P E N A L E

 

EKZEKUTIMI I VENDIMEVE GJYQSORE ME MJEKIM TË DETYRUAR NË SHQIPËRI

 

Av. Etilda GJONAJ (SALIU)

Komisionere e Avokatit të Popullit,

Tiranë

 

Hyrje

 

Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat Themelore të Njeriut përcakton se, askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës dhe dënimeve ose trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues. Keqtrajtimi që nuk konsiderohet si torturë dhe që nuk ka intensitet ose qëllim të mjaftueshëm për të qënë torturë do të klasifikohet si çnjerëzor dhe poshtërues, por vlerësimi i kësaj shkalle minimale ashpërsie, edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbetet relative.

[1]

Sot në Shqipëri, një vlerësim shqetësues mbetet mënyra e zbatimit të vendimeve gjyqësore për masat mjekësore. Këto, në kuptim të zbatimit të nenit 46 të Kodit Penal,[2] mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, duke vendosur a) mjekim të detyruar ambulator; b) mjekim të detyruar në një institucion mjekësor.

Po sipas nenit 46 të Kodit të Procedurës Penale[3] përcaktohet që në çdo rast, kur gjendja mendore e të pandehurit tregon se ai duhet të kurohet, gjykata, vendos edhe kryesisht shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik. Në rastet kur vendoset kjo masë, gjykata urdhëron që i pandehuri të ruhet në një institucion psikiatrik. Gjatë hetimeve paraprake, prokurori i kërkon gjykatës të vendosë për shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik dhe, kur vonesa paraqet rrezik, ai urdhëron shtrimin e përkohshëm, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

Problematikë të madhe sot paraqesin ekzekutimet e vendimeve me masa mjekësore të dhëna me vendim gjyqësor. Mungesa e një institucioni specifik, tani bën që të cënohen të drejtat e një grupi individësh që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor. Pavarësisht përpjekjeve, të cilat kanë filluar herët për krijimin e nje instituti mjekësor për trajtimin e të burgosurve me semundje mendore, përsëri ky institucion nuk është ngritur.[4] Ajo që evidentohet sot është se rreth 150 persona me vendim të formës së prerë për mjekim të detyruar në një institucion mjekësor, vazhdojnë të qëndrojnë në institucione penitenciare, siç është Instituti “Zahari”, Krujë. Këtu qëndrojnë edhe persona me probleme të tjera të shëndetit, kryesisht të shëndetit mendor, por që në ndryshim nga kategoria e parë kanë vendim fajësie të formës së prerë.

Zbatimi i gabuar i vendimeve gjyqësore bën që kjo kategori individësh të qëndrojnë në institucione penitenciare, konkretisht në burg, duke përbërë kështu një trajtim çnjerëzor dhe poshtërues në cënim të nenit 3 të KEDNJ.

 

 

             Garancitë ligjore që parashikon legjislacioni vendas

             në krahasim me atë ndërkombëtar

 

Përgjegjësia penale lidhet në mënyrë të ngushtë me aftësinë e personit për të kuptuar natyrën e paligjshme të sjelles së tij, si edhe për të kontrolluar veprimet ose mosveprimet në përputhje me kërkesat e ligjit.[5]  Në Kodin Penal, konkretisht në Kreun II, neni 17, bëhet fjalë për “Papërgjegjshmëria për shkak të gjendjes mendore”. Në këtë dispozitë parashikohet shprehimisht mungesa e përgjegjësisë penale të personit, i cili në kohën e kryerjes së veprës vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik që ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor dhe, për pasojë, nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet apo mosveprimet e tij, si edhe as të kuptojë që kryen vepër penale.

Papërgjegjshmëria për shkak të gjëndjes mendore është një parashikim që gjendet në disa kode penale të vendeve Evropiane dhe të Rajonit, si: Kodi Penal Francez[6], Kodi Penal Italian[7], Kodi Penal i Kosovës etj.

Masat mjekësore, si mjekim i detyruar në një Institucion mjekësor dhe mjekim i detyruar ambulator janë dy masa që parashikohen nga neni 46 i Kodit Penal. Këto masa jepen me vendim gjykate, në ato raste kur gjykata ka vendosur të shpallë si të papërgjegjshëm të dyshuarin dhe ka pushuar gjykimin e çështjes. Sipas nenit 46 të KPrP-së, në çdo rast kur gjendja mendore e të pandehurit tregon se ai duhet të kurohet, gjykata, vendos, edhe kryesisht shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik.

Gjithashtu sipas nenit 239 të KPrP-së përcaktohet se masë sigurimi me izolim është edhe shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik, e cila zbatohet në rastet kur personi që duhet arrestuar është i sëmurë mendërisht në atë shkallë që kjo sëmundje përjashton ose pakëson shumë zotësinë e të kuptuarit ose të shprehjes së vullnetit të tij. Kur rezulton që i pandehuri nuk është më i sëmurë mendërisht, masa e sigurimit për shtrimin e detyrueshëm në spital hiqet.

Parashikimet e Kodit Penal dhe atij të Procedurës penale lidhur me masat mjekësore me vendim gjykate janë parashikuar që në fillim të miratimit të tyre, me ligj, në vitin 1995. Në atë kohë funksiononte Institucioni i posaçëm pranë Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, i cili u shkatërrua me ngjarjet e ‘97.  

Për këtë arsye të gjitha vendimet gjyqësore për mjekim të detyruar të personave filluan të ekzekutoheshin në institucione penitenciare, fillimisht në të gjitha burgjet dhe më pas e lokalizuar në dy institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, Qëndra Spitalore e burgjeve dhe Instituti i Veçantë Zahari Krujë.

Sipas konstatimeve të inspektimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit[8], qëndrimi i personave me vendim gjykate me masë mjekësore në një institucion shëndetësor, konsiderohej një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e mbajtjes në institucione penitenciare.

Pavarësisht presionit të Avokatit të Popullit, organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendase, dhe pas disa përpjekjeve nga ana e qeverive për të ndërtuar një institut të veçantë për personat me vendim gjykate mjekim i detyruar, nuk u arrit.

Qëndrimi i personave me masa mjekësore në Institutin e Zaharisë Krujë, konstatohej edhe në Progres raportin e vitit 2011 për Shqipërinë, të Komisionit Evropian[9]. Në këtë raport theksohej shqetësimi dhe mungesa e një zgjidhjeje afatgjatë për përcaktimin e një vendi të specializuar për këtë kategori të sëmurësh.

Gjithashtu, Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, dhe Degradues (KPT)[10] e ka ngritur disa here, çështjen e mbajtjes së personave me mjekim të detyruar në Spitalin e Burgut ose në Institutin e Krujës. KPT e ka konsideruar në mënyrë të përsëritur një shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe një dështim të autoriteteve shtetërore, mosgjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem si dhe pavendosmërinë që kanë treguar autoritet për të ngritur një institucion të veçantë në Durrës ose në Krujë[11].

Me miratimin e Ligjit të ri nr. 44/2012, “Për shëndetin mendor”, u parashikua në mënyrë specifike në nenin 28 të tij, institucionet mjekësore të posaçme. Sipas parashikimeve të kësaj dispozite, Institucione mjekësore të posaçme janë të institucione, që shërbejnë për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer një vepër penale, për të cilët gjykata kompetente ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor të të paraburgosurve apo të të dënuarve që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe për trajtimin e personave, për të cilët gjykata ka vendosur shtrimin e përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas nenit 239 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu në paragrafin e dytë të kësaj dispozite parashikohet se institucionet mjekësore të posaçme, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, janë pjesë e sistemit shëndetësor të integruar. Mënyrat dhe rregullat e ngritjes dhe funksionimit të këtyre institucioneve mjekësore të posaçme dhe masat e sigurisë për ruajtjen e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 

Lidhur me vendin dhe mënyrën e zbatimit të kësaj masë mjekësore, pikat 1 dhe 2, të nenit 28, të Ligjit nr.44/2012,“Për shëndetin mendor”, përcakton se ajo, duke patur si qëllim kryesor mjekimin e personit, duhet të kryhet pranë institucioneve mjekësore të posaçme, pjesë e sistemit shëndetësor të integruar të Ministrisë së Shëndetësisë. Të njëjtën gjë përcakton dhe neni 45 i ligjit nr. 8331, dt. 21.04.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale” ku thuhet se: “…Masa mjekësore me mjekim të detyruar ekzekutohet në institucionin mjekësor të specializuar, sipas përcaktimit që bën Ministria e Shëndetësisë, mbi kërkesën e prokurorit...”

Pavarësisht miratimit të ligjit të ri për shëndetin mendor, situata e personave me vendim gjykate, mjekim të detyrueshëm, ka mbetur po e njëjtë për shkak të mungesës së ndërtimit të një institucioni të ri.

Në një kohë që ligji për shëndetin mendor shpjegon se çfarë konsiderohen institucione mjekësore të posaçme, me ndryshimet që ju bënë ligjit Nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, me ligjin Nr. 40/2014, neni 16 rithekson përkufizimin e tyre duke parashikuar edhe seksionet e posaçme mjekësore të të denuarve me c’rregullime mendore.

Gjithashtu, në këtë dispozitë parashikohet se vendosja e personave në institucionet mjekësore të veçanta, jashtë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, kryhet në zbatim të vendimit të gjykatës. Duke përcaktuar edhe ndryshimin në themel dhe në procedurë të personave me masë mjekësore dhe atyre me dënim, ku për këta të fundit në rast urgjence vendosja në një seksion të posaçëm mund të urdhërohej edhe nga drejtori i Institucionit.

Po sipas kësaj dispozite, përcaktohet se dalja nga institucionet mjekësore të posaçme bëhet me vendim të gjykatës në vijim të propozimit të drejtuesit të institucionit, kërkesës së të paraburgosurit dhe të dënuarit ose kujdestarit ligjor të tij, si dhe me iniciativën e gjykatës, duke respektuar afatin maksimal të një viti për rivlerësimin e gjendjes së personit.

Afati i ankimit për personat me masa mjekësore sipas nenit 16 të këtij ligji parashikohet të jetë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni. Ankimi bëhet për vendosjen, refuzimin e vendosjes, daljen ose refuzimin e daljes nga institucionet mjekësore të posaçme të personit me masë mjekësore. Në mënyrë të gabuar ligji i emërton këta persona si “i paraburgosur” ose “i dënuar”, në një kohë që për këta persona, gjykata ka vendosur pushimin e çështjes penale për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre penale, duke vendosur mjekimin e detyrueshëm. Për këtë arsye, nevojiten të rishihen këto dispozita të ligjit për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve me qëllim përcaktimin e qartë të terminologjisë përkatëse për personat pa përgjegjësi penale.

Trajtimi në seksionet mjekësore të posaçme brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale bëhet për aq kohë sa gjykata nuk shprehet për trajtimin e tyre në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për shëndetit mendor.  Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Shëndetësisë me udhëzim të përbashkët përcaktojnë mënyrën e zbatimit të procedurave që lidhen me trajtimin e kësaj kategorie personash.

Komisioni Evropian vit pas viti në progress raportet për Shqipërinë[12], në konstatimet e tij për ndërtimin e një institucioni të specializuar për trajtimin mjekësorë të personave me mjekim të detyruar, ka deklaruar se ato mbeten vetëm në faza diskutimi.

Bazuar në nenin 55/1 të Kushtetutës, parashikohet se: “Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti”. Për sa më sipër, rezulton se kjo kategori personash duhet të trajtohen me dinjitet dhe ndaj tyre të zbatohen protokollet përkatëse, të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë, në të cilat përcaktohet se, këtyre pacientëve duhet t’u ofrohet kujdes shëndetësor në një mjedis sa më pak shtrëngues, se ata duhet të trajtohen nga ekipe multidisiplinore, të cilët duhet t’u përgjigjen nevojave komplekse që këta pacientë kanë dhe që janë të natyrës mjekësore, psikologjike, sociale dhe rehabilituese, me qëllim kurimin dhe ripërfshirjen e tyre në jetën shoqërore.

Çdo vit, në total, pothuajse numërohen rreth 150 persona me masa mjekësorë të detyrueshme. Aktualisht ata ndodhen të sistemuar, kryesisht, në burgun e Krujës (Zahari) dhe në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të të Burgosurve (ish-Spitali i Burgjeve)[13].

Pavarësisht parashikimeve të legjislacionit në fuqi për tu mbajtur në institucione të specializuara shëndetësore, prokurorët i justifikojnë veprimet e tyre për shkak të mungesës së një institucioni të tillë.

Të njëjtat konstatime janë bërë dhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, organizata “Amnesty International”,  Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata të tjera, por ky problem ende nuk ka gjetur zgjidhje. Vendosja dhe trajtimi i këtyre shtetasve në institucione penitenciare, si dhe mungesa e trajtimit mjekësor të përshtatshëm për ta, në përputhje me gjendjen e shëndetit të tyre mendor, shkakton cenim të lirive dhe të drejtave të tyre.[14]

Avokati i Popullit në rolin e Mekanizmit për parandalimin e torturës ka rekomanduar në mënyrë të vazhdueshme institucioneve shtetërore, marrjen e masave për të dhënë zgjidhje përfundimtare për sistemimin e menjëhershëm të personave me probleme të shëndetit mendor që mbahen në burg në kundërshtim me ligjin, në pavijone psikiatrike që administrohen nga Ministria e Shëndetësisë, deri në ngritjen e institucioneve të posaçme mjekësore sipas përcaktimit të ligjit.[15]

Gjithashtu në vëmëndje e sjell përsëri KPT, në raportin e fundit për Shqipërinë[16] në të cilën ka konkluduar se pavarësisht rekomandimeve të posaçme në mënyrë të përsëritur që në vitin 2000, personat me masa mjekësore vazhdojnë të mbahen në burgje në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, për shkak se Institucionet psikiatrike të posaçme nuk janë ndërtuar ende.

Për këtë arsye, Komiteti i bën thirrje institucioneve shtetërore, që në zbatim të legjislacionit vendas për ndërtimin e një Institucioni mjekësor të posaçëm dhe përcaktimin e një afati për përfundimin e tij.

 

                  Zbatimi i legjislacionit për rastet me mjekim të detyruar

                  nga aktorët e sistemit të drejtësisë

 

Gjykata pas konstatimit të papërgjegjshmërisë së individit, vendos zbatimin e neni 46 të Kodit penal, duke caktuar pushimin e gjykimit dhe vendosjen e personit në një institucion psikiatrik.

Në këtë situatë janë disa momente ligjore të cilat keqinterpretohen dhe keqzbatohen nga aktorët e sistemit të drejtësisë.

Sipas nenit 464 të KPRP-së, për ekzekutimin e një vendimi me burgim, prokurori ka detyrimin të nxjerr urdhrin e ekzekutimit. Sipas paragrafit të katërt të kësaj dispozite, përcaktohet se ashtu si në rastet e tjera të procedurave për ekzekutim të vendimeve, në të njëjtën mënyrë veprohet edhe në rastet e ekzekutimit të vendimeve të mbylljes së detyrueshme në Institucione mjekësore.

Prokurori i kryen veprimet paraprake dhe lëshon urdhrin e ekzekutimit për vendimet me mjekim të detyrueshëm në institucionet mjekësore, me të paraburgosur, menjëherë dhe në çdo rast, jo më vonë se 48 orë nga ardhja e vendimit penal.[17]

Urdhrat e ekzekutimit për vendime penale me burgim dhe masë mjekësore me mjekim të detyrueshëm për personat e paraburgosur ekzekutohen brenda 48 orëve nga marrja e tij[18]

Disa çështje praktike të cilat kanë krijuar debate në grupe të ndryshme të juristëve kanë të bëjnë edhe me disa aspekte të ligjit material dhe atij procedurial lidhur me momentin e përcaktimit të papërgjegjshmërisë dhe procesit të hetimit dhe të gjykimit.

Debate janë zhvilluar edhe në trajnime midis magjistratëve, nëse gjyqtari duhet të zhvillojë procesin gjyqësor me qëllim që të provohet se vepra është kryer nga autori i dyshuar dhe më pas të shpallet papërgjegjshmëria penale e autorit apo të mjaftohen me konstatimin e papërgjegjshmërisë penale.

Në mënyrë të gabuar, gjyqtarët në dispozitivin e vendimit janë shprehur për vendin se ku do të ekzekutohet masa mjekësore e detyrueshme. Kjo, sipas studimit të KSHH-së[19] ka ndodhur në rreth 40% të vendimeve gjyqësore, duke specifikuar kështu institucionin penitenciar si një të tillë, konkretisht nga gjyqtarët është referuar Qëndra Spitalore të Burgjeve dhe IEVP Zahari Krujë. Ndërsa pjesa tjetër e gjyqtarëvve, në dispozitivin e vendimeve të tilla, kanë përcaktuar vetëm se ky vendim duhet të ekzekutohet në një institucion mjekësor ose psikiatrik.

Të njëjtën problematikë në konceptim dhe zbatim paraqesin dhe urdhërat e ekzekutimit për vendimet me masa mjekësore, të cilët përcaktojnë në kundërshtim me ligjin si institucion ku do të ekzekutohet vendimi, një nga institucionet penitenciare si IEVP Zahari Krujë, ose Qëndrën Spitalore të Burgjeve.

Gjykata, në çdo rast, kryesisht, me kalimin e afatit një vjeçar nga dhënia e vendimit për masën mjekësore të mjekimit të detyruar në një Institucion mjekësor, duhet ta rishikojë atë, sipas parashikimit të paragrafit të dytë të nenit 46 të KP.  Por në kundërshtim me këtë parashikim, para disa vitesh Gjykatat nuk i rishikonin vendimet e dhëna një herë në vit, duke bërë kështu që vendimet me masa mjekësorë të rishiheshin mbas disa vitesh, në raste të veçanta kishte vendime që nuk ishin rishikuar asnjëherë.

Edhe në rastet kur gjyqtarët rishikojnë vendimet që kanë dhënë për masat mjekësore në zbatim të paragrafit të dytë të nenit 46 të KP, nuk ka unifikim në shkruajtjen e vendimeve nga ana e gjyqtarëve, duke e rikonceptuar vendimin e tyre rishikues herë si “lënia në fuqi ...të vendimit të mëparshëm..” e herë si “vazhdimin e masës mjekësorë”, etj.

Në vendimin gjyqësor të Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë[20], është argumentuar se: “..nga përmbajtja e akteve psikiatriko-ligjore të marra në cilësinë e provës, pas shqyrtimit të përmbajtjes dhe konkluzioneve të tyre, si dhe pasi ia nënshtroi ato debatit gjyqësor, arrin në konkluzionin përfundimtar që i pandehuri x.y. nuk është absolutisht në gjendje të marrë pjesë me vetëdije në këtë procedim penal në ngarkim të tij. X.Y. është i papërgjegjshëm para ligjit...”

Gjithashtu në këtë vendim, Gjykata e Lartë shkon më tej duke përcaktuar se kushtet e burgjeve nuk ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të pacientit. ...ndërsa sa i përket nevojës së tij për një masë mjekësore sa më të përshtatshme, Gjykata i referohet përmbajtjes së dy akteve psikiatriko-ligjore të marra në cilësinë e provës si dhe dispozitave ligjore të zbatueshme. Sipas konkluzioneve të këtyre akteve, sidomos në njërin thuhet se: mbështetur në eksperiencën tonë klinike dhe në të dhënat e literaturës, mendojmë dhe kemi bindjen se pacienti asnjëherë, sidomos në kushtet e paraburgimit, nuk do të këtë periudha përmirësimi. Ai mund dhe duhet të mjekohet vetëm në kushte spitalore të lira (Tiranë) Elbasan...”

 

Ekzekutimi i vendimeve me mjekim të detyruar në IEVP

nëse përbën një trajtim çnjerëzor

 

A përbën mbajtja e personave në me vendim gjyqësor mjekim të detyruar në burgje dhe institucione penitenciare trajtim çnjerëzor dhe poshtërues?  

Kjo është një çështje e cila është pak e trajtuar në aspektin teorik dhe aspak e pranuar në aspektin e praktikës gjyqësore. Pothuajse nuk ka asnjë vendim gjyqësor që edhe në pak raste kur është kërkuar si një trajtim cnjerëzor të mos jetë pranuar për t’u trajtuar si i tillë nga gjykatat.

Standardet ndërkombëtare e pranojnë që mbajtja e personave në ambjente të cilat nuk i ofrojnë trajtim të përshtatshëm mjekësor dhe mundësi rehabilitimi dhe trajtimi dinjitoz përbën trajtim cnjerëzor dhe poshtërues.

Tortura, trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues në kuptim të Konventës kundër Torturës është çdo akt me anë të cilit një personi i shkaktohet qëllimisht dhimbje ose vuajtje e rëndë, fizike dhe mendore për të siguruar nga ai ose një person i tretë informacion ose rrëfim.  Jo të gjitha llojet e keqtrajtimi merren në shqyrtim sipas qëllimit të nenit 3.

Por pavarësisht kësaj dhe nga jurisprudenca e GJEDNJ, tashmë është konsideruar një vështirësi reale ndarja e kufirit midis trajtimit çnjerëzor nga njëra anë dhe një shkeljeje sipas nenit 3 nga ana tjetër.[21]

Për sa i përket tendencës së qartë që ka lindu rnë prakitkën moderne në fushën e psikiatrisë në favor të shmangies së izolimit të pacientëve dhe të dyshimeve mbi efektet terapeutike të izolimit, mungesa e kushteve të përshtatshme do të vërë në diskutim përputhshmërinë e prakitkës me nenin 3 të KEDNJ-së.[22]

Në lidhje me trajtimin specifik të pacientëve të sëmurë mëndërisht ka gjithashtu shumë fusha në të cilat është në rritje diskutimi mbi dhënien e miratimit nëse një trajtim i tillë përbën trajtim poshtërues ose jo.[23]

Komisioni Evropian shkonte më tej në deklarimet e tij në raport duke e konsideruar që progres raporti 2012 se personat me vendim gjyqësor për mjekim të detyruar që vazhdojnë të qëndrojnë në Institutin e Krujës, nënkupton që parandalimi i keqtrajtimi dhe trajtimit degradues nuk garantohet.

Mbajtja e personave me masa mjekësore në institucione penitenciare, ka shkaktuar probleme në dy drejtime. Së pari shtetasve me masë mjekësore ju janë cenuar rëndë të drejtat e tyre, sepse nuk kanë marrë mjekimin e përshtatshëm, gjë që ka shkaktuar përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore, si dhe u është kufizuar e drejta e lirisë tej masës së parashikuar në ligj. Së dyti prania e kësaj kategorie shtetasish në burgje është një situatë e kundraligjshme, që vjen në kundërshtim me legjislacionin që rregullon funksionimin e këtyre institucioneve, si dhe ndikon në mbipopullimin e burgjeve dhe përkeqësimin e klimës në to. Nga monitorimet e kryera nga MKPT, KSHH dhe organizata të tjera, është evidentuar se sistemi i burgjeve nuk ka kapacitetet, mjediset, regjimin dhe personelin e duhur mjekësor për kurimin e këtyre personave, për pasojë gjendja e tyre rezulton në degradim të vazhdueshëm.

Madje, KSHH ka shkuar më tej, duke kërkuar nga gjykata e rrethit gjyqësor në rastin e A.S i cili ishte me masë mjekësore dhe qëndronte në Institucionin ‘Zahari’, Krujë, ndërprerjen e trajtimit çnjërëzor dhe poshtërues. Gjykata e rrethit gjyqësor x e ka rrëzuar kërkesën si të pabazuar në ligj dhe në prova. Për këtë vendim, KSHH ushtron ankimin në Gjykatën e Apelit duke argumentuar se A.S duhet të trajtohet në një institucion të posaçëm për trajtimin e tij të sëmundjes “skizofreni paranoid” që ai vuante. Gjykata e Apelit[24], në argumentimin e bërë gjatë arsyetimit të vendimit, ka marrë në konsideratë dhe një correspondence të KSHH-së dhe DPB-së dhe ISHVB-së se qëndrimi I A.B në institucion Zahari Krujë nuk përbën shkelje përsa kohë atje trajtohet në pavionë të veçantë dhe me terapinë e mirëpërcaktuar. Por Gjykata e Apelit në këtë argumentim të saj, nuk analizon frymën e dispozitave të ligjeve të miratuara që nga viti 1995 e deri më sot dhe arsyet që përse personat me masa mjekësore janë përcaktuar se duhet të qëndrojën në Institucione të posaçme, të cilat kanë natyrë dhe rregjim tjetër nga Institucionet penitenciare sado të ofrojnë shërbim shëndetësor.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka argumentuar se nuk gjen shkelje për trajtim çnjerëzor dhe poshtërues, si dhe nuk konstaton shkelje të cënimit në mënyrë të paligjshme të lirisë. Madje në argumentimin e saj përmënd si aspekt pozitiv faktin që Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë po bëjnë përpjekje për gjetjen e një zgjidhje. Vendimet dhe interpretimet e gjykatave tona, bien në kundërshtim me vetë standardet dhe rekomandimet e KPT, sipas raportit të fundit.

Në vendimin e saj, më qëllim për të argumentuar vendimin e saj për rrëzimin e kërkesës, kjo gjykatë e nderuar në mënyrë të gabuar ka cituar dhe specifikuar dispozitën ligjore të ligjit për shëndetin mendor, duke I atribuar kategorisë të personave me masa mjekësorë, parashikimet dhe atributet e personave të paraburgosur dhe të dënuar. Por këta janë persona me masa mjekësorë, nuk kanë një vendim penal fajësie, dhe nuk mund të konsiderohen as të paraburgosur dhe as të dënuar.

Por në jurisprudencën e GJEDNj-së dhe në raportet e KPT-së rezulton se qëndrimi të izoluar të personave me nëvoje për trajtim shëndetësor specifik, siç janë të sëmurët me problem të shëndetit mendor, përbën kështu një trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Duhet marrë në konsideratë që kjo kategori qëndron në Institucione penitenciare, me grupe të tjera individësh të sëmurë kronikë, si edhe të sëmurë mendor, por me një ndryshim shumë të madh, janë shpallur fajtor nga gjykata, duke patur kështu një vendim penal. Ndërsa kategoria e individëve që bëjmë fjalë është pa vendim gjykate, faktikisht ka një vendim për pushim për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre të evidentuar nëpërmjet aktit të ekspertimit dhe, më pas, me vendim gjykate.

Ndërkohë që kjo kategori e personave me masa mjekësore duhet të qëndrojë në institucione mjekësore të posaçme, të cilat ngrihen dhe specifikohen me mënyrën e sigurisë, nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave. Deri tani nuk është ngritur dhe ndërtuar asnjë institucion mjekësor i posaçëm për trajtimin e kësaj kategorie, sipas parashikimeve të ligjit për shëndetin mendor.

 

Përfundim

 

A mbahen personat me masa mjekësore në mënyrë të padrejtë në burgje? Mendoj që po! A konsiderohet trajtim çnjerëzor dhe poshtërues në këndvështrim dhe interpretim të nenit 3 të KEDNJ-së qëndrimi i tyre në këto institucione penitenciare, pra në burgje? Mendoj që po!

Nuk ka rëndësi, nëse do të jetë një institucion i posaçëm në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, MInistrisë së Shëndtësisë apo diçka tjetër. E rëndësishme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar është ngritja e këtij Institucioni, përcaktimi si i tillë, parashikimi i masave për sigurinë që do të merren për këtë kategori, trajtimi mjekësor dhe psikiatrik që e ka të domosdoshëm kjo kategori, ofrimi i një infrastrukture me kushte të atilla, që të japë mundësinë e një jete me dinjitet e në respekt të të drejtave të njeriut edhe për këtë kategori personash.

----------------------------------------------

 

Literatura

 

Akte normative

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

- Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut

- Ndalimi i torturës, një udhëzues për implementimin e nenit 3 të KEDNJ-së, Botim i Këshillit të Evropës

- Kodi Penal, miratuar me ligjin Nr. 7895, datë 27.01.1995

- Kodi i Procedurës Penale, miratuar me ligjin Nr. 7905, datë 21.03.1995

- Ligji nr. 44/2012, “Për shëndetin mendor”

- Ligji nr. 8331, dt. 21.04.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”

- Ligji nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, me ligjin Nr. 40/2014

- Dokumenti i analizës së sistemit të drejtësisë, Reforma në drejtësi, 2015, Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al

- Raporte vjetore të Avokatit të Popullit, 2012, 2013, 2014

 

Doktrinë

- I. Elezi, S. Kacupi, M. Haxhia, Komentar i Kodit Penal të RSH-së, Tiranë

- I. Elezi, V. Hysi, Politika Kriminale, Tiranë 2006

- V. Hysi, Kriminologjia, Tiranë 2010

- J. Xhafo, E drejta penale ndërkombëtare,  Tiranë 2009

- Rekomandime të Avokatit të Popullit, www.avokatipopullit.gov.al/rekomandime

- Progres Raporti për Shqipërinë, 2012, Komisioni Evropian, Brussels, 10.10.2012 SËD(2012) 334 final, http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2012/package/al_rapport_2012_en.pdf

- Komiteti për Parandalimin e Torturës, Raport monitorimi për Shqipërinë, 20 mars 2012, CPT/Inf (2012) 11, http://www.cpt.coe.int/documents/alb/2012-11-inf-eng.pdf

- Komiteti për parandalimin e Torturës, Report to the Albanian Government on the visit to Albania carried out by the European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment (CPT) from 4 to 14 February 2014, Mars 2016, CPT/Inf (2016) 6, http://www.cpt.coe.int/documents/alb/2016-06-inf-eng.pdf

- Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Raport mbi situatën e të drejtave të njeriut dhe të personave të privuar nga liria, botimi i vitit 2014

- Avokati i Popullit, Raporti i veçantë 2012 - Veprimtaria e Avokatit të Popullit dhe niveli i zbatimit të Rekomandimit 12 të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë

- Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Raport studimor për vendimet e prokurorisë për mosfillimin dhe pushimin e procedimeve penale dhe procedurat për ekzekutimin e vendimeve penale, Korrik 2014

- K. Myftari, Papërgjegjshmëria për shkak të gjëndjes mendore, kriteri juridik në të drejtën penale, Disertacion për Doktoraturë, Tiranë 2014

 

Jurisprudencë

Vendimi Nr. 298, dt 14.11.2012, Kolegji Penal i Gjykates se Lartë

            - Vendimi i Gjykatës së Apelit, Dhjetor 2015

 



[1]Ndalimi i torturës”, një udhëzues për implementimin e nenit 3 të KEDNJ-së, Botim i Këshillit të Evropës, fq 15

[2] Kodi Penal, miratuar me ligj Nr. 7895, datë 27.01.1995

[3] Kodi i Procedurës Penale, miratuar me ligj Nr. 7905, datë 21.03.1995

[4] Komisioni I Posaçëm I Reformës në drejtësi, Dokumenti i analizës së sistemit të drejtësisë, Reforma në drejtësi, 2015, www.reformanedrejtesi.al

 

[5] I.Elezi, S.Kacupi, M.Haxhia, Komentar I Kodit Penal të RSH

[6] J.Xhafo, E drejta penale ndërkombëtare, Tiranë 2009

[7] K. Myftari, Dizertacion i Doktoraturës, botuar 2014

[10] KPT, Raport monitorimi për Shqipërinë, 20 mars 2012, CPT/Inf (2012) 11, http://www.cpt.coe.int/documents/alb/2012-11-inf-eng.pdf

[11] Raporti KPT: “…prej më shumë se 13 vjet pas vizitës së parë në Shqipëri, KPT-ja edhe një herë dëshiron të ngrejë çështjen e pranisë në Spitalin e Burgut të pacientëve psikiatrikë të deklaruar jo të përgjegjshëm dhe që i janë nënshtruar një mase mjekësore të detyrueshëm në përputhje me nenin 46, paragrafi 1, i KP, dhe e pacientëve të psikiatrisë që i janë nënshtruar një mase të shtrimit të përkohshëm në spital, në zbatim të nenit 239 të KPP. Këta pacientë ende mbahen në Spitalin e Burgut dhe jo në një institucion të specializuar mjekësor, ose në një institucion psikiatrik, siç është parashikuar në legjislacionin përkatës shqiptar. Deri më sot, autoritetet shqiptare kanë dështuar për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për këtë problem, dhe ka pasur shumë pavendosmëri për të ngritur një institucion të veçantë në Durrës ose në Krujë…”

[12] Komisioni Evropian, Progres raport per Shqipërinë, 2011 dhe 2012,  Brussels, 10.10.2012 SWD(2012) 334 final, http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2012/package/al_rapport_2012_en.pdf

[13] KSHH, Raport mbi situatën e të drejtave të njeriut dhe të personave të privuar nga liria, botim 2014

[14] Po aty

[15] Avokati i Popullit, Raporti i ve/antë 2012 - Veprimtaria e Avokatit të Popullit dhe niveli i zbatimit të Rekomandimit 12 të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë” dhe Raporti vjetor 2013.

[16] KPT, Report to the Albanian Government on the visit to Albania carried out by the European Committee for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment (CPT) from 4 to 14 February 2014, mars 2016, CPT/Inf (2016) 6, http://www.cpt.coe.int/documents/alb/2016-06-inf-eng.pdf

[17] Ligj nr. 8331, dt 21.04.1998, “Për ekzekutimin vendimeve gjyqësore”, i ndryshuar, neni 49

[18] Po aty, neni 50

[19] Komiteti Shqiptar I Helsinkit, “Raport studimor pwr vendimet e prokurorisw pwr mosfillimin dhe pushimin e procedimeve penale dhe procedurat për ekzekutimin e vendimeve penale”, korrik 2014. Nga studimi i kryer nga KSHH, Gjykatat e rrethit gjyqësor Tiranë dhe Durrës, për periudhën objekt monitorimi kanë dhënë 38 vendime për masa mjekësore me mjekim të detyruar në një institucion mjekësor dhe 13 masa mjekësore me mjekim ambulator http://ahc.org.al/web/images/publikime/al/RAPORT_STUDIMOR_PR_VENDIMET_E_PROKURORIS_PR_MOSFILLIMIN_DHE_PUSHIMIN_E_PROCEDIMEVE_PENALE.pdf.

[20] Vendim Nr. 298, dt 14.11.2012, Kolegji Penal i Gjykates se Larte

[21] Ndalimi i torturës, një udhëzues për implementimin e nenit 3 të KEDNJ-së, Botim i Këshillit të Evropës, fq. 10

[22]  Po aty, fq. 31

[23]  Po aty, fq 31

[24] Vendim i Gjykatës së Apelit, dhjetor 2015