E D I T O R I A L

 

Referuar akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë dhe me vendim të organit më të lartë vendimmarrës të saj, Këshilli i Përgjithshëm, u zhvilluan zgjedhjet për organet drejtuese të avokatisë për mandatin 4 vjeçar 2022-2026. Procesi zgjedhor përfshiu 15 dhomat vendore të avokatisë, si edhe zgjedhjen e organeve drejtuese të saj, të cilat ishin gjithëpërfshirëse dhe u organizuan nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Në të u përfshinë të gjithë avokatët aktivë që u  ka lindur e drejta e votimit mbi bazën e plotësimit të dy kritereve kryesore: pajisja me lejen vjetore të ushtrimit të profesionit (Karta ID e avokatit) dhe regjistrimi i tyre në organin tatimor.

 

Procesi zgjedhor filloi në datën 20 Tetor 2021 dhe përfundoi në datën 21 Prill 2022, kur u zhvilluan zgjedhjet për organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

Në këtë proces të gjatë dhe transparent është ushtruar e drejta e votës dhe janë zgjedhur organet drejtuese sipas parimit 1 anëtar 1 votë.

Në pasqyrën e mëposhtme paraqiten të dhënat e numrit të votuesve dhe përqindja e pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

Nr.

Dhoma vendore

              Numri i votuesve

Pjesëmarrja

 

e avokatise

sipas listave

votues në fakt

në %

         

1

BERAT

49

35

71%

2

DIBER

27

15

56%

3

DURRES

243

184

76%

4

ELBASAN

88

51

58%

5

FIER

115

66

57%

6

GJIROKASTER

31

19

61%

7

KORCA

55

39

71%

8

KUKES

21

13

62%

9

LEZHA

91

74

81%

10

LUSHNJA

26

17

65%

11

POGRADEC

25

16

64%

12

SARANDA

30

22

73%

13

SHKODER

99

58

59%

14

VLORA

175

101

58%

15

TIRANA

1246

800

64%

         
 

T O T A L

2321

1510

65%

 

Sikurse rezulton nga pasqyra, numri i avokatëve me të drejtë vote në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ka qenë 2321 avokatë, nga të cilët kanë ushtruar të drejtën e votës 1510 avokatë, me një përqindje pjesëmarrje prej 65%. Kjo konsiderohet një shifër relativisht e pëlqyeshme pjesëmarrjeje, çka tregon një angazhim gjithnjë në rritje të avokatëve për rifreskimin dhe përmirësimin e punës së këtyre organeve në funksion të rritjes së rolit dhe kontributit të avokatëve në sistemin e drejtësisë, si edhe të mbrojtjes individuale të avokatit nga çdo presion brenda dhe jashtë sferës së ushtrimit të këtij profesioni.

Nga ana tjetër, procesi zgjedhor ka qenë transparent dhe janë respektuar të gjitha procedurat dhe parimet në organizimin e zgjedhjeve, në mënyrë të tillë që t’i krijohej mundësia çdo avokati për të shprehur interesin dhe vullnetin e vet për të kandiduar në secilin post drejtues dhe njëkohësisht i garantohej çdonjërit prej tyre e drejta legjitime e votimit. Falë organizimit të një procesi të tillë zgjedhor, në të gjitha dhomat vendore të avokatisë ka patur kandidatura alternative dhe garë reale për zgjedhjen e secilit kandidat. Po kështu, nga ana e kandidatëve janë respektuar me korrektësi etika dhe respekti ndaj homologëve alternativë, duke krijuar kështu një atmosferë relevante për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Për sa u përmend më lart, në përfundim të këtij procesit zgjedhor nuk ka patur asnjë ankesë për rezultatin, procedurat apo mënyrën e organizimit të zgjedhjeve nga asnjë kandidat për kryetar apo për çdo organ tjetër, në dallim me zgjedhjet e mëparshme, kur në të paktën 5 dhoma vendore avokatie ka patur ankesa administrative për rezultatin zgjedhor, 3 prej të cilave janë zgjidhur juridikisht në gjykatën administrative.

Gara për zgjedhjen e organeve drejtuese ka qenë konkurruese; për këtë mjafton të përmendim rastin që për zgjedhjen e kryetarëve të Dhomave Vendore të Avokatisë në 5 prej këtyre dhomave, kandidatët fitues për kryetar kanë patur vetëm 1 votë diferencë nga kandidati konkurrent, ndërkohë që në disa dhoma të tjera kandidati fitues ka patur një diferencë prej vetëm 4 deri në 6 vota.

Gjatë këtij procesi zgjedhor është paraqitur një interesim i madh i avokatëve jo vetëm për të votuar, por edhe për kandidim në organet drejtuese.

Kështu, numri i kandidatëve për kryetar në të 15 dhomat e avokatisë ka qenë gjithsej 43 kandidatë, që kanë konkurruar për 15 vende. Numri më i lartë i kandidatëve për kryetar ka qenë në Durrës ku konkurruan 6 kandidatë, në Elbasan 5 kandidatë dhe në Lezhë, Shkodër dhe Tiranë me nga 4 kandidatura, ndërkohë që Gjirokastra ka votuar për një kandidaturë të vetme, për shkak të mungesës së paraqitjes së kandidaturave alternative.

Për sekretar konkurruan gjithsej 32 kandidatura për 15 vende, për kryesinë e dhomave konkurruan 111 avokatë për 65 vende dhe për përfaqësues të dhomave vendore për në Këshillin e Përgjithshëm të DHASH kandiduan 147 kandidatë për 90 vende.

Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve ishte se ka patur një rifreskim të dukshëm të organeve drejtuese. Kështu, në garën për kryetar i dhomës vendore, nga 15 drejtues të deritashëm u rikonfirmuan në detyrë vetëm 5 prej tyre, ndërkohë që në të tjerat u zgjodhën drejtues të rinj.

Ndërsa garën për sekretar të dhomave vendore u zgjodhën 15 të rinj nga 15 gjithsej, ndërkohë që për kryesinë e dhomave vendore u zgjodhën 55 përfaqësues të rinj nga 65 vende gjithsej. Po kështu ka një rifreskim të dukshëm të anëtarëve KP të DHASH, ku prej 92 anëtarëve që përbëjnë Këshillin e Përgjithshëm 52 prej tyre u zgjodhën të rinj.

Në përfundim të procesit zgjedhor u rikonfirmua në detyrë kryetari i DHASH z. Maksim Haxhia, i cili në garën e zhvilluar për kryetar me dy konkurrentë, fitoi 76 vota nga 86 pjesëmarrës në votime. Po kështu u rikonfirmua në detyrë edhe kryetari i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë z. Fatmir Braka, i cili do të ushtrojë njëkohësisht edhe detyrën e Zv.kryetarit të DHASH.