H U M O R   &   S A T I R Ë

 

PËRSIATJET E KALAMANDREIT

 

Provimi për qëndrueshmërinë nervore të avokatëve

 

Mes shumë provimesh që kandidatët për avokatë duhet të japin, e dobishme do të ishte që të përfshihej edhe një provim i qëndrueshmërisë nervore, si ai i kandidatëve për aviatorë. Nuk mund të jetë avokat i mirë ai që humbet arsyen nga një fjalë e marrë ters, dhe që ndaj harbutërisë së kundërshtarit di të kundërveprojë vetëm me gjestin e njohur të avokatëve të shkollës së vjetër, të cilët rrëmbenin kallamarin dhe ta vishnin surratit. Pasioni fisnik i avokatit duhet të jetë, njëherësh, i vetëdijshëm dhe i arsyeshëm: ai duhet të ketë nerva aq të forta sa të dijë t'i përgjigjet fyerjes me një buzëqeshje të ëmbël dhe të falënderojë me një përkulje plot edukatë kryetarin fodull, që ia ndërpret fjalën në mes. Tashmë dihet se sokëllimat nuk janë shenjë energjie, ashtu sikurse dhuna e beftë nuk është shenjë trimërie: ta humbasësh toruan gjatë gjykimit do të thotë, thuajse gjithmonë, ta humbasësh çështjen që të ka besuar klienti.

 

 

            Në vend të flasë për çështjen…

 

Avokati që, gjatë fjalës së mbrojtjes, në vend që të flasë për çështjen fillon e flet për veten, shfaq ndaj gjyqtarëve një mungesë respekti, njëlloj sikur në kulmin e diskutimit të shpaloste togën për të treguar se vishet tek stilisti më i mirë i qytetit.

 

            Sa avokatë nevojiten në procesin penal?

           

Prova më e mirë e veprimit qetësues që shkakton debati i dy avokatëve kundërshtarë mbi ndërgjegjen e gjyqtarit, që i paqëton të gjitha polemikat e tepruara, duke e veçuar gjyqtarin në një atmosferë qetësie, është institucioni i akuzës publike në procesin penal. Kësisoj, shteti ka krijuar një lloj kundërshtari zyrtar të avokatit mbrojtës, prania e të cilit shmang mundësinë që gjyqtari t'i hyjë debatit me avokatin dhe, padashur, të shfaqë një mendësi kundërvënëse kundrejt të pandehurit.

            Kështu, në procesin penal, ku për të mbrojtur interesin e palës së akuzuar do të mjaftonte vetëm një avokat, shteti duke ndjerë nevojën e interesit publik ka caktuar dy të tillë; për t'i kundërvënë njëanshmërisë natyrore të mbrojtësit një lloj njëanshmërie artificiale, e sajuar enkas për të ushqyer si pa kuptuar polemikën, për të cilën gjyqtari ka nevojë që të ndjehet i baraslarguar nga palët.

 

            Cilin gjyqtar do avokati?

 

            E dua gjyqtarin që më sheh në sy teksa flas: ai më nderon, teksa kërkon tek sytë e mi dritën e bindjes së ndërgjegjshme, përtej fjalëve që mund të jenë një lojë e shkathët dialektike.

            E dua gjyqtarin që ma ndërpret fjalën në mes: unë flas për ta ndihmuar të vendosë, por kur më fton për të përfunduar, që do të thotë se vazhdimi i fjalës sime do ta mërziste, më bën të ditur se deri atëhere ai nuk është bezdisur aspak.

            E dua edhe gjyqtarin që ia këput gjumit ndërsa flas (këtë e dua një fije më pak): gjumi është mjeti më diskret që e ndihmon për t'u larguar në majë të gishtave, pa zhurmë, duke më lënë të flas me veten, në qejfin tim.

 

            Pamja që i ndërmendet, kur shfleton

            letrat e një procesi të zvarritur

 

Bibliofilit që me një ndjesi gati fetare kënaqet, duke shfletuar fletët e zverdhura të ndonjë inkunaboli[1] të çmuar, shpesh herë i qëllon të gjejë, ngjitur mes fletësh dhe thuajse bërë njësh me letrën, mbetjet transparente të ndonjë fluturze të pakujdesshme, që shekuj më parë, duke kërkuar pakëz dritë, rastisi të prehej mbi atë libër të hapur, të cilin lexuesi e mbylli vrik dhe ajo ngeli mes fletësh, e shtypur dhe e tharë.

Kjo pamje më ndërmendet kur shfletoj letrat e ndonjë procesi civil ose penal, që zvarritet prej vitesh. Gjyqtarët, të cilët krejt të pandjeshëm i mbajnë këto letra mbi tavolinë, në pritje të rihapjes së procesit, duket që nuk e vrasin mendjen se mes atyre fletëve gjenden, të shtypura dhe të venitura, mbetjet e sa e sa të shkretave insekte njerëzore, të ngelura peng mes faqeve të librit të rëndë të drejtësisë.

 

            Mendësia e vulgut për avokatët

 

            Njoh njëfarë avokati që, pasi u dënua për falsifikim dhe mashtrim, u përjashtua nga dhoma e avokatëve. Por, me të dalë nga burgu, në zyrën e tij u turrën shumë klientë, gjë që ai as nuk e kishte ëndërruar kur bota e njihnin për njeri të ndershëm.

            Kjo është mendësia e vulgut për avokatët: kur është i zoti të mashtrojë për hesap të tij, - thonë njerëzia, - kushedi sa i zoti do të jetë për t'i bërë çorap gjyqtarët, me porosi të klientelës!

 

            Çfarë e dëmton më shumë drejtësinë?

 

Më rastisi njëherë gjatë një seance gjyqësore që të isha i pranishëm në një ndodhi që më la në shpirt një lloj trishtimi; jo për vete (isha thjesht dëgjues), por për dinjitetin e funksionit.

Ishte çuar për të folur një avokat i moshuar, i njohur për vlerat, por edhe për njëfarë stërhollimi të tepruar të gojëtarisë së tij, pasojë e përkushtimit profesional, mbase edhe pasojë e moshës. Sapo e pati filluar fjalën, kur kryesuesi i seancës, një gjyqtar i ri, i njohur më shumë për pandjeshmërinë sesa për tolerancën, me sarkazëm e ndërpreu:

- Lëre se e mora vesh: ti je nga ata avokatët që, kur fillojnë të flasin, duan të lexojnë edhe presjet...

Avokati plak, pa dashur ta bënte veten për fyerjen që ndjeu, u ul:

- Zoti kryetar, nuk kam gjë tjetër për të shtuar.

Dhe hoqi dorë nga fjala.

Duke dalë, po pyesja veten:

- Çfarë e dëmton më shumë drejtësinë, një avokat fjalëshumë apo një magjistrat idhnak?

 



[1] incunabolo (ose incunabulo) – nga latinishtja incunabulum (që ka kuptimin në djep), quhen librat e botuar nga shpikja e shtypshkrimit deri më 31 dhjetor 1500. Inkunaboli më i vjetër në botë është Bibla e Gutenberg-ut, e shtypur në latinishte nga Johann Gutenberg, rreth viteve 1452-1455 (shën. i përkth.).