jetës në marrëdhëniet shoqërore. Nuk është rastësi që vitet e fundit jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht në çështjet Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar (2002) dhe Van Kück kundër Gjermanisë (2001) ka njohur progresivisht ekzistencën e një të drejte themelore për identitetin gjinor në bazë të neneve 8 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me të cilën njohja ligjore e identitetit gjinor nuk ka pse të varet domosdoshmërisht nga operacioni i ndërrimit të organeve gjenitale. Ky orientim, pikërisht pas vendimit të Gjykatës Evropiane, e cila dënoi Mbretërinë e Bashkuar në këtë drejtim, bëri që ligjvënësi britanik të prezantojë Aktin e Njohjes Gjinore të vitit 2004, mbi bazën e të cilit korrigjimi i certifikatës së lindjes dhe ndryshimi i emrit kryhen pa marrë parasysh ndërhyrjen kirurgjikale. Ka shumë vende që miratojnë të njëjtin regjim ligjor si Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja u është bashkuar atyre, e cila me ligjin e 15 marsit 2007, nr. 3, "Reguladora de la rectificación registral de la mención relativa al sexo de las personas" parashikon që është regjistruesi që modifikon ose korrigjon atribuimin e seksit dhe emrin e personit, i cili përballet me procesin e adaptimit të karakteristikat sekondare seksuale ndaj identitetit gjinor. Në versionin e ri të Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Psikiatërve (DSMV), botuar në maj 2013 nga APA (Shoqata Amerikane e Psikiatërve), termi "Çrregullimi i Identitetit Gjinor" (DIG) është eliminuar nga lista e sëmundjeve mendore, që historikisht përdorej nga profesionistë të shëndetit mendor për të treguar gjendjen e njerëzve transgjinorë dhe transeksualë. Në të njëjtin manual, vetëm termi «disfori gjinore» do të përdoret për të përshkruar stresin emocional të shkaktuar nga një mospërputhje e theksuar midis gjinisë seksuale të jetuar/shprehur dhe asaj me të cilën ka lindur.

 

Efektet ligjore të ndryshimit gjinor: divorci i detyruar, adoptimi dhe të tjera

 

Njohja ligjore e gjinisë do të thotë gjithashtu e drejta për të marrë dokumente identiteti që korrespondojnë me identitetin dhe shprehjen gjinore të gjithsecilit, ose e drejta për të njohur gjininë e zgjedhur, madje edhe ligjërisht, ndryshimin e emrit dhe dokumenteve të tilla si leja e drejtimit apo diplomat e çertifikatat e shkollës. E drejta për të marrë ndryshimin e të gjitha dokumenteve, duke përfshirë për shembull aktet e pronësisë së një shtëpie, kontratat e punës, shërbimet telefonike, duhet të plotësojë edhe dy nevoja:

- nevoja që identiteti personal të përkojë me identitetin aktual, të përjetuar dhe të perceptuar nga një person;

- nevoja për privatësi në lidhje me tranzicionin gjinor.

Identiteti gjinor është në fakt një e dhënë personale e përcaktuar si "e ndjeshme" nga ligji mbi të dhënat personale dhe ruajtjen  e tyre, prandaj është thelbësore që tranzicioni dhe identiteti gjinor në përgjithësi t'u njihen vetëm subjekteve të informuara shprehimisht nga personi, ose të autorizuara me pëlqimin e personit. Në fund të fundit: me vendimin që autorizon ndryshimin e seksit, personi ka të drejtë të marrë ndryshimin e emrit dhe gjinisë në çdo dokument. Në fakt, siç u përmend më lart, pas korrigjimit të emrit dhe seksit në regjistër, asnjë "gjurmë" në lidhje me seksin dhe emrin origjinal nuk duhet të mbetet (me përjashtim të transkriptimit në certifikatën e lindjes i cili shihet vetëm nga zyrtarët e Gjendjes Civile dhe prej të cilëve kërkohet konfidencialitetit), pikërisht për të ruajtur privatësinë e personit. Sidoqoftë, mund të ndodhë që të hasen vështirësi në sigurimin e përditësimit të disa dokumenteve, veçanërisht për ato lloj dokumentesh që nuk vijnë nga Administrata Publike. Disa shembuj konkretë janë aktet private noteriale apo kontratat e tjera me operatorë telefonikë, apo të furnizimit me shërbime, për përditësimin e të cilave personi duhet të paguajë disa taksa si rrjedhojë e rifreskimit të dokumentacionit. Në Shqipëri, në ligjin nr.10 129/11.5.2009 “Për Gjendjen Civile”i ndryshuar në 2013, gjinia renditet si një nga përbërësit e gjendjes civile [neni 6/1] dhe si e tillë pjesë e identitetit të çdo personi. Gjinia, sipas LGjC, është një përbërës që mund të ndryshojë. Sipas nenit 8 të LGjC, disa përbërës të gjendjes civile, përfshi këtu gjininë, njihen e mund të hiqen, të shuhen, të ndryshojnë, ose t’u kalojnë të tjerëve vetëm në rastet e në mënyrën e përcaktuar shprehimisht në këtë ligj apo në çdo ligj tjetër të veçantë. Ndërkohë që njihet ndryshimi i gjinisë, konstatohet se, nuk ka rregullime lidhur me ndryshimin e gjinisë as ne LGjC as në të tjera ligje. Aktualisht, ndonëse LGJC e njeh përbërësin ‘gjini’ si të ndryshueshëm, në stadin aktual ky ligj nuk përfshin asnjë rregullim specifik lidhur me procedurën e aplikueshme në raste të tilla.[18] Gjithashtu, rregullime të tilla mbi gjininë dhe ‘njohjen e saj’ mungojnë në tërësi në kontekstin ligjor shqiptar. Gjinia gjithashtu është pjesë e përmbajtjes së aktit të lindjes dhe sikurse fakti i lindjes, koha e lindjes, vendi i lindjes, amësia, vërtetohen me certifikatën e asistencës së lindjes, me raport mjekësor ose procesverbal, të hartuar në kohën e lindjes, i cili vërtetohet nga personeli mjekësor i pranishëm, si dhe përgjegjësi i trenit, kapiteni i anijes ose i avionit në udhëtim, drejtuesi i burgut ose i repartit ushtarak, organi i rendit publik, apo zyrtarë të përfaqësive diplomatike jashtë shtetit, në mungesë të personelit mjekësor. Në mungesë të këtij dokumentacioni, vërtetimi i faktit të lindjes mund të provohet edhe nëpërmjet vendimit të gjykatës. Neni 44 LGjC parashikon mundësinë e ‘Ndryshimit të të dhënës së aktit të lindjes’. ‘Përmbajtja e aktit të lindjes, e pasqyruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile mund të ndryshohet vetëm në rastet e përcaktuara shprehimisht në këtë ligj” dhe gjinia është përbërës i ndryshueshëm, por në këtë ligj nuk bëhet fjalë për procedurën e ndryshimit të gjinisë. Nëse i referohemi nenit 30 LGjC “Korrigjimet dhe plotësimet në dokumentet e arkivuara” bëhen vetëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Këtu është rasti për të përcaktuar nëse do të jenë organet administrative apo ato gjyqësore. Kjo analizë do të bëhet kundrejt krahasimeve me përbërës të tjerë sipas legjislacionit vendas dhe krahasimit me mënyrat e përcaktuara nga modelet e shteteve të tjera. Sipas legjislacionit italian njohja ligjore e gjinisë do të thotë që e drejta për të marrë dokumente identiteti që korrespondojnë me të gjitha identitetet dhe shprehjet e njohura gjinore. Për këtë arsye do të duhej të ndiqej e njëjta procedurë për ndryshimin  e një komponenti tjetër të gjendjes civile, siç është gjinia. Pas paraqitjes së një padie njohjeje pranë një gjykate civile (ndoshta këtu do të ishte me vend diskutimi mbi juridiksionin civil apo administrativ, duke qenë se palë e interesuar është zyra e gjendjes civile e vendit ku ka vendbanimin kërkuesi) dhe pas shqyrtimit gjyqësor, kopja e vendimit gjyqësor i bashkëlidhet dokumentit dhe çdo dokument i lëshuar në bazë të tij përmban elementet e përcaktuara në vendimin gjyqësor. Sipas legjislacionit italian (neni 4 i ligjit të 1982), vendimi i ndryshimit të seksit vendoste dhe detyrimin për zgjidhjen e martesës ose pushimin e efekteve civile për personat që kishin qenë më parë të martuar. Pavarësisht kësaj, në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese deklaroi paligjshmërinë e normës, duke vërejtur se ishte në kundërshtim me të drejtën e personit për të zgjedhur lirisht dhe, gjithashtu, në kundërshtim me të drejtën e çiftit të martuar për të ruajtur marrëdhëniet që kanë patur deri në atë kohë. Kështu që - sipas këtej vendimi - ndryshimi i gjinisë nga ana e njërit prej bashkëshortëve do të sillte konvertimin e martesës në një union civil (në Shqipëri bashkëjetesë fakti), nëse bashkëshortët kanë deklaruar vullnetin për të mos e zgjidhur martesën apo për të mos u dhënë fund efekteve të saj civile. Nga ana tjetër, nëse bashkëshortët nuk dëshirojnë të ruajnë lidhjen në çift, vetvetiu zgjidhet lidhja martesore dhe marrin statusin e të divorcuarve. Vlen të vëmë re se nëse çifti përpara shprehjes nga ana e gjykatës për njohjen e ndryshimit gjinor është në një union-bashkim civil, nuk ka konvertim automatik të martesës. Nuk është e mundur, nga ana tjetër, të parapërcaktohet sa do të zgjatë rruga e ndryshimit të gjinisë dhe kjo varet nga personi në person, prandaj do të nevojitej që kërkuesi të mund të paraqesë kërkesa dhe istanca te gjyqtari për përshpejtimin e procesit, duke parë veçantinë dhe urgjencën e çështjes, në mënyrë që procedura të përfundojë në një afat të arsyeshëm, edhe pse nuk ka garanci që procedura të përfundojë me sukses. Edhe për shkak të kostove për tu përballuar, është e vështirë të përcaktohet një rregull e përgjithshme, kjo do të varet nga disa faktorë.[19]

Edhe për kontekstin shqiptar, do të jetë me rëndësi në kuadër të procedurës së ndryshimit të gjinisë, efekti që kjo do të ketë duke qenë se jemi një shoqëri natyrore e bazuar mbi martesën dhe familjen, por në mungesë të një mbështetjeje ligjore, vendimi i gjykatës për ndryshimin gjinor do të sjellë zgjidhjen e martesës dhe ndërprerjen e efekteve civile që rrjedhin nga transkriptimi i martesës me rit fetar, duke thirrur kështu aplikimin e normave mbi zgjidhjen e martesës. Ndërsa për mbrojtjen e fëmijëve nga diskriminimi në rast se gjenden përballë situatava të tilla, mbrojtja ligjore ofrohet nga nenit 18 i Kushtetutës ku ndalohet diskriminimi padrejtësisht, për shkaqe të tilla si “... ose përkatësia prindërore”. Krahas kësaj mbrojtje, gjyqtari duhet të kujdeset të shprehet edhe në lidhje me efektet mbi martesën dhe detyrimin për ushqim për fëmijët që mund të kenë ardhur nga martesa. Në doktrinën italiane divorci për shkak të ndryshimit gjinor njihet si divorzio imposto, ose divorci i imponuar, dhe ky detyrim rridhte nga parimet e përgjithshme të konceptit të martesës, sipas nenit 143 të Kodit Civil italian ku përcaktohet nevoja për diferencë gjinore ndërmjet bashkëshortëve: në prani të një situate faktike të identitetit seksual të njëjtë në brendësi të ciftit bashkëshortor, për efekt të ndryshimit gjinor të njërit partner, do të ndodhte dekadenca automatike e lidhjes bashkëshortore. Jurisprudenca e ligjshmërisë, (Gjykata e Apelit e Bolonjës, vendimi 4.2.2011), duke iu përmbajtur parimeve të sipërpërmendura, ka konfirmuar një efekt implicit të vendimit të ndryshimit të gjinisë, në bazë të të cilit do të jetë detyrim i punonjësit të gjendjes civile të kujdeset për transkriptimin e vendimit të ndryshimit të gjinisë dhe pushimin e efekteve civile të martesës, edhe në mungesë të shprehjes eksplicite nga ana e gjyqtarëve në të njëjtin vendim. Gjykata Kushtetuese, në lidhje me këtë temë, u shpreh në vendimin nr. 170, datë 18.6.2014, duke e kosideruar divorcin e imponuar si antikushtetues. Pra, zgjedhja për të proceduar me ndryshimin e seksit nga ana e një komponenti të çiftit bashkëshortor nuk mund të sjellë kalimin nga një situatë mbrojtjeje dhe garancie maksimale në një gjendje të një mungese përcaktueshmërie dhe mbrojtjeje. Gjykata e ka konsideruar të papërshtatshëm balancimin e vendosur me ligjin 164/1982 ndërmjet të drejtave dhe detyrimeve të maturuara na bashkëshortët në periudhën përpara kalimit në gjykim të vendimit për njohjen e ndryshimit gjinor dhe interesit të shtetit për të ruajtur parimin e heteroseksualitetit  të vendosur në themel të konceptit të martesës.[20] Në të njëjtën kohë, Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të parëndësishëm në raportin mes dy bashkëshortëve diferencën gjinore ndërmjet tyre, prandaj ka kërkuar një ndërhyrje legjislative, me qëllim identifikimin e një forme bashkëjetese të regjistruar, alternative dhe të ndryshme nga martesa, që të jetë e përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave dhe detyrimeve të formacionit social të bashkëshortëve, për t’i lejuar të vazhdojnë jetën e tyre në çift edhe pas modifikimit të karakteristikave seksuale të njërit prej tyre. Krahas kësaj, shumë delikate është çështja e përgjegjësisë prindërore, a humbet ajo nëse njëri prej prindërve ndryshon gjininë dhe për rrjedhojë ndodh divorci i detyruar i përmendur më lart? Duket se GJENDJ mban një qendrim të qartë në lidhje me ruajtjen e interesit më të lartë të fëmijës, duke qenë se në çështjen A.M. dhe të tjerë v. Rusisë (Application no. 47220/19), konstatoi shkelje të nenit 8 vetëm dhe në kombinim me nenin 14 të KEDNJ (ndalimi i diskriminimit) për shkak të ndërprerjes së detyruar, të urdhëruar nga gjykatat ruse, të marrëdhënieve me fëmijët dhe të të drejtave të vizitës së babait vetëm sepse ai kishte ndryshuar seksin. Gjykatat ruse argumentuan se vendimi për të kufizuar të drejtat prindërore të kërkuesit ishte i nevojshëm, pasi kontakti me prindin do të kishte "ndikim negativ në shëndetin mendor dhe zhvillimin psikologjik" të fëmijëve. U pretendua gjithashtu se vizita mund të shkelte të ashtuquajturin ligj të propagandës, i cili ndalon deklaratat publike në lidhje me personat LGBTI në Rusi. Nuk ka asnjë kërkim shkencor që nxjerr në pah pasojat e transeksualizmit te të miturit dhe çdo dëmtim. Prandaj, prishja e lidhjes midis prindit dhe fëmijës ipso iure që nga fillimi i tranzicionit është diskriminim gjinor. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vuri në dukje se gjykatat vendase morën vendimin e tyre "në mungesë të ndonjë dëmi të dukshëm ndaj fëmijëve", duke dështuar të demonstrojnë se kufizimi ishte i justifikuar dhe i argumentuar mirë. Veçanërisht, gjykata konstatoi se kërkuesi ishte diskriminuar në bazë të identitetit gjinor dhe shtoi se privimi i A.M. nga çdo kontakt me fëmijët e tij mund të “kishte pasoja të pariparueshme për marrëdhëniet midis fëmijës dhe prindit me të cilin ai fëmijë nuk jeton”. Tashmë është konfirmuar se diskriminimi në bazë të identitetit gjinor, i ndaluar sipas Konventës Evropiane, zbatohet në rastet e të drejtave prindërore. Nëse jeni një prind i mirë, kjo është ajo që ka rëndësi, pavarësisht nga identiteti juaj gjinor. Nga këndvështrimi i të drejtave të fëmijëve, kur dikush përpiqet të kufizojë të drejtat prindërore për prindërit trans dhe LGBTI më gjerësisht, argumenti kryesor që përdoret është se ai ka efekt të dëmshëm për fëmijët. Me fjalë të tjera: ata thonë se fëmijët do të vuanin për shkak të identitetit gjinor të prindërve të tyre. Gjykata e ka bërë të qartë se është në interesin më të lartë të fëmijës që të ketë një prind të dashur dhe se të kufizosh vizitat vetëm për shkak se prindi është trans.

 

Shënime konkluzive

 

Në përputhje me sa u pa në nivel krahasues do të ishte me vend miratimi i një ligji që rregullon çështjet që kanë të bëjnë me njohjen dhe ndryshimin e identitetit gjinor si e drejtë e çdo individi në rastet kur ky identitet nuk përputhet me atë që pasqyrohet në certifikatën e lindjes. Qëllimi i këtij ligji do të ishte të njohë të drejtën e çdo personi lidhur me identitetin gjinor dhe të drejtën për zhvillimin e lirë të çdo individi në përputhje me këtë identitet. Kjo për ti siguruar kujtdo trajtimin pa diskriminim sipas identitetit të vet gjinor dhe të parashikojë pasqyrimin e identiteti gjinor në çdo dokument zyrtar përmes emrit, pamjes/imazhit dhe seksit nëse këto shënohen në to. Ky ligj do të duhet të bazohet në parimin e barazisë e të mosdiskriminimit dhe në parimet e tjera, të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe nga të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Ajo që duhet patur parasysh para së gjithash është adaptimi paraprak i Kodit të Familjes, në mynyrë që cdo ndryshim i gjinisë së një personi (bashkëshort dhe/ose prind) të gjejë edhe rregullim të efekteve te martesa, familja dhe përgjegjësia prindërore. Nisur nga evoluimi i shoqërisë shqiptare drejt pranimit të bashkëjetesës jashtë martesës, nga rritja e numrit të bashkëjetesave, si edhe nga fakti që bashkëjetesa e vazhdueshme dhe e qëndrueshme e një burri dhe një gruaje njihet si formë e krijimit të familjes nga legjislacioni shqiptar, është propozuar nëpërmjet një projektligji, e drejta për të birësuar një të mitur së bashku edhe dy bashkëjetuesve heteroseksualë, që janë të angazhuar në një bashkëjetesë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, sipas kuptimit që neni 163 i Kodit i jep bashkëjetesës. Kjo zgjidhje është në përputhje me standardet e vendosura nga Konventa e rishikuar e KiE-së “Për birësimin e fëmijëve”, e vitit 2008. Sipas pikës 2, të nenit 7, të Konventës, shtetet janë të lira ta shtrijnë birësimin edhe për çiftet heteroseksuale që bashkëjetojnë në një bashkëjetesë të qëndrueshme. Kodi në fuqi, në nenin 242, parashikon birësimin vetëm nga personat që janë bashkëshortë. Ndërkaq, neni 242, propozohet që të ndryshojë me këtë përmbajtje:

“I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet.

Birësuesi ka të drejtë të bëjë disa birësime, me akte të njëpasnjëshme.

Birësuesit i jepet përparësi nëse ka birësuar vëllain, ose motrën e të miturit që synohet të birësohet, nëse paraqet kërkesë për birësimin e motrave dhe vëllezërve të tjerë, ose nëse shfaq gatishmërinë për të birësuar të mitur që gjenden në kushte të vështira shëndetësore ose sociale. Kanë të drejtë të birësojnë birësuesit që kanë fëmijë biologjikë.

Birësimi i ri i të miturit lejohet vetëm në këto raste:

 a) Pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve;

b) Pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa për birësim paraqitet nga bashkëshorti ose bashkëjetuesi i ri i birësuesit;

c) Nëse i mituri është birësuar nga një person i vetëm dhe kërkesa për birësim paraqitet nga bashkëshorti ose bashkëjetuesi i tij;

ç) Nëse birësimi i mëpasshëm është i justifikuar nga shkaqe me rëndësi, që përligjen nga nevoja e mbrojtjes së interesit më të lartë të të miturit”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka publikuar një plan veprimi 2021-2027, duke vendosur si objektiv mbrojtjen e të drejtave të Grupit të LGBT, duke paralajmëruar ndryshime në Kodin e familjes, ligjin për birësimin dhe ligjin për njohjen e identiteti gjinor, të cilat do t’u mundësojnë të drejta dhe trajtim të barabartë. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimet e propozuara në Kodin e Familjes do të miratohen në Kuvend apo do të ketë një paketë me ndryshime të tjera.

______________________________

 

Literatura:

 

Akte normative

- United Nations Human Rights Council, ‘Resolution 17/19 Human rights, sexual orientation and gender identity’ (14 July 2011) UN Doc No. A/HRC/RES/17/19, Recital No. 1 to the Preamble

- Communication No. 2172/2012 (CCPR/C/119/D/2172/2012) (UN HRC, 15 June 2017).

- Committee on the Rights of the Child, ‘Concluding observations on the combined third to fifth periodic reports of Cameroon’ (6 July 2017), UN Doc No. CRC/C/CMR/CO/3-5, [15(b)].

- Committee against Torture, ‘Concluding observations on the seventh periodic report of France’ (10 June 2016), UN Doc No. CAT/C/FRA/CO/7, [35(a)]

- Committee on the Elimination of Discrimination against Women, ‘Concluding observations on the combined sixth and seventh periodic reports of Luxembourg’ (9 March 2018), UN Doc No. CEDAw/C/LUX/CO/6-7, [39]-[40]

- Gender Recognition Act 2004 https://www.legislation.gov.uk/ukpga/2004/7/contents 

- Akti mbi Identitetin Gjinor, Shprehjen Gjinore dhe Karakteristikat Seksuale, Maltë 2015, https://tgeu.org/wp-content/uploads/2015/04/Malta_GIGESC_trans_law_2015.pdf

- https://www.echr.coe.int/Documents/FS_Gender_identity_eng.pdf

 

Doktrinë

- A.G Curti, Identità sessuale: facciamo il punto. Sesso biologico, identità di genere, ruolo di genere e orientamento sessuale: l’abc dell’identità sessuale. https://psiche.santagostino.it/2017/12/05/identita-sessuale-facciamo-punto/

- Cosimo Pietro Guarini, Maschio e femmina li creò» ... o, forse, no. La Corte costituzionale ancora sulla non necessità di intervento chirurgico per la rettificazione anagrafica di attribuzione di sesso, në https://www.federalismi.it/

- Edoardo Adducci e Ilaria Camilletti, (artikull i marrë nga Newsletter n. 5/2008 e Studios legale Adducci and Associates - www.adducciandassociates.eu )

- Giulia Milizia, CEDU: il genitore che cambia sesso non perda i diritti genitoriali, https://www.dirittoegiustizia.it/#/documentDetail/9263899

- Ilaria Rivera, Le suggestioni del diritto all’autodeterminazione personale tra identità e diversità di genere. Note a margine di Corte cost. n. 221 del 2015, në https://www.giurcost.org/  

 

Jurisprudencë

- PV v Spain App No. 35159/09 (ECtHR, 30 November 2010) [30]

- Goodwin v United Kingdom [2002] 35 EHRR 18

- Grant v United Kingdom [2006] ECHR 548, [44]

-P v S and Cornwall County Council, Case C-13/94, i aksesueshëm në https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A61994CJ0013

-Vendim 221/2015 (ECLI:IT:COST:2015:221), Gjykata Kushtetuese Italiane https://www.cortecostituzionale.it/actionSchedaPronuncia.do?anno=2015&numero=221

- A.M. and Others v. Russia (Application No. 47220/19)

- Rees v. The United Kingdom (Application No. 9532/81)

- Cossey v. The United Kingdom (Application No. 10843/84)

- Van Kück v. Germany (Application No. 35968/97)

 

Të tjera

- www.treccani.it/enciclopedia/transessualismo

- https://hrmi.lt/en/l-v-lithuania-trans/

- European network of legal experts in gender equality and non-discrimination, Trans and intersex

equality rights in Europe – a comparative analysis, aksesuar në https://ec.europa.eu/info/sites/default/files/trans_and_intersex_equality_rights.pdf

 

 



[1] United Nations Human Rights Council, ‘Resolution 17/19 Human rights, sexual orientation and gender identity’ (14 July 2011) UN Doc No. A/HRC/RES/17/19, Recital No. 1 to the Preamble

[2] Communication No. 2172/2012 (CCPR/C/119/D/2172/2012) (UN HRC, 15 June 2017)

[3] Committee on the Rights of the Child, ‘Concluding observations on the combined third to fifth periodic reports of

Cameroon’ (6 July 2017), UN Doc No. CRC/C/CMR/CO/3-5, [15(b)]

[4] Committee against Torture, ‘Concluding observations on the seventh periodic report of France’ (10 June 2016), UN Doc No. CAT/C/FRA/CO/7, [35(a)]

[5] Committee on the Elimination of Discrimination against women, ‘Concluding observations on the combined sixth and seventh periodic reports of Luxembourg’ (9 March 2018), UN Doc No. CEDAW/C/LUX/CO/6-7, [39]-[40]

[6] PV v Spain App No. 35159/09 (ECtHR, 30 November 2010), [30]

[7] Goodwin v United Kingdom [2002] 35 EHRR 18

[8] Grant v United Kingdom [2006] ECHR 548, [44]

[9] P v S and Cornwall County Council, Case C-13/94, i aksesueshëm në https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A61994CJ0013

[10] Akti mbi Identitetin Gjinor, Shprehjen Gjinore dhe Karakteristikat Seksuale, Maltë 2015, https://tgeu.org/ëp-content/uploads/2015/04/Malta_GIGESC_trans_law_2015.pdf

[11] Në Letoni, nenet 37(2) dhe 23(1) të Ligjit për Regjistrimin e Gjendjes Civile, parashikojnë amendimin e regjistrit të lindjes dhe martesave kur personi aplikon për ndryshimin e gjinisë ligjore. Sidoqoftë nuk ka një rregullore të qartë në lidhje me procedurën dhe kërkesat për njohjen e ndryshimit të gjinisë, Në Lihtenshtein nuk ka një kuadër ligjor mbi njohjen e gjinisë së dëshiruar, por ka raste të personave që janë lejuar të amendojnë gjininë e tyre duke përdorur nenet 46 (1) dhe 87 (2) të ligjit PGR (mbi personat fizikë dhe juridikë), sipas raportit të Komisionit Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës  (2015), mbi Lihtenshteinin, fq. 28

[12] Neni 2.27 i Kodit Civil “E drejta për të ndryshuar gjininë”

[14] European network of legal experts in gender equality and non-discrimination, Trans and intersex

equality rights in Europe – a comparative analysis, aksesuar në https://ec.europa.eu/info/sites/default/files/trans_and_intersex_equality_rights.pdf

[15] Marjolein van den Brink, Peter Dunne, European network of legal experts in gender equality and non-discrimination, Trans and intersex equality rights in Europe – a comparative analysis, fq. 58, aksesuar në https://ec.europa.eu/info/sites/default/files/trans_and_intersex_equality_rights.pdf

[16] Art. 2. La Repubblica riconosce e garantisce i diritti inviolabili dell'uomo, sia come singolo sia nelle formazioni sociali ove si svolge la sua personalità, e richiede l'adempimento dei doveri inderogabili di solidarietà politica, economica e sociale

Neni 2 i Kushtetutës italiane: “Republika njeh dhe garanton të drejtat e paprekshme të njeriut, si individ dhe në grupimet sociale ku zhvillon personalitetin e tij, dhe kërkon përmbushjen e detyrimeve të paderogueshme të solidaritetit politik, ekonomik e social.”

[17] Art. 32 La Repubblica tutela la salute come fondamentale diritto dell'individuo e interesse della collettività, e garantisce cure gratuite agli indigenti. Nessuno può essere obbligato a un determinato trattamento sanitario se non per disposizione di legge. La legge non può in nessun caso violare i limiti imposti dal rispetto della persona umana.

Neni 32 i Kushtetutës italiane “Republika mbron shëndetin si e drejtë themelore e individit.”

[18] Prof.Dr. Arta Mandro, Draft “Analizë e kuadrit ligjor në fuqi me qëllim integrimin e rregullimeve lidhur me ndryshimin e ‘identitetit gjinor’ si një prej përbërësve të gjendjes civile dhe pjesë e identitetit të çdo individi

[19] Edoardo Adducci e Ilaria Camilletti, (artikull i marrë nga Newsletter n. 5/2008 e Studios legale Adducci and Associates - www.adducciandassociates.eu)

[20] Në Shqipëri, neni 7 i Kodit të Familjes:  Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç