E D I T O R I A L

 

ÇFARË KËRKOJNË AVOKATËT ME BOJKOTIN PREJ TYRE TË SEANCAVE GJYQËSORE?

 

Një nga parimet themelore të hartimit dhe zbatimit të legjislacionit është ai i hartimit të akteve normative, në përputhje me rendin kushtetues dhe parashikimet e Ligjit Themelor të Shtetit. Në referim të nenit 4 të Kushtetutës, e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit; Kushtetuta është norma më e lartë e tij dhe prandaj dispozitat e saj zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Ajo parashikon ndryshe. Në këtë kuptim, i palejueshëm është edhe cenimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, për respektimin e të cilave nga tërë shtetasit dhe nga të gjitha organet shtetërore Kushtetuta jonë shprehet qartë dhe prerë, në përputhje me frymën dhe gërmën e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e këtyre të Drejtave dhe Lirive, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë që prej 20 vjetësh. 

             Mirëpo, ajo çka nxiti kohët e fundit avokatët e të gjithë vendit për të bojkotuar në ditë të veçanta seancat gjyqësore, përveç atyre të zhvilluara për masat e sigurisë, kishte lidhje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen e nenit 4, pika i, të ligjit nr. 143/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.9.1993 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë””, si edhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 37, datë 21.01.2016 nxjerrë në bazë dhe për zbatim të ligjit të përmendur më lart. Nëpërmjet këtij akti normativ janë përcaktuar në mënyrë arbitrare dhe jo proporcionale pagat mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, për personat e vetëpunësuar, pra edhe të atyre që ushtrojnë profesionin e avokatit. Kështu, në përcaktimin e pagave për efektet e përmendura mbahen parasysh lloji i veprimtarisë profesionale, zona ku zhvillohet kjo veprimtari, vitet e punës në profesionet përkatëse, numri i të punësuarve, paga për të njëjtin profesion në sektorin publik, vitet e punës në bazë të liçencës për ushtrimin e profesionit dhe statusi i këtij të fundit.

            Konkretisht, për avokatët bëhet një ndarje në 5 zona, duke vendosur edhe pagën referuese, për efekt të llogaritjes së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Mirëpo, me këtë Vendim janë shkelur, veç të tjerash, edhe parashikimet e nenit 11 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike”.

Pra, çdokush ka të drejtë të përcaktojë veprimtarinë e ligjshme ekonomike, me të cilën do të merret, duke parashikuar edhe përfitimet e mundshme që do të rrjedhin nga kjo veprimtari. Ndërkohë, subjekti është i detyruar t’u bindet urdhërimeve të ligjit për pagimin e detyrimeve fiskale, si edhe të derdhë në buxhetin e shtetit kontributet, për përfitimin prej tij nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Por nocioni i këtyre kontributeve nuk është abstrakt, nuk është as vetëm ekonomik. Ai plotësohet edhe nga norma juridike që gjejnë shprehje, veç të tjerash, në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), në nenin 9 të të cilit parashikohet, se:

“Personat e punësuar dhe punëdhësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribut për sëmundje, barrëlindje dhe pensione, në një shumë që varet nga paga e tyre totale (bruto). Kontributi nuk mund të caktohet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore.

Punëdhënësit detyrohen të paguajnë kontribut për aksident në punë e sëmundje profesionale dhe për papunësinë.

Personat e tjerë ekonomikisht aktivë janë të detyruar të paguajnë kontribut mujor për barrëlindje dhe për pensione të llogaritura, për një pagë jo më të vogël se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale kontributive.

Punonjësit e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione, mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi” (theksimi – i yni).

Në zbatim të përmbajtjes së kësaj norme, duke qenë se personat përfitojnë shërbime shëndetësore, si edhe pensione pleqërie apo të parakohshme, në varësi të kontributit që ata derdhin, kjo bën që skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të jetë më tepër një kontratë midis të siguruarit dhe siguruesit, në të cilën, i pari mbart detyrimin e pagimit të primit të sigurimit, ndërsa i dyti - detyrimin e pagimit të përfitimit në rast të ndodhjes së ngjarjes apo nevojës së shërbimit, për të cilat personat janë siguruar. Pra, në kuptimin që ligji i ka dhënë kontributit dhe skemës përfituese të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, detyrimi i personave të vetëpunësuar (siç konsiderohen edhe avokatët) është që këta të paguajnë kontributin e llogaritur nga paga minimale deri në atë maksimale në shkallë vendi, të caktuara nga Këshilli i Ministrave.

Pa u zgjatur me faktin se, në secilën nga 5 zonat e përcaktuara për avokatët prej VKM nr. 37, datë 21.01.2016, jo të gjithë këta kanë të ardhura të majme, çka i korrespondon aktualisht në përgjithësi gjendjes së vështirë ekonomike që ka trashëguar dhe po kalon vendi ynë (pra, edhe të subjekteve fizike apo juridike që kërkojnë mbojtje ligjore), kur është fjala për personat e vetëpunësuar mjafton të mbahet parasysh që ligji bazë i sigurimeve shoqërore e lë në vullnetin e paguesit të kontributit, se në çfarë mase brenda limiteve të vendosura nga shteti do ta derdhë atë në buxhetin e shtetit. Në këto kushte, Këshilli i Ministrave, me Vendimin e tij ndërhyn dhe përcakton - në kundërshtim me frymën e vetë ligjit - pagën, mbi bazën e të cilës duhet të bëhet përllogaritja e detyrimit të avokatëve për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Me pak fjalë, ligji vërtet kërkon që kontributi të jetë i ndryshëm për profesione apo veprimtari të ndryshme, por ky kontribut duhet të jetë në zgjedhjen individuale, brenda marzhit të një page minimale dhe asaj maksimale. Në këtë kuptim, akti nënligjor i Këshillit të Ministrave bi ndesh jo vetëm me parimin kushtetues të lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, por edhe me nocionin e shtetit të së drejtës, mbi bazën e të cilit instalohet edhe “ashensori” i akteve normative, që zbret në harmoni vertikale nga aktet me fuqi më të lartë te ato më të ultat.

Nëkohësisht është për të ardhur keq që VKM nr. 37, datë 21.01.2016 bie ndesh edhe me parimin gjithnjë e më universal të barazisë para ligjit, të pohuar edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 18 të saj, i cili shprehet gjithashtu, se: “Askush nuk mund të diskriminohet…nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive”. Mirëpo, me sa kuptohet, akti normativ nënligjor i Këshillit të Ministrave, në caktimin e pagës referuese për llogaritjen e kontributit niset nga ideja, sipas së cilës, kjo pagë duhet të jetë e ndryshme për grupe të ndryshme subjektesh, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në pozicione të njëllojta: të regjistruar si të vetëpunësuar. Kështu, haptazi favorizohen disa lloje profesionesh kundrejt atij të mbrojtësit ligjor, avokatit, i cili u dashka detyruar që, për të ardhura po aq (në mos edhe më pak) sa ato të kategorive të tjera profesionistësh, të paguajë kontribut me vlerë monetare më të lartë.

Pra, në situatat e krijuara të gjithë avokatët gjenden përpara diskriminimit të drejtpërdrejtë të profesionit që ushtrojnë, dhe shumë prej tyre - edhe drejt një rrënimi ekonomik, çka mund të vërë madje në dyshim vazhdimësinë në kryerjen e detyrës. Prandaj, pa pritur pambarimisht riparimin nga pushteti qëndror të dëmit që u shkaktohet këtyre profesionistëve të ligjit, së fundmi Dhoma Kombëtare e Avokatisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me kërkesën që ky organ kompetent të vendosë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 4, pika 1, të ligjit nr. 143/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.9.1993 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë””, si edhe pezullimin efekteve, deri në përfundim të gjykimit, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe të anëtarëve të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me ta”.